Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetenëntë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Po për juve, s’qenka”!
“Ne sakrifikojmë edhe në emër të etërve të pushkatuar”,- desh ta sqaronte Skënderi. “Oqi, ego, do sakrifikoj në emër të minoritarëve”.
“Ik, o Jorgo”! – e luta sërish.
“Oqi pedhimu, jetuam bashkë do vdesim bashkë”!
“Më qafë paç veten”! – i shfreu Dervishi, rrëmbeu një levë dhe ia hodhi mbi një grumbulli gurësh.
“O Theos, na muti manas to komunismos”! – Jorgo i këputi një të sharë grekçe, bëri kryqin, kapi levën dhe zuri qoshen në krahun e kampit ordiner.
Dy faqet anësore dhe atë mbi shesh, i kishim “fortifikuar”, mbasi Jorgua zuri anën e pasme i “fortifikuam” të katra. Koha po mblidhte, edhe po të doje, s’i vidheshe dot detyrës sepse na qarkuan hordhitë e sampistëve.
Ata që hynë nga porta kryesore i patë, po aq të tjerë u futën nga kampi i punës dhe e qarkuan territorin, në pesë skalione, sikur të kishin rrethuar katërqind vetë. Në çdo karakoll kërcënonin nga pesë gryka sharrësi, pa shtënë në hesap mijëra, që plotësuan rrethim mbas rrethimi, ndërsa sipër patrullonte helikopteri, aq ulët, sa mund ta godisje me gurë, mbi të avionët luftarak ‘Mig’-ët, ngjiteshin dhe lëshoheshin në pikiatë.
Thirrjet ‘dorëzohuni’, i dëgjuat ju dhe ne, mbase gjithë Mirdita, sepse altoparlantin e ngritën, sa besoj do të jetë ndjerë nga ura e Zogut, në qafë Morinë.
Por ne e morëm vendimin, mbase vendimi më absurd i marrë ndonjëherë, nga të rrethuarit në kështjella apo shpella. Kështjellarët apo shpellarët, e ndanin të sakrifikoheshin, por ishin të armatosur dhe orvateshin ta shpaguanin veten shtrenjtë, kurse ne kishim vetëm zemrat dhe do copa tullash e gurë, nga një levë dhe një bisht lopate, apo kazme. Në një farë mënyre, firmosëm vdekjen e sigurt, me vetëdashje!
Ishim të ndërgjegjshëm për gjestin ekstrem, po koha kërkonte kurbanë dhe ne u bëmë therorët që shënjoi fati. Mund të ishte secili bashkëvuajtës sepse, ne s’ishim as më të mirët, as më trimat, as më të diturit, as më të zgjedhurit, s’ishim të prerë për heronj, ne ishim ju, ju ishit ne, por vullneti hyjnor, vuri gishtin pikërisht mbi ne”!
“Ishit të veçantë! Ju u bëtë heronj dhe njëherësh, zëri dhe krahu i shqiptarëve të përvuajtur”!
“U mblodhëm kokë më kokë dhe u betuam për qëndresë, si ekipi në fushë. Mandej lutëm Zotim, të na i lehtësonte dhimbjet e pritshme, madje unë iu luta të ma merrte shpirtin menjëherë dhe të mos më lëshonte në duart e kriminelëve. Por s’qe e thënë, isha taksur t’i bija ferrit rreth më rreth, gjer në nëntëdhjetën”.
Heshti, ndezi një cigare dhe e thithi me eks. Me tre të thithura shpuza, kapi filtrin. E shoi, ndezi tjetrin, e thithi dhe e thithi. E shoi edhe atë. Bulëza djerse i shkanë nga pjesa e shogët e ballit të dalë, iu varën mbi vetullat e trasha si rruaza të qelibarta, bënë një detantë dhe u bashkuan tri-katër e, morën rrokullimën nëpër rrudhat e faqeve, pastaj zbritën në qafë, duke i njomur këmishën e hapur mbi gjoks.
“Vapë, hë”!
“Vapë”!
“Bash si atë ditë”? – e nguca unë.
“Eh-e-e, do t’ia rrëfej varrit vapën e asaj dite”! – vari kryet: – “Mbamë mendtë o Zot”!
“Alpinistë, sampistë, mundës, boksierë e gjithë kriminelët që i kishin ushqyer dhe stërvitur Kasëm Kaçi me Diko Zeqon, bash për atë ditë, u sulën nga të gjitha drejtimet. Ne nga lozha e arenës i ndiqnim si flite, kur i paracaktojnë për kurban.
Një çast m’u fanit Oso Kuka në kullën e barotit, qarkuar nga ujërat e liqenit dhe varkat e rrethuesve, por ai e shpagoi vdekjen me njëmijë, sepse ishte i armatosur, ndërsa neve kishim veç do copa tullash, gurësh, hunj dhe ndonjë levë!
Megjithatë, sa patëm ‘municion’, i detyruam të stepen nën kaskat e hekurta dhe nën mburojat plastike, as epërsia numerike njëqind fish, as ganxhat, as shkallët, as litarët s’iu bënë punë, sepse breshëritë e tullave dhe sendet e forta, u binin mbi krye nga katër drejtime”.
“Ajme”!
“Arsenali na u sos, pa nisur beteja. Ndërkaq breshëritë e plumbave përflakën qiellin, tymi dhe bloza fshehën diellin. Besoj e patë nga sheshi, ku ju mbanin ngujuar”?
“Na lëbyri sytë terri që e pandehëm re, na shurdhuan veshët oshtimat, gjëmimet dhe bubullimat, por s’e pa kush ç’ndodhi mes jush dhe sulmuesve, sepse ne ishim kufoma, mbi sheshin plot ferra…”!
“Beteja e llogoreve s’vazhdoi gjatë. Plani për t’u hedhur nga soleta dështoi, sepse trualli nxinte nga kaskat dhe gjithandej qenë shtruar me dyshek gome. I sprapsëm pa vështirësi të parët që tentuan të hipnin mbi soletë, por ata shtoheshin si mizëria në gërxhallat e lisit, teksa të shtënat vijonin pa pra. S’di në ishin plumba luftarakë, apo plastikë, po gati më paralizuan ca sembime djegëse.
Sakaq shtuan numrin e shkallëve lavjerrëse, për pasojë u shumuan sulmuesit mbi soletë, kurse ne u ngjeshëm shpinë më shpinë, si demat kur i sulmon lukunia dhe u mbrojtëm si mundëm. Gjithkush qëllonte që të mbrohej vetë, të mbronte edhe shokun në krahë. Dikur na kllaposën në çark. Secilit iu desh të përballej me njëqind sampistë e boksierë, njëherësh. E rrëzuan Skënderin! Në tarracë mbetëm tre.
I erdhi radha Dervishit! Mbetëm dy. E vërvitën edhe Jorgon! Vetëm…, si skllavi mes skotës së bishave, në arenë! Ëndrrës i erdhi fundi”!
“Pastaj harresë…”?!
“Ne pamë vigjet që kullonin gjak dhe u llahtarisëm e u ndjemë sikur na zhvatën eshtrat nga kurmi, sikur na shkulën trurin dhe zemrën, na thëthinë gjakun, sa edhe dhimbjet në kyçe, s’po ndjenim! Askush s’pipëtiu, gjithësia mbajti frymën, fluturat shtangën mbi lule, zogjtë ngelën pezull në qiell dhe dielli u ça përmes!
Pastaj nisën decimatin. Në çdo dhjetë emra, veçuan një, i linçuan, i lidhën duar e këmbë dhe i vërvitën si thes byku, mbi karroceritë e makinave. Mbushej njëra, nisej, mbushej tjetra, nisej! U nisën dhe u nisën nga ferri Spaç, drejt një tjetër ferri më të frikshëm se ferri, njëzet e shtatë kuçedra të çartura…! Zot o Zot, ç’plojë! Kush mbeti në shesh mallkoi ditën kur lindi”!
Pllakosi një heshtje që mposhti heshtjen dhe ndehu mbi kujtimet e vjetra tisin e heshtjes.
“Po më tej”? – vijova dhe u tranda kokë e trup.
“U ndjeva sikur preka eter, ku e pamundura bëhej e mundshme! Tashmë vozitja në botën larushane, pa pranga, pa tellall, pa apel, pa miniera, pa vagonë, pa tela me gjemba, pa operativ, pa policë, pa komisar, pa vepra marksiste-leniniste, pa ministra dhe gryka zjarri, që të kërcënonin me vdekje, pa…”!
“Sikur përmende vdekjen”?!
“Edhe vdekja ngjiste më e ëmbël se vdekja! Teksa trova rrojtjen; të urrej, ndolla vdekjen: – eja; por as njëra as tjetra, s’denjoi të më dëgjonte! S’dëshiroja të rikthehesha nga abisi dhe t’iu hyja andrallave të jetës. Unë vetë e përjetova kësisoj, të tjerët nuk e di. Ku gjendesha ato çaste”?
“Askund”!
“Dreqi e mori vesh ku na plasën! Nuk perceptoja dot veç dhimbjes, sepse sytë dhe truri, nuk funksiononin, imagjinata ish strukur, zgripeve të harresës. Qepallat më peshonin si qeska rëre, qerpikët dhe dromcat e përthara te gjakut, qenë pleksur si t’i kishin qepur me pejza damarësh. Do arrija vallë t’i shqitja ndonjëherë apo, do mbeteshin të kllaposura kësisoj, gjer në amshim? Mos vallë kokërdhokët kishin plasur në zgavra, si vezë klluka? S’di ç’të të them, s’e imagjinoja dot pamjen, po me siguri më kishin shëmtuar deri në përçudnim. Ku më kanë shtënë o Zot, në ferr, në purgator apo në parajsë?”
“… synuat të përmbysnit Partinë dhe shokun Enver, ëh?! E dimë ne që u vret sytë drita marksiste-leniniste, sepse jeni pengje të së shkuarës borgjeze dhe të privilegjeve të etërve, ama do t’u kërrejnë kokërdhokët, që të mos e shihni parajsën socialiste, do t’iu shtrydhim në kudhrën proletare, kokat e mykura, do t’iu varim kularin e partisë në qafë dhe do t’ju degdisim në skëterrën pa cak”!
“Urra-a-a! Parti, Enver…”!
“Ç’ke për të thënë, i pandehur”! – ulëriu gryka fantazme e një njeriu fantazmë, teksa fantazmat e tjera, duartrokisnin fantazmat fantazmagorike.
“Urra-a-a”! – gjëmoi arena.
“Nga plasat e buzëve kulloi gjak dhe fjalët u shkërmoqën pa dalë ende, ndërsa gjuha luante si bollë e ngathët, në gojën shpellë, luhatej lirshëm sa në një krah në tjetrin, s’ceku në mure fildishi, veç ca kuckave që prisnin dhe shponin si xham”.
“Ku do kenë përfunduar dhëmbë e dhëmballë, o Zot”?!
“…edhe një në iu pastë mbetur, do t’ua shkulim! Dashkeni edhe dhëmbë zotëria juaj, të shqyeni komunistët? Do t’ua shkulim gjer te i fundit! Ujkun pa dhëmbë, vere edhe bari, s’ke dëm! Armikun kokëprerë, bëje kryeministër, s’përbën rrezik! Kështu na mëson historia e proletariatit botëror, mësuesit e lavdishëm të marksizëm- leninizmit dhe shoku Enver”!
“Urra-a-a! Urra-a-a”!
“Lavdi marksistë-leninistëve të pavdekshëm”!
“Rroftë Partia syshqiponjë, me shokun Erëer Hoxha në krye”!
“Armiqtë në litar”!
“Urra-a…”!
“Nuk bëjmë kompromise me armiqtë e Partisë! Dashkan të drejtë fjale pale!? Do t’ua shkurtojmë gjuhën, gjer në rrëzë, t’u lemë vuvë të përjetshëm dhe mbyllet meseleja! Kërkoni liri, hë? Po ore, do t’ua japim me tepri, veç prangave në duar, do ju shtojmë edhe gjylet në këmbë! Mëtoni demokraci? Neve na del e tepron popullorja, juve do t’ju blatojmë në gropat e gjirizit! Donit edhe Shqipërinë, në Helsinki?
Epo mirë, do tu çojmë në firifistun! E donit si Amerika pale? Do t’u vithisim në Kubë! E donit shqiponjën pa yll, ëh? E pra, gëzojeni sorrën e zezë dhe neve pesëcepëshin tonë! Dëgjuam se kërkonit të rekrutonit edhe ushtrinë, ëh? Në rregull, do t’ua bashkëngjisim me një koqe plumbi pas kresë”!
“Urra-a-a”!
“Rroftë ushtria e lavdishme popullore! Gjithë populli ushtar, armiqtë në litar! Rroftë e qoftë shoku Enver Hoxha”!
“Armiqtë në plumb”!
“Urra-a-a…”!
“O Zot, m’u mpinë gjymtyrët”!
“Do t’ua shkurtojmë gjer në bërryla duart rrufjanëve politikë, që përdhosën diktaturën e e proletariatit”!
“Urra-a-a”!
“Armiqtë në litar”!
“Dhe zabërhanët njësh-fytyrë, tundën sallën me ovacione. Na hoqën rrëshqanthi si abelin e dëlirë, homerin e verbër, krishtin e kryqëzuar dhe na kllaposën pas stolave, dikë ngërthyer pas policit, dikë pas murit të zalisur e të gjymtuar, mos o zot, madje ndonjëri i vdekur dhe rënkonim e dëgjonim tek-tuk ndonjë pasazh nga maskarada gjakuese”.
“Sikur the i vdekur”?!
“… po, do t’u pushkatojmë edhe të vdekur, do t’u qesim kufomat nga varri dhe do t’i varim udhëve e shesheve, t’i cimbisin korbat”!
“Urra-a-a”!
“Rroftë drejtësia popullore”!
“Tradhtarët porsi miu, i dënon Be…i Spa…iu! Jo, Fehmi Abdiu”, sepse Bedrinë e shpallën armik”.
“Skënder or dajë, na joshe ushtarët”?!
“Dënohesh me vdekje, edhe pse ke vdekur, me pushkatim”!
“Hajro or pashë, s’le ministër pa trembur, me fantazmën e tët ati? Po të çojmë atje! Me vdekje: me pushkatim”!
“Dervish or bej, mëtove të na tutje trimat? Me vdekje: me pushkatim”!
“Ti Pal katoliku, deshe të na kallje tmerrin, me hijen e kryqit? Po të kryqëzojmë! Me vdekje: me pushkatim”!
“Mersin-pikasso dhe shkarravitës i sorrës, Njëzet e pesë”!
“Luan-kokë-amerikani, njëzet e pesë”!
“Paulin-degol-evropiani, njëzet e pesë”!
“Hodo-beg-nemcja, njëzet e pesë”!
“Helsinki-drejtësisë, njëzet e pesë”!
“Robespier-kokëprerësi, njëzet e pesë”!
“Jorgo, greku-pabesë, njëzet e pesë”!
“Kazaz ballist-pulastrenash, njëzet e pesë”!
“Dënimet janë të formës së prerë! Vuajtja e dënimii fillon nga sot më 2 05 1973”.
“Të dënuar me pushkatim, kanë të drejtën e apelimin pranë Presidiumit të Kuvendit Popullor. Të gjallët, e humbin këtë të drejtë”!
Kryetari! Firma.
Anëtarët! Firmat.
Sekretari! Firma.
Prokurori! Plumbin!
Vula!!!!
Këto u thanë pak a shumë në gjyqin special, që askush tjetër s’e kuptoi, s’e ç’pati speciale, veç sajuesit, drejtuesit dhe shqipëruesit të dënimeve monstruoze”.
“Po më pas”? – pyeta kureshtar.
“Ç’farë më pas”?
“Si u vajti filli”?
“Na zhvatën si përherë, krahë e kofshë dhe na plasën në biruca”.
“Nuk ju mjekuan”?
“Ç’asht ai llaf, mër jahu? Na dënuan, na mallkuan dhe na lanë të zinim krimba”!
“S’ju zunë me dorë”?
“Na zunë ore, si s’na zunë, po… me hu! Sa na përthaheshin plagët e vjetra, hapnin të reja, e t’u katandisëm zhulësa, sa zilepsëm të pushkatuarit”!
“Për ata doja të pyesja, si u bë me lutjet, për falje jete”?
“Për ç’lutje flet, mër jahu”?
“Kërkesat drejtuar Kryesisë së Kuvendit Popullor”?
“Ama, muhabet! Pse ore, për të na falur, na dënuan ata?! Po të mëtonin ashtu, s’na dënonin fare! Pastaj kush do shkruanin, të vdekurit”?!
“E kam fjalën për procedure”?
“Or mik, s’njohin ligj e procedura komunistët! Po i morën që atë natë dhe një Zot e di, ku i çuan! I pushkatuan, i groposën, i rroposën dhe u harruan! Gjetshin rahmet në xhenet”!
“S’pritën as përgjigjen nga Kuvendi Popullor”?!
“Kush do t’iu kërkonte hesap, xhanëm? Ishin vetë vali dhe vetë kadi”! – u mendua pak dhe shtoi: – “S’e di, mbase pas pushkatimit, do kenë shkruar ndonjë copë kartë”!
“Po juve, ua thane”!
“Na njoftuan për të na terrorizuar! E njëjta edhe në kamp, na mblodhën mbi tarracë dhe na komunikuan dënimet: Katër me pushkatim, tetë me njëzet e pesë”!
“Pastaj…”!
“E marr me mend”.
Heshti, iu ndeh mbi fytyrë një e verdhë shafrani dhe e mbyti kolla.
“Kamerier, një gotë ujë të lutem”!
Ia zgjata, ai piu ca gllënjka dhe tjetrin e derdhi mbi krye. Çurka u var si ujëvarë lotësh, kaptoi qafën, i njomi këmishën dhe u katandis si pulë e lagur.
“Nuk je mirë, Dashi”? – më shqetësoi ajo gjendje.
“O Zot, kjo më ndodh sa herë e kujtoj”!
“Më fal, s’doja të të lëndoja”!
“Të falënderoj, or mik! Kisha nevojë të lehtësohesha, kush do ta kuptonte dufin tim, më mirë se ti”?
Mbeta pa gojë. Në vend ta falënderoja unë, e bëri ai.
“Shkojmë të hamë drekën”! – e ftova.
“Do shihemi një herë tjetër, sepse mbrëmë ua lashë darkën ngrehur, mos t’iu lë edhe drekën sot”!
U ndamë. Qysh nga ajo ditë s’jemi parë më, por komunikojmë nëpërmjet të tretëve. Këto shfletova sot e bëra ballafaqimin mes shënimeve të mia dhe gazetës….! E nisa me lutjet me shkrim dore, por hoqa dorë, sepse më mungojnë dokumentet origjinale, për të krahasuar kaligrafinë. Kalova te raporti që kish përpiluar Feçor Shehu, për të mëdhenjtë e shtetit. Përgjithësisht i saktë. Ndonëse kish tentuar të fshinte pjesërisht, shkakun e shpërthimit të revoltës, që s’ishte vetëm refuzimi i Pal Zefit, për t’u rikthyer në birucë, për të tretin muaj rresht, por edhe një sërë faktorësh, që as ministri kriminel, as drejtori i përgjithshëm i Policisë, sadisti Kasëm Kaçi, s’iu interesonte t’i zinte në gojë.
Disa syresh që derdhën kupën e durimit dhe përshpejtuan evenimentin, ishin terrori psikologjik i ushtruar nga komanda, rast pa rasti, ndëshkimet mizore, deri në çyrykllëk dhe madje gjer në humbje jete; mungesat e zgjatura në fumizimet me ushqime e veshmbathje; ndërprerjet me kast të takimeve me familjarët dhe korrespondencës; kontrollet e njëpasnjëshme dhe sekuestrimet e librave; mosrespektimi i ditëve të pushimit javor; aksidentet në galeritë e pasigurta, që mermin jetë njerëzish; higjiena mjerane që zotëronte në kuzhinë, në mensë, në banja; mungesa e dusheve dhe e lavanterisë; qelbësirat cep më cep territorit; kushtet kafshërore në fjetore, ku hapësira u reduktua nga shtatëdhjetë, në dyzet centimetër, presioni politik i komisarit Shahin Skura dhe diversionet e pareshtura të operativit Fejzi Liçaj, nëpërmjet spiunëve dhe imoralëvc, etj., etj.
Për parullat që u hodhën ato ditë, s’kam ç’shtoj, raporti shpreh tërësisht të vërtetën dhe i pasqyron saktë, sepse shërbyen si akuza që morën krerë dhe jetë njerëzore. Edhe veprimet e mëtejshme, që nga shkallmimi i stendave të emulacionit socialist dhe citateve marksiste- leniniste, gjer te sloganet nacionaliste që u hodhën, i kanë rrëfyer sagllam. Shtojnë valëvitjen e flamurit pa yll, majë pallatit, por “harrojnë” të përmendin një yckël të “vockël”, faktin që mbi të u derdhën breshëri pas breshërie predhash, sa e denatyruan në zhele, bira-bira. Raporti flet qartë për ngjyrimet dhe kërkesat politike, edhe për ndërhyrjen brutale ditën e tretë, përplasjen e dhunshme mes katër të burgosurve dhe katërqind sampistëve. Tepër i saktë për sa i përket ndëshkimin drastik të të katërve me dënim kapital dhe mbi tetëdhjetë të tjerëve me dekada. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016