Nga Uran Butka
Pjesa e dytë
Memorie.al / Mustafa Gjinishi ishte një personalitet i shquar dhe i veçantë i së majtës progresiste shqiptare, në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai u bë i tillë, si rrjedhojë e traditës atdhetare e demokratike të trevës së Peqinit dhe të familjes Gjinishi, produkt i kohës, i cilësive dhe e vullnetit të tij të pazakonshmëm. Familja Gjinishi, ndikoi në formimin e Mustafait të ri. Babai i tij, Ademi, mori pjesë aktive në ngritjen e flamurit kombëtar më 26 nëntor 1912 në Peqin. Ai ishte delegat i Peqinit, në Kongresin e Lushnjës, në vitin 1920 dhe mbështetës i krahut demokrat. U vra nga njerëzit e Shefqet Vërlacit, në vitin 1923.
Vetë Enver Hoxha dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, e kishin caktuar Mustafanë si koordinator dhe përkthyes me britanikët, që ishin aleatët tanë në Luftën Antifashiste. Ishte diabolizmi, cmirëzia, disniveli, rivaliteti dhe frika e Enver Hoxhës ndaj Mustafait, të aftë, të hapur, intransigjent, popullor, të admirueshëm nga Aleatët. Oficerët britanikë që ndodheshin në Shqipëri në atë kohë, pa përjashtim e kanë vlerësuar Mustafa Gjinishin.
Xhulian Emeri, shkruante: “Nga takimet që kemi pasur me udhëheqës shqiptarë, Mustafa Gjinishi, që ne e njihnim të gjithë, kishte njohuri për zhvillimet ndërkombëtare”! (Xhulian Emeri, Libri “Bijtë e Shqipes”).
Ndërsa Hibbert, tek libri “Fitorja e hidhur”, shkruan: “Po të përdorësh termat komuniste, ‘Gjinishi ishte oportunist’ me kontakte të gjera me shumë nacionalistë dhe sektorë të jetës shqiptare, shprehej në favor të të përpjekjeve të gjera kombëtare kundër pushtuesve, ishte popullor në forcat partizane, kishte dëshirë dhe aftësi për të punuar në mënyrë konstruktive me të huajt nga Perëndimi dhe i prerë për të qenë nismëtar i pajtimit kombëtar”!
Shefi i Misionit anglez, Gjenerali Deivis, e përshkruan kështu: “Ai e fliste mirë anglishten, që i dha përparësi në marrëdhëniet me ne, por ngjalli dyshime. Kur e njohëm, ramë në një mendje për të bashkëpunuar dhe bisedonim me të, pasi ai qe njeri i arsyeshëm. Gjithashtu, ai kishte një prirje të këndshme humori. Nëse Mustafai do të udhëhiqte shtetin në vend të Enverit, vështirë se do të bëhej lodër në duart e Rusisë”. (Gjenerali Deivis, “Aventurë Ilire”).
Përgjegjësi i Seksionit Aleat për Shqipërinë, nënkolonel Filip Lik, që kishte ardhur në Shqipëri më 10 maj, për të parë vetë nga afër situatën, refuzoi ftesën e Enver Hoxhës për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit,. Sipas tij dhe qeverisë britanike ai ishte një kongres i paligjshëm, që angazhonte ushtrinë Nacional-Çlirimtare për të marrë pushtetin pa mbaruar ende lufta, ndryshe nga ç’ishte vendosur më parë dhe përjashtonte gjithë faktorët e tjerë politikë, të cilët, sipas Hoxhës, duhet të asgjësoheshin, etj.
Aleatët nuk e njohën kongresin dhe qeverinë (Komitetin) e dalë prej tij dhe deklaruan se; “nuk do të njihnin asnjë qeveri, që do të zgjidhej me forcën e ushtrisë, por vetëm me zgjedhje popullore pas luftës”. (FO 371/43554 PRO)
N/koloneli britanik, i dërgoi me adjutantin e tij një letër Mustafa Gjinishit, ku i shpjegonte arsyet përse nuk merrte pjesë në Kongresin e Përmetit. Enver Hoxha e paraqet kështu këtë fakt, përpara kolonelit jugosllav, Stoiniç, në Berat: “Ne e pamë kur n/koloneli ia dërgoi letrën Mustafait dhe ky e këndon dhe ia kthen përgjigjen me zarf. Miladini iu afrua Mustafait dhe i tha: ‘Çështë ajo letër’? S’është asgjë, i thotë Mustafaj.
‘Ti je njeriu i anglezëve, i thotë shqip Miladini. Mustafai iu përgjigj; Unë nuk jam tradhtar” (AQSH, Fondi 14, D.2, Viti 1944) Në këtë dialog, sintetizohet një nga të vërtetat tragjike të Luftës Nacional-Çlirimtare. Në krye të Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Luftës Nacional-Çlirimtare, ishte Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugozha, nga të cilët i merrte urdhrat Enver Hoxha.
“Kush e ka udhëhequr Partinë tonë? Partinë tonë e ka udhëhequr në punë ‘Aliu’ (pseudonimi i luftës i Miladin Popoviçi), në udhëheqje ka qenë ‘Aliu’, dorë e djathtë e Enverit” – thotë anëtarja e Komitetit Qendror të PKSH-së, Liri Gega. Ja ç’thotë vetë Enver Hoxha me gojën e tij: “Ata që ishin kryesorë, ishin ‘Aliu’ dhe Dushani. Çdo gjë që thoshte ‘Aliu’, ishte e mbaruar. Vija terroriste është e fortë tek Dushani, që vriste më shumë se Mehmeti. Ke ‘Aliu’ ishte me hënë. Unë në këtë pike, isha pasqyrë e Aliut, d.m.th., kur thoshte ai se ky po bën kështu, atëherë vendosnim ta vrisnim…! Asgjë s’e peshonim! Parrulla; o me ne, o kundër nesh’, ishte në rend të ditës…! Sa për Mustafa Gjinishin, ajo ka qenë ndryshe. Ne mendojmë se ajo duhej bërë….”! (QSH, F.14, d.2, Plenumi i Beratit).
Enver Hoxha, ka qenë i ndërgjegjshëm dhe i vendosur për vrasjen e Mustafait. “Ajo duhej bërë” – rrëfehet ai. Shihet qartë, Hoxha ishte një terrorist profesionist, qe e ngriti karrierën mbi vrasjet, jo vetëm të kundërshtarëve politikë, por edhe të shokëve më të afërt e më të çmuar të Luftës Antifashiste. Enver Hoxha ishte një mostër, që ia kalon edhe ustait dhe idhullit të tij, Stalinit, për krimet që ka kryer.
Përpjekja tinëzare e djeshme dhe e sotme për të manipuluar se Enver Hoxha ka qenë “i keq”, pas Luftës dhe “i mirë”, gjatë Luftës, është një shmangie nga historia e vërtetë, një mashtrim dhe një përpjekje mjerane për ta rehabilituar atë. Enver Hoxha i ka bërë krimet më të mëdha gjatë Luftës, krime politike dhe krime kundër njerëzimit, siç është edhe krimi kundër Mustafa Gjinishit.
Pikërisht, në Përmet, u vendos nga Miladin Popoviçi dhe Enver Hoxha, eliminimi fizik i Mustafa Gjinishit. Por asgjësimi i tij ishte menduar qysh më parë. Në letrën që Enver Hoxha i shkruante Nako Spirut, i thoshte: “Puna e Mustafait, neve nuk na pëlqen, edhe çështja e Mukjes, si edhe mesazhi i Radio-Londrës për ‘Tafarin’, etj. Lidhjet dhe lëvizjet e tij, duhet të kontrollohen.
Me Mustafanë duhet të lozim një lodër me shumë kujdes…! Mua nuk më mbushet mendja dhe po më bëhet një ide fikse, çështja e Mustafait. Prandaj duhet t’i hetosh mirë lëvizjet e tij…”! (Letër dërguar Nako Spirut, më 4 tetor 1943). Po kështu Enver Hoxha i jep porosi Liri Gegës, për survejimin e Gjinishit në Dibër.
Nga ana tjetër, Miladin Popoviçi kërkonte kokën e Mustafait, sepse ky shtronte zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe kundërshtonte politikën “përça e sundo” të emisarëve jugosllavë. Miladini i shkruante Koço Tashkos: “Në qoftë se kërkohet se kush e ka bërë pyetjen; ‘Si qëndron çështja e Kosovës’, po jua them se e kanë bërë ‘Dinoja’ (Koço Tashko, shën.im, U.B.) dhe ‘Tafari’ (Mustafa Gjinishi, shënimi im, U.B.), tue thanë se e tanë Shqipnia. asht e preokupueme prej këtij problemi.
Të gjitha çështjet, vijnë prëj idenave jo të qarta e të errëta, që i kombinon ti, shoku ‘Dino’ me ‘Tafarin’, për çështjen nacionale. Ju kini mbërritur shumë larg në hipoteza dhe e kini shtrue çështjen e Kosovës shumë tragjike dhe si çështjen më aktuale në Shqipëri”.
Miladini sulmonte Koço Tashkon: “Akuza ‘përça e sundo’ që shkruan ti për mua, është thënie e ‘Tafarit’, që e don aq fort ti dhe e merr hua me aq vullnet. Vetëm se ai do të përgjigjet për këtë, një ditë”. Por kërcënimin me jetë e ka për Mustafa Gjjinishin, që e vuri në zbatim bashkë me Enver Hoxhën.
Vetë Mustafai e kishte nuhatur që do ta eliminonin. “Kanë frikë nga unë se kam shumë simpati në popull, – thotë Mustafai. – Kanë frikë nga unë, pse kam simpati për anglezët. Kohët e fundit kam pasur një bashkëfjalim me Enverin, me të cilin jam grindur shumë”! (Informacion i Gogo Nushit, për Mustafa Gjinishin, 23 gusht 1944)
Edhe e motra e Mustafait, Xhemilja, që rrinte në shtëpinë e Myslym Pezës, tregon: “Më çojnë në Veri për të më vrarë, i tha Mustafai Babë Myslimit. – ‘Ikë jashtë shtetit’,- i tha Baba. ‘Jo, më mirë të vritem, sesa të iki si dezertor nga Shqipëria. Unë s’kam ba ndonjë faj!- ia ktheu Mustafai. – ‘Për ty do ta çoj gjakun, në gju të kalit’! i tha babë Myslimi”.
E transferuan Gjinishin nga Peza në Dibër dhe përgatitën skenarin për ta vrarë. Zbatimin ia ngarkuan Liri Gegës dhe Shefqet Peçit. Kur grupi i përbërë prej Liri Gegës, e dërguara e Komitetit Qendror në Korparmatën e I-rë, Mustafa Gjinishit, i dërguar i Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar dhe majori britanik, Smith, pranë asaj Korparmate, si edhe shoqëruesit e tyre, po kalonte nga Peshkopia në Slatinë, atij i ishte bërë një pritë, e organizuar nga Liri Gega dhe Shefqet Peçi.
Kaloi pararoja, kaloi edhe Liria me shoqëruesit, ndërkohë që para pritës u shfaq Mustafa Gjinishi dhe majori Smith mbi kuaj, u godit me dy të shtëna vetëm Mustafai, që ra i vdekur përtokë. Majori Smith, u kthye pas për në Peshkopi. Ishte data 23 gusht 1944. Siç tregon shoqëruesi i Mustafait, Fadil Thartori, prita ishte përgatitur, qysh më parë, për të vrarë Mustafanë.
“Ishte qëlluar me dy plumba në ballë dhe në zemër. Duke u dridhur e duke qarë, fillova të kontrolloj xhepat. Pasaporta dhe dokumentet e tjera, ishin shpuar nga përpara, d.m.th., se Mustafai nuk ishte qëlluar nga prapa shpine, siç u tha më vonë. Dokumentet dhe armatimin e Mustafait, ia dorëzove Liri Gegës në Sllatinë. Mua nuk më pyeti njeri, se qysh ndodhi kjo vrasje”.
Menjëherë Liri Gega, njoftoi me telegram Enver Hoxhën. Ja përmbajtja e telegramit të parë:
Telegram. Rezervat…! Shifër sekrete (për Enverin).
Çdo gjë mbaroi sipas porosisë suaj. Prisni radiogramin që vijon.
“Muzhiku” (Pseudonim i Liri Gegës)
E pranon vetë Enver Hoxha, përmbajtjen e telegramit: “Telegrami thoshte; ‘Puna doli me sukses’. Kjo ishte puna e Mustafait”. (A.Q.SH., Fondi 14 D.2, Viti 1944).
Enveri e pranon këtë vrasje, sepse ajo u bë e njohur nga të gjithë, edhe në shtypin e kohës, madje edhe nga britanikët. E pranon edhe si një kërcënim për të tjerët. Megjithatë, fillimisht, Hoxha u mundua ta mbulonte, si shumë vrasje të tjera politike. Ai, më datën 26 gusht 1944, pra, pas tre ditësh heshtjeje, vetëm kur mori një radiogram nga Kuartieri i Përgjithshëm Aleat për vrasjen e Mustafa Gjinishit, e shpalli atë hero, të rënë në luftë kundër gjermanëve. Ç’hipokrizi e llahtarshme.
Po ç’thotë Sejfulla Malëshova?
“Për herë të parë mora vesh punën e Mustafa Gjinishit dhe nuk e di përse. Një nga të dyja: Ose ai ka qenë tradhtar i Partisë edhe i popullit, sot kur jemi në luftë dhe atëherë, ne duhet ta vendonim hapët, ose ai ka bërë gabim e, për gabim nuk vriten njerëz. Përveç kësaj, mënjanë e vrasin Mustafa Gjinishin, me anë tjetër, e quajnë hero para popullit dhe organizatave. Këto metoda jezuite, s’kanë të bëjnë fare me Partinë Komuniste…”!
Ja si e përcjell Gogo Nushi, përjetimin e Myslim Pezës:
“…Parmbrëmë mësuam nga Radio-Bari për vrasjen e Mustafa Gjinishit. Ia njoftuam Myslim Pezës, i cili u hidhërua shumë dhe nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh, filloi të pijë raki përpara ma shumë se 50-60 vetash, e filloi të flasë: ‘Mustafain e kanë vrarë shokët, se ky qe më i zoti se ata.
E kërkova të vinte në Pezë, si Mustafën, ashtu edhe Hasanin (Reçin), por nuk më lanë Ramadan Çitaku, të cilit i dhjefsha mustaqet. Mustafai, para se të largohej nga Përmeti, më tha se; më dërgojnë në Dibër dhe atje do të më zhdukin…! Më kishte thënë shoku Enver për Mustafën, që duhej pushkatuar”! (Nga letra e Gogo Nushit, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, F1. 4, D 44).
Trupi i Mustafa Gjinishit, u varros me nderime në Varrezat e Dëshmorëve të Peshkopisë. Pak ditë më pas, me urdhër nga lart, eshtrat e tij u zhvarrosën natën dhe u hodhën në një përrua, që t’i merrte ato me vete e, të mos mbeteshin as gjurmët e varrit. Kjo ndodhi para 80 vjetësh. Po tani?! Sot flitet e shkruhet për Luftën Antifashiste, për Pezën, për Aleatët, për Enver Hoxhën dhe ata që e vranë Mustafa Gjinishin, por asnjë fjalë për Mustafa Gjinishin?! Memorie.al