• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Monday, June 9, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Përlotja e tim vëllai, Ilias, aktori i Teatrit, m’u duk shenjë pendese, pse gjatë këtyre viteve, s’bëri as përpjekjen më të vogël, ta shihte një herë nënën, në kasollen e…”/ Refleksionet e shkrimtarit Sokrat Shyti

“Kur i kërkoi burrit, ta çonte tek prindërit, sepse nuk mund të duronte, të flinte me një njeri të përlyem, atij i kërceu tërbimi, e lidhi këmbë e duar pas trarit të ahurit dhe…”/ Kujtimet e ish-të internuarit politik
“Pas mbledhjes së 81 Partive, ne dolëm te stacioni ‘Kievski Vokzall’, për të përcjellë Enver Hoxhën dhe delegacionin tonë, ku rusët na ndiqnin me keqardhje, kur si të çmendur…”/ Kujtimet e ish-studentit të Moskës
“Edhe pse vëllanë, Ilian, nuk e lëvizën nga Tirana, të qetë nuk e lanë, pasi i hoqën rolin e Leninit te ‘Orët e Kremlinit’, se me vëlla të arratisur…”! / Dëshmia e shkrimtarit Sokrat Shyti
“Kur i tregova se më pëlqente letërsia, shitësja e ‘Librit Sovjetik’, më tha; atëhere plotësohet trashëgimia gjenetike tek tre vëllezërit: I madhi, artist i skenës, i dyti – piktor dhe i treti…”/ Kujtimet e ish-të përndjekurit politik
“Kur i tregova se më pëlqente letërsia, shitësja e ‘Librit Sovjetik’, më tha; atëhere plotësohet trashëgimia gjenetike tek tre vëllezërit: I madhi, artist i skenës, i dyti – piktor dhe i treti…”/ Kujtimet e ish-të përndjekurit politik

Nga Sokrat Shyti

Pjesa e tridhjetetre

Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.

Kush është Sokrat Shyti?

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.

Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!

         Agron Tufa

                                                   Vijon nga numri i kaluar

PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”

– “Sado shpirtmirë dhe i gatshëm të jetë sekretari i Parë për të kryer veprime në dobi të qytetarit, që lënë gjurmë të thella, prapë nuk e kalon dot kufirin e lejuar si drejtuesi kryesor i rrethit. Sidomos për rastin në fjalë, që bie ndesh me Vendimin e Komisionit Qeveritar. Sepse para së gjithash, i dhimbset koka dhe do të ruajë karrigen e postit. Prandaj e them me bindje të plotë, se ka diçka në këtë mes…! – përsëriti ai. – Sepse nuk e pranon as logjika më e thjeshtë, të dalë kundër të gjithëve…”!

– “Por faktikisht doli! – e kundërshtova unë. – Dhe ai e shpjegoi qartë qëndrimin e tij: nuk duhet trajtuar një familje që ka ndihmuar Lëvizjen Nacional-Çlirimtare në çdo drejtim, duke na ndëshkuar me forma çnjerëzore, si strehimi në kasollen e lopës, kur dihet që pjesëtarët janë krejt të pafajshëm! Prandaj dhe i tërhoqi vërejtje të rëndë, kryetarit të Degës së Brendshme, që nuk u tregua vigjilent në zbatimin e masës së dënimit…”!

– “Ne ç’kuptim nuk u tregua vigjilent? Të pyeta edhe pak më parë, por ti nuk më ktheve përgjigje: nga i di këto hollësi kaq delikate? – më ndërpreu i nervozuar. Nga pohimi gojor i drejtpërdrejt i ndihmësit të sekretarit të Parë. Në vendim nuk shkruhet as vendi i dënimit, Ardenice dhe as përmendet kasollja e lopës! Mjafton një lexim i kujdesshëm për të rrokur prapaskenën e mbrapshtem se gjatë përmbushjes së këtij vendimi, ka patur ndërhyrje keqdashëse të porositur nga dikush, sigurisht me synim djallëzor, për të mos e ngritur ne kurrë kokën.

Duke patur parasysh këtë arsyetim, mendja e kthjellët e shokut Qemal, jo vetëm nuk doli kundër Vendimit, por vuri në dukje se ç’pisllëqe të poshtra janë bërë mbi kurrizin e familjes tonë. Zbulimi i kësaj padrejtësie, e cila po të mos korrigjohej do më çonte mua drejt pasojave tmerrësisht shkatërrimtare, u bë nxitëse kryesore për t’i thënë ndal, trajtimit çnjerëzor.

Dhe nuk u mjaftua vetëm me përshkrimin e anës së errët të keqtrajtimit mizor, tek streha drithëruese, të cilën e quajti shpellë, por projektoi të ardhmen time. Si e vetmja mënyrë për të hequr epitetin e tmerrshëm, ‘i deklasuar’, ishte të merresha me pune intelektuale, pasi kjo shihet me sy të mirë në shoqërinë tonë. Mbështetur mbi këtë këndvështrim praktik, mori vendimin e formës se prerë; të sistemohem në arsim! Ky është dhe kumti i dytë madhor, që më shkëput nga kthetrat e mbijetesës”!…

– “Qenkan me të vërtetë lajme të mrekullueshme!… – tha i mahnitur im vëlla. – Atëherë duhet gjetur një formë për ta falënderuar shokun Qemal, duke patur parasysh që në kohën tonë, rrallë kush merr guximin dhe ka ndjeshmërinë të japë ndihmesën e vet, për të korrigjuar një padrejtësi kaq barbare”!… – shtoi ai, duke psherëtirë.

– “Ke të drejtë. Fatmirësisht erdhi vetvetiu ky rast”!…- i thashë unë. (Dhe i shpjegova si shkova në zyrën e ndihmësit të tij, për sqarimin e diçkaje, kur krejt befas u shfaq bamirësi me tërë madhështinë e shpirtit, i cili më ftoi bujarisht në kabinet). – Aty ma bëri të njohur vendimin e tij, për të punuar në arsim. Por më parë vuri në dukje pjesën më të vështirë, mbingarkesën e pazakonshme: gati trefishin e normës javore, dhjetë përgatitje ditore, domethënë dhjetë ditarë në çdo ditë, për faktin se do jap mësim në shkollën e mesme me shkëputje dhe pa shkëputje nga puna, pa klasa paralele!

Dhe tërë kjo mbingarkesë, me mbi dy norma të tepërta javore, do përballohet nga ana ime, pa shtesë rroge!… Në vazhdim më tregoi se takoi në Tiranë mikun e tij, Shevqet Musaraj, i cili e vuri në dijeni për dorëshkrimin e romanit ‘Madam Doktoresha’ dhe shprehu keqardhjen që nuk më ndihmonte dot në këtë drejtim…”!

– “Ka ndihmë më të madhe se kjo”!… – tha i habitur im vëlla.

– “E kishte fjalën se puna e mësuesisë me të vërtete vlerësohet si detyre e nderuar, dhe ka pagë mesatare për të jetuar. Por për kushtet specifike të mbingarkesës, me trefishin e normës javore, më rrëmben tërë kohën, nuk më le asnjë minutë të lire, të merrem me letërsi”, – i shpjegova unë, për t’i treguar sa largpamës e dashamirës u tregua ai ndaj meje.

– “Ty vetë të kish shkuar ndonjëherë mendja, se në një të ardhme mund të punosh në arsim”? – më pyeti vëllai.

– “Të ëndërrosh për diçka të tillë, kur je hamall karburanti, do të thotë se kanë filluar të shfaqen shenjat e para të lajthitjes dhe dalëngadalë po i qasesh Don Kishotit nga mendimet”!…- iu përgjigja me buzëqeshje.

– “Sot për mua qenka dita e sihariqeve të mëdha…” – tha im vëlla, duke ngritur gotën e rakisë. – “Po kumti i tretë?… – shtoi pas pak, si gjerbi një gllënjkë. Po të mos ndodhte kthesa e madhe rrënjësore, sistemimi në një strehë normale dhe marrja e vendimit për punësim në arsim, kumti i tretë do mbetej një dëshirë e ndrydhur…”!

– “Atëherë duhet të jetë një dashuri e vrullshme me një vajzë”? – ma rrëmbeu ai fjalën nga goja. (Unë tunda kokën). – “Po qe nga Lushnja, duhet ta njoh…”, – shtoi me kureshtje.

– “Të kujtohet vajza më e vogël në brigadat kulturore të fëmijëve, ajo që bënte akrobaci?… Për ta bërë më të qartë cila është, mjafton të them kushërira e parë e Thoma Tushës, që ti e njeh në afërsi, se jeni gati në moshë, dhe atëhere aktivizohej në korin e Shtëpisë së Kulturës”.

– “Oj e njoh! Kushedi sa herë kemi bërë qyfyre dhe kemi kthyer gota në klub!… Njoh edhe atin e tij, xha Gaqin. Atëherë nusja jote, qenka vajza e xha Zoit. Godita në shenjë”? – pyeti i kënaqur. – “Si ndodhi që u lidhët?! Sepse ti ishe në fshat, kurse ajo në qytet”!…

– “Teatri amator u bë ndërlidhës”, – ia ktheva unë me buzëqeshje. – Ky u bë nismëtar që emri im shkoi në kabinetin e shokut Qemal…”! (Dhe i rrëfeva tërë historikun e zëvendësimit të rolit tek drama “Vatra e Huaj”).

– “Edhe ajo luan teatër”? – pyeti ai me interesim.

– “Ajo ka rolin e nënës aristokrate, ndërsa unë, djali i saj”, -shtova unë.

– “I kam parasysh dramën dhe personazhet”, – tha ai.

– “Por ti ende nuk e di që grimin e personazheve e bëj unë”?

– “Me të vërtetë?!… – Për herë të parë t’u shfaq kjo dhunti”?!

– “Ndoshta mund të quhet zgjim i menjëhershëm i disa vatrave në sistemit tim nervor, të cilat janë aktivizuar vrullshëm pas ndrydhjes së gjatë, kur bridhja ugareve i vetmuar me bidonin e naftës mbi sup…”, – iu përgjigja me një psherëtimë të thellë.

– “Dhe në vatrën e dashurisë, u ndez llamba pesëqind vat”! – shtoi im vëlla.

– “Brenda u ndez, por jashtë nuk u shfaq! Sepse gjendesha përballë një kundërshtie të papajtueshme mes ndjenjës dhe përmbushjes së dëshirës. Ishte e pafalshme nga ana ime, t’i rrëfeja asaj një të fshehtë që s’duhej treguar. Po të mos ndodhnin tërë ato ndryshime për mbarë, që dëgjove, ndjenja e brendshme do mbetej e heshtur”.

– “Pra, shoku Qemal del dhe kurorëzuesi i dashurisë tuaj!… – tha im vëlla. – Qenka subjekt interesant për një dramë! Pse të mos e shkruash”?… – shtoi ai.

– “Në fillim ka rëndësi ta jetësojmë, e pastaj ta hedhim në letër”, – ia ktheva unë.

– “Nismëtare u bë ajo apo ti”? – donte të dinte im vëlla.

– “As unë e, as ajo, por diçka e ndërmjetme…”– shtova unë.

– “Si e ndërmjetme, se s’ po ta marr vesh”?… – shtoi ai i hutuar.

– “Më saktë duhet thënë, u shfaq krejt befas kërkesa për fejesë, në familjen e vajzës… (Dhe i përshkrova shkurtimisht fërkimet e ashpra mes këshillit familjar e, kundërshtimeve të prera të vajzës ‘kokëfortë’) – Në këto kushte, ajo u detyrua të pohojë arsyen e vërtete të kundërshtisë…”!

– “Po Thomai u bashkua me korin e përbashkët”? – pyeti im vëlla.

– “Natyrshëm u bashkua, sepse s’mund të dilte kundër. Cili prind apo kushëri, pranon të fejohet e martohet vajza e familjes me një djalë, që s’ka as shtëpi e, as katandi, për më tepër punon si hamall dhe bart me vete strokën e të ‘deklasuarit’”?!…

– “Gjithnjë e më shumë bindem që ky subjekt real, shërben për një dramë të fuqishme”! – përsëriti i menduar im vëlla.

– “Në qoftë se të ngacmon kaq shumë, mund ta shkruash, – i thashë unë. – Por duhet bërë kujdes i madh me shtrirjen e fërkimeve, nga familja në shoqëri, sepse realizmi socialist s’pranon një sekretar të Parë partie, si mbrojtës të një të ‘deklasuari’, aq sa guxon të dalë fare hapur, kundër Vendimit të Komisionit Qeveritar, për më tepër qëmton e zbulon keqpërdorimin me synim të qëllimshëm të Vendimit, nga disa anonimë. Fakti që përmbajtja e kësaj ngjarje, bart në vetvete tharmin e një dramë kaq të fuqishme, mbushur me intriga e kurthe të llahtarshme, na vë përpara dyshimit të frikshëm: lejohet kjo pjesë të shfaqet në skenën tonë”?

– “Ke shumë të drejtë, – pranoi im vëlla. – Kjo ide duhet studiuar më parë me këndvështrimin e luftës klasore. Tek ty më pëlqen që nuk je i nxituar. Sa autorë e kanë pësuar vetëm kur dikush ka ‘zbuluar’ një batutë të dyzuar”?!

– “Nga përvoja ime e gjertanishme kam arritur në këtë përfundim: po nuk e ndjeve veten pjellë të kësaj metode, rri i heshtur, mos shkruaj. Pasi vetvetiu diku ndërmjet rreshtave, do ta shprehesh tërthorazi papajtueshmërinë me realitetin e shtirur”.

– “Ti e ke vendosur të mos shkruash? Do heqësh dorë nga letërsia”? – pyeti im vëlla.

– “Mbingarkesa me gati tre norma në javë, do më rrëmbejë çdo minutë të lirë. Ky fakt mjafton për t’i mbushur mendjen vetes, pse s’mund të shkruaj. Për mua ka rëndësi të theksohet ndryshimi: ‘nuk mund’ më, ‘nuk dua’. Sepse ‘nuk dua’, krijon vetvetiu dyshim të tmerrshëm hakmarrës. Ndërkaq më ‘nuk mund’, u bëhet qejfi dashakeqësve të mi, të cilët synojnë të më asgjësojnë si krijues”.

– “Ke forca në vetvete ta përballosh këtë ndrydhje kaq të dhimbshme të shpirtit”?… – pyeti i shqetësuar im vëlla.

– “Duke patur parasysh mbingarkesën, mesatarisht 30 faqe ditari çdo ditë, them nuk do kem kohë as për të lexuar letërsi artistike, e jo pastaj t’i përkushtohem krijimtarisë letrare. Kështu që vatra e krijimtarisë vetvetiu do fashitet. Kalimi nga mbijetesa e sforcuar në jetesë, kërkon nga cilido sakrificë, para së gjithash heqjen dorë nga ëndrra për të qenë dikush”.

– “Si thua: marrim dhe një teke tjetër, se qenka safi raki rrushi”?… – shtoi im vëlla, kur vuri re gotat e boshatisura.

– “Nga ty varet: Në qoftë se je i lirë, nuk ke prova, propozimi më duket më vend”, – ia ktheva unë. Dhe menjëherë i bëra shenjë kamerierit, duke ngritur gotën lart, ta përsëriste porosinë.

– “Për çastin që flasim, deri në ç’pikë ka mbërritur zhvillimi i vrullshëm? E kam fjalën për familjet tona…” – u interesua im vëlla.

– “Hapi i parë u hodh nga të dy: ajo erdhi në Shtëpinë e Retës, u takua dhe bisedoi shtruar me nënën. Në kthim, kur e përcolla deri në oborrin e shtëpisë, ajo kërkoi të futesha brenda për të qetësuar mamanë e saj”.

– “Kërkesë e drejtë. Si të priti vjehrra”? – më pyeti me kureshtje.

– “Në fillim me qortime dhe vërejtje të ashpra. Në fund me dy lloj gliko mjaltë të ëmbla”! – iu përgjigja me buzëqeshje.

– “Po nëna, ç’mendim ka për ecurinë e mëtejshme”? – kërkoi të dinte ai.

– “Duhet bërë fejesa sa më shpejt! Të njëjtën gjë tha dhe Stavri. Sepse pas atij fërkimi të ashpër, nuk ka kuptim zvarritja”.

– “E drejtë, shumë e drejtë, – përsëriti im vëlla. – Dhe si e keni parashikuar”?

– “Do kryhet ceremonia sipas traditës: ju dy të mëdhenjtë e familjes prindërore, sigurisht çift, Dhora, unë, dhe njeri nga fëmijët tuaj, që do mbajë valixhen me peshqeshe, do shkojmë në shtëpinë e saj, të kërkojmë dorën e vajzës. Kështu tha nëna”.

– “Kur parashikohet të kryhet fejesa”? – pyeti ai.

– “Saktësisht në cilën datë, ende s’e kemi vendosur. Por të dy palët ramë dakord, për muajin mars…”, – shtova unë.

– “Si më i madh më takon mua të ngre dollinë e parë për fejesën e vëllait tim të vogël! – tha ai duke ngritur gotën. – Shumë befasuese dhe e çuditshme na shfaqet jeta në disa raste: një ngjarje e vetme, ngrin marrëdhëniet mes pjesëtareve në familjen prindërore, thuajse këtu kanë zbritur akujt polarë! Dhe pas njëfarë kohe, vjen po kaq befas ngrohtësia tropikale, që shkrin akujt dhe na afron me njëri-tjetrin”!… – shtoi me sy të përlotur.

Këtë çast, përlotja e tij m’u duk shenjë pendese e tërthortë ndaj vetes, pse gjatë këtyre viteve, nuk bëri as përpjekjen më të vogël, ta shihte qoftë një herë të vetme nënën, në kasollen e lopës, ndonëse iu dhanë disa raste e mundësi, kur udhëtonte për në Fier. Mjaftonte të ndalonte pak minuta, sa ta përqafonte dhe t’i thoshte: mos më qorto pse nuk jam dukur këtu!

Rëndësi ka që me shpirt e me mëndje, gjendem gjithnjë pranë teje. Por edhe pas këtij arsyetimi, më dukej prapë e pakuptimtë ta fajësoja vëllanë e madh pas ndarjes së gjatë, për qëndrimin e ftohtë. Sepse gjykimi i shëndoshë me shpjegonte qartësisht se akullsia kishte ndodhur për shkak të mos mbërritjes së thirrjes së gjakut deri në vetëdijen e tij, ngaqë përplasej pas murit të trashë të frikës dhe kthehej mbrapsht.

Prandaj gjatë këtyre viteve kish pësuar depresion, qe bërë me hije kërcënuese, të cilat e ndiqnin pas kudo. Sa edhe kur shtrihej për të fjetur, i shfaqeshin në gjumë për t’i përsëritur të njëjtin kërcënim: në qoftë se këmba jote guxon të shkelë kasollen e lopës, dije se edhe ti, do shkosh pranë tyre! Prandaj dhe përpjekjet për t’i dhënë kurajë vetes, të gjejë forca të mjaftuara për të zbuar hijet kërcënuese, mbeteshin gjithnjë në mes të rrugës, fuqia i shkrehej, vërente tejet i dëshpëruar të kundërtën: se hijet zgërdhiheshin me të, i thoshin se ti je qullac, as domaten nuk e shtrydh dot, e jo pastaj të sfidosh forcën tonë të errët, që të bënë gjëmën!

Ndërsa në mëngjes, kur shkonte në pune, i dukej sikur do ndeshej ballë përballë me hijet e gjalla, që dilnin nga postblloku i ministrisë, disa prej të cilëve e përshëndetnin dhe e nderonin. As vetë s’e kuptonte, pse çdo veprim i tyre i dukej sikur merrte përmasa kërcënuese, enkas për t’i kujtuar gjëmën e llahtarshme, dhe veshët i buçisnin nga britma të tmerrshme ulëritëse, që e urdhëronin të rrinte ndrydhur i strukur brenda zhguallit të frikës, e të mos guxonte të dilte asnjë minutë jashtë kësaj mburoje të sikletshme.

Duke u pështjelluar orë e çast nga hijet e kësaj trembje të përhershme, mendja e tij ra preh e grackës së mpirjes të përgjithshme, humbi aftësinë të përdorte nuhatjen praktike, sa i dukej krejt e pamundur të afrohej me disa oficerë dashamirës të teatrit, simpatizantë personalë të roleve të tij, që të bisedonte me ta për problemet e artit skenik, dhe kur ta ftonin për kafe në klubin e Ministrisë së Brendshme, ky me takt e kujdes, të niste një bashkëbisedim shoqëror për atë që e shqetësonte, prova e parë nëse ndonjë shfaq gatishmërinë për ta ndihmuar.

Pastaj në takimin tjetër, ta pyesë me zgjuarsi sa kohë duhet ndenjur larg njerëzve të familjes, (nënës, vëllait, motrës), kur këta janë larguar nga Tirana, jo për fajin e tyre. Pikërisht kjo ndërhyrje i jep shkas e mundësi adhuruesit, të shfaqë dëshirën për ta ndihmuar, duke filluar nga më e thjeshta, t’i sigurojë leje për të vizituar nënën. (Për këtë procedurë, vëllai i madh pa tjetër duhet të ketë dijeni, e njëjta gjë që përdoret rëndomë për të vizituar të burgosurit, me përjashtim të rasteve kur këta mbahen mbyllur në qeli të izoluar).

Nuk e vija në mëdyshje që vëllai im i madh e ka ditur këtë mundësi, por ka ndenjur larg kësaj kërkese nga kërcënimi dhe tmerri i kasolles së lopës, si formë krejt e veçantë dënimi, që krahasohet vetëm me qelinë e izoluar të burgut, si e tillë as bëhet fjalë për të vizituar banorët e saj. Duke patur strumbullar të mendimit këtë arsyetim, e ka quajtur ngurrimin e tij si masën më praktike e të përshtatshme brenda normave ligjore, i mbështetur në gjykimin se përgjithësisht, vetëpërmbajtja vlerësohet, nuk cilësohet sjellje e qortueshme, pavarësisht nga veprimet anësore të më vonshme, të cilat na shkaktojnë brejtje të vetëdijes.

Parë nga ky këndvështrim, përlotja në fund të takimit, mund të merret si formë e pendesës spontane, duke krahasuar qëndrimin e tij të flashkët, me atë të sekretarit të Parë te rrethit, i cili edhe pse s’kishte njohje e lidhje gjaku me të ndëshkuarit në kasollen e lopës, mori përsipër një barrë tejet të guximshme e të rëndë, theu tabunë e vendimit të Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve, doli kundër gjithë funksionarëve të rëndësishëm të rrethit, shtangu kryetarin e Komitetit Ekzekutiv me veprimin e pashembullt, strehoi në kushte normale një familje të deklasuar, emëroi në arsim hamallin e karburantit, ish- gazetarin e Radios!

Prandaj im vëlla, mbeti disa minuta rresht i hutuar, me vështrim të habitur e mosbesues, kur dëgjoi kumtin çudibërës njerëzor! Sepse nuk i besohej që drejtuesi kryesor i rrethit, qe’ treguar kaq shpirtmadh e altruist, sa shpalosi publikisht një virtyt të mrekullueshëm në një kohë të tej ngarkuar me trysninë e asgjësimit, guxoi të shfaqë dinjitetin e intelektualit liberal, ndër dukuritë më të rralla, antipodi i egërsisë dhe shpirt-ligësisë të sekretarëve që kish njohur, kur punonte si instruktor në Komitetin e Partisë!

Nëpërmjet vendimeve dhe veprime të guximshme, ky u tregoi partiakëve dhe pushtetarëve meskinë, se padrejtësia e inkriminuar me tharm djallëzor, mund të çlirohet nga synimet e errëta për t’ia nxirë jetën dikujt, në qoftë se rivali në çdo fushë të jetës, shihet gjithnjë me sy njerëzor, garues dhe konkurrues, pa i shkuar ndërmend të kurdisi e bëjë përpjekje keqdashëse, për ta izoluar në karantinë, me synim e qëllim të frenojë e pengojë mundësitë dhe aftësitë krijuese. Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Ndryshe nga Cen dhe Uke Cami, politikës përçarëse të misionarëve jugosllavë dhe veglat e tyre, Haxhi Lleshi, Esat Ndreu, etj., iu bashkuan edhe...”/ Refleksionet e historianit të njohur nga Shkupi

Next Post

“Me urdhër të Enver Hoxhës, gjeneral Dali Ndreu, me 3 korrik 1944, filloi aksionin kundër forcave zogiste të Hysni Demës, Ismail Demës, Uke Camit etj,...”/ Historia e panjohur e luftës civile në rrethin e Dibrës

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Me urdhër të Enver Hoxhës, gjeneral Dali Ndreu, me 3 korrik 1944, filloi aksionin kundër forcave zogiste të Hysni Demës, Ismail Demës, Uke Camit etj,…”/ Historia e panjohur e luftës civile në rrethin e Dibrës

“Me urdhër të Enver Hoxhës, gjeneral Dali Ndreu, me 3 korrik 1944, filloi aksionin kundër forcave zogiste të Hysni Demës, Ismail Demës, Uke Camit etj,...”/ Historia e panjohur e luftës civile në rrethin e Dibrës

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!