Nga Ilo Foto
Pjesa e dytë
Memorie.al / Familjet e mëdha janë emërtuar të tilla, për shkak të njerëzve të shquar, për shkak të pasurisë që kanë zotëruar dhe për shkak të influencës që kanë ushtruar në mjedisin shoqëror, në një kohë të dhënë. Kthesat historike kanë filluar nga familjet e mëdha. Skënderbeu mblodhi krerët e familjeve të mëdha, në Kuvendin e Lezhës. Të njëjtën gjë bëri dhe Ismail Bej Vlora. Nuk mund të vendosej asnjë bashkim, pa vullnetin e familjeve të mëdha, që quheshin edhe oxhaqe ose porta. Kishin pasurinë, territor dhe mbi gjithçka kishin njerëzit më të ditur të kohës, në një trevë të caktuar.
Un kam shkruar disa libra politiko-bujqësorë dhe më është dashur të vendos një sfond historik, për çdo ngjarje. Në këtë periudhë kanë ushtruar veprimtari shumë specialistë dhe shkencëtarë bujqësorë të brezit intelektual të viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Kjo nuk ishte një periudhë e shkurtër tranzitive, që mund të përballohej me sakrifica momentale që sjell lufta në kalim.
Si do të përballohej kjo periudhë kaq e gjatë dhe me aq privacione, që sillte gjendja e luftës? Për mendimin tim, disa historian, gabojnë në perceptimin praktik të kësaj periudhe. Ata flasin për periudhën përpara dhe pas Luftës, duke krijuar përshtypjen, se lufta ka vijuar një natë të vetme, por fatkeqësisht, lufta zgjati gjashtë vjet.
Në këto vite njerëzit duhej të punonin, të zhvillonin ekonominë, tregtinë, të martoheshin, të riprodhoheshin. A ishte e nevojshme që kjo periudhë, të kishte një aparat administrativ, i cili të mbarështonte jetën ekonomike, arsimin, kulturën, rendin publik, etj.? A ishte më mirë për shqiptarët, që këtë funksion t’a kryenin pushtuesit, me njerëzit e tyre? A nuk ishte më mirë për qytetarët shqiptarë, të gjenin në zyrat e Shtetit, në të gjitha nivelet, nëpunës shqiptarë? Është pika më nevralgjike, ku historianët kanë gabuar dhe vijojnë të mos korrigjohen. Vazhdon të gjykohet me pasione.
Pjesëtarët e qeverive, natyrisht duhet të analizohen politikisht dhe do të vlerësohen se sa i ka shërbyer vendit, puna e tyre. Ky kriter, ka qenë dhe mbetet një detyrë e historianëve objektivë e, jo të politizuar. Nuk mund të ketë personalitet që, në punën e tij, të mos ketë luhatje ose gabime njerëzore, qofshin ato dhe bindje, që lidhen më luftën “nacional- çlirimtare”, që kishte edhe elemente të një luftë civile për marrjen e pushtetit, në përfundim të Luftës Botërore. Më duket se historianët zyrtarë, që prej 70 vjetësh, kalojnë në heshtje gati gjysmën e periudhës së pushtimit, që nuk pati luftë, pa shpjeguar motivin.
E vërteta është se lëvizja komuniste, e cila vetëm në nëntorin e vitit 1941, arriti të organizohej nën drejtimin e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, deri në 22 qershorin e atij viti, nuk foli kurrë për luftë kundër pushtuesit, edhe se vendi ishte pushtuar më 7 prill 1939. Kjo ndodhte sepse, mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, kishte një pakt mos-sulmimi. Kur Hitleri e prishi në mënyrë të njëanshme këtë pakt, duke sulmuar mbi shtetin komunist, urdhri nga Moska, erdhi për të luftuar.
Interesat e Shqipërisë n’atë periudhë, nuk pajtoheshin me âta të komunizmit ndërkombëtar dhe aleatëve të tij të rinj. Nacionalizmi shqiptar, kishte arritur të realizonte, në sajë të fitores gjermane në Ballkan, bashkimin kombëtar, që ishte ëndrra e tridhjetë viteve, të shtetit të pavarur. Administrata shqiptare u shtri në të gjitha “tokat e lirueme” dhe shkollat shqipe, u hapën në të gjitha trevat arbërore, me përjashtim të Çamërisë. Nga ana ekonomike Shqipëria, ishte vendi që e kishte ndjerë më pak se gjithë vendet e tjera, peshën e luftës.
Treguesit ekonomiko – financiarë, flisnin për një përmirësim të ndjeshëm të jetës shqiptare. Por me krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare të markës serbe, të gjitha këto arritje viheshin në pikëpyetje. Këtu hyn në skemën e pushtetit, Mustafa Kruja, që deri atëhere kryesonte Institutin e Studimeve Shqiptare. Si një politikan largpamës, e kuptoi më shpejt se të tjerët rrezikun që i kanosej vendit të tij. Vendosi të pranojë formimin e Qeverisë, të cilën Konti Ciano, në kujtimet e tij, e quajti; “një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremizmit të nacionalizmit shqiptar”.
Më pëlqen të citoj këtu publicistin dhe shkrimtarin Ilir Ikonomi, që në parathënien e vëllimit, gati 700 faqesh, “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, e trajton kështu këtë çast tepër përcaktues, të jetës së kryeministrit të XVI, të shtetit shqiptar:
“Në fund të vitit 1941, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi, Mustafa Kruja pranoi postin e kryeministrit. Mund të debatojmë sa të duam, nëse ky ishte një gabim apo, një veprim i mençur, n’atë kohë kur nuk kishte zgjedhje të lehta. Por, gjatë pak më shumë se një viti në krye të qeverisë, ai tregoi me vepra se, në mendimin e tij, ideologjitë nuk ishin veçse sende kalimtare dhe se atdheu ishte rrapi madhështor, që i pështillet të gjitha nën hijen e vet. Merlika nuk u bë kurrë fashist. Ai mbeti shqiptar, po të gjykojmë nga fryma e shkrimeve dhe fjalimeve të tij…”!
Gjykimi i Z. Ikonomi, është për t’u përgëzuar për objektivitetin e tij shkencor, larg skemave tabu të ideologjizuara, të historiografisë së 70 vjetorit komunist e, mbas komunist. Kruja karakterizohej nga anti-komunizmi permanent. Bindjet e tij antikomuniste, flasin për një kulturë solide të tij, që arriti të parashikojë të keqen (vendosjen e komunizmit dhe pasojat e tij shkatërrimtare për kombin shqiptar), përpara se ajo të ndodhte. Filozofia e tij u provua me rënien e murit berlinez, 45 vjet më vonë. Parafytyro cili ishte Mustafa krutani dhe formimi i tij filozofik!
Përsëri po ia le fjalën studiuesit Ikonomi: “Viti 1942, ishte kohë lufte. Ishte edhe një kohë kur komunizmi, kishte filluar të shihej nga një pjesë, si ilaçi çudibërës që do të zgjidhte të këqijat e botës. Këtë iluzion të kuq, e përqafuan qindra mijra njerëz në Evropë, të cilët ose nuk i dinin ose, i mbyllnin sytë përpara krimeve që bëheshin, brenda gulagut të madh sovjetik.
Prandaj, është meritë për ata intelektualë në Shqipërinë e vogël, që jo vetëm nuk u infektuan, por u përpoqën të gjejnë mënyra, për t’i dalë përpara rrezikut. ‘Shihni në kësulat e çetnikvet, të këtyre idealistëve palaço, shqipen dykrenore me nji hyll të kuq në mest. E kanë bâ gati edhe flamurin e asaj republike të kuqe’, – tha Merlika në të njëjtin fjalim të vitit 1942. Parashikimi ishte i saktë. Madje, republika e kuqe në Shqipëri, rezultoi më e egra e Evropës Lindore”
Vërtetësia e argumentit të analizës së Ikonomit, besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment. Por kuadri i asaj analize, mendoj se duhet plotësuar me një paraqitje të shkurtër të vendimeve kryesore të Qeverisë Kruja. Ja, si mbas një tjetër studiuesi të ri të historisë, së qeverive shqiptare të shtetit të pavarur, z. Roland Qafoku, disa nga ata vendime në librin mjaft interesant e objektiv; “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” :
“Më 23 prill 1942, kryeministri Mustafa Kruja, detyroi italianët që të hiqnin fashot e Liktorit nga flamuri kombëtar.
Vendim që financat t’i kalonin Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Krijimi i Ministrisë së Tokave të Lirueme, në vend të Komisariatit të Lartë për Kosovën dhe Dibrën. Bashkimi i Plavës dhe Gucisë me tokat shqiptare.
Vendim për shpëtimin e 300 familjesh hebreje, duke i pajisur me dokumenta shqiptare dhe duke i strehuar në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Operacioni u krye me sukses edhe me miratimin e Mëkëmbësit Jakomoni.
Vendim për kthimin në Shqipëri të të gjithë intelektualëve që ishin internuar.
Vendim për mobilizimin e ushtarëve të datëlindjes 1920, sidomos për mbrojtjen e Kosovës.
Vendim që të dërgoheshin në Kosovë mësues dhe juristë për hapjen atje të shkollave dhe gjykatave shqiptare.
Vendim për ndihmë banorëve në zonat e dëmtuara nga tërmeti, në Dibër.
Vendim për heqjen e kompetencave të këshilltarëve italianë, në ministritë.
Vendim për heqjen e italishtes si gjuhë e detyruar në shkollat fillore.
Vendim për dënim me vdekje, për çdokënd që kapej me armë pa leje, në objektet strategjike të shtetit.
Vendim për amnisti të gjerë, për pjesëtarët e çetave që kishin luftuar kundër italianëve”!
Këta ishin disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së qeverisë Kruja, një nga më cilësoret e gjithë qeverive shqiptare. Ai brez atdhetarësh e firmëtarësh të Pavarësisë, flijuan të shkuarën e tyre, për të shmangur rrezikun që i kanosej Atdheut në t’ardhmen. Nëse rezultuan të humbur e, çmimi i asaj përgjegjësie që morën mbi shpatulla, qe vërtetë tragjik për ta dhe familjet e tyre, ndoshta dhimbja më e fortë, qe paaftësia e Vendit, për të kuptuar dramën e tyre.
Sot duket se diçka lëviz n’atë drejtim, mbasi mund të shprehen hapur opinionet edhe kundër tabuve zyrtare të shumë dhjetëvjeçarëve. Në një program televiziv, të studiuesit Qafoku, z. Artan Shkreli, këshilltar i kryeministrit Rama, u përgjigj: “Edhe un po të kisha qenë n’atë kohë, do të kisha qenë kolaboracionist si Mustafa Kruja”. I këtij mendimi jam dhe unë, besoj dhe shumë të tjerë.
Po e zgjeroj mendimin. Jeta nuk do të ndalej nën pushtuesin, jo vetëm për instinkt. Jetën njerëzore e rregullon, ose kanuni ose, ligjet nëpërmjet institucioneve. Këtë bënë intelektualët e përgjegjshëm që morën pjesë në qeveritë e pushtimit. Ata menduan një mënyrë për vazhdimësinë e jetës shqiptare. Ishte e vetmja? Logjika e ftohtë e pohon.
Funksionarët e këtyre qeverive kryen një mision qeveritar, për sa kohë nuk tejkaluan detyrën politike, ndërsa detyrat ekonomike janë gjithnjë paqësore. Duhej organizuar jetesa, vazhdimësia. Shoqëria nuk kishte vdekur, ishte paralizuar. Duhej të ri ngrihej në këmbë.
Nënvizoj se në kohën e Luftës, prodhimi bujqësor shtetëror u rrit, krahasuar me vitin 1939, që ishte baza krahasuese e nisjes dhe vijoi të kishte rritje. Përballoi nevojat e qytetit dhe të frontit. Pse nënvizoj prodhimin bujqësor? Sepse mbi 80% e njerëzve, merreshin me bujqësi. Në të tëra kohërat bujqësia, ka qenë dhe mbetet tregues i ekonomisë dhe mirëqenies, jo vetëm shqiptare.
Për të familjarizuar lexuesin me këtë problem, po ju përmend një fakt analog të freskët. Në vitin që jemi baza e nisjes, që është viti 1990, jo vetëm nuk është arritur prodhimi bujqësor, por është shumë më i vogël. Ky tranzicion provoi së bujqësia është sektori më i vështirë për t’u menaxhuar nga lart. Në listën e Kryeministrave, që na ka paraqitur studiuesi i mirënjohur R. Qafoku, vetëm nën dy kryeministra, është rritur prodhimi bujqësor: nën Mustafa Krujën dhe nën Mehmet Shehun.
Kryeministrat e tjerë kanë lojtur një rol, sa për të kaluar urën dhe t’i a dorëzonin bujqësinë e drobitur pasardhësit, gjithnjë më të pa aftë. Më thoni një krim që ka kryer me dorë Mustafa Kruja? Krimet që ka kryer individualisht Mehmet Shehu, janë me dhjetëra. Edhe për këtë progres ekonomiko-shoqëror, do të mbahet mënd Mustafa Kruja, si shtetar. Ferma “Fulltz”, vijoi të funksiononte, si model i ekonomisë komplekse fshatare.
Në qeveritë e pushtimit trojet arbnore funksionuan në tërësinë e Shqipërisë natyrale, vetëm pa Çamërinë. Ai nuk ishte thjesht politikan me vizion, por ishte intelektual erudit dhe drejtues i talentuar. Këtë cilësi të tij e njihnin bashkëkohës dhe miqtë, madje ish-ministri anglez, Julian Amery, e quajti; “shqiptari më i zgjuar i kohës së tij”.
Ndër kryeministrat erudite, veçohet dhe Fan Noli, por ai nuk e hoqi kryqin edhe kur ishte kryeministër. Pretendoi se demokracia ishte midis njerëzve, kur ajo ishte e fshehur pas pusisë, nga ku duhet t’a shpëtosh me shumë sakrifica, që Peshkopi i kishte harruar në altar.
Mustafa Kruja njihte jetën e njeriut të thjeshtë, të tregtarit të kohës, të fshatarit të rraskapitur, të fetarit, të studentit, të ushtarakut, të policit. A kishin këta një mbrojtje, një zot, një mik, një prind? Mustafa Kruja mendonte për të tërë, se ishte si ata, nga shtresa e tyre. Kishte zemër të madhe dhe horizont, që i mbulonte me diell të tërë ata që qeverisi.
E rikujtova Mustafën edhe kur mbeta pa punë në 1992. Isha një dëng pa markë, që pret në mol. Më braktisi shteti. Secili mund të bënte ç’të donte me mua dhe familjen time. U desh një fuqi madhore, një Mustafa Krujë, që as nuk erdhi, as nuk gjendej gjëkundi, për të më dhënë zgjidhje.
Mustafa Kruja, nuk mori as një titull perandorak, si; Spahi, Aga, ose Bej. As ndonjë dekoratë nga pushtuesit. Mbeti krutan dhe shqiptar, pa grada dhe tuje. Mbeti shërbëtor i popullit me mëndje dhe me zemër. Ndoshta vlen të shënoj fjalët e Montanelit, në intervistën që botoi në gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera”, më 21 maj 1942:
“Nuk e shihja Merlika-Krujën, prej dhjetë vitesh e, vura re se kishte ndryshuar fort pak. Suksesi e nderimet, nuk kanë mundur të shndërrojnë natyrën e sjelljen e jashtme të këtij burri. Është i veshur pak a shumë, si dhjetë vite më parë e, nuk i jepte rëndësi vetes, me poza e fjalë të mëdhaja. Vazhdon të flasë me maturi, edhe se tani e zotëron italishten përsosur dhe – gjë e rrallë, tek një burrë Shteti – jep përshtypjen se ajo që thotë, është e vërtetë…! Ishte gjithmonë i njëjti burrë. Një burrë”!
Një portretizim i tillë, prej një të madhi të publicistikës botërore, do të nderonte cilindo burrë shteti, edhe në vendin më të zhvilluar të botës. Për të ruajtur vazhdimësinë e kësaj origjine kohore, djemtë dhe vëllezërit i orientoi, në studimet e tyre, drejt profesioneve e, jo drejt politikës. Djalin e madh, Petritin, e bëri të mësojë në Universitetin e Grènoble-it, jo për “llafollogji”, por për inxhinier, që t’i shërbente atdheut në frontet më të vështira të punës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm