Nga Bep Kuqani
Memorie.al / Kam ndigjue se nji mjek francez i famshëm, psikiatër, të cilit nuk ia mbajë mend emnin, paska thanë mbas shpartallimit të “Kampit Socialist” se: “të gjithë ata persona që kanë vuejtë mbi 10 vjet burg, në regjimin diktatorial të Stalinit në ish Bashkimin Sovjetik, dhe në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri, nuk mund të konsiderohen njerëz normal”! Në këtë konkluzion, ai kishte mbërrit, tue pasë në konsiderate torturat e tmerrshme fizike e psikike; vuajtjet e pa përshkueshme nga trajtimi i tyne si kafshë, shumë ma i egër se skllevërit e dikurshëm, kur nuk konsideroheshin si njerëz, por si kafshë pune; vuajtjet e papërshkrueshme në kampet e punës të detyrueshme nga uria, nga, etja, nga ngricat dhe nga vapa e padurueshme, si dhe nga lodhja e mundimshme; ku humbnin për ditë jetë njerëzish.
Dhe ky konkluzion i Profesorit të famshëm, nuk ishte rezultat i studimeve teorike, por i përvojës praktike sepse, kishte pasë rastin me vizitue nji numër të konsiderueshme nga këta persona, që kishin mbërrijtë me mbijetue. Dy ngjarjet që do të tregoj në vijim, të ndodhuna shumë kohë ma përpara në burgun e Burrelit, e vërtetojnë plotësisht këtë “profeci” të Profesorit.
Ngjarja e parë: Nuk di se kush ia kishte lanë në ruajtje Musë Halilit, nga Peshkopia, me arsim 7 vjeçar, librin “ETIKA”, të Benedikt Spinozës, të cilin ai e ruante me fanatizëm, si nji libër të shejtë, se thonte; “E kam amanet dhe në dalsha gjallë e, në mujsha me e nxjerrë nga burgu, duhet të ia dorëzoj personit”, që e kishte të shënuem diku në nji nga faqet e mesit të librit, që e kishte maskue me kopertinën e nji libri te Frederik Engelsit: “Origjina e Familjes, Pronës Private dhe e Shtetit” dhe, i kishte lidhë nga dy-tre fashikuj, në fillim, në mes dhe në fund të librit, që kishte pothuajse të njëjtin format me “Etiken” e Spinozës.
Libri ishte nji botim origjinal në gjuhen latine. (Spinoza i pat shkrue të gjitha veprat e tij në gjuhen latine, siç ishte tradita e atyne kohëve). Por problemi ishte se atë gjuhë, e dinin vetëm dy-tre intelektualë dhe ata pak klerikë katolikë, që kishin mbet ende në burg. Nga “Etika” kishim marrë pak njohuni të përcipta, nga; “Heronjtë e Mendimit” të W. Durant, në përkthimin italisht dhe kjo na kishte shtue kuriozitetin dhe dëshirën, për t’a lexue këtë vepër komplet.
Prandaj u luteshim shpesh herë njenit e herë tjetrit, që të na e përkthenin, jo në shqip, sepse ishte shumë e vështirë, por në italisht; Por mjerisht edhe ata dy-tre intelektualë, ishin të moshuem dhe me probleme shëndetësore, që nuk e merrshin përsipër me u angazhue me këtë mision, jo të lehtë. Edhe ata pak klerikë katolikë që kishin mbet, refuzojshin me e përkthye për faktin, se Vatikani e kishte në “index”.
Kishim ra me të vërtetë në hall. Kaq e madhe ishte dëshira e jonë, sa dy shokë të dhomës nr. 10, filluen me mësue latinisht me Ndoc Vatën, nji ish xhakue në seminarin Papnuer të Shkodrës dhe që kishte kenë në prag të shugurimit “meshtar”, Këta ishin; Gjon Mark Ndou dhe Viktor Luka.
Me sa më kujtohet, dy intelektualët e tjerë që e zotnojshin latinishten, ishin Gjergj Kokoshi dhe Xhevat Korça, që ma vonë i dha fund jetës, me grevë urie. Këta ishin në dhomën nr.7, që konsiderohej si; “dhoma e të sëmurëve me probleme të ndryshme shëndetësore”.
Ma në fund, për fat të mirë, nji prift katolik që ishte ma i riu në moshë (s’i kishte mbushë ende të 50-tat), pranoi me e përkthye në italisht, me kusht që të mbetej i pa identifikuem, sepse përveç tjerash, çdo përkthim pa autorizimin e drejtorisë së burgut, dënohej plot me tre muaj birucë, në çimento, pa tesha fjetje.
Nji dënim të tillë, e pat pësue edhe At Pjeter Meshkalla, për nji studim mbi; “Historinë e Kishës Katolike Shqiptare”, megjithëse kjo i kje kërkue nga autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme; vetëm pse ai e shkroi në nji frymë krejtësisht realiste, anti-ateiste dhe anti-komuniste, por e mbajtën vetëm dy muaj; nji muaj ia falen.
Por tash që kanë kalue rreth 57 vjet nga ajo kohë dhe afërsisht po aq vjet, që asht hjekë edhe “indexi” nga Vatikani; besoj se sot nuk asht ndonjë mëkat përmendja e emnit të tij, por përkundrazi, nji homazh plotësisht i merituem, që i bahet me nderimin ma të madh kujtimit të përjetëshem të emnit të tij: Ky ishte Dom Lazer Jubani, i cili bani edhe pesë vjet internim, mbas burgut dhe përsëri agjentët e Sigurimit të Shtetit, nuk iu ndanë, por ia shkurtuen jetën, tue e helmue tradhtisht.
Dom Lazer Jubani, ishte vëllai i Dom Simon Jubanit, nji tjetër figurë madhore e disidencës së anti-komunizmit shqiptar, i mirënjohur jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, por edhe në të gjithë diasporën shqiptare, të kudo ndodhun.
Dom Lazri ishte i pajisun nga natyra, me nji inteligjencë të jashtëzakonshme. Kishte nji kulturë klasike të niveleve ma të nalta. Ishte nji shkencëtar i vërtetë në fushën e Historisë dhe të Filozofisë. Zotëronte me themel gjuhët latinisht dhe greqishten e vjetër, përveç italishtes, frëngjishtes, spanjishtes dhe esperantos.
Në burg mësoi brenda dy vjetësh edhe rusisht e anglisht, falë memories së rrallë që kishte. Ishte shumë guximtar dhe i pa-pajtueshëm me anmiqt e tij (komunistë); Kur e thirrën pak ditë para plotësimit të dënimit për t’i propozue nji “bashkëpunim”; Ai aty për aty iu përgjigj; “Pse, zagari i juaj do të bëhem unë”?! Mjaftoi kjo përgjigje, që i kushtoi 5 vjet internim dhe helmimin.
Ndërsa Dom Loro Ndoj, i shpëtoi internimit kur e thirren për të njëjtin propozim, për nji përgjigje pak ma të butë; “Këtë nuk mund t’a bëj kurrë, sepse nuk ma lejon as feja dhe as ndërgjegjja. Do t’ishe mëkati ma i madh për mue, me tradhtue besimtarët që vijnë e rrëfehen tek unë”. Pa piken e turpit dhe me pafytyrësinë ma të madhe, u kërkonin meshtarëve me dekonspirue “rrëfimet”.
“Etika” e Spinozës, ishte nji vëllim prej plot 300 faqesh, pa asnjë fjalë të tepërt. Dom Lazri i bani nji përkthim perfekt, si mbas vlerësimit të të gjithë intelektualëve që e lexuen dhe mori përgëzimet e tyne ma të mira. Tue kenë se unë kishe nji shkrim relativisht të bukur dhe qartësisht të lexueshëm, më kërkuen që t’a hidhja në të pastër, gja që e pranova me kënaqësi sepse, do të kisha privilegjin me kenë lexuesi i parë i kësaj vepre të vyer.
Përkthimin e shkrove në tri fletore të mëdhaja aritmetike kineze të asaj kohe, që kishin nji format ma të madh se “Etika” e Spinozës, në të dy dimensione. Tue shfrytëzue rresht për rresht e kuadrat për kuadrat, ia dola me e përfshi edhe unë në 300 faqe, madje tepruan disa faqe që mbetën bosh. Mbasi e përfundova ia dorëzova Dom Lazrit, që donte me i hedhë nji sy për kontroll të ndonjë gabimi eventual.
Mbas këtij verifikimi, të tri fletoret iu nënshtruan “operacionit” të maskimit me nji broshurë tjetër, të Frederik Engelsit: “Hymje në Dialektiken e Natyrës”, fashikujt e së cilës u lidhën të gjitha në pjesët e ndryshme të “Etikës”, mbasi u barazue formati,
(Duhet ditë se ne i blejshim këto libra marksiste, me të vetmin qellim për të maskue veprat shkencore, historike e filozofike në gjuhët e huaja). Mbasi u kryhen të gjitha këto punë, “Etika” u hodh në qarkullim. Për këtë qellim, ishte pregaditë nji listë e personave që kishin shfaqë dëshirën me e lexue dhe që do të ndiqej si mbas radhës së kërkesave.
Afati ishte 10 ditë, për çdo lexues. Në listë kishte shkrue emnin edhe prof. Foto Bala, që kishte krye studimet e nalta në Francë, për Filozofi dhe kishte mbrojtë si tezë diplome, pikërisht “Etiken” e Spinozës.
Këtu fillon tash ngjarja: Kur mbas disa javësh i erdhi radha prof. Fotos, për ta lexue; unë po e vëzhgoja me vëmendje për të pa se çfarë përshtypje po i bënte përkthimi, por nuk më la me e vëzhgue gjatë, sepse pa mbarue së lexuemi faqen e parë, – e përsëris – vetëm faqen e parë; befas i bjen shputë ballit dhe thërret : “Puuuuuuuuu, tashti po e kuptoj Spinozen”!!!
(No Koment)
Ngjarja e dytë:
Me Ali Selenicën, i kena pasë vendet e fjetjes përbri njeni-tjetrit, për afro gjashtë vjet, deri sa nji ditë e morën dhe e izoluan, për shkak të sëmundjes së sarallekut, ku pa kalue nji muej në izolim, ajo sëmundje i mori jetën, megjithëse ishte nji sëmundje plotësisht e shërueshme, me pak kujdes e mjekim.
Në vendin e tij, prunë Suad Asllanin, nji ish avokat i njohun në Tiranë, i cili kje arrestue bashkë me Gjergj Kokoshin, me akuzën e tentimit për krijimin e nji partie social-demokrate të tipit skandinav, me inisiatore themeluese Musine Kokalarin, nji nder intelektualet e rralla shqiptare.
Ali Selenica ishte nji burrë i shkurtë, aq i lodhun dhe aq i vuejtun, sa ishte dobësue e mbet si skelet; po ta peshoje nuk besoj t’i mbërrinte 35 kilogram. Kishte mbarue studimet e nalta në Itali për Drejtësi dhe kishte kenë para ardhjes së komunizmit në pushtet, kryetar Gjykate në Korçë. Përsa jetuem bashkë, nuk vinte njeri me e vizitue dhe as me letra nuk interesohej askush për te!
Brenga ma e madhe që e mundonte, ishte se nuk dinte asgjë për fatin e dy djelmëve, me të cilët kishte humbë kontaktin para 4-5 vjetësh. Disa herë i kishte kërkue organeve të Ministrisë P. të Brendshme, se mos janë kapë ose vra në kufi, në tentative për t’u arratisë, por përgjigja i kthehej gjithmonë negative: “Nuk figurojnë në asnji pikë të kufirit tonë, të vramë ose të kapun, dy djelm me emnat e tyne”. I ishte drejtue edhe Kryqit të Kuq Shqiptar e Ndërkombëtar, por kishte marrë edhe prej tyne përgjigje negative.
Asht vështirë të përfytyrohet brenga dhe dëshpërimi i nji burri të moshuem 70 vjeçar, të mbetun krejtësisht i vetëm dhe në kushtet e nji burgu të rëndë, si ai i Burrelit! Dy herë në ditë, na nxirrnin në oborr për ajrosje dhe shëtitje, me qellim që të lëviznim dhe të mos mpiheshim, por edhe që të na mbanin në gjendje të aftë për punë, në rastë nevoje.
Kjo kohë shfrytëzohej edhe për nevoja të ndryshme; dikush gatuante ndonjë gja të shpejtë, dikush lahej ose lante ndonji rrobe dhe në përgjithësi mbushnim ujë, për ta pasun brenda në dhomë.
Ali Selenica kishte nji pagure (matare) të ushtrisë italiane, të madhe dy kilogramshe, të cilen e mbante vazhdimisht të mvarun në njënën dorë. Kur mbaronte orari i pajtosit, delte roja i brendshem, i binte bilbilit dhe duhej të futeshim sa ma shpejt brenda nëpër dhoma. Ndonjë që vonohej rrezikonte edhe “birucën”, sidomos kur ishte me shërbim kapter Asllan Uka, që s’të falte sekondin.
Kështu qëlloi nji ditë pikërisht kapter Asllani, që vetëm 5 minuta të linte afat, me u futë brenda. Ndërsa të burgosurit po vraponin me u futë sa ma shpejt brenda, shoh Aliun tue nga nëpër oborr. Shkonte herë te çezmja, herë te vendi ku gatuhej dhe herë atje ku lahej; E pyes “Hajde mor Ali, çka ke, çka kërkon”?
-“Po kërkoj mataren mor Bep, nuk di se ku e lashë”?! – Mataren me dy litra ujë, e kishte të varun në dorë!
-“Hajde mor Ali shpejt – i them – se mataren e ke të varun në dorë”! I ra kokës me gisht dhe vrapoi me hy brenda!
Ja pra; “A nuk i thonë kësaj, nji trullosje e plotë psiqike”?!
Dhe nji mrekulli e pa besueshme: Sali Vata prej Macukullit të rrethit të Matit kishte kenë oficer në Gardën Mbretërore të Ahmet Zogut, me gradën kapiten. Megjithëse 77 vjeç, ruente formën e nji trupi të mirë; 1.90 m. i gjatë, me shpatulla të gjana e. me nji trup të drejtë e të hijshëm.
Mirëpo ç’prej nji viti, e kish kapun keq reumatizma, aq keq sa e kishte këputë në kryq, nuk mund t’a drejtonte shtatin prej dhimbjeve dhe rrinte “gërmuç”, i përkulun si i thyem në mes.
Nji ditë dhetori, pak para Vitit të Ri e ndjeu veten shumë keq dhe nuk mundi të ngrihej në mëngjes kur ra bilbili i zgjimit nga gjumi, që bëhej gjithmonë në oren 5, në çdo stinë të vitit.
Atë ditë qëlloi me shërbim, ma i pa shpirti i rojeve, krimineli dhe sadisti Asllan Uka, që s’pyeste as për pleq, as për të sëmurë! Kur ky erdhi në dhomë për të kontrollue, në se janë çue të gjithë, ku përveç dy-tre të sëmurëve me grip, që kishin leje prej kapter Kamberit, me ndejë ratë. (Kapter Kamberi, ishte ndihmës-mjeku i burgut}, iu vërsul Sali Vatës: “Po ti, pse nuk je çue?! Çou shpejt, në birucë”!
E ndihmuan dy vetë të shkretin Sali, me u çue e me u veshë dhe ashtu tue e mbajt për krahësh, e çuan në birucë, ku e la kapter Asllani, plot nji muaj. E kuj t’i ankoheshe? Kapter Kamberi kishte shkue me pushime, me rastin e festave! Vendimi i dënimeve që jepshin rojet, nuk diskutoheshin dhe as nuk kundërshtoheshin kurrë, nga drejtoria e burgut.
Shokët e dhomës, pothuajse të gjithë mendojshin se Saliu nuk do të delte ma i gjallë prej aty; në çimento, në dimen, pa tesha fjetje dhe me atë reumatizëm të fortë…! Por ndodhi “mrekullia”: Mbas nji muaji po na vjen Sali Vata në dhomë, drejtë si qiri, pa dhimbje, i shëruem krejtësisht!!! “Pa he more Sali, si e kalove, si u shërove”? -E pyetëm. Dhe Saliu na u përgjigj:
– “Si e kalova? Si u shërova?, Vetëm Zoti e din!- Qe, po ju tregoj: Kur më çuan në birucë, i humba të gjitha shpresat. Tash, – thashë me vete, – më ka ardhë fundi dhe që të ia shpejtoja fundin vetes, që të mos vuaja shumë në birucë, u shtrina nji copet në çimento dhe ashtu qëndrova ditën e parë, ditën e dytë, ditën e tretë; në pritje që reumatizma të më përhapet në të gjithë trupin, të më bllokonte krejtësisht dhe të më mbysë.
Po për çudi, mbas 5-6 ditësh që vazhdoja me qëndrue i shtrimë, ndjeva se kryqet më liruen. Trupi në vend që të më bllokohej, m’u shbllokue fare, edhe pse rrija pothuajse gjithë kohen i shtrimë dhe e mblidhja vetëm kur ndjeja shumë të ftohët. Ja, kështu u shërova”. A nuk asht kjo nji “mrekulli“ e vërtetë?! Memorie.al