Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshmitë e nënkolonelit në pension, Lavdosh Dule, ish-kryeinxhinier dhe nëndrejtori i Institutit të Studimeve Ushtarake, i cili pasi u diplomua në Akademinë e Xhenjos në Moskë në vitin 1959, u kthye në Shqipëri dhe punoi për shumë kohë në projektimin e ndërtimin e disa prej veprave më të mëdha ushtarake, si aeroportet e Rinasit, Kuçovës e Gjadrit, Uzinën e Armëve të Poliçanit, etj. Dëshmitë e tij për konfliktet e ashpra që zhvilloheshin në Këshillin e Mbrojtjes, ndërmjet Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Spiro Kolekës etj., kryesisht për aeroportin e Gjadrit dhe si u ndërpre puna e filluar për ndërtimin e vend-Komandës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, që do ishte një objekti gjigant nëntokësor, për të cilin filloi edhe ndërtimi i një tuneli tre metra i lartë, që do lidhte Pallatin e Brigadave me godinën e Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa vend-strehime që ishin në oborret e shtëpisë së Enverit dhe Mehmetit…?!
Zoti Lavdosh, mund të na flisni për të kaluarën tuaj?
Unë kam lindur në vitin 1928 në qytetin e Vlorës dhe origjina e familjes sonë e cila ka qenë një familje patriote dhe e lidhur tërësisht me luftën, është nga fshati Tragjas. Pas mbarimit të shkollës fillore e asaj unike në Tragjas e Vlorë, unë ndoqa mësimet në Tregtaren e Vlorës, të cilën e ndërpreva se dola partizan në Brigadën e 12 Sulmuese. Menjëherë pas Luftës, u caktova si Sekretar i Rinisë për Mesaplikun e Sevasterin dhe në 1945-ën, shkova në Bashkimin Sovjetik ku studiova për xhenier në Moskë e Leningrad. Pas mbarimit të studimeve në vitin 1948, u ktheva në Shqipëri dhe u emërova si shef i Xhenios në Regjimentin e IV të Gjirokastrës. Në vitin 1949, mora pjesë në luftimet e “Provokacioneve të Gushtit” dhe pasi u plagosa në Kamenik, u transferova në Vlorë ku shërbeva deri në vitin 1952. Në atë vit më transferuan në Tiranë, pranë Byrosë së Projektimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, ku punova deri në vitin 1959, kur shkova përsëri në Bashkimin Sovjetik, për të studiuar pranë Akademisë së Inxhinierisë Ushtarake në Moskë. Me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, unë u ktheva në Tiranë dhe u diplomova në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Që nga viti 1961 e deri në 1975-ën, unë kam punuar në Byronë e Projektimeve e më pas në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Veprave të Mbrojtjes, ku kam shërbyer si kryeinxhinier e nëndrejtor i atij instituti. Gjatë atyre viteve jam marrë me studimin e projektimin e një sërë veprash ushtarake, si aerodromet e Kuçovës, Rinasit, Gjadrit, Uzinën e Armëve të Poliçanit (zonën A nën tokë) etj.
Në cilën nga projektet që keni bërë në atë kohë, keni ndjerë përgjegjësinë më të madhe?
Përgjegjësia ishte njëlloj në të gjitha punët që kemi bërë në atë kohë, por mund të veçoj projektin e vend-komandës qendrore të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në vitin 1967, e cila do të ndërtohej poshtë Pallatit të Brigadave. Ne e bëmë gati atë projekt me ndihmën e kinezëve dhe i gjithë ai objekt, që do të ndërtohej aty nën tokë i ngjante një qyteti të vogël, ku do të jetohej e punohej me të gjitha kushtet e komoditet e nevojshme.
Nisën punimet pas projektit që bëtë?
Në atë vit nisi edhe puna për zbatimin e atij projekti, me ndërtimin e një tuneli prej 3 metrash të lartë, që lidhte Pallatin e Brigadave me Komitetin Qendror e vendstrehimet në vilën e Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. Por pas ndërtimit të tunelit, ai projekt u ndërpre dhe punimet për ndërtimin e vend-komandës qendrore poshtë Pallatit të Brigadave, nuk filluan më.
Pse u ndërpre zbatimi i atij projekti?
Nuk e di, por mundet nga që kushtonte shumë. Por edhe pse unë isha bashkautor i atij projekti, nuk m’u komunikua asgjë, pasi ato gjëra konsideroheshin sekrete shtetërore.
Nga projektet që ju ka nxjerrë më shumë probleme kë kujtoni?
Projekti për aerodromin e Gjadrit, na ka nxjerrë shumë probleme, pasi ish-kryeministri Mehmet Shehu, nuk donte që ai të ndërtohej aty, por në fshatin Hekal të Mallakastrës. Për ndërtimin e aerodromit të ri, që ishte vendosur të bëhej, Mehmet Shehu më kishte thirrur në disa takime dhe më kishte ofruar si variante disa vende, si Shtojin e Shkodrës, Lumalasin e Korçës, Pish-Poron e Vlorës, Cërrikun, Gjirokastrën etj. Pasi unë isha caktuar si kryetar i grupit të punës prej 30 vetash (15 shqiptarë dhe 15 kinezë), në muajin nëntor të vitit 1970, u thirra për të raportuar në Këshillin e Mbrojtjes. Bashkë me mua ishte dhe zv / ministri i Mbrojtjes, Mendu Backa dhe Komandanti i Përgjithshëm i Aviacionit Ushtarak, Edip Ohri. Në atë mbledhje e cila u zhvillua në një nga sallat e Komitetit Qendror të PPSH-së, në mes të tjerash do të vendosej edhe për ndërtimin e aeroportit të ri ushtarak, për të cilin kishte kohë që diskutohej. Kur hymë aty, na priti vetë Enver Hoxha tek dera, duke na takuar të gjithëve me radhë.
Ishit takuar ndonjëherë më parë me Enver Hoxhën?
Me Enverin fillimisht isha takuar që në vitin 1957 në aeroportin e Rinasit, ku kishte ardhur e gjithë Byroja Politike, për të parë uljen e avionit “TU –104”, i cili do të vinte nga Bashkimi Sovjetik, për të marrë Marshallin Zhukov, që ndodhej për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Për të bërë të mundur uljen e atij avioni aq të madh, ne kishim më shumë se një vit, që punonim dhe projektin për zgjerimin e atij aeroporti me pistën e fluturimit prej 2800 m. që ma kishin besuar mua. Me ardhjen e avionit rus “TU –104”, u bë dhe kolaudimi i pistës, gjë për të cilën unë mora falënderimet e rastit nga Enver Hoxha. Por për të qenë më i saktë në pyetjen që më bëtë, desha të theksoj se për herë të pare, Enverin e kam takuar në 1943 kur ai erdhi në fshatin tonë në Tragjas të Vlorës, për të shpartalluar të ashtuquajturin “Grupi fraksionist i Sadik Premtes”. Në atë kohë unë nuk isha më shumë se 15 vjeç dhe teksa po i shikoja me zili një pushkë automatike që Enveri mbante krahaqafë, ai më tha: “Do të vij një ditë që edhe ti do të kesh një pushkë të tillë, pasi do të ja kesh rrëmbyer armikut”.
Kthehemi tek mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes, kush merrte pjesë aty?
Në atë mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes, që isha i thirrur edhe unë përveç Enver Hoxhës, që ishte dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, merrte pjesë dhe kryeministri Mehmet Shehu, Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH, Hysni Kapo (i cili në rrugë partie mbulonte Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme) dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, i cili kishte ardhur në vend të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut, që ishte i sëmurë.
Kush e hapi fillimisht mbledhjen?
Atë si zakonisht e hapi Enveri, i cili tha: “I kemi thirrur këta shokë për të diskutuar për aeroportin, në mënyrë që të bëjmë më të mirin”. Pas fjalëve të para të Enverit, u ngrit Mendu Backa për të raportuar, por Enveri i ndërpreu duke i thënë: “Jo ti Mendu, të na flas Lavdoshi, se ai i ka bërë projektet”. Pas kësaj u ngrita unë dhe raportova të gjitha variantet e mundshme të vendeve ku mund të ndërtohej aeroporti i ri ushtarak, duke përmendur si anët negative ashtu dhe anët pozitive të tyre. Por unë u përqendrova më shumë tek aeroporti i Gjadrit, pasi për ndërtimin e tij, ishim të një mendimi unik edhe me Mendu Backën e Edip Ohrin. Në mbarim të fjalës sime e cila zgjati rreth 20-25 minuta, Enveri tha: “E dëgjuat Lavdoshin, po mirë ta bëjmë Gjadrin”. Sa mbaroi Enveri, ndërhyri menjëherë Mehmeti, duke thënë: “Shoku Enver, ka një problem ndërtimi i atij aerodromi, pasi ai kërkon spostimin e rrugës nacionale Balldre-Bushat prej 25 km, e cila kushton 300 milion lekë (të reja). Pas kësaj ndërhyrje të Mehmetit, Enveri ktheu kokën nga unë dhe tha: “Si është kjo punë Lavdosh, na thuaj”. Unë iu përgjigja: “Po kështu është si thotë shoku kryeministër, vetëm se kjo rrugë nuk kushton 300 milion lekë, por vetëm 62 milion e 500 mijë lekë. Akoma pa mbaruar fjalën unë, Mehmeti ndërhyri përsëri disi i nervozuar, duke thënë: “Shkurt, kjo rrugë kushton 300 milion lekë dhe këtë mua ma ka thënë Ministri i Ndërtimit, shoku Rrahman Hanku, të cilin e kam ngarkuar unë personalisht për të nxjerrë koston e asaj rruge. Rrahmani përveçse ministër, është dhe anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH dhe ai nuk na gënjen”.
Pas atyre fjalëve të Mehmet Shehut, çfarë ndodhi?
Ndërhyra unë përsëri duke thënë: “Shoku Enver, kjo rrugë bën 300 milion e 500 mijë lekë”. Ndërsa Mehmeti tentoi të fliste përsëri, Enver Hoxha e ndërpreu duke i thënë: “Ashtu është si thua ti, Rrahmani nuk na gënjen, këtë e kemi provuar, por as Lavdoshi nuk na gënjen, se Lavdoshin e kemi provuar. Rrahmani nuk e ka bërë vetë projektin e asaj rruge, natyrisht që ai ka ngarkuar një tjetër dhe për atë njeri, nuk e dimë në na gënjen apo jo. Prandaj unë them që të besojmë Lavdoshin dhe jo Rrahmanin, se Lavdoshi e ka bërë vetë atë projekt. Dakord jeni?” Pasi ne ngritëm të gjithë duart duke thënë: dakord, dakord, dhe Mehmet Shehu nuk foli më, mbledhja u mbyll. Ndërsa Enveri ishte duke na përcjellë deri tek dera e duke na takuar të gjithëve, Mehmeti ndërhyri përsëri duke thënë: “Dakord, por 48 hektarë për pistat dhe jo 49”. Unë nuk fola, por ndërhyri Hysni Kapo i cili i tha: “E vendosëm këtë punë njëherë”.
Vetëm Hysni Kapo reagoi pas fjalëve të Mehmetit?
Jo, reagoi dhe Enveri i cili tha: “50 a 55 hektar, nuk ka rëndësi shumë e vendosëm njëherë ketë. Tani nisuni për Kinë dhe mundohuni që të merrni sa më shumë makineri, për ndërtimin e aerodromit të Gjadrit, por jo na linja e Çu En Lait, por nga ajo e Lin Biaos”.
Çfarë donte të thoshte Enveri me ato fjalë, ku ndryshonte linja e Çu En Lait me atë të Lin Biaos?
Kryeministri i Kinës, Çu En Lai, na i jepte ndihmat me kredi, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Lin Biao na i jepte ato falas.
Si ju pritën në Kinë, ua dhanë kinezët ato materiale që kërkonit ju për aerodromin e Gjadrit?
Na pritën shumë mirë dhe për delegacionin tonë që kryesohej nga Mendu Backa, ata kishin rezervuar hotel “Pekini”-in. Po ashtu për delegacionin tonë kinezët vunë në dispozicion një avion të posaçëm me të cilin ne shëtitëm për rreth 2 muaj në shumë qytete e vende të tjera, ku ndodheshin objekte të ndryshme ushtarake që na interesonin. Në fund të vizitës sonë, ne na priti edhe Çu En Lai, i cili në mes të tjerash na tha: “Ne do t’u ndihmojmë pasi ju jeni në ballë të luftës, por mundësitë tona këto janë. Na falni se nuk ua plotësojmë dot të gjitha, por edhe këtu po lufton Vietnami, që do shumë ndihma”. Faktikisht ne kërkonim shumë ndihma dhe në marrëveshjet që nënshkruam me palën kineze, ata nuk morën përsipër për të na i plotësuar të gjitha. Pas vizitës në Kinë ne u kthyem në Shqipëri duke vazhduar punën tonë me projektimet.
Sa kohë punuat në Institutin e Studimit e Projektimit të Veprave të Mbrojtjes?
Punova deri në vitin 1975 në institut, ku për shumë kohë shërbeva si kryeinxhinier dhe nëndrejtor, kur më larguan nga andej pas disa rezervave që kisha në lidhje me idenë e tunelizimit e bunkerizimit masiv të Shqipërisë. Këtë ide e kishte hedhur personalisht Enver Hoxha në Plenumin e 12 të Komitetit Qendror të PPSH-së, pas goditjes së grupit të Beqir Ballukut, duke i akuzuar ata se e kishin lënë vendin pa fortifikimet e nevojshme. Tezën e tunelizimit e fortifikimit të Shqipërisë. Enveri e kishte hedhur fillimisht nga viti 1973 duke thënë: “Tunelet kanë tre të mira: një, na mbrojnë dy, kursejmë tokën e bukës dhe e treta, ndërtimet në tunele, janë më të lira se mbi tokë”. Por kjo e treta që thoshte Enveri, nuk qëndronte dhe unë në atë kohë shfaqa rezervat e mija.
Cilat ishin rezervat tuaja në lidhje me idetë që kishte hedhur Enver Hoxha?
Në një konferencë partie në 1975-ën unë e kundërshtova idenë e tunelizimit dhe fortifikimit të vendit, duke thënë se nuk ishte e vërtetë që ndërtimet në tunele ishin më të lira se ato mbi tokë. Kjo gjë që unë e shpreha hapur në atë kohë, bëri bujë të madhe pasi binte ndesh me direktivat e udhëheqjes së lartë. Këtë tezë timen e mbronte dhe Ministria e Ndërtimit e asaj kohe. Pas kësaj, kryeministri Mehmet Shehu na thirri në një takim ballafaques mua e Mendu Backën, ku asistonin dhe Spiro Koleka e Sali Angoni, të cilët si përfaqësues të Ministrisë së Ndërtimit, kishin përgatitur një material ku mbronin tezën se ndërtimet në tunele, ishin më të shtrenjta se mbi tokë. Pasi u njoh me atë material, Mehmeti iu drejtua Spiro Kolekës, duke i thënë: “Është turp e kapitullim që ju dilni me këtë tezë”. Pas kësaj Spiro iu përgjigj: “Unë e kam argumentuar se teza jonë qëndron dhe as turp kam bërë dhe as kam kapitulluar”.
Çfarë tha Mehmet Shehu pas kësaj?
Mehmeti iu drejtua stenografistes duke i thënë: “Shkruaj, kryeministri gaboi, e tërheq shprehjen time”. Pas kësaj, ai filloi të na mbushte mendjen se ne nuk kishim të drejtë.
Mehmet Shehu është vlerësuar si një nga ushtarakët më të zotë që ka pasur Shqipëria, si mund të mos e dinte ai atë gjë!?
Është plotësisht e vërtetë kjo që thoni ju, por Mehmeti nuk lejonte njeri që të prekej toka e bukës. Edhe pse unë isha kundër idesë së tunelizimit të vendit, nuk mund të mos e pranoj faktin se Mehmet Shehu ishte një njeri shumë i zgjuar, shumë i përgatitur dhe një ushtarak shumë i aftë. Ai nuk mund të krahasohej me asnjë njeri nga të gjitha kuadrot e asaj kohe.
Si u mbyll kundërshtimi që i kishit bërë ju idesë së tunelizimit të vendit?
Pasi unë e ngrita atë, në një nga konferencat e Partisë, njëri nga zv / ministrat e Mbrojtjes, më tha: “Ti kërkon të sabotosh tunelizimin e ushtrisë, këtu në këtë dosje i kam të gjitha, do të përgjigjesh”. Unë i thashë se ato i kisha ngritur në organizatën e partisë dhe nuk kisha frikë t’i ngrija përsëri. Kështu në një mbledhje tjetër me Mehmet Shehun, ku u shtrua problemi i vendosjes së bunkerëve në terren, (në të cilën merrnin pjesë dhe Alfred Moisiu, Mendu Backa e Abedin Galanxhi) unë indirekt kundërshtova idenë e tunelizimit. Pas kundërshtimit tim, Mehmet Shehu më tha: “Ti nuk ke partishmëri, ti harron që ne jemi një popull i gatshëm që me sinjalin e parë të partisë ngrihet i tëri përpara armikut”, e vijoi duke bërë moralizime të tjera të kësaj natyre. Unë nuk u ndjeva më, por ato qëndrime që i kisha shprehur hapur, u bënë shkak që të më hiqnin nga detyra e nëndrejtorit të Institutit dhe të më dërgonin si shef Xhenio, në Korpusin e V të Pukës. Aty në atë korpus shërbeva deri në marsin e vitit 1981, kur më transferuan dhe më sollën në Tiranë me detyrën e shefit të Sektorit Ushtarak, pranë Ministrisë Komunale. Në atë detyrë shërbeva deri në vitin 1975 kur më nxorën në pension./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016