Nga Bardhyl Çipi dhe Mariola Çipi
-Historia e panjohur e patriotit të shquar nga Fieri, Spiro Papa, delegat i Kongresit të Lushnjes, në librin “Lumi i vdekur” të Jakov Xoxës!-
Memorie.al / Rreth një vit e sa më parë, botuam një artikull mbi librin “Lumi i vdekur”, të Jakov Xoxës, në të cilin përmenden dhe tregtarët e Fierit, të viteve kur zhvillohen ngjarjet e këtij libri. Për fat të keq ky artikull, nuk është mirëpritur nga disa instanca të vendit tonë, kjo siҫ duket për arsyen se atje ne kemi kritikuar autorin e tij Jakov Xoxa. Për këtë roman, ka studime dhe analiza të shumta, kryesisht lavdëruese. Madje Akademia e Shkencave të Shqipërisë, më shumë se një vit më parë, e nderoi shkrimtarin Jakov Xoxa, duke organizuar disa aktivitete, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij.
Në disa studime letraro-shkencore për rrethin e Fierit, për vitet e ngjarjeve të këtij libri, shënohet se tregtarët kryesorë të Fierit, që autori i jep me pseudonime, kanë qenë vëllezërit Papa. Njëri prej tyre, ishte pikërisht patrioti Spiro Papa, deputet i Fierit në Kongresin e Lushnjes të vitit 1920, që ishte burri i gjyshes tonë, Urania Papa.
Ajo e kishte dashur dhe respektuar atë pa masë, duke i qëndruar besnike gjatë gjithë jetës së saj. Ai merrej me tregti, por në vitin 1947, regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke e konsideruar “borgjez pasanik”, e arrestoi dhe e torturoi egërsisht, deri sa e vrau, vetëm që ai të dorëzonte pasurinë, që mund të kishte fshehur.
Kur ajo vajti për ta parë dhe kur e gjeti atë të vdekur, torturuesit i thanë me përbuzje: “Merre qenin”! Ndërsa i biri, Justini (vëllai i mamasë tonë, Anastasia), kur e pa të atin e vdekur, pas kësaj vrasjeje mizore, pësoi një tronditje të rëndë nervore, që përfundoi me një sëmundje psikike të pashërueshme. Ai jetoi dhe shumë vite të tjera, në Spitalin Psikatrik të Vlorës, ku dhe vdiq në vitin 2000.
Gjyshja jonë Urania Papa (ose ‘Nona’, siç e quanim në familjen tonë), ishte për ne një gjyshe shumë e dhembshur, fisnike, e papërtuar. Ne fëmijët e donim dhe ajo na donte shumë. Në të vërtetë, pas këtyre ngjarjeve tragjike, jeta e Uranisë, pavarësisht se familja jonë i ka qëndruar gjithmonë pranë, ishte shumë e vështirë dhe e trishtuar. Ajo quhej e deklasuar, pa triskë Fronti, me burrin e dënuar me vdekje, nga shteti komunist.
Madje, ky qëndrim përbuzës dhe diskriminues, shfaqej edhe ndaj nesh. P.sh., unë (Mariola), u pushova njëherë nga puna me arsyen, se; “i përkas një familjeje me pasuri të sekuestruar nga pushteti”, gjë që më stresoi pa masë. Kur doli libri “Lumi i vdekur”, në vitet 1960, ne: nipi dhe mbesa e saj (Bardhyli dhe Mariola), filluam t’i lexonim gjyshes pjesë nga ky roman, ku flitej për zonën ku ajo kishte jetuar. Ajo e kuptoi menjëherë nga përshkrimet e Jakov Xoxës në këtë libër, pavarësisht nga pseudonimi i përdorur, që flitej pikërisht për burrin e saj.
Ky fakt e dëshpëronte, sepse në këtë libër, Spiro Papa, shahej dhe deformohej në mënyrë keqdashëse. Si ka mundësi, na pyeste ajo?! Ne e kemi pasur të punësuar Jakov Xoxën, në moshë të re dhe e trajtonim si djalin tonë; dhe ne nuk i thoshim asgjë edhe kur ai na vidhte; dhe ai të bëjë tani këto shpifje të ndyra, për burrin tim.
Edhe sot na kujtohet mallkimi që ajo i bënte Jakov Xoxës, duke psherëtirë: “Mos u bëfsh të bëhesh! Ne të kemi mbajtur me lekë edhe punë, kurse ti na poshtëron kështu…”! Edhe njëra nga vajzat e Spiro Papës, Liri Kisi (Papa), që e takon atë një ditë rastësisht në stacionin e trenit, i thotë më përbuzje: “Si nuk të vjen turp Kovi, për ato që ke shkruar për babanë tim, Përse i ke bëre ato”!? Dhe ai i përgjigjet me mospërfillje: “I shkruajta ato, se kështu ma donte letërsia”.
Po cili ka qenë Spiro Papa?
Nga prindërit tanë, fëmijët e tij si dhe nga shumë njerëz të tjerë që e kishin njohur, kemi dëgjuar se të gjithë ata kishin simpati dhe respekt për Spiro Papën. Ai i donte pamasë fëmijët dhe gruan e tij Uraninë dhe bënte çmos për të mirën e tyre. Ishte me edukatë, shumë i ditur, i dashur, që sillej mirë me çdo njeri: i varfër apo i pasur.
Në dokumentet e ndryshme që kemi parë, rezulton që Spiro Papa, me origjinë nga Voskopoja, studimet e para i mori në gjimnazin e Manastirit, më pas përfundoi Fakultetin e Drejtësisë në Bukuresht. Më vonë ai jetoi disa vite në SHBA, ku bëri studime plotësuese në universitetin Berkli në Kaliforni.
Pasi u kthye në Shqipëri, ai merrej me aktivitet tregtar dhe në vitin 1920, si i pari dhe i vetmi qytetar nga Fieri që kishte mbaruar në mënyrë të plotë studimet e larta universitare, u zgjodh si përfaqësues i Fierit në Kongresin e Lushnjës.
Jeta politike e Spiro Papës, duke filluar që nga Kongresi i Lushnjes, vazhdoi për 12 vjet, deri në vitin 1932: mbështetës i Fan Nolit, senator, etj. Në të vërtetë, sikurse shprehet në shkrimin e tij studiuesi Nuri Plaku; “Njohuritë e thella në studimet e kryera, gjuhët e huaja, të shumta që zotëronte, e bënin atë një përfaqësues të një brezi të ri të shqiptarëve që rrezatonte kulturë perëndimore. Për këtë arsye, ai krijoi një emër të nderuar në radhët e ligjvënësve shqiptarë.
Në diskutimet e tij në parlament, përveç të tjerave, ai doli me propozimin që të ndryshohej kanunorja, pasi ajo që kemi shkakton abuzim mbi kurrizin e bujkut, na lypset me i ba një revizion…! Përveҫ kësaj, ai kërkonte që të hiqej e dhjeta mbi pjergullat e rrushit dhe pemët e tjera frutore…! Duhet rinovuar nyja e kanunores që diskriminon bujkun dhe duhet rinovuar detyrimi për angarinë për fshatarët, etj.”, thoshte ai.
Të gjitha këto qëndrime në parlament, në mbrojtje të fshatarësisë, ai i shfaqte edhe në marrëdhëniet me fshatarët e zonës së Fierit, gjatë aktiviteteve të tij tregtare. Por regjimi komunist, e dënoi atë. Për këtë, studiuesi Nuri Plaku shprehet në këtë mënyrë:
“I duhet bërë një homazh Spiro Papës, i cili dha aq shumë në jetën e brishtë të parlamentarizmit shqiptar dhe përjetoi prej diktaturës, fatin më të kobshëm të një intelektuali, masakrimin e tij fizik dhe anatemimin e emrit të tij nga kujtesa e historisë”.
Vetëm pas rrëzimit të regjimit komunist, ai është rehabilituar, duke u dekoruar nga presidenti i Shqipërisë dhe duke u shpallur “Qytetar Nderi”, i Fierit. Ndërsa për Jakov Xoxën dhe librin e tij “Lumi Vdekur”, që po nderohen sot në mënyrë të pamerituar, një studiues i njohur, (që për etikë nuk po ja përmendim emrin), është shprehur në këtë mënyrë:
“Shkrimtar me nivel të diskutueshëm. Ishte e vështirë ta lexoje ‘Lumin e Vdekur’, pa ta imponuar dikush, për shkak të nivelit artistik mediokër. Përveç kësaj, autori ka bërë personazh negativ, tregtarin Spiro Papa, njeriu që ju gjend afër dhe e punësoi. Mosmirënjohja dhe ‘tradhtia’, karakteristika shumë negative të njeriut, ishin tipare edhe te Jakov Xoxa. Nëse dikush pretendon, se është shkrimtar i madh, le të bëjë një anketë, sesa qytetarë i njohin dhe kanë lexuar grafomanitë e tij”!
Pra, ky shkrimtar lake i regjimit komunist, nëpërmjet shpifjeve ndaj këtij heroi të orientimit Perëndimor të Shqipërisë, dhe i dënuar me të padrejtë, kërkonte në këtë mënyrë, vetëm që të ngjitej sa më lart, në karrierën e tij. Memorie.al
Tiranë, 2 Shtator 2024