Nga Dine Dine
Gjyqi i ‘Shopenhauerit’…
Memorie.al / Kjo ngjarje ka ndodhur, pak kohë pasi e arrestuan Ahmet Kolgjinin, për të dytën herë. Ishte një e dielë vere. Gjithçka dukej frymëzuese; dielli vezullues, nji fllad i ëmbël që të mbushte me frymë, lulet shumëngjyrëshe në oborr dhe flutura nga më të ndryshme në madhësi e ngjyra, që përpiqeshin të rrëmbenin nektarin e luleve, zogj të pambarim çuçuritnin aq gëzueshëm e shpenguar, në drurët plot gjelbërim të plepave, aq sa pa e tepruar mund të them, se të jepnin përshtypjen e një simfonie, plot ngjyra e nuanca. Që të jem i sinqertë, shkak i këtij frymëzimi, ishte bërë një arsimtare e hijshme, e cila një ditë papritur erdhi e u ul pranë karriges sime, ndërsa haja drekë në mensën e sektorit, pasi atë ditë, nënën s’e kisha aty.
Pa u zgjatur, ajo m’u lut që të dukesha herë pas here në Shtëpinë e Kulturës, për t’i rënë fizarmonikës, duke më thënë se ishte e vetmja mundësi për t’u parë, pa rënë në sy. Kur e pyeta nëse vërtet dëshironte të më shihte sa më shpesh, ajo tundi kokën me një buzëqeshje të ëmbël dhe u zhduk si nji krijesë ere, veçse emocionet që ajo më krijoi, më mbetën të pashlyeshme…
Nevoja për pak dashuri të çiltër, më kishte bërë aq optimist dhe me flatra, sa atë ditë besoja se gjithçka mund të ndryshonte dhe të përmbysej…! Kjo ishte edhe arsyeja që dola në oborr dhe nisa t’i bija muzikës së gojës, që e ruaja si sytë e ballit, atë relike të fëmijërisë, pasi në atë kohë nuk ishte e lehtë, t’i gjeje në shitje. Kështu që atë ditë kisha atë ndjenjë, që më shtynte ta shijoja natyrën në mënyrë të veçantë.
Dukej se edhe harmonika “Olympia”, atë ditë kishte një tingëllim ndryshe… dhe unë vazhdoja t’i bija e t’i bija… kur papritmas një zë metalik, ma preu melodinë në mes…! U ktheva dhe pashë përgjegjësin e sektorit, Rrapin, hipur në majë të bunkerit përballë shtëpisë sime…!
– “O Dine! Më telefonuan para dy orësh, po unë e paskam humbur fare…! Për hatrin tim, nisu sa më shpejt në Degën e Brendshme… se të presin atje”.
– “S’e merrja vesh, për ç’arsye duhej t’ia kisha hatrin atij, por sidoqoftë i thashë si me ironi, e gjysëm shakaje, se: ‘Zakonisht, në kësi rastesh, ata s’të mundojnë, po vijnë e të marr me ‘Gaz’…! Po këtë radhë, paskan ndërruar stil, si duket”!
– “Jo Dine, jo! Të ma besosh, nuk është aspak për keq. Ja kur të kthehesh, hajde dhe më tako se jam në merak”!
– “Vajtja dihet, shoku përgjegjës, po ardhja asnjëherë…”! – ia mërmërita jo pa ankth dhe në sy të tij, i hipa menjëherë biçikletës, dhe i thashë se; “do të mundohem, të jem atje sa më parë…”!
Rrugës, ndërsa mendoja njëmijë rrethana, m’u kujtua një episod i ndodhur shumë vite më parë…! Ndërsa çlodhesha, në nji breg kanali, dëgjoja një bilbil që ligjëronte për shtatë palë qejfe, e nuk pushonte për asnjë çast. U përpoqa ta dalloj zogun këngëtar, mes gjetheve të dendura, po ato e fshihnin dhe qe e pamundur ta shihja.
“Ku e gjen gjithë atë energji…”?! – mendoja, ndërsa me sy kërkoja ta zbuloja, derisa në nji moment e pikasa. E që të mos zgjatem me meditimet dhe admirimin që po përjetoja ato çaste, ndërsa dëgjoja aty çuçurimën e tij të ëmbël e melodioze, që e zotëronte përsosurisht… nxjerr instinktivisht nga xhepi llastiqet, i fus një gur zalli të vogël dhe i tërheq thjesht për ta trembur…!
Por, do ti, shkon guri dhe e godet m’u në shenjë, këngëtarin e fshehur ndër gjethe dhe ai rrëzohet i pajetë te këmbët e mia…! U preka shumë, kur e pashë atë krijesë të vogël e të pafajshme, që aq mrekullisht ligjëronte pak çaste më parë, që pa trazuar askënd, e kishte mbushur vendin. Ndërsa e shihja, ndjeva ta urreja veten. I zemëruar, i kapa llastiqet i bëra copa copa dhe i hodha në kanal.
Ky qe çasti i fundit i vrasjes së zogjve, nga ana ime, të çfarëdolloj. M’u kujtua pikërisht ky episod, ndërsa i bija muzikës me aq pasion, nën efektin e një dalldie dashurore, kur përgjegjësi i sektorit, më kish ndërprerë në mes, duke më lajmëruar, të shkoja në Degën e Brendshme…!
Kisha kaluar Savrën, dhe isha diku afër Fabrikës së Plasmasit, i përhumbur ndër mendimet, kur dikush papritur, ma vuri dorën në krah.
– “Po ku je ore, se kemi katër orë që të presim! Na bëre merak. Shokët e Degës, janë shqetësuar, se u vonove shumë”!
Ndjehesha aq i tensionuar, sa isha gati t’u përgjigjesha se: “Për shqetësimin e atyre shokëve, as po më plaste fare…”, po heshta, që mos ta acaroja edhe më tej situatën, pa e marrë vesh se, pse më kishin thirrur.
Iu përgjigja shkurt se: “Nuk kishte qenë faji im, dhe se isha nisur menjëherë, sa po më kishin lajmëruar!”
Dhe vazhdova me biçikletë në drejtim të qytetit, ndërsa “Gazi” që ishte parkuar në cep të rrugës, më ndiqte nga pas me shpejtësinë e biçikletës sime. Provoja një gjendje të tmerrshme tensioni, pasigurie dhe ankthi, që edhe mund edhe s’mund, ta shpjegoja. Pse jo, edhe njëlloj frike, kur çoja ndërmend se më “kishin ftuar”, të më arrestonin pa shumë bujë.
Ndoshta ishte më mirë kështu e pabujshme… dhe prisja që sapo të hapej dera, tre a katër prej tyre, të më mbërthenin duart mbas shpine, e të më vinin prangat, duke shqiptuar ato shprehjet tashmë bajate: “Në emër të popullit, je i arrestuar” dhe kështu ankthi merrte fund, njëherë e mirë!
Mendime nga më kontradiktoret më shoqëruan gjithë rrugës. Sapo iu afrova portës metalike jeshile, një person civil, që si duket qe ngarkuar të më priste, më pyeti për emrin dhe më shoqëroi sipër. Trokiti në derë, dhe vetëm pasi dëgjoi një; “Hyr”!- e hapi dhe mbasi mori një “Faleminderit”! u largua.
Personi që më ftoi përzemërsisht të ulesha, më prezantoi edhe dy të tjerët, që unë s’i njihja. I pari që u ngrit e më dha dorën, më tha se ishte hetuesi i Ahmet Kolgjinit, ndërsa tjetri, nuk e kujtoj fort mirë, se si m’u prezantua. Hetuesi i Ahmetit, kishte nji palë mustaqe të zeza, të prera me kujdes, që s’më lanë ndonjë përshtypje fort të mirë.
Tjetri, kishte një fytyrë të rruar e të shëndetshme, që të jepte përshtypjen e një babaxhani. Sapo u ula, hetuesi i Ahmetit, m’i nguli sytë, sikur përmes atij vështrimi, do të zbulonte gjithë sekretet, që mund t’i shërbenin punës së tij hetimore.
– “Do t’i biem shkurt – tha Hetuesi i Ahmetit – Pasi nuk kemi shumë kohë në dispozicion”! – dhe bëri ca lëvizje me duar, sikur kërkonte diçka mbi tavolinë, pastaj hapi një sirtar dhe prej andej, nxori një fletore.
E pashë që ishte fjala për nji fletore timen dhe kur ai më pyeti me autoritetin e dokumentit ndër duar, se; “e kujt ishte ajo fletore…”?! nuk hezitova të pranoj, se; “Ishte e imja”!
– “A mund të na shpjegosh, se e kujt është kjo punë, që mban emrin tënd përsipër”?
Ja thashë, dhe ai pa më lënë kohë të vazhdoj, m’u drejtua me gisht:
– “A e di ti, se ‘Shopenhaueri’, është filozof pesimist dhe reaksionar, dhe se idetë e tija, janë në kundërshtim të plotë me pikëpamjet tona marksiste-leniniste? Po ç’të duhet ty, nji i ri, i edukuar me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, të merresh më kësi paçavuresh, që i kanë çuar njerëzit deri në vetëvrasje?!
Po të flas për të mirën tënde!! Më kupto drejt! Po të qe ndryshe, s’të thërrisja fare, po të linim të zhyteshe në atë batak dhe një ditë të bukur, do të vinim prangat dhe të fusnim brenda, ku e kanë vendin të gjithë ata që merren me kësi prapësish…!
A më kupton?! Sot je i thirrur, vetëm se ta duam të mirën tënde! Ti nuk e di se çfarë ka katranosur ai shoku yt?! Jam i sigurt se ti, nuk e di aspak, sepse po ta dije, nuk do t’ia kishe dhënë kurën e kurës atë fletore. Ai e ka përdorur, atë fletore tënden, për të bërë agjitacion e propagandë…! Hë si thua ti…?! Mendon se unë po gënjej”?!
– “Unë, vetëm një gjë mund ta them me siguri, që; Ahmeti s’kishte nevojë që ta përdorte fletoren time, për të bërë agjitacion e propagandë. Ahmeti nuk ma ka kërkuar atë fletore, dhe as e dinte që unë isha marrë me përkthimin e Shopenhauerit, dhe as besoj se ‘Metafizika e Dashurisë’, që kisha marrë guximin ta përktheja, mund të ishte diçka e rëndë për mua dhe për atë…!
Po ta dinte, sigurisht do të qeshte me të madhe, për anglishten time të varfër. Libri i Ahmetit, kish mbetur aksidentalisht në shtëpinë time, prej një kohe të gjatë, mbasi atë e kishin internuar prej disa kohësh, në Kampin e Çermës. Një ditë kishte ardhur në Gjazë, të shihte një mikun e vet, dhe ndërsa po largohej, u pamë rastësisht, dhe atij ju kujtua libri.
– “Besoj se nuk të duhet, – më tha – po deshe ma kthe”!
Libri, bënte gjumë prej kohësh në shtëpinë time, prandaj edhe unë nxitova, shkova në shtëpi, ia mbështolla me të shpejtë me një gazetë dhe ia dhashë. Qysh prej asaj kohe, s’jemi parë më…! Tani që po e shoh fletoren time këtu, e kuptoj që e paskam harruar dhe gabimisht, ia kam dhënë bashkë me librin. Kjo është e gjitha”!
Në fakt gjithçka kisha thënë, s’përputhej me të vërtetën, pasi Ahmeti atë ditë, kishte qenë për drekë në shtëpinë time, dhe kishim ndejtur pothuaj gjithë ditën bashkë. Bile atë ditë, ftova edhe kushërinjtë e mi, edhe ndonjë shok tjetër dhe hëngrëm, pimë e bëmë muhabet gjithë kohës, sigurisht duke trajtuar edhe ato tema, për të cilat rreziku i kokës, ishte i pranishëm.
Hetuesi i Ahmetit, më hodhi një vështrim disi zhbirues, sikur t’i kujtohej diçka e rëndësishme, që i kish dalë nga mendja, dhe tha: “Po, a e di ti se Ahmeti, ka bërë agjitacion e propaganda, me Shopenhaurin tënd”!?
– “Së pari, ai nuk është ‘Shopenhauri’ im, dhe së dyti Ahmeti, nuk ka pasë nevojë të përdorë fletoren time, se e njeh anglishten më mirë se unë…”!
– “Edhe ne e dimë kët gjë, por fakti është se ai ka përdorur pikërisht materialin tënd. ‘Shopenhauerin’ e kishte idhullin e tij, dhe a e di ti pse?! Ja po ta tregoj unë: Sepse Ahmeti, ishte tip thellësisht fetar. E ka pranuar vetë këtë gjë! Ai shpesh shprehte nji sentencë të Shopenhauerit që e kishte bërë të vetën: “Zoti është ideja ime!”
Kuptohet që ai ishte i prekur nga ideologjitë reaksionare, po ajo që më habit është se pse i duhej të të infektonte edhe ty… Pse duhej t’u mbushte mendjen të tjerëve se; “Feja është shërim”! kur i më i madhi i doktrinës sonë, ka thënë që; “Feja është opium për popullin…”?! Dhe ai heshti nji çast.
“Ne nuk na vjen keq për të, sepse ai tashmë e ka mbushur kupën! – Vazhdoi Hetuesi i Ahmetit, – Po të ishte ashtu, do t’i vinim prangat ty! Do të mjaftonte edhe vetëm kjo fletore, që ti ke përpara, e që e pranon se është e jotja, për të vënë prangat e për të rrasur në burg…! Sepse ke përkthyer nji libër të ndaluar, me përmbajtje reaksionare, që s’ka asgjë të përbashkët me ideologjinë tonë përparimtare! Edhe fakti, që ai të ka besuar ty ‘Shopenhauerin’, tregon se ka pasur shumë besim tek ti, si shok që të ngushtë që ishit”.
Kuptohej që tani hetuesi i Ahmetit, po përdorte edhe shantazhin që të më frikësonte, qoftë për të fajësuar Ahmetin, apo edhe mua, që kisha rënë viktimë e një “armiku të deklaruar”.
Heshta një hop, pastaj u shpreha se; nuk kisha pasur asnjë lloj shoqërie të veçantë me të, se kisha shkuar në shtëpinë e tij, si gjithë të tjerët, në ndonjë rast hidhërimi… dhe kaq…!
Por ai këmbëngulte, madje më akuzoi se; isha parë shpesh të shkoja në shtëpinë e Ahmetit natën. Jo vetëm kaq, po akuzohesha se rrija gjatë me të dhe kjo tregonte, se më kripesh edhe muhabeti.
“Oh, – ju thashë gjoja me njëfarë habie, – është e vërtetë që më keni parë të shkoj andej, por jo në shtëpinë e Ahmetit, shkoja në shtëpinë e Ismail Spahiut, sepse punoja me të dhe ai e kishte zakonin që mbante gjithnjë bishta lopatash rezervë, dhe mua më ndodhte shpesh, që të më thyheshin bishtat gjatë punës, dhe gjithnjë gjeja derman te Ismaili.
Kjo mund të jetë nji arsye që jam parë shpesh asaj rruge, po unë kthehesha në të majtë nga Ismaili dhe jo në të djathtë, ku banonte Ahmeti…! Kështu, që mund t’tju kenë dhënë informacion të gabuar në kët rast”!
Ai m’i nguli sytë me një lloj nervozizmi, sikur desh të më hante, por u përmbajt, sepse donte t’ia arrinte qëllimit. Për një çast u step dhe bëri sikur u ngrit nga karrigia dhe përsëri u ul si me rrëmbim
– “Sa për dijeni, ne informacionet i kemi gjithmonë të sakta, dhe që ta dish ti, Partia jonë, nuk akuzon kurrë njerëz mbi informata të rreme”!
– “Unë besoj, se është thjesht një keqkuptim” – shtova me një lloj pafajësie ironike, pa u zgjatur!
– “Ti thua që te Ismaili, rrije nga dy orë, për nji bisht lopate”?!
– “Jo, – thashë prerë. – Ismaili ishte njeri mikpritës dhe nuk të linte t’i dilje nga shtëpia, pa nji gotë raki, dhe e shoqja, sapo niste rakia, e bënte mezen gati… dhe kështu kalonte ora pa u ndjerë. Dhe unë që s’para pi raki, me nji gotë bëhesha në qejf dhe harroja se nëna bëhesh merak…”!
– “Nejse, – më ndërpreu hetuesi i Ahmetit – nuk na interesojnë hollësirat, por çfarë bisedonit, kur bëheshe në qejf… se helbete…”?!
– “Flisnim për hudhrat, qepët, domatet, sepse edhe unë isha qejfli dhe i mbillja çdo vit në kopshtin tim…! Ja, për kësi gjërash, po edhe për problemet e ndërtimit, mbasi të dy ishim të profesionit si muratorë dhe shpesh punonim bashkë…”!
– “Unë besoj sinqerisht, se me Ismailin, mund të kesh diskutuar kësi gjërash, sepse je njëfarë pehlivani ti, që i përshtatesh secilit, nuk po ta them me kuptim të keq, të më besosh, por meqë ra fjala, duam të dimë, se ç’bisedoj me Ahmetin, se ai është intelektual, ka njohuri të gjera dhe kulturë të gjerë, di gjuhë të huaja, është i këndshëm në bisedë, apo jo”?
Fillimisht bëra sikur buzëqesha, po ishte si një lloj ngërdheshje nga e keqja.
– “E di që s’do të më besoni, po ai ishte një tifoz i sëmurë futbolli. Po të rastiste që të punonim bashkë në bujqësi, nga mëngjesi në mbrëmje, bënte tifozllëk”.
– “Sigurisht do të ketë qenë me gjermanët” – tha hetuesi i Ahmetit, dhe unë mbeta disi i shastisur, se nuk isha i përgatitur, për kët variant gënjeshtre. Por aty për aty iu përgjigja shpejt e shpejt, se; sigurisht bëhej fjalë vetëm për skuadrën e “Traktorit” të Lushnjes, pasi në ishim rritur në atë qytet. Në fytyrën e hetuesit të Ahmetit, u shfaqën shenja irritimi, pasi u ngrit në këmbë dhe me gishtin tregues, m’u kërcënua plot mllef:
– “Dëgjo o Dine, ndofta mendon se na mrekullove me këto pallavra që na shpike, po dije se një ditë, do të bien mbi kurrizin tënd. Po të paralajmëroj, sepse vetë fakti që ke shfletuar ‘Shopenhauerin’, autorin më pesimist, më reaksionar, që është në kundërshtim flagrant me ideologjinë tonë, objektive, optimiste, që ndërton socializmin, me forcat e veta, pra vetëm ky fakt është i mjaftueshëm, për të t’i futur të dyja këmbët në një këpucë. Nëse ti nuk do ta kuptosh, paç veten më qafë!
Sot, unë të kam thirrur këtu për fletoren që mban sipër emrin tënd, për të na shpjeguar lidhjet e tua me Ahmet Kolgjinin, i cili e ka përdorur këtë material, me dëshirën tënde, ku dhe si i ka dashur qejfi, duke abuzuar dhe bërë agjitacion e propaganda, kundra pushtetit tonë popullor…! Por, meqë jemi këtu te fletorja e ‘Shopenhauerit’, do të bëj edhe një pyetje tjetër, për të parë se sa i sinqertë je me ne…!
Po për ato esetë e tjera që janë mbas kësaj që ke përkthyer, e që unë jam i sigurt se ti, në mos i ke lexuar, së paku i ke shfletuar të gjitha…! Dhe që besoj ti i mban mend mirë, çfarë mund të na thuash? Po për ‘Gratë’, për ‘Vetvrasjet’, për ‘Zhurmat’, për letërsinë…, çfarë mendimi ke…?! Apo thjesht s’i ke lexuar dhe nuk di gjë fare për to?
Në të vërtetë, unë i kisha përkthyer të gjitha ato, po vala e arrestimeve që kishte përfshirë gjithë brezin tonë, më kishte detyruar, t’i digjja të gjitha…! Kështu që, e vetmja rrugëdalje ishte, që mos t’i jepja asnjë lloj shpjegimi të mëtejshëm, për këtë gjë.
Ndërsa hetuesi, përpiqej me çdo kusht të më tërhiqte të pranoja se, kisha dijeni edhe për esetë tjera, e në veçanti për atë; “Mbi vetëvrasjen”, për një moment m’u fanit para syve portreti i shokut tim, Ahmetit. Befas shpërtheva në të shara: “Maskarenj, të pafrytë, ushtroni zanatin më të padenjë në botë, atë të mashtrimit të njerëzve të ndershëm, që s’ju kanë asnjë borxh, për t’i dërguar në fund të ferrit, vetëm e vetëm, pse nuk e duroni dot inteligjencën e tyre!
S’e kuptoj, kërkoni më prej tij?! E latë tërë jetën në burg! Herën e parë e arrestuat në bangat e shkollës, kur ishte pothuaj fëmijë! Pse, edhe atëhere, bënte agjitacion e propagandë?! Ishte i urtë, i zgjuar, ndaj ju vriste sytë. E groposët të gjallë në ferrin e burgut të Burrelit edhe pse qe pa mbushur 18 vitet! Mëkatarë të pandreqshëm! Mos u mërzisni, në këtë botë do të paguhen të gjitha! S’dini se ç’bëni! S’ju vret ndërgjegjja për asgjë, dhe ndjeheni mirë vetëm duke bërë keq…”!
E kisha humbur pothuaj fare…! Kujtoja Ahmetin dhe më bëhej sikur e kisha para syve, me mallin që s’më ndahej asnjë çast, kur ndjeva një dorë që më shtrëngoi papritur: “Ej, kujt i flet kështu?! Më duket se ke lajthitur”! Më qe vërsulur hetuesi i Ahmetit.
U përmenda…! E ndjeva se nuk isha mirë, e megjithatë më duhej të vazhdoja…!
Ai buzëqeshte hidhur, dhe bënte ca ecejake para meje, në pritje të ndonjë përgjigjeje dhe kur e pa që s’mori asnjë lloj përgjigjeje, mori një copë letër dhe filloi të shkruaj vetë. Pasi shkroi rreth një gjysëm faqeje me dorë, ku ndjehej vetëm zhurma e stilolapsit, ma dha ta lexoja…! Unë iu ankova, se asgjë prej atyre që kishte shkruar, nuk ishte e vërtetë.
Atëhere ai, i indinjuar thellësisht, ma shtyu letrën me nervozizëm, para syve të mi dhe më ulëriti: “Merre dhe shkruaj vetë, çfarë të do qejfi”.
Me dorën që po më dridhej, mora stilolapsin dhe shkrova gjithçka që isha i bindur, që s’mund ta përdornin si dëshmi kundra Ahmetit. Përsa më përkiste mua, pranova se fletorja me 44 faqe ishte e imja, dhe hodha një firmë, duke pranuar gjithçka nën përgjegjësinë time…
Pas disa muajsh më erdhi radha edhe mua, të kem fatin e keq të Ahmetit dhe sapo u futa në sallën e gjyqit, gjykatësi Sofokli Papajani, për t’u bindur se deklaratën e kisha firmosur vetë, gjoja konfidencialisht, më tha: “Gabim i madh të lexosh ‘Shopenhauerin’, sepse ka çuar me mijra vetë në vetëvrasje!”
Unë vetëm heshta dhe ai s’u zgjat më tej! Emri i hetuesit të Ahmetit, nuk u përmend askund. Pas gjithë atyre fatkeqësive të hetimit dhe gjykimit, më çuan nga ‘Kaushi’ drejt e ne Spaç. Në Kampin e Spaçit, më prisnin shokët e vuajtjeve, nëpër kampet e internimit, si; Qemal Dema, Lekë Mirakaj, Naim Staravecka, kushëriri im, Adnan Nasufi, e shumë të tjerë, me të cilët njiheshim qysh fëmijë. Pasi u përqafova me mall me të gjithë, në fund, vura re fytyrën ngjyrë dheu të Ahmetit…!
U përhumbëm në krahët dhe mbetëm ashtu të varur në qafat e njëri tjetrit, derisa dikush prej shokëve na thirri…; “Hej, po jemi edhe ne të tjerët këtu”.
Kur u nisëm drejt mensës për darkë, pasi qe si traditë, që të burgosurit e rishtë, ishin mjaft të uritur, u afruam edhe njëherë me Ahmetin…! Dhe i pëshpërita në vesh një thënie të Shopenhaurit, që e pëlqenim të dy: “Është e vështirë që e një e keqe, të vijë pa kompensimin e vet”!
Ai me një buzëqeshje të dhimbsur, edhe njëherë ma hodhi krahun në qafë dhe më shtrëngoi edhe njëherë dhe u ulëm në tavolinën e bukës, duke kujtuar kohët e shkuara dhe ndarë atë të keqe ku na kishte hedhur fati e, që s’dihej se kur do t’i vinte fundi…! Memorie.al