Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e tetëmbëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Marshallah i qoftë, Zoti na e shtoftë, na u mbush shtëpia, u shtuan bagëtia, lumë po rrjedh pekmezi, brus u bë qymezi, vdektë hasm e armik, plastë syri i lik’! – më mbështeti plaka.
‘Ishallah shkoftë e të dëgjoftë’! – ja kthyeç unë.
‘Plaka çoç gërmoi dhe shtoi: – ‘Na polli belaja me atë sekretarin, or plak’.
‘Me Zejnullah spiunin, moj?! Vari torbën, ngeli duke sharë natë e ditë Allahun, hoxhën dhe Kuranin’!
‘U ngjalltë lugat, jahrabi’! – yshti plaka.
‘Ai është lanet me gjallje, moj! E pa Zoti, i shtyri lopa, i shtyri gruaja, i shtynë dhentë, i cofën qentë, i dolën vezët klluka, i lajthiti çupa! Do më, o’?
‘Perëndia mban shënim dhe ta jep ku të dhëmb, o plak’!
‘Elham strafkurullah, dreqi’!
‘U bëftë def dhe lozshin arixhofkat’! – më mbajti iso plaka.
‘S’ka ç’na bën neve moj, na marrtë të ligat, na marrtë’!
‘E djegtë sera e xhehenemit, shejtanin’!
‘Plakë, shyqyr i qoftë Abas Aliut, lopa jonë ka qumësht, e tija është tharë, gjithë beharë do therim piliça, pa do t’i bëjë pastërma nja tre ogiça, atë e mori peropia, e dënoi Perëndia, të shohë majën e veshit’!
‘Marshallah i qoftë, Zoti na i shtoftë’! – dhe trazoi kërçelet në oxhak. Këto po i thosha, teksa plaka llafosej me meleqët’.
‘O plak’? – m’u hodh.
‘Lepe’! – i dhashë xhevap.
‘Duhen kënduar ca nuska, ta pruajmë gjënë nga syri i lik, o’!
‘Mos u merakos, do vete te hoxha t’ua këndojë’!
‘Çap, çap’!
‘Të nesërmen t’u ngritsh dhe vajç te hoxha i Vodicës, më këndoi nja dhjetë nuska, m’i mbështolli me beze, e paguash dhe u kthyeç në konak. T’i mori plaka dhe iu shkoi cikomën, një ia vari lopës, një viçit, një gomares, një kërriçit, një pelës, një mëzes, një nuses, një Këzes, një në kasollen e dhenve, një te qymezi i pulave, i pruam nga syri i lik, o’!
“Po Këzja cila është”? – e ndërpreva unë.
‘Keçja e djalit, i vuçë emrin e nënes sa lindi, o’!
“Ç’ndodhi më pas”?
“Hiç, një mut ndodhi, o! Muhabetet na i dëgjonte mbesa që e dinim në gjumë. E ngre dhaskali në shkollë mbesën time dhe keçen e sekretarit, ua ndau tabelën me tebeshir dhe u dha ca mbledhje. Loçka ime i zgjidhi çëk-frëk, e sekretarit ngeci. Mbesa ime pesë, e sekretarit dyshë. Pa t’u grindën; jo ç’je ti e, jo ç’jam unë; jo mësimet kështu e, jo mësimet ashtu dhe t’ia plasë mbesa:
‘Ti je koti në shkollë, s’di asnjë mësim, po të mbajnë me hatër si , çupë sekretari’.
‘Ik, moj kulake’! – ja kthen e sekretarit.
‘O fis spiunësh’! – i shkrehet imja.
‘Ju s’keni triska fronti’! – e fyen tjetra.
‘Ju s’keni hair! – ja kthen e imja dhe muhabeti del te lopa. Dhe na i thotë: – ‘Lopa jonë është e fisme, ka dhjetë qillo, e juaja është tharë, u dënoj Abas Aliu, se s’latë njeri pa sharë’!
‘Juve u bëri Partia armiq’!
‘Ju s’ka për t’u ngelur gur mbi gur…’!
‘Të rrojë Partia dhe shoku Enver’! – ja ktheu e sekretarit.
‘S’do keni prokopi as me lopën, as me dhentë, as me pelën, as me qentë, as me njerëzit’!
Të vuri kujën e sekretarit dhe drejt në konak, te i ati dhe e ëma. T’ua llogariti të tëra, fill e më fill dhe të hidhet i ati:
‘Rrufjani e ka mësuar, po do ma paguash me kamatë, o gjidi kulaku’! Ai m’u betua dhe t’i hipi pelës shtinjake e, shkoi në Degën e Punëve të Përbrendshme, zërë njërin e zërë tjetrin, ma nxiu paçavuren. Më proftasën paria e kasabasë në fshat dhe më vunë hekurat.
‘Je armik’! – më thanë.
‘I Zejnullahut, o’! – ua kthyeç.
‘Jo, i Partisë Punës Shqipërisë’!
‘Se njoh fare Partinë, o’! – u mbrojçë.
‘S’e njeh ti, po të njeh Partia ty’!
‘Po më bëka nder të madh, o’!
‘Ta tregojmë nderin, atje ku do vemi’!
‘Ku, o’?
‘Në hapsanë’!
‘Pse, dynjanë me gurë kam zënë unë, o’?
‘Ke bërë pulitikë’!
‘Me Zejnullanë, o’?
‘Jo, me plakën tënde’!
‘Asaj i them ça të dua’ se e kam timen, o’!
‘Ta shkurtojmë gjuhën ne’!
‘Ju apo qy, o’! – dhe pashë Zejnon që zgërdhihej pas lesës.
‘Zejnullahu është partia këtu’!
‘Ky zabërhani, o’!?
‘Kështu e sheh ti, se je armik i popullit dhe Partisë’.
‘Zejnullaji ua ka thënë, o’?
‘S’të pëlqen ty’?
‘Ç’t’i pëlqesh këtij pisi’ që s’ka lënë stan pa vjedhur dhe njeri pa spiunuar, o’!?
‘Është besnik i Partisë’!
‘Qy është kurvar, o’!
‘Zbaton mësimet e Partisë’!
‘E marrkeni nën mbrojë, o! Në esfel të gomares qy’ me gjithë partinë, o’! Hekurat shpejt, po bëka politikë edhe me ne!
Më lidhën dhe të më shpunë në hapsanën e Beratit, ku më sajdisën nga më i vogli gjer te Filat Muçua. Pesë muaj dajak, të më nxorën qumështin e nënes’ për hundësh:
‘Ke sharë Partinë’?
‘Unë, o’!?
‘Po, ti? Ke truar Enverin’?
‘Jo, s’e njoh fare’!
‘Ke bërë propagandë’?
‘Unë prupagandë, o’!?
‘Po, ti’!
‘Jo, çne o’!
‘Raki a ke pirë’?
‘Epo, edhe kam pirë, o’!
‘Ke ngritur edhe dolli, zotërote’!
‘Kam ngritur që ç’ke me të, o’!
‘Sikur ke uruar të bëftë shkoza’?
‘E kam thënë, o’!
‘Prite kopaçcn e shkozës, nashti’! E bam në kurriz!
‘Dale se s’e bën vet ajo’ po s’i mbolle pjergulla në rrëzë, o’!
‘Armiqtë thonë: të bëftë shkoza’!
‘S’i njoh ata’!
‘I njeh ti, i njeh’!
E bam kopaçja!
‘Trego sa diversantë ke pritur e ke përcjellë, në stan’?
‘Unë drivesantë, o’!?
‘Po ore, ti’!
‘S ua kam parë surranë si e kanë, o’!
‘Mbase s’ua ke parë surratin, po bukë dhe jatakë u ke dhënë! Ke qenë edhe në Greqi ti’?
‘Jo për Perëndi’!
‘Po tufën e dhenve, kush e ktheu qe andej’?
‘Unë, o’!
‘Ja, paske qenë’!
‘Partia më dha dekuratë, o’!
‘Do të japim edhe një dekoratë’ pas kresë’!
‘Pse ç’kam bërë, o’?
‘Ke tradhtuar Atdheun dhe ke bërë diversion!
‘Unë drivension, o’!?
‘Ti! U takove me grekët, të dhanë një matara me radio marrëse- dhënëse brenda, të dhanë edhe një ‘Papastrato’, plot me dollarë!
‘Ja Abas Ali, ata më ndihmuan të ktheja kopenë, o’!
‘Mbasi të rekrutuan dhe të instruktuan mirë e mirë’!
‘Llafe, llafe Zejnullahi, o’!
Kopaçen e shkozës!
‘Pa trego, ke folur me hoxhën’?
‘Kush s’llafoset me hoxhën në nahijen tën, o’!?
‘Flasin, po s’këndojnë nuska’!
‘Atë bëri edhe me mua, më këndoi nuskat dhe ika’!
‘Ça thonë nuskat’!
‘Ku di të këndoj unë, o’!
‘Di ti, di’!
‘Ja, për atë Allah’ në ditsha! Kopaçen’!
‘Ça shkruanin nuskat’?
‘Ja Abas Ali, unë s’di shqip’!
‘Shqip mbase s’di, po grekçen, turçen dhe arapçen’ i di ujë’!
‘Tobe strafkurullah’!
‘Ëh, a ishte turçe’?
‘Turçe’!
‘E more vesh’!
‘Jo’!
‘Ne t’na e hdhësh ti!? S’e ditke, hë’! Bam kopaçja e shkozës!
‘Edepsezër pa din e pa iman’!
‘Turçe’?
‘Aman ore, s’marr vesh unë, o’!
‘Arapçe’?
‘S’e di’ Allaun shahit’!
‘Të pjekurat, kopaçen në kurriz’!
‘Or, për iza të Zotit’!?
‘Turçe? Arapçe’?
‘Po ku di unë i mjeri, s’kam nxënë gramë, o’!
‘Ama politikë ke bërë’!
‘Ç’pulitikë zeza, o’!
‘Shëno, po nxin Partinë’!
‘U sterrofshi me bojë, ju dhe ata që u çuan të merreni me mua, o’!
‘Axhikaçon e prupagnadë, neni 731’!
Më kishin taksur kurban, o të keqen Likja! Më prunë këtë bazmatanë. ‘Na këndoje’”!
Me akt-akuzën që i kishin përpiluar hetuesit e Degës Punëve të Brendshme Berat, Likja duhet të kish përfunduar në litar.
‘Dhe të më veshën e të më ngjeshën, të më rruan e të më krruan, të më vunë qylafin c zi, të më ujdisën me byzylyqe dhe të më nisën dhëndër te kadiu.
Kur pashë prukurorin, që e kisha pritur në vaktin e luftës me mish e me raki, m’u ngroh xhani.
Por lanet qoftë, kush shpreson te dinsëzët! Se të m’u çua, o të kam rixha, fol e bot, jo armik e’ jo kulak, jo i pandehur e’ jo tinëzar, s’la palavi pa nxjerrë!
T’ju kthyesh edhe unë:
‘Avash o prukuror’ se të kam mbajtur me bukë në vakt të luftës, o’!
‘I pandehur, për ty jam zoti prokuror dhe s’na mbajte ti me bukë, po populli. Buka jote ishte e hidhur’!
‘T’u bëftë farmak, jahrabi! Populli s’kishte për vete, o ditëzi’!
‘Vërtet s’kishte, po atë pakëz e ndau me ne’!
‘Ç’do ndanin, o të ndafsha hallvanë, u nepja unë nga një thes bereqet’ që hanit ju! Populli liridashës e ka zemrën të madhe’!
‘Ju i keni pirë gjakun fukarasë’.
‘Zemrën e kish të madhe’ po qesen bosh, ama! Po të mos u nepnim ne, do i kishin kthyer patkonjtë nga qielli dhe do ishin harruar me vakt, ju dhe ata’!
‘I pandehur’ ke ushqyer dhe strehuar diversantë’!
‘Për ç’drivesantë flet ti, o?’!
‘Ke fshehur në stan Nezir Danushin’?
‘E kam pritur Nezirn, o’!
‘I ke dhënë edhe bukë’?
‘Si s’i paskam dhënë, o’!
‘Ai ishte i arratisur nga burgu i Beratit’!
‘Unë s’kisha punë me burgun, e prita si mik, o’!
‘Ju lutem, mbani shënim shoku kryetar’! – iu kthye kryetarit.
‘Shëno që të kam pritur dhe të kam përcjellë edhe ty, o’!
‘Ndryshon puna ime’.
‘Pse ndryshoka jotja, o’?
‘Unë jam Pushteti, Partia, Qeveria’!
‘S’ishe atë kohë, o! Pastaj unë i kam miqtë njëlloj, i pres, i sajdis, i nderoj dhe i nasqeris me salltanete’!
‘Edhe armiqtë e Partisë e të shokut Enver’!
‘Mos kam pritur grekë e serbë unë, o’?
‘Po, madje ke shkëmbyer edhe unazat me grekët’.
‘Unë, o’!
‘Hyre në Greqi, me sebepin të ktheje kopenë, ata të instruktuan, morën ç’ka deshën, të rikthyen me peshqeshe dhe me gjithë tufën’.
‘Për atë më dekuruat, o’!
‘Bëmë sikur të dekoruam që të zbërthenim. Tani që të zbuluam, do të japim dekoratën e fundit…’!
‘Gënjen, partia më falënderoi dhe me shpërbleu për trimëri dhe mbrojtjen e gjësë së tokut’.
‘Shoku kryetar, vëreje armikun, po bën propagandë edhe në sallën e gjyqit. Ky borgjez me mendime të mykura, hiqet eksiq të fusë në batak edhe të tjerët, po veprimtarinë armiqësore, e ka kryer me ndërgjegje. Nxori mataranë, një paqetë ‘Papastratos’ dhe një grusht nuska, ia rrëfeu miletit si nishan e nënes:
‘Ja materialet propagandistike me të cilat bëri agjitacion armiku i rrezikshëm dhe tinëzar’.
‘U ngjallësh lugat, o bukëshkalë’!
‘Zoti kryetar, po na kërcënon ky biçim, që hiqet naiv pa të keq. Po pas kësaj çehreje, fshihet rrufjani politik, u kamuflua si çoban po është dinak, veprimtarinë armiqësore kundër Partisë dhe shokut Enver e ka nisur që në kohën e luftës’!
‘S’la vend pa ekspozuar trakte, madje në arabisht e turqisht mos ta kuptonin dynjaja’.
‘Unë s’di shqipen, o të shpëlaftë mortja’!
‘Ja tek i keni’! – dhe tundi nuskat majë cikomës. – ‘I kishte varur në derën e kasolles, në qymezin e pulave, në qafat e dhenve, të lopës, të pelës, të mëzes, të pjesëtarëve të familjes, gjer në bishtin e gomares dhe kerriçit. Dëshmitare kemi bashkëshorten e të pandehurit, që i pohon me gojën e saj’.
‘Ato janë nuska kundër syrit të lik, o prukuror’!
‘E dëgjuat shoku kryetar? Për ideal, janë trakte kundër-revolucionare, të shkruara nc gjuhë të padeshifrueshme për njerëzit e thjeshtë’.
‘Shyqyr që i paske kuptuar ti, o’! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016