Nga Islam Spahija
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në kaush, thuajse çdo ditë kishte transferime ose vinin të dënuar të rinj; ajo sallë atje ishte një bujtinë e përkohshme, për ata që posa kishin marrë dënimin dhe prisnin destinacionin, ku do ta vuanin atë. Një ditë, duke pyetur si zakonisht të porsaardhurit, takova një burrë të thyer në moshë. Quhej Lec Sahatçia. Një sensacion: “A je ti që e ke emrin në ‘Lista dei collaboratori’, të diksionerit ‘Italisht – shqip’ të Cordignano-s”? – “Po veta”. Sa herë e kisha parë këtë emër, kur e merrja në dorë atë fjalor! Ky figuronte përmes emrave të tjerë të ndritur, si; Dom Ndre Mjeda, Dom Nikollë Gazulli, Dom Ndre Zadeja, Hamid Gjylbegaj etj…! I treti në radhë, ish Dom Lec Sahatçia, me shënimin: “Parroco di Blinishti (Mirdizia), sopratutto per molta parte della lettera “S”. Tani ky njeri po me dilte papritur para e, nuk do të ndahesha prej tij, veçse në çastin kur “varka e Karontit”, do të na hiqte andej.
AHMET KOLGJINI
Nuk ka shumë qëkurse u nda nga ne përgjithmonë Ahmeti e, megjithëse e dimë këtë, ndjenja e dashurisë dhe respektit, nuk na lë të besojmë se ai nuk është më midis nesh. E vetmja gjë që nuk vdes, është e vërteta, thotë një fjalë e urtë. Ai e tha gjithnjë të vërtetën pra, në këtë kuptim ai mbetet i pavdekshëm. Le të bëjmë edhe ne si ai; le ta themi të vërtetën për të.
“Ne nuk jemi gjë tjetër, veçse aktet tona” – ka shkruar Jean Paul Sartre e, me të vërtetë, jeta e njerëzve nuk ndahet nga vepra e tyre. Kështu po të flasësh për Ahmetin, është njëlloj sikur të flasësh për veprimtarinë e tij.
Ndoshta është një ndër kënaqësitë më të mëdha artistike, po të arrish të bësh portretin e një figure thellësisht shpirtërore, siç është ajo e tija. Të ndërgjegjshëm për vështirësinë dhe përgjegjësinë që na vë para një ndërmarrje e tillë, ne (porse nuk duhet të ngurroj më), sidomos nga detyrimi moral që kemi ndaj tij.
Shumë vite më parë, gjatë adoleshencës sime, kur po kaloja rastësisht në Limth (bjeshkë e Lumës), pashë ca fëmijë që loznin në një lëndinë. Thuajse “për zakon” m’u dha të pyes njërin që shquhej ndër ta: “I kujt je mor djalë?” – “I Tahir Kolgjinit”! – u përgjigj ai si me krenari.
Ka përshtypje që, edhe pse janë kalimtare e, duken të parëndësishme, ato nuk harrohen kurrë. E ja, konkretisht: ky rast më ka mbetur i pashlyer në kujtesë për gjithë jetën. Sigurisht edhe kjo dukuri ka shpjegimin e vet. Këtë mbiemër e kisha dëgjuar shumë herë të përmendet me respekt nga im atë. Ai i përkiste njërës prej familjeve më në zë të atyre anëve.
Shumë herë kam menduar më vonë, mbi përbërjen e këtij mbiemri katolik të bashkuar me emrin mysliman, dukuri kjo e njohur ndër malet tona. Më dukej interesant ky simbol i shartimit që bëri historia, në trungun autokton të kombit tonë. U desh një kohë e gjatë, gjer sa ta takoj përsëri Ahmetin, veç kësaj here për të mos u ndarë më.
Kjo ngjau në kampin e Spaçit. Nuk ish më fëmija kryelartë tetëvjeçar, që kisha takuar në bjeshkët e Lumës. Ai tashmë kish udhëtuar gjatë në kalvarin e jetës. Qysh i vogël kish vuajtur internimin; në rininë e parë, kish bërë burg politik, pastaj përsëri në internim, ku formon familje dhe ku i lindën dy fëmijë (djalë e vajzë), pastaj përsëri në burg, aty ku po takoheshim bashkë, të cilin e kish për të dytën herë.
Kështu unë tani kisha përpara një tridhjetepesëvjeçar, me trup pak nën mesataren, me supe të ngritur, si të ish gati për ndonjë veprim, me fytyrë të zbetë prej asketi dhe me sy të lodhur ku shprehej “rasenjacioni” i një martiri biblik. Kish një zë me timbër të veçantë, të cilin ke ëndje ta dëgjosh, e po ashtu të qeshurën e që është shfaqja më e sinqertë e një temperamenti.
Por përmasat e madhështisë ai i kish në botën shpirtërore e, siç dihet, për të depërtuar atje, lypset një optikë e veçantë. Ahmeti ish i sëmurë e, megjithatë, punonte në galeri të minierës së Spaçit. Nuk i jepnin raport, siç bënin me të tjerë. Ish vënë “në shënjestër”, si “i rrezikshëm”, pavarësisht nga korrektësia e tij shembullore.
Ish nga ata që kish virtytin sokratik të respektit ndaj ligjit, sado absurd të ish ai. Nuk qe kryengritës, siç ishin shokët e tjerë të vuajtjeve, si; Xhelal Koprencka dhe Fadil Kokomani; rezistenca e tij ish e një natyre tjetër. Ai ishte stoik në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Sidoqoftë organet e diktaturës, shqetësoheshin shumë nga kjo “heshtje”. E provokonin në mënyrat më të ulëta, por më kot.
Sa herë më tregonte se si gjatë hetuesisë dhe në rastet e tjera kur e thërrisnin për t’i bërë trysni, për ta “thyer”, ai qëndronte i qetë, duke ngritur sytë nga tavani, sikur s’ dëgjonte asgjë. Fyerjet nuk arrinin lartësinë e tij. Me këtë qëndrim, si një martir ungjillor, duket sikur thoshte: “Fali o Zot, se ata s’dijnë se ç’bëjnë”!
Atëherë ata e humbitnin durimin dhe…. trupi i sëmurë, mund të pësonte ndonjë dëm, por shpirti, shpirti ku e kish gjithë fuqinë e tij, bëhej më i fortë. Si Anteu i mitologjisë, i cili merrte fuqi dhe bëhej i pathyeshëm sa herë që prekte “tokën mëmë”, ashtu heroi ynë, e merrte atë fuqi, sa herë mbështetej në besimin fetar.
Ai kish aderuar qëkur në Tarikatin islam, e pikërisht në sektin “Rufai”, riti karakteristik i të cilit qëndron në vetësakrifikimin spektakolar, në kujtim të dëshmorëve të betejës legjendare të Qerbelasë; një sfidë ndaj vdekjes, që për besimtarët bëhej edukatë. Kështu edhe ky nuk e kish aq frikë vdekjen; këtë e tregonte edhe moskujdesja e mjaftueshme e tij për shëndetin. Shumë herë e kam qortuar për këtë gjë.
“Kuestorët e kuq”, e kishin vënë qëkur në listat e vdekjes, por çasti që prisnin ata, nuk erdhi; nuk desh fati çudibërës. Më në fund Zoti, që për të ish mbi gjithçka, Zoti desh që ai të kthehet më parë në gjirin e familjes së sfilitur, ku e priste motra e martirizuar për të, gjithashtu bashkëshortja me të dy fëmijët e përmalluar, të cilët për shumë kohë i la jetimë, për së gjalli.
Ahmeti doli nga burgu i dëmtuar fizikisht, por i kalitur shpirtërisht. Shkrimtari i njohur Stefan Cvajg, në analizat gjeniale që bën në karakteret e figurave historike botërore, na thotë: “Burgu mund të jetë i njëjtë për dy persona, por efekti mund të jetë i kundërt.
Ashtu si diamanti dhe karboni, që janë elemente të njëllojtë (kanë një formulë kimike), ashtu edhe dy njerëz janë të ndryshëm, por mund të kenë fat të barabartë; njëri mund të jetë i mbaruar kur del nga galera, kurse tjetri ndoshta pikërisht atëherë merr jetë. I njëjti zjarr, që njërin e shndërron në karbon, tjetrin e bën diamant”. Padyshim kjo ngjau edhe me Ahmetin, bashkëvuajtësin tonë.
Shumëkush do të ketë vënë re që ai, pas burgut, rrezatoi cilësitë e tij shpirtërore; atëherë ai, më shumë se kurrë shfaqi zgjuarsinë e tij, që arrinte në saktësinë matematike, edukatën e një delikatese aristokratike, kulturën autodidakte, që e kalon në distancë atë të shkollave të indoktrinuara e, mbi këtë peizazh virtytesh, shtrihej qielli i ndritur i misticizmit islamik.
Por do të ishte e pasaktë paraqitja që bëmë, në qoftë se nga universi i tij shpirtëror, do të përjashtonim idealin e tij politik, atdhetarinë e tij të flaktë që filloi nga dashuria për vendlindjen, gjer te ajo për Kosovën martire, çlirimin e së cilës pati fati ta shohë kohët e fundit.
Ahmeti e donte sistemin monarkik, jo si një tifoz mediokër e pa princip, po si filozof, jo si egoist meskin, po si patriot i devotshëm. Ai ish i bindur se vetëm Monarkia, mund të sigurojë unitetin kombëtar, pa të cilin nuk mund të ketë as kulturë, as përparim. Shembullin e pamohueshëm e ka dhënë vetë historia ,me epokën e ndritur të mbretërimit të Zogut të I-rë.
Edhe populli ynë, i drobitur nga anarkia që polli diktatura, e shfaqi vullnetin e tij, në referendumin e vitit 1997. Ai mbeti gjer në vdekje i papajtueshëm me ata politikanë, që vunë interesin personal mbi atë kombëtar, prandaj ai atyre u kundërvinte nacionalizmin, si të vetmen alternativë shpëtimi. Me vdekjen në gji (Ahmeti qe i operuar në zemër), ai nxori gjithë thesarin e brendshëm dhe e vuri në shërbim të çështjes atdhetare.
Ai dha maksimumin e aftësive të tij intelektuale dhe politike. Qe një nga organizatorët e Partisë Lëvizja e Legalitetit, pas përmbysjes së diktaturës komuniste. Në fillim kreu detyrën e sekretarit të partisë, pastaj nënkryetar e pas një tërheqje të përkohshme, qëndroi gjer në fund, si anëtar i Komitetit Drejtues të PLL-së. Përveç veprimtarisë politike, Ahmeti zhvilloi edhe atë intelektuale. Nuk reshti së shkruari artikuj, fabula, poezi etj.
Në fillim drejtoi gazetën “Atdheu”, pastaj shkroi në organe të ndryshme, si; “Rilindja Demokratike”, “Liria”, “E Djathta”, “Rimëkëmbja”, “Ora e Fjalës” etj. Si njohës gjuhësh të huaja, ai studioi e përktheu. Ai përktheu nga anglishtja, librin me autor Profesor Miftar Spahinë; “Rreth Kosovës”. Në origjinal shkroi esenë hyrëse, në librin befasues për kulturën tonë; “Kodi Matematik i Kuranit”, me dedikim; “Kujtimit të babës tim, Hafiz Tahir Kolgjinit”.
Si inspirues i “sublimes”, ai dashuroi poezinë. Shkruan: “Poezia sublimon ndjenjën tonë më të hollë”. E, me instinktin lumjan, me pathos të thellë, i këndon “Gjallicës kapuç bardhë” – “veshun në jeshil me gajtanë bore”. Unë, vetë lumjan, nuk di nëse mund t’i këndohet më bukur asaj natyre.
Po me këtë ndjenjë, ai shkruan poezinë; “Përmallueshëm shoh Prizrenin”. Të gjitha këto i këndoi me “Dhimbje” dhe “Prapë dhimbje” (titujt e dy poezive). Sigurisht, një jetë relativisht e shkurtër, por e dendur në përmbajtje, nuk mund të përmblidhet në një artikull; për këtë duhet një masë tjetër.
I përgëzuar do të jetë ai që do të ndërmarrë këtë nismë. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Jeta dhe vepra e Ahmet Kolgjinit, mbetet një model për brezat ardhshëm. E, po të mendojmë amullinë që po kalon ky vend, do të jemi në gjendje të çmojnë se ç’margaritar është shembulli i tij madhor. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm