Nga Franco Benanti
Pjesa e pestë
Memorie.al / Lufta e Dytë Botërore, pati ndikime të fuqishme edhe në tokat shqiptare. Për këtë është folur mjaft nga historianët tanë, në frymën komuniste. Brezat e para vitit 1990, e kanë mësuar këtë nga tekstet shkollore, nga Historia e Partisë së Punës dhe Historia e Shqipërisë, por shumë pak syresh, janë njohur me trajtimin alternativ bërë nga historianët dhe autorët jokomunistë, brenda dhe jashtë vendit. Lidhur me këtë, është me shumë interes libri “La guerra piu lunga” i Franco Benantit, ish mjek në ushtrinë pushtuese italiane, në Ballkan e Shqipëri, botuar nga shtëpia “Mursia” e Milanos (botimi i parë më 1966, pasuar nga katër ribotime të mëvonshme).
Kur më shoqëronin për në qeli më kalonin qëllimisht pranë disa të burgosurve të tjerë, që i kishin rrahur paq me hu dhe i kishin bërë tërë gjak, që të kuptoja se i njëjti fat, mund të më takonte edhe mua. Pas dy javëve, gjykatësi më bëri të njohur akuzën: spiunazh në favor të Vatikanit dhe lidhje me reaksionin e brendshëm. Për drejtësinë shqiptare, çështja i pafajshëm apo fajtor, nuk kishte rëndësi.
Përkohësisht i pafajshëm, do të thotë ende i pa-arrestuar, fajtor, po qe se të kanë futur në burg…! Më kërkonin të tregoja emrat e bashkëpunëtorëve, që për mua nuk ekzistonin. Më mbyllën në një qeli më të errët, me më shumë lagështirë, me dysheme të lagur, vetëm me bukë e ujë. Dy ditë e dy net kështu.
Simulimi i pushkatimit
Pasi nuk ia dolën edhe me këtë mënyrë, përdorën masën ekstreme: simulimin e pushkatimit. Më zgjuan në orën 2 të natës dhe më dërguan menjëherë të gjykatësi.
– “Nuk do të flasësh, nuk do të tregosh veprimtarinë tënde armiqësore kundër pushtetit tonë? Kam këtu urdhrin, për t’ju shkuar në plumb. E kuptove? Në çast! Kemi dëshmi, që je spiun i Vatikanit. Lexoje”! Ndjeva të më lëvizë gjaku me shpejtësi.
– “Jam i sigurt, që këto dëshmi janë të pavërteta” – kundërshtova. – “Në se këta dëshmitarë ekzistojnë, përse nuk më ballafaqoni me ta”?!
– “S’kemi më kohë për të diskutuar. Në se nuk m’i jep tani në çast emrat që të kërkojmë, do të kalosh para skuadrës së pushkatimit”!
E shqyrtova në ato çaste gjendjen ku ndodhesha. Në këto çaste që mund të ishin të fundit në jetën time, truri nisi të punojë me një ritëm të përshpejtuar.
– “Keni tri minuta kohë për t‘u menduar” – urdhëroi gjykatësi.
Kaluan tri minutat dhe unë nuk kisha çfarë të tregoja.
– “Atëherë mjaft – tha gjykatësi – do ta shikosh se nuk bëjmë shaka”.
Në dhomë hynë disa ushtarë të armatosur. M’i lidhën duart dhe më nxorën jashtë, në oborrin e burgut. Aty na priste një makinë. Bashkë me gjykatësin, ishin edhe tre oficerë të tjerë. Makina u nis menjëherë. Ishte mbase ora 3 e natës, kur qyteti ishte i shkretë. Pas disa minutash, u ndalëm para murit të varrezave.
Zbritëm poshtë, përshkuam njëzetë hapa në këmbë, deri në rrëzë të murit. Më mbështetën me shpatulla pas muri. Ushtarët u rreshtuan para meje, rreth 15 m. larg. Kaluan kështu disa minuta në heshtje varri. Në trurin tim, kaloi vetëtimthi gjithçka që kisha dashur, gjithçka që duhej ta lija pas përgjithmonë. M’ kujtua rinia, ime shoqe, fëmijët e mi.
– “Për herë të fundit, po të ftoj të flasësh. Mjafton të na thuash disa emra dhe gjithçka do të zgjidhet”.
– “Më vjen keq, por s’kam asnjë emër për të treguar, nuk i njoh emrat që doni ju. A nuk e keni kuptuar, pas kaq shumë seancash në hetuesi, që jam i pafajshëm”?
Në këtë çast, erdhi ajo që s’e prisja, ndryshoi krejt skena. Gjykatësi m’u afrua, më kapi dorën dhe ma shtrëngoi, duke thënë:
– “Tash të besoj, por na u desh të sigurohemi deri në fund, se nuk kishe ndonjë gjë të rëndësishme, për të na thënë”!
Komedia mbaroi. Na hipën sërish në makinë dhe na kthyen në burg. Gjykatësi më buzëqeshi miqësisht. Më kthyen në qeli, ku më zuri një gjumë i qetë plot me shpresa. Në mëngjes më thanë se mund të lirohesha shpejt, çështje orësh. Ndërkohë më dërguan të bëja dush të ngrohtë dhe më dhanë tesha të lara. Prisja me padurim të prekja lirinë.
Kalvari i mundimeve vazhdon
Por të nesërmen, gjykatësi më thirri dhe më informoi se eprorët e tij, e kishin urdhëruar të më dërgonin në Gjirokastër, ku policia vendore, me njihte më mirë. Asgjë nuk bëhej dot, pa miratimin e Sigurimit lart! Dy policë më shoqëruan në një makinë burgu, mbushur plot me thasë me miell. Me sa duket, një rrugë e dy punë, bashkë me mua do transportonin edhe ushqime, për në rrethin e largët. Në Gjirokastër makina u ndal para kishës, që ishte kthyer në burg. Që andej kishin hequr pothuaj gjithçka. Më priti një kapiten i policisë ushtarake, që e pata njohur në fund të luftës, Omer Osmani.
Ai më priti me një farë mirësjellje cinike.
– “Mirëdita! Më vjen keq, që të zotët e shtëpisë nuk janë. Si të gjithë spiunët, i kemi dërguar në vendin e tyre”.
Pastaj urdhëroi një roje:
– “Fute në dhomën numër nëntë”!
Në atë dhomë gjeta një mysafir tjetër. Ndenjëm bukur gjatë dhe asnjëri nuk niste të fliste. Ishte e qartë, kishim frikë se tradhtitë në qeli, ishin diçka e zakonshme. Pas disa ditësh, më transferuan në një dhomë tjetër, me 12 vetë. Siç e kuptova më vonë, këto transferime, bëheshin në përputhje me një strategji policore, sipas shkencës së mësuar nga jugosllavët dhe sovjetikët. Aty na sollën këmbë e duar lidhur, Nesti Papajorgjin, që e pata njohur në këtë kishë, kohë më parë. Tetë policë po e rrihnin, duke e sharë: “More dobiç, bir i priftërinjve, nip i Papës”!
Një ditë më pas e dërguan në burgun e kështjellës së Gjirokastrës. Pak e nga pak, mësova nga shokët e dhomës historitë e tyre: arrestime arbitrare, tortura, dëshmi të rreme, dënime pa proces gjyqësor ose, procese pa asnjë garanci mbrojtje. Shumë syresh, ishin dënuar me vdekje, të tjerët me punë të detyruar. Një natë, aty nga mesi i qershorit, më thërret Osmani dhe kërkon t’i tregoj fill e për pe, biografinë time. Nëse komunizmi është një lloj feje, kjo çështja e biografisë, është një nga ritet e tij.
– “Për se keni folur, me priftërinjtë e Misionit”?
– “Nuk e mbaj mend, se çfarë kam diskutuar, por jam i sigurt, se asgjë të keqe”.
– “A nuk u ke thënë se ne komunistët, e kemi asgjësuar lirinë”?
– “Jo, jo, nuk u kam thënë kështu”.
Më zgjati një letër deklaratë, nënshkruar nga dy informatorë, që dëshmonin se unë i kisha thënë ato fjalë.
– “Mos doni ta mohoni edhe këtë?! E dimë mirë, që je agjent i Vatikanit, je edhe spiun i anglezëve”!
– “Po fantazoni, më duket”- i thashë unë. – “E kam takuar atë zotërinë anglez, sepse ishte i sëmurë. Pasi e vizitova, i dhashë një letër për familjen time në Itali, pasi do udhëtonte ato ditë. Nuk jam spiun. Kjo që thoni, është çmenduri”- vërejta unë.
– “Si thatë, çmenduri”? Ja ku e ke deklaratën, e kamerierit të hotelit. Më mirë pranoje fajin dhe do marrësh një dënim më të vogël”.
Vazhduan të më marrin në pyetje çdo natë. Sado që u përpoqa t’i bindja se jam i pafajshëm, ishte pa dobi. Më kërcënuan, se do më rrihnin me hu. Më në fund, një natë më dhanë një letër, ku duhet të firmosja për bisedat e bëra.
– “Kjo që është shkruar këtu, s’është e vërtetë – u thashë. Më ballafaqoni me dëshmitarët”.
Natën tjetër ma sollën Nesti Papajorgjn. Atë e mbanin për krahësh dy policë, nga që ishte ligështuar pa masë, nga torturat.
– “A është e vërtetë, që doktori ka marrë nga priftërinjtë libra që propagandojnë kundër qeverisë”?
– “Jo, s’e kam thënë këtë gjë. Kam thënë se ka marrë libra fetarë, për lexim. Doktori s’ka bërë asgjë të keqe. Nuk mund të dëshmoj diçka, që ai s’e ka bërë”- vijoi Nesti edhe pse Osmani e goditi në qafë fort, duke e kërcënuar. Ditët që pasuan, Osmani më mbante në zyrë, duke më pyetur nga ora nëntë, deri gjashtëmbëdhjetë, duke shpresuar të nxirrte diçka. Me sa duket, kështu e kishin urdhëruar eprorët në Tiranë. Shkoi në Tiranë dhe kur u kthye më tha: merre këtë letër, shkruaj çfarë të duash, por veç me sinqeritet dhe firmos.
Pas disa ditësh, më transferuan në burgun e kështjellës. Kjo kishte qenë rindërtuar nga Ali Pasha i Tepelenës. Kishte disa korridore të gjata dhe labirinte, si një kullë e Babilonit. Në dhomat që mund të mbanin 10 vetë, kishin futur 30 vetë. Ajri ishte ndotur nga tymi duhanit, dhe frymët e njerëzve. Shumica e atyre që pashë aty, dukeshin të sëmurë, të dobësuar, të shpërfytyruar nga ato që hiqnin çdo ditë. Ishte diçka e mirë që na nxirrnin gjysmë ore në ditë, të thithnim ajrin e pastër në oborr. Isha mysafir në atë kështjellë, deri më 12 gusht.
Nuk mund t’i përshkruaj dot, të gjitha skenat e dhimbshme që përsëriteshin çdo ditë aty. Midis të burgosurve, kishte ish- anëtarë të partive balliste e të Legalitetit, armike të komunistëve, të ashtuquajtur sabotatorë apo diversantë, kundërshtarë të kolektivizimit në bujqësi. Sollën edhe komunistë, që akuzoheshin për ulje të syçeltësisë revolucionare, kishte edhe minoritarë grekë.
Farsat e gjyqeve komuniste
Javën e parë të gushtit, na nxorën para gjyqit. Një natë para, njeri prej nesh, e humbi arsyen e, nisi të lehë si qen. Erdhën dhe e morën e më s’e pamë kurrë. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Publik, ishin ushtarakët dhe funksionarët e policisë ushtarake. Thirrën në fillim një kriminel të luftës.
– “E pranon fajin”?
– “Jo, nuk e pranoj”!
– “Nuk ka rëndësi, të gjitha provat flasin kundër teje”.
– “Por provat janë false dhe deponimet e mia, janë nxjerrë me tortura”.
– “Qetësi, përgjigju vetëm kur të pyesim”.
Më pas, prokurori dha dënimin: me vdekje! Këtë e miratoi edhe gjykata. Kështu brenda 15 minutave, gjykata dënoi me vdekje një njeri, pa të drejtë apelimi. Vijuan me një tjetër që e dënuan me punë të detyruar. Më erdhi radha mua. Akuzohesha për spiunazh dhe për lidhje me Vatikanin e, propagandë reaksionare.
– “I akuzuar, a ke për të thënë diçka, përse akuzohesh”?
Pasi e kuptova që vendimi për mua ishte marrë tashmë, thashë:
– “Faleminderit që ma dhatë fjalën. Ky gjyq, injoron elementët universalë dhe që nuk mund të të mos jenë në çdo proces. Asnjë dëshmitar nuk është pyetur, asnjë dëshmi e shkruar, nuk na u paraqit, fjalët që u thane, nuk janë provuar, akuzat ngjajnë me trillime, të fantazisë së dikujt. Kësaj i thoni gjyq ju?! Nuk kam çfarë të them. Më quajtën si njeri pa respekt për gjykatën, thanë se janë të bindur për fajësinë time dhe më dënuan me një vit punë të detyruar.
Komedia vazhdon
Pasi kisha bërë një vit tashmë në burg, erdhi urdhri, që të më lironin menjëherë. Por nuk m’i kthyen sendet që m’i kishin marrë, kur më arrestuan. Protestës sime, nuk ia vunë veshin. Shkova në shtëpinë ku kisha bujtur më parë. E zonja e shtëpisë, më shihte me frikë, si një burgaxhi. Rashë të fle menjëherë. Kur u zgjova, pata një befasi. Omar Osmani, kishte ardhur të më bënte një vizitë. Me vete kishte sjellë disa paketa me ushqime, mish, proshutë, konserva, sallame, kuti me marmelatë dhe çokollata.
– “Janë dhuratë për ty- më tha. – Duhet të hani, që ta merrni veten”.
Me sa duket, kështu e kishin instruktuar nga lart. Duhet të shërohesha sa më shpejt, që të isha në gjendje të punoja. Pasi u largua kapiteni, pata një vizitë tjetër, nga një vajzë, më pak se njëzetë vjeçe, e cila më ftoi në një mbrëmje argëtuese.
– “Duhet të njohësh edhe anën e mirë të shqiptarëve – më sugjeroi aj.- Hajde të kërcesh këtë mbrëmje me ne. Harroji kujtimet e këqija”!
Ndenja dy javë, pa bërë asgjë. Autoritetet më kishin lënë një kohë për pushim dhe relaksim. Gjithsesi policia ushtarake, kujdesej për riedukimin tim. Më sillnin materiale propagandistike, ishin gati të më martonin edhe me një vajzë shqiptare! Më ftonin në shumë konferenca politike.
Përsëri në punë
Ditët e fundit të gushtit, erdhi urdhri të transferohesha në Tiranë, pranë Brigadës së Xhenjos. Aty mora vesh për pushkatimin e prof. Lozzi-t dhe për faktin që shumë italianë, gjendeshin nëpër burgje. Komandant ishte një geg, ish-luftëtar në Spanjë, martuar me një franceze. Zura vend në hotelin e oficerëve. Gazetat flisnin atë kohë, kundër Fuqive Perëndimore, që nuk e kishin lejuar Shqipërinë të merrte pjesë në bisedimet për reparacionet e luftës të Italisë. Flitej për incidentet në kufirin shqiptaro-grek.
Më 15 maj, bateritë detare të Shqipërisë, kishin fundosur dy anije britanike në Kanalin e Otrantos dhe vijonin ndihmat ushtarake, për partizanët grekë. Jugosllavët kishin nënshkruar një traktat miqësie dhe ushtarak me Shqipërinë, që i detyronte ata ta mbronin vendin e vogël, në rast agresioni nga Greqia. Po ashtu ishin nënshkruar, shumë marrëveshje ekonomike e kulturore. Në fillim të vitit 1947, u ashpërsua lufta fraksioniste në gjirin e Partisë Komuniste, midis grupit Hoxha-Spiru dhe filo-titistëve; Xoxe-Pandi Kristo.
Gjatë atyre 14 muajve që kalova në Tiranë, u njoha mirë me gjendjen politike të vendit. Regjimi mbështetej në tre shtylla: Partinë, policinë dhe ushtrinë. Socializmi i reklamuar nga komunistët, si barazi midis qytetarëve, mohonte të gjitha të drejtat e individit. Ai ishte një diktaturë mbi proletariatin në vend, që të ishte diktaturë e proletariatit. Baza e regjimit, s’ishin punëtorët dhe fshatarët, por udhëheqësit e lartë të partisë, funksionarët e Sigurimi, aparatçikët e partisë dhe drejtuesit e ekonomisë. Ky bllok, përbënte sistemin kockor të regjimit.
Për të bërë ndryshimet, regjimi u mbështet në dhunën. Policia dhe ushtria, bënte atë që duhet të bënte koha, për ta shoqërizuar popullin shqiptar. Puna e detyruar, përfshiu shumë sektorë të industrisë. Qytetari i Shqipërisë së re, jetonte për të prodhuar, qëllim kryesor ishte rritja e prodhimit. Nocioni i të drejtave të njeriut, ishte jo juridik, por politik. Policia sekrete politike, (Sigurimi i Shtetit), sajonte gjithnjë komplote për të eliminuar udhëheqjen e vjetër dhe për të ndihmuar kupolën e partisë, në luftën për pushtet. Njëzëshmëria e konsensusit popullor, kishte zanafillë vetëm terrorin. Nuk e mbante regjimin e Enver Hoxhës, entuziazmi i popullit, por mjetet e dhunës.
Populli duhej të bënte shumë sakrifica. Mijëra kulakë, pronarë të vegjël tokash, u masakruan. Niveli i masave, ishte tepër i ulët, në krahasim me atë të funksionarëve të partisë dhe shtetit. Kështu rroga ishte 4.000 lekë, për një punëtor të pakualifikuar dhe 50.000 lek, për funksionarët. Sa për krahasim, një palë këpucë, kushtonte 2.000 lekë, ndërsa një orë, 30.000 lekë. Gjithandej kishte parulla, tabela emulacioni, mjete propagandistike. U ndërtuan disa apartamente për funksionarët dhe ushtarakët e lartë, përveç që ishin shpronësuar me mijëra pronarë shtëpish, për të futur në to oficerët dhe nëpunësit e regjimit.
Dita e lirisë po afrohej
Me 20 tetor 1947, Brigada e Xhenjos, u transferua në Shkodër. Të gjitha materialet për urat, pasarelat etj., vinin nga Jugosllavia. Brigada merrte mjetet, instruksionet, manualet etj., nga jugosllavët. Ky ishte haraçi që Hoxha u paguante jugosllavëve, për ndihma. Në Korçë, jugosllavët ndërtuan një fabrikë sheqeri, në Elbasan, një fabrikë marmelate, në Tiranë, një central telefonik automatik.
Por sipas Nako Spirut, këto ndihma ishin të pakta dhe vendi po varfërohej. Kundër tij, u vu fraksioni i Koçi Xoxes, si rezultat, Nako Spiru u detyrua të vriste veten, në nëntor 1947. Pas kësaj, marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, nisën të keqësohen. Por ne janar 1948, Stalini ftoi Gjilasin në Moskë dhe tha:
– “Jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë. Preferojmë më mirë proletarin Koçi, se sa intelektualin Hoxha”.
Nga ana tjetër, Stalini fshehtas, inkurajonte Hoxhën, kundër Xoxes dhe jugosllavëve. Kur Tito kërkoi të fuste dy divizione jugosllave në Shqipëri, për të mbrojtur atë kundër agresionit të mundshëm grek, Stalini e denoncoi atë në Komintern. Në mars 1948, Shtabi Madhor i Ushtrisë, vendosi ndërtimin e një rruge automobilistike nga Berati, drejt kufirit me Greqinë. Kjo bëhej për një ndeshje eventuale me Greqinë. Brigada jonë, u transferua atje, në Vërtop.
Këtu m’u krijua mundësia, për të shpëtuar përgjithmonë nga ky vend. Në fillim të qershorit, më sollën një oficer shqiptar, i cili pretendonte se ishte i sëmurë, vetëm që të mos luftonte në frontin e jugut. Unë e kuptova që ai simulonte, megjithatë kërkova të shkonte për analiza, në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Kur u kthye që andej me analizat negative, ai, në inat e sipër, më qëlloi me pistoletë, duke më goditur në këmbë.
Ushtarët arritën ta çarmatosin dhe ta lidhin. Por unë isha plagosur keq. Me qenë se nuk mund të mjekohesha në Shqipëri, me urdhër të ministrit Haki Fejzo, sipas sugjerimit të kolegëve italianë, më dërguan në Beograd. Pas disa ditësh, atje mësova për prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë e Shqipërisë. Kominterni e akuzonte Titon për revizionizëm dhe si agjent të kapitalizmit botëror. Një oficer jugosllav, që e kisha pranë krevatit më tha:
– “Ne e formuam Partinë Komuniste Shqiptare, i ndihmuam shqiptarët për ta rindërtuar vendin e tyre. Ja si na e shpërblyen ata” – dhe vazhdoi me të shara. Më tregoi disa gazeta shqiptare, ku Tito paraqitej si një qen, që e tërhiqte me zinxhir Daja Sam. Rashë në lidhje me konsullin italian dhe, pas një muaji, u nisa për në territorin e lirë të Triestes. Me 3 gusht, mbërrita në shtëpi.
Shtatë vjet, vazhdoi ekzili im, kur u nisa isha 28 vjeç, u ktheva 35 vjeç. Ndjeva në damarët e mi bashkë me gjakun, lodhjen e luftës, trysninë e kujtimeve, për këto vite të hekurta, plot vuajtje dhe sakrifica, agoni, uri, terror, vuajtje, vuajtje, vuajtje! Kohët e para s’isha në gjendje të tregoja çfarë kisha hequr. Por më vonë e ndjeva për detyrë që t’i përshkruaj këto vite që kalova këtu, duke bashkuar kujtimet e mia me ato të shumë shokëve të luftës dhe ekzilit dhe vuajtjes atje. Memorie.al
Përktheu nga italishtja, Bardhyl Selimi