Nga Nestor Topençarov
Pjesa e gjashtë
DRAMA E JETËS
(HISTORIA E NJË FAMILJEJE)
Këtë libër ia dedikoj: Të gjithë bashkëvuajtësve. Familjeve të tyre. Dhe në veçanti, personave që nuk patën mundësi të tregonin odisenë e jetës, gjatë diktaturës komuniste.
P A R A TH Ë N I E
Memorie.al / Kam lindur në qytetin e Korçës, në 22 tetor të vitit 1953. Nga Shqipëria, jam larguar në muajin tetor të vitit 1990, pasi na u dha e drejta familjarisht, për t’u riatdhesuar në Jugosllavi (sot Maqedonia e Veriut). Në qershor të vitit 1992, emigrova në Itali, ku jetoj edhe sot. Megjithëse jam larguar prej 32 vitesh, lidhjet nuk i shkëputa, pasi Shqipëria ishte vendi i lindjes, ku kalova 37 vite, dhe se një pjesë e gjakut tim, është shqiptar. Vite më vonë, lidhjet me Shqipërinë u përforcuan, pasi edhe gruan e mora nga Durrësi. Vinim çdo vit me pushime, por koha e shkurtër e qëndrimit, bëri që shumë kontakte të ndërpriten. Megjithatë, shokët dhe miqtë e vërtetë kishin mbetur përgjithmonë në zemrën time.
Tre vitet e fundit nuk pata mundësi të vizitoja Shqipërinë. Por gjatë vitit 2022, erdha disa herë. Impenjimi im nga njëra anë dhe rastësia nga ana tjetër, bënë të mundur që të rikrijoj lidhjet me shokë dhe miq, me të cilët kisha dekada pa u parë. Duke ditur të kaluarën time, disa prej tyre më këshilluan të hidhja në letër, atë çka më kishte ndodhur në jetë. Në fillim kjo ide m’u duk utopi, pasi edhe pse kisha qenë nxënës i mirë, në hartime nuk kisha patur prirje. Më pas reflektova. Do të shkruaja thjesht historinë time, ngjarje të vërteta, ku nuk duhej shumë frymëzim. Ndoshta një shkrimtar, këto ngjarje do të dinte t’i paraqiste, ashtu siç di një artist i vërtetë i penës. Ndërsa unë do t’i shkruaj, pa shumë përshkrime: shkurt, thjesht, nudo, ashtu siç kanë ndodhur.
Një diçka tjetër që më shtyu edhe më shumë të shkruaj këtë libër, ishte një intervistë në Tv Klan, të cilën e pashë në tetor të këtij viti, e drejtuar nga gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu. Nuk kërkova hakmarrje. Por nuk pata as drejtësi. Me anën e këtij libri, do t’i bëj të njohur opinionit publik shqiptar, rolin e individëve që kontribuan në vuajtjet e mia e të familjes sime. Dhe sot, po vendos gishtin mbi këto “qenie”, jo për detyrën që ata kanë patur, por për mënyrën se si e kanë kryer atë. Shkrimin tim, do ta filloj me gjyshin, nga ana e mamasë, për të vazhduar me babanë tim, ku do të prek momentet më kyçe të jetës së tyre. Kjo do të ndihmojë lexuesin për të njohur prejardhjen time.
Më pas do të flas edhe për vete. Në këtë libër do të tregoj gjithashtu, edhe disa ngjarje, njëra më dramatike se tjetra, që ju kanë ndodhur njerëzve, të cilët kam patur nderin t’i njoh. Më vjen mirë që janë botuar mjaft libra, mbi vuajtjet dhe persekutimet e “armiqve të popullit” dhe familjeve të tyre nëpër kampe internimi dhe burgje, gjatë diktaturës komuniste. Kam mundur të lexoj disa nga këto vepra. Besoj që ky libër, në mënyrë modeste, do të kontribuojë për të njohur edhe më shumë metodat çnjerëzore të Sigurimit të Shtetit, mënyrën si krijonin akuzat dhe si shkatërronin persona dhe familje për të mbajtur popullin nën terror.
Autori.
Dhjetor, 2022
KAPITULLI I DYTË
Ishte hera e parë në ato dy muaj, që ia përplasa në sy këtij intriganti. Pas këtyre fjalëve, nervozizmi i Irakliut arriti kulmin. E përmenda më lart, që ishte ulur në fundin e krevatit. Këmbët e tij lëviznin, herë njëra dhe herë tjetra, duke goditur spondin. Fytyra iu shtrembërua dhe iu nxi. Nuk ju shpjegoj dot, ngjyrën e vërtetë që i mori. U ngrit në këmbë dhe pasi m’i nguli sytë, filloi të nxjerr gjithë vrerin që kishte përbrenda.
– “Ti! – më tha. – Ti je një armik i betuar i këtij pushteti, që nga maja e flokut e, deri tek thoi i këmbës! Ke për t’u tërhequr zvarrë gjithë jetën! Sado që të dënohesh tani, ty do të ri dënojmë dhe nuk ke për të dalë më nga burgu”! E vështrova me neveri këtë shpirtzi. Kjo ishte hera e fundit që e pashë.
Nga fundi i dhjetorit, na sjellin një ushtar tjetër. E quanin Vasillaq dhe e akuzonin për një vrasje, që ishte kryer aty afër fshatit të tij. Më pas, gjatë hetuesisë, mori vesh që po për këtë motiv, ishte arrestuar edhe i ati. Kishte lënë tankun në uzinë (pasi Vasillaqi bënte ushtrinë në repartin e tankeve) dhe ishte kthyer në shtëpi, pa leje. Fati i tij i keq, që ditën e kthimit, kishte ndodhur vrasja dhe qeni i policisë, i kishte drejtuar tek shtëpia e tij. Ngulte këmbë i shkreti, se ishte i pafajshëm, por askush gjatë hetuesisë nuk e besonte.
Veç kësaj, një ditë kur e kthyen, i dhimbte një nishan i fytyrës i cili, i përfundonte me disa qime, që ia kishin shkulur. Pas ndonjë jave, që qëndroi me ne, Vasillaqin na e hoqën. Kur ishim tre veta, ishim ngushtë për të fjetur. Kur ndonjëri nga ne donte të ndërronte krahun, zgjoheshim e rrotulloheshim të tre. Muaj më vonë, kam qenë për disa ditë edhe vetë i katërt. Kur shtriheshim për të fjetur, zgjidhnim gjerësinë, ku këmbët nuk mund t’i shtrije plotësisht dhe për t’i shpirë, i ngrinim mbi mur.
Mua në këtë periudhë, më ndërruan hetuesin. Filloi faza e tretë e hetuesisë sime. Hetimet tani i ndiqte Ligor Kondili. Pasi m’u dorëzua akt-akuza, çdo gjë u qartësua. Do të më dënonin për agjitacion e propagandë. Që në hetuesinë e parë, ai mbante proçes-verbalin e pyetje-përgjigjeve. Më bëri përshtypje se nga dosja që kishte përpara, nxori një foto të një madhësie pothuaj 9×12 cm., që kishim bërë vitin e fundit të fakultetit, që duhej për dokumentet. Kuptohet, çasti kur kisha dalë në fotografi, kishte fiksuar një Nestor, në periudhën më të lumtur të jetës së tij.
Ndërsa tani përpara Kondilit, ishte një tjetër Nestor, të paktën në paraqitje. Pasojë e gjendjes psikologjike, e kushteve të vështira të jetesës në birucë, ushqimit të keq dhe mbi të gjitha, trajtimit që më ishte bërë nga hetuesia, në ato muaj. Si duket pamja ime e re, nuk ngjiste me fotografinë. Prandaj, ai herë shihte nga unë e, herë foton, sikur nga ajo do të merrte një përgjigje, për të sqaruar dyshimin e tij. Më në fund këtë dilemë ia hoqa, duke i thënë me ironi, që të mos dyshonte se fotoja ishte e imja.
Në fillim Ligori insistonte, se ishin shokët e mi që më akuzonin për agjitacion e propagandë. Por, se kush ishin këta shokë, nuk më tregonte. Me pak fjalë edhe ai nuk më tregonte gjë konkrete. Nga ana ime vazhdoja si gjithmonë, të hidhja poshtë akuzat. Kur më çonin në hetuesi, ishte një periudhë që kishte rënë mjaft dëborë. Ndodhte që të kishte edhe diell, drita e të cilit dhe refleksi i borës më verbonin. Zyra e Kondilit, ishte në pallacinën tjetër dhe kur kaloja nëpër oborr dhe hyja brenda, nuk arrija të shihja.
Më dukej sikur përpara syve të kisha prozhektorë të fuqishëm, që ndizeshin dhe fikeshin. Duheshin minuta të tëra, që të stabilizohej shikimi. E njëjta gjë më ndodhte edhe kur kthehesha në errësirën e birucës. Kisha edhe një problem tjetër. Me veshjen e lehtë që kisha, në birucë, trupi ishte mësuar. Por kur dilja jashtë, për të shkuar në hetuesi, më priste i ftohti, me temperaturat minus. Kështu që problemit të syve, iu shtohej edhe ndryshimi i madh i temperaturës, që më godiste në trup.
Gjatë hetuesive me të, vura re që përpiqej të hapte tema të ndryshme, në lidhje me vepra dhe shkrimtarë të letërsisë botërore. Ndoshta për të kuptuar botëkuptimin tim, se kështu e kishin instruktuar. Në gjendjen e vështirë që isha, ato biseda të tij, më dukeshin të shpëlara. Ia preva disa here, se nuk më interesonin ato diskutime.
Nga mesi i muajit, një mëngjes, pata një përplasje me një nga policët e rinj të shërbimit. Për këtë, me urdhër të oficerit të rojës dhe me dijeninë e hetuesit tim, më dënuan tre ditë të lidhur me hekura. Më lart, ju tregova mënyrën e lidhjes së duarve nga mbrapa. Në këtë rast, pasi siguroheshin që t’i kishin shtrënguar mirë, të vinin kyçin. Natën e parë, nuk e kalova keq.
Josifi i palosi të gjitha batanijet dhe krijoi një farë jastëku të lartë. Kështu, pata mundësi të mbështesja kokën, pa i rënduar supit, meqenëse i vetmi pozicion ishte të rrije në krah. Polici i turnit, që gjatë natës kontrollonte nga sporteli, në këto raste shihte dhe hekurat, a ishin në vend. Ditën ishte ndryshe, pasi kur vinin vaktet e të ngrënit, t’i hiqnin. Natën e dytë, e pata pak më të vështirë.
Fillova të ndjeja në supe dhimbje, por edhe kjo natë me pak dhimbje kaloi. Ishte nata e tretë ajo, që më bëri të vuaja shumë. Dhimbja në supe, ishte shumë e fortë. Nuk mund të rrija shtrirë, në asnjë pozicion. Filluan edhe duart të më dhembin. Kur sollën mëngjesin, m’i hoqën përfundimisht. Edhe sot që kanë kaluar 46 vite, nga duart e mia, nuk janë zhdukur shenjat e atyre hekurave.
Nga fundi i janarit në birucë, na sjellin Vasillaqin, përsëri. Sapo e pa, Josifi më bëri shenjë, të kisha kujdes. Ushtari na tregoi që këto kohë, e kishin mbajtur në një tjetër qeli dhe se hetuesia vazhdonte, por deri atë çast, nuk kishin asgjë të re. Më pas desh të dinte, si kishte shkuar hetuesia jonë.
I thashë që më kishin akuzuar, për agjitacion e propagandë. Koha kalonte. Nëpër birucat mbretëronte heshtja e cila, prishej herë pas here nga zhurma e fortë e shuleve të dyerve, që hapeshin e mbylleshin. Hetuesia vazhdonte me ritëm të plotë. Herë pas here, na takonte dhe ne të treve.
Pas disa javësh Josifin, e hoqën nga biruca jonë. Më vonë mora vesh, se e kishin kthyer në Spaç. Si kaluan disa javë të tjera, Vasillaqi më tregoi se vrasësin e vërtetë, e kishin kapur. Babanë e tij, e kishin liruar dhe do ta bënin komunist, për qëndrimin e vendosur që kishte mbajtur. Kurse atij, i kishin dhënë 3 muaj (minimumin), për ikje pa lejë, dhe dënimin do ta mbaronte në qeli.
Gjatë gjithë kohës që i mbeti, qëndroi me mua dhe një ditë para se të lirohej, më këshilloi se po të më sillnin ndonjë të arrestuar të ri, të mos i tregoja akuzën e arrestimit. Kjo nga njëra anë, vërtetoi dyshimin e Josifit, por nga ana tjetër, tregoi se edhe Vasillaqi, ishte një djalë i ndershëm. Të nesërmen u përshëndetëm dhe i urova gjithë të mirat.
Më pas, për disa javë, më lanë vetëm. Ligori përdori metodat e tij mashtruese, që të më bindte të pranoja. Sipas tij; “e kishin detyrë partie”, që populli të shihte, se nuk dënoheshin njerëz kot. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte që mamaja me motrën, të mos kishin pasoja. Pasi edhe këto përpjekje i shkuan kot, filloi ballafaqimi me dëshmitarët.
Tre të parët që vinin nga fakulteti, një djalë dhe dy vajza, ishin të huaj për mua. Ishim në të njëjtin fakultet, por nuk kishim shoqëri. Vura re një pamje të trembur, në fytyrat e vajzave. Ndoshta ishte “transformimi” im, që provokonte këtë. Kurse ai djali, qëndronte ulur aty pranë sobës të zjarrit dhe thithte cigaren pa pushim, pa ngritur kokën, gjatë gjithë kohës. E gjitha ishte një farsë. Ndoshta dhe ata ishin penduar që kishin hyrë në këtë valle.
Më pas iu erdhi radha, dy shokëve të mi korçarë. Unë në qytet kisha patur mjaft shokë, si ata të vegjëlisë, që ishim rritur bashkë, shokë të gjimnazit, mjaft të tjerë që kisha njohur verës, kur ngjitesha për të bërë gjimnastikë në kodrat e Shën Thanasit (nga zoti Kene). Kush është korçar, i njeh ato kodra të bukura plot me rogovecka (akacie), që të kënaqnin me aromën e luleve të tyre të bardha.
Pasi më arrestuan, kishin marrë gjithë fotografitë që kishim, për të parë shokët e mi, dhe kishin mundur që dy prej tyre, t’i bindnin për të më dalë dëshmitarë. Me pak fjalë, ata nuk tregonin një të vërtetë, por një shpifje. Në këto raste, flitet shpesh për spiunë dhe shumë pak, për shpifamanë e intrigantë. Për mua, shpifja është më e rëndë se spiunllëku.
Akuzat e këtyre dëshmitarëve, me gënjeshtra dhe shpifje, jua u përplasa në sy. U vunë në vështirësi. Ligori, jo vetëm që nuk kërkoi të zbulojë të vërtetën, si hetues i çështjes, por jua u rregulloi dëshmitë, që në gjyq të ishin më të besueshme. Me pak fjalë, ky hetues, vërtetoi edhe një herë atë që, ata bënin të pamundurën, të më rëndonin sa më shumë. E kisha të qartë se edhe sikur këta dëshmitarë të mos ishin, do të gjenin të tjerë.
Koha kalonte, dhe pas ballafaqimeve, Ligori përpiqej që të pranoja akuzën. Kur kjo nuk po vinte, në një moment i hapi kartat. Më shpjegoi shkakun e vërtetë, pse po më dënonin. Sipas tyre, do të dënohesha pasi nuk kisha ndaluar babanë, të bënte kërkesa për t’u kthyer në Jugosllavi. Pra, kjo donte të thonte që unë pranoja të shkoja në një shtet armik. Si rrjedhim, edhe unë isha armik. Dhe më paralajmëroi se; po t’i deklaroja këto fjalë në gjyq, do të dënohesha edhe për shpifje.
Çfarë paturpësie! Veç kësaj, mundohej të më frikësonte, se kur të dilja në gjyq, kisha për ta parë, se çfarë do të më punonte prokurori. Gjatë hetuesive, herë pas here vinin hetues të tjerë, që këmbenin dy tre fjalë me Ligorin. Këta punonjës Dege, qëndronin indiferentë ndaj meje. Më bëri përshtypje njëri prej tyre. Sapo ishte kthyer nga Tirana. Tregonte për një provim që kishte dhënë dhe nuk kishte mbetur i kënaqur nga nota.
Veç kësaj profesori në fund e kishte pyetur me ironi, në lidhje me vlerësimin. Ajo që më bëri përshtypje, ishte se në këtë moment, ky hetues, dëshironte që këtë profesor, ta kishte të pandehur. Që t’ia tregonte…!
Kishin kaluar pesë muaj në hetuesi dhe ende nuk kishin arritur rezultatin që donin. Meqenëse duhet të më nxirrnin në gjyq dhe për ta ishte e rëndësishme, që unë të pranoja akuzat, vendosën të më detyronin, me dhunë fizike. Kur më çonin në zyrën e hetuesisë, polici kishte urdhër të largohej, pa më hequr hekurat. Kondili rrinte ulur para tavolinës, përballë meje. Në këtë kohë, lajmëronte “hetuesin e provimit” që e përmenda më lart.
Ju tregova për injorancën e tij. Ai ishte një djalë i ri. Kur vinte, sillte me vete një dru, mbi një metër të gjatë, që sigurisht ishte nxjerrë me sëpatë, nga një trung i përdredhur. Kjo copë druri, gjatë gjithë gjatësisë, ishte e shoqëruar me pjesë të holla e të mprehta. Në fillim më jepte shpulla të forta në fytyrë, për të vazhduar me grushte në stomak dhe për të përfunduar me goditjen me dru, nga këmbët.
Këto skena u përsëritën në disa seanca. Gjatë këtyre momenteve, Ligori mbulonte fytyrën me duar, gjoja i vinte keq, për atë që po ndodhte. Herë pas herë hapte pak gishtat, për të parë gjendjen. Në dy raste u gjakosën edhe pllakat e dyshemesë. Kur pa që me të keq, nuk arriti rezultatin e dëshiruar, filloi përsëri me dredhi, duke shprehur keqardhjen, për atë që kishte ndodhur. Se kjo nuk kishte qenë në dorën e tij. Ndjeva një përbuzje për këtë hipokrit dhe nuk i ktheva përgjigje.
Në fillim të muajit prill, më nxorën në gjyq. Nuk e kuptova pse po më dënonin, me gjykatë ushtarake. Në sallën e gjyqit, kishte pak njerëz. Nga ajo që mora vesh më vonë, nuk kishin nxjerrë lajmërim. Nuk kishin lajmëruar, as familjarët e mi. Siç duket kishin vendosur, ta mbyllnin shpejt këtë proçes. Kishin hapur fjalë se akuzohesha për agjenturë dhe tani populli do të asistonte në një komedi, me akuzat e disa palaçove, për agjitacion e propagandë. “U mbars mali e polli një mi”, thotë populli.
Filloi të flasë prokurori (ashtu siç kisha parë nëpër filma), me një ton të rreptë e të lartë, duke më akuzuar “për agjitacion e propaganda, për minimin e pushtetit popullor”. Pas prokurorit, gjykatësi kërkoi të shprehesha, nëse e pranoja akuzën. Ashtu si dhe gjatë hetuesisë, përgjigja ime ishte negative. Dolën dëshmitarët e fakultetit dhe bënë ato dy-tre akuza; “për shkollat më të mira e për jetën më të mirë që bëhej jashtë”. Në atë periudhë avokat mbrojtës nuk kishte, ligjet nuk i njihja, dhe si i akuzuar për politikë, drejtësi nuk kishte.
Megjithatë, nganjëherë ndodhte që gjykata të bënte diçka të ndryshme, për t’i dhënë popullit të kuptonte, që drejtësia ekzistonte, dënimet i jepte ajo dhe nuk vinin nga Sigurimi. Për këtë arsye, gjykatësi pasi dëgjoi dëshmitarët dhe vetëmbrojtjen time, e mbylli seancën e parë, duke i kërkuar prokurorit prova të tjera, pasi këto të sotmet, nuk ishin të mjaftueshme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016