Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dytë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Pas sistemimit në katin e dytë, secili në krevatin e tij marinar, morëm në dorëzim pajisjet dhe zbritëm në katin e parë, tek sallat e studimit, për të caktuar vendin e ndenjes sipas klasës e shkollës, duke patur parasysh që ne konviktorët gjimnazistë, ishim shumë të pakët në numër, gjithsej njëzet, krahasuar me pesëqind e ca nxënës të shkollës Pedagogjike, të gjithë fshatarë, të ardhur nga krahinat veriore e lindore.
Krahasuar me kushtet e fjetjes, ushqimi linte shumë për të dëshiruar: në mëngjes dhe në mbrëmje, vetëm çaj me bukë misri të ftohtë, e cila kishte fortësinë e tullës dhe me zor regjej! Ndërsa në drekë, e njëjta bukë misri, shoqërohej me fasule dhe pilaf! Kjo gjendje tmerrësisht mjerane, pasojë e krizës, vazhdoi të brejë përbrenda shëndetin e konviktorëve, me gërryerjen e urisë, dobësoi organizmin tonë rinor, uli ndjeshëm imunitetin, filluan të shfaqen asfiksitë! Kur erdhi ekipi mjekësor për kontroll, mbeti i shokuar dhe dha alarmin: tuberkulozi kish prekur, mbi shtatëdhjetë përqind të konviktorëve!
Në pamundësi për ta shtruar në spital këtë masë kaq të madhe nxënësish, rreth katërqind, të moshës 14 deri 18 vjeç, u gjet një zgjidhje tjetër: dy ministritë, e Arsimit dhe Shëndetësisë, dërguan qarkore urgjente me udhëzime konkrete, se si duhej shndërruar mjedisi i konviktit në spital kurativ, sigurisht nën kujdesin e vazhduar të mjekëve specialistë, dhe po kaq e rëndësishme, për një kohë disamujore, u caktua një normë e veçantë ushqimore, gati njësoj si marinarët apo ushtarakët e aviacionit.
Falë kësaj ndërhyrjeje në kohën e duhur, u kufizua ndjeshëm epidemia, mushkëritë e konviktorëve filluan të rehabilitohen e, të marrin frymë lirshëm. Por pa kaluar ky rrezik, u shfaq një epidemi tjetër me përmasa të frikshme, nga mungesa e higjienës, pasi larja e çdo konviktori, bëhej në banjën publike një herë në dy – tre javë dhe kujdesi për mbajtjen pastër të flokut, linte shumë për të dëshiruar, gjendej shumë larg kushteve për të mos patur parazitë. Vetëm kur zbarkuan specialistët e Drejtorisë së Higjienës, u dha alarmi urgjent i tifos së morrit, pas një kontrolli një ditor dhe menjëherë, pa asnjë ngurrim, doli urdhri i formës së prerë, që të qethej floku i konviktorëve meshkuj, ndërsa vajzave, do t’u shkurtohej e dezinfektohej çdo ditë, deri në zhdukjen e plotë të thërijave.
Në oborrin e konviktit erdhën tre berberë, për të kryer qethjen e flokut të mbi 250 djemve konviktorë. Duke parë këtë skenë drithëruese, m’u dukën konviktorët si desh kooperative, që i qethin në fund të pranverës, për t’u marrë leshin, pavarësisht që ne faktikisht po na qethej floku në fillim të dimrit, duke na e bërë më të dukshme shëmtirën e jashtme ndaj kalimtarëve, të cilët menjëherë na vunë nofkën “kokërrumbullaktët e Krom’uellit”, kur na shihnin çdo mëngjes rreth orës 7.30, që mbushnim rrugicën me rreshtin tonë të gjatë, nga porta dalëse e konviktit, deri tek ‘Kafja e Madhe’.
Ditën e parë, kur shkova në shkollë kokëqethur dhe u futa në klasë, m’u duk sikur m’u shemb suvaja e tavanit! Isha kaq shumë i stresuar, sa nuk i ngrija dot sytë, të shihja shoqet dhe shokët, thuajse ndjehesha si i zënë në faj! Për të lehtësuar disi gjendjen time të rënduar, shoku i bankës, Xhaviti, përdori humorin e tij origjinal, tha se; “Sokratit sot i ka rënë një nur kaq i këndshëm, sa rrezik disa prej nesh, nesër do ndjekin shembullin e tij dhe do paraqitemi me flokë të prera shumë shkurt, ose zero fare”.
Edhe kur u ula në bankë, ai vazhdoi pëshpëritjet me zë të ulët, tregoi qyfyre të lezetshme, për të krijuar tek unë përshtypjen bindëse, se në të vërtete asgjë e veçantë s’ka ndodhur, prandaj nuk ia vlen t’i shkaktosh vetes shqetësime të tepërta. Dhe pjesërisht ai kishte të drejtë. Sepse në këtë çast, askujt nuk i shkonte ndërmend ,në ç’siklet të madh do ta ndjeja veten, kur profesori i matematikës, do përmendte emrin tim dhe sipas zakonit do ngrihesha në dërrasë të zezë, si në çdo orë mësimi, për të zbërthyer problemën e vështirë të detyrës së shtëpisë.
Pastaj, më pas, do kërkonte të shpjegoja mësimin e, i bindur se unë e kam përvetësuar dhe jam futur deri në brendësi të ndërlikimeve, prandaj pa tjetër ia dilja mbanë me sukses, të qartësoja e ta bëja të kuptueshme për shumicën e klasës.
– “Nuk e di pse, por sot sikur ke patur frymëzim më të vrullshëm, se ditët e tjera”! – tha në fund profesori, kur unë përmbusha me sukses detyrimin, i bërë flakërimë deri tek majat e veshëve dhe mezi prisja të ulesha në vendin tim. – “Besoj duhet të të kenë thënë shokët dhe shoqet e klasës, prandaj po ta vë dhe unë në dukje me seriozitet të plotë: e di që të shkon kjo lloj paraqitjeje”? – shtoi ai me buzëqeshje.
Profesori i matematikës, nuk u mjaftua me kaq: ua përcolli këtë përshtypje kolegëve të tjerë, të cilët, pasi hodhën një vështrim të shpejtë drejt meje, shprehën të njëjtën gjë para klasës, pavarësisht pse nuk më ngritën në dërrasë të zezë, për të shpjeguar diçka. Ky ngacmim i dha shtysë shokut të bankës, t’i vazhdojë më tej qyfyret, për t’i zbuar përfundimisht mendimet e trazuara, shkaktuar nga ndryshimi i padëshiruar i pamjes së jashtme.
Po në këtë ditë, drejtori i shkollës më thirri në kabinetin e tij. Mua më shqetësoi kjo kërkesë e beftë dhe më futi në labirinte mëdyshjesh, pa patur një hamendje të përcaktuar. Prandaj, në fillim iu drejtova mësuesit kujdestar, mos ndoshta ky më jepte një sqarim plus, përse më donte, sigurisht duke përjashtuar qethjen e flokut, sepse më dukej mendim absurd, të thirresha në drejtori, pse isha i stresuar dhe ndjehesha i dërrmuar. Mësuesi kujdestar ngriti supet, për të thënë me këtë lëvizje; se nuk ia kam idenë dhe u largua.
Kështu që me një barrë të rënduar në kraharor trokita, (më dukej e tmerrshme që do më shihte me këtë pamje të ndryshuar, si nxënësit e shkollës së riedukimit), dhe prita fjalën; “hyr!” që të hapja derën. Për të lehtësuar gjendjen time të trazuar shpirtërore, drejtori i shkollës, si psikolog me nuhatje të thellë, (kush më mirë se ai e zbërthente lëndën e psikologjisë!), e nisi bisedën me natyrshmëri, pa përmendur asnjë ngacmim të veçantë, duke thënë se sot kishte dëgjuar në sallën e Këshillit Pedagogjik, të përmendej shpesh emri im.
– “Mendova një çast se profesorët tanë të nderuar, shprehnin vlerësimin e tyre maksimal, për përgjigjet e tua të sakta”, – vijoi ai, si hodhi një vështrim kureshtar mbi portretin tim të ndryshuar. – “Për të të çliruar plotësisht nga ndrydhjet që i shkaktohen cilitdo, kur pëson ndryshim të jashtëm, po të them se e di çfarë ka ndodhur në konviktin tuaj. Sipas mendimit tim, ishte veprim mjaft i drejtë. Dhe në veçanti, ti, si djalë i zgjuar, nuk duhet të ndjehesh i pezmatuar, nga qethja e flokut. Kjo sa për hyrje, sepse nuk të thirra pse sot u lakua më shumë emri yt. Kemi një çështje tjetër, që ka të bëjë me ne të dy…”- theksoi me vështrim të thellë. (Mua ma tejçoi trupin një rrëqethje tronditëse!)
– “Dje erdhi në drejtori një kërkesë nga Kryetari i Degës së Brendshme…(Në këtë sekondë më vajti gjaku në fund të këmbëve!). – Kërkesa ka lidhje vetëm me shkollën, nuk u përmend asnjë emër i përveçëm”, – sqaroi ai për të më qetësuar. – (Edhe pse pas këtyre fjalëve, sikur filloi të më shkrijë gjaku, ende ndjehesha i turbulluar, nga që nuk kuptoja pse po më vinte mua në dijeni, një nxënës i vitit të dytë, kur problemi i paraqitur, i përkiste Drejtorisë dhe Këshillit Pedagogjik?!). –
“Sipas një urdhri nga lart, oficerët e Degës së Brendshme, duhet të pajisen me arsimin e mesëm. Gjenerali iu drejtua për ndihmë drejtorisë së shkollës, të caktojë një profesor, për shkencat ekzakte, që t’u shpjegojë çdo ditë, një ose dy orë matematike, fizike e kimi. Sigurisht, njohuritë bazë, pa u futur në hollësi. Sado në pamjen e jashtme, duket detyrë e lehtë, në fakt paraqitet mjaft e ndërlikuar, sepse asnjë profesor, s’pranon me dëshirën e tij, t’u japë mësim oficerëve të Degës së Brendshme. Ti je djalë i zgjuar dhe e merr vetë me mend, në ç’siklet të madh vihet një profesor, kur gjendet gati dy orë, para disa oficerëve madhorë!
Mua, si drejtor gjimnazi, më ra një barrë tmerrësisht e rëndë, duke u ndodhur mes dy zjarreve: gjenerali pret përgjigje sa më të shpejtë. Kurse unë gjendem në udhëkryqin pa rrugëdalje, sepse nuk guxoj t’i vë gishtin asnjë profesori, duke e ditur kundërshtinë e formës së prerë të secilit, lidhur me këtë kërkesë. Në këto kushte, e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo gjendje kaq e rëndë, shërbeu emri yt, përshtypjet ekselente unanime të profesorëve për përgatitjen dhe zotërimin e çdo lënde, në veçanti të shkencave ekzakte. Prandaj vendosa: ti do të jesh profesori i këtyre oficerëve, për disa muaj! Kam biseduar me drejtorin e konviktit, që të mos kesh pengesa”. – “Këtu në shkollë do të bëhen konsultimet”? – pyeta unë mjaft i tronditur për detyrën e ngarkuar.
– “Sigurisht jo në shkollë. Vendin do ta caktojnë vetë ata, – sqaroi drejtori, i lehtësuar, që nuk paraqita kundërshtim, kur ndoshta priste të dëgjonte; “unë jam nxënës, nuk e kryej dot rolin e profesorit”! (Por edukata familjare, nuk ma lejonte ta bëja këtë kundërshtim, duke patur parasysh edhe faktin tjetër, se të gjithë profesorët e dinin, që në orët e matematikës, zbërtheja mësimin e ri).
Drejtori i shkollës me tha të ulesha në karrigen pranë tryezës se tij dhe mori në telefon kryetarin e Degës së Brendshme, gjeneralin me emër të njohur, i cili përmendej për rreptësi të jashtëzakonshme, përflitej kudo se dridhen pemët anës rrugës kur kalon ky! (Ndoshta pse zotëron këtë egërsi të natyrshme dhe të merr gjak në vetull, kupola e pushtetit bëri përjashtim, caktoi për herë të parë një gjeneral, drejtues të Degës së Brendshme në rrethin dhe qarkun me problematikën më të mprehte, me pikësynim; të shpartallojë e martirizojë Klerin Katolik).
– “Cilin profesor keni caktuar”? – u dëgjua zëri autoritar përtej telit. – “Edhe po t’ua them emrin, juve nuk u sjell asgjë ndërmend…” – ia ktheu drejtori. – “Ka ardhur këto ditë ndonjë i ri, që unë ende nuk e di”? … – pyeti me habi zëri. – “Janë talentet e rinj, që nesër do na zëvendësojnë…” – shtoi drejtori. – “E kuptova. Meqë nuk thuhet në telefon, po dërgoj njërin nga ndihmësit e mi në shkollë, që ta shoqërojë tani në Degën e Brendshme, pasi në njërën nga klasat e këtushme, do zhvillohen konsultimet…” – tha gjenerali. Me kaq lidhja telefonike u ndërpre.
– “Ti je djalë i zgjuar dhe i kupton disa gjëra, që nuk thuhen. Kjo bisedë do mbetet mes nesh”, – theksoi drejtori me vështrim të ngërthyer mbi sytë e mi. – “Dhe diçka, që ta kesh parasysh: për të mos rënë në sy të konviktorëve e kujdestarëve, ti do nisesh drejt vendit të caktuar, pa oficerin shoqërues që kanë menduar ata, në pikën e takimit. Do bisedoj unë me drejtorin e konviktit, që të mos kesh pengesa për hyrje dalje. Mos e merr as me druajtje e, as me ndrydhje, këtë detyrë. Kam parandjenjë se kjo punë, do të sjellë dobi…”, – shtoi ai.
Në këtë çast erdhi nga jashtë zhurma e motorit të një makine. Drejtori zgjati kokën në dritare, dhe tha: – “Erdhi shoqëruesi. Mos u emociono nga prania e uniformës. Shumë shpejt do të të mësohen sytë, dhe nuk do të të bëjë fare përshtypje”. Trokiti dera, dhe menjëherë u hap, pa pritur fjalën mirëseardhëse; “Hyr”! U paraqit duke nderuar një oficer shtatlartë, me gradën nënkolonel.
– “Ja profesori juaj…” – tha drejtori, duke drejtuar shikimin nga unë, pasi i shtrëngoi këtij dorën. Nënkoloneli më vështroi me habi të ngrirë, thuajse para tij u shfaq krejt befas, njëra nga çuditë e botës. “Besoj, gjeneralin e keni vënë në dijeni…”, – gati belbëzoi nënkoloneli, i cili ende s’e kishte marrë veten, ngaqë shihte në vend të profesorit, një djalë kokëqethur rreth të gjashtëmbëdhjetave, veshur me pantallona të shkurtra.
– “Patjetër kam biseduar me gjeneralin… – shtoi drejtori. – Paraprakisht po ju them dhe juve, se do të mbeteni të kënaqur nga shpjegimet e Sokratit, njësoj si shokët dhe shoqet e klasës, bashkë me profesorët e shkollës…”, – përforcoi me tej shpjegimin e tij. – “Nga ana ime kam besim të plotë, se do ta trajtoni në lartësinë e duhur, ashtu si i takon aftësisë dhe gatishmërisë…”, – theksoi, duke hedhur një vështrim të zgjuar drejt meje. – “Sigurisht do dimë t’ia shpërblejmë në maksimum mundin profesorit të vogël, që ky ta ndjejë veten më mirë e më rehat, se në shtëpinë e tij”, – tha nënkoloneli.
– “Na lejoni të largohemi, shoku drejtor”? – Dhe mori drejtqëndrim, trokiti takat e çizmeve, nderoi si ushtarak, duke e mbajtur derën hapur, të kaloja unë i pari. – “Sipas urdhrit, do shkojmë drejt tek gjenerali, që të njiheni e t’ju thotë porositë e tij”, – shtoi, kur zbritëm shkallët dhe dolëm në oborr. Mua më kaluan rrëqethje drithëruese në trup! Se përfytyroja dot veten, para një gjenerali me paraqitje të tmerrshme. Por fatmirësisht në këtë minutë, më erdhi në kokë një shpjegim disi qetësues: Zëre sikur të kërkon një i farefisit tënd, të cilin e sheh për herë të parë. Dhe për të mos patur ngacmime, hiqi sytë nga pllakat e arta të gradave të shndritshme.
Në kthinën pritëse, që shërbente si paraprite hyrëse për në kabinetin e gjeneralit, na hapi derën një grua e re simpatike, me flokë të dredhura. Më sa duket, kjo po na priste, ndoshta e njoftuar me telefon nga drejtori i shkollës. Vështrimi i saj kureshtar, mbeti ngërthyer disa sekonda mbi pamjen time djaloshare, kryesisht tek koka e qethur dhe pantallonat e shkurtra, (duke më shkaktuar një përskuqje të vrullshme): ende nuk i besohej që një çunak pa flokë dhe me veshje kaq të thjeshtë, u cilësua nga drejtori i Gjimnazit, me titullin e lakmueshëm; profesor!
Fatmirësisht takimi me gjeneralin zgjati rreth një minutë, pa praninë e askujt. Për të më qetësuar, ky më tha se e njeh familjen time, nëpërmjet emrit të vëllait të madh, të cilin e ka parë disa herë në skenën e Teatrit Kombëtar.
– “Tani të kalojmë tek problemi ynë, – shtoi ai pas hyrjes së shkurtër: – meqë drejtori i Gjimnazit, të quan profesor, edhe unë kështu po të drejtohem. Ka rëndësi që ti të ndjehesh i sigurt dhe i nderuar, për detyrën e ngarkuar. Sepse do jetë një plus i madh në biografinë tënde, kur të vijë koha e kërkesës për bursë studimi. Deri në ditën e sotme, nuk di rast tjetër, që një nxënësi të moshës tënde, t’i vijë një shans i tillë, t’iu jap njohuri e dijeni shkencore, disa oficerëve madhorë.
Prandaj shkriji të gjitha aftësitë e tua mësimdhënëse, që oficerët e mi, të marrin njohuritë e duhura. Të uroj punë të mbarë! Gjatë kësaj kohe, ata do të të mbajnë si veshka në mes të dhjamit, që të plotësosh të gjithë deficitet e gjertanishme nga mungesa e ushqimit në konvikt, dhe të krijosh rezerva për të ardhmen…”, – shtoi me një qeshje metalike, që më gërvishti veshët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016