Nga Nestor Topençarov
Pjesa e tetë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I DYTË
Në mëngjes, pasi hapej porta e birucës, vendosej pjata në dysheme dhe Haxhiu me një ibrik të madh alumini, pa u përkulur, hidhte çajin. Cirkat e ujit me sheqer të djegur, shpërndaheshin gjithandej. Me çajin të jepnin një copë bukë, që shpesh të binte si plumb në stomak. Për drekë, na jepnin nga një garuzhdë me lëng fasulesh, herë tjetër, supë me barishte e patate (vetëm emrin e kishte të tillë, se po të binte ndonjë copë patate, ishe me fat). Nganjëherë, supë me pak kokrra orizi ose makarona, sipas rastit. Ndoshta ishte mirë që ambienti i birucës, ishte gjysmë i errët. Kjo ndihmonte të mos shihnim mirë “ushqimin special”, që do të hanim. Kjo menu, shoqërohej gjithmonë me copën e zezë të bukës. E njëjta gjë ishte edhe për darkë. Me bollëk ishte vetëm salca e domates. Shpesh, pa kaluar shumë kohë nga dreka, na sillnin darkën. Në përgjithësi në orën 16.00, darka ishte ngrënë.
Në periudhën pas dënimit, një pasdite pasi ishte ngrënë darka, hapet porta e birucës dhe Haxhiu, pasi më nxori në korridor, më pyeti nëse doja të laja pjatat. Pranova menjëherë. E para për mënyrën njerëzore, si ma kërkoi dhe e dyta, do të qëndroja për 10-15 minuta, në një ambient me ajër më të mirë, nga ai i birucës. Në krah të banjave ishte një postaf i gjatë prej çimentoje, ku kishte disa rubineta uji, e ku në mëngjes lanim fytyrën dhe duart. Aty linin edhe disa copa sapuni rrobash. Fillova të laja pjatat, duke i kaluar me shpejtësi sapunin dhe i shpëlaja. Më pas lava edhe lugët dhe i sistemova në një anë të postafit. Mbarova punë shpejt. Vura re fytyrën e kënaqur të Haxhiut. Kjo u bë për mua një punë e përditshme, një operacion që përsëritej tri herë. Vura re se pas disa ditësh, pjatat filluan të bëhen më të pastra. Ngjyra e kuqe e salcës, filloi të zbehej.
Nga mesi i majit, erdhi vendimi i prerë nga Gjykata e Lartë, ku më lihej i njëjti dënim. Mund të bënte vaki, edhe ta shtonin. Pas dënimit përfundimtar, më lanë ende edhe një muaj tjetër në birucë. Si duket, nuk ishin të kënaqur me ato muaj që kisha bërë. Kur u mbushën 8 muaj, më transferuan në kaush. Kaushi ishte një dhomë shumë e madhe, që kishte mjaft hapësirë për të ecur. Nga dritaret hynte më shumë dritë dhe ajër. Aty kishte edhe disa dyshekë, që megjithëse ishin copë-copë, të ndihmonin për të fjetur më mirë.
Jeta në kaush ishte krejt ndryshe. Kishte gjithmonë rreth 15-20 vetë. Organika e dhomës, ishte vazhdimisht në ndryshim. Dikë e largonin, të tjerë i sillnin, bashkë me historitë e tyre. Atëherë, në atë kaush, vetëm unë isha për politikë, të tjerët ordinerë. Shumica për vjedhje xhepash ose, të pasurisë socialiste. Xhepistët ishin të gjithë çuna të rinj. Nuk u bënte përshtypje ambienti, që e njihnin mirë. Bisedat gazmore të tyre, të bënin të harroje për momentin se ku ndodheshe. Pothuajse pjesa më e madhe e kishin për herë të dytë ose të tretë, arrestimin.
Njëri prej tyre, Ilka, më tregonte si nisej nga Korça me 3-4 shokë dhe aktivitetin e tyre, e zhvillonin nëpër trena. Kur njerëzit hipnin e zbrisnin, ose kur nëpër vagonë kishte mjaft njerëz në këmbë, ata me mjeshtëri i “lehtësonin” nga portofoli. Spostoheshin diku tjetër, merrnin paret, kurse portofolin me ndonjë dokument, e hidhnin. Më vonë pasi takoheshin të gjithë, i ndanin në mënyrë të barabartë. Por kjo nuk kishte qenë gjithë vlera, pasi një pjesë e fshihnin. Këtë e bënin jo për të përfituar më tepër lekë, por për t’u mbrojtur nga akuza e ndonjërit, që mund të bashkëpunonte në të ardhmen, me policinë. Këta çuna ishin bërë profesionistë të vërtetë.
Në të dy anët e murit, ku ishte dera e kaushit, kishte një numër të madh pagurësh alumini. Më kujtohet, pasi edhe në birucë kemi patur një. Këtu në kaush, në njërën anë ishin ato të urinës dhe në anën tjetër të ujit të pijshëm. Të gjitha paguret, ishin shumë të qelbura. Kushedi sa herë mund të kishin ndryshuar vendet nga një anë në tjetrën. Në ditë të caktuara, dy herë në muaj, familjet e të burgosurve sillnin ndërresat dhe ato pak ushqime që lejoheshin. Një kg. sheqer, një copë djathë i bardhë, ose kaçkavall, biskota dhe cigare. Në korridor ishte një raft pa kapakë, me shumë ndarje, ku në bazë të numrit të birucës, vendosje qesen e ushqimit. Pak sheqer e ndonjë biskotë, shërbente për të pasuruar çajin e mëngjesit. Një copë e vogël djathi, për të shoqëruar drekën, ose darkën. Mjaft prej këtyre të rinjve, nuk u vinin familjet. Disa herë, diçka të vogël nga ajo që mundesha, e ndaja me dikë. Më respektonin, jo vetëm si djalë me shkollë, por edhe si i dënuar për politikë.
Një pasdite, para se të na vinte darka, pashë 3-4 prej tyre, që u mblodhën kokë me kokë. Si duket diçka po planifikonin.
Kur na erdhi radha për të dalë dhe na nxorën në korridor, filluan të ngacmonin njëri tjetrin duke u tallur dhe kështu tërhiqnin vëmendjen e policëve, që qeshnin me ta. Ne të tjerët vazhdonim radhën në banjë. Pasi kryem veprimet, na mbyllën portën dhe nxorën kaushin tjetër. Në këtë çast, grupi u mblodh. Njëri nxori një qese, që kishte fshehur nën bluzë. Aty ishte një copë e madhe kaçkavalli, të cilën me shpejtësi e ndanë midis tyre dhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, e kapërdinë. Menjëherë më pas, qesen e grisën dhe e bënë rripa të hollë, të cilët i futën nën dërrasat e dyshemesë, pasi hoqën një gdhë që shërbente si tapë.
Si duket nuk ishte hera e parë. Më pas filluan birucat, kur dëgjova një zë që ankohej. Pas pak hapet porta jonë dhe hyjnë policët, që filluan të pyesin të rinjtë, se ku e kishin fshehur kaçkavallin. Ata bënin sikur nuk dinin gjë. Pasi i kontrolluan nëpër trup, lëvizën dyshekët e batanijet, por nuk arritën të gjejnë asnjë shenjë. Dikush prej tyre iu tregoi me gisht, kaushin tjetër, ku edhe aty, natyrisht, nuk mundën të gjenin gjë. Më pas, u dëgjua zëri i nxehur i Haxhiut, që u bërtiste.
Gjatë mbrëmjes, të gjitha rezervat e ujit mbaruan dhe çunat kishin etje. Si dukej kaçkavalli, kishte qenë shumë i kripur. Filluan të trokisnin te dera dhe kërkonin për të pirë ujë. Megjithëse isha në një situatë tragjike, prapë më vinte për të qeshur, me atë që po ndodhte. Më dukej sikur këta djem, luanin ndonjë komedi. Polici i brendshëm, nuk mund t’ua hapte portën se nuk lejohej, në bazë të rregullores, dhe veç kësaj, çelësat ishin në një tjetër ambient të mbyllur, me një derë me hekura. Pas disa orësh, siç duket erdhi polici i jashtëm, që mori dikë nga birucat, për hetuesi. Në këtë çast goditjet e derës dhe kërkesat nga kaushi, ishin bërë shumë të forta. Pasi mbaruan punë me birucën, u hap dera jonë dhe të rinjve iu dha mundësia të shuanin etjen.
Nga fillimi i korrikut më nxorën (pothuaj pas 9 muajsh), për ajrim dhe për të bërë një dush. Ishte një ditë e bukur me diell dhe e nxehtë. Sheshi i madh në krah të pallacinës, ku ishin birucat tona, ishte i rrethuar me mure të lartë dhe pas mureve nga ana e rrugës, kishte dy vendroje ku qëndronin policë me automatikë. Në njërën anë, ishin disa dushe. Edhe këto ashtu si WC-të, pa dyer. Na urdhëruan të zhvisheshim dhe të hynim nga dy veta në dush. Ndjeva një kënaqësi të madhe, kur uji i ngrohtë me preku trupin. Fillova të kaloj sapunin në kokë e, më pas në trup, që me vështirësi zinte shkumë.
Vura re lëkurën e rrjepur të trupit, që binte copa-copa, bashkë me shkumën e sapunit dhe ujin. Pas dushit, trupi m’u lehtësua. U përpoqa që pjesa më e madhe e ujit të kullonte, se do të vishesha dhe peshqirë, nuk na kishin dhënë.
Pas pak ditësh më morën e, më çuan te kaushi i një pallacine tjetër. Ky ambient ishte më i vogël se kaushi i mëparshëm, por kishte më shumë dritë dhe isha i pari që hyja, pas lyerjes së mureve dhe pastrimit gjeneral, që i ishte bërë. Pas meje sollën profesorin e gjuhë-letërsisë, Gaqo Pecin dhe piktorin, Vangjush Tushi. Më pas edhe dy djem të rinj, nga fshatrat e Korçës. Ishin dënuar edhe ata, për agjitacion e propaganda, nga 7 vite burg.
Njëri quhej Përparim dhe kishte patur gjyshin ballist, kurse tjetri, Yzeir dhe vinte nga një familje e varfër. Dalë nga dale, dhoma po mbushej. Unë zura vendin në qoshe, përballë derës. Ngjitur kisha Gaqon. Vangjushi u vendos në anën tjetër të murit, afër dy çunave. Si duket, mendova, më hoqën nga kaushi i mëparshëm, që të mos infektoja të tjerët, kurse këtu, shihja se që të gjithë ishim “armiq”.
Edhe Gaqon në atë kohë, e kishin dënuar në grup me piktorin, që ishte në kaush me ne, dhe me profesorin e muzikës, Kiço Venetikun dhe motrën e tij. Kiços i kishin dhënë 25 vite burg, duke e akuzuar edhe për agjenturë, pasi dikush nga jugosllavët, që nuk i dihej emri dhe që nuk e kishte takuar më, në vitin 1946, i kishte kërkuar Kiços, hartën e aerodromit të Korçës. Të tjerëve iu kishin dhënë nga 10 vite, për agjitacion e propagandë. Me Gaqon njiheshim si familje dhe së bashku kalonim mjaft kohë, duke biseduar. Ishte një njeri me kulturë. Më tregoi për arrestimin e tij.
Një ditë i kishte ardhur një telegram nga Fakulteti i Gjuhësisë, ku e ftonin në një konferencë. Kur zbriti nga treni, e prisnin dy burra, të cilët e ftojnë të hipë në makinën e tyre, për ta shoqëruar. Në fillim profesori u habit, pasi në të kaluarën, asnjëherë nuk kishin dalë për ta pritur me makinë. Megjithatë, ishte ndjerë mirë, për nderin që po i bënin. “Gaz”-i përshkroi bulevardin kryesor (sot “Bulevardi Zogu i Parë”), kaloi qendrën dhe hyri në “Rrugën e Elbasanit”. Në fillim Gaqo, mendoi se po e çonin në ndonjë hotel, më pas ndoshta tek fakulteti. Por as kjo nuk ishte ndalesa, pasi “Gaz”-i filloi t’i ngjitej Kërrabës. Ai nuk e kishte kuptuar ende, se çfarë po i ndodhte. Në fakt targën e “Gaz”-it nuk e kishte parë dhe dyshimi po i bëhej më i fortë. Në një çast makina frenoi fort. Një kope e vogël me dhën, iu kishte prerë rrugën. Burri i shkurtër, i trashë, që rrinte në krah të shoferit shprehu keqardhjen, se tre njerëz do të kishin humbur jetën.
Në këtë çast, Gaqo kishte përfituar nga thyerja e heshtjes dhe kish ndrequr gabimin e parafolësit:
– “Jemi katër vetë në makinë”.
Atëherë shefi i hetuesisë, Reshati, kthehet mbrapa e, i thotë:
– “Ti je armik dhe në emër të popullit je i arrestuar”.
Menjëherë punonjësi i Sigurimit, që kishte në krah, i vë hekurat. E çuan në birucë, në degën e Pogradecit, ku e mbajtën për disa javë. Aty e lidhën me zinxhirë dhe në kokë i vunë një kaskë motoçiklisti, pas një tentative vetëvrasje. Gjatë asaj kohe, familja nuk dinte çfarë kishte ndodhur dhe i lajmëruan vetëm kur e kthyen në Korçë. Gjatë hetuesisë, Gaqo nuk pranoi asgjë. Habitej. Më tregonte fantazinë e Sigurimit, në krijimin e akuzave dhe pseudonimet e imagjinuara. I thoshin se, kur shkonte te shtëpia e Venetikut, i drejtohej Kiços, me; “Zoti Rëra“.
Më ka mbetur në mendje shprehja e fytyrës së tij e, veçanërisht e syve, që i shprehnin qartë reagimin e fortë, kundër këtyre shpifjeve.
Përsa i përket Vangjushit, edhe atë e njihja mirë familjarisht. Kishim të bënim nga ana e gjyshit të mamasë. Deri në vitin 1966, kur festohej dita e emrit, prindërit më merrnin me vete. Më kujtohen pikturat e tij, në sallën ku priteshin vizitat. Disa ishin të dimensioneve të mëdha. Kishte shkruar edhe libra, një nga të cilët, mbi jetën dhe veprën e Vangjush Mios, një tjetër piktor i madh korçar. Tushi kishte qenë njeri i nderuar dhe i vlerësuar, në fushën e artit. Vitet e fundit, një sëmundje neurodegjenerative (parkinson), e kishte goditur rëndë. Por kjo nuk kishte ndaluar arrestimin dhe dënimin e tij. Më vinte shumë keq, jo vetëm për moshën, por edhe për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore. Njëra dorë i dridhej vazhdimisht dhe e pengonte mjaft në të ngrënë. Po ashtu kishte vështirësi edhe në të ecur.
Me Kiçon, ishim në të njëjtin auto-burg, kur na trasferuan në Tiranë. Në burgun e Tiranës, kur u zhveshëm për të na kontrolluar, u tmerrova nga këmbët e tij të holla. I kishin mbetur vetëm kockat. Thuhej për dikë, kur ishte i dobët: “kockë e lëkurë”. Por unë tek Kiçua, pashë vetëm kocka. Pasojë e dy viteve të rënda në birucë dhe pa asnjë ndihmë.
Profesor Kiçon e njihja si fytyrë, meqenëse gjimnazi “Themistokli Gërmenji”, ku studiova, ishte në të njëjtën ndërtesë me shkollën e muzikës, ku ai jepte mësim. Ishte një njeri i nderuar dhe me paraqitje. Tregonin që një nxënësen e tij, ia kishin nxjerrë për dëshmitare. Ajo gjatë gjyqit kishte hezituar të dëshmonte. Atëherë Kiço, kishte ndërhyrë, për t’i dhënë kurajo, që ajo të fliste, meqenëse ishte vajzë e re dhe kishte të ardhmen përpara.
Si Kiço, e motra, ashtu dhe Vangjushi, ndërruan jetë pa e parë lirinë. Kurse Gaqon, e takova disa herë pas burgut.
Një mëngjes hapet dera e kaushit dhe sjellin një të arrestuar të ri. Ishte një burrë i pakët në trup, por shumë energjik. I bëra vend në qoshe, pranë meje. Quhej Pirro Frashëri. Disa ditë pas njohjes, i qethën flokët. Tani të gjithë, ishim njëlloj. Pasi mësoi historinë time, më tregoi se ishin katër vëllezër dhe një motër. Babanë e kishte patur komandant xhandarmërie, në qarkun e Korçës, që nga koha e Zogut, deri sa mbaroi lufta. I ati kishte mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake në Egjypt. Ishte patriot dhe e donte popullin e tij. Kur u pushtua vendi, ai qëndroi në krye të detyrës, për të ruajtur qetësinë dhe rregullin publik nga hajdutët, grabitësit dhe vrasësit. Kur në Korçë hynë partizanët, atë e arrestojnë, së bashku me shumë personalitete të rëndësishme të qytetit. E dënojnë me shumë vite burg, të cilat i kaloi në kënetën e Maliqit dhe kampe të tjera pune. Pak vite pas lirimit, ndërroi jetë.
Pas arrestimit të babait, Pirros, që në atë kohë ishte vetëm 5 vjeç, i sekuestrohet shtëpia dhe çdo gjë tjetër. Bashkë me familjen, të shoqëruar nga një qerre me pak plaçka, i transferojnë në një barakë, në një lagje të Korçës, që quhej “Kulla e Hirit”. Kush është nga Korça, e kupton se për çfarë lagje bëhet fjalë.
Vitet që kalonin, ishin shumë të vështira për Pirron dhe familjen e tij. Atij, duke u rritur, çdo ditë e më shumë, po i shtohej urrejtja për regjimin komunist. Dëshira e tij, ishte të kontribuonte për rrëzimin e këtij sistemi. Megjithëse ende i mitur, Pirro u arratis në Greqi, në vitin 1953, ku kërkoi të jepte kontributin e tij. Pas disa muajsh e dërgojnë korrier, në një bazë, në zonën e Përmetit. Kjo familje bëri lojë të dyfishtë. Denoncuan Pirron dhe më pas u arratisën.
Pirron, 14 vjeçar, e dënuan me 15 vite burg, për agjenturë. Pasi kreu dënimin, hyri në punë në ndërmarrjen e Ndërtimit në Korçë. Sigurimi e mbante vazhdimisht nën kontroll, si një person të rrezikshëm, për regjimin komunist. Diktaturës nuk i mjaftonin gjithë ato vite burg, që kishte bërë ai djalosh i ri. Pas pak kohe, ia përgatitën planin.
I bënë një provokim në punë dhe menjëherë e arrestojnë për fyerje. Gjatë hetuesisë, u përpoqën ta rekrutonin. Kur Kryetari i Degës, e kishte pyetur:
– “Si e kupton jetën”?
Përgjigja e Pirros, kishte qenë e fortë dhe e qartë:
– “Të jetoj me ndershmëri”.
Pas këtyre fjalëve domethënëse, kryetari kishte urdhëruar shefin e hetuesisë, që t’i ndërronte nenin. Nga fyerje, në goditje të personit zyrtar.
Pirron e dënojnë me 6 vite burg dhe 5 vite internim. Pasi kreu burgun e dytë, e internojnë në malësitë e thella të Korçës, ku punoi në shfrytëzimin e pyjeve, në sharrat.
Gjatë gjithë këtyre viteve edhe vëllezërit e tij, nuk i kishin lënë të qetë. Kishin kaluar dhe po kalonin burgjeve. Vëllai i madh, që banonte në Tiranë, kishte kryer burg për agjitacion e propagandë. Dy vëllezërit e Korçës, Aliu dhe Skënderi, kishin bërë burg, për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016