Nga Nestor Topençarov
Pjesa e dymbëdhjetë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I TRETË
Duke parë këtë gjendje problematike, që po më bëhej e shpeshtë, shkova tek mjeku i komandës, (që vinte rrallë në kamp, pasi aty kishim mjekun e dënuar, por që nuk i peshonte fjala). Ai pasi ma kontrolloi këmbën e sëmurë, më dha mundësinë të ndërroj profilin dhe të kaloj vagonist në grup. Aty pjesa më e madhe e punës, ishte me krahë. Duhej të mbushje numrin e caktuar të vagonëve me lopatë, por shpesh duhej të përdorje edhe varenë, për të thyer gurët e mëdhenj. Megjithëse këtë lloj pune nuk e kisha bërë, shpejt ia mora dorën. Më caktuan në një grup të fortë, në zonën e dytë, të cilit sapo i ishte liruar nga burgu, një nga vagonistët. Në atë zonë kishte pirit dhe bakër.
Zonat e piritit ishin tmerr. Temperatura mbi 40 gradë. Ajri mungonte. Kush punonte në ato fronte, mbante afër tubin e ajrit. Rroba pune, përdornim nga ato mbathjet e gjata, që na i jepnin si ndërresa të brendshme. Ato laheshin nga djersa. Këto ndërresa (rroba pune), liheshin në një barakë në mal, afër galerisë. Në kohën e dimrit, kur vinim në punë, i gjenim të ngrira. Atëherë mundoheshim t’i zbusnim pak, duke i goditur me bishtin e sqeparit, ose sëpatës dhe i vishnim, ashtu gjysmë të ngrira dhe me vrap hynim në galeri.
Në një moshë të re kam parë filmin francez ‘Zherminal’, bazuar te romani i shkrimtarit Emil Zola. Ky film tregonte jetën e keqe të minatorëve në një minierë në shekullit e XIX-të. Më kishin mbetur në mendje ata njerëz, që punonin në kushte shumë të vështira, me ato fytyra e rroba pune, të ngjyera me të zezë, nga qymyri. Kishte kaluar një shekull, dhe në minierën e Spaçit, shikoje po këta njerëz të ngjyrosur, por këtë radhë nga piriti. Dukeshin si të lyer me varak. Kurse kushtet dhe siguria e punës, ishin më të këqija.
Në këmbë kishim gjithmonë çizme. Jo vetëm në punë por dhe pjesën tjetër të kohës, që ishim në kamp. Opingat prej gome, nuk i mbanim, pasi na bënin plagë në këmbë. Në brigadë kemi pasur një grup dibranësh, njerëz shumë të respektuar, si Beqir Capa dhe Xhemal Spata, me historitë e tyre të dhimbshme. Po ashtu më kujtohet një tjetër dibran, djalë i ri, Xhemal Tota, i cili punonte minator. (Fati e solli që të shihem me të, në një telefonatë me video. Ishte një kënaqësi e madhe për mua ky kontakt, me këtë shok të vuajtjeve. Pas 40 vitesh, pashë po ata sy të shndritshëm, që të transmetonin energji pozitive, në ato kohë të vështira të burgut).
Në këtë brigadë kishim dhe një grup tjetër, me minator Dhimitër Stefa. Ishin të tre me origjinë, bari-shëtitës. Njerëz shumë të mirë dhe punëtorë të mëdhenj. I kujtoj me dashuri dhe respekt, të gjithë këta shokë e miq të halleve. Më kujtohet historia e trishtuar e një bashkëvuajtësi, e një njeriu shumë të respektuar, që punonte në këtë brigadë. Tragjedia e tij kishte filluar shumë vite përpara, pikërisht një natë kur së bashku me prindërit, vëllezërit me familjet e tyre, me gruan dhe vajzën disa muajshe, kishte marrë rrugën e lirisë.
Pasi kaluan kufirin vuri re se gruaja me fëmijën kishin mbetur pas. Kur u kthye për t’i ndihmuar, e kapën forcat e kufirit. I kishin dënuar rëndë. Njëzetedy vite heqje lirie për të dhe 15 vite, për të shoqen. Beben disa muajshe, e morën njerëzit e gruas. Gjatë viteve të burgut, punonte shumë, që të ndihmonte me lekë bashkëshorten, pasi nuk i vinte askush. Veç kësaj, edhe vajzën ia mbajtën larg. Kur pas burgut, e shoqja shkoi në fshatin e saj, familjarët e detyruan të bënte dokumentet e ndarjes me të shoqin. Për këtë njeri, kjo ishte një goditje shumë e rëndë.
Hidhërimin e tij të madh, e mbajti përbrenda. Për pak kohë, ndryshoi në pamjen e jashtme. Dukej shumë më i vjetër. Kishin kaluar disa vite. Një ditë e lajmërojnë, se dikush i kishte ardhur në takim. Ishte habitur pasi kishin kaluar 18 vite, pa i ardhur askush. Prindërit dhe vëllezërit me familjet, ishin në Amerikë. Gruaja e kishte ndarë dhe për njerëzit e saj, ai nuk ekzistonte. Kush mund të ishte?
Me këto mendime arriti sipër te porta e takimit. Aty pa një vajzë të re. Ishte e bija. – “Baba, – i tha. – Tani më ke mua. Kur të mbarosh këto vite që të kanë mbetur, do të jetojmë bashkë”. Kjo kishte qenë dhurata më e bukur që mund t’i bëhej këtij njeriu të mirë, në këto vite të vështira. Gjatë shkrimit të këtij libri, mora vesh që ky shok i vuajtjeve, para disa vitesh, ka ndërruar jetë. I nderuar qoftë kujtimi i tij
Më kishin caktuar në një grup me minator, një djalë nga Udënishti, Muharrem Xhydollari, kurse vagonisti tjetër, ishte Fadil Dema, nga zona e Laçit. Nuk më kujtohet nga sa vagonë për shoq mbushnim, por di që nga ne, kërkohej shumë punë. Kur vija në krevat për të fjetur, mbaja krahët e ngritur përpjetë nga lodhja. Puna ishte me rrezik jete. Zoti më ka shpëtuar për mrekulli, në dy raste.
Bënte vaki që shembja nuk kishte më material dhe për të bërë planin, polici të detyronte të hyje në hapësirë. Nuk kishe asnjë garanci. Nga një çast në tjetrin, mund të shkëputeshin copa shkëmbi, që të zhduknin nga kjo botë. Kishte pasur disa raste me aksidente vdekjeprurëse, mjaft të tjera me dëmtime trupore, por për komandën, nuk kishte problem. Auto-burgjet vinin e shkonin dhe të rinj të tjerë sillnin, që plani të realizohej.
Kishte raste kur dikush refuzonte të rrezikonte. Atëherë polici e lidhte. Shpesh lajmëronte edhe ndonjë polic tjetër të zonës, dhe së bashku, mundoheshin t’ia shtrëngonin hekurat, sa më fort. Shpirtligësia e disa prej tyre, shkonte më tej se shtrëngimi i hekurave. Iu varnin në duart e lidhura me hekura, pesha të rënda, si ingranazhe apo rrota vagoni. Në fund të turnit, vinin dhe përforcime nga kampi dhe viktimën e lidhur, e vinin përpara. Përfundonte në birucë. Ka pasur mjaft raste të tilla.
Një nga ato që lanë shenjë në historinë e Spaçit, ishte rasti i Fatos Lubonjës, që pasi e ri-dënuan, nuk pranoi të punonte në minierë. E kam parë një herë kur me brigadën e punës, ngjiteshim për në galeri. Isha turni i dytë. Në këtë moment po zbrisnin Fatosin, të shoqëruar nga dy policë, që e godisnin dhe e shtynin. Për shumë muaj vazhduan goditjet dhe birucat, por atë djalë, nuk mundën ta mposhtin. Më në fund e transferuan në burgun e Burrelit, bashkë me Spartak Ngjelën.
Ndërsa Fatosin nuk e njoha nga afër, Spartakun po. Unë në atë kohë isha nivelist në zonën e parë. Ai nuk kishte shumë kohë që e kishin transferuar nga Ballshi. E kishin caktuar me punë në sipërfaqe. Megjithëse me kokën e qethur dhe veshjen e burgut, ishte një djalë i hijshëm. Punëtorët e sipërfaqes kishin një barakë, ku disa herë gjatë dimrit, vinim edhe ne nivelistët, për t’u ngrohur.
Të arratiseshe nga Spaçi, nuk ishte gjë e lehtë. Ishin 3-4 rrethime të larta, me tela me gjemba, rreth kampit dhe dy rrethime, në zonën e minierës. Në disa vende ku terreni ishte më problematik, kishte edhe një tjetër përforcim. Në distanca mjaft të afërta, ishin kullat e drurit, me prozhektorë të fuqishëm. Aty, të armatosur me automatikë, bënin roje ushtarët. Kur errësohej, kampi ishte shumë i ndriçuar.
Më kujtohet një vit nga vjeshta e vonë, dy bashkëvuajtës u arratisën nga kampi. Drejtimi dihej, kapërcimi i kufirit. Një natë që ishin turni i tretë, duke përfituar nga terreni i thyer dhe ndriçimi jo i fortë në atë zonë, kishin kaluar nën tela. Pas gati një viti, dy të tjerë u arratisën, duke hapur një galeri pas rrethimit. Këto tentative, kishin përfunduar pa sukses.
Njëri prej këtyre të arratisurve, ishte Ahmet Hoxha. E kisha njohur që në fillim, kur punoja në plan të pjerrët. Ai punonte armator në minierë dhe ndodhte që vinte me të tjerë armatorë, për disa minuta, në barakën tonë për t’u ngrohur. Kishte rënë në burg në moshën 19 vjeç, për arratisje. Në atë kohë kishte bërë 20 vite burg. Ishte 39 vjeç, por gjithë këto vite në ferr, e kishin plakur para kohe.
Kishte për të bërë ende, shumë vite të tjera. Ishte dënuar për arratisje dhe ri-dënuar pasi kishte provuar disa herë të arratisej, por pa sukses. Herën e fundit kur e kapën, e dënuan me vdekje dhe e pushkatuan. I vetmi “faj“ i tij, ishte se donte të jetonte i lirë, në një botë të lirë.
Një herë tjetër, që na kanë mbyllur në kamp, ishte kur rrethimi i minierës, ishte dëmtuar nga shiu i madh. Në këtë rast, na u dha mundësia të çlodheshim. Në Spaç, nuk kishim ditë pushimi. E kishim shumë e vështirë kur ndërroheshin turnet, sidomos kur kaloje nga turni i tretë, në të dytin. Pas një jave të një pune masakruese të natës, për të kaluar në turnin e dytë, të mbeteshin vetëm 3 orë gjumë.
Gjatë një vere të nxehtë, më filloi një dhimbje koke, që sa vinte e bëhej më e fortë. Sikur dikush më godiste me një çekiç, mbrapa koke. Më pas kjo dhimbje më kalonte në tëmthat e më në fund, në ballë. Kjo dhimbje më ndoqi për shumë vite. Ishte pasojë e temperaturave të larta dhe lagështisë në minierë.
e punës na i gërryente acidi, sidomos në zonat e piritit. Edhe uji që pinim, ishte me acid. Në banjat, aty ku derdhej uji nga rubineti, çimentoja ishte bërë e kuqe. Edhe shinat e hekurta të galerisë, i gërryente acidi, kurse ne i rezistuam. Siç duket, paskemi qenë më të fortë se hekuri.
Kur punoja ende nivelist, na sollën një polic tjetër pune. Ishte një djalë i ri, edhe ky mirditor, quhej Gjergj. Një njeri që kishte sjellje korrekte, më të burgosurit. Kur ndodhte që brigadieri i dënuar i ankohej për ndonjë problem pune ose, ndonjë kontradiktë me ndonjë të dënuar, ky e kalonte me pak indiferencë. Siç duket, dikush nga spiunët e brigadës, e kishte raportuar në komandë. Nga ajo ditë, filloi të sillet keq.
Pothuajse në të njëjtën kohë, ai pati probleme me stomakun dhe për këtë e hoqën nga miniera dhe e vunë polic kampi. Kurse mua, për problemin e variçeve, më ndërruan brigadën dhe turnin. Prania e këtij polici, m’u bë shumë e vështirë. Kur ai hynte në kamp, ish brigada e tij e punës, i ngjitej malit, kurse brigada ime, kthehej nga puna. Kur vendoseshim në rresht për të hyrë në mensë, mundohej të më provokonte, sa me shihte që isha pak jashtë radhës, ose nëse bisedoja me dikë.
Në një rast, u vonova në banjë dhe kur u ngjita lart në rresht, më ktheu pas, e më la pa ngrënë. Ndonjëherë ulesha në ndonjë stol, në oborret e brendshme të kampit dhe hapja ndonjë kopsë të xhaketës, ose ngrija pak mëngët, për të më zënë dielli. Kjo me rregulloren e komandës, nuk lejohej. Nuk lejoheshin as ushtrimet fizike, pasi “armiku i klasës, nuk duhej të ishte i kalitur”. Ndodhte të kalonte afër dhe të më drejtohej vetëm mua. Shmanga përplasjen me të.
Mjaftonte një fjalë t’i kundërshtoja dhe do të përfundoja në birucë. Kjo situatë vazhdoi për disa muaj, deri sa një ditë kur isha turni i dytë, më lajmëruan që nuk do të dilja në punë. Ashtu si unë, kishin lajmëruar dhe tre bashkëvuajtës të tjerë, që flinin në të njëjtën fjetore. Ishin të gjithë djem të mirë. Disa javë më parë, kishte ndodhur një rrahje mes disa vetëve, në dhomën ku flija. Morëm vesh që na kishin mbajtur për dëshmitarë. Nuk më erdhi mirë.
Gjatë këtyre viteve, në Degë të Brendshme dhe në Spaç, nuk kishin mundur të më bënin vegël dhe ja tani, pa pritur, po mundoheshin të më implikonin në një proces, që nuk kisha lidhje. Sistemi triumfonte mbi ne, jo kur na dënonte o ri-dënonte, por kur na kthente në spiunë, dëshmitarë, imoralë dhe hajdutë. Kështu si njeri pa dinjitet për ta, kur të liroheshe, nuk përbëje më asnjë rrezik.
Na thanë të ngjiteshim lart. Gjyqi zhvillohej në ndërtesat e komandës, në një nga sallat. Na ndanë në dhoma të veçanta. Pas disa minutave, kaloi përpara dritares, Marash Kumublla, një djalë nga zona e Shkodrës. Atë e kishin lidhur dhe dy policë po e çonin në birucat, që ishin aty afër. Edhe atë e kishin thirrur për dëshmitar. Marashi ishte një njeri i ndershëm e, djalë kapedan. Ishte shok i ngushtë me Tomën, Tomë Ndojën, atë Tomë që vranë në Revoltën e Qafë Barit. Siç dukej, Marashi do të kishte folur ndonjë fjalë më shumë, që gjykatësit nuk i kishte shkuar mirë.
Kur më erdhi radha dhe hyra, pashë sallën që ishte mbushur plot me policë e ushtarë. Këta përbënin publikun. Kur më pyetën në lidhje me ndodhinë, u shpreha i habitur, se mbi çfarë baze më paraqisnin si dëshmitar. Askush nuk më kishte pyetur nëse kisha dijeni për këtë. Në fillim u zunë ngushtë, por për të dalë nga situate, vazhduan të pyesnin, a i njihja këta dy të akuzuar. Ju thashë se ishin nga anët e mia dhe ishin djem punëtorë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016