Nga Nestor Topençarov
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I KATËRT
Kishin kaluar plot 17 vite dhe ai më kishte harruar.
Unë jo!
– “Si! Nuk të kujtohen personat që ke dënuar”?!
Në këtë çast vura re që u drodh, dhe me një zë të dobët përmendi studentin që kishte kaluar nëpër dorë në ato vite të errëta të diktaturës. Më pas, pasi e mblodhi veten më ftoi në zyrën e tij. Kur hymë më ofroi një cigare, të cilën nuk ia pranova. Refuzova gjithashtu, kur më ftoi të ulem.
Gjatë të gjitha seancave të hetuesisë të tij në ato tre muaj, më kishte mbajtur gjithmonë në këmbë. Filloi të thithte pa pushim cigaren e, të nxirrte një sasi të konsiderueshme tymi, sikur desh të fshihej pas asaj mjegulle. Tani kishim ndërruar rolet. I akuzuari ishte ai. Unë i kisha ngulur sytë dhe vetëm e shihja. Prisja një përgjigje.
Përgjigja erdhi.
Por pendimi jo.
Filloi të justifikohej në lidhje me sjelljen e tij, si dhe për montimin e akuzës; “Kështu na urdhëronin”.
Pyetjes time se çfarë pune bënte tani, iu përgjigj:
– “Avokat”.
– “Avokat”! – thashë i çuditur. – Ti që deri dje dënoje njerëz të pafajshëm, sot paske dalë në mbrojtje të të drejtave”?!
Më pas vazhdova:
– “Shko në kishë dhe falu për gjynahet që ke bërë. Ndoshta zoti mund të të falë”?!
Pas këtyre fjalëve u largova, me mendimin se këta njerëz nuk kërkojnë të falur për të kaluarën e tyre dhe janë të aftë të përfitojnë, në të gjitha situatat politike.
U befasova nga këto realitete.
Samiun, një funksionar të zyrës së punës, njeri i ndershëm, e kishin flakur nga puna!
Ish hetues Ligorit, vegël e vërtetë e diktaturës, i kishin dhënë jo vetëm të drejtën e profesionit të avokatit, por dhe zyrën. Dhe ku thoni ju? Pikërisht në strukturën e gjykatës!
Diku, në vizitat e tjera që bëra te miqtë, takova një zonjë, e cila për shumë vite, kishte qenë e internuar, familjarisht. Me ardhjen e demokracisë, kishte një post të rëndësishëm në organet e pushtetit të qytetit.
Kur dëgjoi për takimin e papritur me ish – hetuesin, më sugjeroi të shkoja te redaktori i gazetës së degës së Partisë Demokratike të Korçës, Petraq Kita, që të shkruante një artikull mbi këtë ngjarje.
Me Petraqin kishim qenë në të njëjtën klasë në gjimnaz. Më kujtohet, hartimet e tij ishin nga më të mirat dhe shpesh lexoheshin në klasë. Që kur mbaruam gjimnazin, nuk ishim takuar. Ai nuk e dinte, se si më kishte rrjedhur jeta. Kur më pa, më përqafoi dhe pasi i shpjegova arsyen, më dëgjoi me vëmendje. Më tha se artikullin, do ta botonte në gazetën ‘Rilindja Demokratike’ në Tiranë.
I tregova, jo vetëm për Ligorin, por edhe për shefin e hetuesisë Reshat Leska dhe hetuesin tjetër, Irakli Koçollari. Jo vetëm për pullat, por kryesisht për armët e antike dhe objektet e tjera prej argjendi, që na kishin marrë. Ku kishin përfunduar?
Muzeu Mesjetar në Korçë, nuk i kishte. Vite më parë, kur isha në burg, nga muzeu ishin interesuar në shtëpinë tonë, në lidhje me koburet e argjendit. Këto objekte me vlerë të madhe, jo vetëm monetare por dhe historike, që i përkisnin zonës, në muzeun e qytetit nuk ishin dhe doja të dija, çfarë fundi kishin pasur…!
Më pas u ktheva në Itali. Vitin e ardhshëm kur shkova në Ohër, mamaja më tregoi një gazetë, që një kushëriri i saj, ia kishte sjellë nga Shqipëria. Aty ishte botuar artikulli me titull: “Vij nga Roma të akuzoj vjedhjen e vlerave të kulturës kombëtare…”!
Shkrimi ishte në gazetën ‘Rilindja Demokratike’ të datës 28.04.1994. Po jap më poshtë një pjesë të këtij artikulli:
….
– “Me Nestor Topençarov, kisha vite pa u parë. Të them të drejtën, mezi e njoha kur më erdhi këto ditë në redaksi dhe më ftoi për një kafe. Dikur ishim bashkë në gjimnazin “Themistokli Gërmënji” të Korçës, në një klasë. Tani, ndonëse familjen e ka në Ohër, vetë banon në Itali, në qytetin e Romës. Dukej i tronditur. Një buzëqeshje e vrarë, i kishte ngrirë në buzë. Sapo ishte ndarë me një nga ish hetuesit e tij, sot avokat. I kishte shkuar në zyrë…”!
PETRAQ KITA
Pas ardhjes së demokracisë, kur motra e ime udhëtonte me tren në Shqipëri, kishte përballe në kabinën e vagonit një fytyrë të njohur. Shpesh rruga e gjatë të bën të këmbesh dy fjalë me personin që ke afër. Gjatë bisedës, kur Ivana mori vesh se ai kishte jetuar në Korçë, e pyeti se ku kishte punuar, pasi i dukej fytyrë e njohur. Menjëherë ai ndërroi bisedë, por Ivana njohu gjykatësin, që më kishte dënuar. Kur i dha të njohur, ai u justifikua me shprehjen: “ishim të detyruar”. Pas kësaj përgjigje, biseda u ndërpre.
Në vitet që vazhduan, iu kushtova familjes dhe punës. Me gruan kaluam gati 24 vite së bashku. Kanë qenë nga vitet më të bukura të jetës sime. Më dhuroi shumë dashuri. Atë dashuri që kisha pasur kaq nevojë, pas asaj jete ferri, që kisha bërë. Bëmë shumë udhëtime. Pamë shtete dhe kontinente të reja, njerëz dhe kultura të ndryshme. Ndërtuam dhe një vilë të bukur. Këtu në Itali, ku jetojmë, kemi disa familje vendase, që na kanë ofruar miqësinë e tyre. Megjithatë na kanë munguar të afërmit, shokët e miqtë në Shqipëri. Tani kam mbetur vetëm, pasi shoqja e ime e jetës, ka 10 muaj që ka ndërruar jetë. Kujtimi i saj, me jep forcë për të shkuar përpara.
EPILOG
Në muajin maj të vitit 2022, arrita në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës. Nga aty, me një taksi u nisa për në Durrës. Gjatë rrugës, në bisedë me shoferin, mora vesh se ai njihte një nga shokët e mi të afërt të fakultetit. Kjo ndihmoi që të takohesha më të dhe me shokë të tjerë.
Ata kishin disa vite që përpiqeshin të më kontaktonin, por pa rezultat. Së fundi, donin të më kërkonin nëpërmjet emisionit “Ka një mesazh për ty”, në kanalin televiziv Klan. Por siç shkoi puna, surprizën iua bëra unë. Kalova disa ditë të bukura me ta, si në Tiranë, ashtu edhe në Krujë. Një shok tjetër, sa mori vesh, erdhi menjëherë nga Vlora.
– “Vetëm sa të të përqafoj”, – më tha.
Më emocionuan sjelljet e tyre.
Pasi u çmallëm, bisedat u bënë mbi të rejat e secilit, pa si kishim 46 vite pa u parë. Më pas, dikush më tregoi atë që unë e kisha imagjinuar. Kishin qenë nën presionin e Sigurimit, për t’u bërë dëshmitarët e mi. Më erdhi mirë për këta shokë që përballuan egërsinë e hetuesisë, për të mbrojtur një të vërtetë. Por, nga ana tjetër më erdhi keq, se për shkakun tim, kishin kaluar çaste shumë të vështira.
Nga mesi i muajit tetor, erdha përsëri në Shqipëri. Këtë radhë, veç Tiranës e Durrësit, shkova dhe disa ditë në Korçë. Kisha mjaft vite, që nuk e kisha parë. U çmalla me qytetin dhe takova mjaft shokë e të njohur.
U ktheva në Itali në fund të muajit. Një mbrëmje, duke parë në internet, më tërhoqi vëmendjen një intervistë e drejtuar nga gazetari Blendi Fevziu, në Tv Klan. I ftuar në studio ishte një “historian”, i cili do të fliste si funksiononte Sigurimi. Më tërhoqi vëmendjen kjo temë.
Zotin Fevziu, e kisha parë në disa intervista të mëparshme. Atë që nuk kisha parë që prej 46 vitesh ishte hetuesi im dhe i babait, Irakli Koçollari. Në çast m’u errën sytë. Si në një film, m’u kujtua arrestimi dhe hetuesia, burgu dhe jeta e vështirë pas lirimit, rinia ime e djegur, rininë që askush nuk mundi të ma kthente.
Gjendja m’u rëndua edhe më tepër gjatë ndjekjes së kësaj interviste. Pyetjes të gazetarit, se; sa vite kishte punuar në Sigurim, Koçollari me dinakëri e shmangu, të mos tregonte të vërtetën. Përgjigjej me lojëra fjalësh: “Zbulim-kundër zbulim”.
Për të vazhduar me:
– “Ti e di që unë kam qenë jashtë, dhe në Zbulim”.
Tregonte që kishte punuar në Greqi për 11 vite, që nga viti 1980, dhe nuk përmendte se çfarë kishte bërë përpara këtij viti, hetuesitë ku kishte punuar.
Jo vetëm kaq. Kur u pyet mbi dënimet e padrejta të asaj kohe dhe për arsyen e dënimeve, ai u përgjigj:
-“Përse dënoheshe një njeri, për agjitacion e propaganda”?
Në përgjigjen e tij, ky hetues, ia kalonte përgjegjësinë denoncimeve të njerëzve (dëshmitarëve). U përpoq të injorojë të vërtetën. Nuk tregoi se pjesa më e madhe e këtyre proceseve, ishin programuar dhe dirigjuar nga sistemi dhe që ai kishte qenë pjesë aktive e tij!
Irakli Koçollari me mënyrat çnjerëzore, me gjetjen dhe përgatitjen e dëshmitarëve, kishte luajtur me jetën e një të pafajshmi. Edhe sot, pas gjithë këtyre viteve nuk shpreh shenjën më të vogël të pendimit.
Kur u pyet nga Z. Fevziu:
– “Si mund të kishte agjentë në një Shqipëri të mbyllur, me kontroll e me dhunë? Kush mund ta bënte? Mjaft dënime ishin të sajuara”?!
Koçollari iu kundërvu gazetarit: – “Jo, nuk është kështu! Nuk flitet kështu”! Si duket Irakliu harroi mënyrat që përdorte ndaj nesh, për të kërkuar agjentë, atje ku ata nuk ekzistonin.
Dhe, kur i doli agjenti i vërtetë përpara, u bë mik me të.
Agjenti? E çfarë agjenti!
Kryeagjenti! Majku, përgjegjësi i operacioneve të CIA-s për Shqipërinë.
Çfarë hipokrizie! Për të mos folur më, (pasi më përzihet), për ato që tregoi më tej, në lidhje me këtë argument…!
Falsitetet e tij ishin pa fund…!
Për shefin e hetuesisë, Reshat Leskaj, nuk dëgjova më, asgjë.
Njërin nga hetuesit e mi, Ligor Kondilin, e takova në Korçë para 29 vitesh. Ishte bërë avokat.
Hetuesin tjetër, Irakli Koçollari, e pashë pas 46 vitesh, në një program televiziv. Ishte bërë historian.
Më kujtohet një film italian, që kisha parë në moshë të re. Titullin e kishte; “Nata e gjatë e 43-it”.
Bazohej në një ngjarje të vërtetë.
Ishte periudha e diktaturës fashiste. Veriu i Italisë. Qyteti i Ferrarës. Një natë dhjetori, ishin pushkatuar një grup njerëzish të pafajshëm. Ky operacion i kryer në fshehtësi, bëri që drejtuesi i saj, të humbiste gjurmët.
Disa vite më vonë, kur lufta kishte mbaruar, ky personazh shëtiste nëpër qytet, si njeri i nderuar…!
Historia përsëritet….! Memorie.al
FUND Janar, 2023
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016