Nga Qerim Lita
Pjesa e parë
-Ukë Cami, ushtarak dhe nacionalist i shquar shqiptar –
Memorie.al / Ukë Ramadan Cami lindi në vitin 1896, në Sepetovë, lagje e Tërbaçit, Komuna e Ostrenit, Dibër. Shtëpia e tij në afërsi të rrugëkalimeve për Strugë, Dibër, Gollobordë, Grykë të Vogël e të Madhe, ishte gjithnjë e hapur për krerë dhe atdhetarë të lëvizjes kombëtare. Babai i tij, Ramadani, ishte luftëtar i vendosur për konstitucionin dhe ndër luftëtarët e parë për formimin e klubit “Bashkimi” të Dibrës. Si veprimtar i klubit, i mbështetur edhe nga Eqerem Cami, zhvilloi një aktivitet të dendur propagandistik në qytet e në malësi. Camët janë një familje e madhe, pari e Dibrës që shtrihet në fshatrat e Gjoricës, Viçishtit, Golovishtit, Sepetovës dhe në Dibër të Madhe.
Kjo familje gjatë viteve 1920-1930, numëronte rreth 60-70 shtëpi. Origjina e hershme e fisit Cami, mendohet të jetë fisi Camaj i Dukagjinit. Për arsye hasmërie të parët e Camëve janë shpërngulur në Lamin e Madh, Selitë të Matit, (Mirditë), ku edhe sot janë gjurmët dhe pronat si “Ara e Camit”, “Dardha e Camit”, “Livadhi i Camit”, etj…! Vetë Ukë Cami, pasi u kthye nga Dukagjini, ku mori pjesë në shtypjen e lëvizjes së Dukagjinit (1926), tregonte: “Kam takuar në Dukagjin, pleq të moçëm të fisit të madh Cami. Në bisedat me ta, më kanë folur për lëvizje të hershme të të parëve të tyre në drejtimet: Shkodër, Lezhë e Mirditë. Thëniet e tyre përputheshin me atë të gjyshërve të mi, ndonëse këta të fundit nuk arrinin ta çonin origjinën e tyre më larg se në Mirditë”.
Ukë Ramadan Cami lindi në vitin 1896 në Sepetovë, lagje e Tërbaçit, Komuna e Ostrenit, Dibër. Shtëpia e tij në afërsi të rrugëkalimeve për Strugë, Dibër, Gollobordë, Grykë të Vogël e të Madhe, ishte gjithnjë e hapur për krerë dhe atdhetarë të lëvizjes kombëtare. Babai i tij, Ramadani, ishte luftëtar i vendosur për konstitucionin dhe ndër luftëtarët e parë për formimin e klubit “Bashkimi” të Dibrës. Si veprimtar i klubit, i mbështetur edhe nga Eqerem Cami, zhvilloi një aktivitet të dendur propagandistik në qytet e në malësi. Me qytetarë e fshatarë nga Gryka e Vogël e Golloborda kishte formuar një çetë vullnetare me mbi 50 vetë. Mbante lidhje me krerë e atdhetarë shqiptarë nga krahina e Dibrës e më gjerë, me çka në prag të pavarësisë u bë figurë shumë e rëndësishme e zonës.
Me shpërthimin e Luftës Ballkanike, Dan Cami, së bashku me çetën e tij vullnetare luftoi përkrah Mersim Demës e të forcave tjera atdhetare shqiptare në Follorinë dhe Manastir. Ndërkohë, nga data 26 dhjetor 1912 e, deri më 7 janar 1913, organizoi një qëndresë të vendosur kundër pushtuesit serb në afërsi të urës së Spiles. Serbët me tradhti kaluan urën e Spiles dhe në shenjë hakmarrje i dogjën shtëpinë, kurse familja iu strehua për 6 muaj në Lukan. Në këtë frymë u rritë dhe u frymëzua i biri i tij, Ukja, i cili që në moshën 17 vjeçare iu bashkua çetës së babait të tij, në Kryengritjen e Shtatorit 1913, kundër pushtuesit serb, e cila kryengritje, siç është e njohur, shpërtheu pikërisht në Dibër. Nga ky moment, Ukja, asnjëherë nuk do t’i ndahet babait të tij, duke marrë pjesë aktive në luftërat antiserbe të viteve 1915, 1918, 1920 dhe 1921, dhe të asaj antibullgare e vitit 1916.
Pas shpërthimit të kryengritjes së Dukagjinit (20 nëntor 1926), e cila u organizua nga qarqet e atëhershme të Mbretërisë Serbo, Kroate, Sllovene (më tej SKS), Ahmet Zogu, ftoi krerët e Shqipërisë Veriore dhe Verilindore, që me fuqitë e tyre t’u bashkangjiten ushtrisë dhe xhandarmërisë shqiptare në shuarjen e asaj kryengritjeje. Një ftesë e tillë, i arriti edhe Dan Camit, i cili, pasi e vlerësoi situatën, dërgoi djalin e tij, Ukën, si udhëheqës i një force vullnetare e cila përbëhej kryesisht prej familjes Cami, miqve dhe përkrahësve të tyre.
Kjo për të qe një detyrë e rëndë dhe me përgjegjësi, sepse ishte hera e parë që do i prijë një force vullnetare. Mirëpo, siç shkruan studiuesi shqiptar, Gafur Zota, Ukja, në krye të asaj force vullnetarësh “tregoi guximin e trimërinë në shtypjen e kryengritjes” së Shalës. Atje qëndroi afro gjashtë muaj, deri në normalizimin e plotë të gjendjes, që më pas të kthehet në Sepetovë, dUkë i shprehur mbështetje të plotë Qeverisë shqiptare dhe Ahmet Zogut.
RRESHTIMI PËRKRAH POLITIKËS KOMBËTARE
Me ridefinimin e Shtetit Shqiptar, nga Republikë në Monarki, si dhe me shpalljen e Ahmet Zogut për “Mbret të shqiptarëve”, e jo “Mbret i Shqipërisë” (1 shtator 1928), siç insistohej asaj kohe nga qarqet hegjemoniste të Mbretërisë së Serbo-Kroate-Sllovene, ishin sinjalet e para se në të ardhmen, Mbreti Zogu i Parë, si dhe Qeveria Mbretërore e Shqipërisë, do shprehnin një interesim dukshëm më të madh për problemin shqiptar nën pushtimin e asaj mbretërie. Në kuadër të këtij ndryshimi politik, në vitin 1930, Qeveria e Mbretërisë Shqiptare, lejoi vendosjen e krerëve të Komitetit për ‘Mbrojtjen e Kosovës’ në Shqipëri, siç ishin Bedri Pejani, Ibrahim Jakova etj., të cilët deri në atë kohë vepronin në shtetet e ndryshme të perëndimit.
Ministri Fuqiplotë shqiptar në Beograd, Rauf Fico, më 2 shkurt të vitit 1929, përmes një relacioni të gjatë njoftonte Mbretit Zog, për pozitën jashtëzakonisht të rëndë të popullsisë shqiptare, e cila vinte si rrjedhojë e dhunës dhe terrorit të vazhdueshëm të regjimit të atëhershëm të Beogradit. “Jugosllavia, shkruante Fico, ma parë e shtyrë nga urrejtja që ndjen në shpirtin e vet për kundra racës shqiptare dhe nga imperializma që ëndrron edhe në kohrat e fundit nga friga e një luftës Italo-Shqiptaro-Jugosllave, ka bërë qi ka ardhur nga dora për të çdukur e farosur shqiptarët…”!
Sipas tij, një pjesë të përgjegjësisë për atë gjendje të rëndë të shqiptarëve, e mbante edhe paria shqiptare e Kosovës, e cila, siç shprehet: “shumica e tyre janë bërë vegla të serbëve”, andaj ai i propozonte Mbretit Zog, që Shqipëria ta ngrej zërin e saj lartë në mbrojtjen e ekzistencës së saj etnike. “Mua më dukët se nashti është koha ma e volitsheme për të përfituar nga rasti që është çfaqur me demarshet e bëra nga ana e komitetit Ballkanik në Lidhjen e Kombeve. Nashti është koha që të kërkohet çelja e shkollave shqiptare në Kosovë e në Maqedonië. Një demarshë i tillë, ka për të tingëlluar drejt nër zemrat e shqiptarëve të këtushme….! Shpirti i mjeruemë i Kosovës po pret të shofi agimin e (Ditës Madhe) dhe gjithë populli ka varur shpresat në veprat e Nalt Madhnis së Tij, Shpëtimtarit Kombit, Mbretit Shqiptarëve…”.
Natyrisht, kjo kthesë pozitive që ndodhi pas shpalljes së Monarkisë, e përforcuan edhe më shumë besnikërinë e Danit e të birit të tij, Ukës, ndaj Mbretit Zog, tek i cili ata shihnin simbolin e unitetit kombëtar, autoritetin e vetëm që mund të garantonte paqën, unitetin dhe ardhmërinë e Shqipërisë.
VDEKJA E BABAIT DHE VAZHDIMI I RRUGËS KOMBËTARE
Më 19 prill të vitit 1933, pas një sëmundje të shkurtë, vdiq Dan Cami, njëri ndër figurat më të shquara të Dibrës. Autoriteti i tij u pa gjatë ceremonisë së varrimit, ku morën pjesë numër i madh i krerëve, jo vetëm nga krahina e Dibrës, por edhe nga krahinat tjera shqiptare, si; Luma, Mati, Hasi, Tropoja, Mirdita etj. Vdekjen e tij e përcolli edhe gazeta “Besa” e datës 26 prill 1933, nën titullin; “Vdekja e një atdhetari”.
Pas vdekjes së Danit, rrugën e tij kombëtare e vazhdoi i biri, Ukja, i cili, siç theksuam më lartë, atë e kishte shoqëruar për plot 20 vjet, përkatësisht që nga kryengritja antiserbe e shtatorit të vitit 1913. Duhet theksuar se Ukja, gjatë asaj periudhe kohore, krahas atdhedashurisë, mençurisë, trimërisë dhe urtësisë, nga i ati i tij trashëgoi edhe miqësinë me shumë krerë të Dibrës, Lumës, Matit e të Elbasanit, siç ishin: Demet e Homeshit, Agollet e Kërçishtit, Karahasanët e Radoveshit, Ndretë e Sllovës, Kaloshet e Kandrit, Litet e Kalasë së Dodës, Biçakët e Elbasanit e të Librazhdit, Hysenbegasët e Starovës etj.
Duhet shtuar se, në aktivitetin politik dhe kombëtar, Ukën e ndihmuan edhe dy vëllezërit e tij, Feriti dhe Rifati, i pari sekretar krahinarie në Gollobordë, ndërsa i dyti oficer në Ushtrinë Kombëtare, si dhe kushërijtë e tij: Halit Cami, Sinan Cami, Shaqir Cami, Xhelal Cami, Musa Cami, Zija Cami, më vonë edhe djali i tij i madh, Liriu, e shumë të tjerë.
Falë punës së tij të palodhshme në të mirë të çështjes shqiptare, ai tashmë do të rreshtohet në mesin e personaliteteve më me ndikim në mbarë krahinën e Dibrës, dhe si i tillë do të jetë i pranishëm kudo që paraqitej nevoja. Më 2 dhjetor të vitit 1934, gazeta “Djersa e Popullit”, njoftonte mbi pjesëmarrjen e parisë së Dibrës, në ceremoninë e varrimit të Nënës Mbretëreshë, si; Raif Kadiu, Selim Noka, Dervish Lusha, Demir Dema, Murat Kaloshi, Cen Elezi, Zyber Hoxha, Lahim Nasufi, Zenel Troci, Sadik Murrja, Mahmut Previzi, Jashar Shehi etj., në mesin e tyre edhe Ukë Cami, i cili përfaqësonte Gollobordën.
Burimet e proviniencës policore jugosllave, theksojnë se Ukja, pas vdekjes së babait, konsiderohej si njëri ndër personalitetet më me ndikim në krahinën e Dibrës. Në elaboratin me titull “Disponimi politik të familjeve feudale të Shqipërisë Veriore, qytetit të Shkodrës me rrethinë”, i hartuar gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, në kuzhinat e shërbimit sekret jugosllavë UDB-ë në Beograd, figura e Ukë Camit përshkruhet si më poshtë vijon:
“…Ukë Cami është me gradë major i njësive vullnetare që në kohën e Mbretit Zog. Gjatë kohës së pushtimit ka qenë kundër partizanëve në zonën e tij në Gollobordë. Ka ndikim të madh në popull, më i pasuri në krahinën e tij, zogistë për nga bindja politike. Familja e tij, si Ukja, po ashtu edhe babai i tij i ndjerë, Dan Cami, kanë qenë njerëz të Zogut. I ati i tij ka qenë komandant i njësisë vullnetare në luftën vitit 1913 kundër serbëve dhe më vonë në të gjitha operacionet në Shqipëri të kryera nga ana e Zogut…”. Në fakt, dekorimi i Ukë Camit ndodhi në vitin 1937, kur me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Mbreti Zog, atë e nderoi me gradën e kapitenit, për merita dhe besnikëri ndaj atdheut.
INTERNIMI NË BERAT
Për shkak qëndrimit antifashist, në fillim të vitit 1940, italianët e internuan Ukë Camin, duke e dërguar në Berat. Bashkë me të e internuan edhe kushëririn e tij, Sinan Camin, ku qëndruan deri në fund të vitit 1940. Përveç tyre në Berat, qëndronin edhe dhjetra krerë dibranë, si; Sefedin Kaloshi, Demir Dema, Lahim Dema, Çup Duka, Vesel Shtrei, Mahmut Previzi, Gani Shehu nga Zerqani, Jashar Shehu nga Bulqiza e, shumë të tjerë. Lidhur me këtë, Tefta Cami, në një shkrim të saj studimor, kushtuar aradhës partizane të Gollobordës dhe Ahmet Camit, veç tjerash shkruan:
“…forcat italiane kanë ripushtuar zonën dhe kanë filluar plaçkitjen e masakrat në popullsinë e pafajshme sidomos në fshatin Viçisht, në shenjë hakmarrjeje për qëndresën antifashiste të kësaj zone. Kanë arrestuar e futur në pushkatim tetë djem e burra të Cameve, ku kanë mbetur të vrarë Ejup Shahin Cami, Musa Rrahman Cami dhe Mexhit Leji. Kanë arrestuar e internuar si antifashist Ukë Dan Camin, dhe Sinan Camin. Më vonë arrestojnë 22 burra e djem nga këto zona, prej të cilëve 19 Came, ndër të cilët edhe Ahmetin, duke e cilësuar si organizator e udhëheqës të lëvizjes antifashiste në këtë zonë….”.
KRAHINAR I GOLLOBORDËS DHE I ZHUPËS
Posa u kthye nga internimi, Ukja vendosi lidhje me krerët nacionalistë, si me Fiqiri Dinen, Muharrem Bajraktarin, Abaz Kupin, Cen Elezin, Miftar Kaloshin, Ali Maliqi e të tjerë. Ndërkohë, pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave (prill 1941), mori pjesë në themelimin e Komitetit Shqiptar të Dibrës, në të cilin komitet, krahas tij merrnin pjesë edhe figura tjera të shquara intelektuale e ushtarake shqiptare, si; Sherif Langu, Osman Piperku, Daut Imami, Nuri Shehu, Osman Rusi, Ali Maliqi, Hysni Dema, Sabri Maqellari, Ukë Saliu, etj..
Meqenëse Dibra e Madhe u shpall qendër e prefekturës, në kuadër të së cilës u përfshinë edhe Nënprefektura e Rekës, Gostivarit, Tetovës, Kërçovës dhe Strugës, u shtrua nevoja për organizimin e administratës civile e ushtarake shqiptare në këto toka të liruara. Për këtë arsye, Ukja me një pjesë të familjes vendoset në Vllasiq, ndërsa pjesa tjetër e familjes ngeli në Sepetovë. Së shpejti ai emërohet krahinar i Gollobordës, Zhupës dhe Rekës, ndërsa vëllau i tij, Rifati u emërua kryetar i komunës së Galiçnikut. Në fillim të vitit 1942, Ukë Cami me kërkesë të Prefekturës së Dibrës, formoi çetën vullnetare e cila sipas nevojës numëronte nga 200 deri më 300 ushtarë.
Me të komandonte vetë Ukja ndërsa zëvendësi i tij ishte Xhemë Hajredini nga Papraniku. Çeta, e cila qe pajisur edhe me armë automatike, si detyrë primare pati, ruajtjen e rendit dhe të qetësisë, të siguroj rrugët dhe të pamundësoj depërtimin e çetave komite bullgare e ato komuniste jugosllavo- maqedonase. Lidhur me këtë të fundit, Ukë Cami, gjatë një procesi hetimor që u zhvillua kundër tij më 24 prill 1945 në burgun e Strugës, ndër të tjerave deklaron:
“…Unë për lëvizjen partizane nuk kam pasur mendim të mirë. Kur paraqitej nevoja, përkatësisht kur në Malësi apo Zhupë shfaqeshin partizanët unë menjëherë me çetën time kryeja mobilizimin e përkohshëm në fshatrat shqiptare e turke dhe shkonim në ndjekje të partizanëve…”. Po kështu shprehet edhe i deleguari i Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë (në vazhdim KQ PKJ), Svetozar Vukmanoviq-Tempo, i cili duke e përshkruar situatën politike e ushtarake në Dibër thekson se:
“…Ballistët, përkatësisht vullnetarët, tuboheshin sipas nevojës dhe kyçeshin në luftë kundër njësive të LNÇ-së dhe atëherë grumbulloheshin nga 200 deri 300 vullnetarë, dhe jo çdo herë njerëz të njëjtë. Udhëheqës të tyre ishin Ukë Cami, Ali Maliqi, Sabri Maqellarja, Sali Marku etj. Ata i tubonin vullnetarët dhe mbanin lidhje të përhershme me organet politike e ushtarake në Dibër….”.
KOMITETI SHQIPTAR PËR LIRINË DHE PAVARËSINË E SHQIPËRISË ETNIKE
Në pjesën e parë të muajit korrik 1943, në Dibër të Madhe u mblodhën krerët e Dibrës, Gostivarit, Kërçovës, Tetovës e të Strugës, me ç’rast formuan “Komiteti Shqiptar për Lirinë dhe Pavarsinë e Shqipërisë Etnike” (më tej KSHLPSHE). Kryetar i Komitetit u zgjodh Fiqiri Dine. Ndër krerët e tjerë më të njohur të Komitetit ishin: Ukë Cami, Xhemë Gostivari, Mefail Zajazi, Riza Drini, Miftar Kaloshi, Halil Alia, Shahin Cami, Kadri Saliu, Shuaip Kamberi, Ali Maliqi, Fik Maliqi, Cen Elezi etj.
Ndërkohë, nacionalizmit shqiptar, deke parë trathtinë e Mukjes, i lindi nevoja e një mbledhje tjetër, tepër urgjente. Ky ishte Kuvendi i Lurës i cili u mbajt më 27 gusht 1943, në të cilin morën pjesë mbi 60 delegatë, në mesin e tyre edhe Mithad Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Cen Elezi, Ukë Cami, Zenel Lita, Hysni Dema, Ali Maliqi, Miftar Kaloshi e tjerë. Vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit të Lurës, ishte “…hymja në luftë të hapur kundra okupatorit pa dallim partish…”.
Pa humbur kohë, KSHLPSHE, ftoi udhëheqjen e PKSH-së në Dibër që t’i bashkëngjitet këtij grupimi politik e ushtarak, për një veprim të koordinuar, mirëpo ajo refuzoi, duke deklaruar se do të vepronte “vetëm simbas instruksioneve që do t’i jepeshin prej qendrës së saj”. Ministria e Brendëshme konstatonte se “shifet një ashprim marëdhënjesh ndërmjet Partisë Nacionaliste dhe asaj Komuniste”, duke shtuar se; “qëllimi i Partisë Nacionaliste, asht të punojë në qetësi dhe të përgatitet që në nji eventualitet zbarkimi të fuqive anglo-amerikane në Ballkan, të fillojë veprimin e saj përkundër fuqive të Boshtit. Deri në atë kohë, që ata shpresojnë të jetë e afërt, të pregatisi popullin moralisht dhe materialisht për luftimin”.
Përderisa nga ana e nacionalistëve shqiptarë, bëheshin përpjekje për një unifikim të veprimeve politike e ushtarake, nga ana tjetër, krerët komunistë në krye me Haxhi Lleshin, të dirigjuar nga misionarët jugosllavë: Svetozar Vukmanoviq – Tempo, Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha, vazhdonin politikën e tyre të ndarjes e përçarjes. Komanda e xhandarmërisë së Peshkopisë, njoftonte Komandën e Përgjithshme në Tiranë, për disa përpjekje të komunistëve shqiptar, për ta futur nën kontrollin e tyre post-komandën e Ostrenit, por një përpjekje e tillë u kishte dështuar, pasi siç thuhet: “…me nji herë ka shkue në ndihmë Kryetari i asaj krahine Ukë Cami, i cili i ka detyrue çetat të largohen. Si mbas sigurimit të dhanun prej Ukë Camit me popullsi e vendit, Post-Komanda e Ostrenit ka qëndrue në vend dhe personeli ndodhet i pacenuem…”.
Duke e pasur parasysh se qëllimi primar i KSHLPSHE-së, ishte bashkimi i mbarë drejtuesve shqiptarë në krahinën e Dibrës, Lumës, Matit, Gostivarit, Tetovës, Kërçovës, Strugës e tjerë, pa marrë parasysh ideologjinë e tyre, drejtuesit e komitetit, e panë si të domosdoshme të takoheshin edhe me Aqif dhe Haxhi Lleshin, dy eksponentët kryesor të ideologjisë komuniste në krahinën e Dibrës, dhe, si rezultat, me 2 gusht 1943, u formua Shtabi i përbashkët midis KSHLPSHE-së dhe aradheve partizane që vepronin në Dibër. Ky shtab, qysh në fillim hasi në mosmarrëveshje.
Krahu nacionalist kërkonte që forcat e bashkuara shqiptare të shpallnin zonë të lirë tërë krahinën e Dibrës, përfshi këtu edhe Dibrën e Madhe dhe Peshkopinë, ndërsa Esat Ndreu i cili përfaqësonte Frontin Nacionalçlirimtar, kërkonte që zonë e lirë të shpallej Peshkopia dhe krahinat përreth saj, pa e përfshirë Dibrën e Madhe. Me këmbënguljen e nacionalistëve, forcat partizane (që në atë kohë ishin disa herë më të pakta në numër se ato nacionaliste) u detyruan të marrin pjesë në çlirimin e Dibrës (8 shtator 1943). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm