Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e katërmbëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Paraqitja e jashtme ishte tipari dallues i këtij njeriu; nëse femrat se e lëshonin fundin katër gisht nën gju, quheshin të përdala dhe burrat linin basetat nën vesh, kishin humbur vigjilencën revolucionare. Kocka e vogël apo, “koci i partisë”, që bie në drejtëz me qerpikët dhe mbaron ku fillon harkimi i veshit, ishte sinori ideologjik. Neoemërtimi i anatomisë antropologjike komuniste. bënte dallimin mes “homo-socialistus” dhe “homo-kapitalistus-revizionistus”.
Mjerë kush guxonte t’i linte basetat poshtë saj, sepse do përballej me tërbimin e sekretarit të byrosë Partisë, të kryetarit të Frontit Demokratik dhe të Këshillit Popullor, të organizatës së Rinisë, të organizatës së Gruas, të organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare’ dhe në veçanti të njerëzve të Sigurimit të Shtetit, që vigjilonin gjithkah. Pastaj të ndiqte një i vargan fletë-rrufesh, kritikash, autokritikash apo, po të gjenin ndonjë 1 “yçkël” në biografi, të priste burgu.
Vasil Dhimitriadhi, një grek me histori të trishtë, që kaloi njëzet vjet në burgjet politike shqiptare, gjë që s’ka lidhje me temën, u desh të shtynte një muaj e gjysmë izolim, pse kish lënë basetat poshtë “kocit të partisë”! edhe pse i kish dalë një çiban tipikë nën koc.
As qenia nënshtetas grek, rrjedhimisht “imperialist-monarko-fashist”, që s’e detyronte dot të ndiqte modën tonë, domethënë modelin “homo-socialistus”, s’e pengoi Pjetër Kokën, t’i fuste një hu mirditorçe dhe një muaj birucë. Kundërshtisë dhe insinuatës së Vasilit, për mjekrat dhe mustaqet e Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, operativi Fejzi Liço, iu përgjigj me dy javë të tjera birucë, gjersa … iu shërua çibani.
Në mendjet atrofike të udhëheqësve komunistë, u kall leshrafobia, sa edhe në Rinas shpunë berber, për të qethur e rruar “gogoleshët” marksistë-leninistë, që vizitonin Shqipërinë socialiste.
Por në kampe dhe burgje, individë me “kontribute”, përjashtoheshin nga ky rregull dhe gëzonin privilegjin e standardit dyfish, si bie llafi, spiunët shëtitës, për të qenë më të efektshëm në plotësimin e detyrës “patriotike”, duhej të ishin me leshra normal, që t’i lajthisnin viktimat me gjoja, torturat si rishtarë, të sapo arrestuar. Por edhe titullarët e Zyrës Teknike, i linin flokët pak më të gjatë se gjindja, ndonëse me ligj, këtë privilegj e gëzonin vetëm a të sëmurët psikikë, që për shkak të anomalive kronike, i qethnin shtaç.
Shumë pehlivanë lozën të sëmurin, për t’i mbajtur flokët ca centimetër më të gjatë, të tjerë lidhnin aleanca me ofiqarët e Zyrës Teknike, që t’iu dilnin krah, të tjerë ende korruptonin mjekun, deri edhe berberin me ndonjë paketë “Partizani” apo, ndonjë kilogram sheqer. Po shumica përmbushën detyrimin dhe i shihje përherë zero, ndaj ne na quanin: “banda e tullacëve”. Edhe prerja e thonjve, renditej te “të tjerat”.
Për këtë shërbim, duhej të prisje radhën sërish te berberi, për “instrumentin”, që kishte më vete ky shërbim, s’mund të realizohej pa prezencën e policit, në të kundërt të gjente belaja. Sepse po t’i binte në sy komandës që e kishe siguruar me dredhi instrumentin “subversiv”, berberi humbte vendin e punës, ndërsa “përfituesi”, do ta gdhinte natën në qeli dhe të ndihej i lumtur, nëse ia hidhte me aq. Përfundimisht, mbetej të praktikoje këputjen e thonjve me dhëmbë, natyrisht ata që i kishin, sepse dhëmbë-rënëve, iu mbetej t’i krasisnin me sqepar.
Bash për këto shërbime të vogla në dukje, por me rëndësi utilitare, berberi gëzonte status special. Ndaj s’mjaftonte zanati, për të akaparuar atë vend, po lipsej “zotësi” shtesë, për shembull, të kishe dhënë shenja rehabilitimi dhe t’i shpalosje në jetën e përditshme; copë, të ishe spiun.
Kjo dihej ashiqare, por do bindeshim katërcipërisht kur do përfundonte në Spaç Gëzim Gazheli, një ndër berberët më të kërkuar nga rinia e Tiranës ato vite, që i “blatuan” martelin në vend të gërshërëve e briskut, teksa “hundaçi” nallban, që kish qethur veç dhentë e kooperativës në jetën e lirë, do vazhdonte të nasqeriste dyqanin.
Kuvlia e “hundaçit”, ish shndërruar në çerdhe thashethemesh si çdo berberhane, ku s’ngelej gjë pa u thënë e stërthënë, pa u kthyer e rikthyer mbarë e prapë, të mira e të liga, po më shumë se të liga, ai bënte korrierin, i transmetonte zullumet nga brenda jashtë dhe anasjelltas. Çdo mbrëmje paraqitej në komandë me kutinë e veglave, zhvillonte një “bisedë të përzemërt”, me Fejzi Liçon, natyrisht me temë “qethjet speciale” dhe kthehej krenar me hundën lart.
Në “të tjerat”, hynin edhe vizitat në spitalin e Kosovrastit. Por të përfitoje raport nga ai lugat, duhej të ishe me shpirt ndër dhëmbë, i rekomanduar special nga komanda, apo i afërt me rrethin e tij. Ama të mos i hamë hakun, ishte mjek adapt, kur pësova fraktura aksidentale në minierë, më bëri njeri. Sidoqoftë, veç zanatit, njihte edhe ryshfetin, në raste të veçanta edhe miqësinë, si në rastin tim.
Po këtu hynin edhe vizitat te stomatologu. Por me natyrën e qeshur gazmore, Met Karakashi, iu gjendej të gjithëve. Ndonëse edhe te ai do lije ndonjë ryshfet simbolik, rrallë gëzonte të drejtën e raportit, po edhe kur e jepte, s’ia merrnin parasysh, veç rasteve kur dilje nga galeria me nofulla të shkallmuara. Në këtë grup shërbimesh, hynin edhe harxhet në dyqanin e burgut, natyrisht, kush kishte para për të shpenzuar, në të kundërt e shihje me dylbi… edhe pse ishte mes kampit.
Por, para se të shkoje te Nduja, lipsej kupon nga Thanas Theodhoraqi. Po të thoshte s’ka, edhe të disponoje para s’blije dot mall; monedhat barazoheshin me hiçin. Ndaj duhej t’ia “lyeje rrotën” edhe atij. Sa herë neokomunistët ulërijnë për korrupsion të shtuar në shërbime dhe lëvdojnë “epokën e qepës”, mua më fanitet burgu; vështirësitë që kam përjetuar dhe ryshfetin e ofruar, për t’i kapërcyer; që nga kryetari i Zyrës Teknike, brigadierët, berberi hundaç, tellalli i kampit, deri te Kosovrasti, Met Karakashi dhe Thanas kuponaxhiu, madje edhe policët dhe ndonjë oficer qelepirxhi… që të linin thatë po mos t’ua “lyeje rrotën”.
Korrupsioni rrjedh s’i plagë “e artë”, që nga koha social-puniste, ndoshta dhe më lashtë. Sot e vazhdojnë batakçinjtë që rrjedhin gjenetikisht në vijë të drejtë, apo të tërthortë, nga skota rudimentare e dogmës së mbrapshtë ideo-politike. Natyrisht, hajduti bërtet: “kape hajdutin” dhe s’lënë gjë pa përbaltur, qëmtojnë në fëlliqësirat e “kohës së qepës” duke nxirë arritjet e demokracisë.
Por idioma e mikut tim Sherif Allamani: “Ah or bir, u ba dynjaja përshesh, u çuan kambët m’i dhanë mënd kresë, por mesa mund t’bahet rigoni lis, aq mund t’bahet harbuti fis”, iu përshtatet më së miri çapaçulëve, pa din e iman, që krekosen majë tribunave.
Rrugët ishin ndarë, edhe tani janë ndarë! Dita e një të dënuari, mbushej me andrallat më sipër, por dhe me angari të tjera, si kontrollet truporë, apo të beftët në fjetore, që shpesh zgjatnin me orë. Të del mendja të mendosh mundimet që na shkaktonin kur ktheheshim nga tumi i tretë! Na grumbullonin në shtrungë si dhentë dhe na detyronin të prisnim xhumbë, si na kapte momenti, në shi e borë, në llohë e ngrica, s’na lejonin të hidhnim mbi kokë një zhele mushamaje, gjersa na zinte gjumi si kuajt e drobitur, në këmbë.
Sa mbaronin brenda, suleshin jashtë, na kontrollonin deri edhe brekët. Kur kaptoje lesën e shtrungës dhe hyje në fjetore, të mbyste kolla e, të digjnin sytë mes lymit, bykut dhe kashtës, sa bije si kalë i kapitur, nga udhëtimet pa ndalesa. Edhe kur orvateshe të vije një farë rregulli, s’i arrije dot, sepse pa sistemuar jatakun, vërshëllente bilbili për apel. Rendje ruku-përduku, të dilje jashtë, ku rastiste të na mbanin mbi dy-tri orë në diell, nën shi, mbi akull, mbi borë, mes tufanit, si të qëllonte moti, gjersa binim të shkrehur nga pagjumësia dhe gërhitnim te ishim mbi shtrat.
Atëbotë ndërhynin xhahilët me shkopinj gome dhe maja çizmesh: “Çohu or tëj, me kë don m’u tall, surrati jot i çelbun”! Zgjoheshim nga gjumi të mavijosur nga kamxhiku. Kë printe fati të shpëtonte me aq, futej në fjetore dhe ndihej i lumtur, sepse të tjerët e shtynin natën në biruca. Pale kur vinte komisari dhe na mbante edhe dy orë leksione, për demek “sakrificat e pafundme”, që bënte Partia dhe i Madhi për rehabilitimin tonë, por ne ‘mosmirënjohësit’, s’donim t’i vlerësonim dhe kundërshtonim me kokëfortësi mushke.
“Sidoqoftë Partia me shokun Enver, përpiqen me ju eduku, për me ju kthye në rrugën marksist-leniniste, gjersa të baheni të denjë për shoqninë socialiste dhe m’u kthye në gjinin e familjeve të t’rehabilitum…”! pëlliste Shahin Skura, nga maja e tarracës. O turp, o turp! Mbas këtij fjalimi panegjirik që rrekej të na zhyste në labirintet e pakapshme për mendjen tonë “anmike” dhe që zgjaste edhe një orë më shumë, jepej komanda “shpërndahu”!
Ktheheshim në fjetore duke u mbajtur pas njëri-tjetrit. Kur shtriheshim në shtrat, s’na mbylleshin sytë, sepse ulërinte Malua me sa i nxirrte fyçka, thërriste njërin për në biruca, tjetrin për takim, apo shpërndante postën, apo…; dhe lamtumirë o gjumë! Turni i tretë, na gjente pa mbyllur sy dhe pa futur gjë në gojë, por lipsej kapur cikli, të plotësoje normën, të…,të…, etj., etj,… sepse në derën e galerisë, priste Pjetër Koka me tela bari dhe shkop gome, më pas fund-shtylla elektrike dhe në fund, biruca…! O Zot! Asgjë s’kishte ndryshuar nga “MURDALLËKU” i vjetër!
Ishte po ajo rregullore e jetës në burgje, po ajo mizori kriminale, po ato “fishkëllima gjarpërinjsh”, madje më të hidhëta, po ata ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë, që thirrjen “ndal se do të qëlloj” e shqiptonin Pasi kishin shkrehur nja dy batare, ishin po ata qenë pa hundçe, në mos më të përgatiturit e shkollës së qenve; po ata policë me të njëjtat veshje dhe me të njëjtët emra. Ishte më “MURDALLËK” nga “MURDALLËKU”! Telashet s’kishin të sosur, më rehat ndiheshim në vrimat e Hadit, ku na përpinte galera.
Turni i tretë (Terr dhe ferr)
Mbas një jave erdhi dita (më saktë nata) e parë e tumit të tretë.
Turnin e parë e shtyva një farë soj. Gjatë javës njoha terrenin, shokët e grupit dhe hallexhinjtë e tjerë që punonin në atë brigadë dhe i gëzoheshin qenies në atë zonë, ngaqë s’rropateshin në rrugë të largët dhe ndjenin kokën paksa më të sigurt.
Shtatë ditë më mjaftuan të ambientohesha me minierën, trasenë, shinat, pjatinat, kryqëzimet; pikasa tubat, ortitë, fumelat e ajrimit dhe të shpëtimit, ku ishin duçkat dhe xhepat për t’u strehuar në rast rreziku apo, kur notonte tymi i minave, mësova të manovroja vagonin plot dhe bosh, ku duhej të kujdesesha mos të më dilte jashtë shinave apo të kaptonte pjatinat, ku të ulja këmbët pa më zënë në traversa, në ç’pozicion të fusja hurin në rrota për të frenuar dhe ku ta lëshoja azat e të kolovitesha si në karusel.
Tashmë normën e realizonim më lehtë, shtatë-tetë vagonë i nxirrja dhe i fusja edhe pa ndihmën e instruktorit, madje me të njëjtën shpejtësi. Të dielën duhej të pushonim, por na nxorën në punë. “O-u-ah, s’njohin ligj komunistët, bre”, përsëriti refrenin Xhelal beu. Të sëmurë, të dobët e të paushqyer, s’e kapnin dot normën, për pasojë plani s’realizohej dhe “yxhym!” e hanin të gjithë. Në burgje jetësohej më shumë se askund parulla socialiste “Një për të gjithë, të gjithë për një”, në sensin e përmbysur.
“O pllanin, o xhanin”! – gjëmonte Shahin Skura. – “Me normat e Partisë të shokut Enver, s’tallet dot bytha juej e çelbun”! – shtonte e, luante duar e këmbë. – “Ehu-uu-a, sa armiq të ndytë si surrati juej, ka shpartallue Partia jonë syshqiponjë, me në kry Komandantin e lavdishëm, shokun Enver! Të dielën punë, e murrët vesh! Ankesat i bani me shkrim”! – dhe zgërdhihej për elokuencën e përsosur.
Na qitën në gjashtë sabahu. U robtuam gjer në tre, ishim të shkrehur kur kaluam kontrollin në postbllok dhe iu drejtuam kapanonit. “Për sot lëri librat, se edhe pesë sahat na ndajnë nga nëntë e gjysma”! – më këshilloi Arshini dhe iu drejtua fjetores së tij. E gjerba lëtyrën në këmbë dhe u shtriva, por gjumi ish mërguar. Nxora një libër dhe lexova disa faqe, gjersa më mundi gjumi. Gjumë burgu, rrethuar me aureolë telash gjembaçë!
“Ngrihu ce vajti akshami, gjumash! Ce ore, me roje te koka, do ta shtysh burgun”?!
Ky lum fjalësh, m’u bë se vinte nga një altoparlant i fshehur pas tabakëve të pupulitit. Kur më tundën për këmbësh, dy duar, hapa qepallat dhe këqyra rreth e qark. Kur gati u plasa ballazi me Zaken, shqeva sytë si loçka. “Ngrihu bre, ce le nam”! – me hodhi një setër mbi supe.
Shkova në banjë, më pas krodha kokën në currilin e sulinës, kur u ktheva në kapanon, gjeta tasin e supës mbi jatak. S’di ç’dorë e padukshme e kish plasur mbi tabakun e kompensatës, i kish hedhur një fletë thesi çimento dhe qe zhdukur. Gjerba nja dy lugë, po gojën e kisha zeher, duket ma prenë oreksin, ëndrrat e çartura.
Mblodha pecet rreth këmbëve përtymtas, mbatha çizmet dhe ndoqa të tjerët në shesh, por më verboi drita e projektorit që binte pjerrtas nga karakolli. Ngrita sytë për t’i ruajtur, po shikimi ngriu në një vatër qiell, ku më bënë karshillëk ca pikëzime misterioze.
“Oh, o-oh, yjet”, ishin ngurosur si t’i kishin pllakosur me pranga pas kupës qiellore. “Ku je o Zot”! – ajgëtova fshehtësinë, por pikasa terr. – “Lëne Zotin, shpejt n’rresht”, – urdhëroi brigadieri. Kaptova portën me varganin që e kish kapluar terri dhe mora terma shkallët e shtufit, nëpër terr. Barakat e ordinerëve, që përsërisnin përditë: “Ua bëmë varrin armiqve”, i kish përpirë errësira.
“U shofshi, jarabi”, mallkova për forcë zakoni dhe u këmbeva me hijet, (më falni, me punëtorët e turnit të dytë, që i kish rrethuar terri). “Zoti u ruajt dhe dalshi shëndoshë”, uruan, “na i bëni hallall”! ua kthyem dhe humbëm në terr. Morëm racionin e karbitit, mbushëm vagonin me trupa e me terr, u zhytëm në ferr. U shkrydhëm në barkun e malit, ku nisëm ritualin e çdoditshëm; mbushëm dhe shtymë vagonin brenda rropullive, e nxorëm nga ferri në terr dhe te trimosha, e vërvitem sërish në ferr.
Në të gdhirë, po më merreshim mendtë. “Sa do ketë shkuar ora”? – pyeta Arshinin. – “S’e di”! – u shkund nga kotja dhe ma ktheu në mëdyshje. – “Ore, sikur pyete për orën”!? Po llogarisja edhe sa na ndante nga mëngjesi? – “Byrazer, këtu s’ka as orë as mëngjes, i kanë eliminuar të gjitha”! – “Mirë mbrëmjet, po dhe mëngjeset i paskan nakatosur, po me orën ç’kanë”? – “Ç’kanë, thotë?! E kanë burgosur, shoku-u”! – “Ç’punë u prishte ajo”?! – “S’kanë lënë kënd komunistët, pa e shpallur armik të Partisë e të popullit, o teveqel”!
– “Edhe orën”?! – “Orën të parën”! – “Ç’dreqin kanë me të”?! – “Ore, qenke rrotë fare ti! S’e ke dëgjuar mallkimin; ‘t’u preftë oral’? E pra, ajo u kujton vdekjen dhe çastin kur do lenë pushtetin”! – “Me se orientohen vallë”? – “Me mësimet e marksizëm-leninizmit, ngadhënjimtar”!
– “Doja të thosha si nocion”? – “Me diellin e Maos, që lind nga Lindja e Lindjes së largme”! – “Pyeta për kohën si sens, or mik”! – “Kërkoke sens nga komunistët ti?! Këta s’kanë moral, jo më…”! – “Ama të tjerat, i kanë me bollëk”! – “Kanë plumba dhe pranga, nga dy palë për çdo shqiptar! Ama kanë edhe çangë”! – “Nuk po ndihet të bjerë”?! – “Po të gërreu malli, dëgjo pistolën”! – “E kisha fjalën për çangën, i dashur koleg”.
– “Pse ore, s’të dalka kjo zumaja këtu”? – dhe goditi trupin metalik me pëllëmbën si putër ariu. – “Mos ia pafsha bojën! Unë pyeta për orën”! – “Dil numëro yjet”! Pas vagonit dola nga ferri nëntokësor, në terrin mbitokësor. Në grykën e përroit dritat e rrethimit, feksnin si bubureze të largëta, ndërsa në hapësirën qiellore mes një pellgaçeje rrethore qarkuar me tela gjembaçë, yjet shkërbenin ushtat e ngulura në zemrën e burgosur të qiellit.
Sakaq, kreshtën e përskuqi një pllangë mjegull. – “E përgjakën edhe qiellin, o Zot”? – “Ç’po dërdëllit, or mik”? – “Pushkatuan edhe horizontin”! – “Me kë po flet”? – pyeti shkretia. – “Me natën”. – “Hiq siguresën dhe kthe kazanin”!
Lirova grepçin për adet dhe kazani u ep me lëvizje të ngadalësuara, si figurat në filmat multiplikativë dhe gati më mori në humnerë. Rrapëllimat e gurëve mbi llamarinat e trimozhës, më prishën ëndërrimin. – “Jemin”? – thirra kolegun. Jehona humbi në shkreti.
Kisha folur me hijen e shokut që qëndroi të ndihte Arshinin, të ngrinin armaturën. Për inerci, kisha shtyrë vagonin nëpër udhët e ferrit, kisha manovruar ndër pjatina dhe e shkarkova në trimozhë. Më rrahu ajri i freskët dhe më zgjoi.
Në front grumbulluam edhe atë çikë material që kish mbetur rrëzë shkëmbit, por më bllokoi hundët dhe më terri shikimin pluhuri i martelit. Arshini rëndonte me trupin kaban mbi dorezën e hekurt, bash si astronauti që drejton anijen, mes mjegullnajave orbitore. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016