Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëdhjetë e katër
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Qysh nga 11.08.1968, e ardhmja ime mori rrokopujën drejt qorrsokakëve danteskë, shoqëruar me mallkimin kërcënues të prokuror patriotit: “Sot ma hodhe me pesë, ama herën tjetër, do ta fusim tamam”!- kundërshtimin tim naiv: “Si mund të më taksësh një herë të dytë, kur ende s’më keni dënuar”?!, do ta pasonte zgërdhitja cinike, shoqëruar me profecinë djallëzore: “Pse ore, dashke të lëmë të bësh zotërote!? Po ne e dimë ç’bluan ti, në atë rradake armike dhe t’i shkurtojmë urat, pa rënë zjarri! Të fusim një dhjetëshe, më pas edhe një tjetër, edhe një tjetër, gjersa t’i lësh eshtrat, në ndonjë skërkë galerie”!
“Kur mendonte atëherë asisoj, pse duhet të ndryshojë tani”? Me këto mendime, mora drejt hyrjes: “Më mirë në burg me shokët, se përballë një hetuesie të dytë”! Por u përballa me të tjerët, që vinin në kundër drejtim.
“S’i s’durove edhe pesë minuta, or burrë”? – më qortoi Caci dhe shtoi: – “Ka dy orë që kanë çuar ajrin, fronti do jetë pastruar tani”!
“Çudi: paskësha kaluar dy orë në terr, zhytur në mendime të zymta!” Dhe ndoqa kolegët pa e shqepur gojën.
Teksa saraçineska hidhte ajër përzier me ndryshk, rrëzë ballit te galerisë, dergjej një pllangë si gjak. Hodhëm në vagon atë pak mineral që kish mbetur, pastaj ngritëm trupat e rinj dhe forcuam të vjetrit që ishin mykur mos o zot, kurse Ymeri plotësoi birat që la mangët Mexhiti pesë ditë më parë dhe dolëm jashtë. Në dritën e diellit pikasëm njëri-tjetrin të laturisur me të kuq si kasapët dhe vumë duart në kokë. Ato pesë ditë, acidi sulfurik i kish gërryer tubat, ndërsa presioni i ajrit, i ktheu në kroje gjaku.
Shiu kish pushuar dhe koha ish hapur bukuri. Iu qasëm gjak ngrirë dy policëve që shullëheshin në diell dhe diç flisnin indiferentë, por ata s’e prishën terezinë. Dola pas barakës dhe këqyra tinëz në të çarat e dhogave, po s’pashë këmbë robi. Çudi, ne prisnim të përballeshim me tërbimin, ata kishin fuguar! Pamë në sy shoqi-shoqin, pastaj policët, po s’pikasëm gjë të dyshimtë në sjelljen e tyre, ata vijonin muhabetin, sikur s’ekzistonim fare.
Dorëzuam aletet në depo dhe iu bashkuam shokëve që prisnin te arganella e planit të pjerrët, derisa policët iu frynë bilbilave dhe iu varëm kodrës. S’dallohej te ta shenjë urrejtje nga mëngjesi, veç zymtisë dhe heshtjes që ishin pjesë e normalitetit të momentit. Përshëndetëm si zakonisht bashkëvuajtësit e turnit të dytë dhe vijuam rrëpirën e kalvarit, si të ktheheshim nga ndonjë funeral. Edhe në portën hyrëse kaluam pa probleme, përjashto kontrollin e rreptë dhe kërcënimin: “Njitu kanë m’i lanë ashtat, tanë armiqtë e partëjs e t’shokut Enver!”, me të cilin përballeshim prej vitesh.
Në kamp kishte prezencë të shumtë ushtarakësh, hynin e dilnin nga një kapanon në tjetrin dhe ulërinin, na hidhnin vështrime te vëngër, por mjaftoheshin me kaq, ndërsa në derën e kuzhinës kolektive, dy policë ndalnin gjithkënd që tentonte të dilte me tasin e supës: “S’ka më qofte ke daja or tëj, keni shi, si u ka dashtë zogu i qejfit, po tash e mbrapa, keni me hangër veç në mensë”, – m’u ngërdhesh një syresh, kur iu drejtova daljes.
Desha s’desha, u ula në një kënd dhe e gjerba supën direkt nga tasi, sepse lugën kisha lënë mbi sergjen. Kur u ktheva në dhomë, e hëngra bukën thatë. Pa u rehatuar ende, mësynë një xhumbë policësh, me ulërima: “T’tanë jashtë”! Kjo batërdi më futi të dridhurat: “Të erdhi radha or djalë, kurajë”, u rreka t’i jepja zemër vetes dhe ndoqa të tjerët. Nga kati i dytë dhe i tretë, turma shtynin njëri-tjetrin nën klithmat e policëve: “Në shesh, në shesh”!
Fusha e volejbollit s’kishte vend, u nguca mbi inerte në këndin ku zuri fill revolta dhe këqyrja si i zënë në faj. Aparenca e komisarit në rrafshin e epërm, ndjekur nga dy oficerë të panjohur dhe nga kartelisti i burgosur, Nasho Theodhoraqi, me çantë meshini, e ngriti tensionin. “Prite kur të shfletojë kartelat tona, që t’i hapë shteg ri arrestimit; ‘në emër të popullit’”!
“Të dënuar”! – theu heshtjen Shahini. – “Zhvillimet e ditëve të fundit treguan, se me gjithë punën e shkëlqyer të Partisë dhe Komandës, për qartësimin tuaj politik, mbetet ende shumë për të bërë. Duket lakrat borgjeze janë kallur aq thellë në kokat tuaja armike, sa edhe qilizma do t’ua shkulë me zor. Ca tipa kryeneçë dhe ca gjoja ideologë, mëtojnë të trazojnë ujërat, të pengojnë edhe të tjerët në rrugën e rehabilitimit. Por ne jemi të vendosur dhe s’heqim dorë nga përpjekjet, gjersa t’ju sjellim në islla, po e lypi nevoja edhe me dhunë. Ndaj nga sot e tutje, do praktikojnë dy orë politikë, por që mos të shkojë mundi dëm dhe ju të përfitoni maksimumin, orarin do ta programojmë, sipas turneve.
Çmenduria komuniste kapi kulmin! Vërtet na kishin mërzitur herë pas here me ndonjë proklamatë apo rregullore, me ndonjë ligj apo me fjalimet bajate të të Madhit në raste festash, po një xhevahir i tillë, s’ishte parë dhe dëgjuar, në burgjet politikë! T’iu ngulitësh dënglat marksiste armiqve të marksizmit, apo t’iu lëçitësh veprat poshtëruese të Enver Hoxhës, është torturë mbi tortura, që do t’ua sjellë majë hundës kundërshtarëve të regjimit! Vetëm në Shqipërinë socialiste, mund të bëjnë vaki këto xhevahire ideologjike!
“Sot do punojmë dy artikuj nga ‘Zërit Popullit’, njëri bën fjalë për agjenturat e huaja dhe diversionit ndërkombëtar, që synojnë dobësimin e pushtetit, nëpërmjet trazirave politike në bashkërendim me armiqtë e brendshëm, si dhe përgjigjen e prerë të shokut Enver, në mbrojtje të doktrinës marksist-leniniste, kurse tjetri, flet për prosperitetin dhe arritjet mbresëlënëse të ekonomisë socialiste, që me ndihmën vëllazërore të Republikës Popullore të Kinës dhe të kryetarit Mao, ka kapur rezultate rekord. Nesër e prapa, do planifikojmë materiale të tjera”.
Shahini ktheu krahët, kurse Nashua nxori nga çanta gazetat që do na hanin ymrin, qysh nga ajo ditë. Edhe pse shtypi ishte ndër hallkat e pakta të kontaktit me botën jashtë telave, të dënuarit politikë, lexonin zakonisht faqen katër dhe e interpretonin sipas këndvështrimit të tyre.
“Me ç’duket, s’po iu shkon tymi fjollë, sa ç’e paraqet komisari! Përkundrazi, pse duhej të bënin qorrin, për ngjarjen në zonën e tretë”? – më pëshpëriti në vesh kolonjari i zgjuar, pasi u largua komisari.
“A thua”? – ia ktheva i pasigurt.
“Ore, i ke sytë në ballë, apo jo? Pse pa e zënë ngoje dhe pa ndëshkuar askënd, do ta kalonin ata?! Apo demek u ardhka keq për neve?! Me ç’duket po ruajnë bythën e tyre, byrazer”! – i ra në të Caci.
As më shumë dhe as më pak ngjarjen e lanë në heshtje, ose e shmangën me vetëdije, s’po e quaj harresë, sepse ata s’harronin kurrë! Por kumtin e saktë, e morëm mëngjesin e nesërm, kur na qitën në punë: s’ia pamë më bojën policit zjarrmëtar, sipas gjasave, e pagoi shtrenjtë zellin e tepruar. Dreqi e mori vesh në e pezulluan për paaftësi apo, për shkelje të rregullave të shërbimit! Fundja, ç’i shtyu autoritetet të heshtnin për kundërshtinë e organizuar, apo zgjatimin e Revoltës, siç e emërtuan policët?!
Sjellja e çuditshme që ra në sy gjatë ditëve dhe muajve në vijim, u kthye në fenomen. Kur autoritetet ushtronin kontroll, që ato kohë u bënë të shpeshta, vartësit shndërroheshin në bisha dhe qëllonin gjithkënd, të rinj, pleq, sakatë, madje edhe spiunët. Sapo ekipi largohej, ujqit shkërbenin lepujt dhe dridheshin nga frika. Mbase i druheshin reagimit tonë, ndaj do bashkoheshin dy e më tepër, kur vinin të detyruar apo, do shmangnin galeritë dhe skutat.
Vëzhguesit tanë nxorën një përfundim tepër interesant: drejtuesit vendorë i trembte humbja e vendit të punës, apo me keq ende, i tmerronte ideja se mund të përfundonin me viktimat si oportunistë apo deviatorë, ndaj s’ua raportonin eprorëve, gjithë ç’ndodhte. Pushimi i së dielës, na shtendosi një farë soji nga tensioni i çdoditshëm, por s’kaloi shumë dhe mbi njëqind policë mësynë kampin. Pra s’paskësh pasur lidhje me indulgjencën, por me një qëllim madhor: kontroll frontal dhe arrestime selektive.
Gjysma e policëve rrethuan sheshin, gjysma tjetër u përndanë fjetoreve e nëpër depo, kontrolluan me themel dhe hodhën pirg ç’u zuri dora, ushqime, libra, fletore, lapsa, alete, ndonjë rrobë civile, etj., dhe ua vunë flakën si barbarët. Pa dalë ata, hyri prokurori Zef Deda, shoqëruar nga Shaban Domi, hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme Rrëshen dhe nga Haxhi Gora. S’di ç’ogur kishte kjo vizitë, katër ditë pas revoltës, por na fërgëlluan zemrat, sidomos neve të brigadës së tretë që u konfrontuam me policet
Pa kaluar dy minuta, u shfaq ashiqare qëllimi i ardhjes, kur tellalli thirri Neim Pashain, Feti Kumarakun, Mersin Vlashin, Murat Martën dhe Vladimir Priftin, pesë ideatorët dhe projektuesit e Flamurit pa yllz, me ç’dukej spiunët kishin punuar ethshëm ato ditë. Kur prisnim që t’i shtonin listës edhe nga ne të datës 25, eskorta u largua me pesë të arrestuarit. Cerberët e Enverit, me këtë rrëmbim selektiv, dhanë kumtin se atmosfera e datës 23, do vijonte gjatë dhe pas do mbetej trishtimi masiv.
Pas shtypjes së Revoltës, ndryshoi përditshmëria. Veç halleve të mëparshme, u shtua dhuna verbale dhe fizike, po sidomos leximi i detyruar i shtypit dhe veprave marksiste, u bë torturë mbi tortura dhe shoqërohej me masa ekstreme. Çdo pakujdesi gjatë orës politike, e paguaje shtrenjtë, shumë fatzinj do përfundonin pas shtyllave dhe më pas në biruca, vetëm pse dremitnin nga lodhja, apo guxuan të kolliteshin nga ftohma, të teshtinin nga pluhurat e galerisë, të shfrynin sekrecionet e shkaktuara nga gazrat e tritolit dhe banalitete të tjera.
Policëve ua regjistronin me sukses plotësimin e katër shtyllave në këndet e fushës së volejbollit, me nga një të lidhur përfund, shpesh edhe nga dy. Po kur plotësonin edhe të pestën, para kuzhinës kolektive, i shpërblenin me ngritje në detyrë. Në varësi të realizimit të kësaj norme të pashkruar, shpërndanin medalje dhe dekorata, deri edhe para. Këta stimuj kallën startin makabër dhe nxitën sedrën revolucionare të ushtarakëve, që sa më shumë ndëshkonin, më lart iu rritej inati, në sytë e eprorëve.
Kësisoj i shpallën garë shokut, kush të sajonte mjete të reja torture. Shembull tipik mbetet një rast flagrant: kur plakut kuksian Arif Muja, i shtinë përdhunshëm në gojë, një mi të ngordhur! Besoj, s’është e nevojshme t’iu shtojmë ngjyra të tjera, tipareve shtazarake që nxiti rivalitetin mes tyre. Terrori policor dhe arrestimet selektive, vijuan përgjatë gjithë javës.
Ndërkaq takimet me familjarët, i ndërprenë totalisht, (bëj fjalë për mirditorët dhe të dënuarit nga zonat Pukë, Fushë-Arëz, Lurë, fshatrat e Matit, Lezhës, Kukësit, që vinin në këmbë apo me kafshë), sepse të tjerët s’e kapërcenin dot urën e Milotit, i ndalnin postblloqet policore dhe i kthenin pa shpjegim.
Ky “shtetrrethim” i pashpallur, zgjati gjer nga java e parë e qershorit. Gjithsesi lajmi u përhap me erën. Në Spaç u dyndën nga çdo cep i vendit, madje për çudi, erdhën edhe familjarët e atyre që i mendonim të braktisur. Meraku për jetën dhe pasojat e Revoltës, i shtyu ata të hidhnin pas krahëve hatër-mbetjet dhe të rendnin e të interesoheshin për fatin dhe shëndetin e të afërmve.
Një ditë krye qershori, më thirri tellalli për takim dhe shtoi: “Mos sill trasta”!
E pamundur! Ç’të kish ndodhur që vinin duarthatë? Gjatë pesë vjetëve, s’më kish bërë vaki kurrë, madje shpesh i kisha marrë ushqimet me gjithë trasta, ngaqë s’më mjaftonin të miat!
Nga tarraca vrojtova portën kryesore, por më kufizuan pamjen dy makina që kishin ndalur para saj dhe disa ushtarakë që jepnin e merrnin me një grup civilësh, po asnjë syresh, s’ngjante me njerëzit e mi. Ca nga të nxehtit, ca nga sikleti, më shkuan djersët palë-palë.
“Ç’pret, dashke temena zotërote”! – qesëndisi Malua, nga porta e llamarintë.
Një frikë e pashpjegueshme, më preu gjunjët, ndala dhe u mbusha me frymë, në të përpjetën mes kapanonit të parë dhe kuzhinës kolektive. Më ra gjaku në fund të këmbëve, kur papritmas u gjenda ballë dy civilëve me bluza të bardha dhe një polici vendas, ndërsa s’di ç’ngjyrë do kem marrë në fytyrë, sepse ata shtangën dhe iu kthyen shoqëruesit:
“Ky ecka me këmbët e veta, ti na mundove këtu”?!
“Or shoq, aj ka maru, sa zor ta gjejmë gjallë”! – dhe roja mori teposhtë shkallët.
“Qenkan mjekë, s’paskan punë me mua”, çlirova një “ah” dhe ndoqa Malon në rrafshin e epërm.
“Hidhi këmbët o derman, se po të presin prindërit”! – po kur pa fytyrën, shqeu sytë: – “Ç’të paska rënë kjo çehre limoni, ‘re”?!
S’iu dhashë rëndësi llafeve të Malos, madje s’më bëri përshtypje as shumësi “prindërit”, sepse një injorant si ai, këpuste gjepura gjithë ditën. Pastaj “prindërit”, s’më kishin ardhur ndonjëherë tok, ngaqë mjekët ia kishin ndaluar kategorikisht udhëtimet e gjata dhe shpërthimet emocionale, për shkak të një parainfakti dhe luhatjeve të tensionit. U nisa me mendjen se më priste im atë, por ende më mundonte dilema, përse kish ardhur bosh.
“Ndal, se do të qëlloj”,- klithi ushtari dhe unë stopova, kurse babai doli nga nën-streha e zyrës së oficerit roje dhe u pozicionua në krah, te djathtë të portës; eksperienca pesë vjeçare, e kish mësuar të vepronte shpejt dhe saktë.
Kur polici ndërhyri: “Lejoje”, dhe unë u avita, nga nën hija e një makine u shkëput një grua, që ia dha vrapit duke klithur: “Bir! – dhe u plas pas telave të rrethimit, pa u merakosur se mund të gjakosej.
“Nënë”! – u davarit dilema, zgjata krahun mes rrjetës gjembaçe dhe i kapa majat e gishtave, po nga shpejtësia dhe pakujdesia, u çorëm në thepat e telave. S’ua vara gërricjeve, por kundroja lotët që i kullonin mbi majat e gishtave, përziheshin me gjakun dhe pikonin mbi pluhurin e zhuritur, ku formuan një pllangë të kuqe në të zezë.
Teksa minutat iknin, ne ngelëm memec, madje heshti edhe babai me bebet e zmadhuara tej mase, gjersa nga poshtë shkallëve, u dhanë bluzat e bardha dhe shoqëruesi, që u këmbeva para do minutash, ndjekur nga katër të burgosur me një vig.
E ulën te këmbët e mia dhe vikatën: “Oficer roje, hap derën shpejt, se po na vdes ndër duar”!
“Mbaroi takimi, or shoq”! – iu drejtua polici tim ati.
“Shoku polic, kemi bërë tërë atë rrugë për të parë djalin”! – u ankua nëna dhe më shtrëngoi gishtat.
“Shoqe, në vend me na thane; ‘tu rrit ndera’, që të lamë me e pa, po na rrëfen udhën”! – ia preu shpresën polici.
“Ushqimet ngelën në Milot, do t’i sjellë yt vëlla”! – shpejtoi të thosh babai, duke u tërhequr mbrapsht.
“S’ka pse mundohet, kam plot, më dalin e më teprojnë, për dy muaj”! – në fakt isha katandisur te supa e burgut, po s’doja të lodhej vëllai gjer në Spaç dhe t’iu lutej policëve ta lejonin, nëse do ta lejonin. Pas dy muajsh, do mësoja se si ia dolën prindërit të “mashtronin” postbllokun policor. Intuita e femrës, tejkalon ku e ku mendjet e ndritura dhe iu jep zgjidhje dilemave të çastit!
Me këmbënguljen e nënës, që kur i njoftuan arrestimin tim, pësoi para infarkt e luhatje tensioni dhe mjekët e këshilluan të mos ndërmerrte udhëtime të gjata e, të shmangte ngarkesat emocionale, nga java e parë e qershorit, prindërit tentuan së dyti Spaçin. Fatmirësisht këtë herë e “çanë” postbllokun e Milotit, falë intuitës femërore. Takimi u realizua, paçka se në distancë dhe pa u përqafuar dot, të paktën më panë dhe i pashë, sidomos nënën, që e shihja pas pesë vitesh. Kur makina që vinte nga Laçi, mori kthesën për Mirditë, e ndalën bash në bishtin e “Urës së Zogut”, ku një polic rrondokop, iu qep karrocerisë.
“Për ku je tuj shku or tëj?, po tëj?, po tëj”? i pyeti të gjithë me radhë, mes tyre edhe babanë tim:
“Po tëj, ku je tuj shku or shoq”?
“Në Spaç”? – ia kish kthyer im atë.
“Zdryp poshtë, a e ndalume”! – kish urdhëruar dërdëngu.
“Kemi djalin ushtar”! – u hodh nëna dhe ndërhyrja e ndërroi rrjedhën.
“Në burgun e Spaçit, a”? – ish zbutur polici dhe po i shihte me sy tjetër.
“Po”, – pohoi nëna.
“Ta pastë rujt Zoti loke, u ba batërdia këto ditë në Spaç! Janë vra ene rob”!
“Ç’po më thua, shoku polic”? – u hoq e paditur ajo.
“Po qe besa, nja katër a pesë të d’nuem! T’qjerët i morën zhang me hekra dhe i çuen n’Tiranë, me i d’nue prapë”! – sqaroi rrondokopi dhe shtoi: – “Të kjoftë rruga e lehtë loke dhe e gjetsh djalin sh’noshë”!
Kur kish parë vëllanë me trastat para këmbëve, iu kthye: “Po tëj”?! “Në Spaç”, iu gjegj ai. “A e ndalume or shoq, zdryp nga makina”!
Mbasi i shkeli syrin babai, vëllai mori trastat dhe u bashkua me bashkudhëtarët e të njëjtin hall. Kësisoj prindërit “çanë” postbllokun e policëve idiotë dhe mbërritën në Spaç.
“Ç’datë lirohesh, o bir”? – u interesua nëna dhe shtoi: – “Vëllezërit do të sjellin rrobat dhe do të shoqërojnë për në Berat”? / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016