Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dhjetë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Kushedi sa herë e përmend fqinja ime në muhabet e sipër përkujdesjen tuaj të çmuar…”- u hodh nëna Kade, për ta falënderuar uratën në emrin e zonjës Anë.
– “Lutjet për dy shpirtrat, at e bir, mund t’i bëni dhe brenda Kishës, faltores së Perëndisë, nga ku nisën dëshirat tona drejt Mbretërisë Qiellore”, – theksoi me zgjuarsi urata, duke e ditur që qarjet me piskama therëse lëvizin nga vendi trurin dhe zemrën, duke u shkaktuar besimtarëve të tjerë ngacmime brejtëse.
Kadea i pëshpëriti pranë veshit nënës Anës, ta dëgjonte këshillën e uratës, të përmbahej dhe të mos shpërthente vajtimin me numërimin e vuajtjeve të së kaluarës, pasi këto qarje t’i ngrenë qimet e flokëve përpjetë dhe ta shkulin shpirtin, me forcën e dhimbjes.
– “Sot mos mendo për vete, por për djalin!…- i tërhoqi vërejtje ajo, për ta prekur në pikën më të ndjeshme. – Duhet të kesh parasysh që po e nise ti vajtimin me fjalë, djali do shpërthejë me dënesa, sa rrezik t’i bjerë të fikët. Mos harro asnjë çast amanetin e tët shoqi. Kujtoje si të tha para se t’i dilte shpirti: Ruaje Sokratin nga tronditjet! Prandaj hajde t’i përshëndetim të dy at e bir dhe futemi brenda në kishë. Rrimë aty një copë herë, qetësohemi dhe ikim pa merak, mendje-mbledhur. Sepse ndryshe nga gratë dhe nënat e tjera, që kanë burrat dhe fëmijët këtu, dikush kujdeset vazhdimisht për dy varret”.
Nëna hodhi një vështrim të turbullt drejt meje, për të parë e kontrolluar gjendjen time. Dhe pas disa minutave iu mbush mendja të heqë dorë nga qarja e thekshme. Pasi preku disa herë me dorë rrasën e varrit e puthi fotografitë, u ngrit në këmbë duke u mbajtur tek krahu im. U nisëm të heshtur drejt Kishës. Priftit iu bë qejfi që ia doli mbanë ta tërheqë pas vetes gruan e psaltësit të parë nga e qara vajtuese, i bindur se brenda heshtjes së thellë të amshimit, ajo do të qetësohej. Ndjehej mjaft i kënaqur që mundi të përmbushë me sukses synimin parësor të Kishës ndaj çdo besimtari!
Në hapësirën me kube të lartë të kishës më pushtoi një ndjesi çlodhëse. Sepse secilit i krijohet përshtypja se brenda këtij mjedisi enden shpirtrat e banorëve të përhershëm, që ndodhen nën rrasat e varreve. Vetëm këta kanë të drejtë të hynë e të dalin lirshëm, pasi janë kureshtarë të dëgjojnë mërmërimat e lutjeve, nëse dikush përmend emrin e tyre të harruar. Pëshpëritet se disa shpirtra dinë gjuhën e ikonave. Ndaj kur kalojnë fare pranë tyre, i pyesin çfarë lutjeje dhe porosie lënë besimtarët e përkushtuar, para se t’iu puthin dorën e ballin.
Por vëmendja e tyre kryesore ngërthehet mbi Krye Apostullin, Jezu Krishtin, i vetmi që u ngjiz në barkun e një nënë tokësore me Frymën e Shenjtë, për të blatuar e lindur Birin e Perëndisë, i cili do të kryente mrekulli të padëgjuara. Pas martirizimit në kryqin e drunjtë, i mbërthyer me gozhda nga xhelatët e Satanait dhe pas mrekullisë më fantastike e të çuditshme, Ringjalljes së padukshme në varrin e zbrazur, (Perëndia s’mund t’ua linte Birin e Vetëm besëthyerve), historia botërore u nda për herë të parë në dy pjesë, vendosi në themelet e saj, veprën e pavdekshme të Krye Apostullit të njerëzimit.
Epoka e re u quajt Krishtërim. Vitet dhe shekujt e filluan renditjen e re nga prova më e madhe e Perëndisë: nga Lindja, vdekja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit. Dhe kështu do rrjedhe jeta njerëzore në vazhdimësi.
Po të mos më pëshpëriste Mukja fare pranë veshit: “Si thua, sikur të çohemi për të ikur, pasi na pret shoferi në makinë”? ndoshta në trurin tim, do vazhdonin pështjellime mendimesh të tjerë më të ndërlikuar, që lidhen me Krishtërimin dhe besimet fetare. Ktheva kokën nga nëna për të parë çfarë bënte ajo në këtë çast, dhe prita mos drejtonte shikimin nga unë e, më jepte ndonjë shenjë. Nënë Kadea, si gjithnjë e vëmendshme, e rroku menjëherë vështrimin tim dhe diç i pëshpëriti Anës. Pas pak ato u ngritën në këmbë duke bërë kryq.
(Ishte hera e parë që e shihja nënën Kade të bënte kryq, pa patur asnjë ngurrim dhe të rrinte në Kishë kaq gjatë, pa u bezdisur! Ndjeva kënaqësi që ne, shqiptarët, kemi mirëkuptim të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit dhe besimeve të ndryshme! Në çast më kaploi krenaria kombëtare: jemi të parët e të vetëm në rruzullin tokësor, që u tregojmë gjithë popujve të botës nëpërmjet shembullit tonë, dhuntinë më kryesore të mendjes se mbi çdo besim fetar gjithnjë duhet të kenë përparësi ndjenjat njerëzore, respekti, dinjiteti, dashuria!
Parë nga ky këndvështrim, më dukej mjaft e çuditshme që popuj të kulturuar, si gjermanët dhe anglezët, shpeshherë shprehin urrejtje të përbindshme mes dy grupimeve të Krishtërimit, katolik e protestan, deri në përleshje! Nuk e kuptoja pse shkaktohet ky mllef dhe pse rritet vazhdimisht kjo armiqësi, kur të dy palët, u binden mësimeve të Krishtit!
Po të ishte gjallë babai, do t’i drejtohesha këtij për sqarim, ashtu si veproja sa here më vinin ndërmend mendime të ndërlikuara. Im atë nuk mërzitej, kur dëgjonte prej meje pyetje të thelluara. Përkundrazi, kënaqej që këto i dëgjonte nga djali i tij, fëmijë ende i parritur dhe nuk përtonte të jepte shpjegimin e duhur.
Ndarja e parakohshme e babait nga familja jonë, ishte humbje e madhe për nënën dhe gjithë fëmijët e tij. Sidomos në zemrën dhe mendjen time, u krijua një boshllëk i dhimbshëm, që s’ma zëvendësonte askush tjetër, pasi nuk do gjeja gjatë gjithë jetës time një të dytë, me kulturë të gjithanshme, zotërues të disa gjuhëve të huaja me peshë, i cili mund të ushqente ndaj meje dashuri të epërme e, përkujdesje të jashtëzakonshme atërore!
Kur “Xhip”-i mbërriti në vendin ku u nisëm, ne zbritëm të katër. Mukja falënderoi shoferin për shërbimin e kryer, në emër të familjes, duke shtuar se tani ishte i lirë, mund të vazhdonte sipas planit të punës. Ndërkaq ne ecëm në rrugën e kalldrëmtë drejt shtëpisë, që të pimë kafen e përmortshme.
– “Takova dje drejtorin e shkollës ‘Model’, i cili më gëzoi me lajmin e punësimit tënd, për këto 2-3 muaj!…Ty të shkoi mendja dhe trokite në zyrën e tij? Apo ai të thirri vetë”? – pyeti me mjaft kureshtje.
– “Ideja e punësimit të përkohshëm, më lindi pas takimit tonë të parë, pasi më përshkrove ngjarjen e hidhur të vdekjes së babait. Por pa takuar nënën dhe pa analizuar vetë këtë çështje, nuk mund t’ia shprehja dikujt tjetri, sado i afërt”, – ia ktheva unë, që fqinji im i gjendur të mos e merrte si mungesë besimi pse nuk iu hapa këtij.
– “Po sa mirë të paska shkuar mendja të kërkosh ndihmën e drejtorit të shkollës”! – tha Mukja.
Në fillim nëna mbeti e befasuar, kur i tregova për vizitën time në shkollë. Pastaj, pasi u mendua, pandehu mos drejtori i Gjimnazit më kishte dhënë një letër për drejtorin e shkollës së këtushme, si përgjigje të shkresës zyrtare të para 2 muajve, kur ky e vuri në dijeni për ngjarjen e hidhur në familjen tonë. Por më pas, kur i shpjegova hollësitë e takimit, dhe gjithë bisedimin tonë, ajo u trondit e u habit!
– “Sa mirë paska rastisur dhe qenka bitisur kjo punë”! – tha i gëzuar Mukja. – Për hir të së vërtetës, askush tjetër nuk e kryen më saktë dhe më bukur se ty, këtë detyrë”!…
– “Pikërisht këtë mendim pati drejtori, kur unë i shpreha dyshimin tim, mos këtë vend pune e lakmojnë të tjerët. Ai ma hodhi poshtë këtë mendim dhe më shpjegoi gjerë e gjatë, deri në bindje, pse kundërshtitë e mia janë të pa pranueshme. Ai pati të drejtë. Të nesërmen fillova punë”.
– “Kaq shpejt?! Me siguri punë e lodhshme”, – theksoi ai.
– “Më shumë më shqetëson kujdesi i përqendruar dhe vëmendja e sforcuar mos më rrëshqet ndonjë gabim i vogël, se sa lodhja fizike”, – ia ktheva unë.
Kur u futëm në shtëpi, ne me Muken shkuam drejt e në kuzhinë të përgatitnim kafetë, që dy nënat tona, të vazhdonin bashkë bisedimin e tyre. Pas pak ndjemë hapa në korridor. Unë dola nga kuzhina të shihja kush erdhi. Mbeta i befasuar: ishin dy priftërinjtë e Kishës së Madhe, Papa Petro dhe Papa Kostandini! Me sa duket, urata i kishës së Golemit, duhet t’i ketë njoftuar për vizitën ton në kishë dhe këtyre iu duk si kohë e përshtatshme të më ngushëllojnë mua, meqë s’isha i pranishëm në meshën mortore, që u bë enkas në kishën e Golemit për të nderuar psaltësin e parë, me porosi të Dhespotit të Beratit. Unë u putha me respekt të thellë duart dhe ata ndjenë kënaqësi që më përqafuan e më puthën në ballë.
– “Erdhëm sot kryesisht për ty, pasi shtëpinë dhe familjen tuaj të nderuar e kemi bekuar, kur doli arkivoli me trupin e të ndjerit, dhe besimtarët e përkushtuar bashkë me miqtë e shokët e përcollën me dashuri në banesën e fundit”, – tha Papa Petro, duke më puthur prapë në ballë.
– “Tani ti je rritur dhe je bërë goxha djali! – shtoi papa Konstandini. – Më kujtohet para disa viteve që vije në Kishë bashkë me nënën dhe uleshit në lozhën e parë, pranë babait tuaj të nderuar, i cili me zërin kumbues na ngrohte të gjithëve. Më kujtohet që pas meshës, kur rinim diku për t’u çlodhur, shpesh në bisedën tonë përmendnim të ardhmen, fëmijët. Pikërisht në këtë çast ati yt i nderuar gjente rast të shprehte kënaqësinë e tij, – që djali i vogël ka filluar të shfaqë shenjat e pjekurisë së parakohshme! Dhe kjo e gëzonte më shumë se çdo gjë tjetër”.
– “Po urdhëroni brenda”! – i ftova unë priftërinjtë e nderuar, i përskuqur në fytyrë nga kënaqësia e këtij kujtimi të ëmbël.
Dy nënat tona qenë ngritur në këmbë dhe po prisnin kokulur uratat, sepse i kishin njohur zërat e tyre. Ndjeheshin të nderuara për këtë vizitë, sidomos nëna Anë, së cilës i dukej sikur i shoqi ende ndodhej mes tyre, ndoshta në spital a në një vend tjetër për t’u kuruar, dhe këta vinin të sillnin ndonjë lajm, apo të dëgjonin për ecurinë e shëndetit të psaltesit të parë. Këto puthën me respekt duart e zgjatura të uratave. Dhe pasi u rehatuan të gjithë nëpër ndenjëse, nëna e ndjeu për detyrë të shprehte falënderimin e saj për këtë vizitë.
– “Ju, Hirësi, jeni jo vetëm drejtuesit e Kishës tonë të Madhe, por dhe miqtë e afërt të tim shoqi. Ai bashkë me ju shërbeu me mish e shpirt një jetë të tërë në çdo meshë”! – vuri në dukje me krenari ajo.
– “Amanetin që bashkëshorti juaj i nderuar ju la me gojë, para se t’i largohej shpirti e t’i ikte fryma, na e kish thënë neve gjatë bisedave të kohëve të fundit, kur astma po i rëndohej dhe ai e ndjente afrimin e vdekjes”, – theksoi papa Kostandini me zërin e tij të ëmbël.
– “Shpesh dëgjojmë nga gratë e hidhëruara pse Perëndia merr në Mbretërinë e tij Qiellore ata më të mirët dhe nuk i trazon fare sherrxhinjtë e keqbërësit”?! – ndërhyri në bashkëbisedim Papa Petro.
– “Së pari duhet bërë dallim mes vdekjes së natyrshme dhe vdekjes për shkak sëmundjesh. Ne u vëmë të gjithave një emër, duke patur parasysh strehën tonë të përbashkët, tokën. Por në të vërtetë secila vdekje ka historinë e saj, ashtu si çdo i gjallë. Këtë e ndjejnë të afërtit e atyre, që ndahen nga kjo botë. Pavarësisht pse i ngacmon pothuaj e njëjta dhimbje, për humbjen e të shtrenjtit, gjatë qarjes kanë përfytyrime të ndryshme, që lidhen drejtpërdrejtë me shkakun e vdekjes. Miku ynë i paharruar, Thanasi, nuk do ndahej prej nesh, në këtë moshë ende të re, po të mos i shfaqej astma. Menjëherë pas këtij pohimi, del pyetja: ç’gjë ia shkaktoi këtë sëmundje? Dhe vjen përgjigja: kushtet e vështira të punës, në fabrikën e lëkurave, kur ishte emigrant, të shoqëruara me kushtet e jetesës.
Prandaj duhet bërë dallim rrënjësor kur shfaqet mendim mbi vdekjen: të mirët nuk i merr Perëndia, siç pandehin disa, por i bren përbrenda shoqëria jonë, që nuk i përkrah dhe nuk u krijon kushte sipas meritave, ndonëse këta janë gjithnjë të gatshëm, për të kryer vepra bamirësie. Përkundrazi, ndodh e kundërta: këta sulmohen, përçmohen, izolohen, injorohen, u përkeqësohet dhe nxihet jeta! Kjo do të thotë se vdekja e njerëzve të mirë, nuk vjen nga Perëndia, por e cyt ligësia satanike, për t’i hequr qafe. Detyra e barinjve të Zotit, është t’u bëjë nderimet e duhura, kur përcillen në banesën e përhershme dhe t’u tregojë të gjallëve sa pak vlerësohet mirësia në botën tonë…”!
Në këtë çast, Mukja pruri filxhanët me kafe mbi një mbajtëse prej druri të gdhendur.
– “I ndrittë shpirti atje ku ndodhet dhe ju të keni bekimin e tij bashkëshortor e atëror”! – u drejtua nga nëna dhe unë papa Petro, para se të gjerbte lëngun e kafesë.
– “Ju shoqëroftë kudo urata e kryetarit të familjes! Vetëm duke ndjekur shembullin e tij, ju i shprehni respektin dhe dashurinë”! – shtoi papa Kostandini.
– “Nëse njerëzit, që gjallojnë në këtë tokë, binden se ka vetëm një Perëndi, pavarësisht nga besimet e ndryshme fetare, atëherë duhet të vëllazërohen e miqësohen me njëri-tjetrin e jo të shahen e urrehen si armiq”! – theksoi papa Petro, duke vendosur filxhanin mbi mbajtëse.
– “Perëndia na mëson vazhdimisht të jemi të duruar e të përmbajtur, duke patur parasysh vuajtjet e Birit të vetëm, i cili deri në frymën e fundit përsëriste: Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë”! – përforcoi mendimin e kryepriftit, Papa Kostandini.
– “Mundohemi, uratë, me aq sa na lejon dhimbja…”, – ia ktheu nëna me zë të lodhur.
– “Zonjë e nderuar e psaltësit tonë të paharruar dhe ju zonjë e nderuar e zotit Laze! – iu drejtua dy nënave tona Kryeprifti. – Kur besimtarët futen brenda në Kishë, pavarësisht kujt feje i përkasin, bëjnë kryq dhe puthin ikonat, sepse kryqi simbolizon në çdo çast Kryqëzimin e Jesu Krishtit, ndërsa ikonat tregojnë cilët kanë qenë besimtarët më besnikë të Perëndisë, para dhe pas Krishtërimit, ata që i kanë shpjeguar pareshtur turmës së paditur, pse jeta e njeriut merr kuptim kur ndriçohet nga një Udhërrëfyes i pagabuar.
Disa mendojnë se kjo bindje ndaj besimit, formohet e përforcohet duke përsëritur lutje. Në të vërtetë, kaq nuk mjafton. Më e rëndësishme dhe para së gjithash, secilit i del detyrë të pastrojë shpirtin nga ngasjet, e të përgatisë vetveten, t’u shërbejë me përkushtim fukarenjve.
Prandaj dhe ndjehemi krenare që psaltesi ynë i paharruar, e kishte dhunti nga Zoti, bamirësinë! Asnjë besimtar në rrethin tonë e, në gjithë qarkun e Beratit, deri ku shtrihet Dioqeza, nuk përmendet për bamirësi të tillë. Këtë vlerësim të lartë shprehu vetë Hirësia, Dhespoti ynë, në Sinodin e Shenjtë, kur parashtroi para nesh një mendim mjaft të guximshëm.
Ai tha: Sa herë na shfaqet një rast i jashtëzakonshëm, që pasqyron jetën e njeriut të thjeshtë, me veprimtari bamirësie, i cili adhurohet nga të gjithë, Sinodi i Shenjte i Kishës tonë Ortodokse Autoqefale, duhet t’i kushtojë vëmendje të posaçme dhe t’i dërgojë vlerësimet reale Patriarkanës së Stambollit, që emri i tij të njihet e të përmendet gjatë meshave nëpër faltore. Po të pranohet ky mendim dhe të kthehet në udhëzim, – theksoi Dhespoti, – unë do propozoja emrin e psaltesit të parë, në Kishën e Lushnjes, të shkruhet në librin e artë”!
Në këtë çast mua më rrodhën lot nga sytë dhe m’u mbush kraharori me dënesa! Për herë të parë dëgjoja një vlerësim kaq të madh për tim atë, shprehur nga goja e Hirësisë në Sinodin e Shenjtë. Sipas këtij vlerësimi, babai njësohet me ikonat, si figurë e shenjtëruar. Por mjerisht, sipas kryepriftit, Kisha jonë nuk u tregua në lartësinë e duhur. Pothuaj e njëjta dukuri negative, si në politikë e ekonomi: Nënshtrim! Ulje kurrizi! Shndërrim në urë, për të kaluar mashtrimet dhe spekulimet e më të mëdhenjve! Çfarë turpi!… Deri kur do ta përçmojmë kaq përulësisht vetveten”?!…
Priftërinjtë u ngritën në këmbë për të përshëndetur dy nënat tona, të cilat pas këtyre fjalëve, dukeshin të hutuara e të çoroditura. Por jo vetëm ato. Ligjërata e guximshme e Papa Petros, na tronditi të katërve, deri në thellësi të vetëdijes, me ato arsyetime të mprehta e përshkrime të pazakonta!…
Unë me Muken i përcollëm uratat deri në oborr, duke i falënderuar që pinë me ne kafen e përshpirtjes, dhe bënë ato vlerësime të çmuara. Por në këtë çast, më shpëtoi pa u thënë diçka të rëndësishme, ngaqë isha tejet i ngarkuar me emocionet e këtij bashkëbisedimi: harrova të bëja falënderimin më kryesor për shërbesën e përcjelljes së tim ati, në banesën e fundit, sidomos organizimin e meshës së posaçme dhe marrja përsipër e të gjitha shpenzimeve të varrimit, bashkë me drekën mortore, që u përballuan nga fondi i Kishës, sipas udhëzimit të Hirësisë, Dhespotit të Beratit.
Kur ia shpreha këtë ngacmim fqinjit tim, ky me qetësoi duke theksuar se nëna Anë, i ka falënderuar në emër të familjes disa herë. “Përveç falënderimeve të shumta nga besimtarët dhe kolektivi punonjës”, – shtoi ai. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016