Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e dytë
Gjarpni rreth peme: dhjetor 1945
Memorie.al / Udhët e qytetit të Shkodrës kishin një lëvizje që përnjëherë dukej se gjithçka mbante rregull. Rregull të fshehtë mes atij dimni të parë, të çlirimit famëkeq. Gjithçka ruente rendin e, ditët kalojshin si të pritshin diçka. Filloi kontrolli ushtarak në qytetet ma së pari, partizan në çdo lagje, pothuej në çdo shtëpi, për të zbulue njerëz të fshehun të atdhetarizmit, të quejtun reaksionarë, prej pushtetit të ri komunist e sllav. Pasioni shqiptar i çlirimit, punonte me një shpejtësi të egër e të rrufeshme, për të xanë rrugët e për të mbytë gjithçka. Fillonte nga lart, për t’u unifikue gjithçka me materien e, për të arrijtë të bajë të birin e Adamit, gjarpën rreth peme. Kjo do të bahej një kohë e vështirë fort. Dikush do të shuejë dritat. Dikush tjetër do të mbyllë udhët, mbas do kohë krejt kufinin.
Posta, ushtri, klon. Gjithçka për të arrijtë dikush, të ketë një forcë kolektive me peshë, në këte lamsh. Punohej për të dalë njeriu i zgaqun, që nuk do të jetë ma i vetes, nuk do t’i vijë ma erë njeriu e, kjo bahej me një lloj revolucioni, minut për minut, që nuk të len kohë me hangër, as me pi, as me fjetë, a me mendue, as kurr me qenë në vete, as edhe me punue! Po delte në dukje një lloj mase me elementë negativë, që kanë kalue përmes shekujsh tonë errësine dhe fanatizmi, në një kuptim të gjymtuem e të rrezikshëm oriental, ku shpërthejshin huje të randa, nga sa padrejtësi të vërteta, për të krijue ekstremitete padrejtësie të papame. Dhuna ka me vete padrejtësinë e, padrejtësia asht gjithkund dhunë. Ngadalë randohej ajri e, shpejt ernat e këqija hyjshin në të gjitha anët.
Me këto erna helmuese, do të ruhej edhe pushteti, edhe kufijt. Ai që afrohet, vdes nga kjo erë. Një rrezik ma i madh se në Hiroshima e Nagasaki. Asht vështirë me shpëtue gjallë në këte tokë, me disa mija kilometra. Janë të marrun mendsh të gjithë. Shikjue në një kandveshtrim, asht një lloj paralyze, që u ka ra të gjithëve. Të djallëzuemit e randësishëm, i ka ba fort për vete djalli. Këta janë me atë. Filloi lufta e egër e klasave. Mes një materializini të zbukuruem me dinakëri, vlonte koha e re me një program. Këtyne njerëzve u ka ba përshtypje padrejtësia në botë, uria, skllavnimi i masës, shfrytëzimi i njeriut prej njeriut. Qëllimi i tyne ishte me ba botën e re. Oh, kur bahet kjo punë e tillë? Oh, mos u baftë kurr! Unë vazhdojsha me shitë meze.
Tmerre
(Dom Ndre Zadeja)
Netët erreshin të randa kudo në Shqipni e, në qytetin e Shkodrës, të zbardhunit e dritës niste, herë mbas herë, me krizmat e mitralozave që shtrijshin përdhé klerikë e burra civilë, mbas mureve të vorrezave katolike, që e bajshin agimin të trishtueshëm e ditën me vaje dhimbje. Në tronditje që pat qyteti, malet e fushat, për Dom Ndre Zadejën nacionalistin e melodramave të ‘Rozafës’ e të ‘Rrethimit të Shkodrës’, qe e fortë, se tue pikue gjaku i ‘Rubës së kuqe’, përtriheshin kohët e kobit rreth kalave tona. Në qytet kishte lëvizje e fytyra të dhimbshme, në atë 25 mars 1945. Jazi përshkonte rrugët e rrugicat, shtëpitë e shumë zemra katolike. Ishte e dielle. Po fillonte Java e Madhe. Rriteshin misteret e mundimeve. Edhe mundimet e mistereve. Dom Ndreu, qe i dyti meshtar i pushkatuem, mbas Dom Lazer Shantojës, që qe masakrue për së gjalli, tue ia ba kambët e duert, copë-copë.
Kah fundi i dhjetorit të këtij vjeti, u arrestuen Padër Giovanni Fausti e, Padër Daniel Dajani, së bashku me seminaristin Mark Çuni. E, në fillimin e frorit, në orën e mësimit, iu vunë hekurat Padër Gjon Shllakut. U nxinë klasat, fytyrat. Na nxanësit e jetojshim randë terrorin. Në dhomat e papërgjakshme, Kryqa e Krishtit, kujtonte salvime. Tridhetë e pak ditë, qenë shumë për të pa një ditë të vrantë të fillimit të marsit, të katër marsit 1946, rrashtat e çame e trupent me baltë mbas mureve të vorrezave, të dy jezuitëve shembullorë, të Faustit, të Dajanit, të Padër Gjon Shllakut, të seminaristit Mark Çunit e të tjerëve civila katolikë, gjithsej 11. Të gjithë kishin xjerrë fjalët ma shejte para pushkatimit, nën drejtimin e meshtarëve: “Rroftë Krishti Mbret”, “Falim anmiqtë tonë”, fjalë të gjetuna në dosjet e tyne, në arkivat e Sigurimit të Shtetit.
Për fratin me konop, Patër Gjonin, mund të kenë kalue ma shumë se dy vjetë, që dita më delte e mërzitshme dhe e errtë. E më kishin mbetë si kujtim i randë, kur e pashë për të mbramen herë, nësa delte prej sallës së gjyqit, mes britmave çjerrëse të grupeve të organizueme me fjalët: “Plumbin ballit kriminelave”, tue mos m’i da, kur më pau, ata sy të mprehtë me thellësi atnore. Atë ditë në shkollë ra zia e vërtetë: ora e trigonometrisë, u përzie me lotët e Patër Mëhillit, që me vështirësi mbahej. “Më falni, – na tha, – mund të vazhdoj”? E u shoqnuen lotët e Padër Mëhillit, me lotët e tanë. Një orë një ditë e pasosun dhimbet, në mbarë qytetin. Vajtime për meshtarët e për njerëzit që futeshin në dhe dhunshëm. Ishte vendosë e planifikue, me zhdukë kokat e mira. Qytetit dhe Shqipnisë, nisi me i ra gjama dhe vdekja e vërtetë.
Kjo dhimbje ishte në gjasim me vdekje prindësh, vëllaznish e motrash, të dashunish, shpirtnorë që kanë pasë të përbashkët gëzimet e idhnimet, në një komb të vuejtun, histori vuejtjesh.
E pasuen këto dhimbje ngjarje të tjera, me arrestime, me tortura, me shpifje: “Janë gjetë armë në kishën françeskane të Gjuhadolit, te lteri i Shna-Ndout”. Arrestohen provinciali Pader Mati Prennushi, guardiani Padër Çiperian Nika, françeskanët: Patër Donat Kurti, Patër Aleks Baqli, Patër Pal Doda, Fra Zef Pllumi. Dy të parët, mbas torturash të papërshkrueshme, u pushkatuen. Kur do të arrestohej, mbas dy vjetësh, Punëtori i Sigurimit të Shtetit, Pjerin Kçira, që kishte marrë pjesë në torturat ndaj tyne, kur qe dënue si agjent i Jugosllavëve, me shtatë vjet burgim, i zemruem e ma vonë i penduem, protestoi në gjyq, tue thanë se; “çka nuk kam ba unë për ju, kam futë edhe armët në kishë”!
Postriba; Imzot Nikollë Deda, Ipeshkv Frano Gjini, Ipeshkv Gjergj Volaj
Një goditje e randë tjetër, erdhi: Dështimi i Lëvizjes së Postribës. Oh, shumë arrestime?! Oh, shumë pushkatime në mbarë Shqipninë?! Edhe ajo e prelatënve! Pa pasë kurrnjë lidhje me këte Lëvizje, mbas torturave të randa, pushojshin në Tenzonë prej plumbave dhe zëvendës delegati Apostolik, Ipeshkvi Frano Gjini, dhe Ipeshkvi i Dioqezit të Sapës, Monsinjor Gjergj Volaj. Me këta edhe Imzot Nikollë Deda. U mbushën burgjet me të burgosun dhe kishat e famullitë, mbetën pa meshtarë.
Qyteti i Shkodrës që kishte pasë afër pesëdhjetë meshtarë, mbet me Padër Justin Rrotën, të paralizuen vjetë me radhë, me Padër Zef Saraçin, jezuit i verbër dy sysh, me Padër Pjetër Tucin, jezuit, me sa sëmundje. Shërbejshin në kishën e Katedrales, Dom Ernest Çoba, zëvendës famulltar i Shkodrës dhe Patër Florian Berisha e, në Kishën Françeskane Padër Marjan Prela dhe Padër Ferdinand Pali, të gjithë këta meshtarë të flaktë e, puntorë të zellshëm, për të plotësue nevojët e mëdha të besimtareve të shum që merrshin mbrapa funksionet tash të thjeshtueme, me pak qira e lule e pa muzikë, që Kisha e ka artin e vet.
Ditët e pushkatimeve të para, pasoheshin në ditët e tjera të afërme, kur na nxirrshin nga shkolla e na qitshin jashtë. Reforma arsimore e shtetit komunist e vjetit 1946, mbyllte të gjitha shkollat e quejtuna private e, na shpërndante, për të mos i pa ma shkollat e Mjedës e të Fishtës, të cilëve ua thyen lyrat e u hodhën baltë. Pushuen mësimet e atdhetarëve mbi bukuritë e Parnasit, qytetnimin klasik, pastërtinë e finesën e kulturës Perendimore të këtij kombi, të porsa dalë nga djepi e përkundë nga zanat e lume. U mbyllën kuvendet, shoqnitë fetare si; “Veprimi katolik”, “Shoqnia Antoniane”, rrethi “Don Bosko”, tue i quejtë organizata politike.
U morën shtypshkrojat e jezuiteve, të françeskanëve, kurse revistat e ndryshme, si: “Kumbona e së diellës”, i ndaluen krejtësisht në dhjetor 1944. Vjetët e mia, tue u largue nga mosha e fëminisë, u mbrujtën me një rini plot dhimbje e urrejtje shejte, pse shihsha një qiell pa dritë, një tokë me gjak, një botë me lufta mizore e vëllavrasëse e, kjo mbrenda shtëpisë që e solli ai, i cili e quejti veten zot të saj: “Enveri i Vangjelit”. Sa herë pata parasysh fjalët e Padër Zefit, që kishte thanë në një predk të shkurtë, në një ditë të muejit të majit, se; “ata vrasin, plaçkisin, dhunojnë, mbysin meshtarë e njerëz gjithfarësh”, tue porositë lutjen që të mos biem në ditët e provave të mëdha, që janë të përzieme fort edhe me ndëshkime e rrjedhime të liga.
Në Liceun e shtetit
(Mars, 1946)
Në ditët e marsit shkuem si të këputun, na nxanësit e shkollës Françeskane e Jezuite, në Liceun e shtetit, që mbante emnin “Atë Gjergj Fishta”. Isha në klasën e shtatë. Për pak ditë u pa të hiqej egërsisht ajo tabelë e gjatë, me emnin e poetit kombëtar, në ballë të shkollës. Këte punë e banë të rijtë e rinisë komuniste të shkollës, ma tepër konviktorë, që përdorshin dhunën kundër bashkënxanësve idealistë e nacionalistë, anmiq të betuem kundër së keqes e të regjimit, që pinë gjak. E u arrijt puna në rrahje, gjakosje e arrestime. Ajo tabelë u shkëput nga njena lidhje e, për ma se dy ditë e lanë ashtu të varun, si mishi në krrabë, derisa u hoq. Edhe pak, mbas atij vjeti, do t’i veheshin hekurat në duer atij që do të fliste mirë për “shovinistin” e rrallë në botë, antisllavin “kanibal”.
Studentat që vijshin nga shkollat e Klerit, kishin një survejim politik. Ishte edhe diretive, të mos trajtoheshin keq. Unë u gjeta në ate shkollë ku isha para disa vjetësh, por jo në atë klasë. I hodha një sy edhe asaj, tue pasë kujtimet e mia. Por tash e ndiejsha veten të fortë. Profesorët ishin gati të gjithë të mirë: ndritshin të gjithë. Shkëlqente profesori i matematikës, Petraq Fundo. Ata më njihshin, se më kishin pa tue shitë meze. Unë shitsha meze dhe mësojsha mirë. Jetojsha me binomin tim; “Mësim e punë”: punë kafshate. Mësimi i letërsisë, që jepej me kulturë të madhe, nga profesori Filip Ndocaj, ishte i bukur. Zhvillonte disa orë të mira, mbi Atë Fishten. Ishte vjeti i fundit, për të folë mirë për atë. Gjatë jetës shkollore, hartimet që jepshin mësuesit e profesorët, pak më tërhiqshin. Një temë mbi stinët e vjetit, rreth sportit, mbi mbjelljet, një temë rreth ndonjë shëtitjeje, i zhvillojsha pa qenë i dalluem.
Ora e filozofisë së Padër Gjonit më pëlqente. Temat e tij, edhe pse të mundshme me u zhvillue, më terhiqshin se më shtijshin ngadalë në botën e mendimeve. Tash në liceun e shtetit i zhvillojsha mirë. Një ditë ata u banë shembull në klasë. Edhe pse nuk më mjaftojshin dy orë për t’i zhvillue e mbeteshin të papërfundueme, profesori nuk më hiqte vërejtje. Kjo do të ishte ma vonë edhe një karakteristikë e imja, për çka do të shkruejsha. Një punim shumë i shkurtë, mund të më zgjaste një javë. Orën e letërsisë, e xente tash për mue, në një farë mënyrë, ajo e filozofisë së Padër Gjonit. Tash nuk jepej ma filozofi, por marksizëm, një orë e dekun, dhanë pa asnjë shije, nga drejtori me epsh materialist, Dhori Samsuri. Ishin ato, arsyetimi se materializmit dialektik, e që kalonte në atë historic, me luftën e masave dhe të proletariatit, kundër borgjezisë.
Nuk ishim mësue, ndigjojshim këso gjanash me të cilat nuk futeshe në botën e naltueme të mendjes, por të atomit e të qelizës. Po të mendohet se gjithçka asht vetëm landë, vetëm materie, atëherë del se jeta nuk kishte për të pasë asnjë veshtrim[1]. Vetëm disa qëllime. Atëherë asht ma mirë të jesh një gur, një copë hekur, bimë, ndoshta edhe një kafshë. Por kurr një njeri. Si asht e mundun që natyra i paska dhanë qenies ma të naltë, vuejtjen e paveshshtrim e, padrejtësinë e përhershme?! Realiteti paska xjerrë kontradiksionin e vet. Absurditet. Asnjë absurditet atëherë ma i madh se tash, të jesh e vonë të mos jesh. Rrnoftë kafsha! Rrnoftë fitorja e thërmiave! Rrnoftë qeliza që na jepka mendimin, ndërgjegjen, vetëdijen, moralin, moral klase, moral gjakderdhjeje.
Me këto mendime, në një mbasdreke të bukur të muejit maj, mora drejtimin kah qela famullitare. Kuvendin e Jezuitëve e kishin mbyllë. Jezuitët italianë, i kishin nisë andej Adriatikut, në atdheun e tyne. Jezuitët shqiptarë, i kishin shpërnda dhe arrestue. Profesori i shquem i filozofisë dhe i teologjisë, Pader Mark Harapi, gjindej në qelë. Kërkova të rrijsha pak me të. E ky Padër, zbriti menjëherë prej dhomës së vet, në dhomën e pritjes ku gjindeshe. Unë flitsha pak. Nuk kisha dyshime, por dojsha me u forcue. E kjo orë me këte Padër të shquem, qe për mue fort e dashun. Padreja fliste qartë e thjeshtë.
Vdekja e Kryeipeshkvit Gaspër Thaçi!
Koha sa vinte e randohej. Çdo ditë bahej ma e vështirë. Përsëri arrestime, pushkatime. Një lajm i randë u dha në shkollë, në atë mbasdite maji. “Kangëtarët që kanë qenë të korit të kishave, le të dalin nga mësimi, kanë prova. Ka vdekë Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi”. Bajmë prova në Kishën Katedrale, nën drejtimin e Prenkë Jakovës. Armonios, i binte Padër Filipi. Një mallëngjim i thellë ndër ne dhe një zymtësi. Ishte dhimbje për vdekjen e Imzotit dhe kujtime, se mbas sa ditësh u mblodhëm edhe një herë e, kjo do të ishte e fundit, për të këndue një meshë funebër dhe “Libëra me Domine”, e Perozit.
Na mësojshim gjuhën latine, megjithëse pak muej na ndanë nga largimi, mund të kujtojshim fjalët; “O tempora, o mores”! Çdo dhimbje ishte e re. Ditën e vorrimit, ne studentave katolikë të Liceut, nuk dojshin të na lejshin të merrshim pjesë në funeral. Por me përjashtim të ndonjenit që nuk shkoi, të gjithë u gjetëm në ceremoninë që po zhvillohej nëpër qytet. Rinia kishte në dorë trupin e Imzotit, por, kah fundi, afër kishës Katedrale, një makinë e madhe kishte xanë rrugën, gjoja si e prishun. U banë përpjekje prej rinisë, për ta lirue.
Qe thanë mesha e përshpirtshme, prej Imzot Frano Gjinit, zv/ Delegat apostolik dhe predku prej Imzot Gjergj Volaj. U mbyll edhe kjo ngjarje, e Shkodra provonte jazin e fortë, të grigjës pa bari. Gjithkund, në Shkodër e Shqipni, kishte një lëvizje të keqe, të frikshme. Populli kishte marrë frikë. Biseda njerëzish njeni me tjetrin, jepshin përshtypje ditësh të rrezikshme. Reaksioni ishte i madh, por njerëzit turbulloheshin. Kishte shumë mendime. Gjakova që rrinte në sipërfaqe të kohës, si një fuçi mbi ujë, si një fuçi rakie, kur ndigjonte tue u ba këso bisedash, thonte: “Nuk e dini ju, çka asht forca e fukarasë”.
Njerëzit kishin shumë kujdes të mos flitshin, pse shteti i ri, kishte fillue punën.
Shumë njerëz kishin pohue, se bota jonë e mbrapambetun, duhej ndërrue. Mbreti Zog, kishte qenë një feudal pak modern. Italia ishte një okupacion shumë modern. Shqipnia e vuejtun dhe e paqetësi, ishte mbushë me mentalitete plot kontradikta. Nga të fillojë puna? Nga nalt apo nga poshtë?! Nga e majta apo, nga e djathta? Nga mbrendë, apo nga jashtë? Cila ide e madhe, do të barazohej me një realitet, që të na jepte bukën e vërtetë, se tryeza do bukë? Oh, kjo buka e përhershme shqiptare! Punë përherë e vështirë dhe me rrezik! Ideja e bukur me pasë të gjithë, hyn me ideale. Por tue qenë se rregullimi qenka vepër sinqeriteti dhe fisnikërie, po të jetë rrezik me u folë fjalë të mëdha, vendin kryesor, e xen gënjeshtra dhe vjedhjet.
Asht interesant, se komunistat kanë fitue se janë puntorë, bajnë punë. Ata merren me të quejtunën masë, depërtojnë kudo, nuk u ikë asnjë njeri, se këta i kanë dhanë në atë të vetën randësi, njeriut të veshun keq, kolibës, se këta u morën me njerëz qe i ka harrue bota, për t’i afrue këta. Revolucionet bahen me të harruemit. Para një pasaniku, një zyrtari, para një mendjemadhi, nuk ka pasë randësi njeriu i thjeshtë, zhelani, njeriu i kolibës. Para një të riu të tillë, ata kanë thanë me përbuzje: “Kush asht ky”?! E me urti me premtime, komunizmi kërkonte t’i bajë për vete. Askush nuk punon me individin ma imtë, se komunizmi. A nuk vërtetohen fjalët e Krishtit, se; “Të bijtë e territ, janë ma të urtë se bijtë e dritës”? Por unë vazhdojsha të shitsha meze.
Shkollimi
Disa muej, mbasi kisha hy në klasën e maturës, u dha një urdhën që mbrenda javës, do të mbylleshin të gjitha pijetoret. Gjithçka punohej me urdhëna të premë. Do të kishte pak pije dhe meze nga shteti, në ‘Kafen e Madhe’ dhe atë ‘Adriatik’. Për pak ditë, na nuk ishim në gjendje, të merrnim bukën në shtëpi. Pata një lodhje dhe rënie shpirtërore. Një mërzi, me shkue deri edhe në shkollë. Nuk muejsha me shkue, nga kjo gjendje e randë. Kërkova të hyja në punë. Drejtori i Liceut, Nesti Havari, një intelektual marksist korçar, më trajtoi mirë. Ai nuk donte të largohesha. “Të kanë mbetë edhe pak muej, – më tha. – Të shtijmë në konvikt. Do të xjerrim edhe bursën, për të vazhdue studimet, ku të dishërojsh, në Bashkimin Sovjetik, Poloni, Hungari. Asht pushtet që ka luftue për të naltue të vobektit, ju, ty”.
Kur më tha këto fjalë, unë pikërisht nuk dojsha. Nuk pranojsha me u ba konviktor, me ato studentë që përdorshin dhunën kundër shokëve të mi të mirë. Jo të ndjek shkollën në vendet socialiste e, sidomos në Bashkimin Sovjetik, qendër e dhunës botnore! Shfaqeshin në mue me të vërtetë ideale. Drejtori, tue pa kambënguljen time, ngarkoi profesorin e kimisë e të fizikës Injac Ndojën, për të kërkue një punë për mue. Profesori më tha; nëse dojsha të punojsha në bankë? Nuk e kisha me dëshirë. “A do të hyjsh në arsim”? më pyeti profesori. “Mirë”, qe fjala ime. Më pëlqente jeta shkollore. Vinte profesori vetë, me mue, në Komitetin Ekzekutiv.
Sekretari i komitetit të qytetit, Fadil Hoxha, një njeri i pashkollë, por i mprehtë, që mbante kokën shtrembtë dhe përgjigjej për gjithçka në kambë, i tha profesorit me turrin e tij të klasës, së vjetit 1947, e që unë ma vonë do t’i jepshe mësim: “Merre me vete qysh tash. Le të jetë Profesor në Lice. Ky ka punue me fitue bukën. Ky asht fukara. Ky ban punë të mirë. Ky asht yni”. E çka nuk foli për mue. Ai ishte gati të më bante ministër. Unë i thashë vetes: “Ku hyna këtu”?! Kjo ngjau para orës dy, një ndër ato ditët e frorit[2] me shi, që herë pushonte herë lëshohej me shtërngatë. Gjithçka shtërngatë. Por së afërmi ishin vetimat e bumbullimat e forta. Shungullonte dhoma edhe nga toni i tij. Memorie.al