Nga Islam Spahiu
Pjesa e dytë
-DY ANËT E NJË MEDALJEJE –
Memorie.al / Në datën 22 gusht 2016, një e gazetë përditshme, ka botuar një polemikë mes z. Shaqir Vukaj dhe z. Hamza Kazazi, me rastin e 73-vjetorit të Luftës së Reçit. Me këtë rast, i pari mbron tezën e komunistëve shqiptarë, ndërsa i dyti, të kundërtën e saj. Do të ishte shumë i dobishëm për historiografinë shqiptare, një debat i tillë, kur kemi parasysh që rrahja e mendimeve, çon në përfundime të drejta, por kur sheh që secila palë shikon vetëm njërën anë të çështjes, atëherë këtu kemi të bëjmë me atë dukuri, që me shprehjen popullore quhet; “njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit”. Për të shmangur këtë mosmarrëveshje, jam i mendimit që në këtë debat të marrin pjesë të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë okularë në ngjarjet historike, dhe që kanë argumente dhe fakte që vënë pikën mbi “i”.
KËSHILLI I LARTË I REGJENCËS NË SHQIPËRI (1943-1944)
Ishte organ i lartë i pushtetit, i organizuar nga nacionalistët shqiptarë pas kapitullimit të Italisë fashiste (1943). Kuvendi Kombëtar, zgjodhi Këshillin e Lartë, të përbërë nga 4 veta, që duhet të kryesonin me radhë, për 3 muaj secili. Këshilli i Lartë ishte kryetar i shtetit, kishte Komandën e Përgjithshme të Forcave të Armatosura, emëronte nëpunësit e lartë, nxirrte dekretet dhe rregulloret e nevojshme, për zbatimin e ligjeve. Të gjitha atributet e tjera që, sipas statusit zogist, të vitit 1928, i takonin Mbretit, ushtroheshin nga Këshilli i Lartë, përveç atyre që nuk pajtoheshin me karakterin e këtij institucioni.
Ky këshill u kryesua gjatë gjithë kohës së ekzistencës së tij, nga Mehdi Frashëri. Ishte pra shtet shqiptar, i pavarur. Komandanti i ushtrive gjermane, me anë të një proklamate, shpalli botërisht: “Mbi ardhmërinë politike dhe shtetërore të vendit, do të vendosë vetë populli shqiptar. Gjermania nuk do kurrgjë nga Shqipëria”! E më tej: “Ne gjermanët, jemi miqtë tuaj më të mirë e, më të sinqertë. Mos na merrni edhe ne për italianë! Kujtoni se zmadhimin e Shqipërisë suaj, me krahinat më pjellore, e keni fituar në vitin 1941, me anën e armëve tona”.
E si përfundim: “Ne, nga Atdheu juaj, do largohemi kryekëput, me të përfunduar lufta, me triumfin tonë”. – Besojmë që nuk ka fakt më të qartë, që vërteton se ushtria gjermane, nuk ishte pushtuese në Shqipëri; prezenca e saj në vendin tonë, ishte për qëllime taktike e strategjike, që karakterizonin Luftën e Dytë Botërore: Duhej ndaluar rreziku i zbarkimit të Aleatëve në bregdetin Adriatik. Ja e gjitha…!
“LIMBO”, APO “SHKOLLA E ATHINËS” SHQIPTARE?!
Një fotografi shumë interesante që botonte një përditshme shqiptare e datës 23 gusht, na frymëzon e na jep rastin, t’i nxjerrim në pah e t’i shqyrtojmë figurat kryesore të Regjencës (1943), që paraqiten aty. Duke e parë atë fotografi – madhështore do ta quaja unë – më shkoi mendja te LIMBO e “Komedisë Hyjnore”, ku Dante paraqet njerëzit më të mëdhenj të lashtësisë, duke i përshkruar një nga një, sipas emrave të lavdishëm të tyre.
Dhe, ana-logjikisht me këtë, sikur më doli parasysh tabloja e famshme e piktorit gjenial të Rilindjes Italiane, Rafaelos, ku gjithashtu janë paraqitur figurat më të lavdishme të lashtësisë, kuadër ky i titulluar; “Shkolla e Athinës”. Sigurisht nuk mund të ndalemi këtu, në një analizë të hollësishme, sepse është një temë më vete, që kërkon vend e kohë tjetër. Por neve na shërben ky shembull, për të shtjelluar shqyrtimin e figurave të veçanta të kombit tonë të cilat, për nga rëndësia historike, nuk ua lënë gjë mangët, figurave të mëdha të lashtësisë, që janë paraqitur në “Limbon” e Dantes, apo në “Shkollën e Athinës”, të Rafaelos.
Pra, le të jemi kurajozë e të marrim nismën për të hedhur dritën e së vërtetës, mbi një realitet të anatemuar. Le t’i nxjerrim në dritë ata burra që shkëlqyen për një kohë të shkurtër, si qiriu, i cili, para se të shkrihet krejtësisht, për një çast lëshon një shkrepje flake më të madhe, e pastaj fiket. T’ua bëjmë pra një nderim këtyre heronjve; atyre që shkrinë veten, për hir të Atdheut. E, duke e mbajtur para fotografinë madhështore, ku radhiten këta kreshnikë të denjë për epikën tonë, le t’i marrim me radhë, nga e majta në të djathtë:
Fuat Dibra
Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare për pavarësi. Më 1909, Fuat Dibra ishte organizator i Kuvendit të Dibrës, më 1919, kontribuoi për shpenzimet e qëndrimit të delegacionit shqiptar, në Konferencën e Paqes – Paris, për 17 muaj. Ndërkohë, vetë ishte përfaqësues i Kolonisë Shqiptare të Stambollit, në atë Konferencë. Më 5 prill 1920, së bashku me Pandeli Evangjelin, ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, të emëruar nga Këshilli Kombëtar. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, u emërua ministër i Ekonomisë Shqiptare, më 3 dhjetor 1941, por ai dha dorëheqjen, më 12 janar 1942.
Më 18 prill 1942, u emërua anëtar i Këshillit t’Epërm Fashist Korporativ, por edhe atë post, Fuat Dibra nuk e pranoi dhe nuk e bëri betimin ritual, çka solli shkarkimin e tij, më 9 qershor 1942. Në nëntor po të këtij viti, ai ishte një nga themeluesit e ‘Ballit Kombëtar’. Më 25 tetor 1943, u mblodh Kuvendi Kombëtar, ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë. Për shkak të sëmundjes, ai nuk e ushtroi thuajse fare atë detyrë. Vdiq në Tiranë, në muajin shkurt 1944 dhe u varros me nderime të posaçme.
Mihal Zallari
Lindi në Frashër të Kolonjës në vitin 1894, në familjen e Zallarëve. Kreu në Stamboll liceun gjerman; më vonë kreu studimet në Grac të Austrisë. Ndërkohë, familja e prindërve të tij, në vitet 1920-1924, mbajti qëndrimin politik, në krah të Fan Nolit. Pas kthimit nga studimet, ai ushtroi kapacitetin e tij dhe energjitë, në punë të ndryshme shoqërore, ose zyrtare.
Veç tjerash, ai u emërua në Shkollën Mbretërore të Oficerëve, ku jepte lëndën e historisë së artit. Në shkollat e tjera, ka dhënë lëndën e matematikës. U dha edhe pas publicistikës, shkroi me nivel të lartë në gazetat “Demokracia”, “Besa”, etj. Vazhdoi në vitet 1939-1944, duke shkruar në gazetat “Kombi”, “Bashkimi” etj…!
Pas kapitullimit të Italisë (shtator 1943), Mihali u thërrit në Komitetin Provizor, që kishte atributet e qeverisë dhe, më pas, në zgjedhjen e Asamblesë që kishte funksionet e Parlamentit, ku u zgjodh kryetar i saj. Në këtë detyrë, ai qëndroi deri në tetorin e 1944 dhe kur forcat gjermane po largoheshin nga Shqipëria, i ofruan mundësinë për ta çuar në Gjermani, por nuk pranoi.
Me ardhjen e komunistëve në fuqi, Mihali qe ndër ata personalitete, të cilët u nxorën para “Gjyqit Special”, i akuzuar si “armik i popullit”. U dënua me 30 vjet burg, pas një gjyqi konfuz. U lirua me 28 prill 1962, pasi kishte kryer shumicën e dënimit, në burgun e Burrelit. U vendos në Tiranë, ku punoi për ca kohë në ndërmarrjen botuese të kryeqytetit. Vdiq më 17 mars 1976.
Mehdi Frashëri, (1872-1963)
Kryeministër i Shqipërisë (1935-1936), funksionar i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, kurse në shtetin shqiptar, veprimtar politik. Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Durrësit, (1918), deputet në parlamentin e parë shqiptar (1921-1923), ministër i Punëve Botore (1921), ministër i Bujqësisë (1930). Përfaqësues i Shqipërisë, në Lidhjen e Kombeve (1934-1937). Kryetar i Këshillit të Shtetit (1929), kryeministër (1935-1936). Në këtë kohë qeveria e tij, arriti të kapërcejë krizën në marrëdhëniet italo-shqiptare.
Dënoi botërisht pushtimin italian të vendit tonë. Fashistët e internuan në Romë. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët e kthyen në atdhe dhe në tetor të 1943, u caktua në krye të Regjencës. Në atë post, qëndroi deri në fund, megjithëse drejtimi i Regjencës, parashikohej me rotacion. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, u largua nga Shqipëria. Ka shkruar një varg studimesh me karakter historik e politik, të botuara në organe të ndryshme të shtypit. Vepra më e rëndësishme, është ‘Historia e lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve’. Vdiq në Romë, më 1963.
Patër Anton Harapi (1888-1946)
Klerik dhe veprimtar politik. Lindi në Shirokë të Shkodrës. Studioi në Hungari për teologji dhe filozofi. Më 1910, mësues në Kolegjin e Fretërve (Shkodër), më pas shërbeu në Malësinë e Madhe si famullitar (1918-1919). Më 1925, botoi librin e parë nga fusha e pedagogjisë, me titull: ‘Edukata ose mirërritja e fëmijëve’, një përshtatje e parimeve të pedagogjisë botërore për fëmijët shqiptarë. Në vitet 1921-1924, mori pjesë në veprimtari politike. Ishte një nga drejtuesit e organizatës “Ora e Maleve”, dhe drejtor i gazetës, me të njëjtin emër.
Bënte pjesë në krahun e opozitës demokratike (1923-1944); u arrestua dhe u burgos disa herë. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u bë anëtar i Asamblesë Kushtetuese (1939). Në vitet 1941-1943, mori drejtimin e Kuvendit Françeskan, në periudhën e sundimit gjerman (1943-1944), u zgjodh anëtar i Këshillit të Regjencës. Pas mbarimit të Luftës, u arrestua dhe u dënua me vdekje, nga një “Gjyq Special”, i akuzuar si; “armik i popullit e bashkëpunëtor i fashizmit” dhe u pushkatua. Varri i tij, si i të gjithë tjerëve si ai, nuk ekziston.
Rexhep Mitrovica (1888-1967)
Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare për pavarësi, intelektual i spikatur, kryeministër në periudhën e okupimit gjerman. Lindi në Mitrovicë. Kreu shkollën e mesme ‘Idadie’ në Shkup (1916-1920), dhe ndoqi studimet për shkencat pedagogjike, në Vjenë. Bashkëpunoi për mbajtjen e Kongresit të Manastirit dhe për jetësimin e alfabetit latin të tij.
Mori pjesë si delegat i Pejës, në Kuvendin e Vlorës, që shpalli pavarësinë më 1912 dhe ishte njëri nga firmëtarët e deklaratës së pavarësisë. Ishte një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (Durrës 1914); anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”; ministër Arsimi në Shqipëri (24.12.1921-25.02.1924).
Rexhep Mitrovica punoi për kombëtarizimin dhe demokratizimin e sistemit arsimor shqiptar, për ngritjen e nivelit profesional të shkollës shqipe dhe ndihmoi arsimin shqip ilegal në Kosovë. Përkrahu ‘Revolucionin Demokratik të Qershorit’ 1924 dhe pas shtypjes së tij, u largua nga vendi. Kryesonte ‘Grupin e Parisit’ të mërgimtarëve shqiptarë antizogistë.
Gjatë Luftës II-të Botërore, ishte anëtar i Këshillit të Shtetit Shqiptar (1941-1943) dhe komandant i forcave vullnetare shqiptare në Kosovë (1942-1943). U arrestua dhe u burgos nga italianët (1943). Me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u zgjodh kryetar i saj. Qe kryeministër i Shqipërisë, në periudhën 1943-1944. Në prag të ardhjes komunistëve në fuqi, u largua nga Atdheu. Vdiq në Stamboll (1960).
Vehbi Frashëri
Me 5 nëntor 1943, u krijua qeveria me kryeministër Rexhep Mitrovicën. Posti i Ministrit të Punëve të Jashtme, iu ngarkua z. Mehmet Konica, ndërsa ai i nënministrit të kësaj ministrie, iu ngarkua z. Vehbi Frashëri. Z. Mehmet Konica, nuk mori pjesë në betimin e kabinetit të ri qeveritar dhe nuk e ushtroi këtë detyrë, deri më 1944, kur ministër i Punëve të Jashtme, emërohet z. Bahri Omari.
Gjatë kësaj kohe z. Rexhep Mitrovica, kryetar i kabinetit qeveritar, pat ushtruar edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Me 17 korrik, posti i ministrit të Punëve të Jashtme, i kaloi z. Ekrem Vlora.
EPILOG
Duke besuar që me analizën e mësipërme, del qartë e vërteta e madhe e historisë sonë moderne, do të nxjerrim edhe përfundimin. Si realistë, pa iluzione, ne dimë, që mjerisht e vërteta është e pabesueshme; ndërsa gënjeshtra, po.
Arsyeja është sepse e vërteta, nuk e përfill dëshirën, në një kohë që gënjeshtra, ndërtohet pikërisht duke u bazuar tek ajo. Veçse kjo dukuri, është e përkohshme: “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. E mbi të gjitha del që; nuk kanë vlerë fjalët por veprat. “Ne jemi: veprat tona”! (Jan Paul Sartre).
E në qoftë se është kështu, personalitetet që shqyrtuam më lart, me vepra e jo me fjalë, treguan se ç’qenë, se ç’ishte sakrifica për Atdheun. Të tillë, nuk qenë vetëm ata që paraqitëm në “Limbo”, apo në “Shkollën e Athinës Shqiptare”. Pati kolosë të tjerë si ata; vetëm emri është lavdia e tyre.
Këtu kemi të bëjmë p.sh. me një vigan të letrave shqipe, Ernest Koliqin, pa rival në gjininë e novelës shqiptare; pra, një kulm që nuk e arritën dot disa shkrimtarë “oborri”. E ky apogje patriotizmi dhe kulture, shfrytëzoi talentin bashkuar me fuqinë shtetërore evropiane, për të çuar, si i thonë, ujin në mullirin kombëtar; e ia arriti shkëlqyeshëm.
Ernest Koliqi. Si ministër Arsimi, ai dërgoi 200 arsimtarët më të kualifikuar, në trojet e Shqipërisë së liruar, si; Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi. Kosova e sotme, i detyrohet shumë; ai e bëri atë të “flasë shqip”. “Dhe ai më i bukuri pallac, i ka të fshehur në tokë gurët, mbi të cilët u mbështet e u rrit” (Konica).
Mjerisht, në përgjithësi, kosovarët e sotëm, ende nuk e dinë këtë; është e trishtueshme t’i shohësh disa prej tyre, të vinë e të vënë kurora lulesh në varrin e diktatorit Enver Hoxha, pikërisht t’ atij që përjetësoi sundimin e huaj mbi ta. Por, ne gjithnjë besojmë, se do të vijë dita, kur ata t’i njohin shpëtimtarët e tyre të vërtetë.
Ata do t’u ngrenë monumente e shtatore, do t’u vënë emrat e tyre, shesheve e rrugëve më të bukura që kanë. Krahas me Koliqin, kemi një tjetër vigan: kryeministrin “kuisling”, Mustafa Kruja. Edhe ky bashkonte në vetvete talentin e madh kulturor, si gjuhëtar i pashoq, me atdhedashurinë më të flaktë. Ai pati kurajën të heqë nga flamuri ynë kombëtar, “fashot e liktorit”, të vëna nga pushtuesit.
Kjo gjë nuk ndodhi në flamurin italian; Musolini nuk reagoi fare. Një tjetër rast i përket albanologut të famshëm me origjinë hebreje, Norbert Jokli. Regjimi nazist, në një nga pikat kryesore të programit, kishte shfarosjen e hebrenjve. Me këtë rast, Jokli ishte arrestuar dhe do të depërtohej në kampet e përqendrimit.
Sapo mori vesh lajmin, kryeministri Mustafa Kruja, i drejtohet personalisht me radiogram Adolf Hitlerit, duke i kërkuar faljen e Joklit, për hir të popullit shqiptar, të cilit i ka shërbyer aq shumë. Për habinë e të gjithëve, Hitleri dha urdhër të lirohet, po mjerisht, ai kish ndërruar jetë (u hodh nga treni), pak minuta më parë.
Ka dhe tjera figura të mëdha, që nuk i kanë munguar Shqipërisë, të cilat nuk mjafton t’i përmendësh, siç po bëjmë këtu; duhen monografi nga penda dinjitoze. E kështu, për të përfunduar, ‘Limbos’ dhe ‘Shkollës Athinës Shqiptare’, do t’u shtohen hapësira të tjera, gjersa të ndërtohet e të ngrihet Panteoni Kombëtar, që u ka borxh Atdheu. Memorie.al