Nga Prof. Dr. Sonila Boçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Viti 1946, shënoi një moment kthesë në historinë e Shqipërisë, por edhe më gjerë. Kontradiktat ndërmjet Aleatëve të Mëdhenj, SHBA-së, Britanisë së Madhe, nga njëra anë, dhe Bashkimit Sovjetik, nga ana tjetër, po bëheshin gjithnjë e më të dukshme. Lufta ideologjike, shtrirja e zonave të influencës dhe imponimi i sistemeve të qeverisjes, kishte bërë që në Europë të binte ajo, që Willson Churchill-i do ta konsideronte “Perdja e Hekurt”. Kjo situatë do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në një vend të vogël, si Shqipëria.
Gjyqi nuk pati ndonjë zhvillim të papritur. Gjatë 10 ditëve të tij, u dëgjuan të akuzuarit, prokurori, dëshmitarë të akuzës, avokatët mbrojtës. Të akuzuarit në përgjithësi i qëndruan deklarimeve që kishin bërë gjatë hetuesisë dhe pranuan të kishin punuar, kundër “pushtetit të popullit”.
Kujtim Beqiri, i cili për shkak të lidhjeve të tij me ‘Ballin Kombëtar’ gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, konsiderohej nga regjimi; një armik natyral, u detyrua të pranonte se kishte punuar kundër pushtetit dhe se kishte sabotuar. Në deponimet e tij, ka elemente kontradiktorë. Ai pranon se kur Fultzi ka ardhur në Shqipëri, ai së bashku me Abdyl Sharrën, Namik Xhelilin dhe Beqir Çelën, kanë shkuar ta takojnë.
Ai pranoi se kishte simpati për SHBA-të dhe se kishte shpresuar që Fultzi, do t’u jepte sqarime për gjendjen e Shqipërisë dhe për gjendjen politike “duke qenë se ishim të pakënaqur kundër pushtetit, të cilin e konsideronim provizor. Mendimet t’ona që kishim për pushtetin na i vërtetoi dhe Fultzi, i cili na tha se gjendja këtu në Shqipëri do të ndryshojë shpejt, prandaj duhet të punoni si teknikë që jeni. Neve te Fultzi, vajtëm për t’i thënë mirëseardhjen, por më tepër për t’i qarë hallin, kundra pushtetit”!
Vasil Mano, në gjyq pranoi se; “Kundra pushtetit kam vepruar qëkurse erdhën ata dy njerëzit e Unrrës (UNRRA). Luigj Poci, Hans Vali dhe shokët e tjerë, në mbledhjet që kemi bërë, më kanë thënë se nuk duhet të dëshpërohemi, mbasi situata do të ndërrojë, sepse aleatët nuk do të lejojë që një regjim si ky, të qëndrojë në buzë të Adriatikut, prandaj kjo do të ndërrojë shpejt”.
Italiani Scaturo, deklaroi se; nuk mendonin se pushteti i vendosur në Shqipëri, të kishte baza të forta “dhe shpejt mund të ndryshonte situata, me ndërhyrjen e anglo-amerikanëve dhe të grekëve. Bisedonim mbi traktatet e paqes dhe thoshim se përfundimet e këtij traktati, do të ishin që në Shqipëri të kishte një influencë anglo-amerikane”. Bie në sy se faktet e vetme që paraqiteshin në gjyq, ishin vet pranimi i akuzës, por edhe akuzat që të pandehurit bënin për njëri-tjetrin.
Gjatë gjithë procesit, të pandehurit bënin ç’është e mundur të lehtësonin fajësinë vetjake, duke e hedhur fajin te të tjerët. Pandeli Zografi, pranoi se; “Unë kam sabotuar në vijën e dekovilave, sipas udhëzimeve që merrja nga inxhinier Shara dhe nga inxhinier Manua; gjithashtu kam sabotuar në vagonë, tue mos i dhënë vagonë Guarnierit, i cili më kërkonte, kështu që punëtorët ndjenjën pa punë disa ditë”.
Për të mbështetur këtë pohim të Zografit, Eugenio Scaturo, deklaroi se; “Zografi ka zgjatur vijën e dekovilit, 200-300 metra dhe mandej e ka shkulur këtë, e ka bërë me qëllim sabotimi dhe për zgjatjen e punës; këtë veprim e ka bërë tek kthesa e rrugës Korçë-Pogradec.
Nga kjo u shkaktua një dëm prej 4000-5000 franga. Ky ka sabotuar gjithashtu dhe në lokomotivat, tue vonuar riparimin e tyre me pretekste se mungonin pjesët e këmbimit; edhe kjo punë bëhesh për vonimin e punimeve dhe të transportit të gurëve, me të cilët do të mbuloheshin anët e kanalit; kështu që me afrimin e vjeshtës, nga mos mbulesa e skarpateve, do shkaktohesh rënia e dheut dhe kështu e gjithë puna do të shkonte kot. Ky ishte sabotim në stil të gjerë”.
Ndërsa Vasil Mano, shtoi se; “Pandeli Zografi sabotonte dhe duke futur grindje ndërmjet lokomotivistëve, të cilët dhe janë ankuar”. Interesant është një pohim tjetër i Eugenio Scaturos, ekonomisti italian, që nuk fliste shqip, por në gjyq deklaroi se; “inxhinier Shara, inxhinier Manua dhe Pandeli Zografi; shpesh herë në bisedime përdornin termat Berat dhe Egjipt, të cilat duhet t’ishin parullat që kishin midis tyre”.
Duke qenë se deklarimet që po bënin në gjyq mund të kundërshtoheshin nga deklarimet që kishin bërë të akuzuarit në mbledhjen e zhvilluar me Komisionin e Kontrollit, Kujtim Beqiri në gjyq deklaroi se; “Kur erdhi Komisioni i Kontrollit, neve duke parë që ishim në rrezik, vendosëm të pakësonim veprimtarinë tonë të sabotimit. Komisioni na pyeti një nga një, për mungesat që qenë bërë në kohën e Sharrës.
Me rastin e ardhjes së Komisionit, kemi bërë një mbledhje, ku vendosëm se si do përgjigjeshim përpara Komisionit. Unë si i ri që jesha, do të flisja në mënyrë teknike. Inxhinier Manua do ta shante Sharrën. Pandeli Zografi, do të bënte rolin e budallait, sikur nuk dinte gjë. Inxhinier Aleks Vasili, do ta mbronte Sharrën! Meqenëse Manua nuk e mbrojti Sharrën, u zu me Aleksin, i cili i tha që burrat nuk fjalosen kështu”!
Në dosjen hetimore, gjenden fakte që nuk përputhen apo që kundërshtojnë njeri-tjetrin. Kjo dëshmon moskokëçarjen e hetuesve, për saktësinë e fakteve, por interesin e tyre për dënimin e “armiqve”. Kujtim Beqiri pohoi në gjyq që; ishin paguar nga Misioni Amerikan, për sabotimet në Maliq. “Nga Fultzi kemi marrë të holla. – pohoi ai.
Inxhinier Shara ka marrë 150 napolona flori (stërlina) dhe unë kam marrë 200 (napolona flori) stërlina, këto të holla i përdorim për t’ua dhënë personave që bashkëpunonin me ne, në veprimet e sabotimit. Këto të holla na i ka dhënë vetë Fultzi, personalisht. Pseudonimi i Fultzit, nuk më kujtohet”.
Mirëpo një pjesë e mirë e të pandehurve, duke përfshirë dhe Zyrika Manon, e cila akuzohej si ndërlidhësja ndërmjet grupit të “sabotatorëve” dhe Fultzit, nuk pranuan të kishin marrë para nga ky i fundit. Fjalës së Kujtim Beqirit, se Zyrika i kishte sjellë nga Fultzi 50 napolona flori, Zyrika i përgjigjet se; “nuk është e vërtetë, që unë t’i kem prurë Kujtimit, të holla nga Fultzi. Të tetë napolonat flori që m’u gjendën në çantë, i kam patur nga burri”.
Po kështu, Abdyl Sharra deponoi se i kishte dërguar tre letra Fultz-it, me anë të Zyrika Manos, ndërkohë që Zyrika i kujtoi se ajo vetëm një herë kishte qenë në Tiranë dhe se “Sharra një letër ia dha vetë personave të Misionit Amerikan, që erdhën në Maliq”. Qartazi Zyrika Mano, ngatërronte përfaqësuesit e UNRRA-s, me ata të Misionit Civil Amerikan, gjë që të bën më shumë të dyshosh, për lidhjet e saj me këtë të dytin.
Shumë detaje për takimet apo punën sabotuese nuk përputheshin. Në shumicën e rasteve ndërhyrjet e prokurorit për të theksuar faktet, nuk janë të karakterit juridik, por më shumë të karakterit politik, me qëllim formësimin e opinionit publik, mbi tradhtinë e të pandehurve. Gjatë deponimit të Abdyl Sharrës, prokurori ndërhyri disa herë.
Një nga këto ndërhyrje, ishte për të lexuar një deklaratë të 26 inxhinierëve të tjerë, të cilët “kërkojnë nga gjykata e popullit, dënimin e rreptë të tradhtarëve”. Në një tjetër ndërhyrje, prokurori theksonte: “Të pandehurit pretendojnë këtu se u mashtruan nga të huajt, po a nuk i panë këta veprimet e të huajve, që kanë bërë kundra interesave të popullit tonë [?]”, dhe në vijim lexon një telegram të punëtorëve të Maliqit, kundër të akuzuarve.
Pavarësisht këtyre, gjyqi përfundoi ashtu siç ishte paravendosur. Të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të gjeometrit italian, Mario Guarnieri, e pranuan akuzën për sabotim dhe kërkuan mëshirën e trupit gjykues.
Shumë prekëse ishte fjala e fundit para gjyqit, e inxhinierit Vasil Mano, i cili nuk kërkoi mëshirë për vete, por për bashkëshorten e tij, Zyrikën. Mario Guarnieri, ishte i vetmi që nuk pranoi edhe sabotimin në Kënetën e Maliqit. “Mua m’u caktua nga inxhinier Manua, ekskavatorët, vumja e piketave dhe shpërblimi i punës.
Neglizhencat që bëheshin nuk i kam konsideruar sabotime, pasi nuk dija se bëheshin sabotime dhe nuk më ka folur njeri. Punët që bëheshin pa kriter, i konsideroja neglizhenca, si p.sh., përdorimi i ekskavatorëve dhe keq caktimi i punës; gjithashtu në një punë që nuk kishte mbaruar ende, hiqej ekskavatori dhe dërgohej në një vend tjetër e, mandej kthehej përsëri po në atë punë”.
Gjykata vendosi fajësinë e të gjithë të pandehurve, duke i cilësuar si sabotatorë dhe armiq të popullit. Dy drejtuesit e punimeve, për tharjen e kënetës së Maliqit, Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, u dënuan me varje në litar; inxhinier Vasil Mano, bashkëshortja e tij Zyrika dhe llogaritari italian, Eugenio Scaturo, u dënuan me pushkatim; gjeometrat Pandeli Zografi dhe italiani Mario Guarnieri, me burgim të përjetshëm; gjeometri tjetër, Mihal Stratobërdha, dënua me 10 vjet burg dhe punë të detyrueshme;
Punëtori Anastas Risto, me 2 vjet burgim e punë të detyrueshme; ndërsa 16-vjeçari Jani Vasili, u dënua “1 vit burgim me kusht që të mbajë sjellje morale e politike të mira”. Për të dënuarit me burgim, u urdhërua gjithashtu konfiskimi i pasurisë së tyre personale dhe humbja e të drejtave qytetare e politike. Ekzekutimi i dënimit me vdekje, u vendos të bëhej në Maliq.
Ky proces, mbylli siparin e një akti të tragjedisë që po fillonte të luhej në kurriz të njerëzve të shkolluar dhe të kualifikuar të Shqipërisë, por ky nuk do të ishte i fundit. Organet e Sigurimit të Shtetit, kishin vendosur ta shfrytëzonin mirë këtë ngjarje, për të eliminuar të gjithë kundërshtarët potencialë të regjimit komunist.
Në një relacion që Drejtoria III-të e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ia dërgonte eprorëve të tyre, ata shprehimisht pranonin se: “Synojmë të zbulojmë sabotimet që janë bërë në qarqe të tjera, lidhjet që këta kanë pasur në Tiranë, elementët dhe agjentët e tyre nëpër qarqe, kur janë organizuar, nga kush dhe kohën kur janë organizuar, deri ku do të veprohej në këtë drejtim, ku i kanë pasur bazat, si shtrohej falimentimi i qeverisë në lidhje me sabotimet dhe cilët kanë qenë elementët në qeveri”.
Ata këshillonin të vazhdonin arrestime të tjera në Maliq dhe të gjendeshin lidhjet që inxhinierët dhe teknikët e Maliqit, mund të kenë edhe me inxhinierë dhe teknikë në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë, apo gjetkë në Shqipëri.
Kështu, ende pa mbaruar procesi i parë i Maliqit, një tjetër proces po ndërtohej. Më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit të Shtetit arrestuan inxhinierin Aleks Vasili, gjeometrin Mirush Përmeti, austriakun Hans Vala, shoferin Lambi Napuçe dhe mjekun italian, Golfredo Paskual Rizo.
Akuza ishte e ngjashme si për grupin e parë. Ata po gjykoheshin si armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit. Më 21 nëntor 1946, po në sallën e kinemasë “Nacional”, filloi gjyqi i hapur edhe për këtë grup.
Gjatë zhvillimit të gjyqit, ata pranuan hapur që nuk kishin simpati për regjimin e vendosur në Shqipëri, ata gjithashtu pranuan se në Maliq, punët nuk kishin ecur siç duhet, kishte pasur vonesa, mungesë organizimi etj., ata, madje, e konsideruan veten fajtorë, që nuk kishin folur më herët për këto problematika që kishin vënë re në Maliq, por në përfundim të procesit, ata nuk pranuan që të kishin sabotuar dhe të kishin qenë pjesë e ndonjë grupi sabotatorësh.
Mungesa e pranimit të fajësisë, nuk e pengoi prokurorin e çështjes të kërkonte dënim me vdekje për inxhinier Aleks Vasilin dhe gjeometrin Hans Vala dhe burgime të rënda, për tre të tjerët. Ajo nuk e pengoi as gjykatën, që në përfundim të gjyqit, të jepte dënim me vdekje për inxhinier Aleks Vasilin dhe gjeometrin Mirush Përmeti.
Hans Vala, gjeometri austriak, i cili kishte punuar në shumë zona të Shqipërisë, që prej vitit 1940, u dënua me 30 vjet burg, mjeku italian Golfredo Rizo, me 10 vjet burg dhe Lambi Napuçe, me 5 vjet. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm