Nga Shpëtim Kodra
Pjesa e dytë
Memorie.al / Umberto Eco, autori i romanit të mrekullueshëm “Emri i trëndafilit”, duke cituar librin me poezi “Rapsodia e jetës së trëndafilave” të Visar Zhitit, shprehet: ”Poezia u shkakton frikë regjimeve diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Visar Zhitit, për trëndafilat”. I vlerësuar nga kritika botërore, si një ndër poetët më të mirë të globit, Zhiti ka merituar mjaft çmime ndërkombëtare dhe është pranuar anëtar nderi i Akademisë Ndërkombëtare “Mihal Eminescu”. Zhiti: ”U akuzova se paskam shkruar vargje hermetike, / por më hermetikisht më mbyllën… / 10 vjet heqje lirie! / Edhe atë që s’e ke, ta marrin. / Ata na donin skllevër. / Me vargje krijonim lirinë”. / Arti –antipod i tiranisë. Në një ditë feste, më 8 nëntor 1979 e arrestuan. Vëllimi poetik, i pabotuar, por i kaluar në ekspertizën diktatoriale, e dërgoi në burg.
17 maj 2021. ç’ishte ashtu? Tërmet, bombardim, apo ankth?! Post-diktatura po i ngjante diktaturës. Teatri më ra në kokë. Më vrau. Po ndieja në brinjë shembjen e teatrit. Dëgjova Atjonin: “Ngrihu, jam për ty! Edhe ëndrra është realitet? Student, apo engjëll është ky? Ia dhashë britmës. Së pari për studentin, djalin që u zhduk. Është britma, ose klithma e zemrës së babait të pangushëllueshëm.
Përdoret këtu prozopopea, figurë retorike, që konsiston në përfaqësimin, si persona të gjallë që flasin, ata që nuk jetojnë më, ose duke i shpirtëzuar (personifikuar), gjërat abstrakte e pa shpirt. Shembuj: “Njeriun,/ sa pak e gjej te njeriu;/ prandaj u drejtohem pemëve”. Ose: “Rrallë më vinte fantazma e babait. Shpirti im e fantazma”. Teatri rrëzohet. E pranon vdekjen me dinjitet pikëllues. Të vinte për të qarë. Requiem. Vendi im bën teatër, por nuk e do teatrin. Teatri i Prishtinës ato ditë, do të ndërpriste shfaqjet, në shenjë zie.
Pabesia gjatë natës. Ditë e zezë për artin. Dridhmat e ekskavatorit iu dukën si të vetat ekskavatoristit. Në këtë orë bëheshin pushkatimet. Pa njerëz, pa dëshmitarë-kish folur me vete ai. Protestuesit të dëshpëruar, fytyrë-ngrirë. E shembi qeveria. Me qeverinë nuk luhet, ajo luan me ne…! Në shkurt 1999, protestat e fuqishme të artistëve dhe intelektualëve të shquar kërkonin, ndër të tjera, shpalljen monument kulture, si dhe dhënien e fondeve, për rikonstruksionin e teatrit.
Maks Velo shprehej: “Teatri është lënë pa mirëmbajtje, që të degradohet e të prishet. Për zgjidhjen e brendshme, nuk ka teatër me zgjidhje funksionale, më të mirë në Shqipëri. Aty janë krijuar institucionet e kulturës. Vlerat vijnë nga vjetërsia. Trashëgimia është grumbullimi, transmetimi dhe ruajtja e vlerave kulturore”. Zona, ku bënte pjesë Teatri, ish shpallur “monument kulture” në vitin 2000. Pra edhe Teatri që bënte pjesë në atë zonë, konsiderohej i tillë.
“Gazeta “Il fatto quotidiano” (16.7.2018) shkruante: “Në fillim u prish kopshti i ulët i Berte-së, i vitit 1935. Më pas u prish stadiumi më i mirë, i projektuar më 1934 e tashmë Teatri Kombëtar”, i projektuar më 1938, me arkitekturë racionaliste. U prish ansambli arkitekturor. Në teatrin “Kosova” (më pas Teatri Kombëtar), kanë debutuar mjeshtra të mëdhenj të artit lirik, folklorik e kryesisht teatral e kinematografik.
Vetëm aty e askund tjetër, mund e duhej të krijohej Muzeu i Kujtesës Artistike Kombëtare, ku ka shkëlqyer arti sublim i pasardhësve të Moisiut. Arkitektura që propozohet është pa karakter identitar. Po ‘ArTurbina’ ç’është, hidrocentral?- flet ironia.
Si monument kulture u ngrit mbi kujtesën mizore të ceremonive politike, kur fitimtarët e përdhunuan tempullin e artit me gjyqet kriminale. Përse duhej zhdukur nga pamja e nga kujtesa një monument me simbolikë të dyfishtë, ku Arti triumfoi mbi Krimin? Kadare: “Mënyra si po largohemi nga komunizmi, favorizon amnezinë e krimeve dhe amnistinë e kriminelëve”. Krimet që harrohen, ose mbulohen, përsëriten. Në roman jepet përshkrimi tronditës, për vitet e para të pasluftës, kur; “u lirua Shqipëria, por jo shqiptarët. Liria do kulturë, jo vetëm dyfeqe”.
Për martirët e gjyqeve “speciale” të viteve 1945-‘47, Regjisori Saimir Kumbaro, me skenarin e Uran Butkës, ka realizuar një dokumentar. Gjyqet politike organizoheshin si shfaqje masive, të shëmtuara e tragjike, të një teatri real, për diskreditimin publik të pafajësisë, që pasohej nga krimi ndaj “trurit të kombit”.
Në mes të akuzuarve, të lidhur me zinxhirë, ndodhej edhe shkrimtarja dhe disidentja e parë grua, në gjithë Lindjen komuniste, Musine Kokalari.
Ajo duhej të ishte aty si autore dramash letrare e jo si personazh i gjallë, i vërtetë që dënohej, në teatrin real të vrasjeve. Atdheu ish i mbyllur, si një teatër absurd. Vrasjet në kufi. Prishja e kishave, xhamive. Filmat sovjetikë, citatet e Maos, grupet “armiqësore”. Socializmi i dobët, diktatura e fortë.
Aktorin e madh(diktatorin), hijerëndë, të bukur e të gjithëfuqishëm duhet ta doje me epsh, si gruan; idealin e Partisë më shumë se fëmijën.-thotë autori. Kalvari, tragjizmi i figurave intelektuale, me personalitet të fuqishëm, si dhe klerikëve martirë, që ka nisur menjëherë pas çlirimit, vijoi gjer më 1988, një vit para shembjes së Murit të Berlinit.
Namik Dokle, në romanin “Kolerë në kohën e dashurisë”, rrëfen që trupi pa kokë i poetit Havzi Nela, u gjet i varrosur vertikalisht, në një gropë shtylle telefoni. Dokle e krahason komunizmin me murtajën, ashtu si Mid’hat Frashëri, idealisti i madh, shërbestari i kombit, që shprehej: “Ne nuk jemi kundër partizanëve, por kundër murtajës së kuqe, që duan të sjellin komunistët. Duhet të fillojmë nga kultura, kur të bëhet Shqipëria e lirë”.
Personalitetet e kulturës duhej të drejtonin politikën. Por pikërisht mbi kulturën, mbi intelektualët nisi krimi diktatorial, komunist. Ndërsa sot, nën demokracinë totalitare e jo funksionale, klima e ndotur ka prodhuar detraktorë e apatridë. Më 23 dhjetor 2022, natën u shkatërrua monumenti i Mid’hat Frashërit, për të cilin Edri Rama ka thënë: “Mit’had Frashëri, bartës i ndershmërisë intelektuale, i dha Shqipërisë gjithçka kishte e gjithçka mundi”.
S’është bërë ballafaqimi me diktaturën, s’janë dënuar krimet e komunizmit e të diktatorit, prandaj konflikti ka mbetur. Migjeni te; “Bukën tonë të përditshme falna sot”, shkruante: “Bolshevikët si njerëz të egjër ishin”. Janë fjalët që Filipi i drejton Zefit.
Diktatura dënoi veprat dramatike, autorët e tyre, madje edhe lexuesit, duke krijuar vetë drama e tragjedi e duke i shkaktuar një humbje të pallogaritshme Kombit. Në roman përshkruhen edhe episode, a ngjarje të rënda, tragjike, reale. Një personazh, Skënderi tregon: “Isha në një pushkatim. Gjyqi partizan dënoi një shok, që kish rënë në dashuri me një partizane. Vramë shokun më të mirë. Në shtab komunisti jugosllav, nuk pranoi ta falnim. Pas koke e ka dhe vajza”! Një rast analog trajton dhe Vasfi Baruti, te “Nega totum”. Skenarin e pushkatimit të Ramize Gjebresë, për dashurinë e hamendësuar, e kishte sajuar Nexhmije Xhuglini.
Por edhe Dushan Mugosha, kish ankthin që nëna e Ramonës ishte nga Kaçaniku. Duhej të vdiste më pas edhe Zaho Koka. Mexhit Prençi: “Drama e partizanit pa emër” e Fatos Arapit që u dënua në Plenumin IV, është dramë fiction, por pasqyron realitetin e Luftës Nacional-çlirimtare. Vrasja e “partizanit pa emër”,nga shokët e tij, pasohet me valle e dolli. Një e vërtetë rrëqethëse, tragjike, që ka ndodhur shpesh. Vrasje mizore nga komunistë karrieristë, aventurierë, gangsterë. Nuk ka emër, se është një rast tipik. Kjo dramë moderne stigmatizon letërsinë skematike, të ideologjizuar”.
Letërsia e realizmit socialist duhej të pasqyronte vetëm suksese arritje, fitore. Nuk ishte realiste, pasi nuk mund të pasqyronte mungesat elementare, jetën e vështirë të popullit, as jetën në burgje e internime, apo punën e sforcuar e drobitëse të të burgosurve në tunele, bunkerë, stadiume, aeroporte. Moisiu, ati i Hektorit: “Iu vura teatrit. Doja të bëja luftën kundër luftës”. U vra nga një partizan në duel. Në poemën dramatike me titull: “Kundërshtarët përqafohen”, njeri ishte me partizanët, tjetri me ballistët.
Luftuan kundër pushtuesit, por edhe kundër njëri–tjetrit. Del në skenë nëna e tyre si fantazmë dhe i gjen të dy djemtë të vrarë në betejë, ndoshta edhe me njëri-tjetrin. I bashkon ajo në një përqafim të fundit. Poema u shpërnda edhe si trakt, por komunistët urdhëruan djegien e trakteve, edhe pse Enver Hoxha, me anë të një qarkoreje të datës 1 tetor 1943, kish urdhëruar shpartallimin e ‘Ballit Kombëtar’!
Grotesku, si figurë retorike shpreh bashkekzistencën shpërthyese mes komikes e tragjikes, të bukurës e të shëmtuarës, të madhërishmes e të ultës, për të krijuar kuptime të reja, ose për të tërhequr vëmendjen. Një situatë groteske paraqet kjo ngjarje: në olimpiadën e teatrove në qytet, do të konkurronte edhe Dega e Punëve të Brendshme. Kryetari Degës, i tha Hektorit: “Ti do të drejtosh grupin tonë. Duam çmimin e parë. Në pjesë armiku i klasës kërkon të arratiset, por rojet tona”…!
E dërguan në një qeli, ku kish një tryezë të vogël, një karrige, letra, pagure uji. Një britmë dëgjoi nga qelia fqinje, ku torturohej dikush. Ky ishte teatri i realizmit socialist. Të bësh art në një qeli. Tragjikja e komikes. Më pas do t’i dilte shpesh Hektorit në ëndrrën torturuese qelia (biruca) e tmerrshme.
Një mesazh të fortë rreth fundit të palavdishëm të diktatorit dhe epërsisë morale të njeriut aq human, si Nënë Tereza, sjell autori. Dridhej varri i diktatorit. E ruanin ushtarët e Gardës. Zhurma nga të çarat e tokës. Klithma. Rënkimet e natës, si nga gropa e ferrit. Ndoshta i bëhej një gjyq diktatorit. Vejusha e diktatorit, bisedon me pasardhësin Ramiz Alia. Të dy ateistë të egër. Edhe kampi socialist po dridhej, si varri e po shembej!
Mira Meksi te “Diktatori në kryq”, e trajton këtë moment. Ramiz Alia i thotë sh. Nexhmie, diktatoreshës, dunkaneshës: “Ti duhet të bësh paqe me fenë. Merr udhën e përndritshme të Besimit. Lidhu me Shenjtorët. Sille Nënë Terezën, të shenjtën e gjithë botës. Është gjaku ynë. Afrimi me fenë, që ajo t’i falte gjakun e derdhur, kampionit botëror të persekutimit fetar; atij që, jo vetëm nuk e lejoi Shenjtoren të takonte nënën e motrën, por e shau edhe me fjalë rrugaçërore.
Në gusht 1989, e çuan Shenjtoren te varri i anatemuesit të saj, me një buqetë me lule. Përkohësisht varri u qetësua. Por do të shqetësohej Shqipëria dhe varri më pas. Tereza ish rritur jetime. Babain ia kishin helmuar. Në një film italian kushtuar Nënë Terezës, interpretoi aktori Bekim Fehmiu, i cili do të donte të interpretonte edhe rolin e Lazër Mjedës. Rrëfen autori edhe për loken Drande, për Agen e Lazrin, si dhe për takimin e tij me Shenjtoren.
Mbyllja e romanit me “fluturim për në Ukrainë”, është mjaft domethënëse dhe aktuale. Kauzën dhe luftën e saj e ndjek dhe e përkrah gjithë bota demokratike. Madje edhe Finlanda asnjanëse, që për vitin 2022, është cilësuar si vendi me popullin më të lumtur në botë, detyrohet nga rreziku i agresionit rus, të kërkojë hyrjen në NATO. Ciceroni: “Historia është mësuesja e jetës”.
Në nëntor 1939, Finlanda i ish përgjigjur me një heroizëm legjendar Ushtrisë së Kuqe, e cila prej 104 vjetësh, ka derdhur gjakun e vet e të popujve të tjerë. Diktatori rus edhe sot shqetëson e trondit botën. Marinit iu renditën në mendje pamjet e rënda nga lufta në Kosovë dhe tani në Ukrainë. Dy luftra për shkaqe morale. Në 2014, Janukoviçi ia mbathi në Rusi. Tani Putini…!
Po niseshin për në Ukrainë Irisi me Marinin. Visar Zhiti: “E doja më shumë Marinin, se donte time bijë, Irisin e bukur, që e kisha ri gjetur. Më kishin mbushur shtëpinë dhe shpirtin. Në Ukrainë zhvillohet tragjedia reale më e rëndë e botës. Një popull që, nën bombardime të përditshme, lufton. Nëpër gërmadha fëmijë të uritur, të mbetur vetëm. Gra që rendin me fëmijë në krah drejt kufirit polak. Ukraina digjet e shkatërrohet çdo ditë.
Miku Dmytro Chystiak, i thotë Marinit: “Kohët sikur përsëriten. Po luftohet edhe për Evropën, ashtu si Skënderbeu juaj kundër pushtimit turk”. Këmbim realitetesh, aktesh të një drame të madhe popujsh. Po mbrohet trimërisht Ukraina, një vend sovran, me kulturë e tradita të lashta; me njerëz të lirë që duan t’i largohen perandorisë komuniste sovjetike. Në retrospektiv, njihen krimet e Stalinit në Ukrainë, me Holodomorin e viteve 1932-‘33 të vdekjeve masive nga uria, si dhe me Spastrimin e madh në parti, ushtri e ndaj inteligjencës në vitet 1934-‘38.
Kambanave të alarmit, ndaj rrezikut diktatorial, i bien vazhdimisht shkrimtarët, si Erih Maria Remark, me “Asgjë të re nga fronti i perëndimit”, ose Migjeni në esenë satirike; “Urime për 1937”, ku shkruan: “çdo vit urojmë njeni-tjetrin për një vit të ri ma të lumtun…! Së pari, të uroj, shok i dashtun, të mos ndëgjosh, as dëshpërimin e të mundunve, as britmën e ngadhënjyesve, në këtë jetë. Të mos dëgjosh bubullimën e Spanjës”.
Ndërsa Pablo Pikasso, ka krijuar kryeveprën shokuese “Guernika”, duke u kujtuar brezave gjithnjë agresionin barbar të forcave fashiste e naziste, mbi fshatin Basque të Guernikës në Spanjë, më 26.4.1937. Është pikënisja e Luftës II-të Botërore. Spikat në roman trajtimi i lirisë, si formë e ekzistencës njerëzore e si vlera më e lartë e jetës, që shkelet në shoqëritë diktatoriale e shpërfillet në demokracitë totalitare. Memorie.al