Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e gjashtë
SPAÇI
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“U ulmë në karreklla, ndezëm nga një duhan dhe fol e bot, më premtoi se puna do merrte udhë. Kur u shkëpuç, t’ia mora këngës tërë qejf: ‘O ky burgu i Korçës, me shtatë palë shkallë, bir Riza i nënës, mbyllur në hapsanë! / Kush ta shtron jatakun, kush ta hedh jorganë, bir Riza i nënës, mbyllur në hapsanë! oi-oiii’
/ U sosën kusuret, takova vëllanë, bir Riza i nënës, mbyllur në hapsanë! / Po pret Kamenica me lot e me mall, bir Riza i nënës, mbyllur në hapsanë! oi-oiii, etj’. etj.
Ja mora, ja hodha dhe iso bëra vetë, e t’u kthyeç çakërrqejf në qeli. Polic qëlloi një bashkëfshatar, që njiheshim qysh fëmijë, ishte cazë i mangët nga mendtë, ama nga goja, piperkë. Kur më pa të dalldisur u çudit, por i mësuar me marifete birucash, ma ktheu me këngë:
‘O qyqari Zake, a more kërriç, bythkën në qeli e mend në Kamenicë. / S’të pjek asnjë saçi dhe asnjë ponicë, se miellin e hidhët, e plasin kapicë, oi-oiii’.
Vërtet isha katandisur si miell i hidhur, më ish hidhëruar gjaku, sa edhe nepërka e shullërit do ngordhte në vend, po të më kafshonte. Kur dëgjoi këngën, ai më mori të lojtur nga fiqiri dhe s’kishte faj, po edhe unë fluturoja mbi re, sepse më ngjalli shpresën, miku i rinisë.
Rridh ditë e rridh gjak, rridh ujë e punë aspak, më la dalldia, më brehu mërzia.
“Si s’u kujtuan miku, ç’kish lënë e thënë dhe hodhi gurë pas kurrizit? m’u bë se më braktisën fare. Por një të diel (siç dëgjova policët, se e kisha humbur davanë), më vunë gjermankat dhe morën shkallaret për në kat të dytë.
“Si shumë po më sajdiskan, duket e paska bitisur punën miku”! – i dhashë dum dhe i hoqa zvarrë policët, që më mbanin për krahësh.
‘Ça heq ce na rrëzove, o mushkë’! – u ankua ai që më këndoi këngën. Pas pesë minutash, a do më këndoç gjene këngën, që më këndove njëditza, kur të më përcjellësh’? – kujtova se isha në prag të lirimit.
‘Do të këndoj këngën e Xhebrailit, o Zake gomari’! – m’u shkreh bashkëfshatari dhe shtoi: – ‘Unë të këndova vetëm njëzë, po ky do të këndoj për tërë jetën’ kuluvallanë’!
S’ja vura veshnë, po çapita pa ditur ku të ndalja.
Këtu o mushkë dhe forcoma kurriznë nashtithi! – dhe trokiti në një derë.
Hyni! – u dëgjua një zë.
Hymë në odë, ku në një tavolinë ishin ulur tre burra. Policët më plasën në një karegllë të betonuar.
‘Tungjatjeta’! – por s’mu përgjigj kush.
‘Dilni jashtë’! – i urdhëruan policët.
“Ja hodha nashtithi”! mezi po prisja momentin e lirimit.
‘Po ç’paske bërë, bre Riza? Po paske qelbur dynjanë, bre Riza! Si të paskam njohur, bre Riza! Paske qenë shpuzë nën hi, bre Zake! Desh na paske djegur, bre Zake! Po nashtithi mbete në dhokan, bre Zake! Dhe s’ke nga ma luan bythkën, bre Zake’!
Shpërthimi më kapi jangllëç, sa m’u bllokua firoma.
‘Të kanë gënjyer qafirët, bre Nevzatkë’! – u rreka të shpjegohesha.
‘Nevzatka i sat’ëme dhe i tyt’eti! Kush ta la Nevzatkën, apo diversantët që ke pritur dhe përcjellë me temena dhe i ke mbajtur me të ngrëna e të pira, me mish e me raki, me arra e me mollçinka? Ata t’i kanë mbushur xhepat me dollarë e dhrahmi dhe ti bëje sikur robtoheshe! I pandehur Riza Kamenica, zbathi breçkat dhe nxirrja hallatet Partisë, po deshe të shpëtosh kaplloqen’! – m’u shkreh i nervozuar.
S’po dija nga ta kapja fillnë.
Vërtet hetuesi më akuzoi për llafe, ama më kishte lehur buçja, ndërsa ky, më ngjiti palavira që as i kisha bërë, as i kisha menduar ndonjëherë.
Provova ta zbusja: – ‘Të kanë mashtruar viranët, o shoku Nevzat! Sepse për atë Allah, s’kam bërë nga këto mysybete që thuaj zotërote’!
‘I pandehur, leri profkat e bjeri drejt të kesh lehtësira, ne i dimë të gjitha’! – më ndërpreu një trashaluq dhe më hodhi ca letra në prehër. ‘Hapi loçkat, lexo të zezën mbi të bardhë! Shto ç’ke për të shtuar dhe vëru firmën, ta mbyllim meselenë’.
Pa iu hedhur sy fletëve, ja ktheva atij që m’i pruri.
‘Unë s’di t’i këndoj, bre’! (dhe s’po gënjeja, kush dinte shkrim në mët tëna?)
‘Di ti, di, se s’t’i shkruam ne ato letrat që u çoje diversantëve’? – m’u shkreh ai i kartave.
‘Ç’diversantë thotë ky, mo Nevzatkë, ce s’po marr vesh gjë prej gjëje’! – iu drejtova mikut.
‘Nevzatka i sat’ëme dhe i tyt’eti! Gjene s’e kupton që akuzohesh si armik i Partisë? Prokurori ta tha shqip, apo do ta kthejmë grekçe’? – dhe më dha të shtymën, sa rashë nga karreglla.
Sakaq m’u kujtua beja e fillimit, se s’do pranoja sikur të ma qethnin mishnë me gërshërë.
Kur një dërdeng më zuri për jake, më shkundi për fytke sa më kërcyen kokërdhokët dhe ulëriu:
‘Ëh mo, e dëgjove? Pa vër firmën dhe trys bythën që këtu’!
‘Dale ce, s’di pe vërteti’! – u mbrojta.
‘Na plasi b..tha se s’ditke ti! Vërë gishtin e thyej qafën në birucë’! – mori nga tavolina një shishe, por i shkau dhe më ngallosi kokë e këmbë me bojë.
‘M’i këndoni ç’thonë ato kartat, bre’!
‘Hyneret e tua, o t’u mbylltë e mendjes’! – m’u kanos Nevzatka.
‘Ç’hynere paskam bërë, bre’?
‘Ato që di tinë’!
‘S’di gjë prej gjëje’! – u mbrojta gjene.
‘Riza, mbylle atë buçe dhe vërë firmën se për ideal… s’do bëjmë llogje me ty’! – m’u kanos miku.
‘S’më kujtohet të kem bërë gjë dhe pikë’! – ia ktheva prerë.
‘Kështu’? ‘Të bëj unë të kujtohet edhe qumështi që ke pirë te jot ëmë’! – nxori nga poshtë tryezës një hu gështenje dhe të më hyri’ ku të ha e’ ku të djeg, bam e bum e, frap e frup, më shtriu në çimento dhe bjer e bum, dhe shtjer e bam.
Kur u lodh ai, e kapi tjetri. S’di sa hunj më thyen në kurriz gjer sa humba ndjenjat…!
Morën nga një burrë, për çdo hane të nahijes, na nxorën në gjyq, na futën nga njëzet e pesë dhe na prunë këtuzë, të çajmë dërrasa me xhahilët e Mirditës!
Kjo është historia e hurit, djalkë”! – e mbylli rrëfimin Zakja.
Kombinacione burgu
Javën e parë e shtyva pushim.
Osmani me Sefedin Junikun, s’di si qullosën një raport te Muhamet Kosovrasti, me të cilin u paraqitëm te Medi Noku.
Për horrllëqet e shefit të zyrës teknike, kisha dëgjuar që në Reps, por shokët e atyshëm, m’i plotësuan dhe isha gati të përballesha.
Mediu ishte finok. Na priti buzagaz, por unë i hodha raportin mbi tavolinë dhe ndoqa Osmanin, kurse Sefedini, u ndal të fliste veçan.
Udhës na kapi dhe na kumtoi “ujdinë”: “Të emëruan nëntokë. Po këtu këto punë janë, or mik! Mydebari, je në zonën e parë, që është më afër se të tjerat”!
“Nga e keqja, më tjetër. Fundja je me miqtë tanë”! – e mbështeti Osmani.
Të njohurit e parë më prezantuan me moshatarët, një pjesë e të cilëve, e dinin emrin pa më hasur. Para se të mbërrija unë, radio-burgu, kishte transmetuar lajmin, kur u përballëm u poqëm si miq të vjetër.
Ditët e “kavaleshincës”, i shfrytëzova për t’u njohur edhe me mësuesit e ardhshëm, që të rinisja studimet, pa humbur kohë.
Ditën që vesha çizmet dhe u nisa për në galeri, Myslimi më shoqëroi dhe më porositi:
“Hap sytë, se e ke së pari minierën. Për shans, je me Jemin Bejkon dhe Arshin Larakun, që e njohin nëntokën. Sidomos Arshini, që gjithë jetën ka punuar minatori” – dhe hoqi udhë. – “Eja të të njoh me ta”!
Miqtë e vjetër vunë në lëvizje miqtë e tyre, që bënë kombinacionin më të volitshëm për momentin, më bashkuan në grup, me dy burra xhananë. Paçka se s’do ta kisha të gjatë, prej tyre fitova eksperiencën e munguar, në punët e nëntokës, po edhe dy miq të mrekullueshëm.
Myslimi ndali pranë stendës së emulacionit, ku priste Nuni, me dy të panjohur.
“Këtë djalin e kanë caktuar me ju! Shkëlqim Abazi nga…”!
“Lëri ceremonitë, o Bishë, e morëm vesh cili është”! – e ndërpreu një kuqal mustaqepërdredhur.
“Arshin Laraku nga Alarupi, dhe Jemin Bejko nga Mokrra” – buzagaz prezantoi veten dhe kolegun. Tjetri, pak më i vjetër, me mustaqet furçë dhe babaxhan, më shtrëngoi dorën, sa gati ma këputi.
“Të qoftë e lehtë miniera, or mik”!
Mbas këtij urimi, që e dëgjoja së pari, u përshëndet me Naunin e Myslimin dhe ndoqëm varganin që zvarritej në monopatin e Kalvarit, me trupin në rrëzomën e thiktë dhe bishtin para këmbëve tona.
Kalova cepin e fjetores dhe u përballa me honin që gremisej nën këmbë, si ndo nja pesëmbëdhjetë metër, përfund humbellës, ku turra gjembaçë ishin kokolepsur me ferra dhe trëndafila të egër, në brigjet kundruall, më pak se dhjetë metër larg, lartoheshin dy karakollë.
Hodha sytë mbi shkurmajë, po shikimi s’arriti të depërtonte në planin shkëmbor. Gryka e rrëkesë që bashkohej me përroin-kolektor, i shëmbëllente një pusi.
“O Zot, ç’vend ideal për t’u arratisur ndonjë natë me shi e furtunë”! – më përpiu kjo ide dhe shtanga në vend.
(S’di ta shpjegoj, telepati, apo ç’dreqin tjetër, mendimi mërgoi nga koka ime në kryet e Myftarit nga Dibra, që ende s’ish arrestuar atëkohë, por pas dy vitesh, do arratisej bash në atë grykë pusi që më joshi.)
“Luaj vendit se u ngule si hu, or burrë”! – më shpoi një zë pas shpine. – “Bukur, po ku ke me shkue”!? U bëra esëll.
Kaptova portën, duke u dridhur nga tuta, mos më kish shpëtuar pa dashje ndonjë llaf, apo më kishin pikasur mendimin, kur gjëmoi polici:
E “nantdhet e shtatë”.
Me idenë e arratisë në “atë vend ideal” dhe “nantdhet e shtatën”, pas shpine, mora monopatin që çante terma, nëpër ca shkallina të gërryera mbi shtufin e kuqërremtë.
Matanë përroit, rreth njëzet metër vijë ajrore, lëvrinin ca të dënuar, para nja dy barakave të ngjashme me tonat, që vështronin vëngër dhe hidhnin romuze:
“Ia bëmë varrin armiqve, që vdekshit në minierë ishalla”!
Ky mallkim më trandi: “Do jenë të sëmurë psikikë qyqarët, që fyejnë bashkëvuajtësit”?! Por më nxori nga topitja kolegu para meje, që iu hodhi një këlbazë dhe iu shfreu: “Mbylleni halenë, o hajdutë imoralë”! – dhe m’u kthye: – “Varu torbën, dava ordinerësh”!
M’u mor fryma nëpër shkallina, po ndala ende pa kapur kreun dhe u ktheva edhe njëherë nga ordinerët, që jepnin e mermin me të tjerët pas nesh, i nëma dhe iu vërtita edhe unë një këlbazë:
“U shofshi lanetër, o kërma të ndyra”!
M’u ndërmend “Golgota” e Repsit, që m’u duk lule, në krahasim abis mbi humnerë. Atje, vërtetë llapashiteshe në llucë e pluhur, po të zinte këmba dyst, kurse këtu, një moment pasigurie, mund të të kthente në ulok. Sendërtova vështrimet e shtrembër të banorëve të qytezës, që as shanin, as fyenin, me këta ordinerët që lehnin si zagarët, po s’kafshonin dot.
Sidoqoftë, refleksioneve do t’ju lë vend, në një kapitull tjetër. Kapëm auto-rrugën, që s’dallonte kund nga simotrat. Ishte rreth pesë metër e gjerë dhe e rrënuar nga pesha e makinave dhjetëra ton, që e kishin amortizuar gjer në shkatërrim.
Në të djathtë, ku monopati bashkohej me udhën kryesore, lartohej një postbllok, me një tra pengues, shtrirë mbi dy tubo të ndryshkura, ku dy policë alternonin njëri tjetrin, teksa nga karakollët krekoseshin ushtarët me mitralozë dhe helmeta mbi krye.
U kthyem në të kundërt, ku kaptuam një mikro-urë mbi rrëkenë që përgjysmonte lugun, dhe pas disa dhjetëra metra, u gjendëm në një lirishte, me madhësinë e një fushe basketi, skaj së cilës qenë ngulur ca Baraka, mbuluar me kartoserë.
Ndoqa udhërrëfyesit në një derë, ku më zgjatën nja dy guralecë të përhimët, me aromë nevojtore, që më sollën zorrët në grykë. Duhma e tyre më neveriti, aq sa i flaka, si të ishin dy copa jashtëqitje.
“Ç’bën or mik, si e flake racionin ditor të karbitit”? – me pëshpëriti shoku në brinjë.
Kur pashë që edhe atij i hodhën dy-tre guralecë të ngjashëm me ata që flaka, por ai i mblodhi me letër dhe i rrasi në xhep, u përkula dhe i mora sërish guralecët, pa ditur si të veproja, gjersa dikush më zgjati një fletë të zhubrosur.
Më tej u përballëm me një tjetër barakë, ku një gjytyrym më zgjati një send metalik, që e shoqëroi me zë gryke: “Kandili”!
“Kandil apo më bënë veshët”?!
Por sendi s’ngjasonte kund me kandilin, të paktën ashtu siç e përfytyroja unë.
Sidoqoftë, e mora dhe ndoqa të tjerët, gjithë sy e veshë, kur u mënjanuan buzë rrëpirës, zbërthyen një stekë me një çengel përkrye dhe palosën një tip doreze, fiksuar në dy kunja, duke e ndarë objektin në dy gjysma, pothuaj të barabarta. Pastaj e shukën pas gurëve apo, në shasinë e vagonit pjesën me dorezë, gjersa u shkëput soje një masë gëlqerore, duhmë e rëndë.
Vura re që askush s’e prishi terezinë, por i hodhën nga një guralecë, bashkuan dy gjysmat, shtrënguan vidën dhe diç bënë, apo e rrahën me çekiç.
I imitova, ndonëse ndeshesha së pari me këtë alet dhe më pas hymë në atë beter barake’ ku me ç’dukej, kishte veshje, sepse gjindja dilnin feresaj të tjetërsuar, kush me një mushama sere treçerekëshe dhe me kapele minatori, tjetri e mbante varur në parakrah, po gjithsesi ndryshe nga ç’ishte më parë. Me teshat që më dhanë, u mënjanova dhe i kalova me radhë: një mushama sere dhe një kapuç kartoni, si biçim meshini, me një rrjetë rripash përbrenda.
Sakaq u gjendëm në grykë-hyrjen e shpellës zezë, ku një mur guri vazhdonte në thellësi me shtylla betoni, ngjeshur njëra pas tjetrës, gjersa humbnin në terr. Tabanin e përshkonte një çift shinash, në njërën anë të të cilave, rridhte një vijë ujë, në tjetrën, një tip trotuari i ngushtë, sa të kalonte një njeri.
Deri në hyrjen e tunelit Arshini ishte me ne, atje se nga humbi pas këndit, nga u kthye pas pak me dy shufra hekuri profil gjashtëkëndësh, që dëgjova t’iu thoshin baromina.
Në sheshin para tunelit, rreshtoheshin nja dhjetë vagoneta me numra, që i ngjasonin karvanit të trenit në miniaturë. Jemini, spostoi pranë një stive trungjesh vagonetën numër katër, veçoi nja gjashtë-shtatë trupa dhe i ngarkuam në kazan. Pastaj u rikthye sërish, se nga nxori nja dy hunj afër një bojë njeriu dhe të trashë sa llëra, m’i zgjati dhe më bëri shenjë, t’i hidhja në vagonetë.
Sa mbaroi me to, iu afrua rrëkesë rrëzë tunelit, nxori nga pas armaturës një kuti konserve, e mbushi me ujë dhe nisi ta kullonte në një birë, nga zhvidhosi më parë një tapë me fileta.
E imitova, por kandili im, çliroi një avull gramë veze të prishur, duhma e të cilit më depërtoi në hundë dhe në gojë, mandej në mushkëri, duke më provokuar një gulfë të vjellash.
“Ç’bën, bre? Ky s’paska plumb”! – m’u hakërrye kolegu dhe më kapi për krahu. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016