Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al / “Kur mendoni për përvoja të mahnitshme të verës, mendja juaj mund të shkojë menjëherë te prodhuesit ‘Cabernet’ të Napa-s, ‘Shtëpitë e Shampanjës’ së Francës ose, ‘Shpellat Portuale’ të Portugalisë. Për ne, ishte në Kantina ‘Binjakët’, në disa rrugë të nxehta dhe me pluhur, diku në një rrugicë të humbur në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Me një sipërfaqe kulmore të prodhimit të verës, prej afërsisht 49.000 hektarësh, gjetja e një kantine për të vizituar nga kudo që të jeni në Shqipëri, nuk duhet të jetë problem – ose kështu menduam. Pasi u zhytëm në kompjuterët tanë, duke u përpjekur të zgjidhnim një vend për të vizituar nga Tirana, ne e patëm këtë detyrë, jo aq të lehtë sa do ta kishim imagjinuar. Ajo që na ra në sy, ishte një punishte vere me asnjë reklamë e, shumë pak foto dhe zero komente, në një faqe interneti, që na dërguan në faqen e turizmit të Shqipërisë”!
Kështu shkruhet në mes të tjerash në fillim të një shkrimi, publikuar në llogarinë e tyre të rrjeteve sociale, nga çifti Matt dhe Megan Clark, dy turistë amerikan të cilët vizituan Kantinën “Binjakët” në Tiranë, plot pesë vite më parë, apo më saktë më 23 korrik të vitit 2019. Po ku ndodhet Kantina “Binjakët”, prej sa kohësh është hapur dhe funksionon ajo, cilat janë disa nga prodhimet e saj dhe çmimet që ajo ka fituar në disa panaire kombëtare në shkallë vendi? Kush janë pronarët e saj, nga vijnë ata dhe si e kanë nisur fillimisht aktivitetin e tyre si tregtarë dhe sipërmarrës? Kush janë frekuentuesit e asaj kantinë, si vlerësohet ajo nga turistët vendas dhe të huaj, apo nga specialistët përkatës, si dhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Vegjël të Verërave të Shqipërisë? Lidhur me këto e të tjera për Kantinën “Binjakët”, na njeh shkrimi në formë reportazhi, që po publikojmë në vijim.
Kantina “Binjakët”, si ato të Toskanës, në Italinë fqinje
Jo më shumë se 300-400 metra nga qendra e Tiranës, në periferi të lagjes së vjetër të kryeqytetit, e njohur ende me emrin e saj të vjetër “Brrakë”, vetëm disa hapa larg, diagonal kryqëzimit të Unazës së madhe me Rrugën “Jordan Misja”, diku në anën e pasme të pallateve që përballë kanë Institutin Arsimor Profesional “Harry Fultz”, syri të zë një instilacion në formë harku, i ngritur afro tre metra nga sipërfaqja e tokës, ku është shkruar; “KANTINA BINJAKËT”. Përball asaj reklame të stilit klasik të punuar me konstruksion metalik e ndërthurur me dru, ku çdo gërmë e emrit të saj (BINJAKËT) qëndron mbi një but vere, ndodhet një shesh i vogël që shërben për parkimin e automjeteve të klientëve që frekuentojnë atë lokal (kantinë-restorant), pronë e vëllezërve binjakë, Tom dhe Zef Bitri, me origjinë nga fshati Fushë-Milot i rrethit të Kurbinit, që e përfshin nën juridiksionin e saj, Bashkia e qytetit të Laçit.
Për të hyrë në atë kantinë-restorant, cila është hapur dhe funksionin normalisht që nga viti 2014, duhet të kalosh nëpër disa shkallë të pjerrëta të një korridori të dekoruar anash me mur tulle, ndërsa sipër me pemë dekorative, të cilat zbresin rreth 25 metra poshtë nën tokë e, përfundojnë tek një portë e madhe në formë harku, me mure guri të latuar, ku dera e saj është e punuar me hekur të rrahur dhe dru të staxhionuar, që të kujton ato të kështjellave mesjetare të princërve shqiptarë, apo mbretërve të vendeve fqinjë të rajonit Ballkanit. Për të hyrë brenda asaj dere e cila qëndron vazhdimisht e mbyllur, duhet që të tërheqësh pak dorezën e një zinxhiri që varet diku lart, anash saj dhe lëshon disa tinguj si të një çange të vogël, apo më saktë, të një kambanoreje kishe në miniaturë. Ai mekanizëm klasik, lajmëron ata që janë brenda, se dikush ka ardhur për të bujtur aty dhe dera hapet menjëherë në mënyrë automatike, ku njëri nga pronarët e kantinës, Toma, ose Zefi, apo dhe të dy bashkë, të urojnë mirëseardhjen, njësoj sikur t’u kesh bujtur si mik i vjetër, në shtëpinë e tyre.
Kantina “BINJAKËT”, punimet së cilës filluan diku nga viti 2009 dhe përfunduan në 2014-ën, kur mbaroi edhe arredimi i plotë dhe u bë inaugurimi i saj, është ndërtuar ‘undergroun’ dhe zë një sipërfaqe prej disa qindra metra katrore. Ajo është ideuar, projektuar, dizenjuar, ndërtuar dhe arreduar nga arkitektë, inxhinierë, specialistë, projektues, mjeshtra dhe artisë të arteve pamore, pjesë e studiove dhe kompanive më të njohura, vendas dhe të huaj, aq sa pa e ekzagjeruar aspak, ajo nuk ka asnjë dallim nga kantinat më të famshme të regjionit të Toskanës në veri të Italinë fqinje, e njohur në mbarë botën, si numri 1, për vreshtat e rrushit dhe gjithashtu prodhimin e verërave. Për ndërtimin, dekorimin dhe arredimin e asaj kantine-restorant, janë përdorur materiale të tilla, si; guri i latuar dhe dekorativ, tulla e kuqe e prerë dhe e pjekur në mënyrë artizanale, qeramika, xhamat, druri dhe dërrasa e stazhionuar, hekuri i rrahur dhe i punuar me ornamente, abazhurët, shandanët, ndriçuesit, etj., etj., duke u gërshetuar dhe ndërthurur krejt natyrshëm me njëra tjetrën.
Po kështu, edhe tablotë me piktura, fotot e ndryshme, kornizat me citate, epitafe apo thënie të ndryshme të njerëzve të shquar, të cilat qëndrojnë të varura në muret e saj, pothuaj në të gjitha ambientet, si dhe objektet e sende të ndryshme që i përkasin një periudhe të hershme, dhjetëra apo qindra vjeçare, të krijojnë përshtypjen, se aty je futur në një muze të artit mesjetar. Në hyrje të kantinës, pra sapo je futur brenda dhe pas teje, porta e madhe mbyllet ngadalë në mënyrë automatike, shfaqen dukshëm tre katër korniza të punuara me shije. Aty janë ekspozuar fotot e të parëve të familjes Bitri, duke filluar nga gjyshi i tyre, Pren Zef Bitri, babaj Dedë Pren Bitri, etj. Lidhur me këtë, Toma me Zefin na shpjegojnë: “Këtyre burrave, pra gjyshit tonë, Prenit, babës, Dedës, etj., u takon të jenë aty në krye të vendit, jo thjeshtë prej gjenezës, pra në shenjë nderimi dhe kujtimi, si bijtë dhe nipërit e tyre që jemi, por edhe për faktin tjetër, atë që ne kemi arritur deri këtu ku jemi sot, e kemi vetëm në sajë të edukatës, kulturës dhe gjithçka tjetër të mirë kemi marrë apo kemi trashëguar prej tyre”.
Po kështu, përballë atyre fotove, ndodhet një pikturë me urën e famshme me harqe mbi lumin Mat, (e njohur ndryshme si “Ura e Zogut”), të cilën Toma me Zefin, e kanë vënë aty si një simbol, që tregon qartë origjinën e familjes së tyre, Milotin, dhe ata krenohen për të. Diku më tej, pasi ke kaluar vendin ku ndodhen disa cisterna metalike dhe fuçi druri (apo, bute dhe kade, siç i quajnë në dialektin e tyre, Jugu i Shqipërisë), të mbushura me verë dhe raki, brenda kantinës-restorant, ndodhet një ambient i veçantë, ku Toma me Zefin, presin miq, shokë, dashamirë, klientë të ndryshëm, vizitorë e turistë, vendas dhe të huaj, të cilët nuk mungojnë gjatë gjithë ditëve të javës, në çdo stinë të vitit. Ai vend, ku shumë mirë mund ta quajmë; “dhoma e oxhakut”, apo “dhoma e pritjes”, është i arreduar e dekoruar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke filluar nga tavolinë e madhe prej druri, (ku rreth saj mund të ulen lirshëm, rreth 20 persona), kolltukët e rëndë prej druri të gdhendur me ornamente e të veshur me lëkurë, e deri tek muret në të katër anët e saj, tek të cilat janë vendosur si në një vitrinë, shishet me prodhimet e verërave dhe rakisë, që kanë një shumëllojshmëri, si nga cilësia, ashtu dhe ambalazhimi i tyre dhe etiketat.
Një vend i veçantë është edhe ai, ku janë të ekspozuara, kupat, çmimet, titujt, certifikatat dhe medaljet që i janë akorduar Kantinës “Binjakët”, që nga viti 2014, kur ajo ka hapur dyert e saj. Duket se është një mision i pamundur, që në në një shkrim reportazh si ky, të mund të përshkruash qoftë dhe shkarazi të gjitha ambientet e brendshme të kësaj kantine-restorant, pasi ai është një labirint i pafund, me kthina, vitrina, korridore, dhoma, tunele, depo, magazina, etj., etj., që për t’i vizituar ato, duhet të të shoqërojnë të zotët e saj, Toma me Zefin, apo dikush tjetër nga stafi i tyre, të cilët gjithashtu nuk e kanë kohën e mundshme në dispozicion, pasi u duhet që të presin e përcjellin, çdo njeri që bujt në atë atë Kantinë, duke u shërbyer sa më mirë atyre.
Nisur nga kjo, por edhe për të mos ua shuar sadopak kuriozitetin atyre që kanë vendosur ta vizitojnë atë kantinë-restorant, bashkangjitur këtij shkrimi-reportazh, po publikojmë disa foto, të cilat pasqyrojnë ambiente të ndryshme të Kantinës “Binjakët”, sa për të krijuar një ide rreth saj. Ndërsa me të gjitha këto, klientët dhe turistët, vendas e të huaj, do kenë mundësinë ta shikojnë vetë, po vazhdojmë t’u tregojmë dhe t’ju njohim me një histori të shkurtër, mbi origjinën e dy pronarëve të saj, pra dy vëllezërve binjakë, (Tomës dhe Zefit), të cilët jo vetëm nga portreti, fiziku dhe paraqitja e jashtme e tyre, pasi ngjajnë si dy pika uji (sa që është shumë e vështirë që t’i dallosh, kush është njëri dhe kush është tjetri), por edhe nga formimi, karakteri, inteligjenca, profesionalizmi e zelli për punë, e gjithçka tjetër që janë të mbrujtura dhe i karakterizojnë ata.
Nga tregtia me “Arançatat” në 1990-ën, te ndërtimtaria, me vila, hotele, pallate dhe “Kantina Binjakët”, e gjitha një histori suksesi
Të lindur dhe rritur në fshatin e tyre të origjinës buzë lumit të Matit, në një familje të madhe me dymbëdhjetë fëmijë (nëntë djem dhe tre vajza), ku babai i tyre, Deda Zef Bitri, një nga burrat e urtë dhe në zë e me emër të madh të asaj zone, detyrohej të punonte e robtohej çdo ditë në punët e bujqësisë, për t’ë siguruar mbijetesën familjes, Toma me Zefin, ishin ndër të parët që në fillimin e vitit 1990, ende pa u shpallur dhe legalizuar ekonomia e tregut e, pa dalë gjithashtu legjislacioni përkatës për aktivitetin privat, filluan të lëvizin, për të gjetur mundësi të tjera jetese. Ndryshe nga pjesa tjetër e familjes, që kishin punuar dhe vazhdonin të ishin pjesë e Kooperativës Bujqësore “Ndoc Deda”, të Fushë-Milotit, Toma me Zefin prej vitesh, i ishin larguar fshatit, duke punuar në ndërmarrje shtetërore, si “Rruga-Ura”, ajo e “Montimeve Industriale”, etj., gjë e cila u kishte krijuar disa mundësi ekonomiko-financiare, e njohje gjithashtu, për të nisur një kapitull të ri në jetën e tyre.
Lidhur me këtë Toma, kujton: “Diku nga fillimi i vitit 1990, pasi kishim bërë biseda të shumta me Zefin, se ka me ja majt, pra me fillu me ble e me shit diçka, (nuk po i them tregti, se është fjalë e madhe), vendosëm dhe shkuam në fshatrat më të largëta të rrethit të Tropojës, nëpër pyje, për me mbledh gështenja dhe me ardh e me i shit në Milot, Laç, e ku të mundnim. Mirëpo, ende pa i hap strajcat që kishim me vete, ku do futshim gështenjat, kuptuam se aty ishte zonë kufitare dhe menjëherë hoqëm dorë nga ajo punë. Palosëm strajcat dhe ikëm nga sytë këmbët, duke u kthy andej nga kishim ardh, se patën frikë se do të na vritshin rojet e kufirit, duke thënë se kan dasht me u arratis. Në mbrëmjen e ditës tjetër kur u kthyem në shtëpi, nuk humbëm më kohë, por vendosëm që të merremi me prodhimin e shitjen e pijes freskuese, apo ‘Arançatat’, siç i thonin shqiptarët në atë kohë. Pasi rregulluam mjetet e domosdoshme për prodhimin e ‘Arançatave’, si; lëndën e parë, shishet, akullin e, karrocat si ato të akulloreve me të cilat do i tregtonim ato, kemi dalë në qytetin e Laçit, ku na rrethonin njerëzit që shtyheshin e ziheshin për të blerë.
Populli na priti shumë mirë, se lokalet shtetërore dhe vete shteti ishte drejt falimentit dhe as ‘Arançatat’, nuk kishte në treg, por policia na kërcënonte e na pengonte, duke na bërë presion, se do të na e i merrnin karrocat e ‘Arançatave’ e do të në fusnin në burg. Por falë dhe popullit të atij qyteti që na inkurajonte, ne nuk u tërhoqëm dhe vazhduam aktivitetin tonë, duke fituar rreth 22 mijë lekë (të vjetra), në ditë, një shumë kolosale dhe e paimagjinueshme për atë kohë, kur siç dihet se, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, e kishte rrogën jo më shumë se 12 mijë lekë (te vjetra) në muaj”, kujton Tom Bitri, se si ai me vëllanë binjak, Zefin, u bënë “dallëndyshet” e para të ekonomisë së tregut, në rrethin e tyre të Kurbinit, që asokohe varej nga Kruja. Kështu “Arançatat”, u bënë; “milioni i parë dollarëve”, i dy vëllezërve binjakë, që edhe sot e kësaj dite banorët e Laçit i kujtojmë me respekt dhe i mbajnë mënd të veshur me xhaketat e bardha, (të hekurosura dhe akull të pastërtia), duke shitur “Arançatat” rrugëve të qytetit, njësoj si ata “homologët” e tyre në qytetin e Tiranës, me ndryshimin e “vogël”, se ata të kryeqytetit, nuk i pengonte shteti, pasi ishin pjesë e Ndërmarrjeve Tregtare të Ushqimit Social.
Me fitimet që ata nxorën nga ai lloj aktiviteti, ku shteti i asaj kohe nuk e lejonte, por as nuk e pengonte dot, por gjithsesi me punë të ndershme dhe me shumë mund e djersë, duke punuar natë e ditë, në fillimet e viteve ’90-të, Toma me Zefin, hapën një kompani ndërtimi, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me vëllezërit e tjerë, disa prej tyre me shkolla të larta dhe mjeshtra e profesionistë të spikatur në zanatet që kishin, gjë e cila duhet thënë se pati po atë sukses, sa edhe “Arançatat”, në vitin 1990. Kështu, që nga ajo kohë e në vazhdim, ata investuan burimet financiare të tyre në ndërtim pallatesh, vilash, lokalesh, hotelesh, etj., dhe sot pas tre dekadash pune me atë kompani, Toma me Zefin, si dhe shtatë vëllezërit e tjerë, kanë secili pronë të tyre; vila rezidenciale e apartamente banimi në qendër të Tiranës (zona e stadiumit “Dinamo”) dhe periferi të saj, (Lagjja “Kombinat”) hotele, lokale dhe apartamente, në disa prej vendeve më të lakmuara në plazhin e Durrësit, Shkëmbin e Kavajës, Gjirin e Lalzit, etj.
Por edhe pse tashmë ata kanë siguruar një farë stabiliteti në ekonomitë dhe punët e tyre, dhe mund të jetojnë të qetë dhe me shumë komoditet bashkë me familjet e tyre buzë detit dhe gjithashtu “të flenë rehat e pa iu dhimbur koka”, me të ardhurat jo të pakta që nxjerrin prej bizneseve të tyre, dy vëllezërit binjakë, Toma me Zefin, i janë përkushtuar pasionit të tyre të parë, por tashmë jo “Arançatave”, por prodhimit e tregtimit të verërave dhe rakisë, me Kantinën e tyre “Binjakët”! Që nga viti 2014, kur e hapën për herë të parë, e deri sot e kësaj dite, Toma me Zefin, janë aty çdo ditë, që nga ora 12 e drekës, dhe deri në orët e vona të natës, duke u shërbyer klientëve të shumtë që e frekuentojnë atë, turistëve vendas dhe të huaj.
Kur e pyesim Tomën dhe Zefin, se si u lindi ideja dhe pse vendosën që të hapnin një kantinë vere në mes të Tiranës dhe duke iu përkushtuar asaj, në një kohë që kishin dhe kanë edhe disa biznese të tjera mjaft fitimprurëse, ata të përgjigjen: “Thjesht vetëm pasioni, pasi ne vijmë nga një vend që e ka pasur traditë të hershme prodhimin e verës e rakisë, siç është Miloti, ku që nga koha e Monarkisë e Mbretit Zog, ka pasur një kantinë shumë të famshme, e cila në periudhën e komunizmit, u transformua në fabrikë alkool, për prodhimin e verës dhe rakisë. Pra ne synojmë që të vazhdojmë një traditë që e ka pasur zona nga vijmë dhe t’ua trashëgojmë atë fëmijëve tanë, duke lënë një gjurmë, që ajo mos të humbasë”. Gjatë bisedës sonë, kur me mjaft takt e pyesim Tomën, se; cila është e veçanta e kësaj kantine, nga kantinat e tjera, me humorin e hollë dhe gjithashtu modestinë që e karakterizon, ai na përgjigjet:
“E prisja këtë pyetja, pasi ma kanë bërë shumë vetë, që kanë ardhur këtu, e sidomos kolegë tuaj, të shtypit e televizioneve. E veçanta e kësaj kantine nga të tjerat, është se kur vijnë klientët dhe turistët këtu, kryesisht të huajt, habiten, kur shikojnë dy rob, njësoj. Pasi unë dhe Zefi, duke qenë binjakë, siç na shikoni dhe ju, ngjajmë shumë me njëri tjetrin, flasim njëlloj, vishemi njëlloj, aq sa mezi na dallojnë. Ka pasur plot raste, kur turistë, habiteshin kur na shikonin dhe nuk ju besonin syve, pasi i njëjti person i pret te dera, i njëjti i shoqëron për në ambientet e brendshme, i njëjti merr porosinë, i njëjti ua gatuan te kuzhina, i njëjti ua sjell verën dhe mishin në tavolinë, i njëjti ua bën llogarinë dhe ua merr lekët, i njëjti i përcjell, pasi kanë mbetur të kënaqur, duke mos e kuptuar se ne jemi dy veta”, shprehet Toma duke qeshur, dhe shton: “Kjo pra është e veçanta jonë me kantinat e tjera, që ne këtu jemi dy binjakë, pasi çdo gjë tjetër është njëlloj”. Por, përtej humorit fin të Tomës, ka një të vërtetë të madhe, edhe pse ai dhe i vëllai Zefi, prej modestisë që i karakterizon, ngurojnë ta thonë. Është puna e tyre e ndershme dhe plot pasion, gjë për të cilën, flasin specialistët përkatës.
Vlerësimi i Gazmend Shehit, kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Verërave, për “Kantinën “Binjakët” dhe dy vëllezërit Bitri
Msc. Enolog, Gazmend Shehi, i diplomuar para shumë vitesh në degën Agronomi pranë Universitetit Bujqësor në Kamëz dhe i specializuar në disa prej universiteteve më të njohur të rajonit dhe Europës, pronari i “Vila-Kantina-Shehi”, që ndodhet në fshatin Gjokaj-Vorë, (10 km. nga qendra e Tiranës, pas City-Park), i konsideruar nga të gjithë specialistët, si një nga ekspertët më të mirë në Europën Juglindore dhe gjithashtu degustatori më i mirë në shkallë vendi, i cili prej vitesh kryeson edhe Shoqatën Kombëtare të Prodhuesve të Vegjël të Verërave, i pyetur për Kantinën “Binjakët”, dhe produktet e saj, tregon:
“Për Tomën dhe Zefin më kishin folur vite më parë miq dhe kolegë tanët që merren me këtë lloj aktiviteti, por unë i kam takuar për herë të parë në vitin 2021, në një panair për verërat që u organizua në fshatin Nartë të rrethit të Vlorës, e cila quhej ‘Festa e Verës’ dhe që organizohej nga Bashkia e atij qyteti, madje personalisht nga kryetari i asaj kohe, z. Dritan Leli, ku merrnin pjesë prodhues të verërave dhe rakisë, pothuaj nga i gjithë vendi. Kujtoj se në ceremoninë hapëse të asaj feste tradicionale për prodhimin e verërave dhe rakisë, juria përkatës kishte vlerësuar me një çmim special, ‘Kantinën Binjakët’, e cila me sa më kujtohet u prezantua aty me verën ‘Merlot’, ‘Sheshi i bardhë’, ‘Shesh i zi’, dhe raki rrushi ‘Moskat’, raki kumbulle, etj., çmimi që iu dorëzua Tomës dhe Zefit, nga kryetari i Bashkisë së Vlorës së asaj kohe, z. Dritan Leli, i cili pasi iu uroi mirëseardhjen, foli me superlativa për dy vëllezërit, Bitri, duke vlerësuar prodhimet e kantinës së tyre.
Nisur nga emri i mirë që kishte bërë ‘Kantina Binjakët’, fituese e disa çmimeve kombëtare, si në Panairin e Pogradecit, Vlorës, etj., por edhe në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Vegjël të Verërave, që unë kryesoj prej vitesh, për ta anëtarësuar ‘Kantinën Binjakët’ pranë shoqatës sonë, para pak kohësh e vizitova vetë këtë kantinë, duke parë nga afër gjithçka ata kishin bërë aty, që pa e tepruar aspak, më duhet ta pranoj se; ishte një mrekulli. Bashkë me disa miq të mi që më shoqëronin, pasi vizituam të gjitha ambientet e asaj kantine, ku gjithçka ishte në perfeksion, si nga linja e prodhimit me teknologjinë e më moderne, e deri te kompozimi e arredimi i të gjitha ambienteve të saj, degustuam dhe shijuam edhe prodhimet e saj, duke filluar nga disa lloje verërash, rakinë, e deri tek ‘Likeri’, pija e famshme për femra, që në vendin tonë pothuaj është harruar.
Mendoj se ‘çelësi’ i suksesit së dy vëllezërve, Tomës dhe Zefit, në punën e tyre si prodhues të verërave, rakisë, likerit, etj., është në radhë të parë pasioni dhe ndershmëria, duke mos e parë atë gjë thjesht nga ana komerciale, si biznes për tregti e fitime, por shumë më shumë se kaq, duke i dhënë shumë rëndësi, cilësisë dhe vlerës së emrit të produktit të tyre. Dhe tjetra që ka po kaq rëndësi, është fakti se lënda e parë e tyre, pra rrushi, nuk u vjen nga prodhues të ndryshëm, por ata e marrin kryesisht nga vreshtat që kanë në pronën e tokat e tyre në fshatin Fushë-Milot të Kurbinit (apo vende të tjera ku ka varietete rrushi të cilësisë lartë), zonë e cila është shumë e njohur dhe me një traditë të hershme në prodhimin e pijeve alkoolike, si vera dhe rakia, aq sa dhe regjimi komunist i para viteve ’90-të, ka pas ndërtuar aty në qendër të qytezës së Milotit, një fabrikë Alkooli, ku prodhoheshin disa lloj verërash dhe raki gjithashtu. Pra, suksesi i ‘Kantinës Binjakët’, ka një bazë nga vjen dhe kjo është një vlerë e shtuar për prodhuesit e verërave e rakisë, gjë të cilët nuk e kanë dot të gjithë që merren me këtë lloj aktiviteti.
Përveç këtyre që theksova, desha të shtoj se një plus i madh në aktivitetin dhe veprimtarinë e ‘Kantinës Binjakët’, është dhe pozicioni e vendi ku ajo është ndërtuar, pasi në dijeninë time, është e vetmja kantinë brenda qytetit të Tiranës, (madje shumë afër qendër së kryeqytetit), gjë e cila bën të mundur ardhjen e frekuentimin e saj, me turistë vendas dhe të huaj, në çdo stinë të vitit. Po kështu një tjetër gjë e veçantë që ka shumë rëndësi në këtë lloj aktiviteti, e kam fjalën në frekuentimin e madh që ka ‘Kantina Binjakët’ gjatë gjithë vitit, është dhe shërbimi tepër cilësor e mikpritja tepër e veçantë që iu afrojnë turistëve vendas dhe të huaj, dy pronarët e saj Toma me Zefin, të cilët nuk i shikojnë ata thjesht si klientë, por si të ishin miq, që ju vijnë në shtëpinë e tyre. Dhe kjo ka rëndësi shumë të madhe në një biznes si ky, ku ke të bësh në çdo minut, me klientët, që janë baza e suksesit të aktivitetit tënd.
Unë këtë gjë e pashë vetë me sytë e mi, gjatë atyre dy tre orëve që me miqtë e mi, kaluam në shoqërinë e dy vëllezërve binjakë (Tomës dhe Zefit), ku kantina e tyre u frekuentua nga shumë turistë, kryesisht të huaj, të cilët pasi vizitonin ambientet e saj, shijonin kuzhinën e restorantit të saj, me prodhimet bio që u ofronte stafi i asaj kantine, me mjaft korrektesë dhe profesionalizëm të lartë gjithashtu. U ndala pak në frekuentimin e saj, për të bërë një vërejtje, apo më mirë një sugjerim, për Tomën e Zefin, të cilët duhet të aktivizojnë më shumë përkthyes në stafin e tyre, pasi të huajt që vijnë aty, duan edhe shpjegimet e nevojshme, gjë e cila rrit në maksimum kënaqësinë e tyre dhe i bën ata që të kthehen përsëri aty”, e mbyll rrëfimin e tij për ‘Kantinën Binjakët’, Gazmend Shehi, një nga specialistët dhe degustuesit më të mirë të verërave, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon, e më gjerë.
Në fund të bisedës së tij, Gazi na tregon, se; pak ditë më pas, Toma dhe Zefi, ishin të ftuar te biznesi i tij, “Vila-Kantina-Shehi”, në fshatin Gjokaj, duke iu kthyer vizitën, ku si kolegë, shkëmbyen përvojë dhe kaluan disa orë të këndshme nën shoqërinë e miqve të përbashkët. Por për Kantinën “Binjakët”, kanë shkruar e kanë dhënë vlerësimet e tyre në rrjetet sociale dhe në shtyp gjithashtu, edhe mjaft turistë të huaj, që u është dhënë rasti ta vizitojnë atë dhe të shijojnë produktet e saj.
Mbresat e turistëve amerikanë, Megan dhe Matt Clark, nga vizita te Kantina “Binjakët” në Tiranë
Ashtu siç theksuam më sipër, pra faktit që Kantina “Binjakët” në të katër stinët e vitit, frekuentohet shumë edhe nga turistë të huaj, si nga vendet e Lindjes, ashtu dhe ata të Perëndimit, si; polakë, çekë, rumunë, rusë, ukrainas, britanikë, spanjollë, italianë, francezë, etj., prej kohësh ajo është bërë pjesë edhe e guid-toureve turistike, të agjencive të ndryshme që operojnë si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Shumë prej këtyre turistëve, kanë shkruar dhe hedhur në llogaritë e tyre në rrjetet sociale, mbresat nga vizita e tyre në Kantinën “Binjakët”, gjatë vizitës së tyre në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Një prej tyre është dhe çifti Megan dhe Matt Klark, dy të rinj nga SHBA-ës, të cilët në korrikun e vitit 2019, patën rastin të vizitonte atë kantinë dhe pronarët e saj. Shkrimin e tyre, po e publikojmë të plotë në vijim:
“Kur mendoni për përvoja të mahnitshme të verës, mendja juaj mund të shkojë menjëherë te prodhuesit “Cabernet” të Napa-s, “Shtëpitë e Shampanjës” së Francës ose, “Shpellat Portuale” të Portugalisë. Për ne, ishte në Kantina “Binjakët”, në një rrugë të nxehtë dhe me pluhur, diku në një rrugicë të pasme në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Me një sipërfaqe kulmore të prodhimit të verës, prej afërsisht 49.000 hektarësh, gjetja e një kantine për të vizituar nga kudo që të jeni në Shqipëri, nuk duhet të jetë problem – ose kështu menduam. Pasi u zhytëm në kompjuterët tanë, duke u përpjekur të zgjidhnim një vend për të vizituar nga Tirana, ne e patëm këtë detyrë, jo aq të lehtë sa do ta kishim imagjinuar. Ajo që na ra në sy ishte një punishte vere me asnjë reklamë dhe zero komente, shumë pak foto nga një faqe interneti, që na dërguan në faqen e turizmit të Shqipërisë.
Gjithsesi, ne u nisëm duke shpresuar për më të mirën, por ishim të përgatitur të zbulonim se ky vend, mund të mos ishte i hapur dhe madje të mos ekzistonte. Vetëm një javë më parë ishim mashtruar në Durrës. Atje, ne dolëm për të gjetur një Bar – Birre, artizanale që, pas mbërritjes, dukej sikur nuk kishte funksionuar për 6 muaj, ose më shumë. Të vendosur për të pirë verë direkt nga burimi, u nisëm me GPS dhe një enë me ujë në dorë, përgjatë rrugëve të nxehta e me pluhur, që dredha-dredha vazhdonte më tej në një lagje, fare pranë qendrës së kryeqytetit, Tiranë. Pas disa kthesave të tjera dhe që dukej si një udhëtim i pakuptimtë, ja ku ishte: Porta që kishim parë në një nga fotot online, për Kantina “Binjakët”.
Me të mbërritur aty, na priti një zotëri, që më vonë do të na bënte edhe serenata. Ai tërhoqi litarin e madh për t’i rënë ziles së kantinës dhe më pas na futi për të takuar pronarët. Brenda gjetëm dy vëllezër – binjakë – të ulur rreth një tavoline të madhe prej druri me disa miq, duke shijuar drekën e tyre. Duke mos folur asnjë gjuhë të përbashkët mes nesh, na bënë me shenjë të uleshim rreth njërës prej tavolinave në bodrum. Këtu filloi një nga përvojat më të paharrueshme të shijimit të verës që kemi pasur ndonjëherë. Shumë shpejt, gotat dhe enët e verës që u mbushën direkt nga fuçitë dhe tankerët, ranë në tryezë. Pas “turneut tonë”, nëpër labirinthet e asaj kantine-restorant, dy vëllezërit na pyetën, nëse donim diçka për të ngrënë.
Duke mos qenë në gjendje të refuzonim kurrë ushqimin, të dy tundëm kokën; “po”, edhe pse sapo kishim mbushur gojën me “një xhiro” patate të skuqura. Ndërsa njëri vëlla qëndroi me ne, për të pirë verë, tjetri shkoi në kuzhinë. Menduam se do të merrnim pak djathë dhe mish të pjekur, pasi zakonisht do të shërbeheshim në shumicën e kantinave. Megjithatë, ajo që morëm ishte një shumëllojshmëri gatimesh, sikur të ishte një fermë e tërë. Përpara se pjatat të fillonin të grumbulloheshin në tryezën tonë, hundët tona e dinin se diçka e shijshme po shkonte në drejtimin tonë. Barku i derrit, brinjët, viçi, pula, orizi dhe djathi i bardhë e ai kaçkavall, e deri te buka e fshatit, (misri dhe gruri) vazhdonin të shfaqeshin, çdo kafshatë po aq e shijshme, sa e fundit. Më në fund, kur menduam se nuk mund të kishte më, doli ëmbëlsira. Një pjatë e mbushur me briosh ende të ngrohtë nga furra dhe reçel kumbulle të bërë vetë. Megan vazhdoi të pretendonte se; ishte “aq e ngopur”, sa do të kërkonte një pastë tjetër, që pikonte me reçelin e ëmbël. Ne u ulëm me këta burra për orë të tëra, duke shijuar gotë pas gote, verë. Pas disa të parave, kisha filluar të ndjeja se dija shqip, falë përkthimeve dhe ndihmës së Stiv.
Ky i ri, është djali dhe nipi i tyre, me të cilin ne qeshnim dhe qeshnim në telefon, sa herë e kontaktojmë, që nga ajo ditë. Duhet ta kemi thirrur pesëmbëdhjetë herë, për të përkthyer për ne, por ai nuk dukej se u interesua kurrë dhe ndihmoi për të komunikuar ndonjë fjali, apo shaka, që donim të bënim me babin dhe xhajën e tij. Kjo ndoshta, edhe për shkak se në tavolina të tjera, kishte myshterinj, madje si puna jonë, që nuk flisnim të njëjtën gjuhë me vendasit e gjithashtu me dy pronarët e asaj kantine. Sa për verën, nuk mund t’ju them kurrë se çfarë lloj rrushi ishin. E vetmja gjë që di, është se kishte të kuq dhe bardhe kuq nga Shqipëria. Ne kurrë nuk pamë një shishe me etiketë dhe gjithçka që pinim, vinte direkt nga rezervuari ose fuçia. Secili prej tyre, ishte kompleks dhe na shërbeu sikur të ishte kantina me lokalin më të mirë, që mund të kërkonim. Nëse e gjeni veten në Shqipëri dhe dëshironi një përvojë vere, si askush tjetër, provoni Kantina “Binjakët”! Adresa: Rruga “Ramazan Kasa”, “Pallati i Binjakëve”, Nr.34, Bodrumi 18 Tiranë, Albania.
Matt + Megan, 23 korrik 2019
Historia e trishtë e fshatarit nga Fushë-Miloti, që nuk kishte raki për miqtë!
Ndërsa insistojmë të mësojmë diçka më shumë rreth Kantinës “Binjakët”, si dhe planeve e projekteve që dy vëllezërit binjakë kanë për të ardhmen, Tom Bitri, nguron të flasë dhe me shumë takt, e kthen bisedën tek e kaluara e tyre dhe e zonës ku ata kanë lindur dhe janë rritur, duke thënë: “Njeriu nuk duhet të synojë, kërkoj dhe shijojë, më shumë se ç’janë mundësitë e tij. Njeriu duhet të dijë dhe se nga vjen, pra të hedhë sytë edhe nga ajo kohë e largët, ku ka lindur dhe është rritur”, duke na bërë kështu një parantezë, për ato çka do na tregojë në vijim të bisedës sonë me të. Me një inteligjencë dhe zgjuarsi, (tipike e banorëve të zonave prej nga ai rrjedh), një njohës i shkëlqyer i traditave, dokeve dhe zakoneve, por edhe gjithçka tjetër përmbledh historia e shkuar dhe e tashme e vendlindjes së tij, Fushë-Milotit apo, krahinës së Mirditës, (nga është origjina e nënës së tij), si dhe më gjerë, rrethet e Matit, Lezhës, Krujës, etj., (kufijtë e të cilëve bashkohen në një pikë, në fshatin Skuraj), Tom Bitri na tregon një ngjarje të ndodhur në fshatin e tyre Fushë-Milot, në periudhën e komunizmit.
Një histori e trishtë e cila në vet-vete mbart sa tragjiken, ashtu dhe anën komike të saj, aq të ndërthurura këto me njëra tjetrën, sa nuk mund ta ndash, se ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra, pra humori, që i karakterizon banorët e asaj zone, kryesisht Malin e Bardhë, fshati që ndahet me Fushë-Milotin, nga rruga e vjetër nacionale, që tashmë prej vitesh është ri-konstruktuar dhe ju shërben gjithë banorëve të Milotit e fshatrave përreth, për të shkuar në qytetin e Laçit, ku ndodhet dhe Bashkia, prej nga varen ata nga ana administrative. Sipas Tomës, historia në fjalë e cila ka të bëjë me “pijen magjike” të shqiptarit, rakinë, një prej produkteve kryesore që ata prodhojnë e tregtojnë në kantinën e tyre “Binjakët”, është pak a shumë e tillë:
“Disa mirditas, që ishin tuj ba shteg, me dal e me ra n’Tiranë, për një hall që kishin, bujtën për pak kohë te një mik e probatin i tyne në Fushë-Milot, sa me pushu pak e, me marrë veten, për me vazhdu përsëri rrugën e tyne, për ku ishin nis, te stacioni i trenit, n’Milot. I zoti i shtëpisë u ndje shumë ngusht, kur i pa miqt n’derë të shpisë, se nuk kishte me u qit kafe dhe raki, siç e lypte zakoni e tradita e shqiptarit. U ndje ligsht pasi, shtëpia e tyne ishte larg, në fund të katunit dhe koha nuk priste, që ai të dërgonte robt e tij, me dal e me kërku e lyp naj pik raki, ndër komshij, pasi miqt ishin për shpejt dhe nuk do rrinin për drekë.
I gjendur përpara një situate të tillë, pothuaj pa asnjë zgjidhje, për mos me u korit para miqve, i zoti i shtëpisë e mblodhi shpejt e shpejt veten dhe përgatiti rengun: Gotat e rakisë, ai ua mbushi me ujë nga pusi dhe u vuri përpara miqve, bashkë me filxhanët me kafe elbi. I pari i miqve, që ishte ulur në krye të vendit te oxhaku, pasi e vuri dy tre herë në buzë gotën e rakisë, ju drejtua të zotit të shtëpisë: “Or mek, qit rakaj, a e ke të bleme, apo të bame vetë”?! “Jo jo, qe besa, e kam të bleme”, – u përgjigj i zoti i shtëpisë shkurt dhe prerë, pa i ngritur sytë nga ura e zjarmit, me të cilën po i ndizte llullën e duhanit të mbushur plot e përmaje. “Ma mur menja, se qenka e bleme, pranej t’ pejta or mek, se shumë e but m’u duk”, – ja ktheu i pari i miqve mirditas dhe e kthehu me fund gotën e rakisë e, u bë gati me dal, pasi falenderoi të zotin e shtëpisë për mikpritjen.
Kështu mbyllet pak a shumë historia në fjalë, me mirditasit që bujtën te miku i tyre në Fushë-Milot, por diskutimet për të, thuhet se vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, pothuaj në të gjitha fshatrat e asaj zone, duke u përfolur dhe debatuar shumë nëse; miku mirditas, e kuptoi se i zoti i shtëpisë, prej skamjes, u kishte nxjerrë ujë në vënd të rakisë dhe për mos me e korit atë, bëri sikur nuk e kuptoi dhe u shtir se sikur po pinte vërtetë raki, por, pak të butë! Dhe version tjetër; nëse ai, pra miku prej Mirdite, vërtetë nuk e kuptoi se gota kishte ujë dhe ju duk tamam si raki, por pak e butë?! Gjithsesi, kjo histori i përket një kohe të shkuar që nuk përsëritet më dhe Tom Bitri, insiston se; “Më shumë se te fshatari fushë-milotas që e zu rreziku, kur i bujtën miqtë në shtëpi, koria apo, marrja siç i thonë malësorët, bie mbi regjimin komunist të asaj kohe, që i katandisi fshatarët në atë gjendje të mjeruar, sa të mos kishin edhe një pik raki, për mikun që i vinte në shtëpi”!
Teksa bisedës sonë dukej se po e vinte fundi, para se të largoheshim, e pyesim Tomën se; përse ai dhe i vëllai, Zefi, nuk kanë dëshirë dhe mundohen që t’u rrinë sa më larg mediave (gjë të cilën ata na e thanë me takt që në fillim të bisedës sonë), duke refuzuar që të jenë pjesë e ndonjë emisioni televiziv, (pasi kërkesat nuk kanë qenë të pakta), apo të bëjnë reklama për Kantinën “Binjakët” në gazeta dhe televizione, Toma me Zefin na thonë me një gojë: “Reklama, zakonisht bëhet për atë mall apo produkt, që nuk të shitet dhe të mbetet në dyqan”! Memorie.al