Nga DALIP GRECA
Pjesa e parë
Memorie.al / Një mbrëmje të ftohtë të marsit 2014, së bashku me Dr. Skënder Murtezanin, udhëtuam nga Bronxi drejt Baldëin, një qytezë, e vendosur në pjesën jugore të Long Island – ishullit më të populluar në të gjithë Amerikën – i cili për dendësinë e popullsisë, renditet i 17-ti në Botë. Nëse do të ishte shtet Long Island, do të renditej i 13-ti në Amerikë, në SHBA-pas Virginias. Dendësia e popullsisë është 5402 banorë për një milje katrore (2,086 për km2.). Ishulli ka një popullsi prej 7,740, 208 (Sipas statistikave të 2013-ës), ndërsa qyteza e Baldëin, sipas Censusit prill 2010, regjistronte një popullsi prej 23.455 banorë. Baldëin është një njësi banimi që klasifikohet e pasur; të ardhurat mesatare për çdo familje janë $72.456.
Pikërisht këtu është vendosur Dr. Agim Leka me familjen, që në vitin 1960, ku hapi zyrën e tij të shërbimit shëndetësor. Në muzg shtëpia ka një pamje magjike, veçanërisht në lindje dhe perëndim të diellit, tabloja që përfitohet është e rrallë. Qëndrojmë një copë herë duke vëzhguar diellin që po “zhytet” në oqean, ndërsa Dr. Murtezani bën telefonatën e mbërritjes. Dr. Agimi i shoqëruar nga zonja Elisabeth, dalin në paradhomë dhe na presin me përzemërsi shqiptare.
Edhe pse nga shëndeti nuk janë mirë, duken plot gjallëri dhe gëzimi për vizitën, u lexohet ndër sy. Pas përshëndetjeve, Dr. Leka propozon që të shkojmë për darkë në restorantin Oak Schalet, që është jo më larg se 7 minuta prej shtëpisë së tyre. Është një restorant me klientelë të zgjedhur, ku gjithçka të mbetej në mendje, që nga tavolinat me dru lisi, kthinat, dhe gjellët karakteristike të kuzhinës gjermane, e deri tek gjysëm ndriçimi, që krijon një mjedis romantik.
Biseda nis që aty dhe Dr. Agimi, kujton rininë, luftën, shkollimin të shtrirë në shumë shtete, ardhjen në Amerikë, studimet universitare, praktikën mjekësore, specializimin, njohjen me bashkëshorten Elizabeth, punën studimore, shërbimin ndaj komunitetit shqiptar, pa harruar veprimtarinë e tij në mjekimin e plagëve të Kombit, artikujt në The New York Times… dhe këtë shërbim e ka nisur që në rininë e tij…! Shqetësimi për plagët e Kombit ka qenë pjesë e vetëdijes së tij kombëtare.
Vonë kthehemi sërish në shtëpinë e Dr. Lekës dhe vazhdojmë aty bisedën e nisur në restorant Oak Schalet. Zonja Elizbeth duket pak e lodhur, por fisnikëria nuk e lejon që të largohet. Ulet në një nga kolltukët dhe e ndjek bisedën tonë. Dr. Agim Leka ka se çfarë tregon nga jeta e tij 90 vjeçare, e cila që në rini është e mbushur përplot me ngjarje, ku ai ka qenë protagonist. Na tregon se ka qenë me fat për trashëgiminë familjare dhe për shkollimin, që e ka kryer në shkollat më të mira të kohës.
Edukata familjare la gjurmë tek Dr. Agim Leka dhe i përcaktoi orientimin kombëtar. Shërbimin ndaj Kombit, ai e ka konsideruar detyrë, si testament i trashëguar nga gjyshi; Ibrahim Leka Borshi, i cili pat kryer detyrën e Qark/komandantit të Beratit dhe Lushnjës, dhe gjyshi tjetër Nebi Sefa. Ende sot rrëfehen shërbimet e gjyshit të tij atdhetar, i cili shpëtoi Ismail bej Qemalin, nga arrestimi, duke e udhëhequr drejt Vlorës përmes Myzeqesë.
Po ashtu ai krenohet me gjyshin nga nëna, Nebi Sefa, i cili ishte delegat i Lushnjës në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë në 28 nëntor 1912 dhe nënshkrues i aktit historik, si dhe kontribues kryesor në Kongresin Kombëtar të Lushnjës në 1920-ën. Po nuk kishte se si të mos ndikonte tek ai dhe babai, një intelektual i spikatur i kohës së tij. Juristi Rakip Leka dha një kontribut të vlefshëm profesional në shtetin e pavarur shqiptar, duke shërbyer në poste të larta në Ministrinë e Drejtësisë.
Dr. Leka, thotë se i është mirënjohës babait të tij, që i shpjegoi me detaje vuajtjet e popullit kosovar nën Serbi, vuajtje që ngjanin si dy pika ujë me vuajtjet e shqiptarëve të Jugut nga represioni dhe masakrat greke. Babai i Dr. Agimit, Rakip Leka, e kishte përjetuar në moshën 16 vjeçare, djegien e fshatit të tij, Borsh, nga andartët grekë. Rrëfimet e të atit i dhanë kahje nacionaliste vetëdijes së tij.
Dr. Agim Leka na tregon se ishte me fat që njohu apostullin e shqiptarizmës, Mit’hat Bej Frashërin, me të cilin i pat nisur takimet në librarinë e tij në Tiranë dhe mbeti një nxënës i zellshëm i ideve të tij. Në edukimin e tij nacionalist, lanë gjurmë edhe Prof. Vasil Andoni, Prof. Abaz Ermenji dhe nacionalistë të tjerë.
NË RRUGËT E LUFTËS DHE TË JETËS
Dr. Leka nuk e ka të vështirë ta kthejë pas “shiritin” e kujtesës. Ai kujton se pushtimi fashist i Shqipërisë, e gjeti në radhët e demonstruesve në Korçë, ku kryente studimet në Lice. Organizimi i Batalionit të Liceut të Korçës, në mars 1939, e gjeti në radhët e tij, si luftëtar, nën komandën e Prof. Abaz Ermenji. Ishte më i riu i batalionit, vetëm 15 vjeç. Në pranverën e vitit 1943, ai është në radhët e luftëtarëve të ‘Ballit’ nën komandën e Abaz Ermenjit, në Skrapar. Atje pati rastin të takohej me udhëheqësin e misionit anglez në Shqipëri, kolonel McLean.
Po atë pranverë, Agim Leka është pjesëmarrës-vëzhgues, në Kongresin e ‘Ballit’ në Berat. (Dy nga fotografitë e kësaj pjesëmarrje, janë botuar nga publicisti Ylli Polovina në Gazetën Illyria në New York). I riu Agim Leka, pati fatin që të ishte në Konferencën e Mukjes, ku komunistët e prishën marrëveshjen e nënshkruar, (nga diktati i Jugosllavëve), sepse në të njihej e drejta e vetëvendosjes për Kosovën, trevat e tjera etnike në Maqedoni e Mal të Zi si dhe Çamërinë shqiptare, sipas Kartës së Atlantikut. Dr. Leka, kujton se me 28 nëntor 1943, me një grup djelmoshash të Ballit Kombëtar, realizuan një takim me heroin e 7 prillit 1939, Abaz Kupin.
“Aty, – thotë Dr. Leka, – mbajta një fjalë të zjarrtë ku kërkova bashkimin e ballistëve me Legalistët”. Fati e deshi, – thotë Dr. Leka, – që me 9 janar 1976, heroi i 7 prillit, Abaz Kupi, ndërroi jetë nën përkujdesjet e tij mjekësore, pas një operacioni të rëndë në spitalin Mercy Medical Center në Rockeville Center, New York. – “Fati ka qenë me mua, – thotë Dr. Leka. – U largova nga Shqipëria pa mbaruar lufta. Me 2 maj 1944, së bashku me 100 studentë shqiptarë, duke qenë se lufta i kishte ndërprerë shkollat në Shqipëri, udhëtuam drejt Vjenës për të vazhduar studimet.”
Pas një viti ai përfundoi me sukses studimet në Gjimnazin e Salzburgut. Diploma e Salzburgut i dha mundësi që të regjistrohej në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Nga ajo kohë ruan një kujtim; ishte ndalur në Milano, para se të shkonte në Romë. Në Milano ai ishte pjesëmarrës i rastësishëm në një manifestim popullor në Piazzale Loreto, ku ishin varur nga partizanët italianë, trupat e udhëheqësit fashist, Benito Musolini dhe së dashurës së tij, Clara Petacci. – “Më bëri përshtypje, thotë Dr. Leka – se si ai popull që kishte thirrur për vite me radhë; ‘Rroftë Duçja’ tash qëllonte kufomat me zemërim! Turmat entuziazmohen, manipulohen, zemërohen…!
SHKOLLIMI- NGA KORÇA E TIRANA, NË FIRENCE, SALZBURG, ROMË, NEW YORK…!
Shkollimi i Dr. Agim Leka, u bë në shkollat më të njohura të vendit dhe jashtë tij. Për shkak të luftës, atij iu desh që të arsimohej në disa shkolla. Filloi në Liceun Francez të Korçës, më i miri në vend. Për katër vite studioi aty Dr. Leka dhe më pas u zhvendos në Liceun “Francesco Krispi”, në Tiranë, për t’u zhvendosur më pas në Liceun “Cicognini” në Firenze të Italisë. Maturën do ta kurorëzonte në Salzburg të Austrisë.
Studimet universitare Dr. Leka i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e njohur “La sapienza” të Romës, ku u diplomua si mjek kirurg, më 1953. Pas diplomimit ai vjen në SHBA-ës për të kryer intership në Jersey City, në New Jersey. Beteja për studimet mjekësor, nuk kishte mbaruar ende. Ai vazhdoi specializimin në Universitetin e New York-ut dhe në “Graduate School” të Universitetit të Pensilvanisë, ku u specializua për sëmundjet e brendshme, me përqendrim të posaçëm në Kardiologji. Ky specializim i mori Dr. Agim Lekës, jo pak, por pesë vjet, nga viti 1953, deri në vitin 1958.
NGA KENTUCKY NË NEW YORK
Pas specializimit, në qershor të vitit 1958, Dr. Agim Leka u emërua specialist internist, në spitalin e veteranëve në Louisville, Kentucky, spital i Qeverisë amerikane. Po ashtu ai ishte në të njëjtën kohë dhe pedagog në Universitetin e Lousville, Shkollë e Mjekësisë. Përvoja dyvjeçare që fitoi në Kentucky, ishte me vlerë. Pas dy vjetësh, ai u kthye në New York. Dr. Leka nuk e harron datën 1 korrik 1960. Ajo ishte një ditë e veçantë sepse, pikërisht me 1 korrik, hapi zyrën e tij mjekësore në Baldëin në Long Island, New York.
Dalëngadalë qyteza e vogël u bë pjesë e jetës së tij, ndërsa ai një mjek i papërtuar, që ishte përherë pranë pacientëve të tij. Kalendari kronologjik i shërbimeve të tij mjekësore, është i pasur me data e kontribute. Në vitin 1978 Dr. Leka emërohet Instruktor i Mjekësisë së Brendshme, në Stony Brook University në Long Island. Ky është një ndër universitetet e njohura në fushën hulumtimit publik, edhe pse është relativisht i ri, renditet ndër më të njohurit në Amerikën e Veriut. Kontributi i Dr. Agim Lekës edhe në këtë institucion ishte me vlera.
Në vitin 1994, Dr. Agim Leka u emërua asistent – profesor i sëmundjeve parandaluese, në New York Medical College në Valhalla, NY. Këtë pozitë ai do ta mbante deri në 31 Dhjetor 2002, kur për arsye të moshës, e mbylli veprimtarinë akademike, për ta vazhduar ende atë profesionale. Shërbimet e Dr. Agim Lekës, janë me vlerë. Ai ishte anëtar i Komitetit Edukativ i “Mercy Medical Centre” në Rockville Centre, NY. Në atë kohë, Dr. Leka kreu një shërbim me vlerë për komunitetin. Arriti që të ndërlidhte Universitetin e Harvardit në Boston, me Mercy Medical Centre në Long Island. Kjo u bë për të parën herë dhe tërhoqi vëmendjen e medias.
– “Kjo, – thotë Dr. Leka, – ishte e para dhe e vetmja lidhje që Universiteti i famshëm i Harvardit, realizonte me një institut jashtë Bostonit. Ardhja e profesorëve të Harvardit në Long Island bëri përshtypje të madhe dhe solli një përvojë të çmuar. Zbulimet e fundit të shkencëtarëve të arritura në Universitetin e famshëm të Harvardit u publikuan nga profesorët në konferencat e Harvardit në Long Island”.
Kjo ngjarje nuk i shpëtoi as gazetës The New York Times, e cila në numrin e saj të 26 prillit 1975, shkroi: “Bashkëshoqërimi i Harvardit me Mercy Hospital, një nga katër spitalet Dioqezës të Rockville Centre, që përmbledh tërë rajonin e Long Island-it, u krye prej Dr. Agim Lekës nga Baldëin, anëtar i Komitetit Edukativ. Dr. Agim Leka, tha se pasi ka frekuentuar kurse në shkollën mjekësore të Harvardit, ai pa nevojën për ta prurë atë program, afër vendit ku jeton dhe të lidhur me vendin e punës…”!
NË SHËRBIM TË KOMUNITETIT SHQIPTAR
Dr. Agim Leka është i njohur për shumë familje shqiptare në shtetin e New York-ut. I janë mirënjohës doktorit, veçanërisht shqiptarët e porsaardhur në Amerikë, të cilët për shkak të gjuhës, i trokisnin shpesh në derë doktorit. Dr. Leka, na tregon se, veprimtaria e tij humanitare mjekësore për një gjysëm shekulli të ushtrimit të profesionit, u shërbeu pacientëve të shtresave të ndryshme shoqërore, që nga diplomatët, ministra të qeverive shqiptare postkomuniste të ardhur këtu për mjekime e ekzaminime, nacionalistë të ikur nga Shqipëria pas luftës së Dytë Botërore, Heroi Kombëtar antifashist Abaz Kupi, shqiptarëve nga Kosova dhe viseve të tjera etnike, që vuajtën nën gjenocidin e sllavëve, si dhe ish të përndjekurit e burgjeve të diktaturës komuniste, që erdhën pas vitit 1990, në Amerikë.
Janë të shumtë emigrantët që kanë marrë shërbimin dhe këshillat e tij mjekësore. Dr. Leka, me zërin e tij të butë, me zemrën plot dashuri e atdhetarizëm, thotë se si mjek, si shqiptar, u ka shtrirë dorën dhe u ka shërbyer me zemër, të gjithë shqiptarëve që i kanë trokit në derë. Shërbimi i tij në ndihmë të komunitetit shqiptar nisi që në vitin 1960, kur hapi zyrën në Baldëin. Dr. Leka i ka shërbyer falas komunitetit shqiptar me vizita, vaksina e shërbime të tjera.
Ja se çfarë i ka deklaruar ai Revistës “Jeta Katolike” të majit 1972, kur përshkruan përvojën e tij me fëmijët shqiptarë gjatë vaksinimit, të mbledhur në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë: “Rrallëherë e kam ndjerë veten time aq të kënaqur me ushtrimin e profesionit, se sa kur, pa asnjë interes lëndor, i jap ndihmën time mjekësore, bashkësisë shqiptare, popullit tim, që ka nevojë, dhe që është pjesë e pandarë e racës sonë…”!
Por në tërësi, Komuniteti Shqiptar, e ka prekur shumë herë kontributin e Dr. Lekës. Ai ka kryer shërbime të vlefshme për komunitetin. Dr. Leka për të ndihmuar bashkësinë shqiptare të New York-ut me rrethe, siguroi ndërlidhjen me Qendrën Mjekësore ”Our Lady of Mercy Medical Centre”, në Bronx dhe shkollën mjekësore “New York Medical College”, në Valhalla, në Westchester County; krijoi “Qendrën Mjekësore Shqiptare”, me 3 qershor 1994. Kjo Qendër u përurua nga klerikët e të tri feve, nga diplomatët shqiptarë në Kombet e Bashkuara dhe nga përfaqësues të politikës amerikane.
Me këtë rast, kongresmeni demokrat, Eliot Engel, i dha Dr. Lekës një çmim të veçantë. Pllaka me këtë çmim u lexua nga Kongresmeni Engel edhe në Kongresin Amerikan, me 26 maj 1994. Në çmim evidentohet roli kryesor që dha Dr. Leka në krijimin e “Qendrës Shqiptare të Shëndetit”. Edhe kjo ngjarje nuk kaloi pa u pasqyruar në shtypin e kohës. Gazeta “The Bronx Times Reporter” e 9 qershorit 1994, Studio TV Victoria dhe gazeta ‘ILLYRIA’ i kushtuan shkrime dhe kronika televizive kësaj ngjarje.
Dr. Agim Leka, vazhdoi për 12 vjet të punonte me përkushtim në shërbim të bashkësisë shqiptare në Bronx, duke kryer vizita dy herë në javë në klinikën e hapur në Bronx, përveç asaj në Baldëin. Për arsye të moshës, me 31 dhjetor 2006, ai e kishte të vështirë të udhëtonte nga Long Island në Bronx. Një vit më vonë, me 30 qershor 2007, po për arsye të moshës, Dr. Leka do të mbyllte veprimtarinë aktive edhe në zyrën ku shërbeu për gati 50 vite, në Baldëin. Ishte 83 vjeç, një jetë të tërë në roje të shëndetit të qytetarëve.
Dr. Leka i ka shërbyer komunitetit shqiptar edhe në fusha të tjera, përveç mjekësisë. Në shtator të vitit 1967, Dr. Leka me bashkëshorten Elizabeth, profesoreshë e gjuhëve të huaja, dhe një grup edukatorësh shqiptarë, të devotshëm në përkushtim Kombëtar, hapën shkollën shqipe të Qendrës Shqiptare në Woodhaven, Jamica, New York. Dr. Leka drejtonte funksionimin administrativ të shkollës, ndërsa zonja e tij, Elizabeth, drejtonte anën akademike.
Çifti Leka pati fat se në këtë nismë iu bashkuan edhe Prof. Sami dhe Diana Repishti, që të dy profesorë të njohur dhe të regjistruar në Shtetin e New York-ut. Elizabeth Leka, çifti Repishti, Dr. Ramazan Turdiu, Nesti Andrea, morën përsipër mësimin e gjuhës shqipe dhe historisë shqiptare, Dr. Leka mori përsipër mësimin e shqipes në klasën e më të rriturve. Në këtë nismë kontribuuan edhe: Albert dhe Joan Fundo, zonja Mini Domni dhe të tjera zonja kontribuuan për mësimin e valleve dhe këngëve shqiptare. Qyteti i New York-ut vuri në dispozicion të bashkësisë shqiptare, shkollën publike nr. 60 në Woodhaven, Jmaica, NY. Shkolla shqipe ishte e ndarë në pesë klasa nga 5 vjeç deri në 16 vjeç. Shkollën e frekuentuan 80 nxënës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm