Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa)
Pjesa e parë
-Gjergj Kokoshi dhe kontributi i tij, në një atmosferë atipike politike në Shqipërinë e pasluftës-
Memorie.al / Në këtë punim, do të trajtohet figura e Gjergj Kokoshit, në kuadër të kontributit të tij politik, në vitin e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, duke u bazuar në burime kryesisht arkivore, nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe nga Arkivi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Synimi është realizimi i një studimi, duke u bazuar në burimet arkivore dhe në analizën diskurseve në hedhjen dritë mbi një nga figurat më interesante dhe më pak të zbardhura në vitin e parë të konsolidimit të pushtetit nga Partia Komuniste, siç është Gjergj Kokoshi.
Gjergj Kokoshi lindi në Shkodër më 1904, nga Jaçim e Viktore Kokoshi, u diplomua në Itali dhe Francë për filozofi dhe u doktorua në Paris, për letërsi. Gjatë viteve ’30-të, Kokoshi ishte profesor në Gjimnazin Shtetëror në Shkodër dhe në Tiranë, i njohur si antizogist. Në vitin 1940, u ftua të bënte pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve Shqiptare, ngjarje kjo që shërbeu si themeluese e Institutit Mbretënor të Studimeve Shqiptare. Ai refuzoi të merrte pjesë në këtë konferencë, për arsye shëndetësore.
Në thelb antifashist, Gjergj Kokoshi gjatë Luftës së Dytë Botërore, dëshmoi afiliacion me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të drejtuar nga Partia Komuniste Shqiptare. Më 1943, ai aderoi në Frontin Nacionalçlirimtar dhe ishte ndër intelektualët antifashistë, që u mor edhe me propagandimin e ideve antifashiste dhe përhapjen e tyre te rinia shkollore. Ai mori pjesë në rezistencën e armatosur kundër pushtuesit, në zonën e Dibrës, madje pas Kongresit të Përmetit, u gradua kolonel.
Emri i Gjergj Kokoshit, profesorit, filloi të dëgjohet mjaft pas Kongresit të Përmetit, kongres që vuri bazat e regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë kongres, ai u zgjodh një prej anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, struktura legjislative e qeverisjes së shtetit shqiptar. Ai duhet të jetë propozuar, si i ngarkuar me punë për arsimin që gjatë ditëve të Kongresit, pasi emri i tij, gjendet në një dokument pa firmë.
Zyrtarisht, Kokoshi u emërua si i ngarkuar me arsimin, më 20 qershor 1944 gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të mbajtur në Odriçan. Enver Hoxha e prezantoi Kokoshin, me elozhe të mëdha. Ai vuri në dukje veprimtarinë e Kokoshit, si pjesëmarrës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, “si njeri që nuk ka bërë kompromise dhe si kompetent dhe me eksperiencë në fushën e arsimit”.
Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, të mbajtur në Berat më 20-23 tetor 1944, Kokoshi emërohet ministër i Arsimit, në qeverinë provizore të drejtuar nga Enver Hoxha, post nga i cili dha dorëheqjen më 13 janar 1945. Në postin e ministrit të Arsimit, organizoi Kongresin e Arsimtarëve Antifashistë, i cili përpiloi platformën për organizimin e arsimit në Shqipëri.
Në këtë kongres, pikëpamja e Kokoshit për zhvillimin cilësor të arsimit në Shqipëri, u përplas me pikëpamjen e Sejfulla Malëshovës, për masivizimin e arsimit. Po ashtu debate, Kokoshi kishte me Malëshovën, edhe mbi kompetencat e Ministrisë së Kulturës Popullore, si në rastin e Institutit të Studimeve që ishte nën këtë ministri dhe jo në atë të Arsimit, si dhe mbi zërin e ulët që arsimit i ishte kushtuar në buxhetin e vitit 1945, kur më parë sipas Kokoshit, arsimit i ishte rezervuar 13% e buxhetit.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kokoshi vazhdoi të ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili pas gushtit të vitit 1945 mori emrin Fronti Demokratik. Në shtator dhe në fillim të dhjetorit të po këtij viti, edhe pse ishte anëtar i Frontit Demokratik, e shprehu hapur kundërshtimin e tij, ndaj ligjit të ri zgjedhor, që nuk lejonte pjesëmarrjen në zgjedhje të partive të tjera.
Zgjedhjet e para politike të 2 dhjetorit 1945
Qeveria provizore shqiptare pas çlirimit të Shqipërisë, nuk ishte njohur ndërkombëtarisht dhe një ndër objektivat kryesorë mbetej konsolidimi i pushtetit politik dhe njohja ndërkombëtare e saj. Kjo e fundit ishte refuzuar të bëhej nga Aleatët Perëndimorë, ku sidomos SHBA-ës dhe Britania e Madhe, kishin vënë si kusht zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Ndaj Partisë Komuniste (PKSH) i duhej fillimisht të organizonte zgjedhjet lokale dhe më pas ato kombëtare, me synimin e fitimit të tyre nëpërmjet paraqitjes në zgjedhje të anëtarëve vetëm të Frontit Nacional-Çlirimtar, pas të cilit qëndronte Partia Komuniste Shqiptare.
Zgjedhjet e organeve lokale, u zhvilluan gjatë pranverës 1945 dhe në to PKSH-ja arriti të zgjidhte njerëzit e vet, që i konsideronte “të sprovuar në luftë, të vendosur dhe besnikë ndaj interesave të popullit”, dhe të organizonte “ndërtimin e aparatit të ri shtetëror, si nga forma dhe nga përmbajtja marksiste-komuniste, mbi baza të reja institucionale, administrative, e u ngritën gjykatat popullore, Policia Popullore dhe Drejtoria e Mbrojtjes Popullore, që më pas u shndërrua në organet e Sigurimit të Shtetit”, që do t’i shërbenin konsolidimit të pushtetit të PKSH-së dhe mori në duart e veta drejtimin e shtetit, duke eliminuar më parë “përfaqësuesit e reaksionit”.
Gjergj Kokoshi kandidoi në këto zgjedhje në “Lagjen e Re” në Tiranë, por nuk mundi të zgjidhej dhe kishte marrë vetëm 17 vota. Pas zgjedhjeve lokale të majit 1945, PKSH-ja duhej të konsolidonte pushtetin qendror dhe kjo u realizua përmes shndërrimit të Frontit Nacional-Çlirimtar, në një organizatë politike, e cila do të dilte si e vetmja alternativë politike në zgjedhjet qendrore.
Para zgjedhjeve, Fronti Nacional-Çlirimtar zhvilloi kongresin e tij, më 3 gusht 1945, ku edhe u shndërrua në Frontin Demokratik dhe Fronti kontrollohej totalisht nga PKSH-ja, por kishte edhe elementë jo komunistë, që ishin të paktë. Pas Kongresit u vendos që zgjedhjet qendrore, të mbaheshin më 2 dhjetor 1945. Por përpara tyre, më 27-29 shtator 1945, u mbajt mbledhja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), në të cilën u diskutua kryesisht për zgjedhjet e ardhshme dhe u miratua një paketë ligjore për to. U miratua ligji elektoral, ligji mbi Asamblenë Kushtetuese dhe ligji mbi listat e votuesve.
Të tria këto ligje në njëfarë mënyre, kufizonin zhvillimin e zgjedhjeve të lira, megjithëse ligji elektoral nuk vinte kufizime për paraqitjen e kandidatëve nga grupime të ndryshme politike. Kështu ekzistenca e një force të vetme politike si Fronti Demokratik, që drejtohej nga Partia Komuniste, që nuk lejonte krijimin e grupeve të tjera politike, rrjedhimisht e kthente Shqipërinë në një shtet monist.
I gjithë procesi i administrimit të votimit, sipas historianes Sonila Boçi, ishte në duart e Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar, pasi procesi zgjedhor administrohej nga Fronti dhe komisionet elektorale, kryesoheshin dhe në shumicën absolute të tyre ishin me anëtarë të FANÇ-së, si dhe votimi do të mbikëqyrej nga anëtarë të këshillave të Frontit, gjë që minonte transparencën e të gjithë procesit elektoral.
Zgjedhjet do të fillonin në orën 7 të mëngjesit, deri në orën 19.00, në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të ishte Andrea Sahatçi dhe të gjithë anëtarët e komisionit, vinin nga Fronti (Andrea Nathanaili, Faik Dishnica, Xhavid Gjata, Vasil Avrami, Halim Budo, Spiro Stringa). Madje, edhe zëvendësuesit e tyre, ishin anëtarë të Frontit Demokratik (Salim Luniku, Irakli Noçka, Neki Delvina, Sotir Kuneshka, Vasil Bidoshi, Karaman Ylli dhe Eqrem Çabej).
Këto dhe disa ambiguitete të tjera të ligjit elektoral, shkaktuan pakënaqësi të përgjithshme për ata individë që kishin qëllim të konkurronin si të pavarur në zgjedhjet e 2 dhjetorit, por edhe brenda vetë Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar. Që në diskutimet mbi hartimin e ligjit Gjergj Kokoshi, në atë kohë ministër i Arsimit, por edhe anëtar i Këshillit të FANÇ-it, diskutoi mbi problematikat e ligjit të amenduar, i cili nuk ishte i përshtatshëm me parimet demokratike, madje doli kundër miratimit të këtij ligji, që cenonte vendosjen e një regjimi demokratik dhe pluralist. Në kushtet e pasluftës, ky ligj nuk u mundësonte njerëzve të arsimuar dhe të kualifikuar, për të kontribuar për vendin e tyre.
Lufta kishte marrë fund dhe tani ishte koha për të zhvilluar Shqipërinë sipas standardeve demokratike, e u duhej dhënë mundësia atyre njerëzve, të cilët për arsyet e besimit të tyre politik, nuk ishin anëtarë të FANÇ-it, të mund të vinin kandidaturat për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas Kokoshit, ligji nuk u jepte kohën e mjaftueshme njerëzve dhe grupimeve jashtë Frontit, për t’u organizuar e për të paraqitur listat dhe kandidaturat e tyre. Ligji favorizonte thjesht FANÇ-it, madje zgjedhjet ishin nën kontrollin e Frontit. Ndaj kushdo që do të konkurronte në këto zgjedhje, do ta bënte kundër, jo vetëm Frontit, një organizate politike, por përkundrejt makinerisë shtetërore.
Kjo binte ndesh me parimet e demokracisë liberale. Kështu, dukej se Fronti Demokratik dominohej komplet nga PKSH-ja dhe ky fakt ishte i ditur edhe për qeveritë e aleatëve, për të cilët nuk kishte iluzione mbi regjimin e ri dhe që qeveria shqiptare për ta, ishte thjesht “një grup individësh të sinqertë, patriotë, me të cilët do të kishte vështirësi në bashkëpunim”, pasi, sipas përfaqësuesit amerikan në Tiranë, Jacobs, “zyrtarët ishin injorantë, për sa i përket shkencës së qeverisjes, dinin shumë pak mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ishin tepër të ndjeshëm ndaj faktit se, megjithëse kishin luftuar kundër të njëjtit armik, ende qeveria e tyre nuk ishte njohur nga aleatët, përveç Jugosllavisë”!
Duket se para zgjedhjeve të 2 dhjetorit edhe brenda vetë Frontit Demokratik kishte pakënaqësi dhe hezitime mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe “lirisë” për të kandiduar jashtë Frontit. Qeveria shqiptare ende nuk ishte njohur nga Aleatët, ndaj njerëz jashtë Frontit filluan të organizoheshin me shpresën e konkurrimit në këto zgjedhje, madje kontaktuan edhe me njerëz brenda Frontit, apo Këshillit Nacionalçlirimtar, siç ishte Gjergj Kokoshi i cili, pavarësisht se kishte qenë ministër i Arsimit pas luftës, kishte filluar të mbante një qëndrim më kritik ndaj politikave qeverisëse dhe ishte tërhequr nga posti i ministrit.
Në mbledhjet e Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Nacional-Çlirimtar, Kokoshi disa herë ishte shprehur kundër politikave të ashpra ekonomike, të cilat mund të justifikoheshin për kriminelët e luftës, por nuk mund të vazhdonin të merreshin masa të rrepta dhe rekuizim pasurie edhe ndaj anëtarëve të familjes së tyre, sidomos në rastet kur personi në fjalë kishte vdekur, apo edhe në rastin e tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, të kihej kujdes me aplikimin e këtij ligji, pasi kështu siç ishte zhvilluar si procedure, ligji ishte kthyer në një makth për tregtarët.
Kjo klimë e nderë politike e bëri Gjergj Kokoshin, që të ri mendonte pozicionin e tij brenda Frontit dhe mundësinë e largimit të tij, pasi e shikonte që të gjithë punën e Frontit po e drejtonin vetëm komunistët dhe qeveria drejtohej vetëm nga Partia Komuniste. Ndaj rruga e ndjekur prej tij për të marrë pjesë në këto zgjedhje, duket se ka qenë ajo e daljes nga listat e Frontit Demokratik. Sipas tij, në publik flitej kundër Frontit, se s’kishte liri dhe se vendi ishte në diktaturë. Në këtë frymë pakënaqësie ndaj politikës elektorale të Frontit Demokratik dhe synimit të fitores së zgjedhjeve prej tij, Gjergj Kokoshi, filloi të përpiqej për t’u organizuar politikisht.
Ishte takuar disa herë me njerëz që po mundoheshin të organizoheshin për zgjedhjet e 2 dhjetorit, si; Shefqet Beja, Selahudin Toto, Riza Dani, Kosta Boshnjaku, Kol Kuqali, Irfan Majuni e Musine e Salim Kokalari, të cilët duke shpresuar edhe në mbështetjen amerikane, dëshironin të formonin një parti klandestine, me parimet e demokracive perëndimore dhe donin të shtrinin ndikimin te shtresat e pakënaqura sociale, si të prekurit nga regjimi i ri, tregtarët, pronarët, çifligarët dhe intelektualët me parime të kundërta me pushtetin popullor. Por, sipas deponimit të Shefqet Bejës, pas arrestimit të tij, duket se, megjithëse Kokoshi ishte kundra dhe e kishte kundërshtuar në Front ligjin elektoral, ai propozoi themelimin e një opozite dhe daljen si parti më vete, në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.
Ky propozim nuk u ndoq nga anëtarët e tjerë dhe sipas Shefqet Bejës, ky ishte dallimi mes tyre, grupit opozitar që kërkonte mbështetjen e amerikanëve, të cilët u kishin rekomanduar Bejës dhe të tjerëve që më mirë të rrinin brenda radhëve të Frontit, sesa të dilnin më vete, dhe Kokoshit që, siç dukej, anonte më shumë nga influenca britanike, u shkëput nga grupi i Shefqet Bejës dhe Riza Danit. Po ashtu, Kokoshi ishte edhe mik i Mirash Ivanajt dhe i kushëririt të tij, Nikolla Ivanaj. Ai shpeshherë ishte takuar në Tiranë me Mirash Ivanajn, i riatdhesuar rishtazi në Shqipëri me ftesë të vetë Kokoshit, si ministër i Arsimit, mbi mundësinë e organizimit dhe daljes si kandidatura në zgjedhjet e 2 dhjetorit.
Nikolla Ivanaj, mendonte të vinte kandidaturën në Shkodër dhe përkrahej nga Kokoshi dhe Mirashi, madje ky i fundit në shënimet e Ministrisë së Brendshme, gjatë marrjes në pyetje, konsiderohej që bashkë me Kokoshin, “ishin me Frontin dhe pushtetin, por më të rezervuar, gjoja për t’i dhënë një pamje më demokratike Frontit”. Sipas shënimeve në dosjen e hetuesisë së Kokoshit, Mirash Ivanaj shënohej se; “i ka thënë se Aleatët, kanë deklaruar që anëtarë të Këshillit Antifashist Ncional-Çlirimtar, janë të emëruar dhe jo të zgjedhur”.
Në opozitën politike anti-PKSH-së
Gjithsesi, nga dosja e tij hetimore-gjyqësore, tërhequr tek Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Kokoshi duket se krijimin e një partie opozitare, e ka pasur qëllim të qenësishëm dhe ka biseduar e është takuar edhe me persona të ndryshëm, të interesuar në formimin e saj.
Kështu, gjatë hetuesisë, depononte se; “aktivitetin e tij politik, për formimin e një Partie, e cila do të kishte funksionin e një opozite demokratike konstruktive”, e kishte filluar rreth 15 tetorit 1945. Gjatë Luftës së Dytë Botërore madje, siç mësohet nga dosja formulare e Selahudin Totos, Kokoshi ishte i pakënaqur nga elementët ekstremë të majtë, që ishin në pushtet.
Për Kokoshin, Lufta Nacional-Çlirimtare, nuk ka qenë lëvizje njëqind për qind, e së majtës ekstreme. Në të ka pasur edhe të moderuar (fakti që ekstremistet morën pushtetin, nuk i pëlqente dhe kishte shkaktuar shumë dëshpërim në shumë elementë të lëvizjes). Meqenëse nuk arriti të kishte firmat e nevojshme për të krijuar grupimin politik, ra në kontakt me njerëz të tjerë antikomunistë e anti-Front, që ishin në këtë kohë, duke u organizuar për zgjedhjet.
Ai u takua në Tiranë me intelektualë të ndryshëm, si; Sami Qeribashi, Shaban Balla, Profi Çeko, Tut Mëniku, etj., për të diskutuar mbi krijimin e një grupi i cili, do të konkurronte në zgjedhjet e 2 dhjetorit. Kësaj nisme politike të të sipërpërmendurve, iu bashkuan edhe njerëz të tjerë, të cilët ishin të interesuar të dilnin veçmas Frontit e, që ligji elektoral nuk ua lehtësonte kandidimin, si Musine Kokalari, që ishte nisiatorja e grupimit social-demokrat, apo Qenan Dibra, simpatizant i monarkistëve.
Duhet pasur parasysh se në kushtet e një terrori politik të iniciuar me gjyqet speciale apo “gjyqet e popullit”, të marsit 1945, fillimisht ndaj “kriminelëve të luftës”, duke vijuar më tej me antikomunistët, kryesisht në Veri të Shqipërisë, klima në vend nuk ishte edhe aq në favor të organizimeve politike jashtë Frontit.
Por, gjithsesi, presioni ndaj qeverisë shqiptare për t’u njohur përfundimisht nga të gjithë Aleatët (Bashkimi Sovjetik e njohu qeverinë shqiptare më 10 nëntor 1945), i kushtëzuar prej SHBA-ës, dhe Britanisë së Madhe, me kryerjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, dhe lejimi i gazetarëve të huaj gjatë fushatës elektorale dhe në ditën e zgjedhjeve, ishin faktorë nxitës për elementët jo komunistë për t’u organizuar dhe për të dalë me lista konkrete në zgjedhje.
Megjithatë, presioni ishte i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh edhe kohën e shkurtër: prej 1 tetorit, kur ligji u shpall në Fletoren Zyrtare dhe deri në zgjedhje, mbeteshin vetëm 2 muaj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm