Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
“Në Tiranë ishit si veshka në mes të dhjamit: banonit në apartament, punonit në vende të nderuara. Kot nuk i thonë llafit: “druri i shtrembër, prish tërë varricën”! Diktatura e Proletariatit ka për detyrë ta mbrojë shtetin nga keqbërësit, të cilët tregohen mosmirënjohës ndaj Partisë dhe ligjeve të saja. E keqja u erdhi nga njeriu juaj i familjes, jo nga Qeveria. Prandaj këtë duhet ta fiksoni te gjithë, për të mos patur telashe më të rënda. Tani po të tregoj rregullat, që je i detyruar t’i zbatosh:
Do paraqitesh tre herë në ditë tek i Plotfuqishmi, në Lokalitetin e Kolonjës: në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Ne fillim do të të shoqërojë i zoti i kasolles. Më vonë – vetëm. Besoj e ke të qartë, se pas kësaj paraqitjeje të detyruar, nuk të lejohet të lëvizësh nëpër fshat, të ngjitesh lart në pyll pa njoftuar të zotin e kasolles, i cili kryen detyrën e rojtarit të pyjeve. Për çdo nevojë familjare, do t’i drejtohesh këtij. Edhe për blerjen e bukës e ushqimeve, ky do shërbejë si furnitor. Në qoftë se dalin probleme shëndetësore, shkoni bashkë drejt tek i Plotfuqishmi, di ai ku t’ju çojë. Për sa i përket punësimit, këtë e ka në dorë pushteti i këtushëm.
Prandaj duhet të takoni kryetarin e Lokalitetit. Ky patjetër ka marrë udhëzimet e duhura nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit, si duhet të veprojë me familjen tuaj. Edhe një herë: ju bëj thirrje të silleni urtë e butë, pa ankesa, para se të iki prej këtu, pasi zona ime rrok shumë fshatra. Këtë nuk e bëni për mua, por për veten tuaj, të mos i hapni telashe vetes. Përndryshe masat ndaj jush do ashpërsohen, do bini nga shiu në breshër!… Deri dje keni qenë gazetar i nderuar. Sot jeni i deklasuar, pa triskë fronti, pa asnjë të drejtë qytetarie! Pa këto ligje të ashpra, nuk mbahet e fortë, si shkëmb graniti, Republika jonë Socialiste.
Duhet ta dini gjithashtu, se përshtypjet e mia shërbejnë në Degën e Brendshme si material bazë, për dosjet tuaja, sidomos për ty. Nuk e di si e vlerëson ti me syrin tënd. Por këtu, në kasollen e lopës, do jesh shumë më i qetë se sa në barakat e kampeve të internimit. Sepse atje ka turli soj tipash, që vazhdimisht të ngacmojnë, të provokojnë e të tallin, synojnë të të nxehin që të humbësh durimin deri në kacafytje. Në fillim këtu do ta kesh ca të vështirë, deri sa të mësohesh. Por ti je tip i shtruar, di të sillesh me njerëzit e thjeshtë.
Kot nuk i thonë llafit të moçëm: qengji i urti pi qumësht nga dy nëna, i serti nga asnjë. Për sistemimin dhe rregullimin e plaçkave, do të ndihmojë fqinji më i afërt, rojtari i pyjeve, të cilin do ta keni mik të përhershëm, pasi do t’ju gjendet për çdo hall, ditën dhe natën, sidomos në dimrin e acartë, duke patur parasysh që këtu në kodër, të grin era e veriut, dhe ky, si rojtar pyjesh, ka mundësi të sigurojë drutë e zjarrit, kur bëhen prerjet e pemëve të plakura”.
Përgjithësisht vura në dukje çfarë kisha ndërmend. “Iki i qetë, pasi ju lë në duart të sigurta, i bindur se nuk do kem ngacmime për keq nga ana juaj…”! Pas këtij fjalimi të gjatë, operativi i zonës u largua, i shoqëruar nga shtatlarti i veshur ushtarak, roja i pyjeve, për të marrë prej tij udhëzimet shtesë. I zoti i kasolles u kthye shpejt dhe menjëherë iu vu punës. Së pari pruri dy rrogoza të rinj, që i shtroi përsipër truallit të kthinës së kasolles, në vend të dyshemesë. Pasi i mbuluam me një qilim të përdorur, ai vendosi në mes një llamarinë katrore, vendi i stufës, e cila do shërbente për gatim dhe ngrohje.
Në njërën qoshe vumë dollapin e bukës dhe ushqimeve, në tjetrën, përballë saj, raftin e librave. Mes tyre krevatin e nënës dhe një tryezë të thjeshtë prej druri. Ne dy muret anësore vendosëm dy krevate portative për ne të dy, motër e vëlla. Më tej, dy baule që do shërbenin në vend të musëndrave për mbajtje ndërresash dhe veshjeve me vlerë. Mbi to sistemuam dyshekët, jorganët, qilimat dhe batanijet. Diku më tej vendosëm makinën qepëse, (e vetmja pasuri që na la trashëgim babai i ndjerë, mjeti me të cilën punoi deri në frymën e fundit, për të ushqyer familjen e madhe!). Në këto kushte të vështira, kjo makinë do na ndihmonte për të fituar një të ardhur minimale, duke patur parasysh që fatmirësisht, motra dinte ta përdorte, i vinte ndoresh për rrobaqepësi. Ngjitur me makinën qepëse, u vu tavolina e punës, mbi të hekuri për hekurosje dhe pajisjet e tjera.
Me këto orendi u sistemua streha jonë, ku do gdhiheshim e ngryseshim kush e di për sa kohë, e papërcaktuar kur përfundonte. E vetmja mundësi për të mos i shkaktuar vetes dhimbje e strese vetvetes, ishte të përshtateshim sa më shpejt me këtë mënyrë jetese. Kur shkova të paraqitesha tek i Plotfuqishmi i Lokalitetit, mbeta i shtangur nga habia dhe turpi, sepse kurrë nuk e kisha përfytyruar veten se do vinte dita, të përballesha me këtë lloj vartësie kaq të sikletshme, me ish-fqinjin tim të dikurshëm!…
Në moshën 10 vjeçare, familja jonë u vendos për disa muaj në ngrehinat e reja njëkatëshe të SMT-së, ku në pjesën perëndimore të së njëjtës ndërtesë, qe strehuar familja e këtij policit. Tashmë ky qe graduar kapter dhe mbante detyrën e të Plotfuqishmit të zonës, me qendër në Kolonjë. Edhe pse natyrshëm ndjehej krenar para meje, për karrierën e bërë gjatë këtyre viteve, nga polic i thjeshtë, në kapter, (gjë që ma shprehu përmes shikimit autoritar, njësoj sikur të më thoshte: në vend të takoheshim si miq, jeta na vuri krejt papritur përballë, në kushte kaq të dhimbshme: ti i ndëshkuar, unë shefi yt i drejtpërdrejtë!), e ndjeu veten ngushtë, si të sillej ndaj meje, pasi detyra i’a kërkonte të përdorte ton të rreptë, duke patur parasysh se rreth e qark, na përgjonin shumë sy e veshë.
Për të shmangur këtë gjendje tmerrësisht ndrydhëse, ngriti zërin me ton komandues: “futu brenda në zyrë dhe prit”! Por kur erdhi në kthinën e tij, më përqafoi me mall e më pyeti për shëndetin e nënës.
Shprehu keqardhjen për fatkeqësinë që na ndodhi. I këputi njëqind të shara vendçe të arratisurit egoist, që mendoi vetëm interesat e tij vetjake, pa iu bërë fare vonë, për njerëzit e tjerë të familjes, se këta do heqin pikën e zezë për të mbajtur frymën gjallë! Kjo sjellje njerëzore e ish-fqinjit tim, në postin e të Plotfuqishmit, e zhveshur nga kërcënimet e mendjemadhësia, (dukuri të zakonshme për karrieristët e thekur, që duan të krekosen e kapardisen për kësi rastesh), pakësoi ndjeshëm makthin e stresit, që më kish kapluar gjatë rrugës. Ai më këshilloi me ton miqësor, t’i mos i besoja askujt, edhe kur hiqen sikur ma duan të mirën e janë gati të më ndihmojnë.
– “As këmishës në trupin tënd, nuk duhet t’i zësh besë”! – përsëriti ai tre herë. – “Kur i thashë gruas, cilën familje kanë sjellë nga Tirana, për të banuar në kasollen e lopës së rojtarit të pyjeve, asaj iu drodh vetvetiu buza dhe i dolën lot nga sytë. ‘Pse qenkan treguar kaq të pashpirt, ndaj këtyre njerëzve të mirë?! – pyeti ajo me zë të drithëruar. – Ti e di që familja e tyre përmendet në Lushnje, si bamirësja më e shquar. I ndjeri baba nuk la varfanjak pa ushqyer e strehuar, sa ishte gjallë!.. E mjera nënë Ana, si do jetë katandisur pas kësaj proçke!… ‘Aman, Petro, t’u bëfsha kurban, me aq sa ke në dorë, ndihmoje Sokratin e gjorë të gjeje një punë, sa për të blerë bukën e përditshme’! – m’u lut ajo.
‘Këto i di vetë’, – ia ktheva unë. – ‘Ti duhet të tregohesh e kujdesshme dhe e matur, kur të llafosesh me fqinjët: vetëm dëgjo, mos shfaq asnjë mendim’! – e porosita unë.
– “Mos ma thuaj atë që ke ndërmend, se ke shumë dëshirë ta shohësh dhe përqafosh nënë Anën, pasi e ke dashur që ahere si nënën tënde. Por kjo nuk mund të bëhet, pasi duhet të ruajmë veten tonë. Të njëjtën siguri kërkoj edhe nga ty, Sokrat’! – theksoi me vështrim serioz. – ‘Prandaj në sytë e të tjerëve, unë do sillem me ty siç ma kërkon detyra, kurse ti do qëndrosh kokulur, si i deklasuar. Sa për dijeni: me kryetarin e Lokalitetit kam llafosur që ditën kur e mora vesh se do vinit këtu. Kryetari i Degës së Brendshme, më thërriti para disa ditësh në zyrën e tij, për të më njoftuar mbi detyrën e posaçme. I mbaj përmendesh të gjitha sa më tha.
E filloi me këshillën e zakonshme: “Dëgjo me vëmendje dhe kujdes! Partia po të beson një çështje shumë të rëndësishme dhe mjaft delikate: nga Tirana shpërngulet me vendim të Komisionit Qeveritar të Internim – Dëbimeve, një familje me tre veta, me mbiemër Shyti dhe do vendoset në fshatin Ardenicë, në kasollen e rojtarit të pyjeve. Ndoshta ta ka rrokur veshi këtë familje, me emër të dëgjuar e biografi të mirë. Por ja që ia nxiu faqen me bojë te zezë, njëri nga pjesëtarët më të papërgjegjshëm, piktori i Drejtorisë së Kufirit, i cili u arratis nga posta e Kapshticës”!
Në këtë çast as vetë nuk e di si u përmbajta dhe shpëtova pa me rënë damllaja, kur kryetari mbaroi njoftimin! “Mbahu Petro dhe bëhu burrë, mendo për kalamajtë dhe gruan”! – i thashë vetes për t’i dhënë kurajë. – “Zëre sikur ka përmendur një familje tjetër, me të cilën s’kam as njohje e as miqësi dhe vështroje kryetarin në kokërr të syrit, me qëndrim gatitu”!
Më tej ai me shpjegoi si duhet të sillem ndaj familjes së internuar, duke patur parasysh luftën e klasave; “Do mbash gjithnjë lidhje të drejtpërdrejtë me mua, për çdo rast. Sidomos duhet të kesh kujdes nga ngacmimet e operativit të zonës, i cili pas gotës së dytë, bëhet agresiv dhe u bie në qafë këtyre familjeve. Prandaj cakto njeriun tënd më të besuar, që ta ketë nën vëzhgim kasollen. Vëre vëth në vesh, si paralajmërim serioz: po i ndodhi ndonjë tersllëk befasues familjes Shyti nga operativi i zonës, ndëshkimin kryesor do ta hash ti”!
“E para gjë që bëra gjatë kthimit për në Kolonjë, ishte të vrisja mendjen të gjeja një shkak të fortë, që të mos ndodhesha i pranishëm kur të mbërrinte kamioni me ju dhe plaçkat, si e vetmja mënyrë që të mos zbulohet njohja mes nesh. Sepse e kisha fare të qartë që nëna Ana do më hidhet në qafë e, do më thotë e përlotur: ‘Ç’më gjeti mua korbën, ore Petro! Iku faqeziu dhe na la neve në mes te katër rrugëve! Prandaj sajova një shërbim urgjent në një fshat të largët, dhe ia lashë tërë barrën e marrjes në dorëzim operativit të zonës. Ndërsa përsa i përket çështjes së rëndësishme, punës, shpresoj që kryetari i Lokalitetit duhet ta ketë gjetur një zgjidhje, pasi e pashë duke llafosur kokë më kokë me drejtorin e SMT-së. Ma do mendja duhet ta kenë prekur dhe punësimin tënd.
Ndoshta nesër ose pasnesër, të thërret në takim…! Mos u befaso kur të thonë për një punë fare të rëndomtë, që ti as nuk e ke dëgjuar ndonjëherë. Ja që të zuri kusuri dhe do ta heqësh. Të paktën të fitosh sa për bukën e gojës, pjesën tjetër e nxjerr motra me makinën qepëse. Ankesave të spiunëve se e internuara po qep privatisht, ua mbyll unë zgurdhën: për secilin spiun e kam ngërçin ku e kap, që të mos e hapin sqepin. Ki parasysh të gjitha sa të rrëfeva, pasi radhët e tjera të paraqitjes do bëhen jashtë. Po pate ndonjë gjë për të më thënë, shkel syrin e majtë. U morëm vesh?
Atij zdapit, rojtarit të pyjeve, që me siguri do të pyesë pse të mbajti kaq shumë brenda, do t’i thuash: me lexoi nga fillimi gjer në fund rregulloren, që duhet të zbatojnë të internuarit, si dhe ndëshkimet në rast shkeljeje. Sepse këtë përgjigje ky do ta raportojë në Degën e Brendshme. Që ta dish mirë, ky kryen shërbim të dyfishtë: edhe jep të dhëna për ty e familjen tënde, por edhe për mua, sidomos ç’qëndrim do mbajë ndaj teje. Prandaj me mua do mbash lidhje përherë të pandërprera e të drejtpërdrejta, pa e njoftuar zdapin. Kur ai të pyesë ku do shkosh ose kur do fillosh punë, ti ngri vetëm supet, bëj si i paditur. Tani me siguri do të pyesë rrugës: si t’u duk kapteri? Si të priti?
Të thumboi me romuze? Se domosdo, të ujen rëndë kur të thumbojnë disa çapaçulë. Ti duhet të tregohesh mjaft i zgjuar e i kujdesshëm në dhënien e përgjigjeve, që këtij t’i mbushet mëndja se po i rrëfen të vërtetën dhe të krijojë besim tek ty. Këto porosi ia thuaj me marifet edhe nënës Anë, pasi zdapit ia ka qejfi të fusë hundët në muhabetet e grave. Një gjë ta kesh gjithnjë parasysh: çfarë llafosim bashkë, këtu apo gjetkë, duhet të mbetet mes nesh. U morëm vesh?…
E çuditshme si vërtitet kjo botë: se do takoheshim këtu, në zyrën time, me këto kushte, askujt nuk i shkonte ndërmend!… Me këtë dua të them se erdhi koha të burrërohesh dy e trefish njëherësh, si e vetmja mënyrë për të përballuar jetesën e vështirë. Kuptohet, një pjesë të muhabetit tonë, do t’ia rrëfej dhe gruas, në shtëpi, pasi ajo mezi pret me padurim të kthehem për drekë, që të dëgjojë përshtypjet e mia…”!
– “Bëji shumë të fala gruas dhe përqafoji fëmijët nga ana ime! E shikon që lajthita: i quajta vajzën dhe djalin fëmijë, kur ata tani duhet të jenë në moshë madhore!…Patjetër merret me mend që në urimin tim, përfshihen nëna me motrën, pavarësisht që këto nuk dinë se banoni familjarisht këtu, në Kolonjë”!… – i thashë me zë të ngashëryer.
– “Bëj shumë kujdes: hëpërhë askush nuk duhet të nuhasë që mes nesh ka patur njohje miqësore familjare, se dikur kemi qenë fqinjë dhe fëmijët e mi kanë ngrënë e kanë pirë kush e di sa herë, nga duart e nënës Anë, në prehrin e saj…! Edhe kur zdapi i pyjeve të përmendë në muhabet e sipër emrin tim, ti shmange me lezet, prishja mendjen me sajesa interesante, që s’lidhen me ne. Nuk e vë në dyshim që si djalë i zgjuar, duhet ta kesh kuptuar pse caktuan si strehë banimi për familjen tuaj, kasollen e lopës së tij. Së pari, t’ju fyejnë deri në kockë! Nuk e di për ç’arsye, por konaku ngjitur me kasollen e lopës, me kushte kaq të tmerrshme, tregon sipas mendimit tim, se ty të urren dikush nga shefat e mëdhenj, do të hakmerret, duke ju torturuar! Pas kësaj vjen qëllimi i dytë: në kasollen e lopës, jeni orë e çast nën vëzhgimin e rojtarit të pyjeve, i cili ka kanale të posaçme informimi. Prandaj njëmijë herë kujdes”!
Gjatë kthimit, rojtari i pyjeve u tregua finok, nuk më pyeti fare, si u soll i Plotfuqishmi me mua, por e nisi muhabetin me një përshkrim interesant, se tërë tokat nën xhade, kanë qenë nën ujë të përmbytura dhe se në kohën e ngricave therëse të dimrit, zbrisnin këtu tufa patash e rosa të egra, aq shumë, sa na rastiste shpesh të qëllonim me çifte e të vrisnim që nga dritaret e kasolleve!…
– Kot nuk i thonë: “Brenda të keqes së madhe, gjendet patjetër një e mirë e madhe”, – theksoi me ton të sigurt roja i pyjeve. – “Ishte e çuditshme: vinin kaq shumë rosa dhe pata në dimër, sa na shurdhonin veshët! Dhe fluturonin kaq poshtë, sa na dukej sikur po na sulmonin! Kur e dëgjon për herë të parë këtë rrëfim, nuk e beson. Por në të vërtetë, kështu bënte vaki. Sado tingëllon si përrallë, apo sajesë mburracake të gjitha sa pohoj, nuk më rrihet pa thënë, se edhe ai që s’kishte prekur armë me dorë, trembej kur e shkrepte, po të shtinte kot në tym, pa marrë nishan prapë, nuk dilte bosh!…Bollëk, bollëk i madh!…Gjahu i shpendëve të egra, na ka mbajtur gjallë”!… – e përfundoi ai rrëfimin e tij.
– “Po tani ka gjah”? – e pyeta unë.
– “Jo me aq sa ahere. Por prapë gjynah të qahemi, ushqimin e nxjerrim! Nuk i thonë shaka të hash gati çdo ditë mish të egër, kur qytetarët e shikojnë me dylbi, e quajnë salltanet për zengjinët!… Falë zanatit tim, si rojtar pyjesh, nuk e heq çiften nga krahu. Dhe duke shëtitur në pyjet e zonës kodrinore, nga mëngjesi deri në darkë, domosdo e shkrep sa herë më del përpara ndonjë lepur, skile, mëllenje, shaptore, shkurtëz…”!
– “Po arinj, ke rastisur ndonjëherë”?… – ndërhyra me kureshtje.
– “Derra të egër, po”! – ma ktheu ai me vështrim krenar. – Ndaj e kam zakon që në njërën fole të çiftes, gjithnjë fus fishek me plumb, enkas për raste të tilla, sidomos kur kaloj nëpër shtigjet e pyjeve të dendur, ku lëvrijnë derrat e egër…”!
– “S’ke frikë mos të sulmojnë në befasi, duke qenë fare i vetëm”?!… – “Frikë domosdo kam. Por ma do detyra t’i kontrolloj pyjet e dendur, pasi këtu vijnë me shpesh keqbërësit, dhe presin fshehurazi lisa, për të bërë qereste, apo për t’i shitur në qytet, si dru zjarri. Më vonë do vijë rasti të të marr me vete…”!
– “Kësaj nuk i dihet, duke patur parasysh që unë i kam të ndaluara lëvizjet jashtë fshatit! Prandaj dhe më duket dëshirë e tepruar…”- ia ktheva unë, duke e vështruar me dyshim.
– “I ke të ndaluara vetëm ose me të tjerët, që s’e kanë këtë të drejtë, por jo me mua. Kot nuk të prunë në konakun e kasolles së lopës”!… – shtoi ai me mburrje.
– “Sipas mendjes tuaj, kujt mund t’i ketë lindur kjo ide”?… – guxova unë ta pyesja.
– “Edhe unë mbeta pa mend në kokë, kur kryetari i Degës së Brendshme, më thirri në zyrën e tij e më vuri në dijeni, se; këtej e tutje në konakun e kasolles së lopës sime, do të banojë një familje nga Tirana! Le që s’ma mbante të hapja gojën për ndonjë sqarim, por edhe sikur të merrja kurajë, ai ma mbylli gojën me shtupë që në fillim: – Ti ke detyrë vetëm të marrësh udhëzime! Për sa u përket hollësirave, do t’i marrësh nga operativi i zonës. Por lidhja me mua, do jete e drejtpërdrejtë dhe e pandërprerë”.
Kur mbërrita në strehën tonë mjerane, nëna më përqafoi për të më dhënë kurajë dhe më lehtësoi me diçka interesante e shpresëdhënëse: motra i kishte bërë një pastrim rrënjësor makinës qepëse, pasi në fshat qe përhapur lajmi kureshtar, i ardhjes së një rrobaqepëseje të mbaruar nga Tirana, me duar të arta, që ta bie fustanin kaq bukur pas trupit, sa burrave do t’iu duket gruaja sikur po nusëron!… – “Qenka me të vërtetë lajm i mirë për ne”! – thashë unë. – “Po kush e ka përhapur”? – e pyeta me kureshtje.
– “Kush tjetër përveç gruas së rojtarit të pyjeve? Me sa kuptohet, i shoqi i ka thënë kësaj, se motra jote dhe çupa ime, di ta përdorë si modhister makinën qepëse, dhe ajo s’ka pritur me gjatë, ua ka shpërndarë shoqeve të saj, kur ka shkuar në sope’ të mbushë ujë…”?!
– “Kujt i thonë sope”?… – e ndërpreva unë.
– “Burimit të fshatit”.
– “Që këtu paska burim, qenka lajm i mrekullueshëm! Sepse të gjesh ujë të pijshëm cilësor në Myzeqe, quhet fat i madh. Edhe unë shpresoj të filloj punë këto ditë…..”, -ia ktheva me ton të ngrohtë.
– “Ç’punë do të japin”? – pyeti ajo e shqetësuar.
– “Saktësisht nuk e di. Sido të jetë, jam i detyruar të pranoj çdo lloj pune. Kuptohet, nuk do më caktojnë punë me laps. Se këtu nuk erdhëm për verim apo, me transferim, por me një nofkë të shëmtuar, e cila do të na ndjekë pas, deri sa t’u teket atyre. Ndaj për çdo gjë, duhet të jemi të përgatitur mendërisht…”- e paralajmërova, që të mos dëshpërohej. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016