Nga Prof. Ass. Dr. Albert P. Nikolla
Joana Doda
Pjesa e dytë
-Vështrim antropologjik, mbi persekutimin e shkencëtarëve përgjatë viteve 1945-1955 – rasti i inxhinier Gjovalin Gjadrit, i vëzhguari i komunizmit-
Memorie.al / Rasti i marrë në shqyrtim, i nënshtrohet një metodologjie kërkimore shumë – planëshe, gjë që na e dikton vetë personaliteti i inxhinier Gjovalin Gjadrit. Pas studimeve në Austri, inxhinier Gjadri pati një përvojë pune pesëvjeçare, në Bashkimin Sovjetik. Nisur edhe nga kjo e dhënë, do të vërejmë disa dinamika antropologjike të marrëdhënieve midis shkencës “socialiste” dhe asaj “kapitaliste”. Ndikimi i përvojës studimore austriake, puna në Bashkimin Sovjetik dhe më vonë në Shqipëri, na shtyjnë të shohim me vëmendje dinamikat kulturore të sjelljes së inxhinier Gjadrit, ndaj çështjes së shpërblimit të punës, nën këndvështrimin e antropologjisë ekonomike.
Gjadri nuk mund të konsiderohet as “njeri i ri” as person i besueshëm i regjimit, pasi ai “ka shikuar gjithmonë lekun dhe interesin personal”. Kjo çështje ka një peshë të madhe antropologjike, pasi na sjell në vëmendje dinamikat e antropologjisë ekonomike, në marrëdhënien e regjimeve me shkencëtarët. Në vitet e para të regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, ku Gjadri ka punuar për pesë vjet, ka një qasje kryesisht negative të pushtetit, kundër kërkesës që kanë shkencëtarët e intelektualët, për paga të larta. Lenini ishte kundërshtar i madh i pagave të larta:
“Është e padiskutueshme që pagat e larta kanë një influencë të madhe korruptimi mbi pushtetin tonë bolshevik! Por shpejtësia e zhvillimit të Revolucionit tonë, ka bërë që të detyrohemi të na bashkohen disa aventurierë intelektualë, që kërkonin paga të larta, duke bërë që të shpërdorohej paraja publike e masave punonjëse. Masave u duhet shpjeguar, se të paguarit e intelektualëve me paga të larta, është joparimore, por e kemi bërë nga nevoja ekstreme”.
Edhe regjimi shqiptar kërkonte t’i përmbahej kësaj linje. Interesi vetjak, ka qenë demonizuar përgjatë gjithë kohës së pushtetit socialist. Madje, edhe arti ishte vënë në funksion të luftës ndaj interesit vetjak. Veprat artistike ,duhej ta dënonin çdo tendencë të vënies së interesit vetjak, mbi atë të përgjithshëm.
Veprat më të mira të kësaj periudhe, edukuan njerëzit me mendime dhe dëshira të reja, ato brumosën në ndërgjegjen e tyre qëndrimin socialist ndaj punës dhe pronës së përbashkët, frymën e kolektivizmit dhe vënien e interesave të përgjithshme, mbi interesat e ngushta vetjake, i edukuan ata me besnikërinë e pakufishme ndaj socializmit dhe me frymën e urrejtjes ndaj shoqërisë me klasa dhe moralit të saj.
Duke parë pjesën e dosjes së Gjadrit, ku shkruhet për debatet mbi pagën, vërehet një fakt interesant: ministrat i kanë premtuar rritje page, por nuk e kanë mbajtur fjalën: “Në plenumin e datës 20 korrik 1949, me rëndësi ka qenë diskutimi i Gjovalin Gjadrit, që kërkon rritjen e rrogës së tij. Të cilën vjet ja kanë premtuar ministrat, por akoma s’ka ndryshuar. Ai thekson që është e padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin e punës i cili, përcakton si të doktorëve dhe të nëpunësve. Ndërkohë që doktorët, marrin 8000-9000 lekë”.
Duke kërkuar mbi rrogat e inxhinier Gjadrit, në kohën kur ishte drejtor në Drejtorinë e Rrugëve dhe Urave, nga arkivi zbuluam se rroga kapte shifrën 1850 lekë. Rroga bazë ishte 1600 lekë dhe 200 lekë i përfitonte, për kualifikimin që zotëronte në këtë kohë, kishte gradën III; po ashtu merrte edhe 50 lekë, shpërblime.
Gjadri është jashtë klimës sociale, kulturore dhe shpirtërore në të cilën është rritur, është shkolluar, ka punuar. Çdo gjë në vitet e para të regjimit, i duket aq e zymtë dhe e papërballueshme, saqë kërkon në rrugë zyrtare, të largohet nga Shqipëria. Kërkesa që ai i bën pushtetit për largim nga Shqipëria, vihet në dosjen e tij, nën titullin “Material komprometues”:
“Zhveshja e drejtave, më kujton përsëri kohët e hershme kur kam kenë student në Austri, ku kam ndie një mungesë, kam hekë një vuajtje, që nuk e kam ditë se çka është kanë, por që tash e di, se ka kenë vuajtja e mungesës të Atdheut, që e kam kërkue gjithmonë dhe nuk e kam gjetë kurr, sa këtu në Shqipëri…! Por në degradimin tem, kam bindjen me të drejtat dhe pretendimet e mija këtu në Shqipëni, janë pa të realizueshme… dëshiroj ta le këtë Shqipni. Unë kam një nanë dhe një motër në Austri, që vujn ekonomikisht, si mbas lajmeve që kam marr…! I lutem ministrisë, me më shkarkue nga çdo detyrë dhe me ndërmjetësu ku duhet, për lëshimin e pashaportës që mund të shkoj në Austri”!
Ky është kulmi i dëshpërimit për një person që e do atdheun e tij, por që e sheh veten të huaj, me këtë pushtet. Këtë mënyrë të shprehuri me nota të forta emocionale, do ta gjejmë edhe më poshtë, në vijim të artikullit, kur të shikojmë librin e tij, ‘Letra grues seme të vdekun’. Gjadri është një shpirt i lirë, rregullat e diktaturës i rrinë mjaft ngushtë dhe nuk ka dëshirë të qëndrojë më në atdheun e tij.
Edhe indiferentizmi nuk është parë me sy të mirë nga regjimi, pasi ai kërkonte me ngulm, që çdo person, për më tepër intelektualët, të përfshiheshin në luftë kundër pushtuesit. Kujtojmë në këtë kontekst edhe kritikat e opinionit shoqëror në socializëm, ku kjo mendësi e të qëndruarit i paangazhuar dhe pasiv në jetën shoqërore dhe politike, kategorizohej si “indiferentizëm”.
“Pasiviteti dhe indiferenca janë fenomene të huaja, jo vetëm për komunistët, por për çdo qytetar të ndershëm të shoqërisë sonë socialiste…! Si mund të rrijë indiferent një komunist, madje dhe një qytetar, kur… sheh që ndokush nuk respekton disiplinën proletare, kur ndokush nuk sillet sipas normave të moralit të shoqërisë sonë socialiste, në punë, në shoqëri dhe në familje”? “Shoku Enver Hoxha nënvizon se; indiferentët ‘janë më të rrezikshëm edhe se vetë fajtorët, sepse indiferentët, dëmtojnë zhvillimin e opinionit shoqëror”.
Të klasifikoheshe si indiferent, ishte një hap drejt konsiderimit si armik i regjimit. Gjithë analiza e dosjes së Gjadrit dhe arkivat e tjerë të konsultuar, na shtyjnë të pohojmë se Gjadri, është konsideruar përherë si armik, por për arsye të nevojës së madhe, që regjimi kishte për njohuritë e tij, ai është mbajtur vazhdimisht nën vëzhgim. Në fakt, në dosje kemi gjetur edhe kategorizimin e tij, si element armik, në kategorinë 2/B, i cila është treguese për intensitetin e vëzhgimit nga Sigurimi i Shtetit, element kundërshtar.
Dramatik ka qenë përgjatë regjimit komunist, mënyra e dënimit me karakter kolektiv. Pra, nëse dikush kryente një “krim”, apo shprehte kundërshti kundër regjimit, ai nuk ishte i vetmi që do të paguante pasojat, bashkë me të vuanin edhe të afërmit e tij. Kjo është arsyeja pse në raportet e gjetura në arkiv, flitet për njerëzit e tij të afërt.
Vëzhgimi i inxhinierit bëhet edhe më i qartë, në disa fletë pranë dosjes së AIDSSH, që mbajnë titullin; “Përmbledhje informative të ndryshme të Gjovalin Gjadrit”. Këto fletë nisin gjithmonë në krye me fjalët; “Vdekje Fashizmit – Liri Popullit”. Kemi mbi 30 informata, që në njëfarë mënyre, janë spiunime të ndryshme mbi çdo veprim të Gjadrit, nga individë me pseudonim. Këto spiunime, i kemi të datave të ndryshme, nga viti 1946, deri më 1954.
Ndjekja e personaliteteve të shkencës, artit apo politikës, ka qenë një shenjë dalluese, e regjimit komunist shqiptar. Ky fakt, buronte nga mosbesimi që mbretëronte, midis drejtuesve politikë. Mosbesim ndaj intelektualëve, mosbesim ndaj njëri-tjetrit, frikë nga njëri-tjetri. Nën diktaturë, regjimi nuk kishte besim te bindja e njerëzve dhe për këtë qëllim, organizonte një kontroll të vazhdueshëm për ndjekës, kundër të gjithëve, sidomos ndaj atyre që mund të paraqisnin rrezik për pushtetin.
Një element që ne e konsideruam me rëndësi të veçantë antropologjike, gjatë analizës së dosjeve, ishte përdorimi i fjalës “thuhet”, gjatë denoncimeve dhe spiunimeve të ndryshme. Kjo fjalë, duke qenë evazive, lë shkas për thashetheme, pasi nuk përcaktohet qartë, se kush është burimi i informacionit. Kjo ka të bëjë edhe me një qëndrim të dyfishtë të pushtetit, ndaj problemit të thashethemeve: nga njëra anë, zyrtarisht regjimi i dënon thashethemet dhe personat që merren me to, nga ana tjetër, regjimi i nxit thashethemet, “kur ato janë në të mirën e pushtetit”.
Te dosja e Gjadrit, pranë Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, gjejmë shpesh informacione me shprehjet; “thuhet” dhe me autorësi “anonim”:
Në politikë, thuhet se qëndrimi i tij politik, nuk është i mirë, por ka shfaqur urrejtje kundra formës në […]. Thuhet se në vitin 1948, nuk e ka realizuar planin dhe nuk është goditur përpara kolektivit. Thuhet të ketë kushërinj të tij në burg, por kur është pyetur me rastin e verifikimit të kundërshtarëve, ka deklaruar se jo. Del se nuk bën përpjekje për të përfituar nga eksperienca sovjetike, por përdor literaturën gjermane. (nënvizimi ynë)
Kjo mënyrë e marrjes së informacionit, ka mbështetur një dhunë të pashoqe kundrejt mjaft personave të pafajshëm të cilët, nuk kishin as mundësi të mbroheshin, përballe akuzave; “thuhet”, me autorësi anonime. Përballë pyetjes që mund të drejtonin të akuzuarit rreth autorëve të formulimit të akuzave, punonjësit e Sigurimit, kishin gati formulën: “Partia, ajo di gjithçka”!
Nga një informatë tjetër, ku komentohen veprimet e Gjadrit në punë, vërejmë se si pushteti shfrytëzon shpesh edhe konfliktet midis kolegëve, në mënyrë që ata të mund të akuzojnë njëri-tjetrin. “Lufi dhe Gjovalin Gjadri, nuk shkojnë mirë, për arsye se Lufi i dorëzon punë Gjadrit për të bërë, që i takon sektorit të tij dhe i thotë që në këtë datë, duhet të jetë gati. Këtu Gjadri acarohet dhe grindet me Lufin”. (Me 15.03.1948. Nga seksioni III.).
Marrëdhëniet ndër-njerëzore e ndër-profesionale në komunizëm, ishin pre e një frike të ndërsjellë dhe të paditjes a denoncimit të mendimeve, që dikush mund të shprehte hapur në mirëbesim apo në një bisedë miqësore. Shpeshherë, grindjet mes personave mund të shfrytëzoheshin nga regjimi për qëllimet e tij persekutuese, për të vënë kundër njëri-tjetrit personalitetet e fushave të ndryshme.
Tipik në arsyetimin e regjimit, ka qenë dyzimi në gjykimin ndaj intelektualëve dhe shkencëtarëve: “Janë të aftë, por nuk janë politikisht të mirë”. Regjimi kërkonte një dedikim total të personit, ndaj pushtetit, dedikim profesional, politik e moral. Jashtë regjimit, nuk ka asgjë që mund të jetë më e rëndësishme se vetë regjimi, për pasojë, çdokush që nuk ka këtë dedikim total, mund të jetë i dëmshëm për regjimin. “Prandaj ky element është një inxhinier i zoti, por është anormal dhe politikisht, nuk pajtohet me politikën popullore”. (Viti 1948, pseudonim).
Një element i rëndësishëm antropologjik, që ka të bëjë me punën e spiunëve, lidhet edhe me detyrimin që kishin këta të fundit, për të dhënë llogari ndaj eprorëve dhe shpesh edhe e teprojnë me zellin e tyre, duke përshkruar detaje që përdoren për të krijuar një ide, se personi i vrojtuar është vërtet i rrezikshëm, edhe kur nuk ka asnjë fakt, për të vërtetuar akuzën.
“Sipas një bisedimi që pata me Ing. Myzafer Dragotin, në lidhje me Ing. Gjadrin, pasi më foli për zgjuarsinë e tij, më tha se një ditë ishte duke biseduar me Gjadrin, rreth një projekti të punuar nga Ing. Lutfi Strazimiri, tha: ‘Ah, interesant dhe puna e këtij personi, vall çfarë krimi ka bërë ky person’? Ing. Dragoti nuk ju përgjigj”. Më pas vazhdon: “Nga shikimi i veprimtarisë së përgjithshme të tij, del se është menefregist në punë dhe si rrjedhim puna e tij, del me vonesë, e pa studiuar mirë dhe pa asnjë bazë të sistemit sovjetik.
Megjithëse nuk kemi fakte konkrete në duar, si opinion, unë e them me siguri, se është një fashist i fëlliqur, mbasi megjithëse shpërblehet rreth 10.800 Lek në muaj, është i pakënaqur për shpërblimin që merr. Në një mbledhje ose diskutim politik, si informacion politik, etj., nuk i pret mirë dhe këto i shpreh me fjalë indirekte”. (Më 17.01.1951, informatë nën pseudonim, nënvizimi ynë)
Kjo ishte në mënyrë të përmbledhur, klima ku punoi dhe jetoi për 28 vjet, inxhinier Gjadri, veprat e të cilit kanë lënë një dëshmi të jashtëzakonshme në sektorin e ndërtimit, të urave e rrugëve në Shqipëri. Për këtë figurë të rëndësishme të inxhinierisë shqiptare, në vitin 1967, u hap edhe shkolla që mban emrin e tij “Gjovalin Gjadri”, në Gjadër të Lezhës, si një vlerësim për punën e tij shumëvjeçare.
Gjovalin Gjadri si shkrimtar
Gjovalin Gjadri në fushën e tij, mbetet një personalitet i lartë. Përpos kësaj, dëshirojmë të përmendim edhe meritat e tij si shkrimtar. Në vitin 1941, ai humbet gruan e tij, Zejnepin, të cilën aq e deshi, sa përjetësoi dhimbjen e tij, në librin ‘Letra grues seme të vdekun’. Libri ka në përmbajtje të tij, letra të shkruara mes 3 shtatorit 1941 dhe 20 korrikut 1942. Në mes tyre, ka edhe letra të shkëmbyera mes të dashuruarve, po edhe mjaft reflektime, me natyrë filozofike mbi jetën, vdekjen, shoqërinë, kulturën.
Në leximin e këtyre letrave, të duket sikur ke hapur ditarin e fshehtë të një të afërmi. Të fshehtën e konfirmon edhe botimi i këtij libri, të cilin Gjovalin Gjadri, e boton në gjuhë të huaj, gjermanisht, ‘Briefe an meine tote frau’, dhe nën pseudonimin; G. Maranaj. Duket sikur do ta mbajë, larg lexuesit të asaj kohe kaotike lufte. Studiuesi Ardian Ndreca, që ka përkthyer librin nga gjermanishtja, në parathënie sjell informacione të mëtejshme, që plotësojnë mjaft mirë këtë libër, të pazakontë në letërsinë shqiptare.
Njohja me Zejnep Toptani, ndodhi në vitet 1930, ajo ishte vajza e Abdi Toptanit, një prej nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë. Abdi Toptani, nuk mund të pranonte martesën e së bijës, me një njeri që nuk i përkiste rangut të tij dhe më e rëndësishmja, një mysliman, që në vitin 1920, ka qenë përfaqësues i myslimanëve sunitë në Këshillin e Lartë, nuk mund të pranonte për dhëndër një katolik.
Por Zejnepi largohet nga shtëpia e prindërve dhe martohet me inxhinier Gjadrin, kundër dëshirës së familjes. Pas ndërtimit të familjes së tyre dhe me ardhjen në jetë të djalit, Egon Gjadri, Zejnepit i shfaqet sëmundja e tuberkulozit. Pavarësisht dëshirës së madhe për të jetuar, më 15 gusht të vitit 1941, ndahet nga jeta në Romë.
Në mesin e dhimbjeve, autori, duke shprehur dhimbjen për humbjen e së shoqes, përpiqet të gjejë edhe fajtorët dhe shkaktarët e kësaj humbjeje. Një herë e shikon fajin te vetja, një herë te lufta, që nuk iu la mundësinë të shkonin në Vjenë për kurim, një herë te familjarët e Zejnepit, madje e shikon si një hakmarrje të historisë ndaj tyre, duke e gjetur fajin te stërgjyshërit e saj, “Karlat dhe Andreat”, që sipas tij, i hapën zemrën dhe derën armikut turk.
Struktura antropologjike, ka mjaft prani të heshtur në këtë libër, mbasi është e qartë se personi historik, nuk mund të konceptohet kurrë, i ndarë prej individualitetit shprehës të subjektit. Shkruan Gjovalin Gjadri: “E di, ti don që un ta mbaj veten, që të tregohem i fortë para njerëzve, siç e lypin doket e vendit tonë, siç e kërkon edukata dhe krenija jote”!
Sikur e cekëm, ka dy dimensione në këtë dhimbje, humbje, vdekje: një krejt vetjak e intim dhe një dimension shoqëror, që e harron njeriun e përveçëm – njeriu i përveçëm është harruar, qysh kur babai duhet të kundërshtojë martesën mes një myslimaneje dhe një të krishteri, qysh kur imponimet e rangut pengojnë, bashkimin mes një djali të thjeshtë e, një vajzë soji: një luftë mes fanatizmit dhe qytetnimit.
Funksionin më të madh shprehës, ky libër e ka bash në këto ndarje ,që ushqejnë një diskurs të pasur antropologjik, ku shenjën e barazimit, e vendos veç dashuria e, mbasandaj vdekja. Po vdekja nxjerr në dritë, mjerimin e sjelljeve fanatike, padobinë e vogëlsive njerëzore, përballë një ngjarjeje të skajshme si vdekja. Ja si ia kujton në letër Gjadri, së shoqes, brengën që ajo kishte për marrëdhënien vëlla-motër, tashmë të krisur pikërisht, për shkak të zgjedhjes së Zejnepit, për t’u martuar me Gjadrin:
“Ti e din e dashun, se përsa i përket tand vëllau, mue s’më ka interesue kurrë asgja, por për të qetësue ty, do të jem i butë me të, edhe pse asht e vështirë, mos me pasë paragjykime. Unë kisha mendime të thjeshta, të natyrshme rreth marrëdhënieve të njerëzve me njeni-tjetrin. E shihja qëndrimin e tij të vjetruem, të papajtueshëm me edukatën që kishte marrë jashtë dhe s’mund të shfajësohej me trysninë që baba yt plak, mund të ushtronte mbi të. Memorie.al