Nga Reshat KRIPA
Pjesa e nëntë
Memorie.al / Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.
Jehona e pëshpëritjeve arriti deri në organet e larta të pushtetit. Filloi një odise e gjatë ndërhyrjesh dhe kërcënimesh në adresë të kryetarit të familjes Spaho. Sinjalin e parë e dha drejtori i shkollës ku punonte Hektori. Ai filloi t’i argumentonte se kjo lidhje do të kishte pasoja të paparashikuara për familjen e tij. Hektori e dëgjoi me vëmendje dhe, kur ai përfundoi ligjëratën i tha:
– “Shoku drejtor, ju dëgjova me kujdes dhe ju falënderoj për këshillat e sinqerta. – Kemi më shumë se dhjetë vjet që punojmë bashkë dhe gjithmonë jemi kuptuar shumë mirë pa krijuar asnjë problem. Unë dua të jem i sinqertë me ju. Ishte vetë vajza ajo që e bëri fakt të kryer këtë lidhje. Unë u vura para faktit të kryer. Në fillim edhe unë hezitova, por këmbëngulja e saj më theu.
E diskutova me ditë të tëra këtë çështje me veten time, por së fundi triumfoi logjika, se përse duhet të paguante djali gjynahet e të atit?! Në të vërtetë, pavarësisht nga biografia e prindit, dhëndri im është një djalë i përsosur, një inteligjent, që vetëm konditat politike nuk e lejuan të vazhdonte studimet e larta dhe të bëhej dikush. Nisur nga ky arsyetim, pranova bashkimin e tyre. Tani dua t’ju pyes dhe dua një përgjigje të sinqertë: A kam vepruar drejt”?
Drejtori nuk u përgjigj menjëherë. U mendua për disa çaste. Së fundi i tha:
– “Ti më fole me sinqeritet dhe unë do të përgjigjem me të njëjtën mënyrë. Parimisht keni plotësisht të drejtë, por kushtet në të cilat jetojmë, janë në kundërshtim me këto parime…! Ndaj nuk kam se çfarë t’ju them. Fati ju ndihmoftë”!
Ndërhyrja e dytë ishte e shefit të seksionit të arsimit pranë Komitetit Ekzekutiv të qytetit. Këtu kërcënimi ishte më i hapur dhe përgjigjet e Hektorit, në ndryshim me ato me kolegun e tij, ishin më lakonike.
– “Unë di – foli Hektori – se partia dhe pushteti, nuk dënojnë djalin për fajet e të atit. Ata u dashuruan dhe unë e quajta të arsyeshëm bashkimin e tyre, ndaj nuk pata kurajo ta kundërshtoj”.
– “Ndërsa unë do t’ju paralajmëroj, se duhet të përgatiteni për të përballuar pasojat”.
Çështja u diskutua edhe në Degën e Punëve të Brendshme. Në fund lajmi arriti deri tek dajua i vajzës, Resuli. Ai, sa mori lajmin, u nis menjëherë. Pas një takimi në Degë, ku mori informatat e sakta, u drejtua për në shtëpi. Atje gjeti vetëm Hektorin me Irmën. Blerina kishte dalë me Arbërin. Me një ton agresiv, iu drejtua së motrës:
– “Si e kryet këtë fejesë, pa më pyetur? Çfarë jam unë? Një person çfarëdo? A e dini detyrën që ushtroj? Apo mos jam vetëm një gur varri”?!
Ajo me qetësi iu përgjigj:
– “Qetësohu, vëlla qetësohu! Ule zërin! Nuk ju thamë, se e dinim që nuk do ta miratoje”.
– “Ta prishni menjëherë këtë fejesë”, e ndërpreu ai me të njëjtin ton.
– “Ajo punë ka marrë fund. Vajza e zgjodhi vetë shokun e jetës dhe ne nuk kemi mundësi ta pengojmë, përndryshe humbasim vajzën tonë të vetme”.
Biseda mori fund. Resuli u largua pa i përshëndetur. Kur doli jashtë portës, desh u përplas me Arbërin dhe Blerinën, që po ktheheshin.
– “Dajo”! – i foli Blerina
– “Më vonë do t’ia dëgjoni avazin”, – foli ai me një zë arbitrar.
– “Po ky ç’pati”, – pyeti ajo!
– “Histori e zakonshme”, – u përgjigj Arbëri.
Resuli u drejtua drejt e në Komitetin e Partisë ku u takua me sekretarin e parë. Folën gjatë të dy. hartuan plane. Së fundi Resuli i tha:
– “Mos bëni asnjë veprim. Këtë çështje e marr unë përsipër, për ta zgjidhur”.
* * *
Drejtor Resuli, thirri operativin e Sigurimit të ndërmarrjes bujqësore ku punonte Arbëri.
– “Do t’iu ngarkoj me një mision të rëndësishëm, që duhet ta dimë vetëm unë dhe ti. Këtë nuk duhet t’ia thuash askujt”, i tha.
– “Do të jem i heshtur si varri, shoku drejtor”, – u përgjigj operativi.
– “Shumë mirë! Do të survejosh një individ, që punon në ndërmarrjen tuaj. Si sillet, me kë shoqërohet, a ka shfaqje të huaja për moralin socialist, a mundohet të pengojë me ndonjë farë mënyre ecjen përpara të shoqërisë sonë, e të tjera të kësaj natyre”.
– “Për cilin bëhet fjalë”?
– “Arbër Dauti”.
– “”E njoh. Punon në sektorin e investimeve, madje është edhe brigadier.
– “Nuk dua të nxitohesh. Koha nuk ka rëndësi. Mjafton të pasqyrosh realitetin. Unë do të kthehem në kryeqytet. Kur ta kesh hartuar raportin, merrmë në telefon dhe unë vij vetë”.
I dha numrin e telefonit të zyrës.
Operativi Sigurimit, filloi nga misioni. Mësoi se Arbëri kishte filluar punë në ndërmarrje, me ndihmën e agronom Petritit, madje kishte qenë ky që e kishte ndihmuar, për të kaluar në sektorin e investimeve. Në të njëjtën ndërmarrje por në sektor tjetër, punonte edhe e ëma. E njihte mirë biografinë e familjes së tij. Këtë e kishte mësuar, edhe para se të bisedonte me drejtor Resulin. Dinte që i ati, një eksponent i ish-organizatës nacionaliste ‘Balli Kombëtar’, kishte vdekur në burg.
Dinte që e ëma, një mësuese e njohur, për këtë shkak ishte pushuar nga puna dhe punonte si punëtore bujqësie. Por dinte gjithashtu se Arbëri, çuditërisht, ishte fejuar me një vajzë që i përkiste një familjeje të Luftës, me dy prindër arsimtarë të nderuar. Ndoshta kjo, mendonte ai, ishte shkaku pse Resuli e kishte ngarkuar me këtë detyrë.
Për këtë, thirri inxhinierin e sektorit dhe i tha:
– “Dua t’ju pyes, si e morët në sektorin tuaj Dautin dhe e emëruat brigadier? A e dini biografinë e tij”?
– “Po, e di. Por ma rekomandoi agronom Petriti, me të cilin jemi komshinj. Kështu që nuk u thellova më tej. Në fund të fundit, një punëtor është”.
– “Çfarë opinioni keni për të”?
– “T’iu them të vërtetën, një opinion mjaft të mirë. Është i rregullt, nuk flet shumë, por kurdoherë me urtësi. Është mjaft inteligjent. Ka mbaruar shkollën e mesme, me rezultate të shkëlqyera, por nuk mundi të vazhdonte më lart, për shkak të biografisë dhe, t’ju them të vërtetën, më vjen keq për këtë, se mund të ishte bërë një kuadro i shkëlqyer”.
– “Me cilët shoqërohet më tepër”?
– “Ne jemi sektor i vogël, me tre brigada ndërtimi. Ajo e Arbërit, përbëhet nga pesëmbëdhjetë vetë, zanatçinj dhe punëtorë. Arbëri, nuk bënë ndonjë dallim midis tyre”.
– “Po ndonjë preference, nuk ka për ndonjë”?
– “Pak më tepër, për një shokun e tij të shkollës, Ibrahimin, por jo ndonjë dallim të madh”.
– “Faleminderit”, i tha operativi dhe u largua.
Operativi mësoi se Ibrahimi, rridhte nga një familje që gjatë Luftës, nuk ishte angazhuar në asnjë krah. I ati ishte një nëpunës i zakonshëm, në një ndërmarrje të vogël të qytetit. E ëma punonte si rrobaqepëse. Kishte një motër të martuar në një familje, që edhe ajo nuk kishte qenë e angazhuar në asnjë krah. E vetmja anë negative, ishte se një vëllai i tij, ishte dënuar me tetë vjet burg dhe tani ishte në vitin e tretë të dënimit.
Në këtë mënyrë, kaluan më tepër se dy muaj. Operativi i kishte mbledhur të gjitha të dhënat që i interesonin. U ul dhe filloi të përpilojë raportin, që do t’i dorëzonte Resulit. Filloi të shkruaj me një makinë shkrimi, që kishte në tavolinë. Shkruante disa rreshta dhe pastaj pushonte, për t’u menduar se si do të vazhdonte.
Donte që raporti i tij, të dilte sa më i plotë, në mënyrë që ta kënaqte eprorin. Kjo gjë, mendonte ai, ndoshta do t’i hapte rrugën për ndonjë transferim në kryeqytet, me një detyrë më të madhe. Këto ëndërrime bënin që në faqet e raportit, shumë gjëra të ishin pjellë e fantazisë së tij. Kështu që u mbushën plot tetë faqe. Së fundi e firmosi dhe thirri i gëzuar:
– “Edhe kjo, kaq e pati! Tani, përpara drejt kryeqytetit”.
Dhe përplasi pëllëmbët nga kënaqësia.
– “Çfarë ke more? Mos je gjë i çmendur”?! – i tha një shoku tij që sapo hyri dhe kishte dëgjuar frazën e fundit
– “Asgjë, u përgjigj, duke kujtuar porosinë e Resulit. – Djali i një kushëririt tim, marton të birin në kryeqytet dhe unë do të shkoj në dasmë. Kushëriri është një funksionar në Ministrinë e Brendshme. Do të bëhet një dasmë e madhe”.
Operativi bënte aludim për Resulin.
– “Si lum ti” – tha shoku dhe nuk e zgjati më.
Edhe operativi nuk e zgjati, por mbylli bisedën.
* * *
Zilja e telefonit në zyrën e Resulit, tringëlliu.
– “Alo”? – foli ai
– “Jam operativi i Sigurimit, në ndërmarrjen bujqësore”.
– “E përfunduat”?
– “Po, e kam gati”.
– “Atëherë prisni, kur të vij unë”.
Një buzëqeshje djallëzore, u shfaq në buzët e Resulit. Ishte një buzëqeshje tinëzare, prapa së cilës fshiheshin shumë mistere, shumë prapaskena. Ndjente një kënaqësi që i shfaqej, sa herë kryente ndonjë veprim mizor. Një të tillë kishte ndjerë edhe kur torturonte Sokolin. Ishte kënaqësia që ndjen egërsira, kur mposht prenë e saj. Tani nuk i mbetej tjetër, veçse të priste rastin, që ministri t’i ngarkonte ndonjë detyrë, për në qytetin e tij.
Dhe ky rast erdhi. Një ditë në zyrë hyri sekretaria e ministrit dhe i tha:
– “Shoku Resul, shoku ministër, ju kërkon në takim”.
Resuli rregulloi kostumin, krehu flokët dhe u nis.
– “Eja eja, – tha ministri, – dua të bisedojmë për një çështje që ka dalë në qytetin tuaj”.
– “Në qytetin tim”?!
– “Po, po, uluni! Kemi disa të dhëna, për një kontradiktë midis dy funksionarëve të ndërmarrjes së ndërtimit. Të dy janë figura të njohura, dy komunistë, që gjithmonë kanë qenë në ballë të punës. Ndaj shkoni atje, verifikoheni ngjarjen dhe na njoftoni. Jua ngarkoj juve, se jeni nga ai qytet dhe i njihni më mirë personat”.
Resuli u nis që atë ditë. Nga burimet e tij mori vesh, se konflikti i kishte tejkaluar kufijtë e qytetarisë! Ai i njihte të dy, sidomos shefin e kuadrit. I njoftoi në telefon, se do vinte të nesërmen për të biseduar.
Kështu bëri. Në orën e caktuar ishte atje. U ulën të tre në zyrën e drejtorit. I pari e mori fjalën Resuli:
– “Ju kam të dyve miq dhe më vjen keq, që midis jush ka lindur kjo kontradiktë. Kam ardhur për të sqaruar problemin, me porosi të vetë ministrit”.
Drejtorit nuk i pëlqeu kjo hyrje. Pse me porosi të ministrit? Ç’punë kishte Ministri i Brendshëm, me një konflikt të ndodhur në një ndërmarrje, që nuk ishte nën juridiksionin e tij”?!
– “Më thoni, përse ka lindur kjo kontradiktë”? – u tha Resuli.
– “Shoku drejtor më akuzon mua, se gjoja paskam ndërhyrë në kompetencat e tij” – tha shefi i kuadrit.
– “Po, kjo është e vërtetë – e ndërpreu drejtori, – nuk është kompetencë e tij, të ndërhyjë se si inxhinierët dhe teknikët, zbatojnë projektet e tyre”!
– “Ndërsa unë mendoj, se detyra ime është pikërisht ajo që të survejoj, se si punojnë kuadrot e ndërmarrjes. Duhet t’i dalim para çdo të papriture. Po sikur të ndodhë ndonjë sabotim”?
– “Keni konstatuar ndonjë gjë”? – pyeti Resuli.
– “Deri tani jo”, – u përgjigj shefi.
– “Pikërisht për këtë, ka lindur edhe kontradikta jonë”, – e përforcoi drejtori.
Biseda vazhdo deri në mesditë. Secili prej tyre mundohej të paraqiste argumente, për të mposhtur kundërshtarin. Bisedën e mbylli Resuli, që iu tha:
– “Mendoj se jeni të dy fajtorë. Hiqeni mendjen nga këto keqkuptime dhe punoni krah për krah, për realizimin e detyrave të ngarkuara. Kjo detyrë ju takon më tepër juve, shoku drejtor, si drejtuesi i ndërmarrjes”.
Resuli u largua dhe përpiloi raportin, që do t’i dërgonte ministrit. Në të ai i shkruante mbi shkaqet e kontradiktave dhe i propozonte se njeri prej tyre, duhej larguar nga ndërmarrja dhe i rekomandonte që ky, të ishte drejtori. Nuk vonoi shumë dhe ky propozim u realizua. Me urdhër të Ministrit të Ndërtimit, i cili ishte marrë vesh me atë të Brendshmin, drejtori u ul në detyrë, duke u emëruar si shef i një reparti, në një ndërmarrje tjetër.
Si mbaroi këtë detyrë, thirri Operativin, i cili i dorëzoi raportin. U hoq mënjanë dhe filloi ta lexojë. Mbeti i kënaqur nga puna e tij.
– “Ju lumtë – i tha, – keni bërë një raport të hollësishëm. Por tani duhet të vazhdoni. Tani fillon faza e dytë e operacionit dhe kjo është më e rëndësishmja. Arbërin duhet ta fusim në kurthin tonë. Për këtë, do të përdorim Ibrahimin. Do të punoni me të. Ai duhet bërë patjetër agjenti ynë.
Ai i përket klasës së përmbysur. Aq më mirë për ne. Ne duhet të synojmë më tepër tek ata. Ata janë më të vlefshëm. Po ia arritët qëllimit, dijeni se do keni edhe shpërblimin e punës tuaj. Do të ishte një fat i madh, të kisha pranë vetes në ministri, një kuadro si ju”.
Fjalët e fundit mjaftuan për Operativin, lidhur me të ardhmen e tij.
– “Ju garantoj se do ta kryejë porosinë tuaj”, – i tha Resulit.
– “Përdorni argumentin e vëllait të tij të burgosur. Hidhjani fjalën, se si shkëmbim, mund t’ia kthejmë atë në familje”.
– “Por, a do të mundim”? – pyeti Operativi me dyshim.
– “Mos u shqetëso, të tjerat lërmi mua. Por, mos harro, çdo gjë do të bëhet, në mënyrë të fshehtë”. U ndanë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm