Nga Gjekë Gjonaj
Memorie.al / Partia Komuniste e Jugosllavisë, i solli shumë vrasje, krime e tortura edhe malit të Trieshit, sikur të gjitha trevave të tjera shqiptare. Kjo forcë ushtarake, e cila në emër të luftës për çlirim, shtriu rrënjët e saja ideologjike staliniste dhe ushtroi dhunë e barbarizma ndaj popullsisë vendase, ndaj nacionalistëve e antikomunistëve trieshjanë (shqiptarë), të cilët nuk pranuan diktatin e urdhëruar nga emisarët sllavë (serbo-malazez). Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve u vranë dhjetëra trieshjanë. Për këta trima të kësaj krahine atdhetare, viktima të komunizmit, të cilët nuk u pajtuan dhe kundërshtuan planet djallëzore antikombëtare të komunistëve sllavë, është shkruar shumë pak.
Angazhimi dhe veprimtaria e tyre në mbrojtje të tokave të tyre arbërore, ka mbetur histori e pashkruar deri në ditët e sotme, edhe nga historianët shqiptar, jo vetëm në Mal të Zi, por për fat të keq, edhe në Shqipëri. Deri para pak dekadash, familjet e këtyre viktimave, kryesisht kanë heshtur. Jo për arsye se nuk dëshironin të ndriçohet e vërteta e tyre. Por, kishin frikë nga pasojat e regjimit të egër komunist dhe shërbëtorët e tyre të verbër. Kjo ishte arsyeja kryesore pse familjarët e viktimave të komunizmit në Triesh, dhe jo vetëm nuk guxonin as të flisnin për ta, sepse e kishin trashëguar nga baballarët e tyre shprehjen rrëqethëse shekullore të shqiptarëve “Hesht, mos fol, edhe muri ka vesh!”
Familja Gjolaj, nga fshati Muzheçk i Trieshit, për herë të parë theu heshtjen 76-vjeçare, të pushkatimit të birit të saj, Nikollë Gjon Curit, në moshën 24 vjeçare. Gjon Dodë Gjolaj, i cili jeton në Tuz, duke iu referuar dëshmive gojore të gjyshit, Prekë Ucit dhe gjyshes, Mri Baces, tregon për jetën, veprimtarinë dhe historinë e dhimbshme të vrasjes së kushëririt, Nikollë Gjonit, nga regjimi komunist.
Nikollë Gjolaj u lind në vitin 1921, në fshatin Muzheçk, në një familje të ndershme atdhetare. Prindërit e tij, Gjon Cura Deda dhe Katrinë Lushkja Dushaj, nga Traboini i Hotit, kishin edhe një djalë, Antonin. Nikolla ishte djali i dytë i tyre. Ai erdhi në jetë tri vjet pas vëllait të madh. Të dy vëllezërit, njëri në moshën 4 vjeçare, kurse tjetri në moshën 1 vjeçare, mbetën jetimë, pa baba, i cili humbi jetën tragjikisht në detin Adriatik, në afërsi të Ulqinit. Katër vite më vonë u vdiq tragjikisht edhe nëna, derisa ruante bagëtinë (gjanë e gjallë).
Për fatin e tyre të hidhur, Antoni dhe Nikolla në moshën e fëmijërisë, humbën më të dashurit, nënën dhe babanë. Këta të dy jetimë i mori në përkujdesje dhe i rriti kushëriri, Prek Ucë Deda, me bashkëshorten, Mari Bacen. Nikolla në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, shkoi në Shkodër, ku qëndroi rreth një viti te vëllai i Prekës, Marash Uci. Pastaj shkoi në Velipojë, ku qëndroi rreth tri vite. Ai në vitin 1942, i bashkëngjitet organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, duke luftuar kundër forcave partizane komuniste. “Falë trimërisë dhe aftësisë ushtarake, – rrëfejnë familjarët, – Nikolla u emërua zëvendëskomandant i ‘Ballit Kombëtar’ për Shqipërinë e Veriut. Ai i qëndroi besnik kësaj ideje, megjithëse lufta zhvillohej në favor të regjimit komunist”.
Në dimër të vitit 1944, pasi “Balli Kombëtar” pësoi disfatë, Nikolla u kthye në vendlindje, në Muzheçk. Në vjeshtën e vitit 1945, Nikollën e ftojnë në Zyrën e Vendit të Trieshit, në fshatin Stjepoh. Atje i japin një letër në zarf të mbyllur, me dyllë të kuqe, për ta dërguar pa e hapur në Kazermën Ushtarake në Tuz. Nikolla e merr letrën dhe kthehet në shtëpi, në Muzheçk. I tregon Mri Baces, për detyrën që i kishin dhënë komunistët trieshjanë. Mria kishte një parandjenjë se kjo letër, mund të paraqiste rrezik për Nikollën e ri.
Ajo, duke dyshuar në pabesinë e komunistëve, edhe përkundër deklarimeve të tyre, se kjo letër nuk paraqet kurrfarë rreziku për Nikollën, e këshillon atë, që mos të shkojë në Tuz, por më parë të shkojë në Cem të Trieshit, tek Prekë Uci, të hapë letrën dhe pastaj të vendosin së bashku, se si të veprojë. Nikolla e kundërshton atë, duke i thënë që mos të merakoset, se nuk do ta tradhtojnë shokët e tij, vëllezërit trieshjanë, me të cilët shoqërohej dhe rrinin bashkë çdo ditë. I bindur se nuk do t’i ndodhi asgjë e keqe, ai niset për në Tuz. Mri Bacja, e shqetësuar për fatin e Nikollës, shkon tek kushëriri i burrit, Pjetër Gjoka.
E njofton me situatën e Nikollës dhe kërkon nga ai, që ta ndalojë atë të mos shkojë në Tuz, por të shkojë në Cem të Trieshit, te Prekë Uci. Pjetër Gjoka menjëherë i vihet mbrapa dhe e arrijnë Nikollën, në vendin e quajtur Qafë të Nagrivës. U mundua t’ia mbushë mendjen dhe ta bind atë, që të heq ë dorë nga shkuarja në Tuz, por pa sukses. Nikolla vazhdoi rrugëtimin e tij të vdekjes në Tuz, prej nga pas dy ditësh, në gjithë Malësinë u hap lajmi i hidhur për pushkatimin e tij, në oborrin e Kazermës Ushtarake të Tuzit, në ish-objektin e Repartit të Fabrikës së Tekstilit “Titeks”. Thuhet se atë ditë Nikolla, në lulen e rinisë, u pushkatua me dy malësorë të tjerë, nga plumbat vrastarë të komunistëve dhe se trupat e tyre të pajetë, i hodhën diku në afërsi të Liqenit të Shkodrës, buzë fshatit Nënhelm.
Familja Gjolaj, e di se kush ishte njeriu që dyshohet se e spiunoi Nikollën, 76 vjet më parë. Por, ajo, sot e kësaj dite, nuk di asgjë më shumë për vrasjen e djalit të tyre, madje as vendin ku i kanë mbetur atij eshtrat. Për të qenë edhe më keq, familja Gjolaj nuk ka guxuar të bëjë asnjë kërkesë zyrtare, për gjetjen e eshtrave të djalit të tyre, gjatë kohëzgjatjes së regjimit komunist. Pjesëtarët e kësaj familjeje, gjithnjë kanë qenë të vëzhguar nga pushteti i kohës. Administrata e Sigurimit Shtetëror (UDBA) nuk e ka lënë të qetë, as kushëririn e Nikollës, Dodë Prekën, në Gjermani, i cili për tri vite, nuk ka guxuar të vizitojë familjen e tij në Triesh.
Kjo është dëshmia ekskluzive e familjes Gjolaj, për historinë e panjohur të vrasjes së djalit të tyre nga komunistët serbo-sllavë, i cili luftoi bashkë me luftëtarë të tjerë nacionalistë shqiptarë, për lirinë e shqiptarëve, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të vëllazëruar, kundër regjimeve komunist diktatoriale në Shqipëri dhe në Mal të Zi.
Dedë Nikë (Nici) Nikollaj, pushkatuan komunistët jugosllavë, por nuk pranoi të heq kryqin nga qafa
Nuk është i vogël numri i trieshjanëve të cilët u arrestuan, u torturuan, u burgosën dhe u pushkatuan nga regjimi totalitar i komunizmit në Shqipëri dhe në ish – Jugosllavi. Numri i saktë i këtyre të pushkatuarve për motive politike, deri më sot nuk dihet, sepse këto shifra, asnjëherë nuk janë bërë publike nga asnjë institucion shtetëror e, as nga ndonjë historian shqiptar apo i huaj. Këta djem dhe burra antikomunistë, u harruan nga shteti dhe historiografia shqiptare edhe pas tri dekadash në demokraci, por mbetën të paharruar në kujtesën popullore (kolektive) të Trieshit.
Për këta guximtarë, të cilët i dolën në shesh dhe u përballën me diktaturën dhe diktatorët e kohës, gjatë periudhës së monizmit, nuk është guxuar të flitet asnjë fjalë e vetme, sepse familjarët, të afërmit dhe farefisi i tyre kishin frikë se do të ndëshkoheshin ashpër dhe pamëshirshëm nga diktatura komuniste. Kjo heshtje, për fat të keq, vazhdon edhe sot në periudhën post – komuniste demokratike, në disa familje trieshjane, të cilat ende nuk janë çliruar nga paniku të cilin e përjetuan.
Disa trieshjanë të ekzekutuar nga diktatura komuniste, vazhdojnë të jenë të zhdukur. Edhe sot mjaft familje trieshjane që vuajtën persekutimin komunist, nuk dinë ende se ku gjenden eshtrat e të afërmve të tyre, të vrarë gjatë diktaturës. Ndër trieshjanët e rrallë që u vra nga komunistët jugosllavë dhe u varros në varrezat familjare, është Dedë Nikë (Nici) Nikollaj nga fshati Muzheçk. Ai është një emër i panjohur për shumicën e shqiptarëve. U lind në vitin 1910, në një familje e varfër fshatare. Prinëdrit e tij Nika dhe Bjeshka, kishin tre djem, Prelën, Tomën e Dedën dhe dy vajza, Filen dhe Pashkën.
Dedë Nici jetoi në një familje prej pesëmbëdhjetë anëtarësh, në kushte tejet të vështira, sikurse edhe shumica e moshatarëve të tij të varfër të Trieshit. Ai u rrit në mjerim, i cili përkon edhe me legjendën e Migjenit. Nuk dinte shkrim e lexim, por ishte atdhetar dhe besimtar si dhe shumë muzheshjanë të tjerë. U martua në moshën 31 vjeçare, me vajzën (nuk ia dimë emrin) e Gjekë Ukë Dedvukaj, nga fshati Bardhaj të Hotit, kushërirë e afërme e heroit tonë kombëtar, Dedë Gjo’Lulit.
Lumturia mes këtyre dy bashkëshortëve, zgjati pak. Vetëm një vit, kur partizanët jugosllavë e vrasin Dedë Nicin, në moshën 32 vjeçare. U ekzekutua për fajin e vetëm, se ishte kundër regjimit komunist në vitin 1945, afër vendit të quajtur Fjerrkuqe në Bardhaj të Hotit. Në momentin para se ta pushkatonin, partizanët sllavë të pa fe, kërkuan nga Deda që ta hiqte kryqin që e mbante në qafë dhe ta përdhoste.
-“Hiqe atë kryq që e mbanë në qafë dhe gjuaje në tokë”! – i bërtiti me zë të lartë oficeri partizanë. –“Jo, nuk e heq kryqin për së gjalli”! – iu përgjigj me gjakftohtësi Deda. – “Ose do të heqësh kryqin, ose do të vdesësh”, – e kërcënon përsëri oficeri. – “Dua të vdes me nder, si i krishterë”, ishin fjalët e fundit të Dedë Nicit, para pushkatimit. Pas shqiptimit të këtyre fjalëve, atë e vrasin partizanët komunistë. Kështu u shua edhe një jetë pafajshme, e një djali të ri të sapomartuar e, pa trashëgimtar, duke marrë me vete vështirësitë, vuajtjet, dhe dhimbjet e mëdha e, shumë më pak gëzimet e kësaj jete.
Vdekja e tij theu përgjithmonë zemrat e prindërve, vëllezërve, motrave e familjarëve të tij. Familja, pasi dëgjoi lajmin e dhimbshëm e, të papritur për vrasjen e djalit të tyre, e morën trupin e tij të pajetë dhe e varrosën në varrezën familjare në vendlindje, pa ndonjë ceremoni mortore të gjerë publike, për shkak të frikës nga regjimi i kohës. Familjarët dhe pasardhësit e tij, për dallim nga shumë familje shqiptare, të cilat ende nuk i dinë eshtrat e më të dashurve të tyre, patin fatin që të kenë ku të vendosin një tufë lule dhe të ndezin një qiri, për djalin e tyre të dashur.
Tre nipat e Dedë Nicit Nikollaj, Zefi, Nikolla dhe Gjeloshi, të cilët ndodhen në mërgim, në shtetin e largët në Australi, ia ndërtuan varrezën familjare. Ata sa herë që vijnë në vendlindje, shkojnë pranë varrit, për të qetësuar shpirtin e tij dhe të familjarëve të tyre të tjerë eshtrat e të cilëve prehen aty. Gjaku i tij i derdhur do të bashkohet me gjakun e të gjithë atyre shqiptarëve që u vranë padrejtësisht nga komunistët. Gjaku i tyre i përbashkët, do të bëhet dritë për popullin shqiptar dhe për të gjitha trojet shqiptare.
Nikë Micakaj, trieshjani 32 – vjeçar, viktimë e regjimit komunist
Komunistët shqiptarë, nuk kursyen nga pushkatimi, as Nikë Marash Micakaj, nga fshati Bëkaj i malit të Trieshit. Mëkati i tij i vetëm, për të cilin u vra, ishte se e deshi me gjithë shpirt shtetin amë – Shqipërinë Etnike. Këtë martir të demokracisë dhe lirisë, e vranë forcat ushtarake komuniste shqiptare, pa gjyq dhe pa faj, në moshën 32 – vjeçare në muajin maj të vitit 1946, diku rrënxë malit të Deçiqit.
Atij paraprakisht, ushtria komuniste, i rrethon shtëpinë dhe në befasi e arreston në Bardhaj, vend në brigjet e lumit Cem, në mes të Grabomit dhe Tamarës. Para togës së pushkatimit nga xhelatët komunistë të udhëhequr nga famëkeqi toger Baba, ky luftëtar trim i pamposhtur, i cili asnjëherë nuk u dorëzua në rrugën e tij, qëndroi denjësisht. Ajo ditë mizore e 76 vjetëve më parë, ditë e zezë e majit 1946, do të mbetet plagë e rëndë, e pashëruar përgjithmonë për familjarët, farefisin, Trieshin dhe krejt Malësinë.
Trieshjani, Nikë Micakaj, i njohur në Kelmend si Nikë Marash Ujka, ndërsa në vende tjera, si Nikë dajaku, i dashuruar me Shqipërinë, ishte ndër ata nacionalistë malësorë (shqiptarë) të angazhuar maksimalisht për bashkimin e trojeve etnike. Ishte njëri prej atyre burrave malësorë, që ishin betuar për të mos e lënë komunizmin të instalohej në Shqipëri, i bindur se përfundimisht kjo ideologji, do të ndrydhë dhe do të shkatërrojë personalitetin e njeriut.
Ky djalë i ri, e patriot, për asnjë çast dhe asnjëherë nuk iu tremb kërcënimeve, as të komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës, as atyre serbo-malazez, të Josip Broz Titos, të cilët në atë kohë bashkëpunonin ngushtë njëri me tjetrin në ushtrimin e dhunës, torturës dhe ekzekutimit pa gjyqe, të nacionalistëve shqiptarë dhe familjeve të tyre të cilat nuk mbështesnin regjimin (shtetin) komunist.
Historia e këtij antikomunisti, nuk u mbyll me vrasjen e tij. Eshtrat i janë zhdukur ndoshta përgjithmonë. Varri i këtij luftëtari trim të “harruar”, nuk dihet as sot e kësaj dite, sikur i shumë malësorëve të tjerë, të cilët derdhën gjakun e tyre nga kriminelët e kuq, sepse e donin Malësinë dhe Shqipërinë Etnike të lirë dhe të çliruar nga pushtuesit komunist, të cilët interesoheshin vetëm për interesat dhe pozitat e tyre e jo për lirinë e tokave shqiptare.
Bazuar në fakte dhe në dosjen familjare Nikë Micakaj, ai u lind në vitin 1914, në fshatin Bëkaj të Trieshit. Ishte djali i dytë i prindërve, Marash dhe Katrinës (e lindur Bojaj). U rrit dhe u edukua në një familje me ndjenja te larta kombëtare dhe burrërore. Që në fëmijëri, u brumos dhe u formua, duke dëgjuar rrëfime nga babai, gjyshi dhe axhat, për trimërinë dhe bujarinë e njohur në trojet shqiptare, të vëllazërisë së Bëkajve të Trieshit.
Qysh në rini u shqua nga moshatarët, për trimëri dhe zgjuarsi, por edhe për talentin që kishte, për qitje me armë zjarri. Pikësynim kishte të arrijë suksesin e gjyshit, Ujkë Gjonit, i cili e bëri Popin e kishës serbe, t’i mallkoj kuçasit pas disfatës që pësuan ata disa here, në sulmet e tyre hakmarrëse ndaj fisit Micakaj. Arsyeja e këtij mallkimi, ishte frika e secilit kuças, që nisej për t’u hakmarrë ndaj Micakajve, se do të vritej. Këtë e dëshmon më së miri rapsodi popullor përmes këtyre vargjeve: “…Ujk Gjon Cuku djal i ri / gjaqe la në shkijeni…”!
Nikë Micakajn në vitin 1935, e mobilizojnë në ushtri. Si ushtar e çojnë në Kotorr. Atje, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, takohet me një ushtar jugosllav, të cilin e kishin transferuar (larguar) nga Kazerma Ushtarake në fshatin Poprat (Triesh), ku ai kishte vrarë kushëririn e Nikës, Zef Purin Micakaj, në prag të derës së shtëpisë së tij. Pas një kohe ushtari vrasës, fillon t’i lavdërohet Nikës, se e ka vrarë një shqiptar, Zef Purin, në vendlindjen e tij. Nika me zemërim të thellë e mllef të madh i përgjigjet rrëmbyeshëm: “O katil i pashpirt e mizor, ti paske vrarë vëllain tim”!
Me shpejtësi nxori armën dhe e la ushtarin gjakatar të vdekur në vend. Me shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë që kishte, arriti të largohet dhe t’u shpëtoj breshërive të plumbave të ushtarëve jugosllavë. Së pari ndalet në Ulqin, prej ku shkon në Shkodër. Atje u bashkëngjitet çetave vullnetare kryengritëse nacionaliste e antikomuniste, të Malësisë së Madhe.
Ky pishtar i lirisë, merr pjesë aktive me pushkë në dorë në kryengritjet që u zhvilluan në Kelmend e, krahina tjera të Malësisë së Madhe, kundër forcave të ndjekjes partizane jugosllave – shqiptare. Luftoi me trimëri deri në vdekje, për çlirimin e trojeve shqiptare nga kthetra komuniste, bashkë me prijësin popullor të Kelmendit dhe mbrojtësin e kufijve të Vermoshit, nga aspiratat serbo-malazeze, Prekë Calin dhe bashkëluftëtarët e tjerë trima e të paluhatshëm në kryengritje, në të cilën u dënuan me vdekje (pushkatim), u vranë mizorisht, u burgosën dhe u shpërngulën në kampet e internimit të Kavajës, të Tepelenës, të Vloçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia. Ky trim sypatrembur dhe viktimë e regjimit komunist duhet të mos harrohet kurrë nga populli fisnik i Malësisë së Madhe, e as nga historia e cila, do të duhej ta njohë si dëshmor e atdhetar. Memorie.al