Nga Nestor Topençarov
Pjesa e njëmbëdhjetë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I TRETË
Në lidhje me këtë temë, më kujtohet ajo që i kishte ndodhur një bashkëvuajtësi tjetër. I kërkojnë të paraqitet në Degën e Brendshme, ku i propozojnë të vihet në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Ai kishte pranuar duke iu bërë një kërkesë provokatore.
Ishte gati të punonte për ta, me një konditë: “ta vishnin” oficer Sigurimi.
Kur ata ia përsëritën kërkesën, përgjigja ishte:
– “Oficer, po. Rrufjan, jo”!
Nuk kaloi shumë kohë dhe Sigurimi ia dha “veshjen”, por jo atë të oficerit të Sigurimit, por atë të burgosurit politik.
Ato dy para që fitoja, më ndihmonin të blija ndonjë ushqim, për të kompensuar atë që na jepnin, pasi për punën e rëndë që bëja, ishte i pamjaftueshëm. Pjesën tjetër, ia dërgoja shtëpisë. Një herë në muaj, hapej dyqani, ku blija vaj, miell, sheqer, kafe dhe kush pinte duhanin edhe paketa me cigare, të cilat shërbenin edhe si mjet këmbimi.
Më vinte për dore për të gatuar. Herë pas here, bëja byrek, të cilin shokët ma pëlqenin. Kishim një ambient, “kuzhinë private” i thonim, ku bashkëvuajtësit mblidheshin në bazë të shoqërisë, ku gatuanin diçka, që e ndanin së bashku. Një gjë që më bëri përshtypje ditët e para kur shkova në Spaç, ishte edhe zierja e kafesë. Dikush më ftoi dhe pasi e përgatiti në xhezve “mishelën”, ndezi një fletë gazete të bërë rrotull dhe kur flaka arriti deri në fund të gazetës, kafeja ishte gati
Në vjeshtën e vitit 1977, pas një viti e gjysmë në hetuesi, babanë e dënojnë për agjitacion e propaganda, me 10 vite burg dhe 5 vite heqje të drejta elektorale. Gjyqin ia bënë me dyer të mbyllura. E para, sepse deshën të evitonin që populli të dëgjonte, ato akuza qesharake që do t’i bëheshin. Opinioni publik, në atë kohë, kishte qenë përgatitur nga Sigurimi, se do të shihte një agjent të rrezikshëm të jugosllavëve. Dhe e dyta, për gjendjen shëndetësore psikofizike, që ata i kishin krijuar.
Kur, pas dënimit, mamaja dhe Ivana shkuan ta takojnë babanë në kangjellat e portës së Degës, ai nuk njihej. Ishte dobësuar. Mezi qëndronte në këmbë. Koka i ishte fryrë dhe deformuar. Kur foli me vështirësi disa fjalë, zëri i dilte ndryshe dhe nuk kuptohej. Kur u ndanë, motra ishte aq e tronditur, sa mendoi që ia kishin ndërruar babanë.
Pas 18 muajve të hetuesisë dhe dënimit të shpejtë, për agjitacion e propagandë, babanë e dërgojnë në kampin e Ballshit. Shëndetin ia kishin shkatërruar, depresioni nuk i jepte mundësinë të përkujdesej për veten. Reshat Leska, Irakli Koçollari dhe shokët e tyre, e kishin kryer mirë detyrën.
Ata hetues i kisha njohur vetë. Kisha provuar në kurrizin tim egërsinë e tyre dhe u ndjeva i poshtëruar edhe një herë, për atë që i kishin bërë babait. Më tregonte motra që, kur vinin për ta takuar në kampin e Ballshit, babai ishte gjithmonë i shoqëruar nga një bashkëvuajtës, i cili e ndihmonte.
Për një kohë të gjatë, e ka ndihmuar një zotëri nga Berati, me origjinë korçare, Spiro Pisha. I jam mirënjohës për gjithë jetën këtij njeriu dhe gjithë të tjerëve, për atë që bënë për babanë tim. Atë që organet kompetente, nuk ma lejuan mua.
Pas një viti në Spaç, iu drejtova Drejtorisë së Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme, për të më dhënë mundësinë, për t’u bashkuar me babanë, në repartin që ata e shikonin të arsyeshëm, në mënyrë që të përkujdesesha për të. Askush nuk e mori mundimin, të më kthente një përgjigje.
Motrës i kisha thënë që, mjaftonte një herë në vit të vinin te mua dhe se nuk kisha nevojë për gjë. Te babai të vinin më shpesh dhe, brenda mundësisë, ta ndihmonin me ushqime, pasi më kishin thënë se në Ballsh, ushqimi ishte shumë i keq. Por edhe për familjen time në Korçë, nuk ishte e lehtë, dhe jo vetëm në aspektin ekonomik.
Drejtori i Pallatit të Kulturës të Korçës, Vangjo Vangjeli, kishte organizuar një mbledhje në lagje, ku propozoi internimin e mamasë dhe motrës. Por këtij qëllimi, nuk ia arriti. Siç duket Sigurimi, nuk kishte në plan internimin, për to. Kështu që iniciativa e këtij njeriu të keq, dështoi. Siç përmenda më lart, në fillim kur shkova në Spaç, nuk njihja njeri.
Më pas u njoha me Tomin. Njëri nga vëllezërit, Foto Proko, kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, për gazetari. Kur u prishën marrëdhëniet me ta, gruaja dhe vajza mbetën në Moskë, kurse Fotua në Tiranë. Më pas e internuan në ishullin e Zvërnecit, afër Vlorës. Ndërmjet të tjerëve, aty kanë qenë edhe shokët e tij, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani.
Këta bashkëvuajtës, siç dihet, më pas u dënuan dhe u sollën në Spaç, ku vite më vonë, diktatura iu rezervoi një fund tragjik. Vuajtjet e së ëmës për këtë djalë të internuar, krijuan te Tomi një urrejtje ndaj tiranit. Jo vetëm kaq. Ai filloi të reagojë. Si fillim, hidhte bojë mbi portretin e madh të diktatorit, ekspozuar në qendër të qytetit.
Më pas shkroi e shpërndau parulla. Këto veprime i bënte në orët e para të mëngjesit. Pas shumë kërkimesh e kishin kapur dhe akuzuar për agjitacion e propagandë. Për këtë ishte dënuar me 10 vite. Ishte i ndërgjegjshëm për atë që kishte bërë. Urrejtja ndaj diktatorit për të, kishte qenë shumë e fortë.
I lirë, Tomi kishte punuar tornitor. Edhe në Spaç, punonte po tornitor. Më tregonte se iu bënte mjaft punime personale në torno, jo vetëm policëve, por edhe oficerëve. Me pak fjalë, ia kishin nevojën. Nëpërmjet tij, munda një herë të takoj për gjysmë ore, në një dhomë takimi, mamanë me Ivanën. Ishte e para dhe e fundit, pasi gjithë takimet e tjera, u bënë në hekurat e portës së jashtme, për vetëm 15 minuta.
Kush punonte, kohën e lirë e kishte të paktë. Puna dhe gjumi, të merrnin pjesën më të madhe të 24 orëve. Më pas, vaktet e ngrënies, apeli, leximi i veprave të Enverit, larja e ndonjë rrobe dhe ndonjë gatim në kuzhinën private. Meqë aty kishim një bibliotekë të vogël, mendova që atë pak kohë që më mbetej, të lexoja ndonjë libër letërsie. Në atë kohë, në këtë bibliotekë si përgjegjës, ishte një minoritar, Grigori.
Mund të kishte ndonjë vit më shumë se unë. I kërkoj një libër për ta marrë me vete. Ai u afrua, më tha të zgjidhja kë të doja, e në këtë moment, zgjati dorën për të më kapur për faqe. Ia largova dorën me forcë, dhe pas një të share të fortë, përplasa derën dhe dola. Ishte hera e parë dhe e fundit që e pashë atë derë. Më vonë mora vesh që ky individ, ishte personifikimi i djallit.
Një ditë, kur u ktheva nga leximi, i thashë Tomit të më zinte një radhë te dushet, deri sa të merrja ndërresat. Kur u ktheva në zonën e dusheve, pashë një grumbull të madh me njerëz. Vura re dikë që po godiste Tomin. Shoku im ishte trupvogël dhe i dobët, megjithatë mundohej të mbrohej. Kur pashë atë skenë të papritur, m’u errën sytë, lëshova rrobat dhe iu vërsula me grushte. Askush nuk ndërhyri. Vetëm dëgjova: – “Bjeri! Bjeri”!
Zdapi u hutua nga e papritura e nga grushtet që hëngri dhe iku me vrap. Në këtë çast, dikush kishte lajmëruar Grigorin, për të cilin ky (Vladimir, Vlladi, “Lenin”, siç i thonin) ishte shoqja e zemrës. Erdhi menjëherë, duke menduar se tani do të hakmerrej, duke më futur në birucë. Por, kur pa Tomin e gjakosur e, duke ditur se ku do t’i përfundonte Vlladi, preferoi të ngjitet në komandë dhe ta mbyllë çështjen. Për ta shtyrë hakmarrjen, në një rast tjetër.
Dhe rasti nuk vonoi të vijë. Ishte paradite. Atë javë isha turni i dytë. Pas apelit, bëhej leximi. Nëpër sallat e leximit, ku përfshiheshin edhe sallat e mensave, veç personave që ishin të ngarkuar për të bërë leximin, ishin dhe brigadierët ose personeli i zyrës teknike. Këta, për të mbajtur qetësi, bënin ndonjë shenjë të vogël, për të ulur zërin kur dikush bisedonte.
Atë ditë në atë sallë rastisi Grigori, i cili sa vuri re se unë po bisedoja me një shokun tim, u ngrit në këmbë dhe urdhëroi lexuesin të ndalonte. Më pas më provokoi, duke më akuzuar si shkaktar i ndërprerjes së orës politike dhe i prishjes së qetësisë. E dërgova në djall, duke e sharë. Ai kaq donte. Menjëherë u ngjit në komandë. Pas dy minutash vjen Dhimua (tellalli) dhe më lajmëron të ngjitem lart.
Te dera e hekurit e komandës, ishte Grigori, kurse në anën tjetër, shefi i Shtabit të repartit. Filloi t’i shpjegojë, që; në bazë të udhëzimeve të komandës, për njohjen e veprave të Enverit, etj., etj.,..ky i dënuar bën zhurmë, duke prishur qetësinë e leximit. Pas kësaj akuze, oficeri urdhëroi “negativin” të largohej. Pasi më pyeti për dënimin dhe arsimin që kisha, urdhëroi policin të më vinte hekurat dhe të më mbyllte në korridorin e birucave.
Si duket nuk kishte vendosur ende çfarë dënimi do të më jepte. Kaluan rreth 3 orë dhe më lirojnë. Më priste polici i punës. Brigadieri i dënuar e kishte vënë në dijeni, të asaj që më kishte ndodhur. Ai ishte i shqetësuar se atë ditë, ishte bërë një shembje në minierë dhe kishte shumë material, për të nxjerrë nga galeria. Meqenëse për ta isha i rëndësishëm, si një nga nivelistët kryesorë, kishin ndërhyrë tek oficeri i rojës.
Polic pune, kishim Mark Tucin. Ai, si pjesa më e madhe e policëve, ishte i egër me atë që nuk arrinte të bënte normën. Kur na rreshtonte para galerisë, motoja e tij ishte: “O planin, o shpirtin”! Kishte të dënuar që nuk e bënin normën, për arsye të ndryshme. Puna ishte shumë e rëndë, edhe për të rinjtë si unë. Mendoni ata më të vjetrit, ose me probleme shëndeti.
Kur mbaronte puna e prisnim sa të mblidheshin të gjithë, përfitoja për t’u ulur në ndonjë gur. Rrugën në ngjitje dhe zbritje e bënim të bashkuar, dorë për dore, si fëmijët e kopshteve. Më kujtohet që shoku im i rrugës, i mjaft viteve, ka qenë një djalë tiranas, i moshës time, Agim Kodra. Ishte dënuar edhe ai për agjitacion e propaganda, me 8 vite burg. E përshëndes, kudo që të jetë.
Dhoma ku flinim, me mbi 50 veta, binte erë të rëndë. Secili i futur si në një këllëf. I mbështjellë me çarçafin dhe batanijen, që palosej nën dyshekun prej kashte. Prej kashte thuhej, por nuk ishte më kashtë. Ishte bërë byk (kashtë e thërrmuar në copa të vogla), që krijonte gunga e ta vriste kurrizin. Sot jam pothuajse 70 vjeç. Fle në një krevat dhe dyshek të vërtetë, dhe kur ngrihem në mëngjes më dhëmb trupi. Tani nuk është dysheku, është mosha dhe pasojat e atyre viteve.
Si bënin ata të shkretë të burgosur, që veç atij palo dysheku, kishin edhe moshën e vjetër. Vitet e para që shkova në Spaç, bëheshin shumë arrestime e ri dënime, brenda kampit. Ndonjërin e merrnin ditën që do të lirohej. Kjo ndodhi edhe me Paulin Gugën. Ishte i njohur në kamp, burrë i nderuar. Ishte në papunësi për moshën e kaluar dhe i kishin ngarkuar si detyrë, të lexonte veprat e Enverit, në orën e riedukimit.
Studimet i kishte bërë për gazetar, në Moskë. Kishte punuar gazetar në Radio-Tirana. Vinim shpesh në sallën ku do të ishte ai, pasi kishte një diksion shumë të ëmbël. Kishte bërë 10 vite burg. Si duket për regjimin komunist, nuk ishin të mjaftueshëm. Pas arrestimit nuk e pashë më.
Për dentist kishim Hasan Jeron, nga Durrësi. I shkova një ditë për një dhimbje dhëmbi. Pasi ma kontrolloi, më tregoi dollapin e zbrazët. Nuk kishte asnjë material dhe s’mund të bënte gjë. Më kujtohet dita e arrestimit të tij, pasi na mblodhën në sheshin lart. Ndodhesha afër tij, kur iu lexua emri. Dy policë dolën nga pas dhe pasi i vunë hekurat, e ngjitën lart. E ri dënuan.
Më vonë mora vesh që Hasani, njihte të kaluarën e diktatorit në Francë. Edhe pse e kishte ndihmuar ekonomikisht Enver Hoxhën, ky i fundit, donte ta mbante Hasanin sa me gjatë në burg.
Një nga personat që njoha në fillim, ishte edhe Xhelal Koprëncka. Megjithëse i moshuar, trupvogël dhe eshtak, të transmetonte një energji të madhe. Rreth tij kishte plot djem të rinj, që i tërhiqnin idealet e larta të këtij patrioti. Më kujtohet arrestimi i tij. Si në mjaft raste të tilla na mblodhën sipër tek sheshi, ku kishin ardhur veç operativit dhe mjaft oficerë të tjerë.
Ishte edhe komisari i repartit Shahin Skura dhe civilë nga Dega e Brendshme e Rrëshenit. Në ato çaste, askush nuk ishte i sigurt. Kushdo mund të arrestohej. Kur komisari citoi formulën standard:
– “Xhelal Koprëncka, në emër të popullit je i arrestuar”!
Xhelali, me një zë vigani, ia ktheu
– “Në emër të armiqve të popullit, thuaj”!
-“T’i tregojmë ne armiqtë e popullit”, – ulëriu komisari.
E pushkatuan. Fjalët e fundit të Xhelalit, i kam të gjalla në mendje edhe sot, që po shkruaj këto kujtime. Ishte një njeri që meriton të nderohet dhe sakrifica e tij të mos harrohet. Të gjitha këto krime, bëheshin “në emër të popullit”. Por me popullin, nuk kishin të bënin fare. Popullin nuk e pyeste askush. Këto ishin krimet e diktaturës komuniste.
Në një periudhë shumë të shkurtër, një – dy muajshe, u arrestuan mbi 40 vetë, të akuzuar në dy grupe të ndryshme. Njëri nacionalist dhe tjetri revizionist. Kujtoja fjalët e Irakliut, që do të më dënonin përsëri. Duke parë ritmin e arrestimeve, mendoja që edhe radha e ime, nuk do të ishte larg.
Pas disa vitesh që isha në Spaç, erdhi i dënuar, Andon Popovski, djali i një familje me origjinë maqedonase, që kishim miqësi. Ishte disa vite më i vogël se unë. Bënte ushtrinë, kur e arrestuan. E dënuan me 7 vite, për agjitacion e propagandë. Që atë çast e mbajta afër, deri ditën e lirimit.
Pas disa muaj punë në nëntokë, në zonën e dytë, më transferojnë në zonën e parë. Për komandën dhe policët, ne ishim kafshë pune. Më keq se qetë e Dvoranit. Na lëviznin nga një zonë në tjetrën sipas nevojave të tyre. Në bazë të nevojës për të zëvendësuar dikë, që nga stërmundimi i kishte rënë fiziku, që ishte plagosur apo, kishte humbur jetën, ose që e kishin ri-dënuar. Bëja me vagon, mbi 25-30 km., në ditë.
Më kujtohen nivelistët që punonin me mua. Viktori e Nexhati nga Shqipëria e Mesme dhe Marku e Doda, nga Veriu i vendit. Ishim te gjithë të rinj dhe të fortë. Pas katër vitesh që shtyja vagonë e, që shpesh përdorja kurrizin për t’i ngritur, kur dilnin nga shinat, filluan të më dalin damarët. M’u kujtua kur vite përpara, i kisha parë në këmbën e Martinit. Kjo gjë filloi të më krijojë probleme sidomos gjatë gjumit.
Zgjohesha nga një dhimbje i madhe, që më jepte këmba e bllokuar. Mundohesha, ashtu përgjumësh, t’i bëja pak masazh, deri sa më lirohej dhe më zinte gjumi prapë. Kur ngrihesha e kisha harruar, deri sa të më përsëritej. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016