Nga Sokrat Shyti
Pjesa e shtatë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
“Poshtë në xhade prisnin makinat për shoqëruesit dhe ngushëlluesit. Në makinën e parë u ulën nëna juaj me pjesëtarët e familjes. Pas tyre vinte makina me dy priftërinjtë dhe kryetarin e Sinodit të Shenjtë. Dhjaku zuri vend në makinën e funeralit. Ishin marrë të gjitha masat që funerali të zhvillohej mes heshtjes së thellë mortore. Dëgjoheshin vetëm kambanat vajtuese, që shoqëruan kortezhin deri në përfundimin e plotë të ceremonisë.
Me të mbërritur shoqëruesit dhe ngushëlluesit kryesorë lart në kishë, arkivoli i të ndjerit u vendos mbi epitaf dhe filloi Mesha me leximin e fjalës ngushëlluese të Dhespotit të Beratit, drejtuar besimtarëve e familjes, për të shprehur vlerësimin e lartë të Episkopatit, ndaj një shërbëtori besnik me bindje të thella ndaj Perëndisë, i cili si askush tjetër qetësonte shpirtrat e trazuar me shpjegimet e urta, i këshillonte të mos e humbasin kurrë besimin tek shpresa e të Plotfuqishmit, i Vetmi që na kthjellon mendjen e na ndriçon shikimin. Për të plotësuar dëshirën e të ndjerit, varri qe hapur pranë djalit.
Sepse shpirtrat e të vdekurve nuk treten në baltën e tokës, por vazhdojnë të enden nëpër hapësirën e pafund, bisedojnë e shkëmbejnë mendime mes njeri – tjetrit. Për mungesë vendi, në fillim u shfaqën mendime që at e bir, të jenë bashkë në të njëjtin varr. Por dikush me të drejtë e kundërshtoi, duke thënë se zhvarrosja e djalit, do shkaktojë një kuje lemerie të papërmbajtur tek zonja Anë. Prandaj u caktua varianti i dytë: të shtohet një radhë e re varresh në krahun e djathtë, me vendim të Këshillit Kishtar e Sinodit të Shenjtë, që nuk e prishte as urbanistikën e varrezave e, as nuk cënonte hapësirat mes tyre”.
– “Muke! Askush tjetër nuk do ma mbushte boshllëkun e shpirtit, që m’u krijua pas çastit kur drejtori i Gjimnazit, më bëri të njohur vendimin e Këshillit Pedagogjik, më tha të nisem në shtëpi pa dhënë provimet e fund vitit, duke këmbëngulur të më mbushte mendjen me shpjegimin e rezultateve të shkëlqyera…!
Të jam shumë mirënjohës për sqarimet e hollësishme, të cilat as nëna, nuk do m’i shtjellonte kaq saktësisht e imtësisht”!
– “Edhe unë ndjehem mjaft i lehtësuar, që m’u dha kjo mundësi”! – tha fqinji im.
– “Kur dola nga reparti ushtarak për të kryer disa punë, pata një shtysë të brendshme, se do takoja mikun tim shumë të shtrenjtë, me të cilin kemi ndarë kushedi sa mendime me njeri – tjetrin. Ndoshta takimi ynë ishte një përputhje e mrekullueshme mes rastësisë dhe dëshirës, sepse mua prej kohësh, më rëndonte barra e detyrimit ndaj teje, që ende nuk kishte ardhur çasti të ngushëlloja për ndarjen nga jeta të babait tuaj dhe mikut të familjes tonë.
– I jam borzhli Kishës dhe banorëve të këtij qyteti, që e përcollën me kaq nderime e dhimbje atin tim të shtrenjtë, për në banesën e fundit”! – i shpreha fqinjit tim, falënderimet e familjes.
– “Gjithë shpenzimet e varrimit, përfshirë drekën mortore, i përballoi Kisha. Ndërsa Komisioni organizator i kolektivit dhe banorëve të tre besimeve, shprehu dëshirën të jepte ndihmesën për familjen tuaj, duke patur parasysh sa shumë i ka dhënë usta Thanasi këtij qyteti. Për herë të parë shprehej një dëshirë e njëzëshme…”!
– “Nuk besoj që partiakët dhe pushtetarët e dy komiteteve, i janë bashkuar kësaj dëshire. Duhet të ketë ndodhur e njëjta gjë si me varrimin e vëllait, nuk kanë marrë pjesë, për të treguar sa të pashpirt janë! Cinizmi i tyre arriti kulmin kur përjashtuan nga Partia një të vdekur, pse ky nuk pranoi me gjallje, t’iu bindej kërkesave të tyre çnjerëzore”! – plotësova unë mendimin e fqinjit.
– “Kur munguan në varrimin e kandidatit të Partisë, pjesëmarrës në aksionet e rinisë, ndaj të cilit ishin të detyruar formalisht të merrnin pjesë, merrej me mend që në përcjelljen e atit tuaj nuk do ishin të pranishëm, me shpjegimin se komunistët janë ateistë, ndërsa usta Thanasi, qe besimtar me bindje, i ka shërbyer tërë jetën Kishës”, – përforcoi Mukja përshtypjen e tij.
– “Kam dhe diçka tjetër të paqartë, – shtova unë me vështrim të ngërthyer mbi sytë e tij: – Ke dijeni pse nuk më njoftuan kur ndodhi vdekja e tim ati”?!
– “Kam dijeni të plotë”, – ma ktheu menjëherë fqinji.
– “Shkova vetë tek zonja Anë dhe e pyeta: ta lajmëroj Sokratin? Ajo nuk më lejoi, duke më thënë se i ati e la amanet me gjallje, ‘të mos ia prish gjakun djalit në Shkodër’. ‘Dhe unë do ta mbaj amanetin e tij’”! – theksoi nëna Anë.
– “Por drejtori i Gjimnazit, ka patur dijeni për gjëmën në familjen time, nuk e vë në mëdyshje”.
– “Kjo ka ndodhur disa ditë pas varrimit. Kur erdhi në shtëpinë tuaj për vizitë ngushëllimesh, drejtori i shkollës tonë ‘Model’, nëna Anë i rrëfeu shqetësimin e saj, si duhet të veprojë për të vënë në dijeni drejtorin e Gjimnazit, që babai i Sokratit ndërroi jetë, por pa cënuar amanetin e të ndjerit, që djali të mos e marrë vesh, se i prishet gjaku.
‘Këtë e marr unë përsipër’! – iu përgjigj në çast drejtori ynë i shkollës. Dhe porsa u largua nga shtëpia juaj, i dërgoi një telegram zyrtar drejtorisë së Gjimnazit, me të cilin e njoftonte dhe i shpjegonte fare shkurt, pse duhet mbajtur i fshehtë ky kumt i hidhur dhe mundësisht nisja e nxënësit, të bëhet e natyrshme, në prag të pushimeve verore”.
– Dhe kështu ndodhi realisht, – shtova unë duke psherëtirë. – Drejtori i Gjimnazit, si psikolog, me parapërgatiti shpirtërisht e mendërisht, edhe pse u mundua të më mbushte mendjen se ikja ime e parakohshme në shtëpi, u vlerësua nga Këshilli Pedagogjik, si largim i merituar, që i takon një nxënësi me të gjitha pesa”.
– “Dhe kanë patur të drejtë. Provimi, në fund të fundit, pse bëhet?! Që të saktësohet dija e nxënësit”, – theksoi “komandanti” im. – “Kur ti gjatë gjithë vitit ke marrë vetëm nota pesa, asnjë katër, vetvetiu i ke dhënë provimet me sukses të plotë, për të gjitha lëndët. Kështu dhe arsyetimi i drejtorit të Gjimnazit ka qenë mjaft bindës”.
– “Në qoftë se ke kohë dhe nuk të prishet punë, më shoqëron deri në shtëpi, që nëna të mos përmallohet e të fillojë qarjet me zë, duke përmendur amanetin e babait?…Kam bindjen që prania jote, do shërbejë si qetësues për nënën dhe për mua…”!
– “Bëre mirë që ma drejtove kërkesën, pasi këtë gjë e kisha vetë ndërmend, por më vinte zor ta shprehja, sepse ndoshta doje të rrije i vetmuar me nënën, pas një ndarje të gjatë një vjeçare, e sidomos kur familjes tuaj i mungon trari i shtëpisë”, – shprehu Mukja gatishmërinë e tij.
Ai mori valixhen, me gjithë kundërshtinë për ta mbajtur unë. Dhe gjatë rrugës me këshilloi të mos ngashërehem kur të përqafojë nënën. “Pasi qarja me dënesa, i shkakton plagës së hapur dhimbje të paduruara dhe bëhet shkas të fillojë vajtimin me zë, i cili do na tronditë të dyve deri në themel të zemrës”.
– “Më lerë mua të flas. Ti përqafojë dhe puthi duart, sa më i përmbajtur. Përlotu në heshtje. Kur të pyesë nga kush dhe si e more vesh vdekjen e babait, do t’i thuash nga Mukja. Fare rastësisht më takoi në rrugë dhe ma shpjegoi gjithë ngjarjen e hidhur në klub. Pastaj pa e zgjatur, kalo tek falënderimet për Kishën, kolektivin e punës dhe banorët e qytetit”, – theksoi ai.
I pari u bë gati të hynte në odë, Mukja. Prandaj la valixhen në korridor, që të mos e befasonte. Por ngurroi kur pa dhe dëgjoi nënën Anë, ulur mbi nim, që vështronte disa fotografi e mërmëriste me vete. Më bëri shenjë të presim akoma, të mos ia ndërpresim bashkëbisedimin me fotografitë. Mërmërima e saj dëgjohej fare qartë, në heshtjen e thellë të shtëpisë. Po të mos e dije fare ndodhte, krijohej përshtypja, se bisedonin dy vetë me zë të ulët:
(“Perëndia të dhuroi mendje të ndritur, zemër të dhembshur e të madhe, që të kujdeseshe për të gjithë fukarenjtë. Por këta të paudhët e këtushëm, të shihnin me syrin e njerkës së keqe, u dhembnin veshët kur dëgjonin për urtësinë tënde, nxiheshin nga tërbimi, pse njerëzit e thjeshtë të donin e respektonin! Sa shumë të kanë dashur e treguan kur të përcollën në Kishën e Golemit: u shkul tërë Lushnja! Të mbajtën në krahë, derdhën lot sikur ishe babai i tyre! Ky ishte vlerësimi më i lartë për ty dhe familjen tënde. Të kujtohet?
Para se të dilte shpirti në prehrin tim, më dhe’ porositë e fundit, për djalin e vogël, pasi tek ai e kishe vazhdimisht mendjen.
– ‘Anë! Kam frikë mos Sokratin, e ndjek prapa po i njëjti fat i hidhur, si imi’!… pëshpërite me zërin që po të fikej.
– ‘Pse të shkon mendja për keq’? – desha unë ta largoja këtë mendim. – ‘Ne jetuam një kohë të trazuar, me dy luftëra, përjetuam zinë e tmerrshme të urisë! Dhe prapë mbijetuam, lindëm e rritëm një tufë fëmijë! Ndërsa jeta e sotme ndryshon me tonën’.
– ‘E ke gabim, moj grua’! – ma ktheve ti. – ‘Këta që kanë sot pushtetin’ shesin e blejnë trupat e njerëzve, kurse shpirtin dhe mendjen i përçmojnë. Ti do rrosh shumë vite pas meje. Ke për t’i parë me sytë e tu këto, që po dëgjon tani prej meje. Sepse do jesh e lidhur si mishi me kockën’ me djalin e pleqërisë. Bashkë do ta përjetoni fatin e hidhur’!…
– ‘Prapë me fatin e hidhur’?! – të qortova unë.
– ‘Ai më del përpara syve, në grahmat e mia të fundit’.
‘Atje më rri mendja. Por ti, si grua e mençur, këtë pandehmë do ta mbash për vete. Nuk duhet ta brengosim djalin, se akoma është në rritje e sipër. Dashtë Zoti që mendja pjellore, t’i jap atë që nuk më dha mua! Prandaj po ta lë amanet: mos ia prish gjakun me lajmin e ndarjes nga jeta të babait! Sepse ai ka shpirt shumë të ndjeshëm, si imi, dhe dhimbja mund ti shkaktojë dëmtime të rënda serioze.
Kur të vijë koha që ai të kthehet në shtëpi, pas përfundimit të vitit shkollor, le ta dëgjojë përmes teje se babai i ka lënë si trashëgimi të vetme, bekimin e shenjtë, i cili do pasohet me bekimin tënd më vonë. Ky bekim nuk do t’i ndahet asnjë çast! Shpirti im, do jetë vazhdimisht pranë tij…’!
Pikërisht në këtë çast i ndërpreu mërmëritjet, sepse ndjeu hapa mbi dërrasat e dyshemesë dhe ngriti sytë të shihte kush erdhi.
– “Vetëm je, pa Kadenë? – e pyeti Muken. – Pse nuk e prure me vete tët ëmë? Apo kështu të qëlloi rruga?!…
Ti e di që unë vazhdimisht i mbaj sytë nga dera, me shpresë mos duket djali në shtëpi, dhe meqë s’kam njeri, llafosem me fotografitë…”!
– “Të parët tanë kanë thënë: amanetin nuk e tret as dheu, mbetet i përhershëm dhe shfaqet në kohën e duhur”! – u përgjigj Mukja duke i puthur dorën dhe më bëri shenjë të futem brenda. – Paska qenë shkruar nga Perëndia, që djalin e vogël nga Shkodra, ta sjellë unë në shtëpi”! – tha ai.
– “Me të vërtetë”!…thërriti ajo duke u ngritur në këmbë. Fotografitë rrëshqitën nga prehri mbi qilimin e dyshemesë. (Unë nxitova t’i vendosja fotografitë mbi nim, sepse atë çast m’u duk sikur dëgjova rënkimin e babait dhe e pushtova në krahët e mi trupin e saj të dobësuar). – “Muke! Si ndodhi? E dije që do vinte dhe e prite në stacion? Kush të njoftoi”?!… – e pyeti nëna sy përlotur.
Ne e ulëm ngadalë në nim. Ajo nuk i shkëpuste asnjë çast duart e saj nga duart e mia dhe vazhdonte të mi puthte. I dukej ëndërr që po rrija ulur fare pranë! Mukja filloi t’i shpjegonte, si u takuam fare rastësisht, por që në të vërtetë ky takim, nuk duhet quajtur rastësi.
– “Sepse – vijoi ai – askush më mirë se unë, nuk mund ta qartësonte e qetësonte Sokratin tënd dhe mikun tim më të afërt e të ngushtë”. – “Me të vërtetë ndodhi fare rastësisht”?! I shprehu diçka ajo mosbesimin e saj, duke dyshuar mos Mukja i fshihte për të larguar çdo mëdyshje nga koka e saj, unë i përshkrova në mënyrë të përmbledhur pjesët më kryesore të bashkëbisedimit, duke bërë kujdes të mos përmend hollësi delikate, që i shkaktojnë trazira e ngacmime. Përforcova mendimin e Mukes, se ndërmjetës kaq të saktë e të përshtatshëm si ai, nuk gjendet në qytetin tonë.
– “Pasi Mukja ka qenë dhe mbetet shok e mik, me dashurinë e vëllait”! – theksova unë.
– “Ne, unë me Sokratin, si rrallë kush tjetër në kohën e Luftës, u bëmë me dy nëna: Kadenë dhe Anën”!
“Këtë mrekulli vetëm neve na e dhuroi Zoti”! – tha ai me vështrim të qeshur”.
– “Po të mos kisha Nurishanë dhe Kadenë, si do ta përballoja gjëmën e llahtarshme, kur divin e nënës, e mori Perëndia në Mbretërinë Qiellore, para nëntë viteve”?!…i tha Mukes, duke e përqafuar me dashuri amësore.
– “Me gjithë dëshirën e madhe, për të ndenjur pranë jush, më jepni leje të largohem për të kryer disa detyra të ngarkuara”! – iu drejtua ai nënës Anë, duke u ngritur në këmbë. – “Shpresoj që për nesër mos rregulloj ndonjë makinë të repartit tim, për vajtje – ardhje në kishën e Golemit, që ju të dy bashkë me mua të qëndrojmë atje disa çaste”!… – premtoi ai, i bindur se nëna Anë, nuk do më trondiste me vajtimin e saj, duke shpresuar të duronte deri ditën e nesërme, që t’i derdhte mbi dy varret dhembjet e pashtershme të shpirtit të sfilitur. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016