Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al/ Më datën 5 nëntor të vitit 1975, plot 49 vjet më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Aranit Çela, me anë të një letre me siglën “Tepër Sekret”, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, bashkangjitur u dërgonte një kopje të vendimit të asaj gjykate, me një përmbledhje të akt-akuzës së dënimit me vdekje, me pushkatim, të tre ish-gjeneralëve e, drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, ministrit Beqir Ali Balluku, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Taulla Dume dhe Drejtorit të Drejtorisë Politike, Hito Shaqo Çako, si dhe dënimin me 25 vjet burg, të Rrahman Parllakut, ish-zëvendës/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.
Gjyqi ndaj tyre, i zhvilluar nga data 25 tetor deri në 5 nëntor të atij viti, në një sallë improvizuar në ambientet e Repartit 313 të Tiranës, (i njohur ndryshe si “Burgu i Vjetër” apo “Kaushi”), ku ata zhvilluan edhe procesin hetimor e, qëndronin të izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie, që nga periudha e arrestimit, më datën 6 dhjetor e vitit 1974. Arrestimi i Ballukut, Dumes, Çakos dhe Parllakut, erdhi pas një periudhe afro gjashtë mujore, mbledhjesh e aktivesh e plenumesh, të zhvilluara me kuadrot më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, ku në pjesën më të madhe të tyre, kishte asistuar dhe drejtuar personalisht, vetë Enver Hoxha.
Goditja ndaj Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, si dhe anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974, me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, që u mbajt në ish – “Vilën e Zogut” të qytetit të Durrësit. Ajo mbledhje drejtohej nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, ku Balluku, për herë të parë, që nga viti 1945, nuk ishte në një presidium mbledhje, por në sallë, ku ai u detyrua t’ju përgjigjej me dhjetëra pyetjeve, të bëra nga vartësit e tij. Gjithçka po ndodhte aty në atë sallë dhe që do të vazhdonte më pas deri në ditën e arrestimit, ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, si Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon, të ideuar dhe dirigjuar personalisht nga Enver Hoxha.
Pas asaj atij aktivi me kuadrot më të lartë të Ushtrisë, Balluku u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si; “kreun e grupit puçist në Ushtri” dhe “tradhtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë”. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, Balluku u analizua edhe në Plenumin e Pestë të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga pjesa më e madhe e anëtarëve të plenumit.
Në fund të asaj mbledhje, Balluku u përjashtua dhe u shkarkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore, por, ndryshe nga shumë nga ish-funksionarë dhe personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste, (që ishin goditur dhe dënuar vite më parë, që arrestoheshin dhe iu vinin prangat sapo dilnin nga salla e mbledhjes), ai u la i lirë që të shkonte në shtëpi! Ku pas dhjetë ditësh, së bashku me një pjesë të familjes së tij, ai do të internohej në qytezën e Roskovecit, në rrethin e Fierit, ku dhe u arrestua më 6 dhjetor të vitit 1974.
Tashmë të gjitha këto dhe të tjera për Beqir Ballukun, ish-ministrin e Mbrojtjes Popullore dhe zv/kryeministrin e parë të qeverisë së kryesuar nga Mehmet Shehu, i cili deri në vitin 1974, konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe njerëzve më besnik të Enver Hoxhës, janë shumë të njohura, pasi pas viteve ’90-të, janë botuar me dhjetëra e dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore gjithashtu, ku hidhet dritë mbi jetën e karrierën e tij, që nga periudha kur ishte drejtuesi kryesor i Njësiteve Guerile të Tiranës dhe komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe e gjithë periudha në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, deri në korrikun e vitit 1974.
Ajo që ka mbetur një mister pothuajse i pazbardhur dhe i panjohur, që vazhdon të diskutohet ende edhe sot pas gati pesë dekadash, janë arsyet dhe shkaqet kryesore që e detyruan Enver Hoxhën, që të godiste Ballukun dhe dy drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, duke i dënuar ata me vdekje, si; “Krerët e grupit puçist në Ushtri”! Bashkë me këtë mister, që ndoshta nuk do të zbardhet kurrë, pothuajse janë të panjohura, edhe dokumentet arkivore me proces-verbalet e mbledhjeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, ku u diskutuan kërkesat e lutjet për faljen e jetës, nga ana e tre ish-drejtuesve kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, Balluku, Dume dhe Çako.
Nisur nga kjo, Memorie.al po publikon në disa numra këto dokumente arkivore, ku janë diskutimet e të gjithë anëtarëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke filluar nga kreu i saj, Haxhi Lleshi, (Kryetar), Rita Marko (Nënkryetar), Telo Mezini (Sekretar), si dhe anëtarëve; Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Naunka Bozo, Nuredin Hoxha, Spiro Moisiu dhe Zinja Franja.
LETRA E KRYETARIT TË GJYKATËS SË LARTË, ARANIT ÇELA, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, ME AKUZAT NDAJ BEQIR BALLUKUT, PETRIT DUMES DHE HITO ÇAKOS DHE DËNIMIN E TYRE ME VDEKJE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë, më 5.11.1975
GJYKATA E LARTË
Nr. 10 Aktit
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR
TIRANË
Bashkëngjitur me këtë shkresë, po ju dërgojmë kopjen e vendimit nr 10 datë 5.11.1975 të Gjykatës së Posaçme Ushtarake, me të cilin është vendosur dënimi me vdekje i Beqir Ali Ballukut, Petrit Taulla Dumes, dhe Hito Shaqo Çakos, për krimet e parashikuara nga nenet 64, 72, 73/2, 76, 80, dhe 323/2 të Kodit Penal.
KRYETARI I GJYKATËS SË LARTË
Aranit Çela
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë, më 10.11.1975
GJYKATA E LARTË “Tepër Sekret”
Nr 323 Prot Ekzemplar Nr. 1
PARASHTESË
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR
TIRANË
Gjykata e Posaçme Ushtarake, e krijuar me Dekretin Nr. 5330 dhe datë 27 Gusht 1975, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, prej datës 25 Tetor, deri në 5 Nëntor 1975, shqyrtoi çështjen penale që i përket grupit armik dhe antiparti të komplotistëve në ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku, ish-Ministër i Mbrojtjes Popullore, me bashkëpunëtorë kryesorë, Petrit Dumen, ish-Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore, Hito Çakon, ish- Drejtor Politik i Ushtrisë Popullore, dhe Rrahman Përllakun, ish-Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore.
Të gjykuarit e lartpërmendur, ju dërguan gjyqit me akuzën se në mënyrë të organizuar, kanë kryer krimin e tradhtisë ndaj atdheut, krimin e sabotimit, dhe atë të agjitacionit e propagandës, parashikuar prej neneve 64, 72, 73/2, dhe 76, të Kodit Penal. Ndërsa Beqir Balluku, Petrit Dume, dhe Hito Çako, kanë kryer dhe krimet e përvetësimit të pasurisë socialiste, dhe të shpërdorimit të pozitës zyrtare, të parashikuar prej neneve 80 dhe 323 të Kodit Penal.
Nga shqyrtimi i çështjes, rezultoi sa vijon:
Armiqtë e Popullit e të Partisë, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, dhe Rrahman Përllaku, në mënyrë të organizuar dhe për një kohë të gjatë, kanë zhvilluar veprimtari kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, kundër Partisë së Punës së Shqipërisë, duke synuar përfundimisht, me anë të puçit, të likuidonin diktaturën e proletariatit e socializmin, të vendosnin diktaturën fashiste borgjezo-revizioniste, dhe të restauronin kapitalizmin në Shqipëri.
Për të arritur pikëpamjet e tyre kriminale, komplotistët e puçistët, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, dhe Rrahman Përllaku, kanë zhvilluar një veprimtari të gjerë e shumë anshme armiqësore, brenda e jashtë ushtrisë dhe konkretisht:
- Kanë sabotuar rolin udhëheqës drejtues dhe kontrollues të Partisë në ushtri. Këta armiq, luftuan për të futur hierarkinë ushtarake në Parti, dhe për t’i kthyer organizatat bazë dhe Komitetet e Partisë, në shtojca të komandave, duke e vënë kështu komandën mbi Partinë.
Duke shkelur në mënyrë të hapur normat, direktivat, dhe vendimet e Partisë, me qëllim që të realizonin lirisht planet e tyre, këta armiq u përpoqën që të degjeneronin Partinë në ushtri, t’i jepnin kësaj si në formë ashtu dhe në përmbajtje, tiparet e një partie revizioniste, të eliminonin botëkuptimin marksist-leninist të saj, ta largonin atë nga normat dhe parimet e ndërtimit dhe funksionimit të saj, të godisnin disiplinën dhe unitetin e saj, ta kthenin përfundimisht atë në një vegël të bindur ndaj tyre dhe hierarkinë ushtarake, për të realizuar komplotin dhe puçin që synonin.
Grupi armiqësor e antiparti në ushtri, gjatë gjithë veprimtarisë së tij armiqësore, u përpoq në forma e mënyra të ndryshme, të izolonte Komitetin Qendror të Partisë nga udhëheqja, dhe nga drejtimi praktik i ushtrisë, gjë që ishte premis i domosdoshëm për realizimin e qëllimeve të tyre, për degjenerimin e ushtrisë dhe përgatitjen e komplotit dhe puçit ushtarak.
Për t’ia arritur izolimit të Komitetit Qendror të Partisë, të gjykuarit kanë vepruar kryesisht nëpërmjet shndërrimit të Drejtorisë Politike të Ushtrisë, në një vegël të bindur të tyre, nëpërmjet krijimit të një organizmi fraksionist në krye të ushtrisë të quajtur; “Komitetit Qendror i vogël”, duke përdorur mashtrimin dhe gënjeshtrën, lidhur me zbatimin e detyrave dhe me paraqitjen e gjendjes së ushtrisë para Partisë, si dhe nëpërmjet vendosjes së një kontrolli të fortë, për të penguar burimet e informacionit në drejtim të udhëheqjes së Partisë.
- Kanë zhvilluar një veprimtari të theksuar sabotimi, në drejtim të mbrojtjes së vendit, duke dëmtuar shumë rëndë si në fushën e artit ushtarak, ashtu dhe në atë të përgatitjes luftarake dhe të fortifikimit të vendit.
Këta armiq sikurse e pohojnë dhe vetë, duke qenë në kundërshtim me vijën e përgjithshme të Partisë, ju kundërvunë edhe vijës ushtarake që është pjesë përbërëse e saj.
Për disa vjet me radhë, me kujdesin e një armiku të egër të Partisë dhe Pushtetit Popullor, këta punuan dhe formuluan, në formën e një dokumenti, një vijë ushtarake të tyren, e cila është armiqësore, diametralisht e kundërt me politikën ushtarake të Partisë dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Duhet theksuar se baza politike e ideologjike e kësaj vije ushtarake, është borgjezo-revizioniste, ndërsa pikësynimi i saj në fakt, është sabotimi i mbrojtjes së vendit, dorëzimi pa luftë i territorit të Republikës Popullore të Shqipërisë armikut, në rast agresioni.
Në kundërshtim flagrant me parimet dhe kërkesat e artit ushtarak popullor, me vendimet e detyrat e vëna nga Komiteti Qendror i PPSH-së dhe Këshilli i Mbrojtjes, kanë futur në ushtri programe dhe rregulla, të cilat kanë dëmtuar stërvitjen ushtarake dhe në përgjithësi përgatitjen e kuadrove dhe ushtarëve, kanë sabotuar direktivat e Partisë mbi përgatitjen e gjithë popullit për mbrojtje, duke nënvleftësuar përgatitjen e forcave vullnetare, zbatimin e Shkollës së Lirë ushtarake, etj.
- Kanë aprovuar dhe vënë në zbatim raporte të zhdrejta midis llojeve të armëve, kanë dëmtuar fortifikimin e vendit, duke lënë me qëllim mbas dore ndërtimin e objekteve të mbrojtjes ose, duke dhënë urdhra të padrejta haptazi në këtë drejtim.
- Kanë zhvilluar një veprimtari të theksuar sabotimi në fushën e organizimit dhe të drejtimit shtetëror e ekonomik në ushtri.
Në këtë fushë veprimtaria armiqësore, është përqendruar në nxjerrjen e urdhrave, udhëzimeve, dhe normave të tjera në kundërshtim me ligjet, dhe me aktet nënligjore të organeve të larta shtetërore, në minimin e e rolit drejtues të Këshillit të Ministrave, në sabotimin e zbatimit të direktivave të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe të udhëzimeve të Këshillit të Mbrojtjes së Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe shkeljen flagrante të ligjshmërisë socialiste.
Grupi armik dhe antiparti i komplotistëve në ushtri, gjithashtu ka shkaktuar dëme të rënda në ekonominë ushtarake, duke e keqtrajtuar pasurinë e ushtrisë, ose duke urdhëruar përdorimin në kundërshtim me destinacionin e saj.
Veprimtaria sabotuese e grupit antiparti dhe armik në fushën e organizimit dhe drejtimit shtetëror, si dhe të ekonomisë në ushtri, ka synuar dëmtimin e potencialit ekonomik ushtarak, në izolimin e ushtrisë nga organet e larta shtetërore, transformimin gradual të saj në “shtet brenda shtetit”, të gjitha këto me qëllimin përfundimtar, të përgatitjes së një puçi ushtarak, për likuidimin e pushtetit popullor.
- Kanë zhvilluar gjithashtu një veprimtari të gjerë dhe të vazhdueshme në frontin ideologjik në ushtri. Në kundërshtim të hapët me interesat e Partisë e të shtetit, grupi komplotist në ushtri, duke ju kundërvënë ideologjisë së rendit tonë socialist dhe marksist-leninist, për një kohë shumë të gjatë, futën në ushtri në forma dhe mënyra të ndryshme, ideologjinë borgjezo-revizioniste, u bënë përkrahës të fuqishëm të propagandës imperialisto-revizioniste në ushtri.
Kontrollet e ushtruara, provuan se deri nga mesi i vitit 1974 në njësitë dhe repartet e ushtrisë popullore, u gjendën 82.000 copë libra me përmbajtje ideologjike revizioniste “të përkthyera, adoptuara, dhe shpërndara” me urdhër të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Cakos, e Rrahman Përllakut.
Sabotimi në frontin ideologjik i grupit armik antiparti, të komplotistëve në ushtri, është pjesë përbërëse e të gjithë asaj veprimtarie armiqësore në fushën e artit e kulturës, që u dënua me forcë nga Partia në Plenumin e IV të Komitetit Qendror.
Kjo veprimtari sabotimi e cila, ka sjellë pasoja shumë të rënda, siç janë çoroditja ideologjike, shfaqjet e liberalizmit, konceptet e moralit borgjezo-revizionist, ka synuar në minimin e unitetit moralo-politik të ushtrisë, në gjallërimin e mbeturinave të ish klasave të përmbysura dhe të elementit antisocialist, në degjenerimin e ushtrisë, në përgatitjen e forcave dhe kushteve për krijimin e pucit ushtarak për likuidimin e pushtetit popullor.
- Të gjykuarit Beqir Balluku, Petrit Dume, dhe Hito Çako, kanë dëmtuar pasurinë e ushtrisë popullore. Sikurse doli e qartë, gjatë zhvillimit të gjyqit, degjenerimi politik e ideologjik i këtyre armiqve, është i lidhur me degjenerimin moral të tyre. Që të tre të lartpërmendurit, kanë vjedhur e shpërdoruar pasurinë socialiste, dhe u kanë krijuar kushte personave të tjerë të pandërgjegjshëm, për të dëmtuar pasurinë e popullit.
Veprimtaria armiqësore e grupit komplotist dhe puçist të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, e Rrahman Përllakut, është e lidhur ngushtë me veprimtarinë antiparti të zhvilluar në vendin tonë, gjatë viteve të fundit, qoftë në fushën e artit e kulturës, ashtu si dhe në atë të ekonomisë kombëtare. Ajo, përfaqëson në vetë-vete, pjesën më të rrezikshme që kanë zhvilluar armiqtë e Partisë e të Popullit shqiptar.
Veprimtaria komplotiste e puçiste e Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, e Rrahman Përllakut, jo vetëm përkon por është e lidhur organikisht në të njëjtën bazë politike e ideologjike, me gjithë veprimtarinë armiqësore që zhvillohet kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, PPSH-së, dhe Popullit shqiptar, nga imperialistët e revizionistët modernë.
Nga të gjykuarit Beqir Balluku, që në vitet e para të pasçlirimit të vendit, sikurse pranoi para gjyqit, ka qenë nën influencën e revizionistëve jugosllavë e më pas të revizionistëve sovjetikë. Ka qenë në favor të politikës antisocialiste dhe kundër pavarësisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, të pikësynimeve dhe të veprimtarisë së tyre armiqësore ndaj vendit tonë.
Ka mbajtur lidhje të ngushta me armiqtë e Partisë dhe Popullit, Tuk Jakova, Liri Belishova, etj., duke u solidarizuar me pikëpamjet e tyre armiqësore, ka qenë në opozicion të vazhdueshëm me politikën e jashtme e të brendshme, të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Armiqtë e Partisë dhe të Popullit, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, dhe Rrahman Përllaku, duke iu nënshtruar kohë pas kohe një përpunimi ideologjik dhe politik, nëpërmjet kontakteve me njerëz dhe organizma të shtetit jugosllav, të shtetit sovjetik, të Traktatit të Varshavës, të brumosur me vese nga më të ulëtat, siç janë egoizmi, ambicia, karrierizmi, pushteti personal, për një kohë të gjatë në fakt, kanë zbatuar orientimet e politikës revizioniste jugosllave dhe sovjetike, kanë luftuar për të realizuar pikësynimet e tyre kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.
Gjykata, duke u bazuar në rezultatet e hetuesisë dhe të zhvillimit të gjykimit, duke u mbështetur në të gjitha dokumentet e ndodhura në dosje, arriti në përfundimin se të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, e Rrahman Përllaku, janë agjentë të armiqve të betuar të Partisë e të Popullit tonë, jugosllavëve dhe sovjetikëve.
Të gjykuarit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, dhe Rrahman Përllaku, si në hetuesi ashtu dhe gjatë zhvillimit të gjyqit, duke u ndodhur përpara një morie faktesh dhe dokumentesh të pakundërshtueshme, u detyruan të pranojnë plotësisht fajësinë e tyre dhe dëmin e madh që i kanë sjellë Ushtrisë Popullore dhe Republikës Popullore të Shqipërisë.
Përfundimisht Gjykata e Posaçme Ushtarake, duke e konsideruar plotësisht të provuar akuzën, i njohu fajtorë të gjykuarit për krimet më të rënda të kryera kundër Atdheut socialist, Popullit, dhe Partisë, dhe i dënoi: Beqir Ballukun, Petrit Dumen, e Hito Çakon, me vdekje me pushkatim, ndërsa Rrahman Përllakun me 25 vjet heqje lirie.
Lutjet e të dënuarve për faljen e jetës, u refuzuan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH-së, dhe vendimi i gjykatës, u ekzekutua. Memorie.al
KRYETARI I GJYKATËS SË LARTË
Aranit Çela
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016