Nga Xhevair Lleshi
-Namik Mehqemeja – meteor-
Memorie.al / Më 23 tetor 1992, tri motrat Mehqemeja, më erdhën në shtëpi. Kishin një amanet të mbështjellë me rrobë të mëndafshtë. “E dimë dhimbjen tuaj, – thanë me një zë, mbështetur pas njëra-tjetrës në divan. – Dhimbja shkon te dhimbja. Janë krijimet e vëllait tonë, Namikut. Me shkrim dore. Pjesë nga revistat, gazetat. T’i besojmë ty bashkë me dhimbjen, që edhe pas kaq vitesh na mbajti gjallë…”! Dhe qeshën pak, vetëm sa vizatuan një vijë të hollë të projektuar bukur…!
U bë vonë dhe meqë nuk më merrte gjumi fillova të merresha me Namikun, njëzetvjeçar. Fotografia rrëzëllente në ambikun më ekstrem. Nga çdo pozicion të vendoseshe, ty të shihte, të ndiqte. Nuk di si ta përshkruaj sot rrëshqitjen poshtë të buzëqeshjes së tij, atë rënie të paralajmëruar, që e bëri tamam siç i ka hije burrit, me një shkëlqim të përsosur. M’u duk sikur buronte diku nga fundi i dheut dhe donte patjetër të shihte dritën verbuese të diellit. Edhe pse të merr sytë ajo dritë lakmohet. Ndryshe vdekja s’do ishte aq e bukur!
Ai vërtet shkëlqente, duke shpërthyer në stërkala hareje, po për pak mbytej në një pikë ujë, duke u rropatur mes miqsh, duke u përpëlitur nën vete. Nuk ndihej i aksidentuar, as i lodhur, por i fyer brenda fatit dhe zezonës së shpirtit njerëzor. Ndoshta një shtysë e pabesueshme, e dobët, flegmatike, përbuzëse, që të poshtëronte gjer në fund të shpirtit, një gjendje ferri brenda lirisë vetjake. A ia kishte shpjeguar ndonjërit, këtë gjendje? E kishin kapur të armatosur dhe me trakte mes territ. Përgjegjës i rinisë së “Ballit Kombëtar”. Namik Mehqemeja dhe Resul Dollani. Dy shokë, dy bashkëqytetarë. Por Namiku kishte diçka më tepër dhe s’dinte ku t’i fshihte: poezitë e tij!
E digjnin, ashtu të pashkruara, si një zjarr, i cili në vend që ta ngrohte, e përcëllonte. A mund të djegë poezia? Kurrë s’mund të besohet. Veçse Namikun ato minuta, e përvëlonin, mbështjellë me dashuri të epërme. Afronte liria, duke shpërthyer në qiellin e bruztë. Një endje e gjatë nga të qenit inekzistent, pa mundësinë e plotësimit të nevojave, pa identitet (ai s’mbante asnjëherë mjete identifikuese!), pa kryelartësinë boshe që e rrethonin ngado, pa u afruar me ata që brohorisnin dhe mbillnin ngado vdekje, i tretur nga malli i një njeriu të mallkuar, që pret ta vrasin, që pret ta akullojnë në mënyrë që të fitonte lirinë e përjetshme.
Vrasës të një moshe, të një fati. Se fati vjen për të gjithë por pak e shohin. Kjo ngjan me shikimin e ngjyrave të dritës: më gjeni një që i sheh, po në atë çast që feks fati (drita!) të shtatë ngjyrat e ylberit…! Të gjithë do thoshin për të: ky është Namik Mehqemeja. E kapën natën në terr, partizanët. Ndal! Ai ndaloi. Kush je ti? Heshtje. Afrohu! Duart lart! Kush? Aha, s’po flet. Kontroll! Ç’janë këto? Trakte! Trakte balliste?! Të dashur qytetarë…”! Drita e elektrikut binte mbi letrën e stamposur! “Ngrihuni kundër bishës së kuqe…! Ditë të zeza po afrohen…! Mos besoni…”! “Ou, ou, ou! Ky na qenka Trimi! Ky na qenka ai që kërkojmë?! Erdhi si cjapi te kasapi! Lidhja duart! Prangat! Mos lëviz se t’i hapëm trutë”!
Dhe e prangosën të riun e talentuar. Poezia atij i vezullonte në shpirt. Gjetje befasuese dhe të mprehta, të holla, me një spërkatje të lehtë humori e ironie, që po ta shihje me vëmendje, tingëllonte dhe merrte ngjyrim pataksës, në peshën e rëndë të groteskut me një gjerësi shtypëse. Nuk e la kush të studionte (fati apo lufta?). Vazhdimisht kërkonte diçka të humbur, të lënë padore dhe hidhej befas te fletorja e trashë, për të derdhur vargjet. Ai ishte njëzet vjeç.
Dhe dy djem partizanë e prangosën. S’mund të rezistonte, i pëlqente në çdo kohë të meditonte, ta shihte mbarë e prapë atë frazë që mendonte. Për një tjetër, ky mund të ishte hutim. Por Namiku nuk e njihte këtë tipar, as në periudhën e një krize të thellë, atë sapo e kishin arrestuar. Jetonte çastin me mendimet e tij të bukura, të thadruara pranë prushit që linte pas zjarri poetik. Atë çast i erdhi ndërmend shtëpia, dhoma e tij, motrat e vogla. Diku në një cep të dhomës, një tryezë e sajuar mirë, me syzë, një makinë shkrimi e huajtur, një vazo ku kishte ngulur një trëndafil të bardhë plot erë, që i sillte ndërmend Bokaçion…!
I lexoja me një tis mjegulle poezitë dhe më thaheshin buzët. Doja të pija patjetër diçka. Ai donte një vajzë. Sytë, flokët, qielli i rimtë, buzët, gjoksi i fshehur, duke luftuar me të vërtetën magjike. E donte shumë. Një ezmerkë, që ia pëlqente vjershat, vargjet, poezitë. Po edhe prozën që sillej me ritmin e poezisë. Pa ngërç. Pa sfrat. Buzë humnerës…! Vetë Namiku ishte fytyrëmprehtë, kishte diçka delikate në atë fytyrë, diçka që të mbetej thellë në mendje: vështrimi i tij magjik, i përsosur, që të detyronte të lije mendjen pas tij, me një zgjuarsi të spikatur që s’mund të fshihej dot. Në portretin e tij binin në sy menjëherë shenjat e vullnetit të pamposhtur! Dhe për këtë dha prova.
“Po vrisni vëllain tuaj! Mos e bëni këtë, se do vijë një ditë që do pendoheni thellë! Edhe pas një shekulli, po të jetë! Mos dëgjoni sirenat e kuqe, mos bëni sikur ndiqni pas bushtrën e zezë naziste, duke terrorizuar vëllezërit tuaj. Mallkuar qofshin ata, të tjerët e largët, por jo ju, vëllezërit e mi…”! Në nofullat e shtrënguara, sytë e zinj të kthjellët, fraquar nga një thëllim i ftohtë, njiheshin së largu. Ata ishin sytë krejt të veçantë, të Namik Mehqemesë. E kush mund t’ia shante trupin e lidhur, i tëri vesk dhe që rrezatonte fuqi. E bindja veten se ai mund të ishte bërë një atlet i madh! Çdo pjesëz e trupit të tij, ishte e mahnitshme. Nuk reshtte së shkruari. Edhe kur mendonte ai shkruante, sepse mbante mend në mënyrë të përsosur.
Çdo ditë i ngjante tjetrës, asaj që vinte, ose asaj që ikte, me të njëjtin intensitet, por jo me të njëjtën karakteristikë. Ditët vërtet ngjajnë, po kurrsesi nuk janë njësoj. Edhe dy ditë me diell, nuk janë kurrë të njëllojta. Në dramën që luhet në shpinë të tyre, ka tragjizëm jo të njëjtë, as komicitet të ngjashëm, as vërtetësi të krahasueshme. Të thoshe me bindje se një si ai, do të bëhej shpejt një shkrimtar i madh, sepse energjia e tij rikrijuese, përmblidhej në buzët e holla e të shtrënguara, duke shpalosur e shkruar mbi ballë, mendimet që përtypte me forcë të habitshme. E tillë mund të ishte forca krijuese? Edhe te një djalë 20 vjeç, mund ta dalloje menjëherë hapësirën e mendimit.
Nuk thoshte kurrë dy fjalë të njëjta, s’kishte asnjë fjalë pasive, nuk tronditej nga belbëzimet apo ndërprerjet e befasishme të mendimit. Fjalët dhe fjalitë, mendimet dhe shprehjet e tij, ishin një gurrë e pashtershme. Dhe uji i kulluar rridhte, duke lëngëzuar magjishëm…! Po hynin në shtab. “E kemi kapur një nga trimat e Ballit”! “Merreni në pyetje”, thanë rojat e patrullës së natës. Ai me siguri do t’i duronte të gjitha: torturat (po edhe torturat një poet i bashkëshoqëron me poezi!
Madje ata, atje tej, me dhëmbët çataj, ta kërkojnë këtë me një ndyrësi të jashtëzakonshme!), prerjen e majës së gjuhës, dëshirën e madhe, për t’ia hapur kafkën dhe për t’i nxjerrë mendimet, madje e goditura e parë me daltë në tëmth, ishte një nga provat e sigurta, për të arritur shkëputjen e mendimeve gjatë përgjigjeve, shoqëruar me goditje të mprehta, tentativa e thjeshtë, për t’ia nxjerrë syrin e djathtë (mendo: syrin e djathtë!), duke ia lënë varur, rrënimin e kockave kyç, duke i goditur me tokmak, mbushjen e trupit me ujë, deri në sfokje – pothuajse në mbytje delirante, përmes një gajasjeje të shformuar e të pafytyrë.
Ato çaste ai shihte të dashurën e tij, së brendshmi, me një kthjelltësi të habitshme: kaçurrelat e gjata e të zeza, syri i madh (i madh sa s’ka tjetër!), me qerpikë të gjatë të vetvetishëm, buzët e kuqe all e të mbushura, trupi lastar dhe i brishtë, vetullat e holla e të harkuara me një përthyerje të pabesueshme, që i jepnin një dhuratë të paçmuar: vështrimin plot habi të pashoqe…! Mundën ta linin pa bukë. Edhe pa ujë. E sollën shpesh në gjendje të skajshme, kur mund ta kërkoje vdekjen si një margaritar, ose e godisnin me grushte në mes të barkut, pasi kishte ngrënë, dhe ai villte pa fund vrer. Vetëm vrer.
Nuk i zgjaste më fjalët, s’kishte fuqi, as që mund t’u zinte më besë edhe mendimeve të tij. Dukej i lodhur, tmerrësisht i lodhur, por çuditërisht, me hijen e rëndë të energjisë së pashuar në regëtimën e syve dhe të frymëmarrjes. Errësira nuk i hynte dot brenda. Aty në thellësinë e tij, kishte dritë boll, qartësi të lebetitur, ardhmëri të pasosur, kureshtje të tmerrshme, ardhangie të përsosur. Nuk kishte mjegull aty, jo, as erë nuk frynte. Përbrenda poetit, ishte paqe e amshuar. As kërkonte e, as ankohej, por vetëm mendohej. Po ndërkaq ndërronte stina: sa shpejt që vraponin mendimet, sa egërsi kishin shpesh stuhitë dhe shpërthimet, gati t’i pëlciste koka. Sepse po vinte ora dhe ato donin të shpreheshin, të nxitonin duke dalë jashtë.
Kujtesa e tij po bënte një punë të llahtarshme. Si ndodhi kjo? Si mundi të ndodhte kjo? Dhe ata qeshnin, si zogori qensh të tërbuar. “Shikojeni budallain,- thoshin. – Shikojeni si e tret veten. Si ato fletushkat e tij që donte t’i shpërndante”! Atë çast, torturuesit e tij ngrinë. Erdhi një nga krerët e partizanëve. Luan Qafëzezi. “Po ti xhan i vëllait? Po ti pse këtu? Pse je kështu? T’u bëftë vëllai! Më thanë se bën traktet më të bukura! Edhe unë trakte kam bërë! Tani nuk bëj më! Tani jemi në fund. Gjermanët e thyen arrëzën, ikën atje matanë. Ky është agimi i lirisë. Dhe kjo është e drejta jonë! Edhe unë jam poet. Edhe unë thur vargje. Po kundër kujt thua ti? Kundër pushtuesit! Kundër jush, tradhtisë…”!
Namiku mezi përvijoi një dhimbje, që i ngjante buzëqeshjes. Dhe belbëzoi: “Të njoh aq sa më njeh! Të dua aq sa më do. Por lëre mënjanë poezinë. Ajo do të rrojë përtej nesh, larg teje e meje! Erdhe të më torturosh? Ja tek më ke. Bëni atë që kini për të bërë! Tani…”! Nuk mund të them me saktësi ç’ndodhi asaj nate. Nuk di të them as edhe çfarë mendonte Namik Mehqemeja, atë natë të sterrosur, pa yje, pa hënë dhe me plot re. Veç di të them se atë natë, nuk fjeti kush gjumë, as torturuesit partizanë, as ai që torturohej. Ai po jetonte në një jerm absurd, vetëm, me një mendim të ngulur fort në tru, që e dëbonte tek e shihte tek afrohej, me një zjarr që digjej flakadan, pa nxjerrë jashtë ndjelljen e mëshirës.
Ky ishte i vetmi zjarr pa tym, një gjendje e brejtur nga gjallesa fantazmagorike. E shoh edhe tani aty ku është: i ulur mbi një gur, këmishë shqyer, i gjakosur, i etur, i kredhur në mendimet e tij të stuhishme. Askujt nuk mund t’i kërkonte fjalën e nderit, mëshirën, vrasjen, plagët, ose t’i lidhnin dhe kuronin dhimbjen…! Namik Mehqemeja, shkruante me vrull, siç i vinin mendimet e buhishme, në fletoren e trashë, që e mbaj tani para duarsh. Ai gjithashtu lexonte stuhishëm me dritën e syve, duke i peshuar fjalët në bebëz. Pas shkrimit, letrat qetësoheshin, rrinin butë-butë si nën dritën e hënës.
Veprat e Dostojevskit, nuk janë më në shtëpinë e tyre (vonë unë do t’ua bëja dhuratë tri motrave, në shqip!). I dogji lugati i kuq, të cilin e përshkruante në traktet e tij të malulta. I dukej sikur mblidhte tërë mirësitë (po edhe prapësitë) e botës, për të ndezur zjarrin poetik. Lexonte “Atë Sergin” e Tolstojit dhe e rrëmbente gjendja e tmerrit shpirtëror. Ngjethej i tëri prej kumtit të madh të Gogolit, tek “Frymë të vdekura”…! Nuk dinte ku ta mbante mendjen më parë. Lexonte vetëm në italisht. “E kuqja dhe e zeza”, “Budenbrokët”, “Saga e Forsajtve”, “Lufta dhe Paqja”, “Don Kishoti i Mançës”… Nuk donte formim të gjymtuar. Dhe kujtonte fjalët e ethshme të Atit, Mit’hat Frashëri. I madhi profet, i bukuri Njeri. I madhi parashikues.
Ishin takuar disa herë. Por atij i seritej para syve hija në gjysmë fytyrën nën prizmin e hije-dritës. Një hije e errët, me kontrast të fortë…! Donte të qeshte dhe hidhërimi i feksi, duke mahitur plagët. “Maskarenjtë”! I bubulliu pezmi i allasojtë. Ç’mendonte kështu? Luan Qafëzezi qeshte i tëri. Shikonte përpëlitjen e mendimeve të Namikut dhe sikur bëhej pasha, kur i shihte fundin. “Tani e tutje ky poet, do të ishte armik i shpallur, i shkarë, i rrëshqitur, i dërrmuar, i trembur”, po thoshte me vete Luani, i uritur dhe në një lloj paniku, nga e përditshmja e mallkuar, që endej mbi kokën e tij të vogël e, të çelur nga sythet poetike, që mund të qaseshin pranë atyre sythave kriminale.
Mendimi i vrulloi dhe e shkundi fort. A mund ta harronte ai këtë natë? Kurrë! Po i bëhej e qartë, si drita e diellit në mes të territ e të blasfemive. Ati, Mit’hat Frashëri, po bënte orë të tëra që e priste. Donte ta takonte patjetër. Namiku hyri me vrull, si mendimet që i vinin befas. “Shqipëria e mori vulën, djalë! Mendo vetëm të mos përballesh me armë me këta. Më e mira do të ishte, të iknim sa më parë. E di çdo të thotë të biesh në gojën e hijenave? Jo? Mësoje: copë e çikë”! “Unë kam motrat At! S’mund t’i lë dot”! “Je i dënuar bir. Vetmia na pret të gjithëve si një gojë e çapëlyer. Po të përgjërohem, është rasti për të ikur bashkë: ti dhe motrat! Ky shpirt poetik nuk u bën dot ballë atyre”!
“Me mua s’kanë punë At”! Zot i madh! Ç’po më ndodh kështu! Me urdhër: eja”! “Jo, At! Jo! Këtu është vendi im…”! Jehona i kapërceu muret dhe Mit’hat Frashëri iku. Jashtë e priste makina me fenerë të shuar. Kurse mendimet gjëmonin në kokën e poetit. Paskëtaj do të zbriste në fushëbetejë rastësia. Ajo e kapi bashkë me traktet balliste. Natyra e egër dhe e panënshtrueshme, ngriheshin mbi vetëdijen e njeriut dhe bëheshin motiv. Kthehej në një shtysë të pamposhtur, që do ta nxiste për të shkuar drejt therorisë. A mund të turpërohej? Pse jo. Ky turp i përbindshëm, binte mbi supet e brishtë të së Mirës, duke qenë gjithnjë nën rehatinë rraskapitëse të së Keqes. Prandaj donte të ndodhte gjithçka dhe shpejt, sepse më pas, tutej se do të mbetej pa forcë, trembej se mos vinte çasti dhe nuk e fshihte dot rrënimin agresiv.
I dukej gjë e tmerrshme të gjunjëzohej. “Se tek e fundit njerëz jemi dhe mund të ndodhë. Brrrr. E tmerrshme…”! I trembej së keqes morale, asaj që trumbetohej të nesërmen e fitores, që duke e mbajtur në jetë, të zotëronin mundësinë për ta turpëruar, duke e zvarritur rrugëve. Poshtërim. Ashtu kishin bërë musaqazimistët në Berat, me Babë Dud Karbunarën. Tek e fundit, kështu, pse të mos e qëllonte populli me gurë? Pse të mos e pështynin? Skaji i një fatkeqësie të madhe. Historia përsëritej. Që nuk e donte, jo më ky djalosh i “Ballit të Kombit”, por askush tjetër…!
Ai dukej mjaft i shqetësuar, e ndjeu fatkeqësinë, kurthin e egër dhe trishtimi i pafund, po e vinte me shpatulla në tokë. Dhe mund të binte aty, mbi baltë dhe mbi gjakun e tij. Pa ndjenja, sigurisht. Ndoshta i çlodhur përfundimisht? Befas ngriti kokën lart dhe pa qiellin. Ishin jashtë, pa u kuptuar. E tërhiqnin zvarrë. Duket sa kishin zbritur nga makina e tyre. Lart tavani i asgjëje. Kupolë me drita të largëta, të largëta. Një tik nervor, e zgjoi. Çudia vetë. E si mund ta zgjonte ky tik? Djersët në tëmtha dhe të varguara mbi fytyrë, shpëlanin duke e pahitur fort të qeshurën e vuajtjes.
Mund të dëgjonin maskarenjtë ndonjë nga mendimet e tij të mençura, që i thoshte si i vinin, menjëherë, brenda vrullit poetik që e mbërthente dhe nuk e lëshonte kurrë. E kam dashur gjithmonë këtë çast sublim dhe të epërm, të xigluar nga drita e bekuar. Shenjim i fortë. Atij po i bënin gati tokën me nxitim. Atë çast do të dëgjoheshin krismat fatale. Errësirë. Pak fjalë që vinin të largëta. “Nuk kemi më kohë”! – dëgjohej zëri i një që i kishte mbushur poturet, duke shkërmoqur përfundimisht vargjet e mahnitshëm, që do të shkruheshin dikur. Dhe pranë veshit të tij: “A ke një dëshirë të fundit”?
“Jo. Kurrë. Unë kam vetëm dëshira që jetojnë! Mbase dikush do të lindë me këto dëshira që vlojnë…! Nuk dua krehër! Nuk dua fjalë të budallallepsura e të çmendura…”! Krismat e thata e të forta, që e çanë natën tej përtej. Namiku ra, duke belbëzuar; “Liria ime, e mjera ime, e bukura i…”! Ndërsa edhe vrasësit belbëzonin frazën; “Në emër të Lirisë”! “Në emër të popullit”! Këto fraza mbetën në fuqi për gjysmë shekulli dhe vendi ku u vra Namik Mehqemeja, ende nuk dihet. Eshtrat e tij, askush nuk i mbante mend se ku mbetën. Nuk e tregoi askush krimin. Sepse kujtesën ai e kishte marrë të tërën me vete! Ndoshta Luan Qafëzezi, mund t’i ketë marrë një talisman. Ku i dihet?!
Ndërkaq dorëshkrimi i dhënë nga motrat si një peng i madh (ato prandaj kishin rrojtur, vetëm për të shlyer amanetin!), për të parë botimin; “Shpirti është lot”. Pastaj zuri vend në Antologjinë poetike, të periudhës 1920-1944. Ndërkaq unë vetëm meditoj për jetën e prerë aq mizorisht të atij poeti dhe njeriu të madh. Traktet e tij i mori era dhe i mbajti në qiell, deri në tetor 1992…! Endem në varrezën e dëshmorëve dhe kërkoj një varr të ri dëshmori të Lirisë, të cilin as sot e kësaj dite, s’e kam gjetur dot…! Na e vranë dyfish Lirinë, të bukurën e magjishme…! Memorie.al