Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Mesha e fshehtë.
Jeta shpirtnore futej ma tepër në një realitet mistik me forma të reja hiresh e, ky lloj pushimi i veçantë, i rrallë në botë, grumbullonte prova e kujtime që të bajshin me mendue se meshtaria asht zyrë e Krishtit. Çdo çasti, rrethane, mund t’i jepësh vlerën e vet e, mund të xjerrësh dobi. E për gjithçka duhet të thomi: “U baftë vullnesa e Zotit”. Por kjo që, tue qenë meshtar, pa mujtë të shijosh jetën famullitare, pa e folë fjalën e Zotit në balaustra o pulpito, pa u gjetë te kryet e atyne, që janë të sëmurë e japin shpirt, e kjo në kohën ma të mirën e energjive tueja, të zellit e të entuziazmit, kjo vullnesë e Zotit, ka formën e veçantë të vuejtjes së mbrendshme dhe të meritimeve të shpërblyeshme.
Meshën e celebrojsha çdo ditë në Argjipeshkvi, me dyer të mbylluna, jo në kapelën e saj, por në zyrë. Nisa ta thojsha edhe në shtëpi. Sa herë edhe në shtëpi të Padër Meshkallës, në orët e vona të mbramjes, mbasi bajshim disa biseda për të shkue mbarë sa mujshin punët e shumta të kishës. Unë kisha jetue një jetë fetare, qysh fëmijë në familje, në kryqëzatë pranë jezuitëve, në Liceun Françeskan, gjithëherë në kontakt me meshtarë, por përherë si besimtar. Kisha një sjellje të edukueme dhe një urti jo formale, që në trajtën e jashtme kishte forma ma tepër civile.
Kritikojsha botën dhe qendrimet e njerëzve, e këto i bajshe me një temperament profan. Këto i bajsha në zemrën time dhe në biseda me Monsinjorin dhe ndonjë person të afërt, se për natyrë, nuk flitsha për njerëzit. Monsinjori, kur më ndigjonte, ma tepër heshtonte. Nuk kisha kapë në esencë se duhet luftue e keqja, jo i keqi. Se në vendin e asaj persone me faj, ndoshta edhe ma keq, mund të isha gjetë unë e, çdo njeri që kishte me veprue si unë.
Dom Injac Gjoka
Vazhdonte te unë një kreni inkoshiente. Dom Injac Gjokës, meshtarit shembull e model në kishë, po i thojsha për një njeri se nuk asht i mirë. Dom Injaci rrinte me një urti ndaj meje e, njëkohësisht dhe qendrim dhimbësunie në fytyrë, në sa çonte sytë kah Qiella e, ishte gati të bante një lutje, për atë e për mue. Isha i rrethuem prej vëllazensh të mirë meshtarë, me të cilët vijshin tue u shtue përherë e ma tepër lidhjet shejte. Ishin vërtetë meshtarë, ndera e Kishës Shejte. Unë nuk kisha formim kolegjiar. Nuk kam qenë kurr në seminar.
I thojsha uratët pa i çue sytë kah qiella e, pa i vu duert bashkë. I kam vu, kur isha fëmijë dhe ma vonë kur Providenca do të plotësonte ngadalëngadalë një formim timin. Unë duhet të përpunohesha. Nuk dijsha fort çka asht heshtia. Isha larg, larg nga vëllazent, por isha një vërejtës i mirë e me një dëshirë të flaktë, për t’i futë në jetën meshtarake të mirat që lypen për këte detyrë. Kisha shembuj. E shembuj të mirë. Gati shtatë vjet jetova në Argjipeshkvi, pranë Ipeshkvit Ernest M. Çoba, i cili për asgja nuk më qortonte.
Jo se nuk kisha mungesë, por kishte mënyrën me dhanë mendime të lehta dhe me një delikatesë për të orientue. Më hapte disa horizonte që i përkitshin sferës kishtare dhe të kohës në të cilën jetojshim. Isha krejt pranë tij. Monsinjori ishte një lloj aristokrati, një lloj fisniku, me një lloj durese ku dukej një përzemërsi, një zemërgjanësi që i afrohej në realitet një njeriu të madh, sidomos në ato rrethana shumë të vështira kohe. Kleri e quente Dom Erneston, një Ipeshkëv providencial.
Ipeshkvi Ernest Çoba dhe legata italiane
Ishte e vështirë, shumë e vështirë me i ba ballë kohës. Një ditë Monsinjori më dha me lexue gjashtë pikat e të heshtunit. Kur ia tregova Padër Pjetër Meshkallës, më tha që të mësojsha edhe gjashtë pikat e të folunit. Të dy këta njerëz ishin për mue të Mëdhaj e, në teologji morale dhe në kodin kishtar, ishin të dy të fortë. Në ditët e para, mbasi u bamë meshtarë Dom Koleci dhe unë, me një za të lehtë Monsinjori nisi të na tregojë fshehtësina.
Me anë të legatës italiane, nëpërmes motrës së vet Gjyliana Andracchio, na tha se kishte lidhje me Selinë Shejte. E këte lidhje e kishte për probleme kishtare. Çeshtje ndërgjegjeje. Dërgonte relacione klerikësh, tue i dhanë ndihmë Selisë Shejte, se kush mund të ishte i dejë për t’u ba Ipeshkëv. E kjo bahej të mos ngjashin gabime. Duhej shpëtue disi nga kthetrat e shtetit të diktaturës. Monsinjori ishte guximtar për punë të mëdha. Mendoi t’i vente në dijeni disa meshtarë për shugurimin tonë.
“Janë shugurue meshtarë”, – u tha atyne në praninë tonë. Janë shugurue me 9 të frorit e, ditën e Zojës së Lurdit, kanë çue meshën e parë. E këte veprim u thonte e kam krye fshehtas, tue mendue dhe se isha i sëmurë e, nuk i dihej shëndetit tim. Foli ma së pari me Dom Injac Gjokën, që kishte pamjen e jetën e një shejti. Na përgëzoi si vëllau vëllanë. Kishim kënaqësi të rrijshim me atë. Shkojshim sa herë në famullinë e tij në Bërdicë, e në Juban, e ishim të lidhun ngusht gjatë tanë jetës sonë, tue pa në të vetëm virtyte.
Imzot Gjon Kovaçi dhe Dom Ndoc Ndoja
Edhe pse nuk ishte Ipeshkev, Imzot Gjon Kovaçi, ky ordinar i dioqezit të Sapës, kishte fytyrën e një bariu e të një plaku në kishë. Jurist i mirë. Ruente cilësitë e një meshtari të shquem të Selisë Shejte. Porsa e mori vesh, iu fal nderës Zotit, për të mirën që kishte ba. E u lidhëm fort me Imzotin, për shumë probleme të kishës sonë në persekutim.
Padër Mëhill Troshani dhe Anton Luli
Dom Ndoc Ndoja, meshtari i thjeshtë dhe i devoçëm, e shprehu gëzimin me këto fjalë: “Po shumohet grigja jonë”. Padër Mëhill Troshani, një meshtar i shkathtë jezuit e një misionar i vërtetë i Shoqnisë, e lidhte gjithçka me misionin; “Për shelbim të shpirtit tuej e të tjerëve”, qenë fjalët e tij. Këta fjalë i tha edhe Ati i përzemërt, Anton Luli. Të gjithë kishin parasysh edhe këte shugurim tonin, të bamë në terr të robnisë, mes dhimbjeve që na i plasi keqas zemrat tona.
Padër Justin Rrota
Padër Justin Rrota, profesori ynë i moralit, u përmallue nga gëzimi kur mori vesh shugurimin tonë. E në një ditë të prillit, mbasdite celebruem meshën shejte në dhomën e tij. Padër Justini kishte mbushë 74 vjetë të jetës së tij dhe plotësue, – si tha ai vetë – 38 vjetët e paralitikut të Ungjillit, tue kalue këte provë të vështirë me duresën e Jobit, me shprehjen e përhershme “U baftë vullnesa e Zotit”. Në një mbramje Padër Justini ishte sëmurë randë e, kishte marrë sakramendet e fundit. Për pak ditë u përmirësue.
Por nuk muejt të lëvizte nga shtrati. Ishte shtrue për dekë. Shumë njerëz shkojshin për ta pa. Nuk kam pa përgatitje ma shejte se të tijën në prag të vdekjes, gjatë tri javëve të fundit. U bante biseda shejte të gjithëve që vijshin. U flitte si një orator që ishte me ato fjalë që i delshin nga zemra, me biseda mbi dashuninë e Krishtit. U porositte të shkojshin mirë njeni me tjetrin, të harrojnë mënitë, inatet, larg gergasave.
Javën e fundit ishte lodhë, kishte humbë dhe me 21 dhjetor 1964, i pushoi zemra e mbylli sytë. Ndeja disa orë të natës për ta ruejtë. Sytë e mi nuk iu ndajshin asaj fytyre dhe e vështrojsha atë trup ta vdekun të këti rregullari të Shën Françeskut, këtij dijetari dhe intelektuali të vërtetë të shkencës gjuhësore, latinisti e moralisti që ka jetue tue mendue e dashë Jezu Krishtin me fjalë e me vepra, në provën e randë e të gjatë, të sëmundjes së tij.
At Justini shkoi në dheun e etënve françeskanë, te vorrezat Rmajit në Shkodër, në orën 10 të paraditës së 22 dhjetorit, ditën e Shën Tomës Apostull, fillim dimni me shi e përshtatshme për vorrim e dhimbje. Vorrimi qe i thjeshtë: kunorë nga Kuvendi, nga Argjipeshkvia, nga familjarët, nga ndonjë shekullar. I prijshin para arkivolit murgesha, meshtarë, meshtari për salikim, Mons. Ernest Çoba e mbas, motra, burra e gra. Vdiste e vorrosej krejt afër kujtimit të lindjes së Krishtit, për t’u takue në amshim me atë. Vdiq pa pa ma keq. Pa pa hata tjera, për Kishën e Kombin.
Teologu Atë Mark Harapi
Ata vjetë që kalojsha në Argjipeshkvi, e vazhdojsha me sidomos histori kishtare. Megjithëse kisha ba filozofi e dogmatikë para se t’u bajsha meshtar, kisha shumë mungesë dhe kjo do të vazhdonte, sikur Providenca të mos më siellte një ditë të mirë për studime, për të cilat isha i etshëm. Lirohet nga internimi Atë Mark Harapi. Me dëshiren e vet i drejtohet Monsinjorit, për të na dhanë mësimin e filozofisë, simbas autorit Farge e, të dogmatikës simbas Pescit, mësime që do t’i vazhdojshim rregullisht, ditë për ditë, për gati pesë vjet.
Padër Mark Harapi, mbasi kishte krye studimet për meshtar dioqezan në Vienë e, shërbeu si meshtar në zonën e Pultit ndonjë vjet, kërkoi me ndjekë rrugën e Shoqnisë Jezu, për t’u ba padër jezuit e atëherë tue ba studime ma të hollsishme, u doktorue në filozofi e teologji, në universitetin Gregorian të Romës. Ky që kishte dhanë këto landë për sa vjet në Seminarin Papnuer në Shkodër, me një aftësi të veçantë, njihej mbas Imzot Pjetër Bogdanit, i dyti teolog shqiptar.
Padër Marku nuk më mbante në mend, kur i pata shkue si student për të ndejë një orë në qelën famullitare, në ato problemet e mia rinore. Tashti, unë nxanës i rregullt i tij, ndigjojsha orë mësimi me qartësi ditunore, me erudicion intelektual, me thjeshtësi e saktësi, që e karakterizonte këte profesor preçiz, që nuk thonte asnjë fjalë ma tepër, as ma pak. Edhe përmes landës, shtoheshin forma të reja formimi në mue. Unë vërejsha gjatë spjegimit, po thuej çdo tingull që i delte nga goja. Isha shumë i etshëm për të fitue nga aftësitë e tij. Në mësim nuk ishte as asketik, as mistik. Teologjinë asketike e mistike, do ta zhvillojsha ma vonë.
Dukej si një Aristotel i gjallë e, një Akuinat i vërtetë. “Nuk e kam mendue, – thonte tash ky Padër plak i fortë, tue iu falë nderës Zotit, – se do të më ndodhte të jap mësim përsëri në jetën time”, – e pohonte se e jepte edhe ma me pasion dhe pjekuni se përpara. Në Kohën që na jepte mësimin, u ndrynte në bibiotekë të Argjipeshkvis, për t’i përgatitë tezat me nivel. Për mue u banë vjet fort të bukura të jetës dhe i Madhi Zot po më jepte një përgatitje dhe një përparim shpirtnuer edhe përmes këtij njeriu, këti jezuiti që ishte vërtetë një katedër e tokës sonë.
Ditë të randa
Argjipeshkvia dukej si një seli misterioze. Për shumë njerëz që nuk mund të hyjshin aty, shihej si të ishte një ambasadë e huej. I binte nganjëherë një pamje e frikshme argjipeshkvisë. Funksionet fetare haheshin në kisha të qytetit. Në të gjitha meshët që celebroheshin, kishte popull. Por nisën pagëzime e kunorë të veheshin edhe në disa shtëpi, se, për disa, shërbimet publike ishin, të pamunduna e fort sekrete.
Kishte fillue kontroll. Për zyrtarë e arsimtarë sidomos. Shkonte prifti zakonisht në orët e mbramjes Me marrë me vete ritualin e stolen. Kishte me vete edhe Eukaristinë. Mons. Ernest Maria Çoba, po vehej gradualisht në pozita të vështira. Gjendja e Kishës po keqësohej. Shteti, mbasi ia mori me dhunë pasunitë e ligjshme Kishës, i jepte një subvencion që çdo vjet vinte tue u zvoglue. Filluen të ndigjohen fjalë, prishjeje me Bashkimin Sovjetik.
Politika kineze
Si asht e mundun të prishej miqësia e madhe dhe e përjetshme me Bashkimin Sovjetik?! Si do të zhvilloheshin punët? Nisën lidhje tjera të forta me miqësi të madhe e të përjetshme, me Kinën e Madhe të Mao Ce Dunit. E tash, me Kinën e Azisë. Një, dy, tri vjet të qeta, kaluen për Kishën. Koha bahej e çuditshme. Vijnë delegacione kineze. Vjen Çu En Lai. Shqipnia asht mbushë me kinezë, me parulla.
Qe një: “Ç’thotë populli, bën Partia; ç’thotë Partia, bën populli”. Parullë me vështrim të thellë. Çka do të thotë kjo? Çka do të sjellë kjo? Nisën të vijnë klerikët e dioqezave, njeni mbas tjetrit, te Monsinjori. Ankoheshin se Këshillat Popullore, u qitnin pengesa në përgatitjet e fëmijëve për krezmim. Shej i keq. A mos asht kjo politikë e re kineze?!
Xhemal Dini mbyll dy kisha
Në orën 9 të një paraditeje, kah dhjetori vjetit 1965, thërrasin Ipeshkvin në kryesinë e Frontit Demokratik të rrethit. Unë e përcjell Monsinjorin, deri te kjo zyrë. E presin rreth dhjetë vetë, me nderim të shtimë e me buzëqeshje hipokrite. Nuk ka buzëqeshje ma hipokrite, se të tyne. “Monsinjore, – i tha kryetari i Frontit Xhemal Dini, që ishte bashkë me krejt anëtarët e Kryesisë. – Na pranë Kishës së Jezuitëve dhe asaj të Murgeshave, sikur e dini, kemi dy konviktet tona. Asht rinia jonë aty.
Këta dy kisha nuk shkojnë, – përsëriti kryetari. – Nuk ban të jetë rinia jonë, afër kishës”. Në fillim morën ndërtesat tona, të konvikteve, kur rinia vinte mbas nesh. Tash morën edhe kishat. Kishën e Jezuitëve, e kthyen sallë për shfaqje kukllash për fëmijë. Atë të murgeshave Stigmatine, e quejtën “Klubi i Rinisë”, u banë ma vonë edhe gjyqe, ku do të gjykoheshin për vdekje meshtarët a, do të dënoheshin me burgime të randa klerikët. Populli derdhte lotë të randë, për ato kisha të marruna.
U morën ambientet e dy kisha historike të jetës së qytetit ku, ishin rritë e mësue e lute, krejt rinia katolike e djelmoçave dhe e vajzave. Monsinjori shkonte në kryeministri disa herë. Herë shkonte vetë, herë e thirrshin ata. Kur e thirrshin ata, Monsinjori u shqetësonte se çka do të ndodhte. Ra biseda me nëpunësin, një kolonel, z. Reshat Germenji, për marrjen e kishave. Ai rrinte drejt si qiri. Bante se nuk dinte asgja për këto dy kisha. Por në fund, i tha: “Nuk mund t’i përzihem rretheve”. Janë format e dredhisë. Oh, me sa kopili punon komunizmi!
Heqja e kumbonave
Mbas pak ditësh e thirrën Monsinjorin në kryeministri. Nëpunësi i tha: “Kumbonët e qytetit të Shkodrës, janë shumë, rrahin shumë herë në ditë. Zgjojnë popullin shumë herët në mëngjes. Asht urdhën: Kumbonëve do t’u bieni, tash e mbrapa, vetëm ditët e dielle, edhe atëherë jo fort”! Monsinjori kthei i zymtë, i pikëlluem; “Çka janë këto lëvizje”?! Një rasë tjetër i bajnë ftesë monsinjorit, për të marrë pjesë në një mbramje që shtrohet në “Pallatin e Brigadave”, në Tiranë.
Ka ardhë Çu En Lai. Ditë me ngjarje. Kohë lufte kundër burokracisë. Shpërndajnë kuadro të randësishme, prej Tiranës nëpër rrethe, i nxirrshin në terren, i çojshin në bazë. U hin frika të vetëve. U prekën interesat. Enveri asht tigër. Thohet se e ka ba për vete popullin. Kudo, merr konferenca, ndër metingje, rrahet shuplakë. Kot ose plot, rrahin shuplakë, e brohorasin: “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”. Populli humbë gjykimin. Nuk ka forcë. Asht periudhë e fortë ligështie.
Minat pranë Kishës: Bilal Parruca. (Prill 1966)
Me qinda, me mija, me datën 26 prill, shkojnë ditën e Zojës së Këshillit të Mirë me pa meshë te Kalaja. Mesha e madhe pontifikale atë ditë të bukur Zoje e Prilli, asht në orën 10°°. Por nuk lejohet të thohet mesha. Një repart ushtarak, pa pritë e pa u kujtue, ka urdhën nga lart, të kryejë një aksion, pse do të shpërthejë mina, për zgjanimin e malit e hapjen e një tuneli buzë kishe. Ky aksion asht me urdhën të premë. Të gjithë mendojshin se asht ba me qëllim. Ku bajnë komunistët pa qëllim?
Por, natën e Rrëshajve, 1966, kur thirrën Monsinjorin në Komitetin Ekzekutiv, ora 12°°, te kryetari Bilal Parruca, çfarë ngjarje kishte? Mue që po e përciellsha Monsinjorin, më tha gjatë rrugës, se; “nuk duen me na lanë me u krezmue”. Monsinjori po shkonte me kambë të këputuna. “Jo, Monsinjore, mos mendo keq për këta”. Kur hyni në zyrë, unë po pritsha jashtë.
Kryetari i Komitetit e priti mirë Monsinjorin. “Monsinjor, – i tha – kemi marrë vesh se doni të kryeni krezmime e shërbime të fshehta në Argjipeshkvi. Pse fshehtë? Shërbimet të bahen në kishë. Feja asht e lirë. Asnjë shërbim fshehtas”. Dredhi komuniste me formë të thellë orientale. Na kanë mundue e na kanë poshtnue kudo myslimanët e këqij. Muslimanët e këqij, kanë mundue edhe muslimanëve mirë, por ne katolikëve, keqas. Me këto kanë bashkëpunue edhe disa katolikë.
Ditën e krezmimeve të këti vjeti, në mënyrë të posaçme, kishin dërgue e organizue skuadra fëmijësh, të krishtenë e myslimanë, për të pa e për t’i ndalue fëmijët e pastër në shpirt e në veshje, që shkojshin me nunat e tyne, për t’u krezmue. Por fëmijët kurrsesi nuk zmbrapseshin. Krezmimet e tyne, rreth pesëqind, baheshin shumë madhështore. Monsinjori krezmon në orët e vona të mbasditës dhe të mbramjes edhe në Argjipeshkvi.
Por gjithçka vinte e randohej. Pritej se çka do të ngjante. Një kishë u mbyll në Shalë. Padër Shtjefën Pistullin, një frat i përvujtë, që bante me zell shërbim në ato zona të thella të Dukagjinit, e dëbojnë komunistët. Nga kisha e Shënkollit të Bregut të Matës, xjerrin jashtë priftin shembullor, jezuitin e përpiktë në detyrë, Atë Anton Lulin, në datën e shejtit, 6 dhjetuer. “Populli nuk e do”! “Cili popull”?! Disa elementë japin urdhën, të marrë rrobet e të largohet. “Nuk duem kishë”, – i thanë Padres. “Na duem ta kemi shtëpi kulture”.
Ky ishte shej i keq e i afërt i Revolucionit Kultural, që po afrohej. Për kishën e marrun, populli vajton, mbushë kupa të mëdha ato kupat e mëdha të ujit, të bekuem në kishë. Ky kishte me qenë ujë i bekuem i ri, i papamë në botë, se dalë nga dhimbjet, nga vuejtjet. I përmban rituali dhe këto lloj bekimesh, pse asht plot uratë të forta të zemrave. Natën e Krishtlindjeve në Shkodër, do të mbushet Kisha e Madhe me popull, si çdo vjet, edhe pse jepet një urdhën në qytet dhe në fshate për të ba një punë vullnetare me goditje të përqendrueëme, natën.
Natë dimni, murrlani e festë e, natë punë. Kjaje, o Zot, të keqen! Lufta e paqa të përzieme së bashku, si erët e kundërta. Ditët e netët paralajmojshin stuhi dhe dimna të randë e të gjatë polesh, ngjarje trathtishë e dhunësh, në një vend të vogël. Mister e kjahmet në fund të këtij vjeti 1966, të cilit i vjen mbas, ai vjeti tjetër, 1967, me kjahmet e shembje.
6 Shkurt 1967
Malet me pak borë. Dimën i bukur. Hynte janari dhe po kalome me diell e me erë. Për çudi, ashtu edhe frori. Ndonjë ditë me shi parapranveruer. Deri tash dimën figurativ. Ateherë pritej pranvera fort e gëzueshme. Fort e mjerueshme. Na trathtoi moti? Nuk na trathtoi moti, por na trathtoi Enveri! Na nuk i besuem kurr Enverit. Në këte pranverë qe shpërthej, ngjante gjaja ma e zezë, qull e zezë, porsi palltoja e tij.
Ecte piramida e 28 mijë km2, në krye të së cilës, ishte ky, ecte Shqipnia e blindueme, mbrenda së cilës gjindej ky. Pat mendue vetëm, kur do të vijë dita, për të ba gjithçka. Asgja nuk kishte andërrue ma tepër se këte ditë. Shumë kishte durue ky përbindsh i diktaturës, kjo qenie që randonte veten e, të tjerët. “Kishte mendime të randa në kokë të lehtë”. Mendime jashta koke. Njerëzit e mëdhaj ndoshta kanë një ide. Edhe ky kishte vetëm një. Por këte ide e kishte të keqe. Ma të keqen.
Kishte pa disa pika historie, tue u nisë nga trutë e tij, nga tërbimet e tij. Krejt u kishte imponue të tjerëve frymën e vet personale, për të marrë, gjoja, nga të tjerët frymën kolektive. Kjo iu donte për të tmerrue njerëzit, pse i kishte thanë përherë vetës: “Unë do të baj punën që due, do t’ia dal të jem vetëm unë”. Kishte mendue me e përmbledhë historinë e këtij vendi, vetëm në fjalën e tij, në punën e veprën e tij, në 60 volumet e tij, e ma tepër tue ndejë në poltron e, kur e donte puna, edhe i ulun kambëturqisht, në ndonjë shesh me fshatarëve e malësorëve, për të bisedue me këta, hallet e këtij popuIli, për ta ba vetëm batakçi.
Hapte të gjitha pasionet ku janë e nuk janë. Aftësia për të ngatërrue e mundonte ditë e natë. Tue qene në krye të situatës, mendonte se projektet e tij duhen realizue, tue i çue deri në fund. Janë vjetë me dyndje e ka zhurma shurdhuese që nuk i lanë shteg njerëzve të thonë, nëse ka ma e deri kur kështu. Epoka e madhe me zigzake, me pengesa, me vështirësi. Ka frikë të madhe çdo person që mendon kundër tij e do të jetë ky. Të gjithë si ky, por ky me i sundue. Një ndryshim sado i vogël asht shumë për atë se çka ban ky për t’i mbajtë ata që nuk i duhen për momentet, kjo futet ndër sekretet e tij. Termin unitet të kombit e shihte në prishjen e zemrave. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm