Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e pestë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
At Zef Pllumi
Doli nga burgu një shok imi, At Zef Pllumi, që ishte për klerik. Kishte studiue edhe filozofinë dhe njihte teologji. Erdhi një ditë në bibliotekë. E shtina në dhomën e veçantë të librave. Mbasi ndejëm pak, i tham: “Unë kam shumë dëshirë me njohtë teologji. Nuk due të vdes pa e njohtë. Mue më duhet fort. Unë e shoh, – vazhdoj, – se mund të gjejë kënaqësinë time e, sigurinë e të vërtetave, për të cilat kam shumë nevojë”. Ai e ndjeu me kënaqësi këte bisedë. E, nësa flitsha, sesi më përshkoi pa pritmas një mendim ajruer i shpejtë, i largët e i hjedhun, në kalim që dukej se delte nga një qendër e hapej mbrenda shpirtit tim, e kjo me një forcë centrifugale: sa mirë do të ishte me u ba meshtar!
Ah, kjo qe një shkëndijë që u ndez e u suell përpara e rreth vetes sime?! Kjo ngjante kah mbasditja vonë e kësaj dite, pak para mbramjes dhe tue iu afrue natës së natyrës, u shfaq e u gdhi në mue një dritë sekrete e palandtë, u çfaq një mendim në kohë, që më futte një substancë amshimi. Me u ba prift e, mos me u ba prift, asht një luftë. Me u ba prift, asht me vdekë e me le, me u kryqëzue e me u ngjallë, me ra poshtë e me u ngjitë fort nalt. Çka asht kjo forcë, kjo lëvizje dhe energji shpirtnore?! Jam zgjue në mëngjes mbas një gjumi interesant e për do kohë, pa u çue në kambë e, si i fjetun ende, pa më dalë ai gjumë i vërtetë, më duhej për të jetue e për të marrë vendimin tim mbinjerëzuer.
Meshtar
Sa herë xente vend në një bankë me mue në kishën françeskanë të Gjuhadolit, në Sakramendin e muejt të majit, Koleci, pak ra i ri se unë, i biri i Gasprit të Kolë Tonit. Shtëpinë e tyne e kemi përmëndë, se nana e ka kalue një pjesë të vajzënisë së vet te ajo ndërtesë, kur familja e Gasprit nuk ishte në Shkodër e, shtëpinë e kishin lëshue me qira. U miqësuem, kur delshim prej kishës. Nisëm të shkojshim edhe te shtëpia e njeni-tjetrit. Shkonte nganjëherë edhe nana, për të hjekë mallin e vajzënisë së vet. Të dy kishim prind fort të mirë. Me termin e kohës, familja e tyne quhej reaksionare. Dy vëllaznit e Kolecit, Injaci e Luigj Toni, dy djem të shquem për seriozitet e kulturë, kishin qenë pjestarë të dalluem në “Rininë” e Ballit Kombëtar në Shkodër.
Injaci, mbasi i kishin falë jetën, gjindej në burg. Edhe Luigji qe i burgosun. Krejt familja kishte një qendrim të vendosun, tue qenë gjithmonë si një-një, kundër regjimit. Asnjeni nuk kishte punë, nuk kishin triska, jetojshin me shumë vëshitërësi, tue shitë çka kishin pasë, por nuk pranojshin me ndërrue idetë e mira, as idealet. Kur i thirrshin me shkue në mbledhjet që baheshin sa herë nëpër lagje, nuk pranojshin me shkue, tue mos ndigjue ma së pari vetë e ama, një grue guximtare. Në bisedime me Kolecin, ky më shprehi një ditë mendimin e ngultë që kishte, me u ba meshtar. Edhe mue më kishte thirrë Zoti. E kësaj grishjeje shejte, me punue për grigjën e tij, si i thirrun, m’i dha hov dashunia që shtohej në mue për këte ideal dhe një urrejtje shejte, që më shkaktoi salvimi i rrallë në këte pjesë toke.
Gjumi për të marrë vendimin tim, më kishte dalë e unë që do të fitojsha qartësi, isha në orbitë. Bekimi i prindëve ishte gati. Duhej pëlqimi i Ipeshkvit Ordinar. Kjo detyrë asht vërtetë një mister. Je në tokë e, duhet të jesh i futun krejt në qiell. Do të veshësh rroba tjera, do të marrësh pozicion tjetër. Jeta jote do të jetë udhë, punë, luftë, paqe. Nuk do të shajsh, nuk do të fyesh, nuk do t’i vrasësh, nuk do të vjedhësh, nuk do të zemrohesh, nuk do të mbajsh inat, nuk do të kurvnojsh, nuk do të mendosh keq për kend, nuk do të flasësh keq, por do të falësh e do të duesh edhe anmikun tand, do të jesh zemërgjanë, zemërmirë, ky asht meshtari? Jo. Këto janë detyrë e të gjithëve. Mos do të shahet, do të fyhet, do të nëpërkambet, do të kryqëzohet e do të thotë: “Fali, o At, se nuk dinë çka bajnë”? Ky asht meshtari?!
Jo. Janë vepra detyrë e çdo të krishteni. Meshtari do t’i ketë të gjitha. por e veçanta asht se do të marrë pushtetin meshtarak të Krishtit, do të marrë zyrëne tij meshtarake, do të çojë meshën si Ai në Çenakull, në emën të Krishtit të zgjidhë mëkatet besimtarëve e të japë sakramende tjera, do të jetë ndermjetës zyrtar mes qiellit e tokës, do të predikojë Ungjillin, lajmin e mirë, për shndërrimin e botës, të Kryqëzuemin e të Ngjallunin, do të jetë shembulli, drita e krypa e gjellës. Ai do t’u thotë të gjithëve me flijet e veta: “Eni mbas meje, se do t’u tregoj Krishtin”.
Para Monsinjor Ernest Çobës. (1953)
E në një mbramje, natë e ftohtë me yje në qiell, 1 janar 1953, Koleci e unë, unë në moshën 24 vjeçare, vjeti në të cilën shugurohen meshtarët simbas kodit kishtar, u gjetëm para monsinjor Ernest Çobës, në një dhomë poshtë në Pallatin Argjipeshkvnuer, që me bamjen e statutit, ishte lirue dhe dorëzue kishës. Ky pallat afër Katedrales, kishte një pamje të mirë e një hije të randë. E torrja katërkatëshe ishte shtue në kohën e argjipeshkëv Imzot Jak Serreqit e shihte nga maja qytetin, malet përreth, e tregonte krejt kjo ndërtesë një fuqi të bekueme e historike.
Monsinjori Ipeshkev, porsa mori vesh këte dëshirë tonën, me një përzemërsi baritore, na mori ngrykë, shej i pëlqimit dhe i gëzimit. Kjo ngjarje qe kah ora shtatë e kësaj mbramjeje, që u ba aq e bukur për ne, se qe edhe mes urimeve të Krishtlindjes e të Vjetit të Ri. U gëzuen edhe familjet tona, dhe për disa kohë, edhe pesë vjet të mbeste e fshehun. Unë vazhdojsha me shkue në kishë. Mbas një fluturimi shpirtnuer që do të merrsha për të përshkue qiellin, mes vjetëve të mi të randuem, do t’u gjindëshe sa herë edhe mes reve të zeza dhe tronditjeve të hapsinës së kohës.
Ditët kalojshin njena mbas tjetrës. Janë ditë me zhurmë “këta”, do të thotë ky shtet, i bajnë punët e mëdha. Këto vjet më qenë të mbyllun dhe me disa fenomene nervozizmi, që mendohej se m’i ka sjellë dhe pimja e duhanit, ky narkotik helmues, aq i damshëm për natyrën time. Ky më dha një lodhje, një çrregullim, para se të fillojsha jetën e re, me lufta të mbara. Nuk ju dajsha kishës, sakramendeve dhe bisedave me Monsinjorin. Çdo dy javë shkojsha te Monsinjori. Unë pritsha. Unë e kisha marrë vendimin dhe isha i premë, kur deklarojsha diçka. E zgjata për të gjetë çastin e volitshëm. E, kur nisi shugurimi i ndonjë meshtari, e kjo vjet mbas vjeti, më ishte hapë rruga edhe mue, por që kërkesa ime për të shpallë e për të kërkue të bahesha meshtar, do të shkaktonte një sensacion në qytet e në rreth.
Feja dhe shkenca
Jeta kishte marrë një formë. Do ta quejmë formë, edhe pse nuk kishte jetë. Ndërtoheshin fabrika, uzina, rrugë, hekurudha, shtëpi ndërtue me një stil pa stil. Asgja nuk ishte një lloj, veç stili i tyne i pashije. Vazhdojshin të ndërtoheshin shkolla, zbukurohej ndonjë lulishtë, veheshin pllaka përkujtimore e buste dëshmorësh të luftës. Edhe atdhetarësh të vjetër, për të dhanë me kuptue patriotizëm. Rrugë edhe me emna klerikësh. Edhe Buzuku, Budi, Bogdani, Gjeçovi, Mjeda. Mjedës iu dha titulli i një shkolle në Shkodër, edhe një bust. Të gjitha pa fjalët Imzot, Pader, Dom, një konfuzion idesh, një sherri mendimesh, veprime qëllimkëqijsh dhe mediokrish. Gjithçka do të shtrembënohet e do të jetë mangut. Ishin formue teatro dhe estrada profesioniste, kudo në Shqipni dhe luheshin me guxim drama të mëdha; edhe Hamleti.
Ishte rregull e çrregullim. Të dy nën drejtimin e diktatures. Nuk mund t’i bajmë një përkufizim skolastik marksizmit. “Çrregullimi asht substanca. Rregulli asht akcidenti”. Një ditë erdhi lajmi, po hiqet triskëtimi: buka, ushqimi, rrobet pa triska. Erdhi koha t’i lamë edhe gështejat, që hajshim në mbramje në vend të bukës. Një përmirësim disi jetese, një përmirësim i pafuqishëm socialist. Terrori të kishte hy në gjak dhe veglat e Sigurimit ishin ma shumë se nëpunësit zyrtarë të saj. Dukej se kishte ma qetësi dhe me të vërtetë ngjajshin ma pak arrestime politike, por koha akumulonte ndyresi që delte në sipërfaqe me lehtësi. Qyteti-gropë i Shkodrës, që kishte pasë seriozitet e gaz, e prishi shumë përmbajtjen e formën. Çdo qytet ka jetën e vet, Qyteti vriste veten. Filloi epoka e vetëvrasjeve të qyteteve.
Bertitshin “këta”, sidomos nëpër shkolla se dolëm nga Mesjeta, nga Mesjeta klerikale, nga obskurantizmi klerikal. Këte luftë e kishin shpallë enciklopedistët dhe e kishin ba të vetën të gjithë revolucionarët. Por tue ba dallime gjejsha se Mesjeta ka qenë e errtë për masën, kurse fuqinë intelektuale, e ka pasë të madhe. Asht fort e shqueme me Albertin e Madh, me Akuinatin, Dun Skotin, Rugjer Bekonin, Raimond Lulon, me Komedinë Hyjnore të Dantes, me katedralet e inxhenierisë e të artit, me urdhnat e mëdhaj të Shën Françeskut, të Shën Kjarës e të Shën Dedës, me universitetet e para të Europës e të Rilindjes, që ka kyvetin prej klasiçizmit dhe Testamendit. E tue qenë se feja dhe shkenca nuk janë të kundërta, koha moderne ka lidhje të forta me Mesjetën, ajo e merr nektarin prej saj.
Pushtimi nga brenda
E qyteti ynë, si mbarë atdheu në realitet, vorfnohej. Lindja delte si një ditë vdekjeje. Diferenca e ditës dhe e natës, bahej vetëm prej ndryshimeve të natyrës, pse 24 orët kishin lidhje vetëm me terrorin, me të keqen. Kishte vetëm natë, do të thotë zi, netë të zeza, netë të gjata tinzare. Një mllef, një fanatizëm fort i ndytë, se ato fytyra me sy të ajun e të prishun i jepshin qytetit e kombit, jetën e pushtimit nga mbrenda. Kalaja kishte funksionin e përhershëm me qenë dëshmitare e pikëllimeve. E kishin kot me thanë ata që nuk ishin arrestue ende, se nuk kalojmë kah Dega e Punëve të Mbrëndshme, për të mos u ra në sy personave të saj. Fshehje nuk bahej askund. Skutë nuk ka. Mbrenda diktaturës, luftës së egër të klasave ndiheshin kumbonët, thoheshin meshët e baheshin predke. Do të thotë se në këte territor flitej për Zotin, për kristianizëm.
Një gjallni e madhe qe me rastin e shugurimit të Kishës Katedrale të Shkodrës, me grumbullim fshatarësh, autoritetesh fetare e civile dhe një popull fort i madh nga qyteti e fshatet. Kjo ngjante më 19 prill 1958, ditë e dielle. Ishte ndërtue kisha në kohën e Sulltan Hamitit, kohën e turkut e po shugurohej në kohën e Enverit, kohë e shnjallit. Mbas filluen arrestime, gjyqe të tmerrshme meshtarësh e pushkatime. Shteti ishte gati për hakmarrje. Në që se kjo vepra ime me u ba meshtar, do t’u kryente ndonjëherë, dita nuk duhet të vonohet. Ditët ishin njëlloj të idhta. Revolucioni vazhdonte me plane. Enveri rrinte në zyrë. Lëvizte sytë në çdo anë dhe fytyrën e përgatite në çdo moment, edhe kur donte të ishte, sa herë, i pafytyrë. Kishte gjeste që shprehshin gjithçka të tijën e, që për t’i ba këto, i duhej të ishte i stërvitun dhe si një xhaxha i përzemërt.
Ngjarjet i shkaktonte vetë, i krijonte, i manipulonte, i zgjaste, i shkurtonte, u merrte frymën i rianimonte ky idhull i përsosun i kësaj kohe, i kohës së vet: njeri i madh që i asht rritë vetëm shtati dhe mendja. Duhet me qenë kundër tij. Unë deklaroj para të gjithëve, se due me u ba meshtar. Kisha i drejtoi lutjen time Kryeministrisë. Ia dorëzoi Imzot Emest Çoba, Kryeministrisë. Kjo e mori. E mori nëpunësi “Asht arsimtar,” i tha Monsinjori. Ai e futi në sirtar me çelës. Unë kërkoj menjëherë ditën e neserme, largimin nga arsimi. Në orën 9ºº, kur Gjergji, vëllau, kishte çue lutjen në Komitet, fola me drejtorin e shkollës, Zef Dodën. “Kam fjalë të veçantë me ty”, – i tham. “Asht data 21 qershuer 1958, dita e Shën Luigjit. Rrijmë në një dhomë veçmas”. Lajmi që muer prej meje, se due me u ba meshtar, e bani me më përgëzue si një prift dhe i rodhën dy pika lotë, se ishte thellësisht katolik. Ma në fund, më tha: “Asht problem i vështirë. Këta do të tërbohen”.
Ilmi Seiti, Sadik Bocaj dhe Gac Mazi
E vërtetë u idhnuen. U tërbuen. Një mësues me u ba prift!? Provokuen mbledhje mbas mbledhjesh, në Komitet Ekzekutiv, në Komitet të Partisë, në Degën e Punëve të Mbrendshme. Më thirren në seksionin e arsimit. Kryetari i Degës, Ilimi Seiti, i quente “mlysha”, zyrtarët përkatës. Ai u thonte me egërsi: “Ku keni qenë ju. Si nuk keni kuptue asgja? Çka rueni”?! U morën me mue për pak kohë, me urti, me takt. Shteti ban punën e vet. Më thanë të mendojsha, të ndërrojsha mendim. Me thirren në zyrën e Byrosë së Komitetit të Partisë. Ishin gjithë anëtarët e Byrosë. Sekretari i parë i Partisë, Sadik Bocaj, që sapo ishte kthye nga Çekosllovakia, vend socialist, punën ma të parën që merrte në shqyrtim, ishte me analizue këte çashtje me mue.
Zoti ishte kudo me mue. Gjatë bisedës, plot një orë, prej orës deri 10ºº të datës 1 korrik, ai, ma në fund, më quejti kokëfortë. Tash flitsha me termin tim, me termin e largimit e të distancës. Nuk do t’i thojsha shoku sekretar, por zotni sekretar. E ndjeva veten të shpëtuem, të lirë. “Jam i vendosun për ta krye këte punë”, qenë fjalët e mia. E me një ironi të fshehtë timen, u thashë: “Unë po vërtetoj karakterin demokratik të Kushtetutës, që flet për lirinë e besimit e, të ndërgjegjes. Unë duhet të jem i lire, për ta krye këte punë”. E këta i thashë, për t’i dhanë fund bisedës. E ma nuk u morën me mue. Unë kisha vendosë të bahesha meshtar, me qëllime krejt shejte të kësaj zyreje. Në një analizë vjetore, të të gjithë arsimtarëve, doemos, pa qenë unë aty, u përmend edhe njëherë fort kjo çashtje.
Asistonte sekretari i dyte i partisë, Gac Mazi. Ai tha për mue, se kisha hy në një shoqni e, do të përfundoja në burg. Profeci komuniste e sigurtë. Taman shtet për burgje. Shtet burg. Shumicë e madhe njerëzish më shikonin me çudi, kur delsha rrugës. Edhe me shumë admirim. Kishte ndonjë qe thonte: “Si e ka ba këte punë”?! “A e di se ku gjindemi”?! Nuk u morën ma me mue direkt as indirekt. Kanë forma tjera. Gjergjin e larguen nga puna ku gjindej. Punonte rekuizitier, në teatrin “Migjeni” të qytetit. E lanë pa punë. Pa punë një vjet. Filloi një vuejtje e randë ekonomike. Ndonjë herë nuk kishim të holla, me marrë as bukën. Familja e duroi pa asnjë ankesë. Të gjithë ishim të bashkuem në këte vepër. Na ndihmonte Monsinjori. Na ndihmonte Providenca.
Në Arqipeshkvi
Mbas do kohe, Episkopati më shtini në Argjipeshkvi. Deri sa të një vinte aprovimi, që nuk erdhi kurr. Kisha më afroi tue më dhanë një punë, atë të një nëpunësi, të një llogaritari. Ishte llogaria e Kryesisë së Kishës, subvencioni që jepte shteti. Ky subvencion, nuk qëndronte përherë një lloj: çdo vjet vinte tue u pakue. Unë hyna mbrendë në Argjipeshkvi. Ajër tjetër. Ambient tjetër. Ish tjetër. Qetësi. E ndjeva se fitova një liri. Në dhomë ku e kisha zyrën, kisha edhe bibliotekën. Vazhdojsha studimet. Profesori i moralit për tri vjet, Atë Justin Rrota, françeskani i shquem në virtyte të mëdha e në dije, më këshilloi të hiqshe duhanin. Më tha këto fjalë: “Nëse ke për të qenë i aftë të lejsh duhanin, pimja e të cilit asht mëkat, ke për ta pasë shumë lehtë, me i ba ballë gjanave të ndalueme”.
Kjo shprehje morale më pëlqeu shumë. E lashë. Për pak kohë filloi rregullimi im. Do të fillojsha detyrën me rregullimin e vetvetes, se me qenë prift, do të thotë me jetue jashtëmënisht e mbrendshmënisht i tillë. Forma pa përmbajtje, asht hipokrizi.
Asnjë hipokrizi nuk kishte me pasë llojin ma të keq, se ajo e meshtarit. Ata që janë të fortë, të formuem i kanë shembujt e Krishtit, të Zojës, të shejtënve, të doktrinës. Por ata që janë të ligshtë, duen shembujt e përditshëm, duen meshtarin të sakrificës, të uratës, t’ia shohin shpirtin, mendjen, sjelljen. E këta çdo ditë, orë, çast, rrethanë. Si mundet një meshtar të jetojë me vese, të cilat nuk do ta lejshin me krye detyrën?
Si mund të ketë qoftë edhe një simpati o antipati, qe do t’ia ngatërrojshin ndërgjegjen e të trazojshin edhe të tjerët? Mungesat e ndonjë meshtarit të mirë, nuk kishin me prishë aq punë se jemi njerëz, por ndonjë mirësi e meshtari të padejë, do ta lidhshin përherë me shekullin, tue harrue lterin e koliben, për të shijue mëkatet e pallatet. Unë nuk mund të tham kurr, se kam qenë njeri që kam kthye. Unë kam qenë gjithherë njeri besimtar, kam shkue në kishë, kam dashtë të jem njeri i mirë. Unë nuk kam qenë kurr kundër teje, o Zot. Nuk mujsha të mendojsha as qënien e botës, as qenien njerzore, as veten time pa Ty.
Dyshimi në Zotin (1961)
Por po ngjante në mue një e papritun. Më erdh një dyshim në Zotin, që, në sa jam tue e shkrue e, sa herë do ta lexoj, më dridhet trupi për çfarëdo mëkati që do të kisha ba e, për çka kam ba, nuk do të kisha aq turp për të pohue, sa këte. Dhe për ta shkrue këtë, baj një sakrificë fort të madhe. Kjo më zgjati pak ditë, jo ma tepër se 23 ditë, nën forcën e tundimeve të forta. E kjo më ngjau pak ditë, para se t’u shugurojsha meshtar. E u gjeta fort i randë i plagosun dhe i turbulluem. E i thojshëm vetes: nuk mund të jetohet asnji çast me këtë dyshim. E ma të shikjoj në libra të disa auktorëve të mëdhaj, se ku ishin argumentat ditunorë të provave të Zotit. Këtë gjendje shpirtnore ia tregova Monsinjor Çobës. Ai me një delikatesë e me një takt, më tha; “Të lutshe Zojen Lurdë, mbasi ti edhe këtë ditë, do të thuesh meshën e parë”. E me të vërtetë menjëherë më kaloi definitivisht e, kje për mue si një andërr, por e trishtueshme.
Pra nuk mund të tham se kam kthye, por kam qënë larg teje Zot dhe kundër Teje, gjithsaherë që mëkatnojsha. Por nuk muejta ta mbylli ditën e, të më xente nata, pa u rrfye. Këto rrëfime që qenë ligshtime deri një ditë para se t’u bajsha meshtar, thashë: “Më shpëtove o Zot. Më ke dhanë një forcë të jashtëzakonshme ndër luftat e brendshme dhe të jashtme të jetës e, me gjykue se problemi i çdo mëkati, asht largimi nga Zoti. Po të kemi Zotin në shpirtin tonë, po të bajmë që ai të jetojë në ne, na nuk kishim me mëkatnue”. E një herë më tha në rrëfim, meshtari: “Mos e len Zotin të largohet prej teje. E Zoti nuk të largohet kurrë, veç kur nuk lutesh”. Vonë do ta kujtosha e kjo do të ngjante, kur të kalonte robnia e të vinte liria, përpjekjet që do të bante Kisha përmes katekizmit dhe mënyrave të saj të shqueme të organizimit me njerëzit, me të rijtë, me popujt për të shtie në shpirt të secilit jetën e krishterë.
“Epi vetës, o njeri”! Unë isha në udhë. Vetja ime ishte në udhë. Iki. Diçkahes i sjelli shpinën. Humbi tagre, për të fitue tagre ma të naltë. Mërtisem. Unë vdes. Edhe dashuninë ideale të tokës, që lidhet me atë të qiellës përmes sakramendit të shtatë. Due të gjashtin. Prej shtëpisë për të shkue në Argjipeshkvi, me hapin e një njeriu mbi 33 vjet, pikërisht vjetët e Krishtit, me hapin e një entuziazmi sekret e, krejt të mbrendshëm, vërtetë fitimtar, nuk bajsha ma tepër se pesë minuta, tue ecë e tue jetue ende kohën e të ardhunit, shkojsha drejt çastit kur Krishti do të më jepte një pjesë të pushtetit të vet. E më dukej se ndiejsha një za që më thonte: “Rri mirë, fol ti, vepro mirë! Mos më turpno! Nëpër gojën tande e veprat tueja, të dukem unë, do të përhapem, do të njihem, do të fitoj. E një të zyrës time, zyrës meshtarake, ta kam lanë ty”.
Për këte do të mbyllen të gjitha portat e së keqes. Unë vdes. Do e shkojmë dy vetë fshehtas pranë bariut. Kolec Toni e unë.
Asht mbasdite pak e ftohtë, por e dritshme, me diell të bukur.
Kam përqafue prindën, puthë dorën. Do ta dinë pak njerëz. Ndër ta Padër Pjetër Meshkalla. E do t’u shugurojsha meshtar, datën e 9 frorit 1961, në orën 3 të mbasdites, në rastin e 25 vjetorit të shugurimit të meshtarisë së Monsinjor Ernest Maria Çobës. E do të ngjante dhomën e vogël të banesës së tij. Do të mbylleshin dyert. Punë fort sekret. Lehet çilë vetëm një, ajo e Qiellës. E fjalët e shugurimit ranë mbi mue. Shihet hapsinë sublime. Nuk asht thjeshtë një jetë e re. Asht ba shndërrim, substancë mistike, ka dalë një alter ego, një alter Cristus. Asht futë pushteti i meshtarisë. Engjujt regjistrojnë.
Jam i regjistruem në Qiell edhe në kishë. Në Kishën Katolike.
Me datën 11ºº të frorit, asht një ditë tjetër e madhe për ne. A edhe dita e Zojës Lourdë. Zoja e ka bajtë Krishtin, në krahnor të vetin. Edhe na do ta shndërrojmë substancën e bukës e të venës në Korp, Gjak, Shpirt e Hyjni të Krishtit. Transsubstancioni. Ruhen vetëm akcidentet e bukës e të venës. Mesha e parë u tha në një dhomë tjetër nalt, në shtesën e Argjipeshkvisë, në torren e saj. Nuk do ta shohë askush: as baba, as nana, as vëllazent, as motra, as farefisi, as populli, as pjesëmarrja e meshtarisë. Asnjë pjesëmarrje. Ishin vetëm engjujt. Fort e ngjashm me shpellën e Betlehemit. Edhe ju, o njerëz, ruenie këte njeri, lutnju për këte njeri, edhe pse nuk e dini për njëherë, lutnju se ka punë të vështirë, ka tepi përgjegjesi, ka pranue një barrë të randë e Qielli, tue i dhanë ndihmën, vetëm llogari i kërkon.
Gëzime të fshehta
Çka ndien njeriu në ditët e para, në kohët e para të meshtarisë asht një mister. Mister e naltësi. Je një unë i naltuem e ke kënaqësi se i je kushtue Zotit. Po të vdesish në ato orë, je gati të shkojsh menjëherë në Parriz. E mund t’i thuejsh vetes si kohë, para teje e mbas teje, si para Krishtit e mbas Tij. Ti mund të jetosh vetëm një orë mbas meshtarie, por kjo asht një epokë. Vetja jote asht bashkue me atë të Krishtit. Edhe e ruen Krishtin. Je i lidhun me Atë, për Atë. Ke futë në jetën tande një gëzim, një mirësi, një forcë një ideal. Ndien në ato ditët e para vetëm urime, gëzime, sheh vetëm buzëqeshje, pret vizita dhe përnjëherë të gjithë të lanë në qetësi dhe presin.
Njerëzit vijnë në kishë e shohin meshën tande, meshën e meshtarit të ri. Na që u shuguruem fshehtas, nuk i kishim këto gëzime të jashtme. Por pritej nga tjerët, nga populli se kur po shuguroheshim meshtarë. Pritshin se kur po na vinte koha e, kjo kohë për ne kishte ardhë. Kishte ardhë koha me i përngja pak Krishtit, që kishte ndejë i fshehun para jetës së tij publike. Edhe ne po na takonte me ba një sakrificë. Por në këte provë tonën, kishim ngushëllime të veçanta se bota e mbrendshme imja, futej ma thellë në brendi të së mbinatyrshmës. Dhe ditët më kalojshin në jetë të mbrendshme, me mision në vetvete. Kisha kohë për të soditë, për të ba meditacion. Kisha kohë për t’i dhanë vlerë kësaj pushtetjeje të amshueme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm