Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Unë e ndoqa me shikim deri në kthesën e rrugës, duke përfytyruar në këtë çast strehën e tij në katin përdhes, ku banonte atëherë familja në qytetin e Shkodrës, pranë kullës se Gjon Marka Gjonit. Konvikti ynë ndodhej fare afër. Franci më kishte ftuar disa herë me bujari në strehën e tij mikpritëse, kur ktheheshim nga shkolla. Unë në fillim ngurrova, duke patur parasysh përgjimet.
Por më pas e theva rregullin, pranova. Ndjeva kënaqësi kur u gjenda në këtë familje aristokrate, me edukatë qytetare, të mëkuar me kulturë! Franci kish trashëguar nga e ëma veshin muzikor. Prandaj sa herë kaloja para strehës së tyre dhe dëgjoja tingujt e pianos, më sillte në përfytyrim mamanë elegante, veshur me penjuar pranë tastierës, duke interpretuar pjesë klasike të kompozitorëve të mëdhenj me famë botërore.
“Me siguri duhet të kenë patur ngacmim nga i ati, në Itali, që janë kujtuar për të birin në Shqipëri, pas kaq vitesh”! – mërmërita me vete duke kaluar urën e përroit. Pak metra me tej më zuri syri oficerin e Degës së Brendshme, shefin e sektorit që merret me të internuarit dhe të dëbuarit në rreth. Ky më bëri shenjë të shkoja drejt tij. – “Pa tjetër duhet të ketë diçka për të më thënë”, – mendova me vete.
– “Fatmirësisht tani po ecën mbarë puna në tre drejtime kryesore, prandaj duhet bërë kujdes nga ana jote, që të mos lesh shkas për përgojime”, – e nisi bisedën shefi me vërejtjen e drejtpërdrejte. – “Orë e çast duhet të kesh parasysh çfarë ndodhi me ndihmën e pakursyer të shokut Qemal, kthesën rrënjësore të jashtëzakonshme, e cila as mund të hamendësohej. Është rasti të falënderosh njëqind herë nënën tënde dhe atin tuaj të ndjerë, që të kanë gatuar me disa dhunti të veçanta, ke aftësi për teatër dhe tru pjellor, dy cilësi që të ndihmuan në këtë situatë kritike për të kaluar nga mbijetesa në jetesë normale. Pa këto dy cilësi të vyera që nuk i kanë të tjerët, s’të ndihmonte dot as shoku Qemal. Brenda kohës rekord, prej çastit kur u vu në dijeni sekretari i Parë, t’u sigurua një strehë normale, u dha me gojë e me shkrim garanci për të punuar në arsim, si dhe të përmbushësh dëshirën tënde më të madhe, të kthesh në realitet fejesën me vajzën tënde të zemrës! Përsa i përket ecurisë së mëtejshme, kjo varet kryesisht nga sjellja juaj…”!
– “Keni ndonjë vërejtje konkrete, se diku e kam shkelur”?… – e ndërpreva unë i shqetësuar.
– “Pikërisht pse kam të ndalova, – theksoi ai me vështrim zhbirues. – Para një çasti takove rastësisht në rrugë shokun tënd të gjimnazit, dhe natyrshëm u habite që ai gjendet këtu. Sepse as ti e as ai, nuk e dinit për njëri-tjetrin që ndodheni në rrethin tonë me dënim administrativ. Prandaj për këtë rast nuk të qortoj. Por herën tjetër nuk ta fal. Prandaj po ta bëjë më të qartë, që ta kesh parasysh: pavarësisht nga kategoria e njëjtë e masës së dënimit, ti je biri i një familjeje me biografi të pastër. Kurse shoku yt i klasës e ka babanë eksponent në aktivitet kundër pushtetit popullor.
Përveç kësaj ki parasysh: sekretari i Parë e vendosi përfundimisht që ti do të punosh në sektorin e arsimit. Je në prag të emërimit. Mos i hap telashe vetes, duke e ditur se të gjitha lëvizjet e tua i ndjekin orë e çast kundërshtarët e tu. Jam i sigurt që ai të ka pyetur pse je në Lushnje, kur ne të dimë gazetar në Radio. – E anashkalova me shumë kujdes përgjigjen e kësaj pyetjeje, sa ai formoi idenë se jam transferuar këtu, në qytetin e lindjes. Pastaj më këshilloi të mos takohemi herë tjetër…”!
– “E shikon sa djalë i zgjuar? Miku i tij, qe ndërhyri për ta mbajtur në Plug, ia shpjegoi me hollësi si duhet të sillet dhe ç’qëndrim të mbajë për çdo rast. Ndaj tij s’kam asnjë vërejtjeje: është djalë i edukuar dhe i heshtur”.
– “Kështu ka qenë dhe në gjimnaz: fliste më pak se shokët, – plotësova unë pa ditur çfarë të shtoja tjetër. – Mund t’ju bëje një kërkesë, ndonëse nuk është vend i përshtatshëm”? – shtova në çast, meqë m’u dha rasti.
– “E marr me mënd çfarë doni të thoni: nëse u lejohet tani të udhëtoni për në Tiranë e Berat, ku keni njerëzit tuaj, dhe natyrshëm ju ka marre malli”? – ma rrëmbeu ai fjalën nga goja.
– “Po ju përgatis dy fletë-leje, me afat 3-mujor. Hajdeni nesër t’i merrni rreth orës 10. Në qoftë se për arsye shërbimi nuk ndodhem, lejet do t’jua dorëzojë oficeri i rojës dhe ju do të firmosni tek blloku i marrjes. Por duhet të jeni mjaft i kujdesshëm gjatë bashkëbisedimit me vëllanë e madh dhe dajën, në dhënien e përgjigjeve të interesimit të tyre. Do tregosh aq sa duhet dhe jo si ka qenë gjendja realisht, nisur nga fakti se gabimet ndaj teje u korrigjuan, ndaj dhe nuk duhen përmendur. Tani më trego si shkoi takimi i parë me vjehrrën”, – shtoi befas me shikim të qeshur. – “Ma do mendja që pas kritikave therëse, (nga e prure kokën që na e bëre gjakun ujë?!), duhet të jenë shfaqur shenja zbutëse.
E njoh mirë nënën Ulë: është grua e arsyeshme, di të llafoset shtruar, në masën e duhur. Ndaj dhe s’duhet ta kesh ndjerë veten të fyer kur të ka thumbuar. Sepse tërë familja ka qenë e shqetësuar, që vajza e tyre dashuron një të internuar. Edhe pse ndaj teje e familjes tënde s’kishin ankesa, pasi njiheni prej vitesh, i tmerronin para së gjithash kushtet e llahtarshme të banimit! Po të mos ndodhte kthesa e madhe, treqind e gjashtëdhjetë gradë, nuk dihet si do përfundonte sherri në shtëpinë e tyre, duke patur parasysh që kërleshjet kundër vajzës kishin mbërritur deri në pikën shpërthyese të vlimit!
Fatmirësisht kjo gjendje e nderë, mori për mbarë. Tani jeni përpara ngjarjeve të shënuara, që natyrshëm do sjellin telashe të gëzuara. Prandaj fshiji nga kujtesa ngjarjet e viteve të fundit. Mirupafshim nesër”! – Dhe pa zgjatur dorën të përshëndetej, vijoi rrugën drejt Institutit të Kërkimeve Bujqësore.
Ky bashkëbisedim i rastësishëm përforcoi mendimin se unë ndodhem vazhdimisht në qendër të shënjestrës së opinionit, ndaj kujdesi për vetveten mbetej parësor. Sidomos, e këshillova veten, duhet të tregohem mjaft i vëmendshëm, kur takohem rastësisht me fytyra që dikur i kam parë, por nuk e di saktësisht cilët janë.
Pavarësisht nga ndryshimi i qëndrimit ndaj meje, (tashmë shumica nuk hiqeshin sikur nuk më njihnin, ose bënin sikur nuk më vinin re, kur shkëmbeheshim në rrugë), prapë një pjesë ngurronin të përshëndeten, i bëjnë bisht përballjes. Prandaj vërejtjet e oficerit të Degës së Brendshme qenë të drejta, porosi të thëna në kohën e duhur, si duhet të shmangesh dërgimin e letrave të sajuara anonime, me synime keqdashëse, që i drejtohen shefit të madh të rrethit, të cilat bartin shpifje armiqësore të rrezikshme, enkas për t’i vënë shkopinj nën rrota mbarësisë sime të mëtejshme. Por ndërkaq më la mbresa sjellja e çiltër e shokut të gjimnazit, kërkesa e tij për të mos i dhëne njohje njeri-tjetrit në mjedise publike, (edhe pse ky nuk e dinte që isha damkosur njësoj si ai me njollën e të deklasuarit).
Këtë kërkesë e mbështeti me arsyetimin bindës, se çdo takim sado i rastësishëm, përcillet lart nga spiunët si shkëmbim i informacioneve sekrete! Kur u futa në shtëpinë e motrës, Stavri qe kthyer nga puna dhe po bisedonte shtruar me vjehrrën rreth vizitës së befasishme të “nuses” time.
– “Veprim i domosdoshëm dhe i bërë në çastin e duhur”! – shtoi ai i kënaqur, kur hapa derën e kthinës së pritjes.
– “Ishe në shtëpinë e saj”?…- më pyeti nëna me vështrim kërkues. – “Si të priti Ula? Ta zbuti ca kurrizin me qortime”?
– “Unë vetë s’kisha ndërmend, por këmbënguli Arqelini”.
– “Mirë ta paska bërë. Të jesh dy hapa larg portës së shtëpisë dhe të mos futesh brenda? Apo dojë ftesë të veçantë”?… Ajo është vajzë dhe mori guximin, pranoi të takohej dhe llafosej me mua. Edhe sikur ajo të ngurronte për të ardhur këtu, unë nuk i vija faj e nuk i mbaja mëri. (fare do thoshte Ula, kur ta merrte vesh që e bija ishte tek ne për vizitë, ndërsa ti një hap larg nga porta e saj, nuk more mundimin ta sajdisje? Ti i pari duhet të propozoje, ose ta pyesje: është koha e përshtatshme për një vizite? Asaj i lumtë që u tregua e shkathët”!
– “Brezi juaj, mama, ka pjekuri dhe përvoje jetësore të pasur, sepse jeni rritur përmes sakrificave dhe dy luftërave botërore. Ndaj i peshoni me kandarin e farmacisë sjelljet dhe veprimet tona. Nuk me erdhi rënde pse nëna Ulë, më hoqi vërejtje, duke patur parasysh që këtë do kishe bërë dhe ti po të ndodheshe në vendin e saj. E di pse u lëkunda në çast? Pata ngurrim, nuk isha i sigurt nëse veproja drejtë, pa u këshilluar me ty…”!
– “Këtu paska qenë halli? Shqetësoheshe mos zemërohesha unë, pse nuk more leje prej meje”? – ma ndërpreu mendimin nëna.
– “Edhe për këtë. Por kryesisht më shqetësonte mosnjohja e gjendjes së acaruar, nëse duhej bërë kjo vizitë, apo të shtyhet pak më vonë, kur të ftohen gjakrat”.
– “Sipas meje, kjo vizitë u bë në kohën e duhur. Nëse Ula do të priste hundë e buzë, vetëm me qortime, pa shprehur asnjë shenjë pëlqimi, atëherë kundërshtitë e tyre të fillimit, do t’i shpjegoja ndryshe”.
– “Pritja nisi me qortime dhe përfundoi me gliko”! – iu përgjigja unë i kënaqur.
– “Kështu ka lezet: të hidhurat në fillim dhe të ëmblat në fund”! – shtoi nëna me shikim të qeshur. – “Në muhabet e sipër e prekët gjë kohën e fejesës”? – pyeti ajo.
– “Gjeta rastin t’i shprehja mendimin tonë, për në muajin mars. Nëna Ulë më tha: përgjigjen do ta merrni pasi të këshillohemi familjarisht”.
– “Çdo grua me mënd në kokë, nuk duhet të nxitohet të japë mendimin e saj pa e pleqëruar me burrat e shtëpisë”, – theksoi me bindje nëna. – Aq më tepër për një çështje kaq delikate, si fejesa e çupës, ndaj së cilës pati vazhdimisht kundërshtime të prera. Për deri sa Ula tha; ‘duhet të këshillohem me njerëzit e familjes’, nënkupton se këta e pranojnë fejesën pas ndryshimit të kushteve të jetesës”.
– “Kur po kthehesha, tek ura e përroit takova rastësisht shefin e internim-dëbimeve. Në muhabet e sipër i drejtova një kërkesë në formë pyetjeje: mund të me jepet leje udhëtimi dhe qëndrimi disaditore për në Tiranë dhe Berat”? – “Dhe si t’u përgjigj”? – ma priti e shqetësuar nëna.
– “Hajde nesër t’i marrësh”, – ma ktheu fare pa ngurruar.
– “Ja një shenjë tjetër mbarësie”! – tha burri i motrës së madhe, i cili deri këtë çast, kishte dëgjuar i heshtur bashkëbisedimin tonë.
– “Ke ndërmend të shkosh ne Tiranë”? – pyeti nëna.
– “Duhet vajtur! – theksova me ton të vendosur. – Së pari, do takohem e do bisedoj me vëllanë e madh, pas një kohe të gjatë. E di që ti ke mendim tjetër: i takon këtij të vijë tek nëna! Por janë disa kushte të detyruara shtrënguese, që ia kanë lidhur këmbët dhe duart. Edhe pse nuk e lëvizën nga Tirana, u treguan të ‘mëshirshëm’, të qetë nuk e kanë lënë. Së pari, i hoqën rolin e Leninit tek drama “Orët e Kremlinit”, me shpjegimin se një aktori me vëlla të arratisur, nuk i lejohet të interpretoje në skenë gjeniun e proletariatit botëror. Së dyti, ndërprenë xhirimin e filmit.
Së treti, nuk e lejuan të ikte me trupën e teatrit në Kosovë. Prandaj gjatë gjithë kohës ka qenë ndrydhur nga makthi i frikës, mos e heqin nga Teatri Popullor, i qerthulluar vazhdimisht nga synimet keqdashëse. Ata të Ministrisë së Kulturës, e kanë njoftuar se ka ardhur një kërkesë zyrtare për regjisor teatri, nga Komiteti Ekzekutiv i Beratit, meqë aty do krijohet trupa e teatrit profesionist. Nuk e di saktësisht, por sipas disa pëshpëritjeve, thuhet sikur në këtë shkresë, përmendet konkretisht emri i Ilia Shytit…”!
– “E pse demek në Berat dhe jo në Lushnje, ku lindi, u rrit dhe formoi grupin e teatrit”? – u hodh befas nëna.
– “Sepse në Lushnje nuk mund ta transferonin për dy arsye: së pari, binte në sy për keq, që vëllai i madh punon si regjisor, kurse vëllai i vogël, hamall karburanti! Së dyti, vetvetiu del pyetja ngacmuese: pse ky dallim kaq rrënjësor mes dy vëllezërve, kur të dy janë njësoj të pafajshëm?! Së treti, si do ta përballonte djali yt dhe vëllai im, trajtimin mizor të familjes prindërore? Dhe meqë keqdashësit s’donin të hiqnin dorë nga synimi i tyre, gjeten si sebep teatrin profesionist të Beratit”.
– “Dhe si vazhdoi më tej kjo histori”? – pyeti me interesim nëna.
– “Se si u bë kthesa, nuk e di. Ndoshta ka ndërhyrë dhe daja në , tek kryetari i Komitetit Ekzekutiv, meqë ka njohje, i është lutur ta ndihmoj të mos transferohet këtu, pasi më shumë vështirësi mori shtëpi në Tiranë pas kaq vitesh, ndërsa se në Berat, do humbasë talenti i tij si aktor. Mesa duket kryetari i Komitetit rastisi njeri i mirë, i dërgoi shkresë zyrtare Ministrisë së Kulturës, se regjisorin e teatrit profesionist, do ta zgjedhim nga djemtë e talentuar të trupës amatore. Fatmirësisht djali yt dhe vëllai im, pati mbështetjen dhe përkrahjen e aktorëve më të shquar të Teatrit Popullor…”!
– “Shyqyr që paska shpëtuar”!.. – tha nëna duke psherëtirë.
– “Edhe unë e kam dëgjuar këtë histori”, – shtoi burri i motrës. – “Dhe të them të drejtën, kur e mora vesh u shqetësova, pasi kohët e fundit janë shtuar transferimet e kuadrove, me kërkesën e rrethit përkatës. Po të përforcohej kërkesa nga Komiteti Ekzekutiv i Beratit, nuk vihej fare në mëdyshje që kjo lëvizje mund të kryhej fare me lehtësi”.
– “E paskeni ditur dhe mua nuk më njoftuat”?!… – na tërhoqi vërejtjen të dyve nëna.
– “Vetëm me Retën e kam biseduar këtë çështje. Të dy menduam mos t’ju vëmë në dijeni, sepse edhe pa të ishit të tej ngarkuar me plot halle. Lili erdhi në shtëpinë tonë pas kthimit nga Berati, kur takoi kryetarin e Komitetit Ekzekutiv dhe mori prej tij premtimin e ndihmës. Pikërisht në këtë mbrëmje na e shpjegoi gjerë e gjatë ndodhinë e transferimit”.
– “Shyqyr, o Perëndi, që e ndihmove djalin e madh, se ka pesë fëmijë”!… – u lut nëna duke bërë kryq.
– “Nga ky çast më lindi shpresa se edhe për ju do fillonte mbarësia”, – shtoi Stavri me kënaqësi.
– “Nuk e di pse, por bindja ime e brendshme më thoshte, se në rrethin tonë, ndoshta drejtuesi ynë kryesor, ka prirje për të ndihmuar të pafajshmit, si puna juaj. Dhe kështu ndodhi. Nëna beson se kthesën e bëri Perëndia, kur realisht meritat i takojnë shokut Qemal…”- tha ai me buzëqeshje.
– “Ky e bëri, dhe dritë pastë kudo”! – pranoi nëna.
– “Njerëzit e mirë kudo qofshin, janë bijtë e Zotit, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës dhe raca. Paçka pse shoku Qemal ka triskën e partisë, dhe si komunist nuk e beson Zotin, ngaqë i bindet Kanunit të Komunizmit, Perëndia e ka gatuar me mëndje të kthjellët dhe zemër të dhembshur, për faktin se për rastin tonë veprimet i kreu sipas Ungjillit. Po të mos qëllojnë mes nesh këta njerëz largpamës, me shpirt të ndjeshëm, turmat rrezik
të shtazërohen. Sepse vetëm drejtësia e ruan botën nga paudhësitë e Satanait”!
– “Në disa pika, si çështja e drejtësisë, ne përputhemi. Por për dogmën pacifiste të Krishtit, (kur më godit njërën faqe, unë të kthej tjetrën), ne, si ateistë, jemi kundërshtarë të prerë me ju besimtarët. Komunizmi na mëson se drejtësinë në botë, e vendos vetëm Revolucioni Proletar”, – ia ktheu dhëndëri.
“Këtu gaboni rëndë! – e kundërshtoi nëna. – Për-derisa drejtësinë nuk e ka vendosur dot Perëndia, i Gjithëfuqishmi, e pamundur ta rregullojmë ne, mëkatarët, që i kemi duart të përlyer me gjak! Nejse. Secili ka mendjen e vet. Ndoshta po të ishin komunistët si ty, kaq të drejtë e të sjellshëm, kaq të ndershëm e punëtor, edhe unë plaka do t’i besoja komunizmit. Por e vërteta tregon ndryshe: xhelatët me triskë partie, vrasin natën dhe të qajnë ditën! Kush nuk beson Perëndinë, gjithnjë vë në dyshim veten e tij.
E di ti që atë shprehjen e përdorur shpesh nga ju, ujët nga burimi vjen i kulluar por poshtë turbullohet, e keni vjedhur nga Ungjilli? Nëse e ke ditur e ke pyetur ndonjëherë veten për ç’ qëllim? Po ta them unë: që të besoni verbërisht se lart nga Udhëheqja e Partisë, udhëzimet shpërndahen të drejta e të ngrohta, si rrezet e diellit, kurse poshtë, duke kaluar nëpër soj-soj mendimesh, shtrembërohen, ndoten, helmohen, e humbasin përbërjen e fillimit, ndaj ndodhin soj soj katrahurash mbi kurrizin e fukarait…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016