Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetëetre
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Zefët!
Meqë ishin disa, i bëra bashkë.
Veç emrit, kishin të përafërt karakteret, edukatën, kulturën, sjelljen, qëndrueshmërinë, urrejtjen për komunizmin, dëshirën për jetë dhe ëndrrat për liri, si dhe taktin për t’i përçuar këto veti, te brezi i ri.
Pra, ishin shumë: Zef Pllumi, Zef Prela, Zef Ndoi, Zef Çoku, Zef Ashta, Zef Jushi, etj. Askund s’kisha ndeshur kaq adashë, në aq pak vend, në të njëjtën kohë, me pothuaj të njëjtat cilësi, por me profesione dhe nga qytete të ndryshëm; njëri prift, tjetri bujk, njëri mësues, tjetri poet, njëri oficer, tjetri pastor, ca nga Shkodra, ca nga Lezha, ca nga Puka, ca nga Mirdita. Sidoqoftë, ishin model në veçanti, të patundur në idenë që mbronin dhe me virtytet morale e intelektuale, që i shpalosnin sipas natyrës së tyre.
Do duhej t’i përmendja, një për një, sepse vlerat i kishin individuale, por në këtë pjesëz do veçoj dy: Zef Ashtën dhe Zef Jushin, njëri oficer, tjetri poet.
Pra, zgjodha këta…!
***
Zef Ashtën, para se ta njihja fizikisht, kisha dëgjuar për të në diskutimet e pleqve, kur flisnin për ndodhi të dyzet e tre apo dyzet e katrës:
“Po të ishte prezent toger Zefi, do argumentonte ndryshe…”, ngulmonin pothuaj me një gojë.
Kur rrëfenin për oficerin nga veriu, krijova idenë se bëhej fjalë për ndonjë burrë shtatmadh, të vrazhdë dhe të ditur; sepse qysh se njoha në Reps nja dy ish xhandarë trupmëdhenj, kësisoj i përfytyroja oficerët e lashtë.
Sa herë përmendej ndonjë ngjarje me karakter ushtarak, e së shkuarës apo e kohës, flisnin me superlative, duke i lëvduar personalitetin, sidomos kompetencat si mësimdhënës, ndaj përfytyrimit i shtova edhe cilësitë pedagogjike dhe tashmë imagjinoja një ish-oficer gjigant, të ashpër, të civilizuar mjaftueshëm dhe tepër të kultivuar.
Dëgjova se e kishin arrestuarit fill pas marrjes së pushtetit, aty nga gjashtëdhjeta, e kishin liruar, mandej e kishin arrestuar sërish dhe momentalisht kish në burg, mbi njëzet vite. Mësova gjithashtu se paskej aderuar në radhët e ‘Ballit Kombëtar’ dhe i përkiste rrymës së moderuar, ngaqë qe magjepsur qysh në të ri, pas figurës së Mit’hat Frashërit.
Këto dija pak a shumë, pa e njohur fizikisht.
Kur do më transferonin në Spaç, në shtator të 1970, miqtë ma rekomanduan si një ndër personat që duhej ta takoja medoemos, për të më orientuar në mjedisin e ri.
E njoha nëpërmjet Myslim Fuatllarit, që ditën e parë, por s’më la impresionin që prisja sepse, s’gjeta të përafërtin e përfytyrimit në figurën e tij, madje diferenca mes imagjinares dhe origjinalit, qe e pamatshme, sa s’përputheshin kund konkretja me idealen. Ishte një shtatimët, mbi pesëdhjetë e pesë-gjashtëdhjetë vjeç, i hequr, i thatë, i kërrusur, larg identikitit të oficerit shtatmadh, bile veç fytyrës së mprehtë prej asketi dhe syve të hirtë ekspresiv e, shumë të mëdhenj për fytyrën imcake, asnjë shenjë ushtarakësh. Por timbri i butë, delikatesa dhe takti prej zotërie, e bënin interesant.
Domethënë diçka mbeti prej përfytyrimit, zhgënjimi s’qe total. Kur e njoha si mësues italishteje, iu dhashë të drejtë miqve, që e vishnin me superlativa. Në trupin imcak strehohej një shpirt i madh, rrihte një zemër edhe më e madhe, që se ligështoi dot moria e viteve të burgut, s’ia fashiti shpresat vuajta e pasosur, s’ia thau ëndrrat liria e munguar, s’ia flashku dashurinë për njerëzit, për kombin, për Shqipërinë, urrejtja e pamerituar.
Kushtet mjerane kishin ndikuar në invers mbi karakterin dhe personalitetin e tij, nga një oficer karriere, e shndërruan në atdhetar dhe shërbestar të nacionalizmit e shqiptarizmës. Ai përçonte virtytët e martirit, me sjelljen model e karakterin e paepur dhe shpaloste qetësinë olimpike të intelektualit modern, me qëndresën morale.
Në atë personalitet qenë pleksur besimi i idealistit te e nesërmja më e mirë, me fisnikërinë e nacionalistit të kulluar që i blatoi Atdheut dashurinë pa kushte, edhe kur iu bë njerkë. Intelektuali i papërtuar ofronte dijet me devocionin e murgeshës, kur i jep gotën e ujit atij që heq shpirt, teksa pedagogu brilant, mbeti bashkëbisedues i këndshëm dhe inteligjent, pa u bërë monoton.
Ai ishte mik i sinqertë, i gjindshëm dhe i sakrificës pa u bërë i bezdisshëm. Një etalon modestie, ndershmërie, përsosmërie, zgjuarsie, trimërie dhe një shtyllë morale, ku gjenin mbështetje të rinjtë. Ndonëse në pozita jo komode dhe në vështirësi, atëbotë që shumëkush mund të ish dhënë, ai rezistoi duke shpalosur vlerat e qytetarisë shkodrane.
Zefi përfaqësonte tipin e përkorë me një det virtytesh. Te ai qe ndërthurur edukata kristiane, me jetesën spartane, ndoshta e ngulitur nga vitet e studimeve akademike në Itali; qe pleksur eleganca me sqimën dhe disiplina me fjalën e nderit, të konsoliduara gjatë shërbimit në radhët e ushtrisë kombëtare, cilësi që gërshetoheshin me gjakftohtësinë olimpike dhe sensin e gjykimit në situata të pazakonta.
Ndërsa krahas mësimdhënësit inteligjent dhe ekzigjencës së lindur, në didaktikë spikaste talenti i kultivuar nga bashkëjetesa me elitën kulturore në burgje politike. Në mjedis katolik përftoi indulgjencën, kurse dogmat s’ia kishte kontaminuar mentalitetit, përkundër përsosi tolerancën liberale russoiste. Po të konsideroje gamën pafund të burimeve kulturore dhe laike që i interesonin, s’do kishe rast ta shihje kur falej në vetmi, mbase bije në gabimin fatal, ta radhisje te ateistët. Por jo, Zefi besonte në Zot!
Poligloti par ekselence, zotëronte në perfeksion italishten e vjetër dhe modeme, latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten, spanjishten. Preferonte historinë, letërsinë, filozofinë, shkencat pa dallim. I këndej të debatonte në nivele akademike, por racional dhe lakonik, atë që të tjerët e tirrnin me orë, ai e përmblidhte në një sentencë.
Me gjithë erudicionin s’u hoq me të madh, por arrinte kulmin e modestisë kur kërkonte mendim nga ne, nxënësit e tij, për kuptimin e ndonjë shprehje apo idiome. Natyrisht ne i çmonim erudicionin dhe mateshim njëqind herë para se t’i përgjigjeshim, sepse për ta marrë të mirëqenë fjalën tonë, skrupulozi i pandreqshëm, do ta verifikonte në dhjetëra burime.
Ndonëse s’na përkonte mosha, origjina, profesioni, përgatitja, gjeta në personin e tij drejtuesin ideal, që s’e pranoi kurrë. U afruam shpejt falë rekomandimit dhe ndikimit të rrethit të miqve, ku Zefi zinte pozita dominuese, sepse ai dinte të ndërtonte marrëdhënie ideale, që ta sugjestiononin miqësinë, si me thënë, krijonte balanca dhe raporte ku askush s’ndihej inferior, përkundrazi, me vlerën që i jepte miqësisë, pothuaj e shndërronte në kult.
Dinte të qortonte me stil, të këshillonte me finesë, të rekomandonte me takt pa e vrarë lart, apo të bëhej megaloman. Kam rastisur shpesh në debate, ku veti dominuese të Zefit ishin elokuenca apo stili, në shtrimin dhe mbrojtjen e ideve, intuita për të rrokur thelbin, zhdërvjelltësia në trajtimin me bashkëbiseduesit dhe takti për të dalë nga qerthulli i diskutimeve të vështira, pa prodhuar armiq. Gjatë një diskutimi patriotik për çështjen Kosovare e Çame, të dirigjuar nga çami konispolat, Sulo Veshi, tonet u ngritën dhe fjetorja gumëzhinte nga debati, por s’po arrihej mirëkuptimi në disa aspekte.
Të gjithë hidhnin dhe mbronin ide, pa i hapur shteg shoqit, gjersa Zefi me urtësinë olimpike dhe zgjuarsinë tipike, ndërhyri dhe fashiti zellin e tepruar: “I dashtun Sulo, me sa mundet me fluturu shqiponja pa flatra, aq mundet me ekzistue Shqypnia pa Kosovë e Çamëri! Pjesëmarrja e secilit, që shtron dhe mbron teza bash si me kenë në nji Kuvend Kombëtar, tregon se Atdheu ka ende burra me i dal zot, ndaj mendoj se Shqypnia do të bahet, do të bahet dhe do të bahet. Mbase brezi jonë s’do ta kena atë fat, ani na kontribuojmë tuj ushqye kandilin e nacionalizmës”! dhe u ndanë me duar në qafë, ndonëse njëri nga skaji më verior dhe tjetri nga jugori, si vëllezër të lindur nga një nënë.
Sa i durueshëm ishte me të rinjtë për së mbari, aq intolerant ishte me çapaçulët. N. C. nga Devolli që s’po ia përmend emrin për arsye etike, ndonëse të burgosurit e asaj periudhe, do ta kuptojnë pa mëdyshje për kë bëj fjalë, e sollën në Spaç nga fundi vitit 1971, ose më pas. Meqë i përkiste një fisi të njohur devollit, i bënë vend në rrethin e tyre. Kjo mjaftonte për gjithkënd që synonte burg të ndershëm, por djaloshit s’i pëlqenin as puna, as sakrificat ndaj zgjodhi të përfitonte nga shoqërimi me kryetarin e zyrës teknike, Medi Nokun, sjellje që ra në sy dhe iu larguan të gjithë, të parët patriotët.
Nc atë mjedis ku asnjë mizë s’mund të kalonte tinëz dhe jeta rridhte transparente si në akuarium, gjithkush i druhej njollës së turpit sepse, të gjithë ishin edhe kontrollues, edhe të kontrolluar, duke qenë njëzet e katër orë non stop, me të njëjtët persona, në të njëjtin ambient, me javë, me muaj e me vite, individi s’gëzonte privatësi dhe mundësitë për zgjedhje ishin të kufizuara, ndaj të mbetej të akomodoheshe me mënyrën kolektive të jetesës në formën më të moralshme. Kush bëri zgjedhje tjetër, shihej vëngër, rrjedhimisht e distanconte pjesa e shëndoshë.
Atje ishte krijuar një farë hendeku mes dy kategorive, që shënjonte vijën e demarkacionit. Meqë devolliu zgjodhi rehatin, e braktisën në fatin e vet dhe u zhyt nën tutelën e kryetarit të zyrës teknike dhe operativit, të cilët tentuan ta shfrytëzonin për ta penetruar në rrethet e qëndrestarëve. Zefi gëzonte respekt të padiskutueshëm ndër devollinjtë, ndaj me pretekstin se demek donte të mësonte italisht, e instruktuan t’i avitej. Por plaku ishte ekspert burgjesh, e pikasi kurthin që po i kurdisnin dhe e largoi me neveri.
Një pasdite dimri, kur temperatura mund të shënonte minus njëzet gradë, gjendesha me miqtë e mi, Çaush Çoku dhe Gëzim Medolli, te jataku i Zefit, për orën e italishtes. Plaku qe strukur nën batanijen e rrjepur, nga i dilte maja e skuqur e hundës. “Ç’i përngjet Dantes me këtë kapuç mbi krye, Zoti Zef”! – e cyti Gëzimi.
“Kisha d’shir me i ngja, por jena vite drite larg, ai u fut në ferrin e të dekmëve me vullnet, mu më kallën përdhunshëm në ferrin e të gjallëve”! – ia ktheu Zefi duke qeshur. – “Por duket Tresteniku e ka pjell vet nji Dante, e ma ka hjek doret kët shans”! – dashamirës aludoi me portretin e tukequr të Gëzimit, i dobët, i venitur, me hundën si teh spate, që vërtet ngjiste me profilin e Dantes, sa shpesh bënim humor me cilësitë fizike e poetit të burgut; madje i sugjeronim ta shfrytëzonte ngjashmërinë për pseudonim, po ai zgjodhi alias “Gëte” (Gëzim Tresteniku), ngaqë adhuronte vendosmërinë teutone.
Kur po bënim humor me këtë grimcë të improvizuar, gazi na u pre në mes, se N. C.-ja iu drejtua shtratit të plakut, që sa e pikasi flaku batanijen, qiti sytë dhe brofi sa plasi kokën në dërrasat e katit sipër.
“Përse kenke mundu”? – iu shkreh të porsaardhurit.
Ish hera e parë që e shihja profesorin të humbte kontrollin.
“Dëshiroj të mësoj italishten”! – iu përgjigj N. C. me buzëqeshje shtinjake.
“Ah-ah, se dijsha”! – ironizoi plaku.
“Ju jeni profesori më në zë këtu”! – shtoi i riu t’i bënte qejfin.
“Jam ken dikur, po njitash jam plak dhe i sëmurë”! – ia preu turrin e lëvdatave. – “Edhe këta që kanë fillu ma herët, kam mendu si m’i lshue! Mandej italishtja jëme, asht gjuhë mundimesh dhe travajash, s’ja panë hairin as Dantja me Petrarkën, që e vuejtën me ekzil nga qytetet natalë”, – shtoi me ironi.
“Sidoqoftë kam vendosur të mësoj italishten”! – ngulmoi N. C.
“Bukur fort, të këshilloj m’e mësue me Medi Nokun dhe Fejzi Liçajt, italishtja e tyne asht ma e volitshme dhe përvetësohet ma lehtë”, – sytë gri të plakut i përshkoi një dritë sarkastike.
“Doja të mësoja me ju”!
“S’ke ç’me përfitu nga unë, tash i ke kapërcye kacafiu m’simet e mija! Zoti të m’shiroftë”! Që nga ajo ditë, s’u pa t’i afrohej më plakut. Zefi mbeti i ri, madje i preferonte edhe miqtë të tillë. Mbase iu mpak trupi, iu shterën forcat, fiziku iu lig, fytyra iu flashk, por zemra mbeti rinore, gjer ditën e xhanit. Kujtesën e freskonte me të rejat e fundit të shkencës, teknikës, letërsisë, artit, kulturës dhe si sqimatar i përjetshëm, qëmtonte aktualitetin edhe atje ku s’gëzonte luksin e zgjedhjes.
“Ju të rinjtë, shtyni kohën tuj lexu ç’u bije në dorë, vet jam i vjetën e, m’lipet mund me kap t’rejat”! Natyrisht justifikimi ala-Zef, ishte metoda më efikase për të na orientuar drejt së domosdoshmes, por si të rinj ne e konceptonim ndryshe jetën, s’e kuptonim që koha rridhte e s’kthehej pas, tani që kam kapur pothuaj moshën e tij, e vlerësoj drejt delikatesën e profesorit të nderuar.
Te ai shihnim të moshuarin energjik, misionarin e përkushtuar, personin që s’e përfilli lokalizmin, përkundrazi i përçmonte nxitësit e kësaj dukurie. Për të ishin të papranueshme dasitë, ndaj edhe ndërtoi marrëdhënie të denja për zotërinj. Miqtë e tij, iu përkisnin të gjitha kulturave, të gjitbë besimeve, mund të pohoj pa gabuar se të shumtët, kishih besim të kundërt.
E njihnim për mit’hatist, me bindje të çlirëta, mirëkuptues logjikë-ftohtë, me edukatë të përsosur, kulturë të gjerë, intelekt brilant, i hapur ndaj bashkëbiseduesit, sa dëgjonte me durim çdo kundërshtar, madje i linte hapësirë të shpreheshin pa i ndërprerë, dhe s’iu kundërvihej edhe kur e fyenin me fjalor banal, ndaj e mbanin për polemist të shkëlqyer.
Qysh në krye e njoha shëndetlig, por s’e dëgjova të ankohej. Vuante nga një koleksion sëmundjesh, por duronte shkërmoqjen e eshtrave dhe copëtimin e mushkërive kavemoze me stoicizëm martiri. Bash për këtë, i nevojitej ushqim paksa më cilësor, që s’kishte mundësi ta siguronte, sepse ishte gjashtëqindësh permanent; edhe kur e nxirmin në punë, e çonin në brigadën e mirëmbajtjes, që gjithsesi s’ia shtonte racionin me ndonjë thërrmijë më tepër.
Nga familja s’para kish ndihma, sepse e motra stërmundohej t’i gjendej, po ishte tejet e vobektë dhe e kish të pamundur të vinte shpesh në Spaç për shkak të largësisë dhe mungesave financiare, ndaj rrekej t’i niste tek-tuk, ndonjë pako të varfër dhe letra sa për ta mbajtur në korrent të të rejave të fundit. Kështu i mbetej kazani, domethënë përherë i ujshëm.
Ne miqtë, ia njihnim vështirësitë dhe orvateshim t’i gjendeshim, po ai refuzonte. Njëherë desha t’i falja diçka, po u ndjeva keq kur m’u kthye: “L’moshën e ndajnë të pasunit në raste festash, gëzimesh apo hidhnimesh për fmijët jetimë, vejushat, të dobëtit, sakatët, tëvobektët, po njitu jena të tan’ të tillë or mik”! Ashtu ishim vërtet, por edhe ne kishim sajuar metoda origjinale, organizonim një sofër bukë, kur na vinte familja dhe në krye ulnim të parët si Zefi.
Në të ri iu përkushtua karrierës dhe çështjes kombëtare. Më pas arrestuan dhe e dënuan, dhe më pas ende, e liruan po e arrestuan serish, ndaj s’mundi të krijonte familje. Gjithë dashurinë për fëmijët e munguar, e hodhi te bashkëvuajtësit. Bashkë me Zef Jushin, u fokusuan si pasardhës, ku ajgëtuan të ardhmen e kombit, njëherësh edhe trashëgimtarët që do kishin dashur të rritnin dhe edukonin vetë. Në pamundësi të realizonin këtë ëndërr sublime, i shkrinë energjitë e misionin fisnik të edukatorit.
Ashta misionari tokësor, synonte shëndetin mendor, rezistencën fizike dhe forcimin e personalitetit, me sakrificës vetjake shpaloste cilësitë e intelektualit nacionalist, duke nxitur rininë drejt pozitivizmit dhe dijes që të bëheshin të denjë për veten, të vlefshëm për familjen, të devotshëm për Atdheun. Idetë e tij, shtronin melhem mbi plagët e trurit. Ndërsa Jushi, në rolin e misionarit hyjnor, shkërbente Aurorën me tingujt e lëmuar, lehtësonte shpirtrat me lirën e Orfeut, qetonte zemrat me muzën poetike dhe çante terrin komunist, me fjalën lozonjare.
Mbillnin farën e së nesërmes dhe lëronin djerrinat si penda e qeve, që brazdojnë ugarin; pjesën që linte bosh njëri, e plotësonte tjetri, në formën më të mirë. Bash për këto veti, që ndikuan fuqishëm në formimin e rinisë së atyre viteve, Ashtën dhe Jushin i pagëzuan “Penda e Zefëve”, figurativisht penda e qeve, me nëntekst pendën e patës, si simbol i shkrimit.
***
Meqë emri “Zef”, ishte inflacionist ndër veriorët katolikë të Shkodrës, Nënshkodrës, Pukës, Lezhës, Mirditës (në burgun e Spaçit u bënë dhjetë, pa futur në hesap policët, sepse me ta e kaluan numrin njëzet), nisi aplikimi i pseudonimeve, apo hyri në përdorim toponimia. Kështu, Zef Ashtën, e quanin “ashtë”, emërtim që nënkuptonte qëndrueshmërinë dhe edukatën spartane, si dhe karakterin e pathyeshëm. Por dëgjoje ta quanin edhe “eshtër, koc, kockë, kokallë, rashtë”, sipas dialektit të bashkëbiseduesit.
Patër Zefin, e pagëzuan “pllumb, zog, kolomb”, po më të shumtët “zhgabë”, për vështrimin zhbirues dhe çehren vramuze, njëherësh edhe “hardhia”, meqë kështu emërtohej lagjja ku kish lerë. Për të tjerët, kishin gjetur si zgjidhje praktike toponiminë e vendorigjinës, si: “Nënshati, Serreqi, Sheldija, Gomsiqa, Kashnjeti”, etj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016