Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetepesë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Por zgjidhja më praktike ishte të mos shiheshim, për të mos lënduar njëri tjetrin. Duke qenë e tillë, duhet ta merrnim të dy vendimin pas bashkëbisedimit të gjatë, pasi t’i shqyrtonim një për një të gjitha mundësitë. Sepse arsyetimi i njëanshëm, jo vetëm nuk i saktëson hapat e mëtejshëm, që duhen ndërmarrë, përkundrazi, i përkeqëson deri në fyerje ndaj njëri tjetrit, marrëdhëniet tona të çiltra.
Ndërkaq, përgatitej urgjente që brejtja e kësaj mëdyshje, të mos zvarritej. Kalitja e durimit shërben vetëm përkohësisht, deri në çastin e gjetjes së një zgjidhjeje, në qoftë se kjo ekziston realisht. Por isha i vetëdijshëm se ky hamendësim, rrezikonte të mbetej pezull, pa formë dhe trajtë konkrete, sado të shfaqej nga ana e saj vendosmëria e palëkundur…!
Një ditë rreth orës 14.00 mbas dite, u ndeshëm përballë njëri-tjetrit, para hotel “Myzeqeja”: unë sapo kisha zbritur nga autobusi i Kolonjës dhe po shkoja tek motra e madhe, kurse Arqelini, qe drejtuar tek shtëpia e xhaxhait.
– “E ndjeja se do të takoja pikërisht në këtë orë tek ky vend”!.. – tha ajo me zë të drithëruar, duke më zgjatur dorën.
– “Edhe unë kisha një parandjenjë të tillë…”, – ia ktheva unë.
– “Duhet patjetër të takoheshim! – shtoi ajo me ton të vendosur. – Edhe sikur të mos rastiste sot, do ta gjeja një mundësi të të njoftoja”.
– “Ka diçka urgjente që duhet shqyrtuar”? – e pyeta me vështrim të shqetësuar.
– “Nuk e di nga ç’burime e kanë marrë vesh njerëzit e mi, por mbrëmë u ndez në shtëpinë tonë, një bisedë e nxehtë për mua…”!
– “Në ç’formë”? – e ndërpreva unë.
– “Më paraqitën tre kandidatura për fejesë…”- tha ajo duke psherëtirë thellë, me vështrim të ngërthyer mbi sytë e mi. – “Dhe ti i kundërshtove të tre”?!… – plotësova unë mendimin e saj.
– “Pikërisht për këtë filloi sulmi i pyetjeve dhe vërejtjeve: Na e shpjego pse s’të pëlqejnë. Apo të duket vetja sikur ke rënë nga qielli dhe pret princin e kaltër mbi kalë, të kërkojë dorën tënde?… Meqë u zura ngushtë, s’dija si të përgjigjesha, u detyrova t’u thosha të vërtetën: e kam gjetur shokun tim të jetës”!
– “Dhe menjëherë filluan breshëritë e pyetjeve”, – shtova unë.
– “Natyrisht. Meqë e paske gjetur, pse s’na e the që në fillim, por na lodhe kokën”! – më tërhoqi vërejtjen xhaxhai me ton të sertë.
– “Ti si u përgjigje”? – e pyeta me kureshtje.
– “Sepse ju nuk me pyetët”, – ua ktheva unë.
– “Ata me siguri të kanë drejtuar pyetjen më kureshtare dhe të ankthshme: cili qenka ky shoku yt”? – plotësova unë.
– “Sokrat Shyti! – pohova unë kokulur”.
– “Me siguri pas këtij pohimi, kanë shkrepur rrufetë dhe bubullimat e kundërshtimeve”!…
– “I pari u hodh njëri nga kushërinjtë: ti paske lozur mendsh”!
– “E marr me mend cili kushëri ka qenë”, – shtova unë duke fshirë ballin e djersitur.
– “Ai nuk foli keq për ty. Përkundrazi të ngriti në qiell! Tha se je djalë i talentuar, punëtor, i ndershëm, rrjedh nga familje e nderuar. Dhe para se ty ta zinte rrota e ndëshkimit bishtin, pa kryer asnjë mëkat, në Tiranë të lakmonin vajzat më të bukura. Është e vërtetë”? – m’u drejtua ajo me kureshtje të ankthshme, duke patur parasysh shqetësimin e fundit. –
“Nga i paska marrë këto të dhëna kushëriri yt?… e kundërshtova unë. – Sipas meje, duhet të jenë mendimet e tij personale, për të prishur mendjen ty”, – shtova më tej.
– “Sepse edhe sikur të ishte mjaft i afërt me mua, nuk mund t’i dinte këto hollësi”.
– “Sipas teje, janë hamendësimet e tij”? – ngulmoi ajo.
– “Hamendësime ose trillime të çastit, njëra nga të dyja”, – përforcova mendimin tim.
– “Rëndësi ka që fjala e tij zuri vend, të gjithë e përkrahën dhe dolën në përfundimin e njëjtë, se i ashtuquajturi princi i kaltër, ka vetëm pamjen e jashtme tërheqëse, ndërsa të tjerat i mungojnë. Para se gjithash nuk është qytetar i lirë! Si mund të krijosh familje me një djalë, kur s’ka as të tashme e as të ardhme”?!
– “Të vërtetën të kanë thënë”, – iu përgjigja unë.
– “Kaq di të thuash”?!.. – shtoi ajo me ton të sertë.
– “Unë nuk shpreha mendimin tim. Po të ndodhesha në vendin e tyre, kështu do të veproja, nëse më kërkohej të shfaqja vlerësimin e gjendjes”.
– “Po tani që po ta kërkoj unë dhe pres përgjigje nga ty”?…- më befasoi ajo me pyetjen e drejtpërdrejtë.
Mbeta një ast i heshtur, duke stisur me shpejtësi mori përgjigjesh, për të gjetur cila prej tyre do shërbente si premtim qetësues, pa marr përsipër rolin e balsamit shërues.
– “Së pari duhet të pyesësh veten tënde, pasi pasojat e hidhura do rëndojnë mbi ty, – shtova unë pas pak. – Ti je në moshë madhore. Njerëzit e tu kanë të drejtë të shqetësohen. Ndaj dhe të tregojnë ç’pasoja të presin po vendose sipas kokës tënde. Por fjala e fundit të përket ty”.
– “Këtë e kam të qartë, më ndërpreu ajo. – Unë pres nga ty tjetër përgjigje. Sepse po nuk pata mbështetje të plotë prej teje, mbetëm e vetmuar”!… – shtoi ajo me sy të përlotur.
Një angështim therës më tejçoi kraharorin: me zor u përmbajta pa u ngashëryer. Nëse këtë çast do gjendeshim në një qoshe të veçuar, pa kalimtarë dhe vështrime kureshtare, do ta përqafoja e mbuloja me të puthura për ta qetësuar, që të kuptonte se përkrahja ime kurrë nuk do t’i mungojë. Megjithatë i kapa dhe i shtrëngova dorën për t’i treguar në heshtje se jam pranë saj mendërisht, trupërisht e shpirtërisht.
– “Mjafton të jesh e bindur që shtysa jote e brendshme buron prej meje, për t’i mbushur mendjen vetes se unë jam i pranishëm tek ty dhe ti brenda meje!… – theksova ngadalë. – Por këtu jemi në vendin më të papërshtatshëm për biseda kaq të rëndësishme dhe delikate. Prandaj hajde shkojmë në lulishten para shtëpisë tënde…”, – shtova me ton të vendosur.
– “Aty mund të na gjejë njëri nga vëllezërit”!… – tha ajo e trembur me zë të dredhur.
– “E pastaj?!… Ne nuk do bëjmë dashuri klandestine. Ne mos sot, nesër, një ditë do na shohin. Ki parasysh urtësinë popullore: hekuri përpunohet sa është i skuqur nga nxehtësia. Përderisa njerëzit e tu e kanë marrë paralajmërimin nga ty, unë nuk jam as anonim e, as djalë i panjohur, por me emër e mbiemër, madje dihet prejardhja familjare. Kur ke vendosmëri e qartësi, përpjekja e nisur çohet deri në fund. Por më e rëndësishmja: duhet të kesh siguri të plotë tek vetja.
Duhet ta kesh të qartë: sulmet sapo kanë nisur. Nesër dhe pasnesër do shtohen e do marrin forma e trajta me kërcënuese. Kur njerëzit e tu do ta kuptojnë se e kanë të humbur davanë me metodën e bindjes apo me kërleshjen e braktisjes, do t’u drejtohen për ndihmë të njohurve në organet partiake e shtetërore, që këta të shpjegojnë ty në ç’rrugë të verbër po e fut rrjedhën e jetës, se menjëherë pas dashurisë së hovshme në muajt e parë, vjen lindja e fëmijëve, shqetësimi e vëmendja kalojnë vetvetiu tek e ardhmja e tyre.
Krejt natyrshëm këta do të vënë në dukje jetën e mundimshme, në fshat: banesën e papërshtatshme, mungesën e ujit të pijshëm, mungesën e druve të zjarrit, rrymën e dobët elektrike, rrugët me baltë e pluhur dhe plot mangësi të tjera. Ndërkaq në qytet, të pret një e ardhme e sigurt, qoftë këtu apo në Tiranë, pasi kushtet e jetesës, ndryshojnë si nata me ditën me fshatin”.
– “I kam marrë të gjitha parasysh”! – foli ajo me ton të vendosur.
– “Hajde shkojmë tek lulishtja para shtëpisë tuaj, që të bisedojmë më lirshëm, se këtu na duket vetja si polic trafiku…, – thashë unë me buzëqeshje. – Dhe gjatë rrugës shoshiti e siti edhe një herë ato që të parashtrova”.
– “I kam shoshitur e situr me dhjetëra herë gjatë netëve pa gjumë… – shtoi ajo kokulur. – Shqetësimi im nuk lidhet me veten time, por me ty”! – theksoi me zë të dridhur, duke hedhur një vështrim të lëkundur.
– “Megjithatë duhen kaluar edhe një herë në të gjithë filtrat nga e para deri në fund, sepse ndodhemi para sprovës më të madhe e të rëndësishme të jetës! – ngula këmbë unë. – Nuk do t’ia falja kurrë vetes nëse pas njëfarë kohe do të ndjeheshe e zhgënjyer, pikërisht kur të përballesh me vështirësitë e shumta të jetës…”!
– “Pse e ke këtë dyshim? – më pyeti ajo me vështrim të shqetësuar.
– “Nuk e kam dyshim, por brejtje të brendshme. Vërejtja ime vlen për të dy. Prandaj duhet t’i hedhim hapat të matur”.
– “Ti akoma nuk i ke thënë gjë nënës për mua”?… – m’u drejtua ajo me vështrim pritës.
– “E çfarë t’i thosha? Qe mes nesh ka lindur një ndjenjë e ndërsjellë? Pyetja e saj e parë: ia njoh unë familjen? Sapo ta marrë vesh bijë e kujt je, do ta shtjellojë më tej muhabetin, nëpër pikat më delikate, që përmenda pak më parë. Në fund me siguri do theksojë: çupa e Zoit duhet ta lidhë kokën me dyzet peshqirë, para se të vendosë të lërë jetën e qytetit”.
– “Po përveç kësaj vërejtjeje, je i sigurt që nuk do thotë asnjë kundërshtim tjetër”? – shtoi ajo me vështrim dyshues.
– “Nënat tona kanë përvojë prej disa dekadash, të tejmbushur me përjetime të dhimbshme, sepse kanë përballuar dy luftëra botërore dhe tmerret e urisë. Sikur të mos mjaftonin këto, fati i hidhur e hodhi nënën time, në batakun e një vuajtjeje tjetër akoma më të skëterrshme. Prandaj në këto kushte, mund t’i duket e padrejtë që një vajzë qytetare, në lulëzimin e moshës, të bjerë pre e dashurisë…”!
– “Përcaktimi i fundit tingëllon i pasaktë! – ndërhyri Arqelini me ton të ngritur. – Dashuria ime nuk duhet të shihet si pre, për faktin se ajo nuk është e tillë! – kundërshtoi. – Nëse krahasohet me prenë, atëhere mendja të shkon tek kurthi. Kam të drejtë”?
– “Plotësisht. Por në këtë çast e kemi fjalën për qëndrimin e nënës, dhe jo timin. Ta shpjegova pse nuk e kam vënë në dijeni pa qartësuar ecurinë e mëtejshme të marrëdhënieve tona. Sepse ne të dy jemi në kushte të ndryshme, përveç anës tjetër, që nënës time nuk i shkon fare ndërmend fejesa e djalit, për dy arsye: se pari, e ka radhën motra para meje. Së dyti, e më e rëndësishmja, akoma nuk i dimë befasitë e të ardhmes”.
– “Disa shenja mbarësie janë dhënë, duke filluar nga pjesëmarrja jote në grupin amator të teatrit, – tha ajo. – Shenja e dytë mjaft domethënëse: fitimi i të drejtës të vish tek motra e madhe, pas tre vjet ndarje, tregon se janë hequr pengesat me driza. Dhe e treta: ka shpresa të fillosh punë në arsim…”!
– “Këtë të tretën ku e dëgjove, dhe nga kush”? – pyeta unë me interesim.
– “Në shtëpi. Kur kalova në dhomën tjetër me sy të përlotur, pas diskutimeve të nxehta, ‘këshilli familjar’ andej, vijoi më tej shqyrtimin e gjendjes së nderë. Përveç kundërshtive të formës së prerë, pse s’duhet kryer fejesa mes nesh, veshi me rroku këtë kumt të rëndësishëm. E merr vetë me mend për cilin bëhet fjalë…”!
Ky kumt përputhej plotësisht me pohimin e ndihmësit të sekretarit të parë, kur më ngazëlloi me zbutjen e qëndrimit ndaj familjes tonë. Po ta kisha dëgjuar për herë të parë këtë çast sihariqin e punës, natyrshëm do më gëzonte, edhe pse tingëllon befasues e mosbesues. Kuptohet, Arqelini priste entuziazëm nga ana ime, duke patur parasysh ndryshimin e kursit të qëndrimit ndaj meje me 360 gradë. Dhe kur këtë nuk ma vuri re, m’u drejtua me ton qortimi:
– “Ti diçka më fsheh! Në vend të më përqafoje për sihariqin e madh, rri i heshtur e i menduar!… Si shoqja jote e afërt kam të drejtë të dëgjoj çfarë të mundon, nëse me të vërtetë e ke vendosur të bëhem shoqja jote e jetës…”!
– “Kërkon t’i përsëris edhe një herë nga e para? Pse je kaq mosbesuese? – ia ktheva unë po me qortim. – Jo t’i përsëritësh, por të thuash ato që nuk ke thënë”! – këmbënguli ajo.
– “Përveç atyre që shpreha, s’kam gjë tjetër”! – theksova unë.
– “Ato që i di më mirë se ti, nuk ka nevojë t’i dëgjoj për së dyti nga goja jote. Unë kam bindje të palëkundur tek dashuria njerëzore, e cila na jep forcën e duhur për të përballuar çdo vështirësi. Pastaj unë s’jam bijë princi, e mësuar me pekule. Prindërit na kanë rritur me sakrifica. Kështu do t’i rritim dhe ne fëmijët tanë. Dashuria mes dy njerëzve duhet vlerësuar si dhuratë e shenjtë, që një herë të jepet, duke patur parasysh se të gjitha dukuritë zhvlerësohen para saj. Ndaj duhet ta quajmë veten me fat, që na u dha ky shans. A nuk të duket çudi dhe mrekulli, që fati na takoi me njëri-tjetrin?!…
Duhet të prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të ktheheshe në Shqipëri pa i mbaruar studimet, të vije këtu familjarisht si i përndjekur politik, dhe së fundi të bëhej sebep zëvendësimi i një roli të dramës, që emri dhe çështja jote të ngacmojnë vëmendjen e sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë dhe ky me një dashamirësi të jashtëzakonshme ndryshoi jo vetëm rrjedhën e fatit tënd, sa hapi shtratin e ri të rrjedhës për të ardhmen e jetës tonë”!…
Pas këtij arsyetimi të saktë, përmbledhës, që vuri vulën e dhënies së fjalës, ne u ndamë për t’u takuar sa më shpejt, duke e caktuar të shtunën si ditën tonë dhe lulishten si vendin më të përshtatshëm, deri në gjetjen e një strehe të përkohshme. Pas dy ditëve të bashkëbisedimit drithërues, ku u shpalosën ndjenjat dhe mendimet tona, vjen në Shtëpinë e Kulturës një polic me porosi të shefit, për të më njoftuar se fiks në orën 12.00, duhet të paraqitesha tek oficeri i rojës i Degës së Brendshme.
– “Sipas syrit tënd të stërvitur, si t’u duk kjo thirrje: e mbarë apo me krahëmarrje”? – e pyeta unë, meqë kisha njëfarë njohjeje.
– “Meqë zëri dhe fytyra e shefit ishin të kthjellët, moti duhet të jetë me diell…”- tha ai me buzëqeshje, duke nderuar me dorë.
Por kjo përgjigje nuk më qetësoi e në brendësi më pickoi krimbi i dyshimit, mos ndoshta zëvendëskryetari i Degës së Brendshme, më punonte ndonjë rreng tjetër të fshehtë keqdashje, ku më i mundshmi ishte transferimi në një qendër internimi, dredhi hileqare e mbështetur mbi kërkesën time të fillimit, kur iu drejtova të më hiqnin nga kasollja e lopës.
Meqë polici nuk ma bëri të qartë cili shef më kërkonte, saktësoi vetëm orën kur duhet të paraqitem tek oficeri i rojës, për të patur një ide konkrete rreth qëllimit të thirrjes, mendova të takoja paraprakisht oficerin drejtues të sektorit të internim-dëbimeve, me shpresë që ky duhet të ketë dijeni të plota për mua, e për më tepër, duke qenë (sipas rrëfimit të burrit të motrës), dashamirës ndaj familjes tonë, besoj se do tregohet i gatshëm të më japë një sqarim rreth thirrjes së orës 12.
Mirëpo oficeri i Shërbimit, tek porta e hyrjes, më tha se takimi do bëhet fiks në orën e caktuar. Prandaj në këtë kohë duhet të paraqitesh.
– “Apo ke ndonjë gjë urgjente, që s’pret puna”?…- pyeti ai duke nxjerrë kokën nga sporteli.
– “Në njoftim u përmend vetëm ora, pa e saktësuar cili shef më ka kërkuar”?… – shtova unë.
– “Shefi yt, dora vetë, – theksoi oficeri i shërbimit. – Prandaj mos u bëj merak. Më vonë, kur të vijë, do ta vë në dijeni që erdhe, pasi tani nuk ndodhet këtu. Kështu që ik në prova dhe na bëni teatro të bukur, që të na kënaqni…”!
Por shpjegimi i shkurtër i oficerit të shërbimit, nuk më qetësoi plotësisht, m’u duk as mish e as peshk, sepse nga toni i të folurit dhe mënyra e të vështruarit, s’bënte pjesë as tek synimet e mbrapshta e as tek pohimet e sinqerta. Prandaj për mua, mbeti prapë enigmë thirrja e shefit, ndonëse s’kisha arsye e ngacmim të më shkonte mendja për keq, duke patur parasysh që ky mbante lidhje të drejtpërdrejta me kryetarin e Degës, dhe sipas sqarimeve të ndihmësit të sekretarit të Parë, (pas takimit me shefin e madh të Partisë), koloneli mori urdhër të formës së prerë, të mbajë qëndrim të zbutur me familjen time, të kundërt me qëndrimin armiqësor gjatë këtyre tre viteve. Me këtë i tërhoqa vërejtje vetes, të mos shfaq asnjë shenjë hutimi e turbullire para shokëve e shoqeve.
Dhe fiks në orën e caktuar, u paraqita për herë të dytë tek oficeri i shërbimit, me buzëqeshje.
– “Ja, po vjen…” – tha ky i kënaqur, duke më kundruar Shefi i internim-dëbimeve, (një burrë i qetë dhe i shtruar, ndër oficerët e rrallë, që dinte të bisedonte me ton njerëzor), e dalloi menjëherë ankthin në sytë e mi sapo hodhi vështrimin e vëmendshëm, ndaj më pyeti natyrshëm për shëndetin e nënës, i bindur se gjatë këtyre ditëve e netëve, kjo rrinte në shtëpinë e vajzës së madhe dhe pa tjetër duhet të jetë çlodhur e rehatuar.
– “Nuk e di si duhet ta falënderoj sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë dhe kryetarin e Degës”!… – i thashë unë, duke e patur mendjen tek qëllimi i thirrjes.
– “Do vijë rasti t’ua shprehësh me gojën tënde, kur të shohësh me sytë e tu ndryshimet e pritshme rrënjësore…- shtoi ai me buzëqeshje. – Sa për dijeni, ndryshimi i parë i madh fillon sot. Për atje jemi nisur…”!
Edhe pse mbeta i shtangur nga kureshtja, u përmbajta dhe nuk e pyeta. Ecëm pa folur. Kur dolëm tek kryqëzimi i qendrës, ky i ngriti dorën një “Xhip”-i kinez, dhe të dy u rehatuam në ndenjësen prapa. Nga shkëmbimi i lirshëm i muhabetit me shoferin, krijova përshtypja se njiheshin mirë, duhet të kishin udhëtuar bashkë herë të tjera.
Në Kolonjë “Xhip”-i la xhadenë dhe mori rrugën e shtruar me çakëll, që të çonte në Manastir. Por ndaloi para ngrehinës së vjetër njëkatëshe të Lokalitetit. Fakti që kryetari i Lokalitetit dhe i Plotfuqishmi po na prisnin, do të thoshte se patjetër kishin dijeni për ardhjen tonë. Këta më takuan dhe mua duke më dhënë dorën, (rasti i parë pas tre vjetëve!) dhe i thanë shefit tim, se çdo gjë është gati, mund të nisemi. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016