Nga Vepror Hasani
Memorie.al / Origjina e fisit Ballauri, është Voskopoja. Ata u shpërngulen prej saj, kur ky qytet mesjetar ishte djegur disa herë me radhë. Sa herë digjej Voskopoja, digjej edhe shtëpia e ballaurëve, ashtu siç digjeshin edhe shtëpitë e tjera të voskopojarëve, dyqanet dhe kishat. Por pas çdo djegie, Ballaurët ndërtonin sërish një shtëpi tjetër, ashtu siç kishte qenë e para, e lënë nga stërgjyshërit. Edhe shtëpia e fundit e tyre, mbahet mend si një nga ndërtesat më të bukura të Voskopojës. Ballaurët ishin të pasur, por edhe të dashuruar me Voskopojën. Po kaq të dashuruar ishin edhe me librat.
Kur Voskopojë po përjetonte një nga djegiet më të mëdha dhe kur mbi truallin e saj kishte mbetur më shumë hi dhe gërmadha, se sa banesa të mbetura më këmbë, voskopojarët u shpërngulën pothuajse në gjithë qytetet e vendit, si në Berat, Durrës, Elbasn Shkodër, Shkup, por një pjesë e tyre u vendosën në Korçë. Shumë të tjerë emigruan në vendet fqinj dhe në viset më të largëta të botës, aq sa tashmë të duket se kudo që të shkosh, do të takosh voskopojarë.
Të njëjtin fat pati edhe fisi i Ballaurëve, ku një pjesë e tyre u sistemua në qytetin e Korçës, ndërsa të tjerë në vende të huaja. Ata që ikën larg, patën fat. Emri i tyre ose gjendet i shkruar nëpër enciklopedi ose, shumë rrugë dhe sheshe të qyteteve evropianë, mbajnë emrat e tyre, ndërsa ata që mbetën këtu, patën një fat të zi, që i ndoqi hap pas hapi për 50 vjet me radhë, njësoj siç të ngjitet sëmundja e morrit të kuq dhe nuk të shqitet deri në vdekje.
Një histori të tillë tregon Aleko Ballauri, e cila i ka mbetur në kujtesë që nga fëmijëria, por që do t’i mbetet e pashlyeshme nga kujtesa përgjatë gjithë jetës. Edhe sot e kësaj dite, Ballaurët nuk janë në gjendje të shpjegojnë përse regjimi i Enver Hoxhës, i kishte patur kaq frikë ata! Ndoshta nga që ishin njerëz të librave. Por për të kuptuar të vërtetën e këtij fisi të madh e të shkolluar, na vjen në ndihmë jeta e Ballaurëve, ashtu si siç e kanë përjetuar ata, gjatë regjimit komunist.
Babai
“Babai, Vasil Ballauri, u shtri një ditë të papritur në shtrat, për të lënguar për 10 vjet me radhë, deri sa në vitin 1962, do të ndahej përgjithmonë nga jeta. Unë atëherë isha i vogël, – tregon Aleko Ballauri – dhe nuk e dija nga se vuante babai, por ajo që kisha më shumë frikë nga të gjitha, ishte sëmundja e morrit të kuq. Unë e kisha shumë frikë ‘morrin e kuq’”, – vijon të tregojë Aleko Ballauri. – “Shprehjen, ‘morri i kuq’, e kisha dëgjuar shumë shpejt në fëmijërinë time. Në familjen tonë, thoshin se ‘morri i kuq’, është sëmundje e rrezikshme, madje shtonin se dy Ballaurë kishin vdekur për shkak të kësaj sëmundjeje”.
“Ilian dhe Gaqo Ballaurin, – thoshte nëna, – i hëngri ‘morri i kuq’. Ngaqë kjo fjalë ishte përmendur shumë shpesh në familjen tonë, unë kisha krijuar përfytyrimin tim, për këtë sëmundje. Më dukej sikur morri i kuq, ishte një krijesë e çuditshme, e shëmtuar që më shumë se trupin kishte dhëmbë të mëdhenj dhe një helm që nuk kishte të mbaruar. Kjo krijesë u afrohej njerëzve ngadalë dhe derdhte helm në shpirtrat e njerëzve, më qëllim që ata të kishin një vdekje të llahtarshme, të papërballueshme nga dhimbjet.
Sëmundja e babait tim, sa vinte dhe rëndohej gjithnjë e më shumë. Ai pati një hemorragji cerebrale, (sigurisht nuk vuante nga ‘morri i kuq’), pastaj pësoi paraliza të njëpasnjëshme në këmbë, në dorë, në gojë, në fytyrë. Babai im po shpërfytyrohej i gjithi. Ndërsa e shihja në këtë gjendje, gjithnjë mendja më shkonte të ‘morri i kuq’. Unë i lutesha zotit, që vetëm nga morri i kuq të mos ishte i sëmurë, sepse e dija që kjo ishte një sëmundje e llahtarshme”!
Dy Ballaurë, vdesin nga “morri i kuq”!
“Morri i kuq’, po më kthehej në fiksim. Doja të dija si kishin vdekur dy Ballaurët, që më kishte treguar në familje. Një ditë pyeta për të mësuar se kush nga Ballaurët kishte vdekur nga kjo lloj sëmundjeje dhe si kishin qenë vuajtjet e tyre. Mësova se në vitin 1945, nga sëmundja e ‘morrit të kuq’, kishte vdekur Gaqo dhe Ilia Ballauri, që të dy njerëz të afërt të babait. Kishte qenë një histori tepër e dhimbshme. Të dy Ballaurët kishin vdekur të përbuzur, të zhgënjyer, të dëshpëruar dhe të braktisur nga të gjithë.
Kur mora vesh se që të dy Ballaurët, si Ilia ashtu dhe Gaqua, kishin qenë mjekë, u tmerrova edhe më shumë. Edhe pse mjekë nuk i kishin bërë dot ballë ‘morrit të kuq’. Bashkë me dy Ballaurët, kishin vdekur edhe të tjerë. Që të gjithë i kishte ngrënë ‘morri i kuq’. Ndërsa pyesja për vdekjen e tyre, mësova se dy Ballaurët, kishin qenë mjekë radiologë me aftësi të rralla. Ilia kishte studiuar në Athinë, kurse Gaqoja në Davos të Zvicrës. As ata të dy nuk kishin qëndruar dot larg Korçës dhe vendit të tyre.
Ashtu si im at, ishin kthyer në Shqipëri, por asnjëherë nuk e kishin menduar se aty në qytetin e Korçës, i priste një fat i zi, i ngjashëm me atë të ‘morrit të kuq’. Sot në Historinë e Mjekësisë Shqiptare, përmenden si themelues të radiologjisë në vendin tonë. Siç e thash në fillim, vdekja e tyre kishte qenë tepër e dhimbshme. Gjithçka kishte ndodhur në vitin 1945, kur një batalion partizan, kishte i mbetur i izoluar në malësitë e Gorë-Oparit. Kishte qenë dimër dhe bënte ftohët. Dëbora kishte shkuar mbi dy metra.
Në radhët e batalionit kishte rënë ‘morri i kuq’. Njerëzit po vdisnin me radhë njëri pas tjetrit. Askush prej tyre, nuk do të mbetej i gjallë. Ishte e pamundur që kjo gjendje, të përballohej pa ndihmën e mjekëve të tjerë. Lajmi kishte pushtuar gjithë Korçën: ‘mori i kuq po hante përditë njerëz’. Për të dalë nga situata, Mehmet Shehu u bëri thirrje mjekëve të Korçës, për të dhënë ndihmën e tyre. Në të vërtetë askush nuk lëvizi nga vendi. ‘Morri i kuq’, ishte një sëmundje e rrezikshme, të çonte drejt e Shën Triadë. Askush nuk donte të sakrifikonte me jetën e tij.
Të vetmit që u treguan të gatshëm, ishin Ilia dhe Gaqo Ballauri. Duke qenë mjekë, e kishin të vështirë t’i shmangeshin kësaj thirrjeje. U përpoqën të kuronin çdo të sëmurë nga ‘morri i kuq’, por gjatë përpjekjeve, të dy Ballaurët u infektuan nga kjo sëmundje e keqe. Arritën të shpëtonin shumë jetë njerëzish, por së fundi vdiqën edhe vetë, nga ‘morri kuq’. Jo vetëm fisi i Ballaurëve, por edhe shumë qytetarë të Korçës, pritën që ata të shpalleshin heronj, por asgjë e tillë nuk ndodhi.
Regjimi qëndroi në heshtje, njësoj sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Për fat të keq, familjet e dy mjekëve, jo vetëm që nuk patën përkrahje, por në të njëjtën kohë, u përndoqën për 50 vjet me radhë, si familje borgjeze. Të mendoje për heronj, kjo kishte qenë e pamundur. Për shumë kohë, ndërsa përmendej vdekja e tyre, mua më fanitej ‘morri i kuq’ duke derdhur helm në shpirtrat e njerëzve”.
Borgjezët e Korçës
“Babai vazhdonte lëngonte në shtratin e tij. Kishte filluar të ndihej i braktisur nga të gjithë. Kishte një vështrim të dëshpëruar, që nuk i hiqej për asnjë çast nga sytë. Dëshpërimi i përhershëm, kishte mbërthyer edhe tonin e zërit të tij. Në të vërtetë, kështu ishin braktisur edhe dy mjekët, Ilia dhe Gaqoja, për të cilët thuhej shpesh, se edhe ata kishin patur një të kaluar jo të mirë. Mjekët që vdiqën nga ‘morri i kuq’, kishin patur ‘faj’ që kishin studiuar jashtë shtetit dhe që gjatë gjithë kohës, kishin patur pasuri dhe shtëpi të mira në Voskopojë, por edhe në Korçë.
Me sa duket edhe mbi babain tonë, rëndonte i njëjti ‘faj’. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ai kishte shërbyer si përkthyes i gjeneralit francez, De Kuen. Më pas kishte qenë konsull në Madagaskar, Suez dhe në Vietnam. Në të njëjtën kohë, familja jonë, kishte patur pasuri dhe banesa të kohës. Për këtë arsye, kur regjimi i Hoxhës erdhi në pushtet, së pari na mori shtëpinë, duke na lënë në mes të katër rrugëve. Për 10 vjet me radhë, ashtu si shumë të tjerë, të cilësuar si ‘borgjezët e Korçës’, jetuam nëpër bodrume dhe kasolle.
Ndërsa im at lëngonte prej 10 vjetësh, i duhej të përballonte gjithçka ndodhte me Korçën dhe njerëzit e tij. Ai pa me sytë e tij, se si shkatërrohej gjithçka që mezi ishte krijuar. Pa burgosjet, internimet, torturat, spiunimet, vrasjen për një copë bukë, bastisjet e plaçkitjet, djegiet e fyerjet, ofendimet, shpronësimet e rrëmbimet. Të gjitha këto, si një uragan i zi me gojë të kuqe, rrëmbenin gjithçka që gjenin përpara.
Çizmet e spaletat me yje, vringëllinin nëpër rrugët e shqyenin porta në mesnatë dhe në agim. Shkuleshin burrat prej krevatëve e ngjisheshin nëpër biruca e këneta, torturoheshin për t’u rrëmbyer dijet, kulturën pasurinë, jetën. Të gjitha këto e trishtonin edhe më shumë tim at. Dëshpërimi i tij ishte kaq i dukshëm, sa të dukej sikur kishte diçka për të na thënë, por që nuk arrinte të na i thoshte, sepse ne ishim të vegjël dhe ndoshta do të kishim të vështirë për ta kuptuar”.
Koço Ballauri, themelues i mikrokirurgjisë në Amerikë
“Dëshpërimi i babait dhe i yni u kthye në një brengë të madhe, kur babai u paralizua dhe nuk kishte mundësi të fliste më. Ai kishte diçka për të na thënë, ndërsa ne që kishim shpresuar se një ditë do të na i thoshte, e kishim humbur tashmë këtë mundësi. Ndoshta për këtë arsye, babai mori një pamje edhe më të dëshpëruar. Por kur sëmundja nuk e kishte vënë akoma poshtë, na tregonte se gjatë periudhës së emigrimit, një tjetër Ballaur nga fisi ynë, kishte përfunduar në Amerikë. Atë e quanin Koço Ballauri.
Kishte studiuar për mjekësi. Në Amerikë ishte bërë mjaft i dëgjuar, veçanërisht në fushën e mikrokirurgjisë. Ndërsa dëgjoja tregimin e babait tim, nuk di pse besoja që ky njeri i fisit tonë, mund të ishte i zoti të zhdukte nga faqja e dheut, sëmundjen e ‘morrit të kuq’. Në të njëjtën kohë besoja, se vetëm ai mund ta shëronte babain tonë. Dy mjekët që kishim patur nga fisi ynë, kishin vdekur nga ‘morri i kuq’, ndërsa Koço Ballauri, kishte përfunduar në Amerikë. Kjo ishte një fatkeqësi e jona që në fisin tonë, nuk kishte mbetur asnjë mjek. Askush nuk vinte për të vizituar babain.
‘Po Koço Balauri, a mund të vijë ndonjëherë në Korçë’? pyeta tim at. Nëse Koço Ballauri do të vinte në Korçë, unë isha i sigurt, se ai do të kuronte babain tonë dhe nuk do ta linte të vdiste. Por babai pyetjes time, iu përgjigj: ‘Ai është shumë larg bir, ndoshta do t’i duhet shumë kohë që të vijë këtu’. Kur dëgjova këto fjalë, nuk e di pse më erdhi keq. Gjendja e babait po përkeqësohej gjithnjë e më shumë, ndërsa askush nuk i qëndronte pranë, përveç familjes”.
“Vonë kur i rrita, – tregon Aleko Ballauri, – dëgjova se Koço Ballauri, vazhdon të mbetet një një nga themeluesit e mikrokirurgjisë në SHBA-ës. Ai kishte qenë i pari në SHBA-ës, që realizoi transplantim e gishtit. Më 1991, ‘Zëri i Amerikës’, për këtë arritje shumë të madhe në mjekësi, dha disa emisione. Megjithatë nëse do të kishte qëndruar në Korçë, ndoshta do të kishte patur të njëjtin fat me Ballaurët e tjerë”?!
Xhankarlo Ballauri, fizikant i njohur në Itali
“Fatmirësisht babai na kishte treguar shumë, edhe pse i tregonte me një zë që përcillte dhimbje dhe dëshpërim të vazhdueshëm. Na kishte treguar se një nga njerëzit e fisit tonë, Xhankarlo Balluri, ishte bërë mjaft i njohur në Itali. Ai ishte djalë i Irakli i Ballaurit, gjyshi i të cilit, si shumë Ballaurë të tjerë, kishte ardhur në Korçë nga Voskopoja. Më pas emigruan në drejtim të Italisë. Atje Xhankarlo Ballauri, u bë një nga fizikantët më të njohur të fushës së elektronikës.
Zbuloi një ekuacion për llambat elektronike, që njihet ekuacioni ‘Ballauri’ (‘Vallauri’) Që nga viti 1929, ishte akademik në Akademinë e Shkencave të Italisë. Në kohën kur fizikanti i madh Markoni, ishte President i Akademisë, profesor Ballauri ishte nënpresident i Akademisë. Sot në Itali, ka disa rrugë dhe sheshe që mbajnë emrin e Xhankarlo Ballaurit. Megjithatë unë lutesha çdo ditë, që Ballaurët e mbetur jashtë vendit, të mos ktheheshin në Shqipëri, sepse nuk doja që njerëzit e babait, të kishin një vdekje të dëshpërueshme, për shkak të ‘morrit të kuq’.
Që kur kisha dëgjuar për vdekjen e dy mjekëve, sëmundja e ‘morrit të kuq’, nuk më shqitej nga kujtesa. Edhe Babai mund të kishte qëndruar shumë mirë në vende të huaja, ku kishte punuar, ashtu siç mund të kishte qëndruar në Hungari, Itali, Austri, Slloveni, Greqi, Rumani, por edhe në Amerikë. Kishte qenë njëri me kulturë të gjerë. Ai kishte mbaruar gjimnazin grek ‘Zosimea’, institutin francez, ‘Misione Laqiue’, zotëronte një sërë gjuhësh, si; italisht, frëngjisht, turqishten e vjetër dhe të re, greqishten e vjetër dhe të re, si dhe latinisht, por në të njëjtën kohë, ishte i aftë të komunikonte edhe në bullgarisht dhe rumanisht.
Babai njihte me thellësi muzikën, teorinë e saj, kompozitorët e mëdhenj, luante në piano, violinë, mandolinë, kitarë, violonçel, kontrabas etj. Kompozonte mjaft bukur. Kishte qenë një nga nismëtarët për themelimin e korit patriotik ‘Lira’. Ai e donte Korçën dhe ishte kthyer në Korçë, ashtu siç kishin bërë dy mjekët, Ilia dhe Gaqo Ballauri, ku njëri kishte lënë Athinën, ndërsa tjetri kishte braktisur Zvicrën, për të ardhur në Korçë. Por pavarësisht nga kjo, e kaluara e babit tonë, konsiderohej e zezë, sterrë e zezë. Po kaq të zinj, ishim edhe ne, pinjollët e tij. Biografinë tonë, nuk e shpëtonte dot askush”.
Ilia Ballauri, ministër arsimi në Rumani
“Në shtëpinë tonë, – vazhdon të tregojë Aleko Ballauri – nuk vinte askush. Dhoma ku jetonim, ishte e braktisur nga të gjitha orenditë, sepse gjithçka kishim patur, na i kishin marrë. Na kishin mbetur vetëm librat. Nuk e kuptoja, përse nuk kishin arritur të na grabitnin edhe librat?! Ndoshta nuk u duheshin. Ndoshta babai i kishte ruajtur me shumë kujdes. Nuk mund të them se si kishte ndodhur, por e vërteta ishte se librat, nuk i kishin prekur me dorë. Gjithsesi unë ndihesha i kënaqur, që na kishte ngelur diçka si trashëgim nga babai.
Të vetmit miq që kishim në shtëpinë tonë ishin, Platoni Turqiditi, Dhemostenin, Aristoteli, që fliste me greqishten e vjetër, kurse Ciceroni dhe Çezari, që flisnin në latinisht, ndërsa Wagnerin e Çajkovskin, i kishim në tekste gjermanisht. Babai na tregonte se Ballaurët, kishin qenë të dashuruara pas librave dhe arsimit. Pas kësaj na tregonte, për një tjetër Ilia nga fisi ynë. Ilia Ballauri, – tregonte babai, – ka lindur në vitin 1867 dhe u nda nga jeta në vitin 1936. Jetoi 69 vjet, por la pas një vepër të mirë. Ai së bashku me familjen, ashtu si shumë voskopojarë të tjerë, emigruan në vende të ndryshme të botës, por Ilia Ballauri dhe familja e tij, u ndalën në Rumani.
Pas Luftës së Parë Botërore, Ilia Ballauri u bë ministri i Arsimit. Ai vlerësohet si një nga më të suksesshmit në Rumani. Sot në Bukuresht, një nga rrugët kryesore mban emrin e tij, tregonte babai. Gjithsesi edhe përballë këtij realiteti, ne mbeteshim me një të kaluar të zezë. Ndoshta dëshpërimi i babait bëhej edhe më i madh, nga që e dinte se edhe pasardhësit e tij, nuk do ta kishin të lehtë jetën. Megjithatë edhe pse nuk e linte sëmundja të fliste, arrinte në na thoshte, se ne do të arrinim të shikonim një të ardhme tjetër…”!
Gjergji Ballauri, profesor i Akademisë në Voskopojë
“Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga vdekja e babait, mendoj se ai u nda nga jeta shumë i dëshpëruar. Këtë gjendje kërkonte ta largonte, duke përmendur emra Ballaurësh, që kishin bërë emër kudo që kishin shkuar, por edhe duke treguar për origjinën tonë. ‘Ballaurët, – tregonte ai, – e kanë zanafillën nga qyteti mesjetar dhe shumë i kulturuar i Voskopojës. Gjurmët e tyre në këtë qytet, janë nga më të hershmet. Banesa e parë e Ballaurëve, ndodhej në qendër të Voskopojës, afër kishës së vjetër të Shën Konstandinit, pranë shtëpisë së familjes shumë të njohur të Kukuzelëve, por kjo shtëpi u dogj më 1769 ,në djegien e parë të kobshme të Voskopojës.
Për këtë arsye, – rrëfente babai, – Ballaurët ndërtuan një banesë tjetër. Dokumentet e kohës tregojnë se shtëpia e Ballaurëve, ishte e stilit të Evropës Qendrore, e gjerë dhe me plot ajër dhe dritë, me shumë ambiente, me kopsht plot pemë, mollë, ftonj e pemë të tjera. Por edhe kjo shtëpi u dogj. Ballaurët ndërtuan një shtëpi të tretë, po kaq të madhe dhe të bukur, pa menduar se zjarri do ta digjte sërish, pasi Voskopja do të pësonte djegie të njëpasnjëshme.
Për këtë arsye, nga mezi i shekullit të XVII-të, nisi emigrimi i pjesëtarëve të kësaj familjeje në qytetin e Korçës dhe në botë. Ballaurët u shpërngulën në Hungari, Iltali, Austri, Slloveni, Greqi, Rumani dhe Amerikë. Pikërisht në këtë kohë, voskopojarët u detyruan të braktisnin edhe Akademinë, e cila ishte kthyer në rrënojë. Këtë histori, babai e rrëfente me dhimbje dhe pasi qëndronte një çast, na tregonte për një nga njerëzit e dëgjuar të fisit tonë, Gjergji Ballaurin.
Sipas leksikografit Danil, Gjergji Ballauri kishte qenë një personalitetet më të spikatura të kohës, njeri me kulturë shumë të gjerë dhe një nga profesorët më të njohur të Akademisë në Voskopojë. Të tilla histori, përpiqej të tregonte deri në momentin që u paralizua. Pas kësaj, ai ra në heshtje të plotë. Brenga e mos foljes, nisi ta brente edhe më shumë, derisa një ditë të vitit 1962, mbylli sytë përgjithnjë”.
Vdekja e babait
“Babai vdiq. Po ai duhet të ketë vdekur shumë i dëshpëruar. Ne ishim të vegjël dhe nuk arrinim të kuptonim çka donte të na thoshte, por para se të vdiste, na tregoi tre stilografë prej floriri. Vetëm ai e di se si kishte mundur të shpëtonte nga grabitja, ata tre stilografë prej floriri. Kur të mos jem më, – tha babai – secili nga ju (ne ishim tre vëllezër), do të marrë një stilograf.
Ndoshta ato që nuk kishte thënë dot ai, ndoshta ato që ne nuk kishim arritur të kuptonim ne, do të na duhej t’i hidhnim në letër”, kështu e mbyll tregimin e tij Aleko Ballauri, i cili tashmë është botues i shumë librave me poezi, ku pjesa më e madhe e tyre, përfshihet nga poezitë e përkthyera nga poetë të mëdhenj të botës, si; Edgar Alla Poe, H. Longfellou, lirikët e mëdhenj rusë, si; Pushkin, Lermontov, Tjutçev, Esenin, Bunin etj.
Nuk ka mbetur pas në krijimtari as vëllai i tij, Ila Ballauri, ka botuar disa libra mbi gjenetikën, ku është specialist i njohur, por në të njëjtën kohë, njihet edhe si historian i mirë i Voskopojës, i këtij qyteti të dikurshëm mesjetar, ku kishte lindur babai i tij, Vasil Ballauri, por që do të vdiste i dëshpëruar, për shkak të një regjimi që ngjante me sëmundjen e “morrit të kuq”! Memorie.al