Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e pesëdhjetedy
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Aq e vërtetë është kjo sa artistët par exelance, u detyruan të hiqnin i dorë nga hobitë, madje të pësonin ndëshkime, që nga lidhjet pas shtyllave, dajakun dhe birucat, vetëm mos të turpëroheshin dhe të demaskoheshin para mexhlisit, duke u jargavitur në role bajat me partizanë trima, gjermanë frikacakë dhe ballistë pulastrenësh ose, të këndonin në skenën e improvizuar këngë për Partinë dhe kllasën punëtore apo të stigmatizonin dembelët “hileqarë”, që sabotonin përparimin e Shqipërisë, për pasojë pengonin realizimin e pllanit dhe ngadalësonin ritmet e progresit socialist.
Kompozitori e instrumentisti Ali “Tromba”, do më shprehej një ditë: “S’di si të veproj or mik, ata i njohin aftësitë e mia profesionale dhe më kërkojnë me çdo kusht, të drejtoj orkestrën e burgut, madje më premtuan se do më krijojnë lehtësira, do më qitin nga miniera e piritit në sipërfaqe, etj., ama në rast mospranimi, do m’i rëndonin vuajtjet në maksimum. Si do veproje ti, po të gjendeshe në pozitat e mia”?
U largova krye-varur, vendim-marrja i takonte atij, unë s’doja të ndikoja me inteligjencën time. Ndonëse Aliu u detyrua të pranonte, si i vetmi kompozitor dhe instrumentist për shumë vegla muzikore, bëri muzikë dinjitoze dhe s’e ndyu repertorin, me këngët e baxhellave komuniste. Por ndryshe vepruan ca të tjerë, mes tyre Dylber Starova, që sapo e kishin sjellë për të kryer dënimin e dytë (të parin e kish mbyllur nga fundvitet pesëdhjetë).
Muzikantët virtuozë, vëllezërit Starova, produkt i shkollës me ne zë italiane të viteve tridhjetë, ishin tepër të kërkuar në lokalet luksoz të Tiranës, ku argaliseshin komunistët “fanatikë” dhe të huajt e rrallë që vizitonin Shqipërinë socialiste, por edhe nga publiku i gjerë, që i vlerësonte për çka jepnin. Po regjimi s’i honepste për cenin biografik, rridhnin gjenetikisht nga bejlerët e Starovës!
Dylberin e dënuan së dyti dhe e sollën në Spaç, që të kontribuonte në ndërtimin e socializmit. Një paradite u gjenda në kapanonin e V-të, te miqtë e mi: Zef Ashta, Ismet Boletini, Qani Çollaku, Isuf Tufa, Riza Kamenica, etj., që flinin në seksionin paralel me fjetoren mbi abis, ku isha rezident. Me siguri do kem shkuar atje atë ditë, o për të kërkuar ndonjë libër nga “biblioteka” e pasur e Ismetit o, për ndihmë në italisht te Zefi, o për të dëgjuar këshillat e dibranit të urtë, o thjesht për qyfyre me Zaken.
Kur mbërrita i gjeta në muhabet me një burrë shtatlartë, rreth të pesëdhjetave, fytyrë hequr dhe i zbehtë, po tepër serioz dhe i vrazhdë. Sa më panë e ndërprenë bisedën. “Një mik i vjetër”! – më paraqiti Qaniu dhe shënjoi të panjohurin: – “Patrioti im, Dylber Starova”! Sigurisht e kisha dëgjuar, por e takoja për herë të parë. Kur e sollën Dylberin, Qaniu i bëri vend bri jatakut, si krahinor, tani erdhi radha të njiheshim.
Më shtangu ajo pamje asketi, që s’ngjasonte me asnjë artist që kisha njohur gjer atë kohë, të cilët ishin të butë, të epshëm, madje edhe të thyeshëm ndonjëherë, kurse ky ishte kolos hijerëndë. U zhytëm në bisedë dhe s’e pikasëm një grup ushtarakësh, të prirë nga Shahin Skura dhe kryetari i Zyrës Teknike, Medi Noku, që përshkuan korridorin dhe ndalën bash te shtretërit e miqve të mi.
“Ky është Dylber Starova”! – Mediu i preku supin të njohurit tim.
“I dnuem, s’e sheh që t’ka begenis shoku komisar dhe tëj po rrin, si me ken n’kafe”! – iu kërcënua një nga policët
Dylberi ndërroi ngjyrë. Teksa shtati iu drodh, një tik nervor i luajti qepallën e poshtme të syrit të majtë, (siç do mësoja kish pësuar traumë gjatë burgut të parë), përkuli kryet të mos goditej në dërrasat e shtratit epërm dhe doli një kokë mbi të tjerët.
“Përse s’iu përgjigje thirrjes, për m’u ba pjesë e orkestrës së grupit artistik, apo kujton se diç je”? – iu shkreh Shahin Skura.
“Para se më sillnit këtu, kam qenë në orkestra, ju më shkëputët nga shokët. Po tani s’di ç’kërkoni prej meje”? – ia ktheu Dylberi i qetë.
“Or tëj, e din me kë je tuj fol? Asht komisar nji ky, i dnuem”! – i drejtoj gishtin polici dhe u ngrit mbi majat e çizmeve, po s’e arriti as te gjoksii
“Ke sha udhëheqësit e partisë dhe ke shkel ligjet e shtetit, pa të sollënj njitu, tash na po të napim shansin, me i shpëtue minierës”, – foli serbes Shahini, me gishtat në rripin e mesit.
“Ju falënderoj për kujdesin, por do zgjedh minierën, me bashkëvuajtësit e mi”, – iu gjegj Dylberi.
“Ta po e shohim sa ka me të ngjit miniera”! – komisari mori për nga dalja, ndjekur nga shpura e vet.
Nga biseda kuptuam, se Dylberin e kishin propozuar në orkestrën e “estradës së repartit 303”, por ai s’e kish pranuar. Tashmë propozimin ia përsëriti komisari faqe të tjerëve, po ai e refuzoi ashiqare.
Atë mesnatë, kur u kthyem nga turni i dytë, mësuam se Dylberi kish përfunduar në birucë. Natyrisht, përplasja me xhahilin Shahin Skura, s’mund të kalonte pa pasoja.
Siç përmenda, “estradën e repartit 303, Spaç, Mirditë” e ngritën me do salla-topa, që mund të bënin çdo të ligë, veç artit, por pjella dështake, e pati jetën të shkurtër, u shkri vetiu pas dy-tri premierash me nivel beter, sepse s’i pëlqeu as komandës, me larot e vet.
Sidoqoftë, sajesa komuniste la pas një transplant malinj: “Këshillin e riedukimit”, bijën e kampit të Skrofotinës, që e drejtonte mballomaxhiu koni spolat, Gani Tartari. Po për shkak të përbërjes politiko-morale të kontingjentit që vegjetonte në Spaç, ky “Këshill…”, s’gjeti dot shtrat dhe u katandis dordolec, për të trembur sorrat.
Bariu “zemërgjerë”, që në të ri kish parë topat në kalanë e Ali Pashës dhe i ngatërronte gjylet me sferën e futbollit, hiqej dashamir sporti. Lejoi të sajonin një minifushë volejbolli, të vendosnin dy tavolina ping-pongu; të shtonin disa skakiera shahu, etj. “Lëshime” të pa sanksionuara në asnjë doracak, që ua nxitën egon sportistëve elitarë, të ushtonin hobitë e lashta për pak kohë.
Por “lëshimi” më domethënës, lidhej me korrespondencën, takimet me familjet, me bibliotekën dhe librat që atëbotë i lejuan për një periudhë të shkurtër. Tashmë letërkëmbimi realizohej, ndonëse kontrolli vijonte me lupë, letrat s’i flaknin në grykën e sobës, apo në kosh. Edhe bibliotekën e pasuruan me do libra që ishin, o përkthime, nga realizmi socialist, o produkte pa shije të letrarëve mediokër, për pasojë ngelën ushqim për sobën.
Historinë e bibliotekarit, Robert Morava, ne të tjerët shijuam pak më lirshëm në imazhin lëvizës të burgut. Ndërsa takimet me familjarët realizoheshin më lehtë dhe më shpejt, ata s’prisnin me ditë e netë, në të ftohtin e të nxehtin spaçian, po edhe shoferët që rrihnin udhët e Mirditës, u bënë me “zemërgjerë”, i merrnin mbi karroceritë e nxira nga minerali i bakrit apo piritit dhe i rikthenin në Laç sërishmi mbi mineral, natyrisht kundrejt një shpërblimi të majmë.
Siç përmenda, ato kohë takimet i liberalizuan paksa, madje edhe për vizitorët nga Kosova. Një takim allasoj. Një mesditë më thirrën mua dhe pas një fragment sekonde edhe Ramë Tahirin (Rugovën). Më shqetësoi ky seleksionim. Druaja mos më blatonin birucën, për ndonjë faj “rezervë”, edhe pse ato ditë na kish ecur puna, normën e kishim realizuar ritmikisht dhe s’isha fërkuar me asnjë polic.
“Ej dreq, ç’e hëngra birucën! Përndryshe ose do më thërrisnin veçan dhe për më tepër me Ramën, që s’e lidh puna me brigadën tonë”, ndonëse koha ishte e ngrohtë, vesha diç më të trashë, për t’u mbrojtur nga kopaçja. Rama kish mbërritur te sheshi i epërm para meje.
“Ç’të ketë ndodhur, që na kërkojnë me kaq ngut, or mik”?
“Ç’të të them, do ketë gabuar Malua”! – ia ngjesha fajin tellallit.
“S’gaboj unë, ‘re, ia kam marrë dorën zanatit bajagi”, – na e ktheu Malua, që kish ndjekur replikat. Diç desh të shtonte ende, po e thirri polici nga u kthye pas dy minutash dhe m’u shfrye:
“E ‘re, do t’i biesh ato trasta, apo do ta lësh tët atë ta gdhijë natën këtu”! Në fakt edhe një orë na ndante nga turni i dytë.
S’prita të ma përsëriste, renda në depo, rrëmbeva strajcat e do enë dhe ia dorëzova atij, por ai i lëshoi përtokë dhe iu kthye Ramës:
“Për ty s’e di në të duhen enë, polici më tha vetëm kaq: ‘të ka ardhur nënia’”!
“Të lutem, Smail, qyre mos po luan kush, se ba me m’ardh nana prej Kosove, kish me më lajmërue”!
Rama me të drejtë s’po donte ta besonte, ndonëse ato vite Titua dhe Enveri u zbutën dhe hapën kufirin me Kosovën. Lejuan vizita individësh apo grupesh, natyrisht të survejuar e të censuruar. Nëna e mikut tim shfrytëzoi rastin, për të depërtuar në Shqipëri, që të shihte djalin në burg. Pas pesë minutash, tellalli na ftoi nga nën porta: “Ejani”
E papritura e hardallosi Ramën, që iu sul portës pa konsideruar reagimin e rojës. “Prapa kthehu, se do të qëlloi”! kërcënoi ushtari nga karakolli mbi hyqen kryesore.
“Ndale yryshin, Ram”? – i shtrëngova parakrahun.
“M’ka ardh nana, ej burrë”! – turfulloi dhe tentoi të shkëputej.
Rama kish pa parë të afërmit, qysh se mësyu vendin amë, për t’i shpëtuar represionit serb. Sa shkeli këtu, e çuan në internim dhe nga internimi në burg, si spiun të Titos. Tash, pas kaq vjetësh, nëna “çau” kufirin legalisht dhe kërkoi birin e dashur.
Pyet andej e këtej, e drejtuan në Spaç, ku vuante dënimin. Te ura e Milotit, kishte hasur rastësisht babën dhe kushëririn tim, që ishin nisur për te unë. I luti ta orientonin dhe kur mësoi se edhe ata shkonin atje, kishin hipur në një mjet dhe mbërritën së bashku, në të njëjtën orë. Kështu edhe takimin, po e realizonin në të njëjtën kohë.
“Nanë”!
Rama u tërhuz kryeulur, si luani nën zinxhir, po unë e mbajta shtrënguar:
“Ngadalë ej burrë, se po të shtie ushtari”!
Nga krye shkallaret dallova tim atë dhe djalin e hallës, përtej portës, me ta edhe një grua me veshje karakteristike, të malësisë së Rugovës.
“Nanë”! – Rama më shpëtoi duarsh dhe mësyu portën.
“Ndal se do të qëlloj”! – klithi ushtari nga karakolli.
“Leni të aviten”! – urdhëroi polici, që do ndiqte takimin.
U bëmë lesh e li, në dy metër katror: ne të burgosurit brenda telave, polici mes dy rrethimeve dhe plaka nga Rugova, babai me kushëririn tim, zgjatnin krahët nga tej rrjetës gjembaçe, pa ia mbërritur të preknin as majat e gishtave tanë. Ngaqë flisnim njëherësh, biseda u përzie, sa thua plaka më drejtohej mua dhe të mitë Ramës.
Në momentet e para, u lanë në lot, më pas Rama pyeste për njerëzit e shtëpisë dhe plaka i përgjigjej kokë për kokë.
Kur i erdhi radha njërit nga djemtë, u ndal më gjatë:
“Dert i madh, or bir, na e shtini Titua n’burg, se ka lëvdu bac Enverin…”!
“Paj i paska ba hakun, oj nanë”! – kërceu Rama.
“Ç’je tuj fol, biro”? – plaka u pizgos. – “Njimen bac Enverit, lipet me iu fal, sepse a bash shqiptari ma i madh pas Skanderbegut, por jo Titos, qe a armiku ynë”!
“Vallahi, nanë, qysh se i kam besue, ia kam pa sherrin boll randë, atij horri,…”!
Atë moment Fejzi Liçaj, qiti kryet nga zyra e oficerit roje, Rama msheli gojën, po duket ushtaraku bëri shurdhin, sepse mori për nga zyrat e komandës. Nëna vijoi të rrëfente fill e për pe, vuajtjet që po hiqte tjetri në burgjet titiste:
“Baja hallall bac Enverit, or bir, se je në vendin amë, vllau mishin ta ha, po ashtin ta run! S’kena ç’m’i ba tjetrit, që e kanë mbyllë serbët në Goli-otok…pa për ty, s’kena fort derte”!
“S’dihej sa do qe zgjatur me superlativa plaka, sikur mos ta ndërpriste Rama: “Kuku, oj nanë, kenka fort e hidhët, kur të ha qeni yt, por ashtin ta ruan edhe uku”!
Në këto e sipër, ia behu Shahin Skura, i sinjalizuar mbase nga operativi, përshëndeti plakën dhe iu kthye oficerit roje: “E kena të lire, dhomën e takimeve speciale, o shoku Xhevdet”?
“Si urdhëron, shoku komisar! Për sot s’ka takime të planifikuar”.
“Epo mirë, çiljani kësaj nanës, të çmallet me djalin, se ka vite pa e parë”, – komisari babaxhan, e djallosi me buzëqeshjen e sforcuar.
“Si urdhëron shoku komisar, po çelësin e ka shefi i prapavijës, që s’është kthyer ende nga Rrësheni”.
Teksa komisari bëri hipokritin, Xhevdeti gënjeu ashiqare, sepse takimet special, ishin për persona specialë dhe që të siguroje një të tillë, duhej të përmbushje ca kritere, që Rama s’i plotësonte. Domethënë të ishe spiun dhe legen i komandës.
“Ju kërkoj ndjesë oj nanë, për fat të keq, do ta vazhdoni takimin këtu”! Ndonëse s’i zgjidhi hall, plaka e falënderoi sinqerisht:
“Qyre sa ti…”!
“T’u rrit ndera shoku…”.
“Asht komisar nji ky, loke”! – plotësoi polici, që ndiqte takimin.
“Ju falem shoku komisar”! – dhe plaka iu kthye të birit: – “dinë m’u sjellë vllaznit tanë”! Rama priti sa u largua Shahini dhe iu gjegj:
“Po besa, kam tash sa vjet që e provoj në shpinë, mirësinë e tyne”!
“E pra shkiet s’na e kanë thanë kurrë, një fjalë të mirë”! – vijoi plaka n- të vetën.
“Ç’ka me prit prej armikut nanë, po kur yti të trajton ma zi, ç’ka me thane”? – ia pati Rama.
“Paj po t’shoh të pezmatum fort o bir, ç’ka ba vaki”? – u shqetësoj plaka.
“Ma zi se kaq, don me m’pa, oj nanë”?! – ia ktheu djali flakë më flakë
“Për Allah, asht marre me t’pa në burg, në vendin amë”! – u kthjellua plaka.
“E pra, m’kanë dnue si spiun të Titos”!
“Ç’ka po thue, bre”? – plaka mbeti gojëhapur.
“Bash siç të thashë…”!
“Boll ma folët për politikë”! – ndërhyri polici.
“S’jena tuj ba politikë, zotni”! – kundërshtoi Rama.
“Ma zi ala, je tuj sha partinë dhe shokun Enver”! – e akuzoi polici.
“Jo zotni, jam i përmallue me pa nanën time”!
“E pra, kjo lokja, kënka ma e kjartë se tëj”! – dhe iu kthye familjarëve:
“Takimi mbaroi”!
“Kam ardh prej Rugove, me pa djalin, or shoq, e ti po më përzanfa”, u ankua plaka.
“Kaluen dhetë minuta, loke”!
“Ene serbët, na lajnë ma gjatë, madje na lejojnë me u takue dhe me bisedue si rob, kurse ju na ndatë me tela me thepa, njanin andej e, tjetrin këndej”.
“Kanë rregulla burgjet tona, loke”! – u kapardis polici.
“Paj paska të drejtë djali, ju kënkeni ma zi se shkijet”! – protestoi plaka.
“Polici i fryu bilbilit, tre të tjerë shtynë plakën tej gardhit, teksa i brendshmi, iu shkreh:
“T’tanë titistët, paskan kenë njëlloj! Tash po e sheh, ç’ka ke me hjek”! Dhe Ramën, në vend ta kthenin në kapanon me mua, e krodhën qeli.
Kur e qitën pas muajit, mësova se plakën e kishin përzënë si një si person non grata dhe deportuar qysh atë ditë. Dardha e ka bishtin prapa, eksperimenti ala Çelo, s’do ta kishte të gjatë.
Natë të zezë me rrebesh, rrufe dhe gjëmime, në sqollin ku takohej rrëkeja që rrokullisej nga minierat, me përroin kolektor, bash “vendin ideal, për m’u arratis ndonjë natë të errët me shi dhe stuhi”, çau ferrën Myftari nga Dibra. Ndonëse pas dy ditësh e sollën lidhur mes kampit, u bë sebep të shtohej represioni.
Pas kësaj kuturie dhuna do rikthehej e ashpër dhe gjakuese: lamtumirë argëtime, lamtumirë letra, lamtumirë libra, lamtumirë familjarë! Çdo ditë do valonte dajaku, të lidhurit do rënkonin pas shtyllave, birucat do mbusheshin plotë, mal trajtimet do mbërrinin pikun në Revoltën e 21 majit 1973, që do mbyllej me katër të pushkatuar dhe me mbi tetëdhjetë të ri dënuar.
Por këto do ndodhnin më pas, le të kthehemi në kohë.
Pra siç thashë, tempi i luftës klasore, sikur ra paksa, por arrestimet vijonin, ndoshta jo në stilin e para dy-tre vjetësh, gjithsesi vazhdonin. Tashmë po dënonin armiqtë e brezit të dytë, kulakët, ish-tregtarët, intelektualët dekadentë dhe gjithë ç’iu dilnin në shteg.
Në vitet…’70-të,..71,..72, në qytetet e mëdha u futën aparatet e televizorit. Shteti i kontrollonte me detaje, por ustallarët ia bënë marifetin, sajuan antena klandestine, me “kanoçe” majë manit, që kapnin sinjalet e stacioneve italiane e jugosllave dhe transmetonin programe nga bota e lirë. Pra, të rinjtë e etur për liri dhe të drejta të mohuara, e injoruan shtetin dhe u bënë promotorë të lëvizjeve të fundit, duke plotësuar kësisoj vakuumin që lejoi propaganda enveriste. Nën velin demek të demokracisë popullore, po lindte një disidencë e maskuar. Apo autoritetet komuniste, e nxitnin qëllimisht “spanimin” e rripave transmisionit, që të tatonin pulsin e masave, fakti që tempi i luftës ulej dhe bëhej me afate kohorë, mposht çdo imagjinatë.
Dhjetëvjeçarin drastik (…’65-…’70-të), burgjia vajti në zero, (importuan Revolucionin Kulturor kinez, hoqën gradat në ushtri, shkatërruan nga objektet e kultit, projektuan lejfenin shqiptar, dëbuan kulakët dhe armiqtë nga qytetet, etj.), vitet që pasuan e liruan paksa litarin dhe stimuluan ca lëshime sekondare, mbase për të parë efektin e veprimeve të mësipërme, për t’u vërsulur më tërë ashpërsinë e mundshme, pas farsës së Festivalit të XI-të. Kësisoj në burgje do përfundonin artistë këngëtarë, kompozitorë, regjisorë, drejtorë, pleq, të rinj, burra, gra nga të gjitha shtresat shoqërore. Tashmë, veç “armiqve” tradicionalë dhe derivateve, revolucioni po hante bijtë që polli.
Kllaposën në burg gjeneralët Gjin Marku, Halim Xhelo, këngëtarin Sherif Merdani, drejtorin e RTSH-së, Todi Lubonja, regjisorin Mihal Luarasi, etj., gjer edhe pinjollët e sigurimsave, djalin e Asim Alikos, nipërit e Shefqet Peçit, etj., etj. Në këtë kategori, përfshihej një grup tiranas, i përbërë nga Gëzim Gazheli, Simon Hyka, një Agim…që në s’gabohem, e kishte mbiemrin Xhani, etj., si dhe dy jetimë nga “Shtëpia e Fëmijëve”, Dashnor Kazazi dhe Skender Daja. Bash këta dhe të rinj të tjerë, sollën në Spaç jehonën e këngëve të Minës, Modunjos, Çelentanos, Bitëllsave dhe grupeve më në zë të rockut, si dhe modën e flokëve të gjatë, (ndonëse flokët s’lejoheshin, por fotot e kalonin barrierën), pantallonat kaubojs, etj.
Për mënyrën se si mbërrinin të rejat në burgje, kam folur në një kapitull të veçantë. Ndaj s’po ndalem te funksioni i “radio-burgut”, me valët “infra”, që sillte dhe përcillte që nga librat, filmat e gjer te kultura dhe paradat e modës oksidentale. Në anën tjetër, të dënuarit e rinj, furnizonin të burgosurit e vjetër, që ishin shkëputur prej vitesh nga jeta aktive, me çdo informacion të mundshëm, duke i mbajtur kësisoj në kontakt me të rejat e fundit që ndodhnin në Shqipëri dhe në botë. Mitomanët e atjeshëm, e pasuronin morinë informative me fantazi, të cilën e servirnin të freskët. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016