Nga Qerim Lita
Pjesa e dytë
-Ukë Cami, ushtarak dhe nacionalist i shquar shqiptar –
Memorie.al / Ukë Ramadan Cami lindi në vitin 1896, në Sepetovë, lagje e Tërbaçit, Komuna e Ostrenit, Dibër. Shtëpia e tij në afërsi të rrugëkalimeve për Strugë, Dibër, Gollobordë, Grykë të Vogël e të Madhe, ishte gjithnjë e hapur për krerë dhe atdhetarë të lëvizjes kombëtare. Babai i tij, Ramadani, ishte luftëtar i vendosur për konstitucionin dhe ndër luftëtarët e parë për formimin e klubit “Bashkimi” të Dibrës. Si veprimtar i klubit, i mbështetur edhe nga Eqerem Cami, zhvilloi një aktivitet të dendur propagandistik në qytet e në malësi. Camët janë një familje e madhe, pari e Dibrës që shtrihet në fshatrat e Gjoricës, Viçishtit, Golovishtit, Sepetovës dhe në Dibër të Madhe.
Menjëherë pas çlirimit të qytetit të Dibrës, u vendos pushteti shqiptar që përbëhej prej dy krahëve, atij nacionalist dhe komunist. Kjo politikë ishte e papranueshme për komunistët jugosllavë, prandaj Tempo me 1 tetor 1943 i dërgoi një letër Haxhi Lleshit ku kërkonte prej tij: “të ndërmarrë masa të rrepta ndaj reaksionit shqiptaro-madh”, për shkak se sipas tij: “ky reaksion në Dibër, reflektohet edhe në Kërçovë”. Ai i sugjeronte mikut të tij që, mundësisht, të shkaktonte “përçarje mes tyre, duke përfituar (duke bërë për vete) ndonjë prej tyre, gjithnjë duke pas parasysh që menjëherë të nisë propaganda për etiketimin e të tjerëve”.
Tempo kërkonte që Haxhi Lleshi të krijonte në Dibër një “batalion të ri dibran, me ushtarë të përzier shqiptaro-maqedonas, ku, krahas flamurit shqiptar, të valojë edhe ai jugosllav”. E gjithë kjo duhej të bëhej në frymën e “vëllazërim -bashkimit”. Tempo saktësonte se “pushteti i ri që do të vendoset të jetë kryekëput pushtet komunist, batalioni të udhëhiqet prej sllavo-maqedonasve dhe shqiptarëve vendas”, si dhe, të zbatonte me përpikëri, marrëveshjen e nënshkruar mes Shtabit të Përgjithshëm të LNÇSH-së dhe atij të LNÇM-së, sipas së cilës: “të gjitha territoret shqiptare që ishin bashkuar me Shqipërinë nga viti 1941, llogariteshin si territore maqedonase”, prandaj në ato territore duhej të vendosej pushteti maqedonas.
Në përputhje me kërkesën e Tempos, Haxhi Lleshi organizoi një takim të fshehtë me krerët e familjes Ndreu, përkatësisht me Cen Elezin, Xhetan e Beshir Ndreun të cilëve u kërkoi ta braktisnin KSHpLPSHE-në dhe t’u bashkoheshin forcave të FNÇSH-së. Njëkohësisht, Haxhi Lleshi i kërkoi Cen Elezit që xhandarmëria të shkrihej në “Ushtrinë Nacionalçlirimtare”, ose me “bandat e tij e të shokëve” dhe të angazhoheshin të gjitha forcat për luftë, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat fqinje të LNÇM-së, ndërsa zgjidhja e çështjes së kufijve, t’i lihej: “Kartës së Atlantikut dhe Traktatit të Londrës”. Takimi u mbyll, pa ndonjë përfundim. Cen Elezit ju la 24 orë kohë që të këshillohej me shokët e Komitetit.
Të nesërmen, Cen Elezi, pohoi se do të hynte në luftë, posa të dorëzoheshin depot, nuk pranoi shpërndarjen e karabinierëve, madje kërkoi shtimin e sigurisë dhe paralajmëroi se do të tërhiqte forcat e veta. Po kështu Xhetan Ndreu që ishte i pranishëm në takim deklaroi se “nuk dëshironte të bëhej komunist” dhe se “nuk don të jetë shkaktar i vëllavrasjes”.
Po për këtë qëllim, komunistët shqiptarë, gjatë muajit gusht të vitit 1943, sipas të gjitha gjasave përmes Hamdi Demës, ishin përpjekur ta përvetësojnë edhe Uke Camin, i cili asaj kohe me një pjesë të forcave të veta vullnetare qëndronte në Vllasiq. Lidhur me këtë, Komanda e Divizionit “Firenze” në Dibër të Madhe, duke u mbështetur në informatën e komunës së Ballancës, më 14 gusht 1943, njoftonte se, “një çetë e armatosur komuniste e përbame prej 8-9 vetash kanë ardhun në katundin Prapanik i Madh dhe kanë hyrë në shtëpinë e Xhemo Hajredinit, ma vonë së bashku me Xhemon janë nisun me drejtim të katundit Vllasiq.
Kryetari i çetës nuk asht muejt me u konstatue”. Edhe pse në informatë nuk saktësohet udhëheqësi i çetës, me siguri se bëhej fjalë për Hamdi Demën, i cili kohë më parë, ishte vendosur në fshatin Galiçnik. Mirëpo, edhe kjo përpjekje nuk pati sukses, për arsye se, siç do të shohim në vazhdim, Uke Cami do të rreshtohet përkrah forcave nacionaliste. Ndryshe nga Ceni dhe Ukja, politikës përçarëse të iniciuar nga misionarët jugosllavë dhe veglat e tyre Haxhi Lleshi, Esat Ndreu, Hamdi Dema etj., iu bashkuan disa krerë si Faik Shehu, Hilmi Karahasani, Xhevdet Kumbaraxhia, Ali Ndreu, dhe natyrisht të gjithë Lleshët.
Fushata për njollosjen e parisë nacionaliste shqiptare në Dibër, siç thuhet në proklamatën e lëshuar nga Komiteti Shqiptar për Lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë Etnike, filloi menjëherë pas formimit të këtij komiteti, në kuadër të të cilit u rreshtuan krerët më me ndikim dhe pjesa dërmuese e forcave të Dibrës, në mesin e të cilëve padyshim se shquhej edhe Uke Cami. Ky realitet, thuhet në proklamatë i “egërsoi keq komunistët, të cilët shpresojshin se do të mujshin dal nga dal t’i inkuadrojn forcat e Dibrës në partin e vet, gja qi ka qen nji shpresë e kot e gabueshme. Filluen pra me atakue me të tana fuqit e veta Komitetin e ri për t’a shkatrrue, tue sulmue së jashtmi, por kjo nuk qe e mundun, dhe atherë filloj nji manovër e re: përpjekja me e shkatrrue për-mbrenda”.
Ndërkohë, krerët nacionalistë, për t’iu shmangur vëllavrasjes, i tërhoqën forcat e tyre nga Dibra e Madhe, me çka ky qytet ra në duart e komunistëve maqedonas. Por sikur kjo të mos mjaftonte, Tempo urdhëroi që një njësi partizane shqiptare të udhëtonte për në Kërçovë, për të ndihmuar marrjen e këtij qyteti nga ana e Shtabit të LNÇM-së. Në raportin e Sotir Vullkanit dërguar Shtabit të Përgjithshëm thuhej se për në Kërçovë ishin dërguar 200 partizanë, nën komandën e Esat Ndreut. Kjo forcë hasi në rezistencë të madhe nga forcat vullnetare shqiptare të komanduara nga Xhemë Gostivari dhe u detyrua të kthehej në Dibër me humbje të mëdha. Sipas, Vullkanit, Xhemë Gostivari, kishte mobilizuar më se 700 vetë, të armatosur po thuajse të gjithë me armë automatike gjermane dhe se Xhemës i kishte ardhur në ndihmë Muharem Bajraktari, Selim Noka, Zenel Kotarja dhe Hamza Rexhepi.
Rënia e Dibrës në duart e forcave komuniste shkaktoi pakënaqësi tek shqiptarët e këtij qyteti sepse pushteti, tashmë, nuk administrohej nga shqiptarët por nga maqedonasit. Tempo mbajti një fjalim në Kërçovë ku pohoi se “së shpejti do të ngrihet flamuri Maqedhonas dhe, në rast se do të kundërshtojnë reaksionarët, atë do ta mbrojë Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare.” Këtë deklaratë Haxhi Lleshi e konsideronte se ishte “shumë me vend”, por shprehte shqetësimin se “reaksionarët gjetën rast për të ba propagandë kundra nesh si komunistë që bashkohemi me kombe tjera”.
Në kohën kur po zhvilloheshin luftime të ashpra në rrethinën e Kërçovës, në Peshkopi, me ndihmën e Faik Shehut, ishin futur njësitë partizane. Numri më i madh i partizanëve ishin malazezë e italianë. Më 9 tetor, 1943, drejtuesit e Kp LPSHE-së, i kërkuan Faik Shehut që “komunistët të lëshojnë qytetin deri në orët e para të mëngjesit, përndryshe forcat shqiptare do të futen në qytet”. Ky ultimatum nuk u përfill. Krerët e Komitetit, më 13 tetor u futën në Peshkopi me forcat e veta. Po atë ditë, formuan Komitetin Nacional, nën udhëheqjen e Fiqiri Dines, Riza Drinit dhe Selim Jegenit. Me këtë rast, Riza Drini mbajti një fjalim ku, ndër të tjera, deklaroi: “Ne do të luftojmë kundra Gjermanisë. Jemi miq me Aleatët e Mëdhej, Angli e Amerikë të cilët do t’u japin liri popujve të shtypun dhe paqe e drejtësi botës”.
Më pas, u zgjodhën organet e prefekturës: prefekti, kryetari i bashkisë, komandanti i qarkut e i rrethit dhe u bë grumbullimi i xhandarmërisë. Forcave partizane ju erdhi në ndihmë çeta e Esat Ndreut dhe një batalion i Brigadës maqedono-kosovare i përbërë nga partizanë serbë e malazezë. Vendosja e forcave serbo-malazeze në Peshkopi i acaroi edhe më tepër marrëdhëniet midis dy krahëve politik shqiptarë. Krerët nacionalistë, kërkuan nga Faik Shehu i cili mbante anën e FNÇSH-së që të tërhiqeshin urgjentisht forcat serbo-malazeze nga qarku i Peshkopisë. Ky premtoi se këto forca do të largoheshin, por kjo tërheqje nuk u bë. Kështu, Qark-komandanti i Prefekturës së Dibrës, Miftar Kaloshi, urdhëroi mobilizimin e mbarë popullsisë së Dibrës, për dëbimin e forcave armike nga kjo krahinë shqiptare.
Në këtë situatë tejet dramatike, ndërhyri përfaqësuesi i misionit ushtarak anglez i cili ju dha ultimatum komunistëve shqiptarë që t’i largonin partizanët e huaj nga kjo krahinë. Mirëpo drejtuesit komunistë shqiptarë edhe këtë herë nuk e mbajtën fjalën. Si rezultat, më 18 tetor shpërthu lufta midis forcave nacionaliste shqiptare dhe forcave komuniste shqiptaro-jugosllave. Më 19 tetor, përsëri ndërhyri kapiteni anglez i cili i kërkoi Esat Ndreut që të ndalohej menjëherë lufta vëllavrasëse; të dorëzonte topat e kazermat; si dhe të largonte të huajt nga Peshkopia. Ai paralajmëroi Esatin se, nëse nuk zbatohej kjë kërkesë, “përgjegjësinë e luftës e mbante ai (Esati) dhe se për këtë do të lajmëroj Londrën”.
Ndërhyrja e tij ndihmoi për arritjen e armëpushimit. Më tej kapiteni anglez ndërmjetësoi në bisedimet që u zhvilluan midis dy palëve. Komitetin shqiptar e përfaqësuan Abaz Kupi dhe Fiqiri Dine ndërsa, FNÇSH-në Esat Ndreu. Si përfundim, u arrit marrëveshja që më 21 tetor forcat partizane të lëshonin Peshkopinë, ndërsa në vend të tyre të futeshin forca nacionaliste. Po atë ditë, Komiteti Shqiptar për Lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë Etnike, lëshoi një komunikatë, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:
“Komiteti me të gjithë anëtarët e vet sot ka hy në Peshkopi dhe ka fillue nga veprimi. Ju njoftojmë se Komiteti edhe gjithë paria e besatueme për realizimin e qëllimit të naltë të vet qi asht shpëtimi i Kombit dhe i Atdheut sot asht i vendosun ma tepër se kurdoherë për me vazhdue në përpjekje e në luftë me nji vullnet të pa përkulshëm dhe me nji energji gjithnjë ma të rreptë, për me dalë në krye misionit t’onë të shenjtë. Ju ftojmë pra qi të mbani për herë naltë e ma naltë frymën luftarake në shpirtin t’uej e të ja shartoni këtë frymë edhe njerëzve t’uej tue mbajtë naltë flamurin e Nacionalizmizmit dhe t’Atdheut, të patriotizmit Shqiptar e Dibran. Në këtë rasë Ju komunikojmë dizpozitat e poshtë shënueme, me porosi qi të respektohen pikë për pike e plotësisht:
1) Gjak derdhja e bame në Peshkopi ka qenë me karakter krejt politik e prandaj nuk ka vend për ahmarrje personale.-
Kët luftë qi po bahet për nji qëllim të shenjt Kombëtar nuk mund t’a ndyjm me gjak e ahmarrje të vogla dhe t’ulta personale, kët pikë duhet t’ua shpjegoni njerëzve t’uej e t’i bindni.-
Me gjith ket, në qoftë se ka ndodhë ndonji rast i veçantë që meriton të merret parasysh, Komiteti asht gadi me e marrë në studim dhe konsideratë. Por gjithsesi dhe në nji mënyrë të preme asht e ndalueme për njerzit qi mvaren nga Komiteti, të qesin pushkë për ahmarrje personale për gjak të shkaktuem në Peshkopi. Për këtë pikë duhet të veproni me gjith fuqin t’uej dhe të siguroni respektimin e saj;
2) Na dërgoni e na kompletoni listën emnore të dëshmorve qi kanë ra në luftën e Peshkopis si edhe të plaguemve tue shënue emën e mbiemën, katundin prej nga janë, martue a po jo me fmi e sa fmi ose jo”.
Sipas marrëveshjes së arritur me misionarët anglezë, forcat partizane u vendosën në Dibër të Madhe. Këtu qëndronin, Svetozar Vukmanoviq-Tempo dhe Haxhi Lleshi. Para shtabit të Batalionit në Dibër, mbajtën fjalime Haxhi Lleshi, Tempo e Faik Shehu. Sipas një raporti të Sotir Vullkanit, “në këto fjalime që u duartrokitën shumë, u theksua sidomos bashkëpunimi dhe vëllazërimi në luftë me popujt fqinjë jugosllav, grek e bullgar, u demaskua sheshazi Parija e u popullarizua lufta Nacionalçlirimtare…”.
Meqë situata në Dibër po acarohej, me kërkesë të Komiteti Shqiptar, Xhemë Gostivari, Mefail Zajazi, Aqif Reçani, me forcat e tyre, u shkuan në ndihmë dibranëve. Në anën tjetër, më 27 tetor, Aqif Lleshi, me forcat e veta, u nis për në Radastush dhe kërkoi që xhandarmëria shqiptare të tërhiqej prej kësaj komune, me qëllim që aty të vendosej pushteti komunist jugosllavo-maqedonas. Pasi xhandarmëria shqiptare refuzoi të tërhiqej, shpërtheu lufta e cila zgjati rreth 8 orë. Në përfundim të saj Radastushi ra në duart e komunistëve.
Posa u informuan për marrjen e Radastushit nga Aqif Lleshi, forcat nacionaliste shqiptare, me në krye Xhemë Gostivarin, Mefail Zajazin, Shahin Camin dhe Fik Maliqin, me 28 tetor sulmuan Radastushin dhe, pas një luftimi të shkurtër, përsëri kjo komunë ra në duart e parisë nacionaliste shqiptare. Në momentin kur forcat shqiptare ishin të përqendruara në Dibër, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, me dy batalionet partizane dhe me çetën shqiptare të Hamdi Demës u fut përsëri në Kërçovë.
Për sulmin që do të bënte mbi Kërçovë, Tempo njoftoi Haxhi Lleshin, të cilit i këkoi që në këtë sulm të merrnin pjesë edhe forcat e tij. Në raportin e shtabit të batalionit të Dibrës, dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së, thuhej se: “Haxhiu ishte përgatitur me 120 partizanë për të shkue në ndihmë te shokët maqedhonas të cilët donin ta sulmonin Kërçovën, por mbas kësaj situate, niset për në Radastush dhe, po atë mbrëmje, me 80 partizanë të komanduar prej tij, fillojnë luftën që zgjati gjithë natën dhe të nesërmen deri nga ora 4 mbas dite. Shumë partizanë, të lodhur e të rraskapitur nga luftimet dhe pa ushqim, tërhiqen për në Dibër ku mbërrijnë në mëngjesin e datës 31”.
Forcat nacionaliste kishin korrur suksese të njëpasnjëshme në luftimet e zhvilluara në Radastush. Luftime të ashpra zhvilloheshin edhe në qytetin e Dibrës. Sipas të njëjtit raport, forcat nacionaliste shqiptare, “të inkurajuara nga sukseset e atjeshme (Radastushit), sulmojnë me të gjitha fuqitë dhe fare në befasi (me që nuk e prisnim një sulm aq të shpejtë), thuajse pa rezistencë, hynë në pjesën lindore të qytetit, ku hynë nëpër shtëpia dhe, prej andej, vazhdojnë të luftojnë. Sulmi qe i ashpër dhe zgjati gjithë natën në këtë pjesë; nga ana tjetër, d.m.th., nga V.P.(Veri-perëndimi) sulmon Sabri Bej Maqellara; ndërsa nga jugu sulmon Uke Cami”.
Në kohën, kur zhvillohej luftë e ashpër në qytetin e Dibrës, Xhemë Gostivarit i erdhi lajmi për rënien e Kërçovës në duart e forcave komuniste jugosllave. Ai, bashkë me Mefailin dhe Aqif Reçanin, lanë Dibrën dhe u nisën për në Kërçovë. Xhema dhe Mefaili u futen në Kërçovë nga ana e Gostivarit, ndërsa Aqif Reçani u vendos në anën e poshtme, duke u dalë partizanëve pas shpine. Luftimet zgjatën deri në orët e mbrëmjes dhe përfunduan me disfatën e forcave partizane, të cilat u tërhoqën në drejtim të Poreçes, duke lënë disa dhjetëra ushtarë të vrarë, midis tyre edhe komandantin e batalionit maqedono-kosovar, një malazez.
Me rivendosjen e pushtetit shqiptar në Kërçovë e Peshkopi, u dobësuan shumë pozicionet e forcave komuniste jugosllavo-shqiptare të cilat tani kishin në duart e veta vetëm qytetin e Dibrës. Kjo situatë zgjati deri më 16 nëntor 1943, kur forcat vullnetare të Komitetit Shqiptar për Lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë Etnike, u futën triumfalisht në këtë qytet, duke i dëbuar partizanët në drejtim të Karaormanit. Një ditë pasi u çlirua Dibra e Madhe, Komiteti Provizor i Qarkut të Dibrës, lëshoi një komunikatë me këtë përmbajtje: “Dje në një luftë prej disa orësh q’u ba në Dibër kundër Komunistavet, qyteti u pushtue nga ana e Nacionalistavet të këtyne viseve…”.
FORMIMI I FORMACIONEVE KRESHNIKE SHQIPTARE
Pas kapitullimit të Italisë, në aspektin politik, Shqipëria ra nën kompetencë të të deleguarit për punë të jashtme për Juglindje, inxhinieri Herman Nojbaher. Ai, me udhëzimet e udhëheqjes së Rajhut, mbronte tezën, se në Shqipëri nuk duhet të organizohet aparati administrativ gjerman, e as që Shqipëria të trajtohet si zonë pushtuese, por që formalisht t’i pranohet pavarësia dhe në pushtetin e tyre, Shqipëria të mos e ketë statusin e aleatit të rajhut të tretë. Për rrjedhojë, me nismën e disa intelektualëve dhe nacionalistëve nga mbarë trojet shqiptare, më 14 shtator 1943, në Tiranë u mbajt një kuvend, në të cilin u formua “Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm”, si dhe u vendos të shpallet pavarësia e Shqipërisë. Kryetar i Komitetit u zgjodh Ibrahim Biçaku, ndërsa anëtarë Eqrem Telhaj, Vehbi Frashëri, Bedri Pejani, Mihal Zallari dhe Xhafer Deva.
Dy ditë pas kësaj, në Prizren filloi me punë Kongresi i “Lidhjes II të Prizrenit”, në të cilin Dibrën e përfaqësoi Shahin Cami, kushëriri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Uke Camit. Ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit, ishin: “…Kërkesa për bashkim të përhershëm dhe të pazgjidhshëm të të gjitha krahinave të banueme qysh prej mija vjetësh prej popullsinash shqiptare. Zani i përgjithshëm i të gjithë delegatëve nalëson vullnetin e mbarë popullatës së këtyne krahinave, që zë vendin e një plebishiti populluer për kët bashkim.
Prandaj kërkojmë shpalljen botnisht të këtij vullneti të shenjtë të banorëve të Kosovës, Dibrës dhe Strugës me Shqipninë; formimi i Komitetit Qendror me seli në Prizren. Komiteti Qendror të hapë degët e saj në të gjitha prefekturat, nënprefekturat dhe komunat të krahinave të Kosovës, Dibrës dhe Strugës, të cilat do të marrin përsipër organizimin ushtarak e politik të Kosovës; mbledhjen e të gjitha dokumenteve historike, politike dhe diplomatike që forcojnë qenien shqiptare të Tokave të Lirueme, ashtu dhe ngjarjet dhe vuajtjet e pafund të banorëve të ktyne viseve në kohën e sundimit jugosllav si dokument në rasën e një paqeje të arthme…etj”.
Më 16 tetor 1943, u mbajt seanca e parë e Kuvendit Kombëtar, në të cilën Lef Nosi u zgjodh kryetar, ndërsa Xhelal Mitrovica sekretar i Kuvendit. Më 21 tetor, Kuvendi Kombëtar zgjodhi Këshillin e Naltë të Regjencës, në përbërje: Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, Lef Nosi dhe Patër Anton Harapi. Dy ditë më vonë, përkatësisht më 23 tetor, u mblodh sërish Kuvendi Kombëtar, me ç’rast miratoi një-zërit deklaratën “Besa e Fisit Arbnor”.
Ndërkohë, me 8 nëntor 1943, Qeveria e Rexhep Mitrovicës mori votëbesimin nga Kuvendi Kombëtar. Në kabinetin e Qeverisë Mitrovica, u zgjodhën këto ministra: Dr. Rrok Kolaj ministër i Drejtësisë, Mehmet Konica, ministër i Punëve të Jashtme, Xhafer Deva, ministër i Punëve të Brendshme, Dr. Sokrat Dodbiba, ministër i Financave, Agr. Ago Agaj, ministër i Ekonomisë Kombëtare, Musa Gjylbegaj, ministër i Punëve Botërore, Dr. Eqerem Çabej, ministër i Arsimit, Qazim Bllaca, nënministër i Ekonomisë Kombëtare dhe Vehbi Frashëri, nënministër i Punëve të Jashtme.
Pika kryesore e programit, siç theksoi Rexhep Mitrovica para deputetëve, ishte; “mbrojtja e pavarësisë së plotë dhe tansisë tokësore Shqyptare si edhe ngulmimi për të qenë zot i vendeve shqyptare mbi të cilët kërkojmë respektimin e të drejtave ethnike dhe jetike të Kombit tonë”. Në vazhdim ai tha se Qeveria shqiptare do të “ndjekë nji politikë asnjanse me të gjitha Shtetet”, duke shpresuar se edhe shtetet tjera do t’i respektojnë të drejtat sovrane të kombit shqiptar, kufijtë e të cilit do të mbrohen nga një ushtri dhe xhandarmëri e riorganizuar.
“Asht bindja jonë, thekson më tej Rexhep Mitrovica, se në këtë periudhë tronditëse të jetës s’onë kombëtare, në vend të grindjeve për ideologjina ose parime politike, duhet të shpëtojmë popullin nga masakrimet eventuale qi mund t’i vijnë nga të tjerët, si ato të Bihorit; dhe të mprojmë me çdo sakrificë kufijtë t’ona ethnike që janë vaditun me gjakun e gjyshave e stërgjyshave t’onë. Këtë misjon të shenjtë do t’a plotsojë ushtrija e jonë e riorganizueme së cilës nuk do t’i lejohet, kurssesi, të mbytet në pellget e politikës, mbassi detyra e naltë e sajë asht rujtja e kufijve shqiptare dhe çdo veprim tjetër me ngjyrë politike mund të quhet trathëti kundra Atdheut…”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm