Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetenëntë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Takimi i parë
(Varka e mbytur në stere)
Çudi e çudive! Letërshkruesi nuk denonconte askënd, por dëshmonte kundër vetvetes! I atribuonte personin të tij, akuza fantastike, aq të llahtarshme, sa nëse s’do të ish ai që ishte, mund të përfundonte edhe litar! – “Maskara”! – shfreu Hyseni i pezmatuar tej mase nga ato mysybete qe i zinin sytë. S’mundi të përmbahej, po e pështyu vet denoncuesit në surrat dhe mandej ju fut me grushta dhe shpulla, duke ulërirë: – “O qelbësirë që s’ke lënë hale pa qelbur, me kërmën tënde të ndyrë’ për neve, po i qenke kthyer edhe vetes nashti”?! – dhe nuk i rreshtëte shpullat për spiunin.
– “Po ç’të bëj, ore! – qaravitej tjetri. – Ata më kërkojnë informata, ku t’i gjeja unë i shkreti”! – “Dhe gjete veten, o edepsëz”! – i shfreu Hyseni. – “Po, s’më kishte mbetur tjetër pa spiunuar mo, veç vetes sime! Aman o shokë, shpëtomëni nga ky i çmendur”! – u lutej të tjerëve që ndërkohë ishin zgjuar të tromaksur. – “Ptu-uhh, rracë e poshtër”! – e pështyu edhe njëherë Hyseni dhe e plasi shakull mbi çimento. Mandej e pagoi me një muaj izolim.
“Arka e kobit”, siç mund të krijonte lehtësira të papërfillshme kur spiunoje, po aq andralla të shkaktonte, kur iu kundërviheshe titullarëve te shtetit komunist, sidomos kur ndokush merrte guximin të kritikonte, apo të dyshonte në vijën politike ose mendimet e “ndritura” të Njëshit. Atëhere “Zeusi” tërbohej, ndërsente zagarët, mjerë kush iu binte në kthetra, se padyshim do mallkonte ditën kur kish lindur.
Medet, sa burra të zgjuar dhe guximtarë, çoi ajo “arkë e kobit” drejt çmendinave dhe më keq ende, para togave të ekzekutimit dhe në varre pa emër! Rastet e miqve të mi, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Xhelal Koprëncka, flasin vetë! Po edhe dhjetëra të tjerë, të zhdukur pa bujë, përfunduan kavje didaktike në laboratorët e fakultetit të mjekësisë! Falënderoj Zotin dhe miqtë e mi, që më mbajtën larg “arkës së kobit”!
Letrat që niseshin nga burgjet, shpesh bënte vaki të mos mbërrinin kurrë në destinacion. Për arsyet pse ndodhte kjo, s’donte t’ia dinte njeri; sepse askush s’jepte llogari, ngaqë asnjë s’kërkonte hesap edhe kur kishte ankesa. Fakti që punonjësit e ngarkuar për kontrollin e tyre, përtonin t’i lexonin apo, mungonin në punë me raport shëndetësor apo leje të zakonshme dhe askush s’merrte mundimin t’i zëvendësonin në detyrë, s’merakoste askënd.
Veçse për t’i hequr qafe, letrat i nisnin në adresën më të afërt, beharit në koshin i plehrave dhe dimrit në flakën e zjarrit; me to ndiznin stufat policët e shërbimit. Përsa iu përket personave të përfolur si të rrezikshëm, ose ata që momentalisht gjendeshin të ndëshkuar në qeli, as bëhej fjalë të shkruanin. Po edhe kur e bënin, harxhonin kot, pesë lekë zarf e pullë, se ato sërish në kosh e në zjarr përfundonin.
Edhe nëse do shkruanin shokët në emër të tyre, padyshim letrat i ndanin mënjanë dhe i kalonin në sitën e operativit, ku i priste po i njëjti fund, eliminimi. Rrallë ndonjë kish pasur fatin të kapërcente barrierën e të mbërrinte në destinacion, natyrisht kjo bëhej me synim të caktuar. Një arsye më shumë që letrat edhe pse mund të çanin rrethimin me tela, po s’mbrrinin në kohë në adresën ku niseshin, ishte neglizhenca e zyrave postare dhe e korrierëve në qytete apo fshatra, ku jetonin familjet e të dënuarve.
Më shumë ky fakt, spikaste në zonat e internimit. Shpërndarësit, sapo këqyrnin adresën e dërguesit, edhe pse mbi zarf nuk shkruhej asnjëherë “kampi” apo “burgu”, po shkurt me iniciale: “Rep 303”, “Rep. 305”, “Rep. 309”, etj., dhe poshtë, Spaç ose Reps, Burrel ose Ballsh, përsëri nga përvoja, ata e merrnin me mend që vinte nga një i burgosur. Meqë familjet e të dënuarve politikë, konsideroheshin armiqtë më potencialë të regjimit ose; “fole grerëzash ku injektohet helmi ideologjik për armiq të ardhshëm, të supozuar”, përbënte edhe një arsye shtesë, për mos t’ua çuar korrespondencën në kohë, apo për mos t’ua dhënë fare.
Pavarësisht ç’propagandonin aparatçikët komunistë për gjoja shërbime falas, për gjithë popullatën, këto ishin thjeshtë pallavra apo, një koperturë tyli që ndehej sipër korrupsionit masiv, për t’ua shitur naivëve. Flitej e ç’nuk flitej në sistemin komunist! Për spitale falas, për shkolla gratis, për punë të garantuar nga shteti, për rrafshim deri në zero të taksave dhe detyrimeve, për shërbime telekomunikacioni të siguruara, për shërbim ushtarak të detyruar, për të gjithë, për drejtësi socialiste të barabartë e të paanshme, kur institucionin e avokaturës, e kishin zeruar dhe atributet e mbrojtjes juridike, e kishte marrë përsipër vetë prokuroria, për mbarë rritjen e fëmijëve në çerdhe, kopshte e shkolla pa pagesë, ose me disa shpenzime simbolike, etj., etj., dokrra pafund.
Dëgjoje përbetime për mjekësi falas, po mjerë kujt i binte halli mbi krye. Mjekët të rripnin shtatë lëkurë! Për këtë fenomen rrëfeheshin edhe barsoleta, që kalonin gojë më gojë – vesh më vesh, si rasti i peshkatarit me copëzën e kallamit në këmbë që sa herë shkonte te mjeku, i çonte nga një krap. Mjeku që e shihte qartë majën e kallamit, në vend ta nxirrte me pinceta, e shtynte më thellë, të stimulonte sa më gjatë infeksionin, si rrjedhojë edhe krapin.
Një ditë që ai s’ndodhej në shtëpi, peshkatarin që falë krapit ish bërë i njohur për gjithë familjen, e priti i biri. Meqë kish asistuar shpesh pranë të atit në vizita e mjekime, ai kish mësuar të ndërhynte në rastet e lehta, aq më tepër kur bëhej fjalë për një mik. Kur dalloi majën e kallamit jashtë plagës së qelbëzuar, djali e hoqi me pinceta dhe si e pastroi, ia fashoj dhe e përcolli mikun, tashmë të lehtësuar.
Kur u kthyen prindërit në shtëpi, panë krapin të shtrirë dybek mbi lavapjatë, e pyetën të birin ku e kish psonisur, djali u tregoi për peshkatarin dhe mënyrën si kish vepruar ai me kallamin; pastaj u mburr dhe i demonstroi të atit aftësitë e tij në zanat. Babai iu vërsul i ndërkryer: – “Hy-yy-h-h, pu-uusht! Pse ore qafir, qorr më dije mua? Kujton se s’e shihja unë! E nxore kallamin, na hoqe krapin! Ha këtë trapin tani”! – i bëri shenjë mbi pantallona. – “Dhe po s’të doli ky, ha këtë të sat ëme”!
Trumbetohej me zhurmë, për shkollat gratis, por që të përfitonin një bursë studimi, prindërit kanë hequr të zitë e ullirit! Veç për dhurata dhe ryshfete “të mëdhenjve”, iu prenë koromanen fëmijëve! Tregojnë për një mësues gjuhe thuthuq, që shpjegonte mësimin me gjysëm goje. Kur fliste i gjori, duhej ta përsëriste fjalën dy tri here, që te arrinte ta artikulonte të plotë. Një ditë i erdh në kontroll inspektori i seksionit të arsimit të rrethit. E gjeti në orën e leximit letrar, duke deklamuar një poezi dedikuar dashurisë së pakufishme për partinë dhe shokun Enver.
Të mjerit mësues iu pre fare gjuha. I hutuar nga vizita e paparalajmëruar dhe nga emocionet e momentit, belbëzimi iu shtua disa fish. Gjatë deklamimit fjalën “dashuri” e shkërmoqi në rrokje, dash… dash.. dash.., aq sa inspektori zemërdhembshur i drejton gishtin një nxënësi, me synimin ta nxirrte nga sikleti: – “Plotësoje ti”! Nxënësi u çua serbes dhe u përgjigj: – “Dash me dy palë brirë, si ai që i çuan kryetarit të Komitetit”! Klasa ushtoi nga të qeshurat, kori i shfrenuar i fëmijëve, u ngrit në kupë të qiellit, ndërsa mësuesi u skuq deri në rrëzë të flokëve. I mjerë mësues, nisi të dridhet, mendoj se kaq e pat.
Por, jo! Edhe inspektori nga ana e tij, ish skuqur po aq, në mos më tepër. Në trurin e kontrollorit, po ndodhte krejt e kundërta; vetëtimthi iu fanit momenti, kur atë e bir për dore, këtu e dhjetë vjet të shkuara, kishin vajtur në shtëpi te kryetari me një goxha dash, me brirë të përdredhur. Me gisht shënjoi instinktivisht derën, si për t’iu thënë fëmijëve: “Jeni të lirë” dhe doli edhe vetë pas tufës zhurmuese. Kontrolli dështoi. Inspektori, s’u pa më në ato anë! Edhe që të siguroje një vend për fëmijët në çerdhe, apo kopsht, nevojitej ryshfet. Pale pastaj, për të siguruar shërbime të diferencuara, shtojcë!
Të duhej të rregulloheshe me drejtoreshën, me edukatoren dhe deri me sanitaren që iu ndërronte pelenat e pëgërra apo thjeshtë, të pshurrura. Rrëfejnë për një “pehlivan” nga anët tona; një ndër ata që i shihnin si të shkathëtit e atij vakti, që si prind shembullor, i çonte vetë fëmijët në kopsht përditë. Por, meqë atje personeli përbëhej vetëm nga femra, “i shkathëti” detyrohej të merrte me vete edhe të shoqen, një herë në muaj.
Natyrisht, mbasi kish shtënë në dorë ndonjë tubet buzëkuqi apo ndonjë palë sutiena, sigurisht me mik, si i shkathët që ishte. I zhyste ato në çantën e gruas dhe nisej për “aksion”; me një dorë karrocën e fëmijës, në tjetrën krahun e bashkëshortes. Por, më parë në shtëpi, kish instruktuar gruan, se si duhej të vepronte për të rënë në sy. Kur qëllonte behar, ai e udhëzonte të vishej me cohë të lehta, sa më transparente, që t’i dilnin në pah qartë, sutjenat e modës së fundit.
Ndaj e llangosur vesh më vesh, me të kuq buzësh, i fuste krahun e merrnin udhën. Me të mbërritur në kopsht, bënin ndonjë gjest sa të arrinin të tërhiqnin vëmendjen e drejtoreshës, që mandej të mund të takoheshin me të. Pastaj, fillonte loja. Pamja ekstravagante e nënës së re, thithte vështrimet ziliqare të grave të pranishme dhe sakaq biseda rridhte natyrshëm në hullinë ku synonte “pehlivani”, i cili me takt i jepte shenjë së shoqes të nxirrte nga çanta buzëkuqin dhe, si pa të keq i hidhte një llaf drejtoreshës, për numrin e sytjenave që përdorte, mandej me “turp”, tërhiqej mënjanë, që t’i linte gratë të zdërhalleshin në “punën” e tyre: domethënë, të zhvisheshin pa siklet, për të provuar të linjtat.
“Rastësisht” sutjenat i “ngjisnin” për mrekulli pas shtatit drejtoreshës dhe gruaja pa teklif, ja dhuronte, natyrisht edhe pa shpërblim. Përfundimisht pakti ish lidhur, për pasojë edhe trajtimi i fëmijës, ndryshe nga të tjerët. Që të kishe sukses, kjo histori përsëritej për muaj! Hall i madh kur vinte radha e djalit për ushtar! Viheshin në lëvizje me halla e xhaxhallarë, me teze e dajallarë, me farefis nga nëna e nga babai, me miq e me stërmiq, që t’i gjendeshin telat të Madhit në Degën Ushtarake.
Pa po, nevojiteshin edhe desh me dy të përdredhura, edhe para të thata, se si dihej ku të përfundonte djali, mbase katër vjet në marinë detare apo, prapa diellit, në ndonjë cep kufiri, në firifistun. E njëjta edhe kur kërkoje një fletë pune, për djalin apo vajzën! Sërish ryshfete për kryetarin e Këshillit Popullor, po edhe miq për të çarë.
Po edhe të siguroje një banesë në pallatet monotipe që ndërtoheshin me parafabrikate, me kontribut vullnetar, nevojiteshin po të njëjtat mjete, por më me shumicë në kësi rastesh, sepse edhe rrethi i përfituesve ishte më i gjerë. Niste me drejtorin e ndërmarrjes dhe sekretarin e byrosë, zgjatej | deri te nëpunësit e Komitetit Ekzekutiv dhe të partisë e titullarët e tyre.
Ryshfet e miq duheshin edhe për dasëm, thjeshtë të garantoje makinën që do merrje nusen, të duhej ta zije radhën gjashtë muaj, deri në një vit para ditës së dasmës. Pale, për të siguruar mishin, pijet; për lokal, as që bëhej llaf sepse mjaftonin tendat poshtë pjergullës, mbuluar me degë fieri.
Madje edhe në raste vdekjesh, do ta lyeje mirë rrotën; për të të dhënë një pako kafe plus, do kapje me radhë që nga kryetari i Këshillit, deri te drejtori i N.T.SH.-së dhe biles, edhe kasapin, se në fund të jepte mish dhie, apo pule importi. Deri edhe për një biletë autobusi, duhej ryshfet! Biletashitësit ishin shndërruar në personat më impozantë në qytet, madje në tërë krahinën, të ngjashëm me vipat e sotëm. Pra, ryshfeti dhe korrupsioni, ishte një plagë që rridhte qelb, çdo orë e çdo ditë, pavarësisht lojës së strucit, fshehur nën velin e pushtetit dhe të organizatave të masave.
Por korrupsioni më i thekshëm, ai më monstruozi, bëhej në zyrat postare, sepse edhe shërbimet më jetike kryheshin nëpërmjet këtyre zyrave. Atje nisje letrat; atje prisje përgjigjen; atje zihej radha një javë para për telefonata, për të mirë e për të keq; po atje dërgoje dhe merrje pako, për brenda e për jashtë shtetit; atje postoheshin lekët për djalin ushtar, për vajzën në shkollë, për në aksionet e rinisë. Mendo, kur bëhej fjalë për letërkëmbimet, pakot dhe mandate-pagesat në burgje!
Pra, siç shihet, ato ishin ndër zyrat më me rëndësi të shtetit komunist. Ato zyra kishin organika të tej fryra. Në to punonin specialistë, zyrtarë e lloj-lloji sorollopi, që nga inxhinierët, ekonomistët, postierët, telegrafistët dhe deri te operativët e Sigurimit, që survejonin mbi veprimtarinë dhe praktikën e përditshme të letërkëmbimeve, të dërgesave monetare, të pakove që niseshin e priteshin dhe deri te pastërtia biografike, e vetë të punësuarve. Atje, gjithçka mbahej nën monitorim të rreptë.
Meqë ish ndër institucionet më të domosdoshme edhe korrupsioni ishte në nivelet më alarmante, nëpunësit që nga maja, deri te postieri, i gëzoheshin ndonjë ryshfeti, sado të vogël dhe këtë e merrnin me çdo çmim. Por deri sa ta shtinin në dorë, ta nxirrnin shpirtin nga hundët, çikë e nga një çikë, grumbullonin në zyra apo në çanta një dëng me letra dhe, kur iu mbushje xhepin, mund t’i jepnin sipas rastit: po të qëllonte ndonjë zemërmirë, t’i dorëzonte të tëra, po të ishte shpirtkatran, t’i jepte me pikatore, një nga një, sa herë përfitonte mitë. Kështu, edhe për letrat, duhej të paguhej rast pas rasti se, në të kundërt… putheshe me Milon!
Këtë mënyrë veprimi kish zgjedhur edhe im atë, në marrëdhënie me superiorët e postës e pastaj, me postierin. Me para të thata, me dashje pa dashje, leu rrotën e qerres të mos kuiste. Mirëpo sa e rregulloi me postierin e lagjes, atij i kishin ndryshuar zonën, pra, iu desh të lidhej me të riun, por edhe kjo kërkonte kohën e vet, kështu puna zgjati deri në mars. Në mes të marsit, arriti të shtinte në dorë, letrën e dhjetorit dhe te marsit, e preku në qershor. Gjatë tërë kohës ish sorollatur varavingo ati i mjerë, sa në Shkodër, në Tiranë, vet dhe nëpërmjet të njohurve, po askush s’i kishte dhënë adrese të saktë.
Kështu me të marrë haberin, s’e bëri të gjatë edhe pse koha ishte e pafavorshme me llohë dhe e ftohtë. Mbushi trastat dhe u nis në Mirditë. S’e prisja, as në mënd s’më shkonte, se dikush mund të kuturiste, të ndërmerrte udhëtim në rrugët e largme të Mirditës, në këtë stinë qameti te rënduar nga lloha dhe reshjet e vona. Po, ja që ndodhi!
Zemra e lënduar e atit, e fshikur nga dhimbja prindërore, i mposhti te gjitha vështirësitë; sfidoi motin e keq, sfidoi rrugët pa rrugë, sfidoi privacionet e transportit dhe mbi të tëra, sfidoi Sigurimin e Shtetit! I paharruari At! Dola në pjesën më të ngritur të sheshit, hodha vështrimin përtej rrethimit në drejtim të portës, por s’dallova gjë.
Mes mjegullës dhe rrëshekëve të shiut që vazhdonte të rridhte, ishte e pamundur të pikasje, qoftë edhe dhjetë metër më tej. Nën strehën e zyrës së oficerit të rojës, më zuri syri tellallin, iu afrova dhe e pyeta: – “Ismail, mos po bëni ndonjë lojë me mua”? – ish hera e parë që e thërrisja me emër të plotë sepse, sa kohë kisha aty, isha mjaftuar t’i thoshja thjeshtë, tellall.
Ai ngriti sytë e vegjël si të urithit, pastaj i vaisi mbi duar dhe kur pa se i kisha bosh, m’u shkreh: – “Ore, shaka e more ti”? – “Mendova, mos është tallur ndokush”! – “Kohë për t’u tallur të duket kjo! Bjeri ore trastat, se u bëmë qull”! Më këqyri çehrevrenjtur, pamje që binte ndesh me trupin e tij të imët prej burreci.
Bëra prapaktheu për në depo, te Refat arixhiu, ku hyra me vrull. Gjithë trupi më kullonte ujë, si të më kishin nxjerrë prej pellgut. – “Hajde or mik, po na paske prurë lumin me vete”! – m’u trus Refati. – “Nga halli, Refat”! – “Po, në këtë shi e gjete?! S’prite dot sa të tarakste, o i uruar”? – “Më kanë ardhur në takim”! – ia ktheva. – “Kush, ore”? – “S’e di”! – “Po shyqyr”! – dhe me dorën shtrirë, u nis për nga unë. – “Ti qenke për uruar, or të keqen Fati”!
– “Falemnderit Refat”! – “Marçë habere të mbara ishalla, shpirtiii”! – uroi Refati, sipas mënyrës arixhinjçe dhe u nis të më ndihte, të zbrisja thesin nga rafti i epërm. U erdhi radha edhe aletet dhuratë të Eminit të mirë! Zgjidha gjalmin e mora ca enë, nja katër-pesë qesuke, dy trasta dhe ia çova Malos. Ndërsa i jepja ato, zgjata kokën te porta gjysëm e hapur dhe hodha vështrimin matanë saj.
Nën strehë, mbështetur pas murit të komandës, shquava një siluete të zezë, që këqyrte ngultas drejt telave të kampit. Nëpër mjegullinë, njoha tim atë. Figura e tij e gjatë dhe e thatë, po më shëmbëllente edhe më e thatë, edhe më e gjatë, se ç’ish në të vërtetë. Mbase kjo ndodhte, si pasojë e efektit shumëfish, të kohës së gjatë pa u parë, përzier me vizionin optik të mjegullës.
E pashë të përkulte lehtë kokën dhe më pas, ta ngrinte. Kujtova se më vuri re, po kur veprimin e shoqëroi më të praptën e dorës dhe fshiu nga balli ujin e shiut, e kuptova, isha gabuar. Ai s’kish parë, as dhe një gjë! Ndërsa babai vazhdonte të fshihte fytyrën, me një shami të bardhë, që për një çast e uli dhe e shtrydhi, mandej sërish e ngriti lartë. “Ç’fshin ai vallë, ujin e shiut apo djersën, apo… lotët”?!
S’e ndava dot! Ndoshta fantazia ime e fantaksur, gjezdiste në anën më të zezë të realitetit. Malua kaptoi portën dhe dera u mbyll pas shpatullave të tij. U bëra njësh me llamarinën. Një mall gërryes po më përzhiliste, ndërsa padurimi, më hoqi trurin. Isha gati t’iu hidhesha telave. Kur dera bllokoi pamjen, erdh një çast që e humba kontrollin, harrova ku gjendesha.
“O Zot! Si i harrova prangat, telat gjembaçë, policët me kërbaç, ushtarin me mitraloz, mbi karakollin e hyrjes, qenin pa hundçë që tërhuzej në zinxhirë, birucat, burgjet politikë, tellallin; biles krejt gjithësinë?” Atë moment u ndjeva i dyzuar, mes tokës dhe eterit. Por kjo dilemë zgjati fare pak, sepse zëri i tellallit, e këputi në mes dhe më ktheu mbi tokë: – “Bëj mënjanë, o humbameno, se na bëre qull”!
I hapa shtegun. Dera u mbyll sërish. – “Or tëj, po futu bre nën llamarinë, se je ba si pulë e lagme”! – ishte polic1 në zyrën e oficerit të rojes, që më fliste. Ndoshta pamja ime mjerane, i kish ndjellë mëshirën. Gjendesha në kapërcyell humbëtirë, në një gjendje dalldie, që më kish shashtisur deri në trallisje.
Kish të drejtë Malua, vërtetë isha katandisur humbameno, madje i shkallës sipërore, sa injorova edhe shiun, që derdhej me gjyma nga qielli dhe më depërtonte deri në asht; injorova policët në kthinë që zgjasnin duart e mpira drejt stufës; injorova ushtarin me mitraloz të lehtë, mbi karakoll që vigjilonte dhe mezi priste të më eliminonte, që të përfitonte një pesëmbëdhjetë ditësh leje; injorova qenin pa hundçe, që skërmiste dhëmbët e mprehtë si çatalla vampiri; me një fjalë, kisha hedhur pas shpine mantelin e derteve, me tërë tmerret e së shkuarën dhe gjithë të panjohurat e së ardhshmes.
Po s’munda të injoroja faktin, që jetonim në kontinentin e terrorit komunist. – “Luj vendit, or tëj, futu nën strehë bre”! – përsëdyti polici. – “Apo ke lujt fiqirit”!? Ky urdhër-sugjerim nga pas dritares me xhama të avullt, u trazua me oshtimat e gjëmimeve të largët dhe u tret në luginë. Në pritje të më shoqëronin për te porta, u struka edhe më pas llamarinës.
Me syrin ngjeshur në vrimat e gozhdëve, rrekesha të ajgëtoja ç’bëhej matanë. Por, përtej këtij pareti ambalazhesh fuçish zifti, s’arrija të shihja asgjë. Ama, bisedat mund t’i ndiqja. Pra, ndarja e llamarintë, shërbente vetëm si barrierë visive, sepse zërin s’e pengonte dot.
“Zëri, or mik, është fluid, i pakapshëm dhe i pandëshkueshëm, ndonëse për shkak të tij, jemi në burg! Është frymë, është ideal, është mendim që fluturon e kapton fusha, male, dete, fshatra, qytete, kufij dhe shtete! Arrin në veshin e të mëdhenjve të botës, siç arrin edhe te Zoti! Dhe ata na dëgjojnë dhe shumë shpejt do të veprojnë”! – na jepte shpresë Izet Gumeni, kur ndonjë prej nesh, bjerrte besimin te vendet demokratiko- aksidentale. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016