Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëdhjeteshtatë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Bëj banjë dhe vishu të jesh gati”! – Tomçja më zgjati grumbull rrobash. – “Provoi, të venë apo jo, s’e s’i dihet”!
Te dushet priste Bajram Hoxha, me një kazan ujë të ngrohtë.
“Pse u vonove or djalë, shpejto se mund të të thërrasin policët”! – ai u tërhoq jashtë boksit. U lava, u vesha dhe dola.
“Marshallah, sytë në bythë të qenit”! – Bajrami fërkoi sytë dhe diç nomatisi nën zë.
“Ç’të gjeti, o Bame”? – e nguci Zakja nga krye shkallët e tarracës së apelit.
“Po e ysht mos ta marrin më sysh”! – ia ktheu Bajrami, duke mbledhur teshat e burgut.
“Bre, bre, bre, po qenke bërë dhëndër mo”! – Zakja m’u var në qafë dhe më mbështolli në gjoks, sa më mori frymën: – “Qoftë e shkuar o bir dhe paç fatin e mbarë”! – sytë iu njomën dhe nisi të rrufiste hundët. – “O Allah i Madh, ruaji bijtë e tu”! – u ul mbi shkallaren e parë me kryet mes duarve.
“Mbahu bre Zake, se do ta çojmë ne te berberi”! – s’di nga mbiu Xhelal beu, më futi krahun dhe më hoqi hosh drejt barakës së “hundaçit” mallakastriot, ndërkohë ia mori këngës kolonjare:
“O dhëndër ku vete kështu…”?!
Mësymë derën e “hundaçit” mallakastriot, që për herë të parë më rroi pa radhë, madje edhe leshrat m’i rrumbullosi, paçka se m’i kish qethur zero, para dy javësh, më leu edhe me livando nga një flakon që s’di nga e nxori, pastaj më dha një shuplakë pas kresë:
“Qoftë e shkuar dhe rruga e mbarë”! – pas kaq vitesh i ktheva falënderimin dhe i dhashë dorën.
Jashtë sa s’u plasëm me eskortën e Rrokut, nja pesë-gjashtë malësorë, e çonin për ta stolisur te “hundaçi” mallakastriot. Them për ta stolisur, sepse në krahasim me mua, Rroku i kishte flokët të gjatë, të paktën tre katër centimetër. Natyrisht privilegji i të qenit brigadier! U përshëndetëm dhe u ndamë. Kur u ktheva në dhomë, Tomori diç po ngucte në një valixhe.
“Po kjo”? – pyeta i shtangur.
“Valixhja ime. E ke kujtim nga unë, por më tepër, s’i dihet rrugës”!
“Më mjafton çanta që solli Ahmet Islami. Se mos kam ndonjë gjë të madhe për të marrë”!
“Merri të dyja! Kam futur edhe nja dy rroba, për plakën time”. – dhe nguli këmbë: – “Ore, pa vishi këpucët që solli Esati”! – dhe më zgjati një kuti kartoni.
Kur vesha çorapet, këmbët hynë pa zor në këpucë, po sa lidha lidhëset, m’u bë se një morsë ma shtrëngoi shputën. Pesë vite, kisha mbathur vetëm opinga gomash makine dhe çizme llastiku, putra ishte zgjeruar dhe gishtat ishin deformuar, tani me këpucë të vërteta, po më dhembnin majat e thonjve.
“Ha ndonjë gjë, se s’dihet kur do të bjerë në hise”, – Tomçja më zgjati supën e mëngjesit.
“Nuk kam uri”! – në fakt s’doja ta gjerbja atë lëtyrë, që më mbiu në bark pesë vjet.
“Epo mirë, po të vë në çantë ca biskota”! – dhe futi dy kuti.
“Mbaji, sepse unë do zgjidhem si të mundem”! – s’doja ta privoja nga ushqimi i paktë.
Kur u sigurova se rrasa në çantë gjithë ç’kisha nijet të merrja me vete, u ula përfund shtratit, mbi shtresat e mbledhura rulo, që tashmë do ndërronin pronar, do t’ia dhuroja mikut me të cilin më dënuan, Ladit, që kishte edhe pesë vite të tjerë.
“Çohu se vajti ora”! – Tomori mori çantën e valixhen dhe doli në shesh.
Atje më rrethuan shokët që kishin ardhur nga turni i natës dhe më shoqëruan gjer afër portës së llamarintë, ku Malua paralajmëroi të ishim gati, se mund të na lironin nga çasti në çast. Para mensës u bashkova me Rrokun, ndërkohë bashkëvuajtësit, na futën në rreth.
Vetëm atë çast u binda se po më lironin përnjëmend. U ndërgjegjësova, m’u pre gjuha dhe m’u lidh një komb në fyt, teksa një gulfë lotësh, më rrodhën pavullnetshëm. Ngashëreva, po e përjetoja rëndë ndarjen, sa e pata të pamundur të zotëroja veten. Kur pashë se e njëjta po u ndodhte edhe burrave të ashpër, që kishin kaluar sa e sa furtuna dhe rrebeshe, u ligështova dhe shpërtheva në dënesa.
Kështu kaluam ndonjë gjysmë ore, gjersa thirri sërish tellalli, këtë herë përfundimisht, sepse nga sheshi i epërm, na bënin shenja kartelisti me dy policë. Në një dorë valixhen, në tjetrën çantën sportive, kaptova portën e llamarintë, i rrethuar nga shokët që më rrahën shpatullat dhe më inkurajuan të përballja sfidat e botës, matanë telave. Krye shkallëve të dheut, u ndala dhe fiksova për herë të fundit miqtë, teksa i përshëndeta, qava. Qaja ndarjen me ta dhe pasigurinë që më priste tej rrethimit, dyfish telash gjembaçë.
Pas pesë vitesh, u hap ajo portë e nëmur dhe shkela në botën e lirë, por ende s’ndihesha i tillë, sepse dikush m’u trus nga sipër supit:
“Ku je tuj shku, or tëj”?
Kur u ktheva pash Ndrec Bardhoçin dhe Preng Rrapin. “O Zot, si s’m’u nda ky rob”?!
Dhe m’u ndërmend 23 shtatori i vitit 1970, kur shkela së pari aty dhe kurrizi i rrjepur nga fshikulli i tij.
“Duket po përballem me talljen, do më arrestojnë sërish, siç i ndodhi Kadri Thaçit nga Kukësi, që i vunë hekurat; “në emër të popullit”! sapo hodhi hapin e parë, jashtë territorit të burgut!
Sidoqoftë, ndoqa Rrokun zemër dridhur. Hyra pas tij, në derën e barakës që shërbente për kontrollin e ushqimeve, që sillnin familjarët.
“Asht derë e madhe për me hy kjo, or tëj, po birë miu me dal! S’kalon kush njitu, pa e kontrollu veta”! – Prenga më nguli pjerrtas sytë e urithit. Prita pa bëzan, sa mbaruan me Rrokun.
“Xhvishu, ç’ka pret”? – urdhëroi Prenga.
Zbatha këpucët, zbërtheva pantallonat e këmishën dhe mbeta në kanatjere e brekë.
“Cullak or tëj”! – ulëriu ai.
“Ç’ka ka me fsheh nën t’linjta, ej burrë”? – ndërhyri tjetri.
“Ndrec-a, veç veta e njoh kët anmik të poshtën”! – dhe bëri një ngërdheshje të pështirë.
“E kreva dënimin, shoku polic”! – e ndërpreva me kast.
Ai çoi kryet mbi kapakun e valixhes dhe më pa sikur do më shqyente: “Ene pse ke krye d’nimin, vet s’jam shoqi yt”! – por duket u pendua sepse shtoi: – “Tash po ta tregoj at shoqin, kur të vish përsëdyti njitu”! – djersët i shkonin lumë prej zorit, sa iu qullos këmisha.
“Mos ua pafsha bojën, as juve, as vendit”! – ia ktheva i trimëruar.
Tashmë u binda se s’kishte ç’të më bënte, të paktën për momentin, gjendesha jashtë rrethimit me tela gjembaçë.
“Edhe na, s’na gërryu malli për surratin tat, por njitu e ke venin”! – dhe iu kthye Rrokut: – “Ik or tëj, tash kena punë me nji kët”!
Po Rroku u ul në stolin ndanë derës, me sytë nga dritarja.
Mbi çimento dergjeshin valixhja dhe çanta bosh, ndërsa plaçkat mbi dhogat e pazdruguara, të një tavoline këmbështrembër, ku Ndreca i kaloi formalisht në ekstremin tjetër. Por kjo procedurë duket s’i pëlqeu Prengës, sepse iu kthye sërish, ndau ca relikte dhe ca punime druri, nja dy korniza të punuara me kashtë dhe një palë nalla pirografike për nuse, të mjeshtrit Hilë Pashuku, një kuti duhani me shqiponjë dhe një lugë druri të stilizuar si kokë dhie, nga maestro Eshref Zajmi, i ktheu e stërktheu mbarë e prapë, mos pikaste ndonjë shenjë subversive. Në fund duket iu këndën, sepse la të parën, mori të dytën, la edhe atë dhe mori të tretën e me radhë, duke u rikthyer sërish te e para, e në vazhdim. Kushedi sa do kish zgjatur, sikur mos të ndërhynte një oficer nga dritarja:
“Preng, mos na vono, se ngela këtu, po më la makina”!
“Komandant, nji ky a i rrezikshëm fort”! – iu gjegj Prenga dhe zhyti kokën mes plaçkave. – “Po ky kostum”? ngriti lart një rrobë burgu. – “Ç’ka po t’lypet, bre”?
“Më nevojitet atje ku do vete”! – ia ktheva, por në fakt e ruajta për relikte, gjë që vërtetohet në pavijonin e persekutimit të Muzeut Kombëtar, ku e dorëzova më 1995, bashkë me disa plaçka, që i ruaja nga ajo kohë. Si ndau kutinë e duhanit dhe lugën, dhuratat më të vyera të mjeshtrit Zajmi, i krodhi në një raft në krahun e kundërt të dritares dhe shfreu:
“Njito s’lejohet me i qit, të tjerat futi në valixhe dhe jashtë prej njitu”!
Ndonëse më privoj nga objektet e shenjta, s’u ndjeva, sepse protesta ime, s’do ndryshonte gjë. Ndanë barakës priste financier, me një fletë në dorë.
“Firmos këtu”! – sheshoi regjistrin mbi syprinën e një dhoge. Rroku sigloi, mori shumën dhe më hapi krahun.
“A.., A.., A…b.., A-ba-zi, apo jo”? – germëzoi nëpër dhëmbë oficeri dhe gërmoi një tufë letrash, nga shkëputi nja dy.
“Si urdhëron”! – pohova.
“Abazi, Abazi, Abazi, babanë Myslim, apo jo”!
“Po”!
“Ore, ti paske vetëm 578 lekë, e disa qindarka”! – palosi fletën dhe më pa çuditshëm.
U përqendrova në kokërdhokë, me mendimin se me aq para, do ngelja rrugës, por ai duket e pikasi mëdyshjen, sepse shtoi:
“Janë lekë të reja, or shok”! – dhe i numëroi mbi tryezë.
Dritën e bllokoi një ushtarak me dy zarfe, njërin ma zgjati mua dhe tjetrin Rrokut:
“Sot është e premte, të hënën në orën dhjetë, do paraqiteni në Degët respektive, ti në Berat dhe ti në Shkodër. Çdo vonesë e pajustifikuar, iu ngarkon me përgjegjësi penale. E kuptuat besoj”?
Pohuam me kokë dhe futëm zarfet në xhepa. Mora valixhen dhe çantën e, dola nga ajo zyrë e mallkuar, ndjekur nga Rroku me shtresat në shpinë dhe një harar zvarrë. Pas ca metrash, u sulën e na prenë udhën një grua me xhubletë malësoresh dhe dy të rinj, me siguri e shoqja me dy djemtë. Rroku flaku ngarkesën përtokë dhe u përqafua me familjarët, që mbasi më përshëndetën edhe mua, na ndihën të hidhnim plaçkat mbi karrocerinë e një skode.
U grimpova mbi gomë, po ç’ të shoh: ajo ishte plot mineral piriti, mbi të cilin kishin ndehur ca letra thasësh çimento! Tashmë dielli digjte, teksa nga karroceria ngriheshin shtëllunga avulli. Pa kaluar pesë minuta, doli nga baraka një rrondokop rreth dyzetvjeçar, me një fletë në dorë, duket policë- ngarkesën, hapi derën dhe e ngjiti në xhamin e parmë, pastaj zbriti sërish dhe u ngjit mbi karroceri, zgjidhi një dërrasë të zezë si dru abanozi, e nxirë sigurisht nga minerali i piritit dhe e shtriu mbi dy vjegëza, që kacavareshin nga pas kabinës.
“Njitu janë të xanme, veç dy vet, kanë m’u ul, të tjerët mbi q’ato letra në daçin, përkundrazi hudhu poshtë”! – ishte shoferi që gulçonte dhe çlironte nga shpatullat e sqetullat leshtore, një duhmë përçi. Sheshova valixhen mbi mineral dhe u ula mbi të.
Nga ajo pikë dominuese, m’u shpërfaq një pamje e përçudnuar e terrenit, ku kalova tre vite; vendi i shëmbëllente një grope me kampin varr dhe godinat si stranica. Mbi tarracën e apelit, lëvrinin ca statueta lilipute ngjyrë kafe, që tundnin kapat e bardha:
Sivëllezërit e idealit tim, shokët e vuajtjeve të djeshme dhe të halleve të nesërme! Atëbotë i kuptova ordinerët, kur shpotitnin: “Ua bëmë varrin armiqve”! Teksa valëvita këmishën si flamur, kapat fluturuan në hava.
Sakaq u drejtuan nga zyrat e komandës për te ne, tre-katër ushtarakë, tre hynë në kabinë, i katërti u hodh mbi karroceri. Ndërkaq motori gulçoi, makina mori dishezën e hinkës së Gurth- Spaçit dhe kampi humbi sysh, shquhej vetëm pjata qiellore dhe disku i diellit, që përcëllonte.
Deri te lëfyti notuam mes pluhurit kuqal, por afër kthesës, shfryu një duf i beftë prej horizontesh të pakapshme nga syri ynë, e davariti dhe e qëroi pamjen. Kur ktheva kryet, shikimi u tret mbi kodrat e minierave dhe humbi thellë maleve të Munellës e të Kalimashit, ndërsa siluetat mbi tarracë, iu përngjisnin milingonave.
Sa kaptoi grykën, makina uli shpejtësinë, mori ca zigzage që çanin kodrën dhe binin pingul mbi përrua, në të teposhtën e Spaçit fshat. Ato qindra metra, mund t’i përshkoje më shpejt me këmbë, se mbi rrangallën që epohej dhe kërcëllinte pas çdo kthese.
Në ndryshim nga minierat, shpatet ishin të veshura me pemë dhe me shkurre, ndërsa syri depërtonte matanë Fanit, gjer në kodrat e Repsit. Një rrëke që nga pllaja, zbriste e grumbullohej në një vijë anësore, që e përcillte ujin mbase në shtratin e ndonjë mulliri bloje.
Bërrylin përfund dishezës, dëgjova ta quanin “Udha e Spaçit”, po fshatin s’ma zuri syri. Bash rrëzë saj, shoferi ndali, qiti tullën nga dritarja dhe vikati:
“Shpejt, se kena udhë të gjatë, or mëjk”!
Nga shkurret dolën një çift me një fëmijë, dy-tre vjeç, u varën në sponda dhe u sheshuan bri meje.
“A mundesh m’e mbajt një fije kët f’min, se jena ngushtë, shoqi ushtar”? – duket koka e qethur dhe mosha e re, e lajthitën mirditorin, që më mori për ndonjë ushtar me leje dhe më hodhi fëmijën mbi gjunjë.
“O Zot, sa i bukur ky flokëverdhi sy jeshil, që bash si engjëll, po më uron mirëseardhjen në botën e lirë”! Engjëlli u step një çast, më nguli sytë e mëdhenj dhe më dhuroi një buzëqeshje të padjallëzuar, që më ngjiti në qiellin e shtatë. M’u bë se shenjtët e Mirditës, më vunë një kerubin në pëqi!
“Të falem o Zot, që më blatove këtë dhuratë të çmuar”!
“Mark-a, ushtar e njehe nji kët, ti? Njitash sa e liruen prej burgut, or shoq! Asht anmik i betuem”! – ndërhyri Preng Rrapi, pa ia kërkuar kush.
Mirditorja ma rrëmbeu nga duart fill dhe e shtrëngoi në gji, si ta mbronte nga gjeraqina.
“Duhet m’i rujt cullët nga anmiqt, shoqe”! – vijoi predikimin polici shpirtkazmë.
U bëra ta shqyeja, por heshta, ndërsa gruan e kuptova; mbronte pjellën, me të drejtën mëmësore. Me një sy të shpejtë, pikasa lemerinë në fytyrat e saj e të burrit, që u ngjesh pas së shoqes, për të formuar një koracë mbrojtëse mes tij dhe fëmijës.
Prita Rrokun mos jepte ndonjë mesazh, por ai sodiste i përqendruar boshllëkun, sa të thoshe se po eksploronte hapësirën kozmike.
Hyrja në “Ferrin e kufomave”, m’u duk tepër armiqësore, të paktën deri tani, nuk shquhej ndonjë shenjë njerëzillëku, njerëzit që ndeshëm na shihnin si ufo, në mos na urrenin, na përbuznin, si të infektuar nga epidemia e murtajës, që rrezikonim të kontaminonim ambientin.
Ngazëlleva sa gati harrova nga dola, kur më lanë mbi gjunjë atë fëmijë, por kënaqësia nuk zgjati sepse, ma rrëmbyen duarsh, si t’ia hiqnin nga kthetrat një bishe të tërbuar.
Pas fyerjes përçmuese, më uturinë në tru fjalët e Esat Kalës: “Biro, hap sytë, ‘Ferri i kufomave’, është më zi nga ‘Varri i armiqve’! Në ‘Varr’, s’të përçmon kush, e shan Enverin sa herë të teket dhe të kallurit s’ta vënë veshin, ama në ‘Ferr’, do heshtësh edhe kur të pickon gjarpri, apo të mbyt duhma e kufomave të gjalla”!
Këqyra bashkudhëtarët me bisht të syrit, një hije trishtimi si maskë e përzishme, iu ndehej mbi fytyrat e thata dhe të zverdhura. Mbase mirazhi ishte efekt i pluhurit të rrugës, por m’u tipos kjo bindje, kur i pashë të dihatnin nga vapa, apo nga ankthi dhe të heshtnin, si peshku para një xhenazeje.
“Vërtet, ‘Ferri i kufomave’, qenka më zi, nga ‘Varri i armiqve’”! T’u riktheva sërish peizazhit të ‘Ferrit…’, që konturonte atë panoramë zymtie mirditore; në të dy shpatet gjethet e pemëve dhe shkurreve, qenë varur nën peshën e pluhurit verdhan dhe kishin humbur ngjyrën, duke shkërbyer kësisoj qiparizët që qarkojnë varrezat, ndërsa të pranishmit emetonin zi, si të shkonin në një funeral!
Pas ca zigzagesh, ramë në shtratin e një lumi, që i ngjiste përroit me disa pellgaçe, një këtu e, një më tej, që jeshilonin nga algat. Si kaptuam një urë, dolëm në të majtë të luginës, në një rrugë me gropa dhe zaje, ku makina hidhej e dridhej, ca nga pesha e piritit, ca nga gomat, që gati prekën diskun dhe ulën shpejtësinë, sa thua zvarritej si kërmilli.
Diku u këmbyem me një “Zil”, mbuluar me mushama ushtarake, që ngrinte tymin duman dhe e detyroi “Skodën” tonë, të strukej në xhepin e përroit, për t’i liruar udhën, po më shumë për t’u mbrojtur nga pluhuri. Kur u davarit reja, ishim pudrosur për ibret dhe kullonim zgjyrë.
Ky tis mjegullor e mbyti fëmijën. Teksa nëna rrekej ta qetësonte, ai kollitej pa pra dhe nisi kujën me piskamë, u hodh nga gjunjët e të atit mbi të mite, duke u përpëlitur si t’i kish rënë epilepsia. Futa dorën në xhep instinktivisht dhe hasa një karamele, nga të qerasjes në kamp, i zhvoshka letrën dhe ia zgjata. Ai e rrëmbeu dhe e gëlltiti me një buzëqeshje të padjallëzuar, ndërsa mëma ngeli gojëhapur nga e papritura, pa mundur të reagonte. Kjo skenë nuk zgjati as një minutë, por e kapi syri i Preng Rrapit dhe i ra llamarinës mbi kabinë:
“Mbaje or shoq, se na mbyti tymi”! – shfrim që nënkuptonte, o pluhurin o prezencën tonë, dreqi e mori vesh.
Shoferi ndali pranë një kroi, nën hijen e një pishe, hapi derën dhe iu avitën kroit, bashkë me oficerët, duke na ftuar të freskoheshim edhe neve. U hodhëm dhe nisëm të laheshim, por duket ishim ngarkuar me aq shumë pluhur, sa llurba turbulloi ujin e koritës. Teksa po freskohesha, fëmija më nguli sytë çuditshëm, duke belbëzuan ca fjalë, që s’arriti t’i artikulonte të plota, apo i mbyti gurgullima e kroit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016