Nga Qerim LITA
Pjesa e dytë
-Shpërngulja e shqiptarëve në vitet 1912-1939 dhe reagimi i shtetit shqiptar –
Memorie.al / Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, tërheqjen e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e tokave shqiptare nga aleanca ortodokse ballkanike, rifilloi procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike, për në Republikën e Turqisë. Dokumentet e zbuluara kohët e fundit, hedhin dritë se brenda vitit 1912 – ‘13, ushtritë pushtuese serbo-malazeze dhe greke, dëbuan me dhunë mbi 200.000 shqiptarë, pjesa dërrmuese e tyre u vendosën në Stamboll, Anadoll dhe në vise të tjera të Turqisë. Ndërsa, sipas një llogaritjeje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi, gjendeshin 27 – 30.000 familje shqiptare, të shpërngulura nga Kosova, trevat Lindore dhe Çamëria, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.
Për rrjedhojë gjatë muajit gusht, Ministria e Punëve të Jashtme përpiloi listat prej qindra familjeve shqiptare, kryesisht nga rrethet e Shkupit, Pollogut, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, Prishtinës, Gjilanit e Manastirit, të cilët gjoja për shkak “të dëshirës” për t’u shpërngulur në Turqi, kishin dhënë deklaratë se “vullnetarisht”, dëshironin të tërhiqeshin nga shtetësia e Jugosllavisë.
Ndërkohë, qeveria e Stojadinoviqit, në shtator të vitit 1935, themeloi Komitetin Ndërministror, i cili në tetor të atij viti hartoi “Projektin” për, siç thuhej: “shpërnguljen e elementëve jo sllavë nga Serbia Jugore”. Në të, veç tjerash thuhej se çështja e shpërnguljes “duhet rregulluar sa më parë përmes konventës speciale”, midis Jugosllavisë dhe Turqisë, si dhe midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ashtu sikurse “kjo çështje është zgjidhur midis Turqisë dhe Rumanisë”.
Në rast se me Shqipërinë, thuhej në vazhdim: “nuk do të mund të arrihet marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, ose nëse shqiptarët nuk dëshirojnë të shpërngulen në Turqi, menjëherë duhet shkuar në dispozitat ligjore ekzistuese për shpërnguljen e këtij elementi nga zonat kufitare në brendi të vendit dhe popullzimin e zonave të njëjta me popullsi të kombësisë jugosllave….”! Projekti, për të gjithë ata persona, të cilët “shprehnin dëshirën për shpërngulje”, përkatësisht, jepnin deklaratë se tërhiqeshin nga shtetësia jugosllave, parashikonte lehtësime të shumta.
Ky projekt u shqyrtua në Konferencën e ardhshme Ndërministrore, e cila u mbajt më 1 tetor 1935, në objektet e MPJ-së në Beograd, në të cilën morën pjesë nga dy përfaqësues të MPJ-së, Ministrisë së Bujqësisë, nga Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak, Ministria e Financave dhe ajo për Punë të Brendshme. Konferenca pasi e shqyrtoi projektin e hartuar nga ana e “Komitetit të Ngushtë”, solli konkluzionet, të cilat në vazhdim po i paraqesim të plota:
- Çështja e shpërnguljes duhet rregulluar sa më parë përmes konventës speciale midis shtetit tonë dhe Turqisë, si dhe midis shtetit tonë dhe Shqipërisë, në atë mënyrë sikurse e njëjta është rregulluar midis Turqisë dhe Rumanisë.
- Në rast se me Shqipërinë nuk do të mund të nënshkruhet marrëveshja për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, ose nëse shqiptarët (shtetasit tanë) nuk dëshirojnë të shpërngulen në Turqi, duhet:
a) në mënyrë graduale dhe sipas planit, brenda një periudhe të gjatë vjetore, të shkohet sipas dispozitave ligjore ekzistuese për shpërnguljen e popullsisë me prejardhje shqiptare e turke nga zonat kufitare në brendi dhe të njëjtat zona të popullohen me popullsinë e kombësive jugosllave;
b) të bëhen përpjekje për të arritur deri te shkëmbimi i popullsisë, duke e marrë parasysh elementin tonë në zonën e Korçës dhe Gollobordës, dhe shqiptarët e këtyre zonave.
- Të gjithë atyre personave të cilët mbi bazën e nenit 55 të Ligjit për Shtetësi, japin deklaratë se tërhiqen nga shtetësia jonë dhe se do të shpërngulen për një kohë të caktuar, t’iu mundësohen këto lehtësira:
a) t’iu jepen falas pasaportat për shpërngulje, sipas rrethanave në mënyrë kolektive;
b) të lirohen nga të gjitha borxhet shtetërore: taksat e tokës, taksat e tjera shtetërore, ushtrisë etj.;
c) në rast se personat të cilët shpërngulen, kanë borxhe bankare apo private, deri më 1 shtator 1935, bujqve /kërkuesve do iu paguhet nga shuma e fituar nga blerja e pasurisë së tyre të patundshme;
ç) të jepet lirim prej 75% për transportin hekurudhor personave të cilët janë të sigurt materialisht ose e kanë shitur pronën e tyre;
d) t’iu mundësohet udhëtimi falas deri në Selanik ose Svilengrad, nëse deklarojnë se pasurinë e tyre të patundshme ia falin shtetit tonë. E njëjta vlen edhe për të shpërngulurit me gjendje ekonomike të varfër;
dh) të lirohen nga të gjitha tatimet për bartjen e pronësisë së lëvizshme dhe të parave;
e) nga momenti i dhënies së deklaratës për shpërngulje të lirohen nga: rekrutimi, dërgimi në ushtri, shërbimi ushtarak, thirrja për stërvitje dhe marrja e mjeteve transportuese për shkak të dërgimit në stërvitje dhe manovrimit. Nga kjo mund të bëhet përjashtim në rast se shpërngulja nuk kryhet brenda një viti nga momenti i dhënies së deklaratës.
- Për një shpërngulje sa më të suksesshme dhe sa më të shpejtë të këtij elementi jo sllav për në Turqi, përkatësisht në Shqipëri, konferenca e sheh të nevojshme të ndërmerren këto masa:
a) me të gjitha mjetet të përmbyset dhe të pamundësohet propaganda e cila në mesin e këtij elementi zhvillohet nga Shqipëria kundër shpërnguljes;
b) nga popullsia jo sllave e cila vjen parasysh për t’u shpërngulur, të kërkohet plotësimi i të gjitha dispozitave ligjore, në mënyrë të veçantë ato që iu përkasin pagesave fiskale të taksave: taksën e tokës, tatimi ushtarak etj.;
c) në territorin e Serbisë Jugore (Kosovë – Q.L.) sidomos në zonat kufitare, sa më shpesh që është e mundur të ftohen për stërvitje ushtarake të obliguarit ushtarakë operativë e rezervë të përkatësisë jo sllave, qoftë për shkak të stërvitjes apo manovrimit, qoftë për shkak të ndërtimit të rrugëve strategjike ose objekteve të fortifikuara;
ç) parimisht të mos pranohen në shërbimin shtetëror ose vetëqeverisës, personat të cilët i kanë parasysh për t’u shpërngulur, ndërsa ata të cilët tashmë janë në shërbimin shtetëror apo vetëqeverisës, të sistemohen në viset ku jetojnë popullsia jonë sllave;
d) të implementohet rigorozisht parimi i shkollimit të obliguar për fëmijët e këtyre viseve në shkollat tona fillore;
dh) të implementohen rigorozisht të gjitha parimet e popullzimit të viseve jugore në pikëpamjen e përkufizimit të komplekseve të nevojshme për popullzim, në radhë të parë në zonat kufitare;
e) të fillohet menjëherë nacionalizimi i emrave të objekteve gjeografike /vendbanimet, lumenjtë, malet etj./ dhe mbiemrat e personave. Kjo u përket edhe mbishkrimeve publike, firmave, reklamave etj.;
ë) këto masa të përmendura më lartë të zbatohen menjëherë duke filluar nga linja kufitare me Shqipërinë në brendi të vendit.
- Konferenca është e mendimit se zbatimi i këtyre masave, sikurse edhe tërë planin duhet besuar një komiteti të përhershëm, të themeluar nga njerëz profesionist /Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Komunikacionit, Ministrisë së Ushtrisë dhe Marinës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme/, të cilëve do u jepen kompetenca të caktuara dhe do të kishin në dispozicion mjetet e nevojshme materiale.
Menjëherë pas kësaj Ministria e Punëve të Jashtme, urdhëronte Legatën e saj në Ankara, që sa më shpejtë që ishte e mundur, të iniciojë arritjen e një konvente me Qeverinë e Republikës së Turqisë, për “shpërnguljen e popullsisë myslimane nga viset jugore për në Turqi”. Kjo çështje, thuhej në urdhëresë: “është e një rëndësie të shkallës së parë për vendin tonë”, prandaj, kësaj: “t’i kushtoni vëmendje sa më të madhe”, dhe të bëni çmos që: “me Qeverinë turke të arrihet sa më parë marrëveshja e propozuar…”!
Paraprakisht, kryeministri jugosllav, Millan Stojadinoviq, përmes një letre i ankohej të deleguarit të tij në Ankara, Branko Llazareviq, se; “të gjitha përpjekjet për asimilimin” e popullsisë shqiptare kishin dështuar, për arsye se “popullsia ortodokse” në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare ishte “shumë e paktë në përqindje”, e përveç kësaj edhe jo aq mirë e përgatitur për të kryer asimilim. Si mundësi e vetme për të, kishte ngelur “shpërngulja më masive e popullsisë jo sllave” nga kufijtë jugosllavë, që mund të realizohej “përmes një plani special”.
Përkundër përpjekjeve të shumta të qarqeve politike, diplomatike, policore dhe ushtarake jugosllave, procesi i shpërnguljes nuk shkonte sipas parashikimeve të tyre. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar nuk arriti të bindte Ankaranë për nënshkrimin e Konventës aq të dëshiruar nga qarqet serbe, me të cilën ata shpresonin se përfundimisht do t’i dëbonin të gjithë shqiptarët nga Kosova dhe nga viset e tjera nën pushtimin e tyre.
Mirëpo, kjo çështje për autoritetet qeveritare turke nuk ishte me prioritet, për arsye se sipas tyre numri i popullsisë turke në këtë shtet (jugosllav), arrinte shifrën prej rreth 50.000 banorëve, që për dallim nga shtetet e tjera ballkanike, si, p.sh.: në Bullgari, numri i të cilëve ishte 400.000; në Greqi, 300.000 dhe në Rumani 450.000, përbënte një pakicë të parëndësishme. Këto të dhëna edhe pse ishin reale, binin ndesh me planet dhe projektet serbomëdha, të cilat parashikonin të shpërngulnin rreth 750.000 myslimanë (550.000 i konsideronin për shqiptarë dhe 200.000 turq) nga tokat shqiptare të cilat gjatë vitit 1913 iu aneksuan Serbisë.
Pas përpjekjeve thuajse trevjeçare, autoritetet jugosllave, duke e shfrytëzuar Konferencën e Marrëveshjes Ballkanike, punimet e së cilës u mbajtën gjatë muajit shkurt 1938 në Ankara, më në fund arritën ta bindin Qeverinë turke për fillimin e negociatave rreth konventës. Kryeministri jugosllav, M. Stojadinoviq, më 29 mars 1938, përmes një telegrami të shifruar, e porosiste të deleguarin e tij në Ankara, Axhemoviq, të veprojë te autoritetet turke rreth përshpejtimit të fillimit të negociatave për shpërnguljen e popullsisë shqiptare për në Turqi.
Ndërkohë, autoritetet turke propozuan që negociatat të fillonin më 7 qershor 1938 në Stamboll, me të cilin propozim u dakordua edha pala jugosllave. Në fakt, negociatat filluan më 9 qershor dhe zgjatën deri më 11 korrik. Delegacionin turk e përfaqësonte Hasan Saka, deputet i popullit dhe ish-ministër, ndërsa delegacioni jugosllav përbëhej nga: Millan Ristiq, shef i Dhomës Politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Vojisllav Magovçeviq, inspektor pranë Ministrisë së Bujqësisë. Në negociata ishte paraparë të merrte pjesë edhe një delegat rumun dhe një mbikëqyrës grek. Shefi i delegacionit jugosllav, M. Ristiq, më 14 qershor 1938, i shkruante, M. Stojadinoviqit, për rrjedhat e negociatave, sipas së cilit, turqit, ishin dakorduar për dy çështje thelbësore:
1/ në afat prej gjashtë viteve të pranojnë 200.000 vetë nga Serbia Jugore (Kosova dhe trevat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi – Q.L.). Fëmijët nën moshën 10 vjeçe nuk hynë në këtë kuotë, e as që jepet dëmshpërblim për ta; dhe
2/ që në këtë kuotë të hynë edhe shqiptarët”.
Negociatat, siç u tha më sipër, zgjatën deri më 11 korrik, datë në të cilën të dyja palët negociuese sigluan tekstin përfundimtar të Konventës. Në mbledhje vendoset që të përgatitet një komunikatë që do t’i përcillej shtypit të të dyja vendeve, nën kujdesin e Agjencisë së Anadollit, të cilën në vazhdim po e paraqesim të plotë:
“Komisioni për shpërngulje i formuar për të studiuar e për të shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me shpërnguljen e turqve të Jugosllavisë, u mblodh më 9 qershor 1938 në Stamboll, nën udhëheqjen e Sh. T. Hasan Saka, deputet dhe kryetar i Seksionit turk të Këshillit Ekonomik për Mirëkuptim Ballkanik, dhe se i ka përfunduar punët e tij, më 11 korrik 1938, duke sjellë një rezultat pozitiv dhe të kënaqshëm për palët e interesuara të të dyja vendeve mike dhe aleate.
Ky Komision përbëhej prej: z. Hasan Saka; Xhevdet Atasagan, drejtor i përgjithshëm për vendosjen e popullatës, në Ministrinë e Higjienës dhe të Asistencës Sociale; Millan A. Ristiq, shef i Seksionit Ballkanik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dhe Vojsllav V. Magovçeviq, inspektor në Ministrinë e Bujqësisë. Delegatët e kanë sigluar tekstin e Konventës që qeveris dhe që rregullon shpërnguljen e turqve të Jugosllavisë që pastaj të njëjtën t’ua prezantojnë qeverive të tyre gjegjëse. Kjo Konventë do të firmoset sapo qeveritë përkatëse ta kenë miratuar dhe do të hyjë në fuqi kur të ratifikohet”.
Konventa parashihte që brenda gjashtë viteve, duke filluar nga viti 1939 e deri në vitin 1944, nga Kosova, trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme Veriore dhe Mali i Zi, do të shpërnguleshin gjithsej 40.000 familje shqiptare myslimane. Kjo çështje sqarohej në nenin IV të Konventës, ku thuhej shprehimisht:
“Riatdhesimi i këtyre 40.000 (mijë) familjeve do të bëhet në afat brenda gjashtë viteve, me këto përpjesëtueshmëri:
Në vitin 1939: 4.000 (mijë) familje
Në vitin 1940: 6.000 (mijë) familje.
Në vitin 1941: 7.000 (mijë) familje.
Në vitin 1942: 7.000 (mijë) familje.
Në vitin 1943: 8.000 (mijë) familje.
Në vitin 1944: 8.000 (mijë) familje.
Nëse kjo kuotë-pjesë vjetore nuk do të mund të realizohej për shkak të ndonjë pamundësie rasti, të dyja palët kontraktuese do të merren vesh përmes legatave përkatëse për numrin e të shpërngulurve që do të zbrazen a largohen në një anë e do të pranohen në anën tjetër, tre muaj para se të fillojë periudha e shpërnguljes. Ndërkaq, kuptohet se këto ndryshime rasti të numrit vjetor të të shpërngulurve nuk mund të zgjasin më tepër se një vit të afatit të caktuar për shpërngulje prej gjashtë muajsh. Periudhat vjetore të shpërnguljes do të zgjasin që nga fillimi i muajit maj deri më pesëmbëdhjetë tetor, përveç kur të jetë fjala për kontingjentin e të shpërngulurve për vitin e parë, e i cili do të fillojë të zbrazet e largohet vetëm në fillim të korrikut të vitit 1939”.
Për çdo familje të shpërngulur, Jugosllavia ishte e obliguar t’i paguante Turqisë nga 500 lira turke, ndërsa e tërë prona e patundshme e të shpërngulurve kalonte në pronësi të shtetit jugosllav. Që Konventa të bëhej e plotfuqishme, nevojitej legalizimi dhe ratifikimi i saj, që palët negociuese për siç thuhej “shkaqe politike” nuk rekomandonin procedurë të rregullt për legalizim. Sipas tyre, më mirë do të ishte “Konventa të jetësohej përmes rregullores, ndërsa më pas të legalizohej përmes ligjit të ardhshëm financiar”. Neni II i Konventës, përcaktonte rajonet të cilat u ishin nënshtruar shpërnguljes, që ishin si më poshtë:
1) Rrethet e Banovinës së Vardarit, si:
Nga Mali Sharr (Prizreni), nga Gora (Dragashi), nga Podgurra (Suhareka), nga Nerodimja (Ferizaj), nga Pollogu i Poshtëm (Tetova), nga Pollogu i Epërm (Gostivari), nga Galica (Radastushi), nga Dibra (Dibra), nga Struga (Struga), nga Graçanica (Prishtina), nga Kaçaniku (Kaçaniku), nga Gjilani (Gjilani), nga Presheva (Presheva), nga Prespa (Resnja), nga Ohri (Ohri), nga Kërçova (Kërçova), nga Krusheva (Krusheva), nga Poreçi (Brodi i Jugut), nga Prilepi (Prilepi), nga Manastiri (Manastiri), nga Kavadari (Kavadari), nga Marihova (Manastiri), nga Negotini mbi Vardar (Negotini mbi Vardar), nga Shkupi (Shkupi), nga Kumanova (Kumanova), nga Velesi (Velesi), nga Ovçe Pole (Sveti Nikolla), nga Shtipi (Shtipi), nga Koçani (Koçani), nga Radovishi (Radovishi), nga Strumica (Strumica), nga Dojrani (Vallandova), nga Gjevgjelia (Gjevgjelia), nga Kriva Pallanka (Kriva Pallanka), nga Kratova (Kratova), nga Carevo Sello (Carevo Sella), nga Malesheva (Berova);
2) Rrethet e Banovinës së Zetës, veçmas:
Nga Peja (Peja), nga Istogu (Istogu), nga Mitrovica e Kosovës (Mitrovica), nga Gjakova (Gjakova), nga Podrimja (Rahoveci);
3) Rrethet e Banovinës së Moravës, si:
Nga Llabi (Podujeva), nga Vuçitërna (Vuçitërna), nga Drenica (Skënderaj).
Qeveria Jugosllave do të vendosë vetë se në cilat rajone do të nisë fillimisht shpërngulja”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm