Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetedy
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Kur unë tunda kokën në shenjë pohimi, asaj i qeshën sytë dhe doli nga kthina të përshëndetej.
– “Uluni në njërën karrige të hollit, sa ta njoftoj Ilian. Ose po deshët shkoni vete në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në hyrjen tjetër”, – shtoi e gatshme për të më ndihmuar. – Nuk ju shoqëroj dot, pasi jam në orar të punës…”- shprehu keqardhjen. – “Por, sidoqoftë, aty patjetër do shihni ndonjë fytyrë të njohur. Ose fundja i thoni portierit të teatrit, ta njoftojë…”!
Unë e falënderova për mirësjelljen e treguar dhe dola jashtë të shkoja në hyrjen tjetër. Më ngërthyen kujtimet e të shkuarës, kur punoja gazetar në Radio dhe vija herë pas here këtu, të takoja disa nga aktorët e Teatrit Popullor, për t’u dhëne tekstin e fabulës, përrallës apo tregimit që do lexonin para mikrofonit. Atëhere isha i mirëpritur, si kumtues i një ftese bujare, ndaj sapo me shihnin më bënin shenjë me dorë, të ulesha bashkë me ta. Mjedisi i këtij Klubi gjithnjë mbushej me aktorë, klientët e përhershëm, dhe pak më rrallë vinin disa shkrimtarë e gazetarë.
Meqë klubi shërbente kryesisht për klientë të përzgjedhur, njerëz të artit, kulturës dhe letrave, këtë mjedis e vizitonin me raste dhe dramaturgë e publicistë me funksione të rëndësishme partiake e shtetërore, të cilëve u pëlqente ta vinin veten në qendër të vëmendjes të vështrimeve kureshtare të elitës së artit dhe kulturës, kryesisht autorët e veprave, që vihen në skenë nga trupa e këtij teatri, dhe kritikët nuk i kursenin elozhet për sukseset e kësaj apo asaj pjese, e cila nxjerr në pah ideologjinë e shoqërisë tonë të para çlirimit, të ndërthurura artistikisht me mbeturinat mikroborgjeze të disa intelektualëve me botëkuptim Perëndimor.
Krejt natyrshëm, këta funksionarë të privilegjuar i shoqëronin shkrimtarët e elitës, fituesit e përhershëm të çmimeve kombëtare në çdo konkurs letrar, poemat e të cilëve zinin vend qendror në tekstet mësimore në shkolla, interpretohen shpeshherë në Radio nga aktorët më të njohur, dhe mësohen përmendësh nga të gjitha grupmoshat e nxënësve. Por kishte raste kur autorët e këndellur ftonin në tryezë aktorët, që interpretonin personazhet kryesore të dramës së vënë në skenë, të shoqëruar nga regjisori.
Kuptohet, rreth kësaj tryeze vërtiten si satelitë kamerierët dhe përgjegjësi i Klubit, duke treguar vëmendje dhe kujdes të mprehtë, të rrokin shenjat sekrete të porosisë së veçantë, duke patur parasysh që këtu nuk lejohen të tregtohen pije alkoolike, (ndaj pijet e ndaluara duhet të hidhen në filxhanë, për të dhënë përshtypjen e jashtme, se po jepet kafe).
Por në këtë çast kur qerthullohesha nga emocione të brendshme drithëruese, këto skena, (të cilat dikur tërhiqnin kureshtjen time), gjendeshin tërësisht jashtë vëmendjes. Sepse vështrimi im shëtiste mbi të gjitha tryezat e mjedisit të Klubit. Befas një drithërimë më rrëqethi trupin, kur veshi më rroku të qeshurën karakteristike të vëllait të madh, i kthyer me kurriz, që nuk më shihte dot. Duhej gjetur një mënyrë për t’i tërhequr vëmendjen, pa rënë në sy, duke e ditur se prania ime do shkaktonte thirrje habie tek të pranishmit, kur të më shihnin pas kaq vitesh veshur si kooperativist, me xhup doku gri e, pantallona kadife.
Fatmirësisht në këtë çast më pikasi fare rastësisht vështrimi i aktorit të shquar, Sandër Prosi, (me të cilin kemi biseduar shpesh për letërsinë dhe teatrin). Ky i pëshpëriti me takt në vesh tim vëllai dhe me siguri e ka porositur të largohet nga tryeza pa rënë në sy, duke e këshilluar që takimi i përmallshëm midis dy vëllezërve, të mos kryhet brenda mjediseve të klubit, por të shkonin diku, fundja në shtëpi. Prandaj u përshëndet me mua prej aty ku rrinte ulur, me puthi me dorë e më bëri shenjë të dilja jashtë.
I mbushur deri në gryke me emocionet e takimit, po mendoja në ç’vend ta prisja, duke patur parasysh që trotuari i teatrit vazhdimisht vëzhgohet me kureshtje, nga postblloku hyrës i Ministrisë së Brendshme dhe nuk përjashtohet mundësia që dikush e ndjek në largësi takimin tonë. Për të shmangur çdo keqkuptim, i thashë portierit të teatrit të njoftonte Ilian, kur të dalë nga Klubi, se e pret vëllai i vogël në lokalin fare pranë, në ish-“Vollgën” e dikurshme.
Pas “Dajtit”, ish-“Vollga” përmendej si lokali i dytë luksoz në kryeqytet. Por ndryshe nga “Dajti”, (i cili shërbente si rezidencë çlodhjeje për diplomatët, delegacionet e huaja që bujtin në Tiranë, si dhe për disa funksionarë të rëndësishëm), zakonisht në ish-“Vollgën” e djeshme, “Drinin” e sotëm, vinin klientë të larmishëm, përfshirë funksionarët të rangjeve të mesme, shoqëruar me hallexhinj, (paguesit e shpenzimeve të drekës së majme), përveç shumë nëpunësve te transferuar në Tiranë, te pastrehe, pasi këtu përgjithësisht gatuhej mirë, ka pastërti, shërbehet në mënyrë të kulturuar, çmimet nuk janë të kripura dhe ruhet dinjiteti i detyrës.
U ula në bar, ngjitur me restorantin. Kur u qas kamerieri, i thashë se porosinë do ta bëjmë pak më vonë, sapo te vijë im vëlla. Nën shtysën e ngacmimeve të brendshme, pyesja veten sa në të vërtetë përjetimet e tij përqasen me emocionet e mia, që vazhdojnë të më tronditin, apo kanë natyrë më të zbutur. Nuk e vija në mëdyshje që do mallëngjehej dhe përlotej nga ky takim pas një kohe të gjatë, nën shtysën e një gjendjeje shpirtërore të përzier, mes aktrimit dhe përjetimit. Sado prekës të jetë takimi nga ana e jashtme, unë do t’i futem deri në brendësi, me aq sa mundem, për të matur pulsin e ndjeshmërisë së vërtetë, gjatë ikjes tonë të befasishme.
Apo i ngërthyer nga paniku dhe frika vetjake e lëvizjes, vëmendja e tij u pështjellua vetëm me ankthin e transferimit, pasi ky tmerr i rrinte mbi kokë si shpata e Damokleut, ngaqë orë e çast shihte hijet përballë Teatrit Popullor, ndaj makthi i kërcënimit drithërues nuk i shqitej asnjë sekondë nga përfytyrimi?… Meqë kjo e dyta m’u duk më e mundshme, duhet të bëja çmos të mënjanoja nga bashkëbisedimi ynë çastet drithëruese, si na kapi në befasi kumti i tmerrshëm i arratisjes, sidomos si u sollën me të oficerët e ngarkuar për ta marrë në pyetje!
Nuk e vija në mëdyshje ndryshimin e madh, se hetuesit e Ministrisë Brendshme, patjetër janë porositur nga shefat e tyre, të tregohen të kujdesshëm gjatë kohës së njoftimit të katrahurës, e cila i vuri damkë të pashlyer biografisë së pastër personale dhe familjare, që do sjellë pasoja të hidhura jo vetëm për karrierën e tij, si aktor, por edhe tek e ardhmja e fëmijëve. E merrja me mënd gjithashtu se, kjo mënyrë të foluri këtij do t’i dukej disa herë më kërcënuese, krahasuar me përgjakjen e fytyrës time, në kthinën e boshatisur tek ‘Selvia’, ku koloneli trupmadh desh më la pa frymë, me grushtin si putër ariu.
Në fund të fundit, sot nuk erdha në Tiranë t’i kërkoj llogari, pse nuk u bë i gjallë gjatë këtyre viteve të tmerrshme, kur nëna, motra dhe vëllai i vogël, përjetuan të zezën e ullirit, ngryseshin e gdhiheshin si kafshët, pranë lopës dhe jashtëqitjeve të saj. As për t’i treguar si më katandisën në hamall karburanti. Sepse nuk ishte ky shkaktar i këtij llahtari shtetëror. Prandaj ankesat e mia, s’do t’i bëjnë pikë përshtypje. Madje mund t’i duken tejet parake, krahasuar me goditjen e dinjitetit të tij, i cili pësoi zhvlerësim të ndjeshëm, duke e penguar të shkojë me trupën e Teatrit Popullor në turne, në Kosovë.
E sidomos fatal iu duk kur i hoqën të drejtën për të interpretuar rolin e Leninit, në dramën e bujshme, “Orët e Kremlinit”, në kundërshtim me përcaktimin e regjisorit sovjetik, që i dha notën maksimale. Megjithatë, duke patur parasysh ç’shkatërrim të tmerrshëm sjellin tërmetet politike, prapë duhet ta quajë veten me fat, që orteku i ndëshkimit e fshiku shkarazi, vetëm ia lëkundi themelet e karrierës, por nuk e degdisi drejt dëbimit dhe harresës së plotë.
I ndërpreva menjëherë arsyetimet e heshtura dhe u ngrita në këmbë, sa vura re siluetën e tij që u shfaq në kornizën e hyrjes së xhamtë. Më bëri përshtypje pse portreti kish marrë një pamje të shqetësuar, nuk dukeshin ngacmimet e përmallimit dhe përjetimet, që bartin gjithnjë me vete takimet mes dy vëllezërve, pas një kohe të gjatë ndarjeje, sidomos pas asaj ikjeje të dhunshme që ndodhi me 5 tetor të vitit 1964. Isha përgatitur shpirtërisht dhe mendërisht të shihja në fytyrën e tij, ngazëllimin e dhimbshëm të takimit.
Por ajo çfarë vura re në sekondat e para, tregonin më shumë se çdo gjë tjetër makthin e një frike imagjinare, mos ndoshta trembja ia ka çuar mendjen tek largimi im pa leje, një veprim jo vetëm i dënueshëm për mua, sa dhe e vë këtë përpara përgjegjësisë së rëndë, nëse me të vërtetë ka ndodhur kështu?! Por ky hamendësim shumë shpejt m’u duk krejt i pakuptimtë, duke patur parasysh që gjatë këtyre viteve unë përjetova makthe nga më të llahtarshmit, e megjithatë asnjë çast nuk më shkoi ndër mend t’i drejtohesha për ndihmë vëllait të madh, pasi e dija që kjo kërkesë vëllazërore, do ta tmerronte. Mos ndoshta shqetësimi i tij i tanishëm, shkaktohet nga e njëjta pandehmë?
– “Pse zgjodhe për takim këtë lokal, që bie në sy”?! – më tërhoqi vërejtjen ai me vështrim të trembur. – E di që këtu vijnë shpesh ata të Ministrisë së Brendshme?…Prandaj hajde shkojmë në një vend tjetër”!
– “Këtu e paske hallin”?!… Unë kujtova mos kishe ndonjë shqetësim familjar, kur të pashë kaq të merakosur…”- ia ktheva unë i dëshpëruar, që takimi ynë nisi ters.
– “Të duket shqetësim i vogël”? – shtoi ai i nervozuar.
– “Për mua nuk përbën fare shqetësim, pasi nga Plepat e deri tek Teatri Popullor, udhëtova me ‘Gaz’-in e Ministrisë së Brendshme. Prandaj ulu të bisedojmë lirshëm, pa patur frikë e druajtje nga hijet. Jam mësuar me praninë e tyre. Udhëtova me dy oficerë që më njihnin. Për më tepër, ky i ministrisë, ishte inkuizitori që më dogji dorëshkrimet…”!
– “Aman, ule zërin dhe mos përmend epitete të tillë, se këtu kanë edhe muret veshë”! – m’u lut ai.
– “Mos e prish me kot gjakun, pasi e kam marrë me kohë masat si duhet biseduar”, – desha ta qetësoja.
– “Oficeri i Ministrisë e kujtoi vetë me mburrje veprimin e atëhershëm, atë skenën rrëqethëse të djegies së dorëshkrimeve. Dhe jo vetëm e përmendi, por theksoi se duhet t’i jem mirënjohjes që më çliroi nga ato plehra kaq të rrezikshme”!…
– “Sipas arsyetimit te tij, ka patur te drejte. Sepse sado e dhimbshme të ketë qenë ajo skenë për ty, brenda pohimit të tij, ka një të vërtetë tmerrësisht të frikshme: po të ishin sot dorëshkrimet e tua, nuk ta merr dot mendja çfarë sajesash të rrezikshme, mund të kurdisnin”.
– “Nuk e mohoj: ty t’u shkaktua një çarje shumë e thellë në shpirt. Por ama duhet të kesh parasysh, se gjendeshe para mbijetesës, kur njeriu pranon çdo sakrificë. Dhe ti si iu përgjigje”? – pyeti ai mjaft i shqetësuar.
– “Kam fituar mjaft përvojë gjatë këtyre viteve, në kasollen e lopës: ka rastisur që më kanë thirrur edhe në mes të natës, për të më futur frikën në palce…”!
– “Nejse. Tani nuk është çasti i përshtatshëm të kujtojmë përjetimet që kemi hequr pas arratisjes së vëllait tonë”! – më ndërpreu ai i bezdisur nga pohimi im. – “Sot me siguri duhet të kesh patur ndonjë shkak shumë të fort, që erdhe”?! – më pyeti drejtpërdrejt, duke më vështruar me të njëjtën trembje.
– “Kam jo një, por tre arsye madhore”! – ia ktheva me ton të papërcaktuar. (Në vështrimin e tij u shfaqën njëherësh frika dhe kureshtja. Unë i bëra shenjë me dorë kamerierit të afrohej dhe e porosita të na sillte kafe e një teke raki rrushi).
– “Qerasja më takon mua”, – tha im vëlla i fyer nga ky veprim, kur u largua kamerieri.
– “Megjithëse Ardenica me Tiranën janë larg vetëm njëqind kilometra, ndarja mes nesh ka qenë sikur ndodheshim në dy kontinente…! Shkakun e dimë, prandaj s’po e përmend. E thashë ketë për të shpjeguar pse vijnë me kaq shume zvarritje lajmet nga Lushnja?! Kohët e fundit nuk ke ardhur tek vjehrra, përndryshe do ta kishe dëgjuar kthesën e madhe rrënjësore, e cila solli një mundësi të re jetese, për ne të tre, që u strehuam në kasollen e lopës…”!
– “U kanë hequr prej andej”?!.. – më ndërpreu tepër kureshtar dhe i habitur im vëlla.
– “Hajde trokasim gotat dhe ta urojmë njeri-tjetrin për mbarësi”! – shtova unë, kur kamerieri pruri porosinë dhe u largua.
– “Me urdhër nga lart? Apo këtë mirësi e keni nga kryetari i Degës së Brendshme”?… – pyeti ai me pritje të ankthshme.
Unë i tregova në mënyrë të përmbledhur zanafillën, nëpër cilat labirinte shkoi emri im deri në veshin e sekretarit të parë, “jo nga dashamirësia e dikujt, por sepse asnjërit nuk ia mbante të shfaqte mendimin e tij vetjak”!
– “Prandaj të gjitha sa ndodhën, (arsyetimet, analizat dhe tërë zbërthimi i çështjes tonë familjare), i takojnë mendjes, vizionit, shpirtit njerëzor të shokut Qemal”! – sqarova më tej, duke e lënë të shtangur vëllanë e madh.
– “Madje shefi i madh i tërhoqi vërejtje të rëndë kryetarit të Degës së Brendshme, dhe na trajtoi si familje krimineli. – “Po këtë hollësi, nga e more vesh”?! – pyeti ai mjaft kureshtar dhe i trembur.
– “Nga burimi i sigurt i kabinetit të tij. Por sidomos e ndjeva në thellësi të qenies time, kur pashë me sytë e mi me çfarë shpejtësie e saktësie u përmbush urdhri i shefit të madh: si krejt befas një ditë u zhvendosëm nga kasollja e lopës dhe u strehuam në Kolonjë, në prani të kryetarit të Lokalitetit, të Plotfuqishmit dhe oficerit që merret me të internuarit! Ky më kishte thënë disa ditë më parë me buzëqeshje se; mund të bëni familjarisht vizita në shtëpinë e motrës së madhe. Zhvendosja e strehimit ndodhi kur nëna me Dhorën, ndodheshin në Lushnje, ndaj këto akoma nuk e kanë parë banesën, ku do jetojmë këtej e tutje.
– “Qenka ngjarje me të vërtete mjaft e çuditshme kjo lëvizje e befasishme”!… – tha im vëlla me vështrim të hutuar.
– “E çuditshme dhe mosbesuese”! – shtova unë.
– “Edhe mua vetë në këtë çast, ende më duket ëndërr e bukur ky ndryshim treqind e gjashtëdhjetë grade, pa asnjë ngacmim nga ana ime! Ndaj nuk di ta shpjegoj këtë mrekulli, që fatmirësisht ndodhi! Nëna përsërit me bindje të plotë, se zëri i brendshëm i mirësisë, vjen tek secili nga Perëndia. Ndërsa Qoftëlargu na pëshpërit në vesh shpifje, për të na hedhur në veprime keqdashëse. Për rastin tonë, sipas nënës, Perëndia pa tek shefi i madh një njeri për së mbari, shpirtmadh e dashamirës, dhe e mësoi si duhet shlyer mëkati ndaj familjes tonë”.
– “Sipas teje, sekretari i Parë e mori këtë vendim me kokën e tij, pa u konsultuar me shefat e mëdhenj, në Tiranë”?… – shprehu im vëlla mosbesim të hapur.
– “Mua nuk më intereson të di nga i erdhi shtysa e brendshme për të marrë këtë vendim kaq madhor për ne, nga bindja e tij vetjake, apo u këshillua me ndonjë anëtar me peshë të Komisionit. Ai për ne është dhe do mbetet engjëlli shpëtimtar”!
– “Patjetër ka diçka në këtë mes…”- Shtoi im vëlla me zë të ulët, gati si pëshpërimë, për të bindur veten e tij.
– “Të shkon mendja mos vëllai ynë andej i shërben shtetit tonë, e ka dërguar Sigurimi ynë i fshehtë”?! – e pyeta unë, duke nënkuptuar dyshimin e tij.
– “Epo kot nuk bëhet ky ndryshim kaq i madh”! – këmbënguli ai në hamendjen e shprehur. – “Ti e di që unë dikur kam punuar si instruktor në Komitetin e Partisë të rrethit dhe pak a shumë, njoh disa tipa sekretarësh”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016