Nga Hyqmet Zane
Memorie.al / Edhe pas 64 vjetësh, familjet Sejko dhe Demi, mbeten viktimat e ish-Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste që ende kanë mbetur të fajshëm edhe pse pa asnjë faj dhe pa varr, të vrarë, të poshtëruar, të gjymtuar, të depersonalizuar dhe që morën me vete enigmën e një gjëme që nuk ka të krahasuar. Ishte ora 10 e ditës së enjte të atij 28 korriku 1960, kur një lukuni oficerësh e punonjësish të Sigurimit të mirë trajnuar për krime kundër njeriut, arrestuan dhe bënë atë mynxyrë kriminale, ndaj elitës intelektuale dhe atdhetare të komunitetit çam, siç njihen tashmë; Teme dhe Taho Sejko, Tahir Demi, Shaban Ademi, Avdul Resuli dhe Sami Murati, Ali Xhelo dhe Jonuz Purrizo, Adem Osmani dhe Asllan Veliu etj.
Për këtë të ashtuquajturin “grupi çam” me etiketimin “tradhtarë” dhe me plot epitete të tjera, tërësisht të pavërteta dhe të instrumentalizuar në bodrumet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas modeleve të stalinizmit që u zbatua me sukses të plotë në Shqipëri, janë thënë e stërthënë të gjitha të vërtetat. Mediat e shkruara dhe televizionet në Shqipëri, përmes analistëve të respektuar, si Ferdinant Dervishi dhe Kastriot Dervishi, Dashnor Kaloçi apo Prof. Dr. Emine Sadiku, (e para që ka shkruar më 1991 për këtë grua), por edhe përmes shumë të tjerëve që protagonistëve të kohës, si Rrahman Parllaku dhe vetë dëshmitarit grek, Kosta Fili, si dhe të tjerëve që kanë pasur dëshirën e mirë të zbulojnë momentet e atyre ngjarjeve të habitshme, gjithçka ka marrë vulën e së drejtës.
Unë personalisht, si gazetar dhe pjesëtar i komunitetit çam, kam shkruar herë pas herë për këto ngjarje, që na prishën rrjedhën e jetës me dinjitetin njerëzor dhe kam marrë konfirmimin e saktësisë së shkrimeve. Por në këtë përvjetor të 64-të do të doja t’u referohesha pasardhësve, djemve të këtyre viktimave që i kam takuar dhe diskutuar personalisht me ta, për atë çka ndodhi 64 vjet më parë dhe se si e përjetojnë pas 64 vjetësh. Janë të dhimbshme, por të nevojshme se ata dhe familjarët e tyre vuajtën pasojat e atij gjenocidi komunist për komunitetin çam, pas gjenocidit grek më 1944.
Rajmond Sejko, djali i madh i Teme Sejkos:
“Po luaja me letra me Sokolin, (vëllain), kur në shtëpi hynë dy persona të veshur me kostume gri dhe kasketa në kokë. Nuk i njohëm, por pas pak dëgjuam klithmën e mamasë dhe kuptuam që diçka e keqe kishte ndodhur. Vrapuam të merrnim vesh çfarë kishte ndodhur, por oficerët e Sigurimit nuk na lanë të futeshim në dhomën ku ishte mamaja dhe gjyshërit, se ata kishin filluar kontrollin e shtëpisë. Pas një ore, oficerët ikën dhe ne hynë në dhomë, ku pamë mamanë që ishte e tejet e tronditur dhe nuk fliste fare. Gjyshja na nxori jashtë nga dhoma dhe na dha mandatin. Ne u tmerruam, por ishim të vegjël dhe nuk kuptonim tamam çfarë kishte ndodhur. Mamaja nuk foli, deri të nesërmen. Ajo na tha edhe një herë për arrestimin e babit, por ishte e pamundur që ne ta kuptonim.
Pas disa ditëve shkuam në Vlorë. Kur hymë në shtëpi pamë që çdo gjë ishte në dysheme. Rrëmuja ishte aq e madhe, sa vetëm vandalët e Sigurimit të Shtetit mund të bënin një gjë të tillë. Në atë moment unë arrita të kuptoj, që punët ishin shumë keq për ne.
Ishte fillimi i shtatorit. Unë u ktheva nga shkolla gjeta në shtëpi 3 a 4 oficerë dhe 2 civilë nga Këshilli Popullor i lagjes. Po bëhej konfiskimi i pasurisë. Na lanë rrobat e trupit dhe të gjithë të tjerat, me cope, p.sh.: një lugë, një pirun, një dyshek, një batanije etj. Pas kësaj erdhi largimi nga shtëpia, na futen në një dhomë përdhese dhe në një korridor ku jetonin edhe 3 familje të tjera, me një banjë për të gjithë. Po të mos ishin gjyshërit nga mamaja, nuk e imagjinoj dot se si do të kishim përfunduar. Gjyshi kishte 4000 lekë të atëhershëm pension, me të cilin do ushqeheshin 5 vetë, duke paguar qiranë dhe dritat. Nuk ishin të pakta netët që flinim edhe pa ngrënë darkë. Para 10 vjetëve kam dhënë një intervistë me një gazetar te gazeta ‘Panorama’. Ishte hera e parë që unë fola për mamanë time. I thashë që do ta shkruash siç po ta them unë. Dua që ta lexoj atë që do të botosh. Ai shkroi ashtu siç deshi dhe unë nuk ia aprovova. Megjithatë ai e botoi siç deshi?!
Ironia e fatit është se mamaja ime, kur ishte 12 a 13 vjeç, shpërndante traktet komuniste. Në shkurt 1975, ajo shkroi fletore për historinë e familjes dhe për Sokolin, si e torturuan dhe e pushkatuan 23 vjeç, djalin e vogël të familjes, pa bërë asnjë gjë. Në orën 5 të mëngjesit, të datës 21 shkurt 1975, u gjet e vdekur në oborrin e pallatit, ku ne banonim në Berat. Unë jam arrestuar rreth orës 8 të mëngjesit. Kjo është e vërteta dhe jo ajo që është shkruar nëpër gazetat shqiptare, që ajo vrau veten, sepse unë u arrestova….?! Sigurimi Shtetit nuk kishte plane për të më arrestuar, por do të na internonin të gjithëve, përfshi gjyshin me gjyshen, nga fundi i shkurtit 1975”.
Hektor Sejko, djali i Taho Sejkos, vëllai i madh i Temes
“E kujtoj si një djalë 14 –vjeçar, që duke luajtur në oborrin e shtëpisë sime në Shkodër, shikoj katër persona, njeri prej tyre kishte një biçikletë që, pasi la atë, shoqëroi ata tre të tjerët dhe u ngjitën në shkallët e shtëpisë. Unë shfrytëzova rastin, mora biçikletën dhe u nisa në drejtim të Parkut të Automjeteve. Shoh aty një grup njerëzish, që jepnin e merrnin me njeri-tjetrin. Shkëputet njëri prej tyre dhe më thotë; ‘Të lutem Hektor, shko në shtëpi, e mos rri këtu’. Kjo kërkesë jo bindëse, më la në atë dilemën e asaj, që unë nuk kisha bërë ndonjë gjë, se nuk dija çfarë kishte ndodhur.
Kthehem në shtëpi dhe pamja që më doli para syve ishte se, duke përjashtuar zotin e biçikletës, që ishte kryetari i Këshillit Popullor të lagjes, të tjerët po kontrollonin në mënyrë të imtësishme të gjithë shtëpinë. Mora vesh atë që kishte ndodhur, im atë Taho, ishte arrestuar, dhe ata kishin ardhur dhe po bënin detyrën e tyre të kontrollit. Pas kontrollit u ulën dhe bënë një listë të gjatë, të të gjithë sendeve të shtëpisë. Nëna ime qante mes asaj zallamahie të madhe dhe situate aq kaotike. Ai që drejtonte grupin e oficerëve të Sigurimit, ishte nënkryetari i Degës Brendshme, Hysen Hoxhati, shok i babait tim.
Në prezencën time i tha sime mëje: – ‘Na beso, ne kemi detyrë të keqe, që na detyrojnë të vemi edhe aty ku nuk dëshirojmë të shkojmë’. Tani pas 64 vjetësh, unë mendoj se ajo që ndodhi me të ashtuquajturin “’grupi çam’, është se ata ishin viktima dhe nëpërmjet viktimizimit të tyre, shteti viktimizoi një pjesë njerëzish të pafajshëm, thjesht pse ishin nga krahina e Çamërisë. Ajo që për mua është shumë e rëndësishme, 4 pjesëtarët e familjes Sejko të dënuar, janë pa varr”.
Ilir Demi, djali i Tahir Demit:
“Isha në shtëpi me gjyshen, nënën e mamasë dhe e motra e Mustafa Matohitit (“Hero i Popullit”). Arrestimi i babait ishte bërë në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Elbasanit, ku ai ishte kryetar i tij, prej 8 -vjetësh. Nëna ime ishte në punë dhe erdhi menjëherë në shtëpi. Pas saj erdhën edhe njerëzit e Sigurimit dhe Degës së Punëve të Brendshme, si dhe të ministrisë së Brendshme nga Tirana, si Mihallaq Ziçishti, zv/ ministër dhe Shim Kolli, kryetari Degës, si dhe një grup tjetër që i shoqëronte. Unë isha i vogël, 9 -vjeç dhe nuk i njihja se çfarë ishin ata. Ushtruan kontroll në tërë shtëpinë, shqepën dyshek e jorgan, i kthyen të gjitha përmbys. Vura re që morën një automatik gjerman, që babai e kishte si trofe të luftës dhe pistoletën personale, që ai kishte.
Ditët e tjera ishin me andralla të mëdha për nënën time, se unë nuk kuptoja asgjë. Pas një jave na larguan nga shtëpia ku ishim dhe na çuan në një shtëpi, diku në një lagje tjetër. Nënën e shkëputën nga puna dhe e çuan punëtore në grumbullim. Ndërsa gjyshen, erdhi dhe e mori i biri i saj, Rustemi, daja im, erdhi nga Kampi i Pionierëve ‘Qemal Stafa’, ku ishte me pushime edhe Pëllumbi, vëllai i madh, si dhe motra e vogël, Teuta, që ishte tek njerëzit tanë në Tiranë. U mblodhëm bashkë në një fatkeqësi që nuk po e merrnim vesh se çfarë ishte, çfarë kishte ngjarë?! Babai nuk erdhi më në shtëpi!
Që nga ajo kohë, nuk e pashë më babain në këtë jetë. Edhe sot nuk e dimë se ku i ka eshtrat. Nuk kemi lënë vend pa kërkuar, sipas dëshmive të atyre që kishin dijeni, por asnjëherë nuk gjetëm eshtrat e tyre. Në fillim ndjemë peshën ekonomike, se ishim të vegjël dhe nuk kuptonim gjë, por gradualisht, duke u rritur, po kuptonim pozitën tonë politike, në shoqërinë ku jetonim. Sa mbaroi gjyqi më 31 maj 1961 dhe pas pushkatimit të babait, më 18 qershor 1961, na internuan në qytetin e Fierit, në një lagje periferike, në një banesë që vetëm banesë për të jetuar njerëz nuk ishte.
U privuam nga gjithçka, na distanconin nga kushdo. Provuam mbi shpatullat tona, luftën e egër të klasave, që vazhdoi deri në vitin 1990. Ndjej keqardhje për të gjithë kontributet që dha fisi i Dematëve dhe shumë fiseve të tjera në luftën antifashiste për çlirimin e e atdheut dhe për krenarinë e të qenurit shqiptarë. Kemi një zhgënjim, se nuk kuptuam pse ndodhi e gjithë ajo gjëmë, por edhe që sot e kësaj dite, nuk ka dalë zyrtarisht që ata ishin të pafajshëm, ndonëse tani janë hapur të gjitha dosjet dhe pafajësia e tyre është konfirmuar”.
Shkëlqim Ademi, djali i Shaban Ademit:
“Nuk kisha mbushur as 9 vjeç, kur po kthehesha në shtëpinë tonë në Elbasan. Sapo isha kthyer nga një ekskursion me shokët e shkollës dhe pashë një tufë oficerësh Sigurimi dhe policie, që kishin rrethuar shtëpinë tonë, në lagjen ‘Kala’. Kur hyra në oborr, i pashë oficerët duke thyer dyert dhe dritaret e dhomave. Ata silleshin me një egërsi të paparë dhe duke shtyrë me forcë gjyshin tim të moshuar, Refatin. Si qen të tërbuar, sytë e tyre të skuqur, dukeshin se ishin të etur për gjak.
S’lanë vrimë pa kontrolluar, gjithashtu edhe në tavan, sikur në shtëpinë tonë fshihej ndonjë sekret atomik! Sjellja e tyre brutale na tmerroi, jo vetëm ne fëmijëve, por edhe nënën tonë dhe gjyshërit e moshuar. Ata bastisën të gjitha dhomat, për të gjetur, sipas tyre, materiale komprometuese dhe konfiskuan çdo gjë. Sot pas 64 vjetëve, ato fytyra çnjerëzore më janë ngulitur në kujtesë.
Më vonë, në verën e vitit 1961, gjyshja mësoi se babain tim e kishin torturuar, pasi pa rrobat e tërhequra nga burgu, që ishin të përlyera me gjak. Gjyshi im, ditë më pas, mësoi nga avokati Mexhit Kokalari, se urdhri i regjimit komunist shqiptar, ishte zbatuar. Edhe pse nuk kishte asnjë provë fajësie, regjimi e kish dënuar tim atë me vdekje, pas një gjyqi farse, me dyer të mbyllura, duke vulosur kështu aktin e dytë të dramës së familjes sime.
Pas dënimit të babait, na internuan familjarisht në Kurbnesh të rrethit Mirditës. Akti i tretë i dramës, ishte përgatitur tashmë për ne. Ende e kam vendimin e posaçëm nga Komisioni i Internim Dëbimeve, të firmosur me bojë gjaku nga Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Bilbil Klosi, Aranit Çela, e Shuaip Panariti. Si për çudi, familja jonë ishte e vetmja familje që, ndryshe nga familjet e tjera çame, që u internuan në Shqipërinë e mesme, u izolua në atë vend malor, në një zonë të thellë e të ftohtë të Mirditës. Vite më pas, gjyshi im vdiq në internim, me maraz pa e parë djalin e tij të vetëm. Ato ditë nuk do t’i harroj sa të jem gjallë.
Rrjedhimisht, pashë se me kushtet që na kishin krijuar, regjimi kërkonte shfarosjen tonë si familje. Ato ngjarje të mallkuara nuk më ndahen as sot. Jam i bindur se proceset gjyqësore të atyre viteve ndaj atdhetarëve të Çamërisë së kolonizuar nga grekët, ishin një intrigë e kurdisur nga agjentura greke, për të eliminuar edhe ata shqiptarë, që u kishin shpëtuar kthetrave greke. Por ne mbijetuam.
Rreth 60 e sa vjet kemi kërkuar dhe kërkojmë vazhdimisht eshtrat e babait, deri në organet më të larta, por më kot. Dosjet ende janë të mbyllura dhe të cunguara. Na thonë do t’i gjejmë. Në ministri, në drejtori burgjesh, shoqatat e ish-të Persekutuarve, në parlament, e ku nuk kam kërkuar?! Qeveritë shqiptare, rreth 30 vjet, na thonë se po punojnë, përfshi këtu edhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Por, ende grupit ‘komplotist çam’, nuk i është bërë rehabilitimi e shfajësimi i plotë nga organet gjyqësore dhe ekzekutive të shtetit shqiptar. Por më kot, se xhelatët komunistë dhe pasardhësit e tyre, nuk i tregojnë vendet ku i kanë kryer krimet e tyre”.
Studiuesi i njohur, Ahmet Mehmeti, që jo pak herë është prononcuar për padrejtësitë ndaj komunitetit çam, shprehet kështu për atë ngjarje të ndodhur para 64 vjetësh: “Në kohën kur po transmetohej në Radio-Tirana gjyqi, për të ashtuquajturin ‘Grupi i Teme Sejkos’, kam qenë në vitin e fundit të shkollës 7-vjeçare. Sheshi qendror në qendër të qytetit te Cërrikut, ishte mbushur plot e përplot me njerëz që ndiqnin transmetimin radiofonik drejtpërdrejtë nga altoparlantët. Rreth katërmbëdhjetëvjeçar atëhere, si fëmijë i një familjeje refugjate, të përzënë nga Çamëria me zjarr e hekur, me gjyshin të masakruar nga racistët grekë, po përjetoja një tmerr të vërtetë.
Megjithëse i vogël, gjatë gjithë kohës së transmetimit mendoja; ‘Si mund të ndodhë që këta njerëz që po akuzoheshin dhe që njiheshin nga prindët e mi si elita e luftëtarëve të lirisë të tradhtonin vendin e tyre?! E pabesueshme’! Kurse sot, në shekullin e XXI, ende shteti shqiptar, anëtar i NATO-s, nuk është bërë i gjallë të zbardhë të vërtetën e masakrës së diktaturës enveriste, ndaj njerëzve të pafajshëm që u sakrifikuan për hir të lojërave politike te Sigurimit famëkeq, për interesa të poshtra të një klike antikombëtare. Kur do të zbardhet e vërteta? Deri kur”?!
Epilog
Shumë grupe “armiqësore” ekzekutoi Enver Hoxha me armën e Sigurimit të Shtetit, gjatë qeverisjes së tij si model serbo-stalinist, por i ashtuquajturi “grupi çam” ishte katërcipërisht më i madhi, me 63 të arrestuar, me 11 të pushkatuar, 12 të vdekur në burgje, me rreth 1250 vite burgim. Por më shumë se kaq, ishte një hakmarrje tipike si ajo greke më 27 qershor 1944, ku nuk mungoi poshtërimi i një komuniteti të madh në numër dhe po aq i madh edhe depersonalizimin klasor dhe shoqëror, vuajtje të pa rrëfyera, këndvështrime politike nga më çnjerëzore, jo vetëm për familjet e atyre që u dënuan dhe që i shkatërruan në çdo drejtim. Një fajësi fatkeqësisht që mbeti si e përjetshme për shqiptarët e Çamërisë, nga shqiptarët e Shqipërisë që drejtonin vendin, edhe pse komuniteti çam, ka një kontribut të rëndësishëm me pjesëmarrjen e tij në Luftën Antifashiste dhe që nuk e meritonin këtë përfundim.
Do të doja të citoja një personalitet si John O. Iatrides, që duket e njeh mirë situatën dhe pasojat e dhimbjeve që i shkaktohen një popullate, kur shprehet se: “Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me kaq pasoja të pashlyeshme për një kohë të gjatë, se sa një luftë civile. Përtej humbjeve njerëzore e materiale, lufta civile shkakton plagë përvëluese të padukshme, që përshkojnë kujtesën e përbashkët dhe deformojnë logjikën e shoqërisë, për shumë e shumë kohë edhe mbasi kanë ndaluar vrasjet”. Vërtet, regjimi stalinist me luftën e klasave krijoi idolin e një luftë civile e një klase kundër një popullate, që nuk kishte asnjë faj, por që pati aq shumë padrejtësi si në Çamëri nga Greqia, ashtu edhe në Shqipëri nga një diktaturë antinjerëzore. Memorie.al