Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dyzetetre
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Ditën, javën apo muajin kur auto-burgu solli apo, mori filanin dhe fistanin?”, pyesnin njëri ose tjetrin: “Të kujtohet kjo, apo ajo ndodhi që ngjau ditën, javën, muajin kur auto-burgu solli apo mori filanin dhe fistanin”? Dhe përgjigjet i referoheshin po auto-burgut: “Sigurisht e kujtoj iksin apo ipsilonin që vdiq, erdhi apo iku në burgun e Burrelit, në spitalin e burgut, në firifistun, ditën, javën, muajin kur auto- burgu solli (mori) filanin dhe fistanin”!
Auto-burgu fanitej befas, shkarkonte, ngarkonte që të rikthehej pa e zënë nata. Se mos o Zot, ta gjente kjo hata! Shkelej rregullorja; “Për lëvizjen e të dënuarve, nga një ambient i vuajtjes së dënimit, në tjetrin”, që urdhëronte masa eksplisite. Mbas një hyrjeje pompoze, që të mahniste me qartësinë gjuhësore dhe përpikërinë e rregullave për kujdesin që lipsej të tregonte personeli i shërbimit, në përmbushjen strikt të tyre…, po citoj konkretisht ç’shkruhej:
“Nën udhëheqjen largpamëse të Partisë dhe në zbatim të orientimeve të urta të shokut Enver, si dhe në shembullin dhe këshillën e vyer të shokut Stalin, që porosit: ‘Njeriu është kapitali më i çmuar…’, ngaqë synimi ynë s’është eliminimi fizik i të dënuarve, por lufta kundër mentalitetit feudo-borgjez që mbartin individët; drejtësia popullore, bazuar në Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë, ndalon keqtrajtimin fizik dhe psikologjik.
Vërtet ndëshkojmë veprën penale, sipas peshës së fajit, po ndërkohë ngarkojmë organet e Diktaturës së Proletariatit, të punojnë për ta rikthyer individin të rehabilituar, në gjirin e shoqërisë socialiste, të denjë për familjen dhe shoqërinë. Krejt e kundërta ndodhte në regjimin despotik të Zogut, ku ndëshkohej personi për ç’ka përfaqësonte. Me ca sofizma demokratike për demek, një pseudo ministri Drejtësie që u jepte të drejtë kllasave shfrytëzuese, bejlerëve dhe agallarëve dhe nëpërmjet ca palo avokatucësh, gjoja gardianë të ligjit, iu zbrazën xhepat fukarasë, për të mbushur të tyret, duke i rrjepur popullit shtatë lëkurë.
Partia e suprimoi këtë palo ‘ministri fantazmë’ dhe pastroi gjykatat nga avokatucët e djallit, duke e bërë këtë figurë të respektuar të gjykatësit popullor, që jep drejtësi për të gjithë…! Për këto arsye ndalohet kategorikisht përdorimi i çdo formë dhune dhe presioni; deponimet e marra jashtë kushteve të parashikuara në Procedurën Penale, janë të jashtëligjshme, etj., etj, etj…”!
Pastaj vijonte:
“Për sa iu përket politikave që praktikohen në repartet e riedukimit dhe në përgjithësi, politikat penitencare që aplikon Republika Popullore e Shqipërisë, urdhërojmë: Ndalohet kategorikisht transporti i të dënuarve, me mjete të pasigurta, të papërshtatshme dhe me mungesë kushtesh higjieno-sanitare. Ndalohet lëvizja natën, për çdo arsye dhe në çdo rrethanë, nëse kjo ndodh e kushtëzuar nga faktorë që s’varen në vullnetin e punonjësve të Policisë Popullore, mjeti duhet t’i drejtohet qytetit më të parë, ku të strehojë ngarkesën e vet.
Autoritetet pritëse, kanë detyrim ligjor t’iu plotësojnë kushtet optimale, strehim, ushqim dhe akomodim; në rast mospërmbushje të kësaj dispozite, përgjegjësit të vihen para ligjit. etj., 5- etj, 6- etj. Pastaj ende, – Shënim: “Lëvizja e të dënuarve të bëhet detyrimisht, nën shoqërimin e forcave të Policisë Popullore, për t’iu mundësuar qarkullim më të shpejtë”, etj. etj., pa fund.
Natyrisht, s’përmendej kund auto-burgu kërkëllitës, as prangat, as shkopi i gomës, as thesi në kokë, as…, as….! Kur e lexova së pari këtë rregullore, mendova për privilegjin e këndshëm që na blatuan, për “dorën e ngrohtë”, që na ledhatoi kryet, si dhe për falënderimin që duhej t’iu rezervonim udhëheqësve indulgjentë që brengoseshin dhe s’i zinte gjumi, për të ardhmen tonë e të familjeve tona…, etj., etj., po gulçima e auto-burgut dhe ulërimat e lukunisë policore ma davarisnin ëndrrën…!
Sapo auto-burgu kapërcente portën dhe shkarkonte fatzinjtë që kishin hequr të zitë e ullirit, më ndërmendej shprehja shkodrane: “Për çka po ndij, i lumi unë, për ç’ka po shoh, i mjeri unë”, më fanitej auto-varri me andrallat e para e të prapme dhe iu kthehesha fletëve të varura në stendën e emulacioni, iu hidhja një këlbazë dhe nëmja: “Turp, të tallesh kësisoj me personalitetin njerëzor”!
Natyrisht kjo ndodhi ditët e para, se më pas…, s’iu hidhja as sytë paçavureve komuniste. Lënda me të cilin mbushte rropullitë përbindëshi i hekurt, ishte malli njerëzor, por njëherësh me të transmetonte edhe lajmin. Mallin e merrte ndër telat gjembaçë, për ta degdisur te ca të tjerë, sepse tërë Shqipërinë, e kishin thurur me klon, po edhe telefonia funksionon nëpërmjet rrjetit të telave, paçka se janë të bakërt, apo të çeliktë dhe me gjemba therës, haberet i përçojnë njësoj.
Një arrestim bëhej në skajin më ekstrem të atdhe-burgut, lajmi mbërrinte në “burgograd”, para fshatit apo lagjes së qyqarit. Por ndodhte shpesh t’i paraprinte arrestimit; kësisoj nëpërmjet “valëve infra” të “radio-burgut”, arrinte viktimën e ardhshme, para prokurorëve dhe hetuesve! Bënte vaki që ndonjë kandidat e dëgjonte dhe e priste me qesëndi, bile guxonte të bënte humor dhe ta përgënjeshtronte me kast, si të pavërtetë, por në momentin që lajmi përditësohej, mjerani që kish shpotitur para-lajmin, binte në depresion, pësonte trauma psikike dhe humbte në demencë.
Gjithsesi, lajmi lundronte në eter, ku pak kohë mund të mbetej pezull, por në fund merrte udhë dhe rezultonte më i saktë nga i sakti; i paracaktuari, viktimë e radhës, prangosej publikisht, linçohej publikisht, dënohej publikisht dhe e pushkatonin privatisht, o e mbyllnin në qelat e errëta të çmendinave, duke e braktisur në mëshirën e fatit të pamëshirshëm.
Praktika staliniste e galetës dhe e plumbit, që e aplikuan së pari Republikat Socialiste Sovjetike, në Shqipërinë Socialiste, i dha frytet e hidhura qysh në krye, falë dishepujve fanatikë që e kaluan ustain. Ndonëse zbatohej në një vend mikroskopik, për sa i përket shtrirjes territoriale, krahasuar me sipërfaqen pafund të Rusisë ndërkontinentale dhe mbi një popullsi sa një qytet mesatar rus, në hapësirën mbarëkombëtare, ku të gjithë i njihnin shoqit dhëmbë e dhëmballë, dha efektet mbresëlënëse.
Komunistët mbyllën hesapet me të vjetrit dhe shpikën armiq të rinj, duke imituar Baba Stalinin, që ua mbushte gjoksin me tërë medaljet dhe urdhrat që akordonte Presidiumi i Kongresit të Sovjetëve, personalitcteve të piketuar për në thertore dhe në kongresin e radhës, i mbante në të djathtë, që t’iu priste mandej kokat, në mengenenë socialiste. Enverit e zbatoi këtë metodë me mjaftë elegancë; “shokëve”, iu mikloi sedrën, iu akordoi medalje, iu dha poste dhe i bëri të ndiheshin më të rëndësishëm se ç’ishin, gjoja besonte pa skajshmërisht në devocionin e tyre dhe mbas një apo dy muajve, këpuste kokat që kish ledhatuar.
Fatzinjtë s’donin ta pranonin atë ç’ka ndodhte me ta dhe bash si gomari i Lafontenit, kur po e shqyenin ujqit, flijoheshin me bindjen se bënin sakrificën sublime, për triumfin e revolucionit. Pra vdisnin me idenë se i shërbenin kauzës, që i përkushtuan jetën. Kush mbetej, fuste kryet në rërë dhe priste të kalonte stuhia. Bashkoheshin në kor dhe vërtisnin tonelata pleh e fyerje, mbi ish-shokun e idealit dhe kur përfundonin në të njëjtat pozita, ëndërronin bash si të parët. Gjithsesi, seleksionoi vazhdoi.
Të eliminuarit u shtuan dhe llurba e gjakut po derdhej nga govata e gijotinës socialiste. Ndërkohë po rritej edhe numri i atyre që e pikasën rrugën pa krye ku hynë bashkërisht, por të papërgatitur e të paaftë, për të ndryshuar rrjedhën sepse, ndiheshin të gjithë bashkëfajtorë e të përlyer në gjak të pafajshmish, s’guxuan t’i kundërviheshin. Nderën qafat si cjapi te kasapi dhe prisnin flijimin, mundësisht me më pak dhimbje e bujë, me shpresë se familjarët, s’do pësonin dëmin e të parëve.
Mirëpo koha i shprishi ëndrrat; ish-anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës Shqipërisë, ish- “Heronjtë e Popullit” dhe “Heronjtë e Heshtur”, ish-novatorët stakonovistë, ish…, etj., i korri kosa dhe përfunduan në varre anonimë, ndërsa familjarët, u plakën kënetave të Myzeqesë.
Kush shkartisi gjumin ishte i vonuar…! Tepër e vështirë të braktisnin batakun e bëmave imagjinare dhe nanuritjet në djepin e vjetër. Bash si kafsha ripërtypëse, që rikthen ushqimin e ditës, nostalgjikët rikthenin bobinën dhe rijetonin të freskëta ngjarjet e mykura, humbnin në tymnajën e viteve dhe i drejtoheshin “Portës së Shën Pjetrit”, duke u vetëvrarë, apo të eliminuar nga ish shokët. Mandej programi vijonte me trashëgimtarët, të cilët i priste burgu, internimi dhe persekutimi, prej idhujve të tyre.
Gjëmat e pritshme qarkullonin nga jashtë-brenda dhe anasjelltas, me “valët infra të radio burgut”. Me kalimin e viteve, gama e lajmit u rrit, njëherësh me të edhe cilësia, ndërkaq u shumuan edhe besimtarët, që i merrnin të mirëqena. Kështu më të shkathëtit, shfrytëzuan rrethanat për t’i shpëtuar ndëshkimit, kuturisën të arratiseshin ose bënin kurban miqtë dhe miqtë e miqve, apo vetë-denoncoheshin e vetëflijoheshin. Por të shumtët i mbante shpresa naive, se s’do t’u vinte radha kurrë. Gjithsesi, ajo avitej mikluese, duke realizuar sakaq mallkimin beratas “të pafsha dhëndër, në karron e Xhikes”, që nënkuptonte; “do përfundofsh në burg”!
Po ata dinin shumë dhe mallkimi merrte trajta makabre, duke kapërcyer edhe imagjinatën më të shfrenuar të fatkeqit ëndërrimtar, kësisoj përkonte me profecinë: “të shpëntë Xhikja në Parangua”, që përkthehej: “mbarofsh në gropën pa emër”! dhe fatzinjtë përfundonin poligoneve me plumb pas kresë, ndërsa kufomat i konservonin në acid klorhidrik. Kam parë ish-pushtetarë të frikshëm, duke zbritur nga dera e auto-burgut, ndonëse kishin bërë diellin dhe shiun e, kishin zbrazur depozita vreri mbi elitën e kombit, të ndillnin mëshirë kur kalonin krye-varur, bash si dordolecët groteskë. Të tjerët kishin parë më shumë dhe ata pas meje, do shihnin shumë e më shumë…!
Parullat e pashkruara, por të fiksuara në kujtesën kolektive: “Të pafsha dhëndër në karron e Xhikes”! apo “të shpëntë Xhikja në Parangua”, sistemi alabak, i jetësoi në praktikë. Nga “barku i auto-varrit”, do dilnin ish-ministra të hekurt, ish-deputetë duartrokitës, ish-partiakë dogmatikë, ish-hetues sadistë, ish- gjyqtarë të të gjitha shkallëve, ish-prokurorë të përgjithshëm e të zakonshëm, që kishin shtënë plumbin e fundit, mbi elitën e kombit, mbi firmëtarët e Pavarësisë, që mbajtën mbi supe barrën e ndërtimit të Shtetit të parë, mbi ish-ministra, ish-deputetë, ish-ushtarakë dhe klerikë të përvuajtur e të devotshëm, profesorë me tituj e grada, nga universitetet më me emër, shkencëtarë, filozofë, shkrimtarë, poetë, historianë, mjekë, inxhinierë, deri punëtorë e fshatarë, madje edhe gra e të mitur, etj., por edhe mbi san-culotes e revolucionit proletar.
Cerberët e Enverit, dilnin kokëvarur nga rropullitë e “kalit modem” të Trojës dhe përfundonin në dhomat qeli, mes viktimave të marrisë së tyre…! Më pas do zbrisnin të tjerë dhe filli do zgjatohej, deri në rënien e sistemit të nëmur, që projektuan dhe ndërtuan vetë. Karro-burgu i Xhikes, pa Xhiken, rrangalla, arabaja, karroca e mishit të gjallë, auto-burgu i shtetit, arka e Noes me rrota pa Noen brend, vijoi të sillte me të njëjtët intervale kohore, mbase më dendur…!
Intermexo
(Mërgoi shtërgun, që kish mbetur!)
Po ikin të mirët dhe mbetën qafirët! Ne të harruarve të kohës së qepës, na paska taksur i Madh Zot, detyrimin t’iu kujtojmë të gjallëve lindur atë kohë të nëmur dhe më të pasmëve, ata që ikën dhe ikin pa kthim! “Iku Panua, or mik”! – do më njoftonte Fiqiri Muhaj, miku i vjetër i burgjeve.
“Për kë Pano flet”? – e ndërpreva pa e lënë të shpjegohej, sepse andej nga Greqia, ku ndërrimi i emrave u bë modë ndër shqiptarët muhamedanë, më kish rastisur të njihja, nja një duzinë Panosh.
“Panua i Ma-a-adh”! – a-ja u zgjat sa gati çau receptorin dhe më zhuzhiti veshin. “I Madhi Pano, ka vite që na ka lënë, o Fiqo”! – doja ta kthjelloja, mbase si tifoz futbolli, kish lajthitur dhe pleqëria e skleroza bëjnë punën e vet.
“Ai i topit ka qenë i Madh, por e kisha fjalën për të Madhin tonë, lirikun e fundit”! Telefoni m’u ngul në vesh, si rudiment i kohëve që s’mbahen mend. Kish mërguar Pano Taçi, miku i të burgosurve, shtërgu i vetëm që frymonte mbi tokën tonë. “Mos, iku edhe ai”?!
“Vdiq, o vëlla! Varroset sot në orën…”! Shtanga, m’u pre firoma. Kur i hodha sytë orës, ishte vonë. Me çdo lloj mjeti ,s’e kapja dot Tiranën. Kokë-përtymur, iu drejtova kioskës ku s’di në ç’titull, lexova: “Sot, më 13, 06, 2012, u nda nga jeta në moshën tetëdhjetë-e….”! “Dreq, u bënë shumë!”
Bleva një tufë gazeta dhe u ula në kafenenë e parë. Hapa kë më zuri dora, në faqet e brendshme ,gjeta një njoftim të thatë, si të flitej për ndonjë ordiner, që prodhoi kjo kohë me tepri. E shtyva mënjanë. Në tjetrën një nekrologji, pothuaj e plotë, ilustruar me një foto dhe nja dy poezi! Më tej? Perëndi, ç’më panë sytë!? Ceremonia mortore, u shtjelluaka në hollin e godinës së Teatrit Kombëtar!? Ç’ironi e hidhur, me këtë racën tonë shqiptare!
“O Zot, s’lanë pocaqi pa i faturuar me gjallje; e shtynë, e pështynë, e shanë, e përdhosën; i thanë, lapërdhar, vagabond, imoral, i përdalë; i dolën dëshmitarë dhe e krodhën në burg! Tani…? Gjuhët që hodhën vrer mbi të dhe veprën e tij, po lëpikan lëtyrat dyzet e pesëvjeçare dhe dashkan të nderojnë arkë-mortin, që fsheh shtërgun nën savan! Ej dreq, sh-krim-tarë, artistë, klounë, deputetë, politikanë, shtetarë dhe opozitarë, janë lëshuar si korbat, mbi mbetjen e poetit!
“Të shqyen Pano, të gjallë s’të qasën në prag, kufomë po të shtien në zemër të tempullit! Të jetë pendesë vallë?! Apo ndonjë formë ndjese që i kërkojnë martirit të famshëm?! Dashtë Zoti, ashtu qoftë! Amen”! Por një klithme nga përtej bota, ma shoi entuziazmin: “Artnik! Dekadent! Erotik! I shitur me vese borgjeze”! etj., etj., etj…!
“Jo, liliputët mëtojnë të kompensojnë nanizmin dhe grimohen mbi madhështinë e Guliverit! Dreq, hajt zhbiroje këtë skotë ligavecësh jargashë”! S’di në e shpreha, apo ia pohova subkoshiencës. Rrufita zeherin dhe dola të mbushesha me ajër, se u ndjeva bosh. Bosh mushkëritë, bosh trupin, bosh trurin! Madje ky lajm i beftë më zuri gafil, sa m’u duk edhe jeta, pa pikë kuptimi. “E mori djalli, u bënë shumë…”! përsërita dhe ika tutje.
“Sidoqoftë, ndonjë ditë do t’i çoj te varri, një karafil të bardhë”, i dhashë dum. Sakaq më regëtinë nga largësitë kohore ca vargje, që shprehnin kredon e tij: “Linda në agun e bardhë, të kohës sterrë / Mes zezonës lypa fatin e mbarë në burgun ferr./ Dhe vdekjen e pres të bardhë…mbas mesit të natës / që të prehem i qetë, nën butësinë e pendës së patës!” Kredoja delirante, me vargje të lire, më shpoi si turjelë.
“S’e di kur ke lindur, as si do të vijë vdekja, ama jetën e pate zeher”! – ia ndërpreva dalldinë poetike, atë ditë të largët pranvere. “Në aspektin që e shihni ju, dakord, por unë vozis mbi re, pa konsideruar ligatinën ku zvarrisim trupin”! – ma ktheu aty për aty.
“Lum ti që sheh dritë edhe mes ferrit ndjellazi”! – s’e ngava, e lashë të këndej në lumninë fluide. Gjithsesi, ai voziste dhe voziste, po sërish kthehej në tokë. Por këtë fillim vere, fluturoi. Fluturoi përnjëmend, jo si atëherë kur i arratisej shpirti dhe trupi mbetej në qeli. Këtë herë u largua, iku trup e shpirt!
“…Trupi nën lëndinë, shpirti në fushat gjelbërore, ndën fletë dendurit pyje”! U bashkua me zogjtë këngëtarë në qiej: “drejt hapësirës pa cak, dhe lumturisë pa fre!”…, sepse ishte dhe mbeti kalorës i përhershëm i fatit. Ai grindcj me çdokënd që njolloste bardhësinë, apo përdhoste natyrën. Tregohej i pashpirt dhe mizor me këdo që tentonte të prekte origjinalen, të zbuste të egrën, sepse edhe vetë hiqej pak i egër, pak i lashtë pa qenë i atillë.
Përkundrazi, ia njihnim brishtësinë, ai qante dhe qeshte njëherësh, ngazëllehej dhe hidhërohej kot së koti, meditonte dhe shfrente për shkaqe pa shkaqe. Si kokë më vete, i pëlqente kontraversiteti, pëlqente të përjetonte ndjenja ekstreme, që s’na shkonin ndërmend ne të tjerëve. S’i respektonte traditat, doket, zakonet, ç’ka për shumicën përbënin normë, ai i konsideronte pranga.
Atij i këndej të flinte ku ta zinte, t’i gëzohej zgjimit në mal, të nqethej nën pikëzat e vesës në pyje, ku nuhaste dhe ngopej me aromën e blirit dhe rrëshirën e pishave, mandej çakërrqejf t’ia thoshte këngës, mes cicërimave të zogjve; të dehej lëndinave e t’i luhateshin këmbët, nga dufi i barit të kositur; ta flladiste era në zallishtet e lumenjve dhe ta spërkaste loti i shelgut degëvarur; ta tromakste ulërima çjerrëse e sirenave, kur hynin e dilnin anijet në mole; të dendej me gumëzhimat e stacioneve të udhëtarëve; në plazhe ku ta grishnin pulëbardhat klithmëtare, madje të “gënjehej” ndonjëra dhe t’i pillte vezë në kapën e vjetër, që gjoja shkërbente folenë e braktisur dhe ai e “harronte” me kast.
II
Dashuronte pa derman femëroren, adhuronte me dalldinë e të marrit bukurinë, e dëshironte lirinë si ëndrrën e robit! Ku shumica vegjetonin rutinën, ai ndjente drithërimat dhe pulsimin e jetës, çuçurimat e engjëjve, finesën epshore, pëshpërimat joshëse, belbëzimet foshnjore, muzikalitetin ritmik, tingëllimën galduese, gëzimin flatrues, gjithë ç’dëshiron një rob, për t’u ndjerë i lirë.
Muza e tij lodronte, gazmonte, flatronte; s’i rreshti as në qeli regëtimat, po bash si Orfeu, magjepsi nëntë motrat dhe iu thëthiu nektarin nga buzët! Gjithkund ku e zuri dekika, i këndoi jetës si princ, gëzimit si ipikurian, vuajtjes si shekspirian, i veshi superlativa hyjnisë grua, si dashnor pasionant! Përulej para seksit të bukur dhe i bënte reveranca kurbatkës që i lante këmishën e zdralur, apo i ofronte tasin me bollgur përzier me misër dhe dashurinë pa prapamendime, pas një dite sorollatëse.
E përbuzi artificialen dhe i sikterisi zonjushat spitullaqe, që vështronin vëngërt pas syzeve të errëta. Ledhatoi mjerimin me vargje mbretërorë; lëvdoi arixhiun që mbas xhambazllëqeve të ditës me mushka e gomerë, rrëkëllente ca gota rakie, merrte çakërrqejf defin a qemanen dhe ngrinte ahengun e zdërhallej me arixhofkën nën dritën e qirinjve yjorë, duke sfiduar gjithë bosët me bereta dhe sombrero. Ai nisej nga Bregu i Lumit, i krekosur zotni, sepse qysh në mbrëmje kurbatka ia pastronte kostumin e teripsur, i drejtonte nyjën e kravatës së kohës së Nemces, që s’pranoi ta ndërronte me asnjë “zhele firmato” dhe e përcillte me “mision”.
“Parkonte” çiklomotorin e vjetër, në një kënd të “rezervuar” enkas për të, hynte në “Kafe Europa” dhe i drejtohej “strofkës”, ku strukej bashkë me muzat! Rehatohej në “kënd” dhe teksa priste t’i sillnin kafen, i nderte velat mendimit.Prej kohësh nuk porosiste, sepse me kamerierë e banakierë, madje edhe pronari e mirëprisnin dhe e ngjatjetonin miqësisht, i sillnin kafenë e xhumbën e gazetave dhe e linin të voziste në oqeanit e vet. Aq ishte intimizuar me ambientin, sa një ditë të mos vinte, personeli do merakosej dhe do pyesnin; ç’mund t’i kish ngjarë poetit të tyre?
Po, e konsideronin poet ekskluziv! Ama edhe Panua ua kompensonte mirënjohjen, poezinë më të arrirë, perlën e fundit që kish shkarravitur në copa kartash, në kuponë të zhubrosur, apo faqe të shqyera paketash, deri dhe në cepa kartë-pecetash, apo gazetash, apo mbi ç’i zinte dora, ua linte atyre “bakshish”.
Me kohë bamirësit ia njohën shijen. Herë pas here, i sillnin me filxhanin e kafesë edhe ndonjë gotë raki, e dy qofte skare, që kur i gjendeshin pare, i paguante, kur ishte trokë, ikte pa ua shlyer. Por sapo i zinte dora ndonjë lek, rikthehej në “strehë”, si krimineli në vendin e krimit dhe si bohem fisnik e shlyente “borxhin”, duke e shoqëruar me një mbi shumë, që e quante “honorari i gotës”. Kur më binte rruga në Kryeqytet, e dija ku ta gjeja. Ama s’nisesha pa siguruar “aqua di vita-n”, apo “ilaçin” e Panos, siç e ledhatonte ai, rakinë e Skraparit.
Ndalja te “strofka”, lija shishen dhe ikja pa i trazuar meditimet, ngaqë ai kalëronte “Pegasin” dhe injoronte ambientin. Po kur drita përthyhej mbi kristal dhe i vriste sytë, zbriste nga eteri, pasi strehonte “ilaçin”, kujtohej për mua dhe bënte të habiturin: “U-a-ah, ti këtu”?!
“Sa mbërrita”! – ia ktheja edhe po të kisha një orë. – “Meqë më ra rruga, po takohemi dhe do shoh punët”!
“Shihni hallet dhe lëreni gërdallën të shij lëmin e vet!” – ma kthente buzagaz dhe ledhatonte shishen si fëmijë kërthi. Qëllonte të mos e gjeja në “strofkë”. Kamerierët do më jepnin informacion, si ta kishin të afërt, unë u lija “ilaçin” me garancinë absolute, se do t’ia dorëzonin të “sëmurit” në dorë, dhe shihja punën. Kur rikthehesha dhe e gjeja palosur mbi copa letre, e përshëndesja që nga dera:
“Pano djali, mirë se të gjeta, si po vete or tungjatjeta”!? – e ledhatonim kësisoj, ngaqë s’pranonte se po plakej; mbase në shpirt ndihej më i ri, nga mjaft të rinj të plakur para vaktit. Ky huq e kish zanafillën në vitet shtatëdhjetë, kur Shyqyri Gruda, bënte gallatë: “T’tanë janë nji fije poet në rini, e kërkon mosha, por Pano djali, ka me mbet i tillë edhe në pleqni”! Shyqi kish pasur të drejtë, Panua mbi tetëdhjetë vjeçar, vargëzonte me pasionin e njëzetvjeçarit!
Prisja t’i zbriste “Pegasit” dhe i drejtohesha “këndit”. Ai ngrihej përgjysmë, shtriqte shpinën dhe ma kthente shend e verë, me stoicizmin e stampuar mbi fytyrën simpatike: “Si don Zoti o lum djali, eja se na mori malli! Të paktën ndihem më i liri i të lirëve të vet burgosur” – dhe përqafoheshim me mall. Ia njihja huqet dhe konceptin për lirinë qysh në burg, adhurimin për natyrën, për lulet, për zogjtë, për erën, për tufanin, për ajrin, për parfumin…, për çdo dukuri autentike. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016